Reforma e rritjes së pagave e ndërmarrë nga qeveria, në sektorin publik, si dhe domosdoshmëria e ecjes me të njëjtin ritëm edhe e kompanive private, ishin në qendër të bashkëbisedimit informues të zhvilluar mes Kryeministrit Rama dhe punonjësve e drejtuesve të një prej bizneseve të mëdha në kryeqytet, me synimin për ta bërë tregun më tërheqës dhe krahun e punës më të mirëpaguar kudo në vend.
* * *
Shumë faleminderit të zotit të shtëpisë, në radhë të parë, që na krijoi këtë mundësi dhe faleminderit të gjitha zonjave që do na durojnë për disa minuta.
Jemi këtu në vazhdën e takimeve që lidhen me rritjen e pagave dhe domosdoshmërinë që edhe sektori privat, edhe sipërmarrja, njësoj siç po bën qeveria me pagat në sektorin publik, të reagojë dhe të kuptojë sa nuk është vonë që pavarësisht çdo gjëje tjetër, suksesi i një kompanie, i një sipërmarrjeje, i një biznesi lidhet me kapitalin njerëzor, lidhet me ata që punojnë çdo ditë.
Për fat të keq jo të gjithë e kuptojnë këtë dhe nga ana tjetër, fatmirësisht ka dhe kompani si kjo e cila është model në trajtimin e punonjësve, prandaj edhe e kemi zgjedhur këtë vend këtu; edhe për tu thënë shumë të tjerëve që na ndjekin nga larg se ka në Shqipëri sot një ndryshim të madh përsa i përket vetëdijesimit se punonjësit duhen paguar mirë, duhen trajtuar mirë dhe ka edhe një rritje në përgjithësi të pagave edhe në sektorin privat si rezultat i një vështirësie të re që është krijuar sot nga kërkesa gjithmonë e më e madhe për krah pune në të gjitha vendet.
Ndërkohë që duke marrë parasysh që një pjesë e konsiderueshme e industrive tona janë të lidhura edhe me këtë industri, që është industria me material porositësi, dhe duke qenë se industria e material porositësit ka qenë e para që, pas rrëzimit të komunizmit, hapi dyert e fabrikave, këtu ne mund të shikojmë edhe sesi po shfaqen problemet e kësaj kohe dhe sesi po i përgjigjen dhe duhet t’i përgjigjen kompanitë.
Ne kemi parë paraprakisht listën e pagave të kësaj kompanie dhe më vjen shumë mirë që këtu, edhe pa u vendosur minimumi paga minimale, nuk ka asnjë pagë nën 40 mijë lekë neto dhe kjo është diçka jashtëzakonisht kuptimplotë dhe e rëndësishme sepse tregon, nga njëra anë, që suksesi i kompanisë nuk është absolutisht i varur nga shfrytëzimi i punonjësve, përkundrazi, suksesi i kompanisë është i varur nga mire trajtimi i punonjësve.
Nga ana tjetër, të gjithë e kanë shumë të qartë që sot kemi hyrë në një fazë zëvendësimi të kapitalit njerëzor. Shumë prej zonjave që janë këtu kanë qenë me siguri, që në ditën e parë që është hapur kjo kompani, shumë e shumë vite përpara dhe sot pak nga pak koha kalon, me siguri kanë filluar t’i afrohen moshës së pensionit një pjesë e tyre dhe është shumë e qartë besoj, që zëvendësimi i tyre me vajza të reja apo me djem të rinj që janë të gatshëm të ulen tek makina qepëse, të punojnë me të njëjtin përkushtim, me të njëjtin durim, me të njëjtën përulësi dhe të marrin paga të cilat janë si këto që janë këtu sot që thashë, është një nga kompanitë që është më e avancuara në pagesën e punonjësve, bëhet realisht shumë e vështirë; bëhet shumë e vështirë për njëmijë e një arsye, por ajo që ka më shumë rëndësi për ne dhe që ne duhet të këmbëngulim të gjithë është që, të paktën, arsyeja e trajtimit dinjitoz të punonjësve, dhe kjo nuk ka të bëjë vetëm me pagën, ka të bëjë dhe me shumë gjëra të tjera, nuk duhet të jetë problem, por përkundrazi, duhet të jetë zgjidhja e problemit.
