Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Prezantimi i Paketës Speciale Anti KÇK. Fjala e Kryeministrit Edi Rama:

Përpara sesa të filloj prezantimin, fryt i punës intensive të bërë gjatë muajit të fundit, dëshiroj të them dy fjalë lidhur me momentin ku jemi, për ditët e fushatës kundër dhunës ndaj grave. Pa dashur të marr kohë me fjalët e përgjithshme të rastit, dua të theksoj se edhe në këtë aspekt, përsëri, plaga e madhe, e krijuar në organizmin e shoqërisë nga një sistem drejtësie i kalbur dhe i korruptuar, prek drejtpërdrejtë integritetin fizik dhe dinjitetin e grave. Janë rëngjethëse dhe jo të pakta rastet, kur  dhuna ndaj grave ka kaluar përmes sallës gjyqit dhe dhunuesit  janë shpallur të pafajshëm.

Ashtu sikundër janë rëngjethëse rastet e përsëritjes së dhunës nga të njëjtët  persona,  të cilët kanë dalë të pafajshëm përpara gjyqit dhe janë rikthyer në sallën e gjyqit si dhunues përsëritës.

Ky është një aspekt  që, si tërë aspektet e tjera që prekin të drejtën  në këtë vend, do të adresohet me siguri me shumë më tepër drejtësi dhe efikasitet nga sistemi i ri i drejtësisë. E ndërkohë një grup kolegesh deputete, sëbashku me ministren e Drejtësisë  janë angazhuar në një proces pune për të rishikuar legjislacionin, për të ndërmarrë një hap domethënës në adresimin e dhunës ndaj grave, jo vetëm në aspektin e masave, por edhe në aspektin e mbështetjes ndaj tyre. Ministrja e Drejtësisë, sëbashku me ekipin saj, janë duke përgatitur edhe  projektin e një amnistie të fundvitit,  që do të adresojë në radhë të parë, nevojën  për të lehtësuar gratë e dënuara, si dhe më të moshuarit bashkë me to.

Le të kthehemi në arsyen që na ka mbledhur këtu, duke i dhënë kohë  vetes për të bërë një retrospektivë shumë të shkurtër mbi periudhën në të cilën ndodhemi dhe duke e nisur nga një moment kyç në historinë tonë të përbashkëta, momenti i mosmarrjes së një vendimi, apo i refuzimit të çeljes së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian të Shqipërisë dhe të Maqedonisë së Veriut.

Për të gjithë është e qartë se  ky ka qenë një vit  i vështirë, posaçërisht i vështirë dhe ma ha mendja që nuk e teproj nëse them që në të 6 vitet e mandatit tonë qeverisës, ky ka qenë më i vështirë. Një vit i karakterizuar nga një përpjekje e vazhdueshme për të krijuar një situatë krize të thellë me mjete artificiale të politikës dhe për të shtrënguar të gjithë bashkësinë tonë brenda një rrethi vicioz përplasjeje, që ka karakterizuar  të gjithë gjysmën e parë të vitit. Nuk ka asnjë dyshim, përsa më takon dhe besoj që këtë e ndaj me shumicën e njerëzve të këtij  vendi, që në themel të asaj përpjekje ka qenë frika; Frika nga drejtësia,  e lidhur me  mundësinë reale të çeljes së negociatave, pas së cilave, dihet botërisht, se vjen një proces ballafaqimi serioz mes vendit kandidat dhe Bashkimit Europian për efektivitetin e sistemit të drejtësisë.

Pa asnjë dyshim, kur është fjala për Shqipërinë, kjo do të thotë, as më shumë, as më pak, por vënia e provave konkrete mbi faktin se e gjithë Reforma në Drejtësi, gjithë bagazhi ligjor, i krijuar në këto vitet e fundit, korrespondon me kapacitetin e sistemit të drejtësisë për të hetuar, për të gjykuar dhe për të dënuar pavarësohet statusit social, apo pavarësisht influencës apo forcës së individëve të caktuar. Që do të thotë, adresim i korrupsionit deri në nivelet më të larta. Kjo ka qenë në themel të gjithë asaj përpjekjeje që kulmoi me një situatë absurde, sureale, në procesin zgjedhor.

