Fjala e Kryeministrit Edi Rama në takimin me përfaqësues të dhomave të tregtisë dhe të shoqatave të biznesit në vend, për luftën kundër informalitetit:
Përshëndetje!
Më lejoni të vë dy pika hyrëse;
Përfundimin me shumë sukses të operacionit të Eurobondit, ku Shqipëria doli në tregjet ndërkombëtare. Pasi morëm atë që kërkonim në raport me Eurobondin e vjetër, kemi tani një Eurobond të ri me 450 milionë euro dhe me 5,75% interes, që është treguesi më kuptimplotë i punës dhe imazhit që ka ndërtuar vendi në të gjithë këtë rrugëtim.
Fakti që, tregjet u përgjigjën me kaq pozitivitet, në një klimë që nuk është më e favorshmja në tregjet financiare, është përgjigja më e mirë dhe më solide për të gjitha pretendimet se ekonomia nuk po ecën mirë, se financat e vendit nuk janë të shëndetshme, se operacionet e qeverisë nuk po japin rezultatin e duhur dhe mbi të gjitha se reformat nuk janë të duhurat. E kundërta është e vërtetë. Pikërisht, pse ne po bëjmë reformat e duhura; pikërisht pse konsolidimi i financave po vazhdon; pikërisht pse ekonomia po jep sinjale të qarta qëndrueshmërie dhe rritje të qëndrueshme, çështje tjetër madhësia e rritjes, përgjigja nga tregjet financiare ishte edhe më e mirë se sa e parashikonin më optimistët në grupin e punës për Eurobondin.
Edhe pse i takon ditës së nesërme prezantimi publik i përfundimit të negociatave me FMN, unë mund të pararend ditën e nesërme, duke vënë theksin në dy aspekte.
Së pari, nuk do të kemi rritje taksash. Çka konfirmon, po këtë herë jo me zërin tonë, por me qëndrimin e FMN-së se gjithçka është propaganduar për rënien e të ardhurave nuk ka lidhje asgjëkundi me arsyet e gënjeshtërta që i janë servirur publikut. Por përkundrazi, ka lidhje me gjendjen objektive të konjukturës ndërkombëtare, që nga rënia e çmimit të naftës, e çmimit të mineraleve, aspekteve të tjera që kanë të bëjnë me kursin e këmbimit, me inflacionit e kështu me radhë, e nga ana tjetër nuk do të prekim llogarinë kapitale, pra do të vazhdojmë të investojmë.
Konfirmimi i ecurisë brenda programit të konsolidimit financiar dhe të rritjes ekonomike me Fondin Monetar Ndërkombëtar është konfirmimi më i mirë dhe më inkurajues që vendi mund të merrte sot dhe kur them sot kam parasysh që jemi në një proces që është larg së qënit i përfunduar i reformave, jemi në një operacion që vazhdon.
Jemi ende në sallën e operacionit për të pastruar organet e gjithë trupit të ekonomisë dhe të shtetit tonë nga metastazat e krijuara për shkak të kancerit të keqqeverisjes, të korrupsionit, të keqadministrimit në të gjithë sektorët.
Sot, jemi këtu për të vazhduar një debat të hapur lidhur me operacionin kundër informalitetit, që është një nga arsyet pse edhe në negociatat në Fondin Monetar Ndërkombëtar, qeveria ishte në një pozicion të favorshëm besimi. Kemi krijuar besimin se bëjmë atë që themi dhe themi atë që bëjmë. Kjo, sigurisht na krijon kushtet dhe na jep mundësitë për të vazhduar më tutje. Nuk jemi këtu ende në momentin kur mund të flasim për rezultatin përfundimtar, por jemi në momentin kur mund të themi se ja çfarë bëmë, për çfarë e bëmë dhe ku do të mbërrijmë, pikërisht se po bëjmë gjërat që po bëjmë.
Ka pasur një artikulim të vazhdueshëm, që operacioni kundër informalitetit i bie ndesh interesave të biznesit. Këtë artikulim mund ta gjesh vetëm në vende që janë pajtuar me informalitetin, si një e keqe e pashmangshme, ndërkohë që në asnjë vend normal, në asnjë shtet serioz nuk mund as që të diskutohet një çështje e tillë. Informaliteti është kurthi për biznesin dhe për ekonominë e një vendi. Sa më i madh informaliteti aq më i madh dhe më i thellë ky kurth.