Ne kemi sot domosdoshmërisë t’ia përcjellim të gjitha sipërmarrjeve këtë mesazh; që të rendin të rrisin pagat dhe të rendin të mbajnë të paprekur kapitalin njerëzor sepse në momentin kur do humbasin kapitalin njerëzor do jetë tepër vonë, do humbasin gjithçka. Në momentin kur nuk do gjejnë më punonjës që do duan të vijnë dhe të punojnë me paga që janë paga shfrytëzimi në kohët kur jetojmë, do jetë shumë vonë për ta dhe gjithë ai fitimi ekstra i mos-respektit dhe i keqtrajtimit të të drejtave të punonjësve, pastaj do jetë bumerangu i këtyre kompanive.
Ky është thelbi sot dhe ne do bëjmë tonën sa i përket kësaj pjese. Jetojmë në një sistem që nuk ua mundëson shtetit, qeverisë që të caktojë pagat në sektorin privat; kjo është çështje e konkurrencës, kjo është çështje e kompanive sesi i vendosin, kjo është çështje e punonjësve, por nga ana tjetër ne nuk mund të rrimë e të bëjmë sehir nëse kompani të caktuara nuk i përgjigjen punonjësve me dinjitet dhe përdorin paga që janë lëmosha shfrytëzimi dhe jo paga reale për familjet.
Ajo që ne mund të bëjmë është, e para, vendosja e pagës minimale dhe këtë e kemi bërë; paga minimale tani është rritur në 40mijë lekë, do ta çojmë në 45mijë lekë brenda këtij mandati, besoj unë, dhe synimi është që në rrugën drejt 2030, Shqipëria të mos ketë pagë minimale nën 60 mijë lekë.
Përtej kësaj, nuk është e lehtë për ne që t’iu imponohemi kompanive dhe nuk është as e drejtë në fakt, e megjithatë ne nuk mundemi dot të shikojmë sesi për shembull kompani ndërtimi, që kanë një punë me një shkallë vështirësie jo të ulët, të paraqesin bilance pagash me paga minimale. Kjo është e papranueshme. Kompanitë e ndërtimit nuk i paguajnë punëtorët me paga minimale por bëjnë diçka tjetër, që është po kaq e ulët dhe po kaq e papranueshme, që një pjesë të pagës ia japin nën dorë. Duke ia dhënë një pjesë të pagës nën dorë dhe duke shfrytëzuar faktin që punonjësi është i detyruar ta marrë pagën, ata faktikisht u grabisin punonjësve pensionet dhe u grabisin sigurimet shëndetësore.
Nga ana tjetër, të gjithë në Shqipëri flasin për pensionet dhe me të drejtë të gjithë në Shqipëri mendojnë që duhen rritur pensionet dhe me shumë të drejtë por ndryshe nga pagat, pensionet rriten në varësi të kontributeve dhe nuk mund të rriten pensionet në mënyrë të arsyeshme dhe të qëndrueshme në rast se kur vjen puna tek kontributet shoqërore, të gjithë bëjnë bisht.
Për këtë arsye, ne do të vendosim disa rregulla. Për shembull, me kompanitë e ndërtimit që nuk do të lejojmë futjen në proceset e tenderave publikë të atyre kompanive që kanë nivele pagash që nuk i përgjigjen realitetit të sektorit, nuk do tu japim leje ndërtimi kompanive që nuk paraqesin bilancin e pagave në konform me realitetin, pra që bëjnë evazion me pagat, bëjnë abuzim me pagat ose që nuk i trajtojnë punonjësit ashtu siç duhet dhe do të fillojmë, hap pas hapi, të kërkojmë nga kompanitë që duan të kenë kontrata apo të kenë të drejta të marra nga shteti, që tu kërkojmë kontratën kolektive të punës. Kontrata kolektive e punës është kontrata që garanton të drejtat e punonjësve. Shumica dërrmuese e kompanive tona nuk e ka. Ne nuk kemi sindikata, nuk është detyra jonë, e qeverisë, që të krijojë sindikatat; edhe disa sindikata që janë, janë më shumë për luftëra politike dhe skeçe politike sesa për atë që është detyra e tyre reale por ne do të kërkojmë që kompanitë të përgatisin kontratat kolektive të punës dhe të garantojnë punonjësit.
E fundit që kam, është që ne duhet së bashku të kuptojmë se e ardhmja e vendit tonë varet patjetër nga shumë gjëra por varet në radhë të parë nga kapitali njerëzor, varet në radhë të parë nga forcat e punës.