Nga ana jonë, ne i bëmë të gjitha  përpjekjet me angazhimin më të madh dhe me një mundim të posaçëm, për të komunikuar dhe për të balancuar gjithë efektin e baltës së hedhur ndërkombëtarësh në vendin tonë, duke filluar nga një vend që është kyç në procesin e negociatave dhe në vendimmarrjen në Këshillin Europian, që është Gjermania, ku, për hir të së vërtetës marrëdhëniet ndërpartiake dhe mundësia e komunikimit të drejtpërdrejte përmes marrëdhënieve ndërpartiake na kishin krijuar një barrierë domethënëse në raport me partitë, ose më saktë me Partinë Kristiandemokrate, që është dhe partia kryesore e koalicionit. Besoj që fakti që Gjermania konkludoi  me një “PO” të Bundestagut është një provë që përpjekjet tona rezultuan të suksesshme. Duke u përqendruara tek ajo “PO”, them se na është dhënë mundësia që në mungesë të vendimit për çeljen e negociatave të kemi një udhërrëfyes për të ecur përpara në procesin që vazhdon, në procesin e integrimit europian dhe në rrugën drejtë çeljes së negociatave.

Ndërkohë është fare e qartë se ajo që ndodhi, natyrisht nuk mund të mos e trondiste opinionin publik dhe nuk mund të mos krijonte një ndjesi mërzie, ndjesi dëshpërimi dhe një ndjesi zemërimi, të ndarë, një pjesë ndaj qeverisë dhe ndaj shumicës tonë qeverisëse, një pjesë ndaj faktorëve të tjerë brenda ose jashtë.

Ka shumë versione për këtë, unë besoj që si dëshmitar i të gjithë procesit mundë të dëshmoj pa ngurrim versionin tim, që refuzimi në fund ishte rezultat i një konflikti të brendshëm në Këshillin Europian, që lidhet me qëndrimet divergjente mes Francës dhe Gjermanisë dhe mes Francës e një grupi të vogël shtetesh dhe pjesës tjetër, për mënyrën sesi duhet të reformohet Bashkimi Europian. Kaq e vërtetë është kjo, sa përpara pak ditësh në Paris janë thirrur 4 ambasadorë, ambasadorët e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe ambasadorët e Serbisë dhe të Malit të Zi. Serbia dhe Mali Zi negociojnë, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut presin të çelin negociatat dhe janë thirrur për të çelur një dialog lidhur me qëndrimin e Francës në raport me procesin e zgjerimit dhe me mënyrën sesi sipas Francës duhet të rikonfigurohet i gjithë procesi. Që do të thotë se pavarësisht se çfarë kemi bërë ne, pavarësisht nëse ne e meritonim ose jo çeljen e negociatave, pavarësisht se çfarë bëri Maqedonia e Veriut, e cila ka 14 vjet që pret tek dera e Këshillit Europian për të çelur negociatat, vendimmarrje ishte frutë i pikërisht i një nevoje të brendshme në Këshillin Europian, që ka prodhuar  një divergjencë. Ne e kemi humbur këtë tren të vitit 2019 në funksion të kësaj divergjence.

Megjithatë, ajo që mbetet për t’u theksuar është se pavarësisht vendimit, Shqipëria nuk ka asnjë rrugë tjetër dhe ne do të vazhdojmë të bëjmë të njëjtën gjë që do të bënim në rast se vendimi do të kishte qenë pozitiv. Sepse në fund të ditës e kemi shprehur qartësisht, qysh në programin tonë të parë qeverisës dhe në vijimësi, për ne, procesi i integrimit nuk është një proces që e bëjmë sepse na e kërkojnë tjerët, nuk është as një proces që e bëjmë thjeshtë e vetëm se duhet të arrijmë në një stacion, por është një proces që e bëjmë sepse është në interes të vendit tonë, është në interesat të gjeneratave të tjera. Pasi është një proces që na jep mjetet e nevojshme dhe importon nga Bashkimi Europian, dijen e nevojshme për të modernizuar shtetin. E në procesin e modernizimit të shtetit, apo më saktë, në procesin e shtetbërjes demokratike mjafton t’i referohemi Reformës në Drejtësi.

