Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Prononcimi i Kryeministrit Edi Rama, pas takimit me kryetarin e PD-së, Lulzim Basha në Presidencë:

Kemi marrëveshje Zoti Rama? Çfarë u arrit në negociata?

Kryeministri Edi Rama: Jemi në të njëjtin pozicion që kemi qenë dje. Oferta që unë i kam bërë Partisë Demokratike, nëpërmjet kryetarit të saj, është ajo e ditura, për të ndërtuar një mekanizëm monitorimi të zgjedhjeve, ku Partia Demokratike të ketë të dy sytë në proces nga brenda qeverisë, me një zëvendëskryeministër, i cili të propozohet nga Partia Demokratike, por të vijë jo nga radhët e Partisë Demokratike. Ai, sëbashku me 3 përfaqësues, përkatësisht të Shteteve të Bashkuara, të Bashkimit Europian dhe të OSBE-së, të drejtojë një Task-forcë për të siguruar që shteti dhe asetet shtetërore nuk keqpërdoren për fushatë elektorale. Tre zëvendësministra të propozuar nga Partia Demokratike, por jo nga radhët e Partisë, të cilët të vendosen në Ministrinë e Punëve të Brendshme, në Ministrinë e Drejtësisë dhe në Ministrinë e Arsimit. Edhe këta të 3 po ashtu të jenë të shoqëruar nga 3 përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar në rolin e monitoruesve, për të adresuar në kohë reale çdo problematikë që mund të lindë në proces, çdo ankesë, çdo pretendim, çdo akuzë lidhur me rolin e policisë, qoftë dhe të një punonjësi të vetëm policie në fshatin më të largët të Shqipërisë. Apo lidhur me burgjet dhe rolin e Drejtorisë së Burgjeve në një proces ku të garantohet liria e votimit dhe e drejta për të zgjedhur sipas bindjeve. Po ashtu, në të gjithë sektorin e arsimit për të garantuar që çdo pretendim për propagandë politike nëpër klasa, për mbyllje shkollash, për intimidim të votuesve-nxënës, të votuesve-mësues të adresohet në kohë reale dhe të merren masa në kohë reale.

Këtë gjë, t’ju them të drejtën, kur kam qenë në krye të opozitës si kryetar i Partisë Socialiste, as nuk kam pasur kurajon ta pres në ëndrrën time më të bukur, por është diçka që duhet dhe faktikisht adreson të gjitha ato pika problematike të raporteve të ODIHR-it pas zgjedhjeve të radhës e të radhës, ku flitet për përdorim të padrejtë të avantazheve që krijon makina shtetërore ndaj opozitës.

Natyrisht, kjo e gjitha të shoqërohet me një rregullore që monitorohet nga zëvendëskryeministri në fjalë, qoftë për financimin e fushatës, në kuptimin që nga karburanti për të gjitha mjetet shtetërore, deri tek kufizimi i aktiviteteve qeveritare në funksion të fushatës. Pra, të përcaktojmë bashkërisht se cilat janë aktivitetet qeveritare që Kryeministri apo ministrat nuk kanë të drejtë të bëjnë, sepse mund të influencojnë zgjedhjet, për të mos përsëritur, edhe pse ne nuk kemi ndërmend ta bëjmë, historinë kur hapim me vrap një tunel para zgjedhjeve dhe tuneli binte 10 ditë pas zgjedhjeve.

Përsa i përket aspektit tjetër, të kërkesës këmbëngulëse të Partisë Demokratike për votimin dhe numërimit elektronik, kam propozuar që menjëherë, një ministër politik, i zgjedhur nga Partia Demokratike, kuptohet me njohje për teknologjinë e lartë dhe jo për armatimin ushtarak, të bëhet pjesë e qeverisë me një ekip, me një buxhet, për të përgatitur një projekt të besueshëm dhe për të paraqitur konkretisht projektin për t’i realizuar këto avancime teknologjike, që, nëse certifikohen si të besueshme, atëherë t’i zbatojmë në zgjedhjet e ardhshme vendore.

Kjo është oferta jonë.

Ndërkohë, përsa i përket datës së zgjedhjeve, data e zgjedhjeve është 18 qershori.

Ky është pozicioni im. Ky është pozicioni ynë.

Kohë shumë nuk ka. Jemi në limitet e fundit të kohës. Përpjekja për të bërë gjithçka që na takon si qeveri, për ta garantuar Partinë Demokratike për aq sa ka të bëjë me rregullat e lojës dhe jo për aq shumë sa Partia Demokratike parafytyron lidhur me “apokalipsin” e vendit, nuk kanë shteruar deri më sot. Unë kam qenë i gatshëm. Por, dua ta përsëris, një ofertë tjetër nuk e kemi dhe nuk do ta kemi, sepse nuk shohim hapësirë për më shumë.

Kjo që është propozuar, a është pranuar sot?

Kryeministri Edi Rama: Këtë do ta thotë kryetari i Partisë Demokratike. Por mund t’ju them se në kuptimin tim të bisedës, përgjigja është jo.