Nëse ne humbasim forca pune atëherë të gjitha të tjerat bëhen më të vështira ose shumë më të vështira për t’u arritur. Dhe që ne të ruajmë forcat e punës duhet në radhë të parë patjetër që t’i paguajmë mirë ato dhe pagesat nuk janë çështje e dëshirës të sipërmarrësit. Unë jam i bindur që sipërmarrësit, si në rastin e kësaj kompanie do të donin t’i rrisnin pagat më shumë çdo ditë. Kjo ka të bëjë me produktivitetin, kjo ka të bëjë me tregun, kjo ka të bëjë me aftësinë për të dalë në treg dhe për të përballur konkurrenca që sidomos në këtë fushë për shembull, janë të jashtëzakonshme pa diskutim, por nëse ne këtë periudhë të qeverisjes sonë, i kemi rritur të ardhurat për frymë në 6400 euro për frymë në total, nga 3300, ne duhet patjetër ta kemi të fiksuar që pa e çuar të ardhurat për frymë në 10 mijë euro, nuk kemi bërë atë që duhet dhe duam t’i çojmë të ardhurat në 10 mijë euro, unë jam i bindur që do ta arrijmë këtë por do ta arrijmë duke bashkëpunuar dhe duke ecur krah për krah me sipërmarrjen.
Me rritjen e pagave që ne kemi bërë, paga mesatare në sektorin publik do të shkojë në 900 euro. Kjo është një arritje shumë e madhe, por duhet të shoqërohet edhe nga ecja me të njëjtin ritëm të kompanive private.
Unë ju falenderoj shumë edhe një herë për mikpritjen, falenderoj shumë edhe për qetësinë se si po më dëgjoni, megjithatë shpresoj që të paktën një gjë të mirë e bëra, se bëtë pak pushim, se juve punoni pa pushim e pa pushim. Falenderoj edhe sipërmarrësit e tjerë që kanë ardhur këtu për këtë bisedë që me shumë kënaqësi do ta vazhdoja nëse ka dikush diçka për të thënë nga sipërmarrësit.
* * *
– Unë jam kryetar i shoqatës për eksport Albania që përfaqëson sektorin e manifakturës. Patjetër ajo që ju thatë është realiteti dhe ashtu siç kemi biseduar së bashku, është siç thatë edhe ju, përkrah njëri tjetrit, duhet qe të ecim me një objektiv të përbashkët që është “Made in Albania”. Ky sektor në rast se deri sot ka punuar me brendet e huaja, duhet të punojmë ne së bashku me brendet tona për të ecur përpara.
– Kjo që thoni ju, është problemi kryesor përsa i përket burimeve njerëzore. Të gjithë sipërmarrësit besoj që problem kryesor që kanë tani është kjo. Niveli i pagave është rritur edhe në sektorin privat por me thënë të drejtën jo në ato nivele si në sektorin publik. Problem tani është edhe rënia e kursit të euros. Edhe ju duhet të shikoni pak këtë pjesën se në momente të caktuara duhet t’i shohim gjërat më ndryshe, se realisht kjo ikja e punonjësve apo mosha mesatare e punonjësve, është shumë problem. Faleminderit.
Kryeministri Edi Rama: Ju e dini besoj që për industritë prodhuese ne kemi vendosur një buxhet që të marrim përsipër si qeveri diferencën e kontributeve shëndetësore dhe shoqërore që do të thotë për pagën e rritur 40 mijë lekë atyre që e kanë pasur më parë më pak, ne do të mbulojmë diferencën në kontribute. Pra nga pikëpamja e kontributeve sepse ato ndjehen më shumë nga sipërmarrësit. Nuk e di për ç’arsye, por janë gati t’ju paguajnë edhe 700 mijë lekë punonjësve por kur ju japin atë kontributin e pensioneve, ju duket sikur ju japin shpirtin. Megjithatë ne e kemi vendosur këtë buxhet për diferencën dhe po ashtu kemi vendosur qe vitin e ardhshëm kur do ta rrisim përsëri pagën minimale, përsëri do të mbulojmë diferencën, është një ndihmë që për industritë prodhuese është domethënëse sepse kemi parë efektet financiare edhe është domethënëse.
– Unë ju falenderoj për reformat e tjera që ju keni bërë, edhe Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve. Edhe e-albania. Merr një dokument fare lehtë. Vetëm se tepricën e prodhimit, na e kompensoni edhe në objekte të tjera. Mos nxirrni të gjitha nga neve. Atë energji që ne harxhojmë, na e kompensoni nëpër objektet e tjera. Është ndihmë e madhe për ne. Është ndihmë për ne sepse si të thuash, kompensohet paksa lëvizja e euros.
