Fjala e Kryeministrit Edi Rama në takimin “Zhvillimi i burimeve natyrore në harmoni me mjedisin”:
Është momenti për të bërë një bilanc të shkurtër, të një periudhe jashtëzakonisht të vështirë, lidhur me një temë jetike siç është tema e mjedisit, pasi të gjithë e kanë para syve trashëgiminë shumë të rëndë të keqtrajtimit ekstrem të burimeve dhe pasurive natyrore dhe pasi qeveria është angazhuar qysh ditën e parë për të rivendosur rendin ligjor në këtë terren ku ka ende shumë punë për të bërë.
Dy momente me rëndësi themelore që janë adresuar në këtë periudhë kanë pasur të bëjnë me minierat dhe me HEC-et, për të krijuar një ekuilibër sa më të natyrshëm mes nevojës së pandalshme për zhvillimin dhe domosdoshmërisë që zhvillimi të mos cenojë të ardhmen e vendit dhe të mos ndodhë në kurriz të gjeneratave të tjera.
Pa dyshim që në vitet e shkuara kemi pasur një zhvillim tërësisht të paqëndrueshëm, ku të drejtat e zhvillimit janë dhënë pa hesap dhe pa ndërtuar në të njëjtën kohë mekanizmat e domosdoshëm për të monitoruar detyrimet që burojnë nga këto të drejta.
Faktikisht, ka disa shembuj shumë domethënës lidhur me faktin se shumë kompani, të cilat kanë operuar qoftë në sektorin e minierave qoftë në ndërtimin e HEC-eve, vazhdojnë t’i kenë detyrime të rënda shoqërisë dhe një pjesë e tyre për vite të tëra as nuk kanë denjuar të paguajnë garancinë e rehabilitimit. Pa llogaritur faktin që në të shkuarën batërdia e korrupsionit dhe pa dyshim e këtij modeli zhvillimi pa asnjë qëndrueshmëri ka sjellë një numër të drejtash apo lejesh të dhëna për HEC-e ndër të cilat 113 janë drejtpërdrejtë në zona të mbrojtura. Pra, zona të përcaktuara ligjërisht si zona të paprekshme nga rrugët e zhvillimit dhe prej tyre 42 janë tanimë në prodhim, 23 janë ende në proces ndërtimi, ndërsa 58 të tjera nuk kanë filluar dhe nuk kanë për të filluar punë, pasi në projektligjin që propozohet për të rishikuar lejet e dhëna do të ndalohet një herë e mirë ndërtimi i HEC-eve apo i çfarëdo lloj tjetër aktiviteti në zonat e mbrojtura.
Problemi i madh mbetet ende qasja e kompanive ndaj mjedisit mbi bazën e kontratave të nënshkruara që parashikojnë kompensimin e pjesës së shfrytëzuar përmes rehabilitimit të sipërfaqeve të tjera përreth.
Në projektligjin e ri që parashikon rehabilitimin progresiv të mjedisit, për të cilin ndërkohë jemi duke përgatitur dhe një sërë aktesh nënligjore, është detyrimi për të bërë rivlerësime nga të gjitha institucionet përkatëse.
Është koha që subjektet të kryejnë rehabilitim progresiv, vit pas viti, dhe jo vetëm përfundim të afatit të lejes minerare. Ashtu sikundër, është koha që disa shembuj pozitiv, fatmirësisht, i kemi dhe këto shembuj pozitiv të bëhen shembuj në të gjithë territorin e Shqipërisë. Kam parasysh këtu subjekte që operojnë në rrethin e Krujës të cilat realisht përbëjnë edhe shembuj pozitiv në respektimin e plotë të kontratës për të mundësuar rehabilitimin progresiv të mjedisit, ashtu sikundër po aty, por dhe në zona të tjera vazhdon të ketë shembuj negativ me të cilët jemi në luftë të përditshme.
Është fatkeqësi që në vitin 2015 ende nuk kemi mbaruar me këtë proces konflikti të vazhdueshëm mes qeverisë, për të vendosur dhe për ta kthyer në normë respektimin e çdo angazhimi kontraktual të të gjitha kompanive që merren me shfrytëzimin e burimeve natyrore dhe vetë kompanive, të cilat vazhdojnë të rezistojnë dhe vazhdojnë të mos i nënshtrohen plotësisht detyrimeve kontraktuale mbi të cilat kanë marrë edhe të drejtat për shfrytëzim të pasurive natyrore.