Reforma në Drejtësi, që edhe kështu ka krijuar një konflikt të madh të brendshëm, kurrë nuk do të ishte bërë në rast se Shqipëria nuk do të ishte e përkushtuar dhe angazhuar ndaj objektivit madhor për të qenë pjesë e familjes europiane dhe kurrë nuk do të ishte bërë nëse Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk do të ishin jo vetëm mbështetës, por bashkudhëtarë në këtë proces, madje garantë të këtij procesi.

Ky ka qenë një vit i vështirë që natyrisht ka ndikuar edhe në ekonominë e vendit. Një vit i vështirë që ka krijuar një nivel të ri pasigurie në raport me të nesërmen dhe dihet botërisht që çdo ndjesi pasigurie është një ndjesi që reflekton menjëherë në situatën aktuale të ekonomisë.

Megjithatë ia vlen që ne të përsërisim bazuar mbi fakte, jo mbi opinione, se përsëri edhe këtë vit është konfirmuar një trend pozitiv i nisur gjashtë vite më parë dhe që në raport me nga jemi nisur, sot kemi të dhëna në ekonomi që kokëfortësish tregojnë se s’ka të krahasuar, situata sot me situatën dje. Por pa diskutim nuk ka të krahasuar situata sot me pritshmërinë dhe me nevojën e gjithkujt dhe të gjithë bashkësisë sonë për një ekonomi që nesër duhet të jetë shumë më e fortë dhe shumë më e gatshme  t’u japi të gjithëve një mundësi.

Shifra e rritjes ekonomike është kokëfortë, ashtu sikundër është kokëfortë e gjithë përbërja e të dhënave të ekonomisë që lidhet drejtpërdrejtë me individin. Mjafton të marrim të dhënat e të ardhurave për frymë në vitin 2013 dhe të ardhurat për frymë në vitin 2019 dhe të shikojmë sesi ato kanë ndryshuar. Të shohim më tutje konsumin, që është kapaciteti i fuqisë blerëse. Këtu flitet shumë – dhe me të drejtë – për varfërinë, për pabarazinë, për një shpërndarje të padrejtë të të ardhurave, për një shtet që duhet të jetë më social, etj. Por pakkush i referohet fakteve. Nëse shohim ndryshimin mes 5 viteve më parë dhe sot, konsumi nuk është rritur thjeshtë tek familjet me konsum mesatar, por dhe në familjet me konsum të ulët. Ky është fakt. Këto të dhëna nuk i referohen as të dhënave të Ministrisë së Financave që mund të ishin të kontestueshme, edhe pse janë të dhëna shtetërore, as të dhënave të INSTAT, por i referohen të dhënave të Bankës Botërore, që nuk besoj se mund të kontestohet në këtë aspekt.

Koment në Facebook; Zoti Rama, njerëzit po vdesin për bukë, rrogat janë shumë të ulëta. Mjekësia përtokë. Të lenë të vdesësh, po nuk u dhe lekë. Kishim shpresë të madhe tek ju, por edhe ju si gjithë të tjerët.

Kryeministri Edi Rama: Kjo është një tjetër qasje që shpreh në këndvështrimin tim, një frustrim që nuk është në një kategori të ngushtë, por në një kategori të gjerë njerëzish dhe që lidhet jo më me atë që ishte, por me atë duhet të jetë dhe me pritshmërinë. Duke qenë se jetojmë në një botë që në tërësi, por edhe në veçantinë e mikrobotës sonë, ushqehet çdo ditë me toksina dhe helmohet çdo ditë me lajmin e keq, me gënjeshtrën, me shpifjen, me manipulimin, mbetemi në një pozicion të vështirë në raport me të vërtetën, me faktet dhe me ecurinë objektive të gjërave, sepse sot në Shqipëri bëhen 60 mijë operacione kirurgjikale dhe në total, duke përfshirë edhe mikrokirurgjinë, shkojmë në 95 mijë në vit.