Është e sigurt që operacioni po jep rezultate mjaftueshmërisht inkurajuese. Është e sigurt që falë këtij operacioni, në një kohë të arsyeshme, ne do të jemi në kushtet ku jemi sot, pasi kemi realizuar me sukses operacionin e energjisë.
Për herë të parë në historikun e marrëdhënieve me institucionet financiare ndërkombëtare, energjia nuk ka qenë më një problem në diskutimet me FMN. Për herë të parë!
Për herë të parë qeveria shqiptare nuk ka qenë përballë institucioneve financiare dhe përballë të nesërmes me barrën e tmerrshme të borxheve dhe të pamundësisë për të financuar normalisht sektorin e energjisë.
Kjo i detyrohet pikërisht atij operacioni që bëmë. Po njësoj do të jemi kur ky operacion të ketë dhënë rezultatet e veta të qëndrueshme, ndërkohë që rezultatet e deritanishme janë rezultate që na tregojnë shumë qartë se kjo nuk është vetëm rruga e duhur, por është e vetmja rrugë, rrugë pa alternativë tjetër.
Ankesat, vajtimet, qarjet dhe mbi të gjitha propagandimet e ideve të “shtyje për nesër se sot njerëzit s’kanë mundësinë”, janë të gjitha shprehje e inercisë e të kaluarës. Ne me të kaluarën kemi një raport shumë të qartë. Raporti ynë me të kaluarën është i tillë që na imponon që të veprojmë me agresivitet për t’u ndarë nga e kaluara në çdo sektor dhe jemi të vendosur të ndahemi nga e kaluara në raport me informalitetin.
Faktikisht, sot jemi në kushtet kur kompanive serioze dhe biznesit legjitim po i krijojmë një hapësirë tërësisht të re, që nuk e ka pasur deri dje. Po i krijojmë hapësirën e konkurrencës së lirë dhe të fituarit me meritë, duke e mbrojtur nga konkurrenca e pandershme dhe nga përfitimet e paligjshme të atyre që për shkak të hapësirës që krijon informaliteti, përmes veprimesh të paligjshme dhe aktivitetesh gjysëm ilegale, kanë imponuar në tregje të caktuara dhe në ekonominë e vendit realitete të deformuara.
Ne duam që çdo biznes të trajtohet në mënyrë të barabartë me tjetrin, sigurisht nga e thëna në të bërë është një mes një det të tërë. Sigurisht që, nuk mund të gjykohet qëllimi dhe metoda e një operacioni nga dhimbjet që shkaktohen përgjatë operacionit dhe as nga devijimet e pashmangshme që kemi ndeshur dhe do vazhdojmë të ndeshim për shkak të një administrate që është edhe ajo në një proces reformimi dhe vetëtransformimi.
Nga ana tjetër, përveç trajtimit të barabartë është shumë e rëndësishme që të sigurojmë se masat e marra do të jenë të qëndrueshme në kohë. E filluam këtë operacion në një situatë ku çdo biznes, edhe kompanitë më të njohura, do të duhet të përballeshim me problemin e informalitetit brenda vetvetes. Për këtë arsye, ne kemi zgjedhur rrugën e dhënies kohë për të deklaruar, për të vetëdeklaruar korrigjimet, pra për t’u vetëkorrigjuar.
Shmangiet e të kaluarës dhe inercia e të kaluarës duhet të adresohen. I kemi dhënë kohë të gjithë kompanive që t’i adresojnë vetë, t’i adresojnë në mënyrë të vullnetshme, deri në fund të këtij viti duke gjykuar se, në fund të fundit, kjo është një situatë që është lejuar 20 e kusur vite me radhë. Kjo i shfajëson deri në një farë mase kompanitë për këtë periudhë të ndërmjetme kohe, por, është vetëm një periudhë e ndërmjetme që kompanitë duhet ta shfrytëzojnë intensivisht për të qenë në rregull me veten dhe me shtetin. Është një nxitje nuk është një amnisti, një nxitje për t’u vetrregulluar, duke na dhënë ne mundësinë që të rrisim asistencën, ndihmën dhe mbështetjen për tatimpaguesit që duan të respektojnë ligjin.
Deri në 31 mars të vitit të ardhshëm, të gjitha kompanitë që bëjnë tregti me shumicë mund të kryejnë vetëm 10% të shitjes së tyre tek individi, pra me kasë fiskale dhe paskëtaj do të duhet që gjithçka ta bëjnë me faturë tatimore. Trashëguam një situatë ku kompanitë e mëdha silleshin si biznes i vogël. Shitja me shumicë bëhej si shitje me pakicë, një deformim i tmerrshëm i gjithë zinxhirit të veprimtarisë ekonomike.