Ne revokuam 160 leje minerare, si shkak i mungesës së kushteve minimale të punës. Por, ka ardhur koha të shkojmë më tutje dhe të drejtat të mos lidhen drejtpërdrejt vetëm me kushtet e punës dhe sigurisht dhe të jetës së njerëzve, që është pjesa më e çmuar, por edhe me zbatimin pikë për pikë të kontratës dhe të angazhimeve të marra në kontratë për përgjegjësinë mjedisore.
Sigurisht që, do të vazhdojmë të stimulojmë investimet, do vazhdojmë të mbështesim rritjen e kapaciteteve, çka po e shohim të ndodhë në mënyrë inkurajuese në sektorin e minierave ku kemi disa investime me një rëndësi të posaçme që kanë sjellë rritje të rëndësishme të punësimit, kanë sjellë edhe rritje të rëndësishme të shpërblimit për minatorët. Ashtu sikundër, jemi shumë të inkurajuar dhe nga puna e një sërë kompanive në fushën e energjisë, të cilat po ndërtojnë me standarde europiane dhe po i përgjigjen në mënyrë shumë të përgjegjshme detyrimit për të shfaqur gjatë gjithë kohës një përgjegjësi të lartë ligjore. Ministri përmendi Devollin, por padyshim ka dhe kompani të tjera që kanë sjellë zhvillime më të vogla në masë, por po aq cilësore nga Mirdita në zonën e Skraparit dhe Beratit, që i shoh këtu të pranishëm, por edhe të tjerë padyshim që janë shembuj për t’u ndjekur.
Ajo çka unë dua të nënvizoj në këtë takim është domosdoshmëria që të gjithë të marrin një mesazh shumë të qartë që;
Ne nuk do të ndalemi! Ne nuk do të kemi asnjë tolerancë për të gjithë ata që vazhdojnë të shfaqin sjellje barbare apo dhe të papërshtatshme me mjedisin.
Shumë shpejt, do t’i çojmë parlamentit një paketë të re për krimet mjedisore dhe do të mendojmë në mënyrë shumë të ndjeshme ndëshkimet për të gjithë ata që prekin nga një pemë deri te një pyll i tërë.
Nga ana tjetër, Ministria e Mjedisit po vazhdon të çojë përpara një projekt të inovacionit për të futur teknologjinë e re në monitorimin e situatës dhe për të bërë të mundur identifikimin në kohë reale të shkelësve të ligjit, të prerësve të paligjshëm të pyjeve, me të cilët vazhdon një përballje e përnatshme. Që, për fat të keq, nuk na jep suksesin e dëshiruar dhe të merituar për të gjithë shoqërinë, për shkak të bandës së gjyqësorit që vazhdon të nxjerrë dhjamë nga të mundet, që nga bashkëpunimi në korrupsion me krimin e organizuar deri tek bashkëpunimin në korrupsion me këta barbarë, që në vend që të dergjen pas hekurave rikthehen përsëri në vendin e krimit dhe vazhdojnë presin pyje, pasi kanë paguar gjykatësit për të marrë lirimin e tyre të menjëhershëm apo për të mos u trajtuar fare si abuzues apo si fajtorë përpara ligjit.
Nuk është absolutisht një betejë e lehtë.
Është larg së qenit një betejë e fituar.
Por, padyshim, në këtë periudhë ka një ndryshim të rëndësishëm në marrëdhëniet mes qeverisë dhe subjekteve të ligjshme. Ka një ndryshim të rëndësishëm në sjelljen e subjekteve të ligjshme. Ka edhe një tërheqje të konsiderueshme të gjithë atyre që operojnë në mënyrë të paligjshme dhe që nxjerrin përfitime të paligjshme nga shfrytëzimi barbar i pasurive të përbashkëta natyrore.
Është një moment i ndërmjetëm, ka ende shumë për të bërë, por ajo çka vlen të thuhet sot është që ne jemi shumë të inkurajuar nga rezultatet të arritura deri këtu. Jemi shumë të vendosur që ta përmbyllim me sukses këtë betejë dhe ta normalizojmë tërësisht marrëdhënien me mjedisin, pasi kemi hedhur një hap kolosal përpara duke i dhënë fund industrisë së paligjshme të ndërtimtarisë pa leje dhe duke bërë kështu të mundur që të mos vazhdojë gllabërimi dhe degjenerimi i një pjese tjetër të territorit të vendit ashtu siç tanimë është gllabëruar dhe degjeneruar një pjesë e konsiderueshme toke bujqësore, toke në bregdet, toke nëpër kodra, apo deri edhe nëpër pyje.