Natyrisht që në 60 mijë operacione mund të ndodhë që të ketë një dështim, mund të ndodhë të ketë një skandal dhe një dështim këtu dhe një skandal atje krijojnë një atmosferë ku është vërtetë e vështirë që njeriu i zakonshëm, që e ndjek jetën nga ekrani i televizorit, apo nga kanalet e tjera të komunikimit, të racionalizojë këtë raport. Ama ajo që mund të them, është se opinioni lidhur me mjekësinë tonë sot, është një opinion që mbetet i formësuar nga shumica dërrmuese që nuk ka patur, lavdi Zotit, nevojë të shkojë të marrin shërbim. Ndërkohë që opinioni i atyre që marrin shërbim dhe që i çon nevoja në spital është shumë herë më pozitiv, për shkak se e prekin drejtpërdrejtë eksperiencën e ndryshimit të madh që ka ndodhur në sistemin tonë shëndetësor.

Pra, nuk është e vërtetë që në Shqipëri të lënë të vdesësh, po nuk dha leke, kush shkon tek mjeku. Është e pavërtetë!

E nëse ka një të vërtetë të pamohueshme, që në trupën e bluzave të bardha ka të tillë që e njollosin bluzën e bardhë, duke patur sjellje korruptive në raport me njerëz në nevojë, e vërteta tjetër është se këta janë pakicë. E them këtë me bindje, pasi e ndjek çdo ditë, falë edhe përkushtimit të jashtëzakonshëm të ministres së Shëndetësisë, falë edhe njohjes së drejtpërdrejtë të të gjithë problematikave që ajo ka dhe falë edhe ndjekjes në kohë reale të të gjitha të dhënave të përformancës, është e qartë.

Natyrisht, përsëri jemi në një udhëkryq në raportin me të shkuarën, në raportin me spitalet, kur njerëzit vareshin nëpër kangjella dhe ulërinin me receta në dorë se nuk kishte as aspirina, kur njerëzit vinin me batanije dhe çarçaf, sepse nuk kishte as batanije, as çarçaf. Kjo nuk mjafton më dhe është normale. Është po ashtu normale, që sa më mirë bëhet, aq më shumë rriten pritshmëritë dhe aq më shumë shtohen edhe ankesat, pasi nevoja për më mirë bëhet shumë më e madhe. Duke parë përmirësimin, çdokush thotë “përse të mos bëhet edhe kjo tjetra”.

Po ndalem në aspektin  e punësimit. Ne jemi të gjithë dëshmitarë dhe duhet ta themi hapur, – këtu janë ministrat, këtu janë deputetët e Partisë Socialiste, të cilët kanë një kontakt të përditshëm dhe të drejtpërdrejtë me njerëzit që kërkojnë punë, – përqindja e atyre që refuzojnë punën në sektorin privat është mbi 90 %. Në të gjitha kërkesat që unë marr nga njerëzit përmes komunikimit në Whatsapp dhe që i delegoj pastaj tek ministrat, apo kryesisht tek zëvendësministrja e Punës, për t’i ofruar atyre një mundësi punësimi në sektorin privat, shumica dërrmuese e refuzojnë punën në sektorin privat.

Shumica dërrmuese duan punë shteti me çdo kusht. Natyrisht nuk janë të gjithë, sepse mjafton të shihni shifrat kokëforta të punësimit, të numrit të të punësuarve në vitin 2013 dhe numrit të të punësuarve sot. E nuk flasim për statistika, flasim për të punësuar që figurojnë në librin e llogarive të shtetit. Flasim për njerëz të siguruar. Flasim për njerëz që paguajnë taksa, pa llogaritur këtu pjesën tjetër të njerëzve që punojnë të pasiguruar.

Natyrisht kemi një problem real me pagat. Në sektorin  publik, ne i kemi rritur pagat. Nëse në vitin 2013 e nisëm si vendi që kishte pagat më të ulëta në të tria nivelet në sektorin publik, – pagën më të ulët në nivelin e pagës së ulët në rajon, pagën më të ulët në nivelin e pagës mesatare në rajon, pagën më të ulët në nivelin e pagës së lartë në rajon, – sot jemi ne mesataren e rajonit. Natyrisht, kush bën krahasimin me Gjermaninë dhe thotë po iki në Gjermani, është në të drejtën e tij. Por kush thotë që pagat në Shqipëri, apo në këtë rajon të bëhen si në Gjermani, duhet të pyesë veten, përse Gjermania nuk i rrit edhe më shumë  pagat. Sepse pagat nuk rriten as nga dëshira dhe as nga dhimbja që ke kur sheh njerëz që punojnë fort dhe rëndë në sektorin privat dhe në fund të ditës marrin një pagë që realisht është pagë e ulët.