A ju është propozuar një draft i ri marrëveshjeje nga ambasadorët?

Kryeministri Edi Rama: Mua ambasadorët nuk më propozojnë drafte. Unë kam mirëpritur gjithë përpjekjet e bëra. Kam mirëpritur platformën e sjellë nga miku i Partisë Demokratike, përfaqësues i Partive Popullore, kryetari i Komisionit të Jashtëm të Parlamentin Europian dhe i dërguari i Kancelares Merkel. Përtej kësaj, ne nuk mund të shkojmë.

Deri kur është limiti i fundit që ju e prisni opozitën?

Kryeministri Edi Rama:  Ju kam thënë që ne kemi kohë që nuk e presim Partinë Demokratike. Ne vazhdojmë punën për qeverisjen e vendit. Vazhdojmë punën për fitoren e thellë të 18 qershorit. Dëshira ime e madhe është që fitorja të jetë e thellë me Partinë Demokratike brenda. Por kjo nuk varet nga unë.

Vazhdoi kërkesa e Partisë Demokratike për dorëheqjen tuaj?

Kryeministri Edi Rama: Nuk është korrekte që pas një bisede, që mund t’ju siguroj që ka qenë e drejtpërdrejtë, ka qenë etike dhe pa asnjë tonalitet çadre, unë të komentoj kryetarin e Partisë Demokratike. Ai do të vijë këtu vetë dhe do të komentojë qëndrimin e tij.

Thatë që ju nuk e keni parë as në ëndërr këtë propozim dikur, ndërkohë që në realitet keni parë shtyrjen e zgjedhjeve…

Kryeministri Edi Rama: Ju ngatërroni ingredientë që nuk ngatërrohen me njëri-tjetrin. Historia është krejt ndryshe. Nëse do ta lexoni historinë dhe nuk do ta përsërisni vetëm me të treguar, do të kuptoni që nuk ka lidhje fare.

Takimi i ditës së sotme nga kush u kërkua, nëse do të na e sqaroni këtë pikë?

Kryeministri Edi Rama: Nuk ka pikë rëndësie kjo, sepse nuk jemi këtu në situatën ku do të tregojmë se kush kërkoi takimin për të vendosur në pozicion kërkuesi njërin apo tjetrin. Unë e kam kërkuar këtë takim prej 2 apo më shumë muajsh. Kam shprehur gatishmërinë time për t’u ulur për të biseduar. Më është kërkuar dorëheqja si fletëhyrje në takim. Nuk kam paraqitur këtë fletëhyrje. Jemi ulur më në fund. Më mirë vonë se kurrë. Gjithçka që mund ta përfshijë Partinë Demokratike, duke respektuar në të njëjtën kohë deri në fund të drejtën e atyre që ma kanë dhënë mua mandatin, është e udhës të bëhet.

Zoti Rama, pozicioni juaj a përkrahet nga partnerët ndërkombëtarë si një zgjidhje politike?

Kryeministri Edi Rama: Ju partnerët i dëgjoni. Kur të keni mundësi pyetini vetë. Unë nuk komentoj as partnerët, as bisedën e bërë me kryetarin e Partisë Demokratike. Unë thjesht shpjegoj qëndrimin tim dhe të aleancës që qeveris.

Do ju shijonte një fitore pa Partinë Demokratike në këto zgjedhje?

Kryeministri Edi Rama: Fitoret janë fitore! Ato shijojnë gjithmonë, ju siguroj. Është Partia Demokratike, apo nuk është, ky nuk është një vendim që e marr unë, apo që e marrim, apo që e merrni ju. Ky është një vendim që e merr lidershipi i Partisë Demokratike.

A do e takoni përsëri zotin Basha?

Kryeministri Edi Rama: Unë mund ta takoj sërish dhe gjithmonë. Ndërkohë që zgjedhjet do të bëhen në 18 qershor dhe ne vazhdojmë punën për të fituar zgjedhjet.

Ju thatë pak më parë që keni përshtypjen që opozita do të thotë jo për ofertën tuaj. Nga e krijuat këtë bindje?

Kryeministri Edi Rama: Nuk dua të komentoj edhe një herë tjetër pasfolësin tim. Unë thjesht po ju shpjegoj qëndrimin tim. Ju thashë, kjo është oferta. Sigurisht që po të kishim pasur një marrëveshje, do kisha thënë kemi një marrëveshje. Do të kishim dalë madje të dy bashkë, besoj. Por marrëveshje nuk ka dhe më shumë se kaq, nga ana jonë, për një marrëveshje nuk do të ketë.

Nuk do të ketë më negociata, apo do të ketë?

Kryeministri Edi Rama: Në çdo moment mund të flasim për ofertën tonë. Për të tjera, Zoti Basha mund të vazhdojë t’i thotë në çadër.

Edhe sa kohë do ta prisni Zotin Basha?

Kryeministri Edi Rama: Unë kam kohë që nuk e pres. Por në çdo moment që jam në mundësinë për ta takuar dhe për të folur, do ta takoj dhe do të flas. Jeta vazhdon.

Mirupafshim!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.