Duke shprehur respekt për të gjithë ata që janë në vijën e parë të kësaj beteje dhe duke konsideruar po kaq të rëndësishme edhe betejën e brendshme kudër korrupsionit në strukturat e inspektimit, sepse edhe aty kemi probleme të vazhdueshme, siç kemi probleme edhe brenda për brenda Policisë së Shtetit, siç kemi dhe brenda të gjithë strukturave të tjera. E rëndësishme është që kjo është një betejë që kemi marrë përsipër dhe po e zhvillojmë dita ditës dhe ashtu sikundër jemi plotësisht të vullnetshëm që të ndjekim dhe të analizojmë të gjithë ata që i dalin përballë shtetit dhe kundër ligjit, ashtu jemi po kaq të vullnetshëm që të penalizojmë të gjithë ata që nga brenda shtetit përpiqen të përfitojnë duke bërë marrëveshje me krimin apo me kriminelët e të gjitha niveleve, në këtë rast me kriminelët mjedisor, për të cilët siç e thashë do të ketë një paketë të posaçme me të gjitha ilaçet e duhura në mënyrë që ky kriminalitet mjedisor të marrë fund dhe që Shqipëria ta ketë plotësisht në dispozicion asetin e vet më fantastik, që është bukuria dhe pasuritë të paçmuara natyrore.
Faleminderit!
***
Takimi vazhdoi në formën e një dialogu mes të interesuarve të sektorit dhe panelit ku ishin Kryeministri dhe dy ministrat Gjiknuri e Koka. Një nga shqetësimet e ngritura nga një prej sipërmarrësve ishte për shpalljen e afro 400 hektarë si zonë minerare që sipas tij bllokon gjithë kullotat e zonës së Martaneshit. Sipërmarrësi që operon në këtë zonë u shpreh se kjo zonë e re minerare krijon probleme me subjekte të tjera sepse mbyll rrugët.
Pas sqarimeve të dhëna nga Ministrat Gjiknuri e Koka, Kryeministri Rama u shpreh:
“Ky ndërveprim ishte shumë i mirë, sepse e theu rutinën e një takimi të zakonshëm dhe unë falenderoj zotërinë që mori fjalën dhe shprehu shqetësimin e tij.
Është e qartë që nga pikëpamja proceduriale deri tani çështja është trajtuar brenda kufijve të ligjit, por nuk është përfunduar. Pra, momenti i shpalljes nga Ministria e Energjisë nuk është momenti përfundimtar, sepse pas atij momenti ka një vlerësim nga Ministria e Mjedisit dhe ju jeni njeriu i duhur në kohën e duhur, sepse paskëtaj Ministria e Mjedisit do ta ndjekë këtë çështje për të balancuar nga njëra anë çfarë e ka shtyrë Ministrinë e Energjisë që të operojë drejt dhënies së lejes dhe nga ana tjetër çfarë ju shtyn juve dhe komunitetin aty që t’i kundërviheni kësaj mundësie. Duke parë “pro”-të dhe “kundra”-t dhe duke vënë në balancë gjërat siç e kanë kompetencën e vet, Ministria e Mjedisit do mbajë qëndrimin e saj dhe qëndrimi i Ministrisë së Mjedisit është përfundimtar. Në qoftë se Ministria e Mjedisit do të mbajë qëndrimin që ju keni të drejtë dhe kjo zonë sjell dëmet që ju parashihni ose në të kundërt do të thotë që ju s’keni të drejtë, sepse këto dëme nuk janë të parapara prej jush ashtu siç duhet.
Pra, është një proces, dhe të jeni të bindur që deri në fund, ne do ta ndjekim me shumë vëmendje, që të bëjmë zgjedhjen e duhur, siç jemi munduar të bëjmë vazhdimisht.”