Pagat rriten, duke rritur ekonominë. E ndërkohë pagat rriten edhe duke kuptuar sot sektori privat se, nëse nuk e ndjek sektorin publik, duke filluar që nga pagat më të ulëta, do të fillojë të ndjejë shumë shpejt humbjen e mundësive për të patur njerëz që duan të punojnë në sektorin privat.

Shifra e papunësisë është shifra e konsoliduar nga të gjitha raportet. Është shifër e raportit të Bankës Botërore. Mos harroni që kemi vendosur si objektiv që në fund të këtij mandati të shkojmë nën 11% dhe do të bëjmë çmos që të shkojmë nën 11% . E kemi të mundur të shkojmë nën 11%, duke u fokusuar në disa prioritete, por duke patur parasysh potencialin e jashtëzakonshëm dhe punën e jashtëzakonshme që po bëhet, për të futur më në fund, në rrugën e  realizimit, disa projekte të mëdha në turizëm.

Koment në Facebook; Punë skllevërish me 300 mijë lekë, Zoti Rama, kurse zonjat e politikanëve me këmbë përpjetë në Business Class, i pa i gjithë populli. Lul Basha ikën çdo javë në Holandë dhe e shoqja ngre këmbët në Business Class. Kurse ajo Monika vjen këtu në Londër, mbush valixhet në dyqanet më të shtrenjta dhe ajo me këmbë përpjetë në Business Class, por se mos janë vetëm ato. Populli ka sy dhe po vuan shumë, Zoti Rama, por ti jeton në vilën e Surrelit dhe nuk i shikon këto tmerre që ne shohim.

Kryeministri Edi Rama: Fatkeqësisht jetojmë në një kohë kur secili thotë menjëherë atë që i vjen dhe koha për të menduar është shkurtuar në minimum,  koha për të dyshuar dhe verifikuar është shkurtuar në minimum dhe nuk mund të presësh që të dyshojnë dhe të verifikojnë qytetarët, kur vetë mediat nuk dyshojnë për atë që kanë përpara syve në momentin e parë dhe nuk bëjnë verifikime, pavarësisht se cila mund të jetë axhenda e tyre, por menjëherë, jo vetëm atë që kanë para syve, por edhe atë që ju vjen ndërmend, për të rritur kapacitetet toksike mbi ambientin, e lëshojnë në ajër. Vila ime në Surrel? Cila vilë në Surrel?

Ne kemi bërë një inventar, sëbashku me ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, në funksion të një programi për të ndihmuar familjet që jetojnë në shtëpi që janë shëmbëlltyre e mjerimit. Janë ato shtëpitë që bëjnë lajm. Janë ato shtëpitë që, kur shfaqen në rrjetet sociale, bëhen virale. Janë ato shtëpitë që i bëjnë treçerekun e komentatorëve të thonë “Kjo është Shqipëria!” Në fakt, inventari që kemi bërë, tregon se këto shtëpi në të gjithë territorin e Republikës, nga Tropoja deri në Konispol, janë 1600 e pak. Por sa janë vilat, si puna e asaj të Surrelit, që janë ndërtuar në Shqipëri dhe këtu kam parasysh shtëpitë me dy kate, me tre e katër kate, që kanë qenë produkt i punës në pjesën më të madhe të tyre, – ndërsa për ato që nuk kanë qenë produkt i punës do të flasim më mbrapa, – janë mbi gjysmë milioni.

Vila ime në Surrel ka një formë që e ka të ndryshme, siç jam unë i ndryshëm nga të tjerët dhe siç janë të gjithë të ndryshëm nga njëri-tjetri. Por në raport me tërësinë e banesave individuale të shqiptarëve është një banesë individuale e një familjeje shqiptare më shumë dhe kaq. E ndërkohë për të gjithë ata që kanë hedhur pafund baltë lidhur me këtë, mund të them vetëm kaq, që shtëpia ime është e deklaruar me çdo detaj dhe me çdo faturë. Unë do isha shumë i lumtur, nëse të gjithë bashkëjetuesit në hapësirën publike të zhurmës politike do të binin dakord që të bënin një sqarim shtëpi më shtëpi, për të ardhurat dhe për sa korrespondojnë të ardhurat me produktin.