Kjo është një masë që nuk është ndëshkuese. Është një masë që faktikisht shëndosh ekonominë dhe i ndihmon në radhë të parë bizneset e vogla të shitjes me pakicë që të marrin faturat për të justifikuar çdo mall në inventarin e tyre.
Ne jemi shumë të kënaqur që kemi arritur të ndryshojmë qenësisht procedurat e rimbursimit të tatimit mbi vlerën e shtuar. Nëse deri dje kjo procedurë administrohej lokalisht dhe në mënyrë kaotike, çdo subjekt që kërkonte rimburisim duhej të kontrollohej, standardet e kontrollit dhe vendimmarrja ishin komplet në gjykimin e lirë individual të një inspektori ose të lidhura drejtpërdrejtë me përfitime të paligjshme të administratës.
Koha e rimbursimit ka marrë edhe vite të tëra, madje vite të tëra dhe prapë nuk janë rimbursuar. Ju e dini vetë këtë. Gjithë kjo situatë është përmbysur. Sot ka një instancë të rimbursimit të TVSH, ku çdo kërkesë bëhet online në sistem, ku me sistemin e ri të analizës së riskut rimbursohesh automatikisht dhe pa kontroll fare nëse rezulton se je subjekt pa risk, ku standardet janë të njëjta për të gjithë dhe ku nuk ka opinione individuale apo opinione burokratike që përcaktojnë nëse rimbursohesh apo jo dhe ku koha maksimale e rimbursimit është 60 ditë.
Sot, falë këtij operacioni ne kemi një tatim mbi vlerën e shtuar të deklaruar për muajin shtator 4.8 miliardë që është një kapërcim historik, në raport me këtë të ardhur që është një e ardhur bazë për funksionimin normal të ekonomisë, veprimtarisë tregtare dhe të vetë shtetit.
Kemi 11 milion dollarë të deklaruara më shumë, ose 30 % më shumë se një vit më parë. Në kohën që flasim tvsh-ja e rimbursuar për muajin shtator është 77 % më shumë se një vit më parë. Pra është një sistem nga ku përfiton ekonomia, përfiton shteti, përfiton drejtpërdrejtë çdo biznes. Rimbursimet e kryera kanë qenë 13 milion dollarë më shumë sesa një vit me parë. Ajo që duam ne të bëjmë se bashku me ju, është që të ndryshojmë rrënjësisht marrëdhëniet mes biznesit dhe administratës kur vjen puna tek kontrollet. Të mos kemi më kontrolle pa objektiva, të mos kemi më kontrolle të përzgjedhura në mënyrë spontane dhe shpeshherë të dyshimtë dhe të mos kemi më kontrolle të palajmëruara në kohë dhe të kryera pa bashkëpunim.
Sot ne jemi në një fazë të re. Subjektet për kontroll nuk i zgjedh më sipas qejfit administrata, as nuk përcaktohen në bazë të orekseve të caktuara ose me keq akoma siç bëhej deri dje, në bazë të epsheve politike, por vetëm në bazë të analizës së riskut që është një analizë që bëhet shkencërisht dhe përmes teknologjisë dhe është po teknologjia që përcakton objektivat e kontrollit, falë të dhënave të marra në kohë reale, nga gjithë veprimtaria ekonomike dhe tregtare, në bazën tonë të të dhënave dixhitale.
Të gjitha kompanitë që do të certifikohen fiskalisht nga kompanitë ndërkombëtare që janë praktikisht në një listë, në bazë të një udhëzimi të ministrisë së financave, do të rreshtohen tek kompanitë me pak risk. Pra, ju kemi dhënë mundësinë kompanive, të gjithëve ju, dhe të gjitha atyre që s’janë këtu, por që janë e njëjta kategori, që ti shmangin plotësisht kontrollet e administratës duke u vetëaudituar me kompanitë ndërkombëtare të auditit. Futja në këtë kategori dhe auditimi nga kompanitë ndërkombëtare të auditimit do të bëjë që çdo kompani që ndjek këtë procedurë të hyjë tek kompanitë me më pak risk ose pa risk. Duke hyrë tek kompanitë me më pak risk, ose pa risk, do të ketë një trajtim tërësisht tjetër, nga ana e administratës tatimore.