Një tjetër e ftuar foli në emër të Institutit të Ruajtjes së Natyrës dhe njëkohësisht shprehu një shqetësim të shoqërisë civile. Sipas saj gjatë punës është ndeshur me fakte drastike të shkatërrimit të natyrës sonë për shkak të ndërtimit të hidrocentraleve jo vetëm në zonat e mbrojtura, por është prekur edhe planifikimi jo në ndërtim konkret. Është prekur çdo rrjedhë e përrenjve që ka territori shqiptar. Duhet që të bëhej një studim i mirëfilltë i potencialeve ujore që ka Shqipëria pastaj të jepeshin këto hidrocentrale, sepse nuk ka asnjë studim të mirëfilltë që të dihet se sa ujë është i nevojshëm për hidrocentralet dhe pastaj të jepeshin lejet për ndërtimin e tyre.
Duke vlerësuar faktin se edhe shoqëria civile ka rilindur pas vitit 2013, sepse kur bëhej batërdia me lejet shoqëria civile nuk kishte zë, Kryeministri Rama theksoi se projektiligji i ri që do t’i çohet Kuvendit për miratim synon pikërisht frenimin e kësaj batërdie me burimet dhe pasuritë natyrore të vendit:
“Përsa i takon kësaj qeverie ne kemi bllokuar, ndaluar, penguar me të gjitha fuqitë tona çfarë na ka dalë përpara nga gjithë prurja e batërdisë së viteve të shkuara. Ua thashë që janë 58, projekte HEC-esh në zonat e mbrojtura, përveç atyre që janë ndërtuar apo atyre që janë në vazhdim, të cilave ne nuk kemi çfarë t’u bëjmë sepse janë kontrata koncensionare të lidhura me qeverinë dhe në rast se ne do t’i hidhnim në erë me IKMT-në do të kishim fatura marramendëse për të paguar, nuk na del llogaria. Por, të gjitha ato që nuk kanë filluar, nuk do fillojnë. Do të ndalohen. Ashtu sikundër projektligji ndalon përfundimisht çdo lloj institucioni që të përfshihet në dhënie të drejtash për shfrytëzim të pasurive natyrore në të gjitha zonat e mbrojtura.
Nga ana tjetër që t’ju jap një informacion për rrjedhat. Besoj që ndanim me mua mendimin që një nga rrjedhat më të rëndësishme është Vjosa. Vjosa ishte planifikuar të bëhej njësoj si, nuk e di a ju kujtohet Guliveri i lidhur nga gjithë liliputët dhe nga burimi deri në fund të mbushej me hidrocentrale. Ndërkohë që, ne kemi për Vjosën një plan tjetër, planin e Parkut Natyror. Sigurisht nuk mund të kthejmë mbrapsht hidrocentralet që janë në ndërtim, por që nga Kalivaçi e lart ne nuk do të lejojmë më të ndërtohet asnjë hidrocentral.
Nga pikëpamja e zhvillimit të sektorit, po themi, drejtpërdrejtë të lidhur me sektorin, ky mund të jetë një dëm ekonomik, por dëmi ekonomik dhe social që do të shkaktojë në rast se ne do ta lidhnim gjithë trupin e Vjosës si Guliverin me gjithë liliputët që do t’i merrnin ujin dhe shpirtin do të ishte shumë i madh. Po kështu ky është sensi i përgjithshëm i qeverisë në të gjithë territorin.
Sigurisht që, nuk mund të jemi njësh me ju, prandaj ekzistojmë ne ekzistoni dhe ju, se po të ndiqnim ju fjalë për fjalë atëherë do të duhej të rikthenim parullën “edhe barë do hamë, por nuk dorëzohemi”. Duhet të balancojmë të dyja gjërat sëbashku.
Jemi maksimalisht të vendosur që ta bëjmë këtë gjë. Jemi maksimalisht të vendosur që t’i japim një dimension të gjelbër të gjithë politikës sonë në të gjitha drejtimet. Nuk marrim përsipër t’ju bëjmë juve të lumtur, se pastaj do të ishte fundi i shoqërisë civile. Ju duhet të jeni të palumtur që të na ndihmoni me shprehjen e palumturisë suaj që ne të përmirësohemi. Por, padyshim, që jemi absolutisht në një gjatësi vale kur vjen fjala për ta ndalur dhe zmbrapsur këtë barbari të madhe që nga të katër anët e ka bërë copë-copë Shqipërinë në emër të zhvillimit.