Drejtoresha e përgjithshme e një kompanie private: Vendosja e pagës minimale ne nuk është se na prek shumë si sektor se me krenari më duhet ta them që jemi shumë larg në nivelet e pagave mesatare. Ju falënderoj për nismën që keni marrë sepse në masivitet ndikon tek individët që realisht marrin paga minimale, të ulëta dhe për rrjedhojë rritjet e çmimeve, rritja e kostos së jetesës në përgjithësi ka impaktuar në masivitet. Ajo që ne hasim në sektorin tonë është që po na largohet personeli pavarësisht nivelit të pagave të mira, janë me idenë për tu larguar jashtë shtetit. Unë do kërkoja ndërhyrjen tuaj që me masat qeveritarë që po ndërmerrni dhe do ndërmerrni, jam e bindur që të gjitha elementet që pak më parë ju i përmendet, i dini dhe për rrjedhoje po merrni dhe masa për të përmirësuar situatën, të sjellim frymën që në Shqipëri jetohet mirë dhe mund ta bëjmë të mirë Shqipërinë, se tek e fundit është vendi jonë dhe pse jo, të qëndrojmë këtu. Të mos largohemi jashtë!
Kryeministri Edi Rama: Shumë faleminderit. Nuk diskutohet që kjo çështja e largimeve është pjesë e jetës së përditshme në këtë periudhe të historisë tonë edhe njerëzit kanë të drejtën e tyre që të ëndërrojnë dhe të synojnë që të arrijnë më shumë, më shpejtë, duke shkuar që ta gjejnë gati atje ku të tjerët e kanë bërë gati me shekuj. Por nga ana tjetër, unë jam i bindur që nga pak nga pak kjo lëvizje do të fillojë të normalizohet sepse kështu ka ndodhur me të gjitha vendet që kanë dalë nga situatat si ne. Ne ishim më të izoluar se gjithë të tjerët dhe kemi dalë më vonë se gjithë të tjerët. Por kjo ka të bëjë edhe me disa llogari të gabuara që bëjnë shpeshherë njerëzit kur i shikojnë pagat,si të thuash bëjnë krahasimin e pagave drejtpërdrejtë dhe natyrisht që pagat, sado t’i rrisni juve këtu nuk mund t’i bëni sa në Gjermani. Por nga ana tjetër, shpenzimet që ka sot dikush këtu me shpenzimet që ka në Gjermani, as nuk krahasohen. Pra vërtetë pagat janë më të larta, por dhe shpenzimet janë më të larta, por taksat janë shumë më të larta, po gjithë nevojat e tjera kushtojnë shumë më tepër dhe në fund nuk është se mbetet një diferencë seriozisht e madhe në krahasim me këtu dhe për më tepër pastaj edhe pjesa e jetës së përditshme, e njerëzve që njeh, e bisedave. Në Gjermani është shumë e vështirë të pish kafe rehat, siç pihet këtu për shembull. Po të gjitha këto janë pjesë e jetës së përditshme. Megjithatë nuk ka asnjë ilaç tjetër mendoj unë, sesa të përpiqemi të rrisim mundësitë në mënyrë që të kemi mundësi që të shpenzojmë më shumë dhe të shpërndajmë më shumë. Ne do kishim dashur që këtë rritje pagash që po bëjmë tani ta kishim bërë që në fillim, por nuk ka qenë e mundur sepse nuk rriten pagat se do kryeministri apo se do qeveria. Pagat rriten sepse ta lejon arka e shtetit. Dhe kur arka e shtetit njësoj si arka e një familjeje nuk ta lejon që ti të shpenzosh më shumë se përndryshe humbet edhe shtëpinë, atëherë ti nuk mund t’i rrisësh pagat. Kështu që, kjo rritje pagash që ne po bëjmë tani është rezultat i gjithë punës së bërë, që duhet të vazhdojë patjetër, dhe që duhet patjetër të sjellë rritje të reja të pagave në vijim.
Por ajo që është më e rëndësishmja është që sot ne e kemi kaluar një fazë jashtëzakonisht të vështirë. Dhe kemi filluar të hyjmë në një kthesë të re, nga pikëpamja e ekonomisë dhe nga pikëpamja e mundësive. Që duhet të vazhdojmë, duhet të vazhdojmë sepse ka shumë akoma për të bërë. Ne do bëjmë çmos që ta bëjmë.
Ju falënderoj shumë edhe një here! Shumë faleminderit, të gjithave ju, edhe kurajë, vetëm përpara!