Ne jemi të vetëdijshëm edhe për një fakt, e dini ju më mirë se ne. Ndryshimi i shpeshtë i legjislacionit në vite, ka sjellë shumë problematika dhe shumë halle për biznesin.
Ne kemi hyrë në një proces bashkëpunimi me liderin botëror në fushën e këshillimeve dhe të çështjeve fiskale PriceëaterhouseCoopers dhe kemi filluar të organizojmë takime në të gjithë vendin me synim informimin dhe rritjen e dijes të të gjithë tatimpaguesve, veçanërisht të bizneseve të vogla për të gjithë kuadrin ligjor fiskal.
Brenda një periudhe kaq të shkurtër, regjistrimi i bizneseve është me të vërtetë mbresëlënës dhe shumë inkurajues. Sot kemi 136 mijë biznese ose 25 % më shumë, sesa në gusht të 2015. Pra ¼ e numrit të bizneseve që janë sot aktive në Shqipëri është rezultat i këtij operacioni vetëm në muajin shtator dhe tetor.
Xhiroja mesatare e deklaruar është 50 % më shumë se në të njëjtën periudhë të 2014. Nuk është rritur ekonomia në një masë që të justifikojë këtë. Është rritur aspekti ligjor i saj, është rritur formalizimi. Pra 50 % më shumë xhiro e deklaruar, që është një shifër e jashtëzakonshme.
Peshën më të madhe të rritjes së xhiros dhe ky është lajmi shumë pozitiv e ka biznesi i madh 63 %. 10 % të peshës e ka biznesi i vogël me tvsh dhe 27 % të peshës e ka biznesi i vogël.
Akoma më mbresëlënëse dhe inkurajuese është shifra e punonjësve të regjistruar, e atyre që deri dje ishin skllevër në të zezë dhe sot janë persona të punësuar që paguajnë taksa, janë të siguruar dhe kanë një perspektivë të qartë. Është një numër i paimagjinueshëm.
Janë 128 mijë, nga të cilët 73 mijë janë që regjistrohen për herë të parë. Pjesa tjetër janë të riregjistruar, pasi kanë bërë lëvizje. Por 73 mijë është numër i ri.
Ka një ecuri të mirë edhe me kasat fiskale, tetëfishim brenda kësaj periudhe. Ajo që është më e rëndësishme është dyfishimi i punës së kasave fiskale, të cilat bëjnë 40 mijë transmetime në ditë, nga 20 mijë që bënin në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Po ashtu, numri i kuponëve të lëshuar gjatë periudhës së operacionit ka një rritje drastike; 37 milionë kuponë më shumë sesa në të njëjtën periudhë të një viti më parë, ose 665 mijë kuponë më shumë në ditë, krahasuar me një vit më parë.
Këto të gjitha nuk janë të dhëna për të bërë festë, por janë vetëm pjesë e një procesi që vazhdon dhe që kërkon të konsolidohet e të bëhet i qëndrueshëm, të bëhet normal dhe ka ende shumë hapësirë për ta normalizuar procesin. Në ditët në vijim, Ministria e Financave do të çelë një lotari promocionale të Vitit të Ri për kuponin, ku do të ketë disa kategori fituesish mes qytetarëve që do të mbledhin më shumë kuponë.
Ne besojmë se ky është një proces që do t’i japë ekonomisë sonë një frymëmarrje të re, do t’i japë shoqërisë sonë një frymëmarrje të re dhe do t’i japë biznesit një frymëmarrje të re. Të gjitha bizneset legjitime, më në fund janë në kushtet kur nuk ndjehen si budallenj që paguajnë, ndërkohë që ngjitur është dikush që si më i mençur nuk paguan.
Këto të dhëna thjesht për të vendosur një kornizë në bashkëbisedim dhe me vetëdijen e plotë nga ana jonë, që ne si shtet, administrata jonë ka po ashtu shumë ende për të bërë, për të qenë në lartësinë e ambicie së këtij operacioni dhe të ambicies sonë të përbashkët për të krijuar një ekonomi ku informaliteti të shkojë në parametra të pranueshëm, siç është në vende të tjera të rajonit apo në Bashkimin Europian. Por me informalitet që shkon deri në 50%, ne nuk kemi asnjë shans të bëjmë prokopi. Asnjë shans! Të gjitha të tjerat janë teori kot. Kjo është pak, por e sigurt.