Po të shikoni të gjithë sektorët e zhvillimit, ecuria e tyre në të gjitha vitet ka qenë, jep të drejta zhvillimi dhe mos merr përsipër asgjë për të mbrojtur interesin publik, të drejtat e publikut dhe për të siguruar që zhvillimi të jetë i qëndrueshëm.
Nuk është vendi për t’ju hyrë bisedave të gjata, por po të shikojmë se çfarë kurthi i madh i është ngritur qeverisë, shtetit dhe shoqërisë edhe në shumë nga këto parablerjet e kontratave të parablerjes së energjisë, prapë është një histori më vete. Pra, jep të drejta zhvillimi dhe mos pyet fare se kush paguan kostot e atij zhvillimi.
Ndërkohë që, ne duam që çdo e drejtë zhvillimi të jetë e balancuar me detyrimin që buron ndaj shoqërisë nga ajo e drejtë zhvillimi. Shteti duhet të jetë gjithmonë e më i aftë që t’i mbrojë një më një këto detyrime duke i njohur palës sipërmarrëse të drejtën që të bëjë zhvillim. Vetëm kështu mund të harmonizojmë, besoj, interesat që mbron qeveria, që mbron sipërmarrja, që mbron dhe shoqëria civile. Ne jemi në mes dhe prandaj jemi gjithmonë ‘më të këqijtë dhe më të padëshiruarit’, por e kemi zgjedhur vet nuk na e ka dhënë njeri me zor, kështu që sa më shumë na shani aq më mirë na bëni.”
Një përfaqësues i disa kompanive të huaja që janë të interesuara për investime në Shqipëri që ishte marrë me biznese dhe jashtë vendit tregoi dëshminë e tij dhe u interesua për riciklimin e mbetjeve: “Përpara ca vitesh unë erdha me një grup holandezësh dhe bëmë një studim përsa i përket riciklimit të mbetjeve. Ja propozuam edhe ish kryeministrit dhe e pa me interes të madh, por asgjë nuk u bë. Çfarë mund të bëni ju përsa i përket riciklimit të mbetjeve? Sepse nga Italia e veriut, deri në Europën Veriore, të gjitha bëhen me anë të impianteve. Unë them edhe pse i kam parë nga afër, por edhe si ekspert në këtë fushë po bëre riciklimin e mbetjeve ka dhe një harmonizim të natyrës, të mjedisit dhe një zgjidhje të turizmit në Shqipëri.”
Kryeministri u shpreh se hapa janë bërë në këtë drejtim:
“Ke shumë të drejtë dhe ky është patjetër pjesë e shqetësimeve tona.
Së pari, trashëgimia edhe këtu në këtë aspekt është shumë e rëndë. Pjesë e riciklimit të suksesshëm të mbetjeve është riciklimi i suksesshëm i mentalitetit të njerëzve. Këtu kuptohet që ka punë puna, kur i thonë sepse, fatkeqësisht, njerëzit janë mësuar me një sistem krejtësisht të paorientuar drejt faktit të thjeshtë se kujdesi për mbetjet është kujdes i drejtpërdrejtë për veten dhe për fëmijët tanë.
Nga ana tjetër, ne kemi bërë disa hapa. Mjafton të kujtoj atë që po bëjmë në Elbasan, ku kemi kaluar në një fazë komplet të re të trajtimit të mbetjeve me investimin që po bëhet atje. Ndërkohë në Berat, do të fillojë një projekt pilot, që besoj do të jetë një shembull fantastik përmes bashkëpunimit të Bashkisë së Beratit me Bashkinë e Veronës, që në kemi ndërmjetësuar. Bashkia e Veronës është lider në këtë fushë dhe ka arritur që të ketë një kompani të vetën që merret me mbetjet, e cila tanimë është një kompani fitimprurëse që ofron shërbime nëpër botë.
Aty është një projekt kompleks i gjithë procesit të riciklimit të mbetjeve, ndarjes së mbetjeve qysh në momentin e parë pastaj riciklimin e tyre, që besoj do të jetë një tjetër histori suksesi.
Ndërkohë, janë dhe një sërë projektesh të tjera në vijim, kështu që ne do mirëprisnim edhe çdo propozim tuajin. E keni provuar me ish Kryeministrin nuk ju ka dalë gjë, nuk humbisni gjë ta provoni edhe me Kryeministrin tjetër, se po nuk ju doli gjë, ju me këtë jeni mësuar dhe nuk do të jetë ndonjë gjë e re.”