Përsa i përket Bisness Class, qeveria jonë e ka marrë këtë vendim qysh në ditën e parë, nuk udhëton në Bisness Class, me përjashtim kur 198 centimetrat e mia duhet të spostohen përtej oqeanit, për të mos dalë nga avioni i paketuar bashkë me shtyllën time kurrizore, që është bërë tani çështje publike.

Energjia

Para pak ditësh dëgjova që asnjë kompani e madhe nuk ka ardhur në Shqipëri. Në fakt, tani që flasim, në Shqipëri ka ardhur një kompani shumë e  madhe, me të cilën jemi në negociata në sektorin e eksplorimit të naftës, që është ENNI. Në këtë sektor jemi duke u marrë shumë seriozisht, për të bërë një reformë të thelle dhe për të krijuar mundësinë që më shumë të ardhura nga ky sektor t’i shkojnë publikut, por kjo është një temë për takimet e ardhshme.

Infrastruktura rrugore

Dy aeroportet e reja që kemi në proces dhe dëshirojmë t’i nisim t’i ndërtojmë. Do të lançohet në javët që vjen, procesi për Aeroportin e Vorës dhe ka shumë interes. Po kështu hekurudha që është gati për të nisur së shpejti rindërtimin nga Tirana në Durrës.

Dua të ndaloj tek oligarkët, se ka shumë rëndësi.

Në radhë të parë, oligarkët janë njerëzit që përmes pushtetit ekonomik influencojnë pushtetin politik. Këta janë oligarkët, nuk janë të pasurit. Mund të jesh shumë i pasur, por nuk je oligark.  Nuk ka oligarkë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. E keni dëgjuar ndonjëherë fjalën “oligark” në SHBA? Nuk ka, por në Amerikë janë njerëzit më të pasur të botës. Sepse janë të pasur që zhvillojnë aktivitetin në domenin e tyre. Natyrisht bëjnë lobingjet e tyre, përpiqen të influencohuni Kongresin apo Senatin, por nuk kanë asnjë fuqi të drejtpërdrejtë, siç ka oligarku mbi vendimmarrjen e qeverisë.

Nëse ky do të ishte një vend ku oligarkët bëjnë ligjin, si shpjegohen kjo shifër, ajo çfarë i kanë paguar oligarkët buxhetit të shtetit nga viti 2005 deri në vitin 2013 dhe sa i kanë paguar oligarkët buxhetit të shtetit në 4 vite e fundit, pa llogaritur edhe vitin 2019 që përfundon së shpejti. Shohim se çfarë bëhet me 10 kompanitë kryesore;

10 kompanitë më të mëdha i kanë paguar buxhetit të shtetit në kohën e atyre që bërtasin sot për oligarki dhe për fitime marramendëse, 22 milionë dollarë. Turp!

125 milionë dollarë i kanë paguar buxhetit të shtetit nën qeverisjen tonë.

Atëherë, çfarë influence kanë këta njerëz mbi ne!

Si shpjegohet që këta që u konsideruakan pushteti real në Shqipëri qenkan njerëzit më të taksuar dhe që kontribuuakan më shumë në buxhetin e shtetit, shumë herë e më tepër seç kanë kontribuar më përpara?

Shikoni 100 kompanitë më të mëdha, 57 milionë dollarë i kanë paguar buxhetit të shtetit nga 2005 deri në 2013, në 8 vite.

Në 4 vite, 2014-2018, janë 319 milionë që kanë shkuar në arkën e shtetit.

Meqë këtu është një vend që merremi të gjithë me emra, të na thonë një emër nga këta “Top 10 “ apo “Top 100”, që nuk e kanë njohur dhe që nuk ka bërë pjesë në “Top 10 “ apo “Top 100” katër vite më parë. Oligarkët janë ata që vijnë bashkë me pushtetin politik, janë ata që vijnë pa asgjë, ose me pak dhe kthehen në simbiozë e pushtetit politik. Ndërkohë këta që sot quhen oligarkë, pa asnjë të drejtë, ja çfarë raporti kanë sot me shtetin dhe ja çfarë raporti kishin deri dje me shtetin.

