Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Kryeministri Edi Rama do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Tokio, Japoni.

Kryeministri Edi Rama do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Tokio, Japoni, nga data 21 deri më 23 maj 2026, me synim forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve miqësore mes dy vendeve dhe zgjerimin e bashkëpunimit në fusha me interes të ndërsjellë.

Gjatë qëndrimit në Tokio, Kryeministri Edi Rama do të zhvillojë një takim dypalësh me Kryeministren e Japonisë, Sanae Takaichi, si edhe një vizitë kortezie me Kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve, Eisuke Mori.

Në kuadër të vizitës, Kryeministri Edi Rama do të vizitojë gjithashtu Universitetin e Kombeve të Bashkuara në Tokio, ku do t’u drejtohet pjesëmarrësve në një panel diskutimi me titull “Rruga e Shqipërisë drejt Anëtarësimit në BE: Roli i Japonisë”. Kryeministri Rama do të prezantojë rrugëtimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian në vitin 2030 dhe do të theksojë rëndësinë e partneritetit strategjik me një vend që ndan të njëjtat vlera si Japonia, në një botë ku mbrojtja e përbashkët e vlerave tona të përbashkëta është bërë ekzistenciale.

Axhenda e vizitës përfshin gjithashtu një takim me anëtarët e Grupit Parlamentar të Miqësisë Japoni–Shqipëri dhe një takim me drejtuesit e lartë të Organizatës Japoneze të Tregtisë së Jashtme (JETRO).

Kryeministri Edi Rama do të marrë pjesë gjithashtu në një tryezë të rrumbullakët me drejtuesit e Federatës Japoneze të Biznesit (KEIDANREN) dhe përfaqësues të komunitetit të biznesit, me qëllim prezantimin e potencialit ekonomik të Shqipërisë dhe inkurajimin e investimeve japoneze në vend.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.