N J O F T I M P Ë R A P L I K I M
PËR FUNKSIONIN E ANËTARIT TË KËSHILLIT DREJTUES TË AUTORITETIT TË KOMUNIKIMEVE ELEKTRONIKE DHE POSTARE (AKEP)
Në mbështetje të pikës 3, të nenit 114, të ligjit nr.9918, datë 19.5.2008, “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, Këshilli i Ministrave është institucioni përgjegjës për propozimin e anëtarëve të këshillit drejtues të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), të cilët zgjidhen nga Kuvendi.
Në përfundim të mandatit të njërit prej anëtarëve të këshillit drejtues të AKEP-it, Këshilli i Ministrave inkurajon personat që përmbushin kriteret të aplikojnë për këtë vend vakant.
Aplikanti duhet të plotësojë kriteret, si më poshtë vijon:
Të jetë:
a. specialist, me arsim të lartë, i kualifikuar, që ka, të paktën, 10 vjet përvojë pune;
b. përfaqësues nga sektori i komunikimeve elektronike, postare, i ekonomisë dhe i drejtësisë.
Të mos jetë:
a. bashkëshorti ose i afërm, deri në shkallë të dytë, i anëtarëve të Këshillit të Ministrave;
b. dënuar nga gjykata për kryerjen e një vepre penale, me vendim të formës së prerë;
c. debitor, kreditor ose aksionar në një shoqëri, e cila i nënshtrohet kuadrit rregullator të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare;
ç. i përjashtuar me ligj për të mbajtur poste publike shtetërore.
Aplikanti që do të emërohet në pozicionin e anëtarit të këshillit drejtues të AKEP-it duhet të japë dorëheqjen nga çdo post ose funksion zyrtar e partiak, të tërhiqet nga çdo veprimtari private fitimprurëse, si dhe të shesë e të shlyejë çdo interes financiar, që mund të ketë në shoqëri, që ushtrojnë veprimtari tregtare nën juridiksionin e AKEP-it.
Dokumentet që duhet të dorëzohen janë, si më poshtë vijon:
– Kërkesë për aplikim;
– Kopje e letërnjoftimit;
– Curriculum vitae në gjuhën shqipe (secila faqe e firmosur);
– Dokumente të diplomimit (të noterizuara) si dhe dokumente të përvojës në fushat e kërkuara;
– Dokument që të provojë vjetërsinë në profesion;
– Vetëdeklarim se nuk është debitor, kreditor ose aksionar në një shoqëri, e cila i nënshtrohet kuadrit rregullator të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare;
– Formular të vetëdeklarimit (të plotësuar e të firmosur), në zbatim të ligjit nr.138/2015, “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, të ndryshuar;
– Formular të aplikimit (të plotësuar e të firmosur) për informim për zyrtarët përpara emërimit/zgjedhjes në poste të larta, në zbatim të ligjit nr.45/2015, “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”.
(Deklarimi i rremë sjell përjashtimin nga çdo procedurë e mëtejshme e konkurrimit dhe përgjegjësi penale, sipas legjislacionit në fuqi.)
Afati i dorëzimit të aplikimit, deri më 22 nëntor 2024.
Adresa: Kryeministria
Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr. 1, 1000
Tiranë, Shqipëri
Zyra e Sekretarit të Përgjithshëm
Tel.: 00355 4 22 77 401