PPP-të

Flitet për PPP-të aq shumë, sa kanë infektuar edhe disa nga ne, sepse përsëritja e përditshme e të njëjtën gënjeshtër ka gjithmonë gjasë të afektojë edhe vetë objektin apo  subjektin ndaj të cilit ushtrohet gënjeshtra. Kjo është botërisht e njohur.

PPP-të që ne kemi bërë, janë skema për të ndihmuar, mbështetur, lehtësuar qytetarin.

Kush përfiton nga PPP-ja për check up-in? 

Sot që flasim, afër gjysmë milioni njerëz për këtë vit bëjnë kontrollin mjekësor bazë falas. Shumë prej tyre e kanë për të tretën e të katërtën herë. A ka gjë më të rëndësishme, sesa shqiptarët të mësohen që të kontrollohen në mënyrë të rregullt, për të kuptuar në çfarë gjendje është organizmi i tyre, për të marrë masa  paraprake për një sëmundje që nesër është shumë më e kushtueshme për t’u trajtuar dhe shumë më e rrezikshme për trupin dhe që Shqipëria të ketë një shtet që më në fund ka të dhëna për çfarë ndodh me organizmin e qytetarëve të vet?

Thonë aq e kaq milionë dhe krijohet ideja, sikur ka një thes të mbushur me lekë që i jepet te dera oligarkut dhe oligarku ikën me gjithë thes, ndërkohë që me atë thes mund të bëheshin shkolla, kopshte. Është e pavërtetë!  Nuk ka një thes nga buxheti i shtetit që i jepet oligarkut. Ka një marrëveshje të shtetit që sipërmarrësi të paguajë një investim dhe të bëjë një shërbim me paratë e tij dhe shteti, në një periudhë kohorë “x” t’ia shlyejë investimin dhe në fund të marrë produktin, jo vetëm e drejtpërdrejtë nga shërbimi, por edhe i vetë investimit.

Gjithë laboratorët e check up-it, që janë investime të mëdha dhe gjithë infrastruktura e check up-it pas vitit të fundit të kësaj marrëveshjeje bëhet pronë e shtetit. Pastaj do të jetë qeveria që do të vendosë atë pronë, atë infrastrukturë, ata laboratorë do t’i përdorë me menaxhim publik, apo do të kërkojë përsëri një menaxhim privat. Të gjitha raportet për shërbimin mjekësor shqiptar shkruanin se nga 50 mijë ndërhyrje kirurgjikale që zhvilloheshin mesatarisht deri në vitin 2014, një pjesë jo e vogël prodhonin infeksione operacione post-operatore. Që do të thotë nënat që, pasi lindnin, duhet të rrinin në maternitet për të shëruar infeksionin, pacientë që, pasi mbaronin operacionin për një gjë, duhet të vazhdonin të rrinin në spital për të shëruar infeksionin. Kosto për familjet, kosto për spitalin. Burimi kryesor i këtyre infeksioneve ishte infrastruktura skandaloze e sterilizimit dhe instrumentet  operatorë të kohës së miqësisë shqiptaro-kineze.

PPP-ja, në bazë të një marrëveshje me një sipërmarrje private garantoi që 95 mijë paketa të vinin  menjëherë në Shqipëri, që sallat e operacioneve të transformoheshin në salla ku operacionet zhvillohen sipas të gjitha standardeve  europiane përsa i përket sterilizimit dhe që gjithë infrastruktura e sterilizimit të vinte nga Gjermania, bashkë me instrumentet. Sot, raporti për infeksionet post-operatore është afër zeros. Flas për infeksione të shkaktuara nga mjetet, nga kushtet, jo nga infeksionet që mund të jenë produkt normal i procesit. Kush fitoi në këtë mes?

Fituan të gjithë ato familje dhe njerëz në nevojë për operacion, fitoi edhe shteti se nuk harxhoi një shumë “x” parash, për të mbajtur pas operacionit njerëz në spital, nuk i zuri krevatet me njerëz që duhet të shkonin shtëpi, por qëndronin aty për shkak të infeksionit.

Dializa është një tjetër PPP. Është e njëjta gjë, para të privatit për të investuar në infrastrukturë shërbimi dhe për të mos lejuar më që njerëzit në nevojë për dializë të torturoheshin, të masakroheshin dhe të ktheheshin në kavie, për shkak se duhet të bënin tre herë në javë rrugën drejt Tiranës, të shoqëruar me një person të familjes, me tre turne, për të marrë këtë shërbim.