Ne jemi sot, në kushtet kur shikojmë një rritje të konsiderueshme të manifakturës. Prandaj kemi marrë përsipër që të paguajmë ne si shtet, detyrimin që të gjithë eksportuesit e manifakturës kanë si detyrim të ri në dogana, për shkak të futjes së skanimit. Kështu nuk do të jetë më barrë për kompanitë dhe nuk do të kenë kompanitë, stresin e rritjes së kostos dhe të uljes së aftësisë së tyre konkurruese.
Ky operacion na jep mundësinë të kemi një qasje të re ndaj të gjithë të vetëpunësuarve përmes zanateve të tyre, për të cilët do të zerojmë taksat, me kushtin që të jenë të regjistruar dhe të siguruar, jo në të zezë, pra, çdokush që është i vetëpunësuar me zanatin e tij. Do të ketë një listë të përcaktuar të të gjitha zanateve që krijojnë vetëpunësim dhe jo punësim të të tjerëve, d.m.th, jo ndërmarrje të vogla, që nuk do të paguajnë asnjë taksë. Po kështu e njëjta gjë për tregjet e lagjeve, ku secili që shet në treg do të trajtohet si ambulant, por me kushtin që të jetë i regjistruar. Po kështu, edhe për ambulantët në territor, që do të marrin nga bashkitë një dokument regjistrimi.
Njerëz të paregjistruar, që operojnë në të zezë, nuk duhet të ketë dhe për çdo lloj veprimtarie në të zezë, masat do të jetë drastike. Nuk ka asnjë arsye pse ne të nisemi nga gjobat dhe nga ndëshkimet, për të bërë diskutime. Gjobat nuk janë për ata që janë të rregullt, ndëshkimet nuk janë për ata që janë të rregullt.
Politika “vër gjoba” nga të katër anët nga pak, na ka sjellë në këtë derexhe.
Këndvështrimi ynë është që gjobat duhet të jenë pak, por duhet të jenë të rënda, ndëshkimet duhet të jenë pak, por duhet të jenë të rënda, në mënyrë që karakteri i tyre parandalues të funksionojë. Kur e di që ndëshkimi është i rëndë, je shumë më i motivuar që të zbatosh rregullat. Kur e di që ndëshkimi është qesharak, je i pamotivuar që të respektosh semaforin, të respektosh rregullat e qarkullimit e kështu me radhë.
E kjo është historia jonë e gjithë këtyre viteve. Nuk kemi pse të nisemi nga ndëshkimi, për të përcaktuar politikat. Ndëshkimi është për ata që shkelin ligjin dhe nuk mundemi të mblidhemi e të qajmë hallin e atyre që shkelin ligjin. Secili që shkel ligjin, le të qajë hallinë vet, nuk do t’ia qajnë të tjerët. Besoj se kjo është e thjeshtë dhe normale, nuk kemi ç’të diskutojmë këtu, se përndryshe deformojmë rrënjësisht, gjithë thelbin e kësaj që duam të bëjmë. Për çfarë arsye, një kompani është e motivuar të respektojë të gjitha rregullat, në rast se nga mosrespektimi i rregullave, ndëshkimi është qesharak. Mjafton të bëjë një llogari kosto-fitim dhe thotë “Punë e madhe! po s’më kapën, unë fitoj shumë më tepër, sesa humbas po të më kapin. Edhe po të më kapin, do të më lëshojnë dhe mbasi të më lëshojnë, unë do të vazhdoj dhe do ta kompensoj”. Ky është një biznes më vete që duhet të marrë fund në Shqipëri. Nuk ka pse ta diskutojmë më këtë punë, mjafton ta shikojmë sesi ka funksionuar tek energjia, ku rëndimi i masave solli jo atë që predikohej apo predikohet, por solli një nxitje më të madhe për të qenë në rregull.
Duke qenë se ky është një proces që vazhdon, besoj që është gjithmonë e udhës të diskutohet, të ndërveprohet, të dëgjojmë njëri-tjetrin. Ne kemi plot gjëra që duhet të korrigjojmë njësoj si ju. Nuk jemi ne këtu që përfaqësojmë perfekten dhe ju që jeni të gjithë me gabime, por jemi bashkërisht, në të njëjtën anije dhe të dyja palët kanë shumë për të korrigjuar. Sigurisht, shteti, administrata ka shumë për të korrigjuar, sepse po të mos kishte shumë për të korrigjuar, edhe ju do të ishit shumë më mirë, sot.
Shumë faleminderit!