Rruga e Arbrit është po ashtu PPP. Ata që e  premtuan Rrugën e Arbrit në gjithë ato vite, pse nuk e bënë?

Sepse nuk kishin para për ta bërë.  As në nuk kishim para për ta bërë. Nëse ne do ta fillonim Rrugën e Arbrit me paratë e buxhetit, do të na duheshin 13 vite për ta bërë. Do të duhej që edhe një gjeneratë tjetër dibranësh të priste rrugën dhe të vazhdonte nga shtegu i dhive. Çfarë bëmë ne?

Këto para që do të na duheshin për të bërë Rrugën e Arbrit në 13 vjet kërkuam që sipërmarrësi të filloi t’i vendosë dhe ta bëjë rrugën për 3 vjet. Ne, për 3 vjet do të kemi rrugën, ndërkohë që paratë do t’i paguajmë për 13 vjet. Ku është këtu thesi që merret nga buka dhe nga mielli i popullit dhe i shkon oligarkut?

Nuk ka thasë të tillë. Këto janë marrëveshje në funksion të përshpejtimit të punës, për t’iu dhënë njerëzve shërbimet. Ne nuk kemi bërë as koncesione dhe as PPP që ngarkojnë njerëzit, se ka edhe ashtu. Ne  nuk i kemi thënë askujt që instrumentet mjekësorë janë të rinj, prandaj duhet të paguash një tarifë. Ne nuk i kemi thënë askujt që check up-i bëhet me mjete moderne dhe do të paguash një tarifë. Ne nuk i kemi thënë askujt që dializën do ta bësh afër shtëpisë dhe do të paguash një tarifë. Është shërbim shëndetësor falas. Por falas nuk do të thotë që bien nga qielli, kushton. Do të thotë që falas e merr qytetari, ndërsa koston e mban shteti.

Në dogana u vunë skanerët me koncesion dhe u rrit tarifa e të gjithë sipërmarrjeve. Ju thanë, vumë skanerët, paguani ju. Kjo është kriminale. Kjo nuk është që të bësh një PPP për të lehtësuar shërbimin, kjo është të bësh një PPP për ta modernizuar shërbimin, duke fituar sipërmarrja dhe duke humbur ai që përfton nga ky shërbim i modernizuar.

Po ashtu tek stadiumi që është një PPP fantastike, asnjë qindarkë nga buxheti i shtetit, thjesht vënia në dispozicion e pronës së shtetit për të bërë stadium. Ja ku është stadiumi, në sytë e të gjithëve, zgjedhja është shumë e qartë.

Lidhur edhe me një temë tjetër, që po ashtu është bërë një lajtmotiv i ulët dhe është përsëritur kaq shumë, saqë të gjithë janë bërë pjesë e saj. “Shqipëria po shpopullohet, të ndalojmë shpopullimin, – thotë ky haxhiu e do ta ndalojë ai. Të tjerët thonë po ikin njerëzit. Si është e vërteta?

Jemi në një botë ku lëvizja ka një tjetër hapësirë dhe tjetër shpejtësi. Jemi në mes të një kontinenti ku shumë afër nesh është epiqendra e pasurisë së botës. Patjetër që një 20-vjeçari që ndodhet në një fshat kudoqoftë, që ka celularin në dorë dhe me një klik ka aty edhe Kim Kardashian, edhe Cristiano  Ronaldo-n, nuk është e lehtë t’i thuash qëndro këtu se do bëjmë bashkë Shqipërinë dhe mbas 35 vjetësh t’i do jesh si në Gjermani. Patjetër që ikja e njerëzve ka brenda edhe problemet e veta, por kush thotë se ikja e njerëzve sot, nga Shqipëria, nga rajoni, nga Europa Jugore lidhet me qeverisjen, ose nuk kupton asgjë, ose është i poshtër. Sepse e kupton shumë mirë, por s’di të thotë asgjë tjetër, përveçse të hedhë helm.

Mjafton të shohin faktet e bazuara në shifrat e EUROSTAT-it, jo në shifrat tona. Shikoni shqiptarët që ikin, shikoni edhe shqiptarët që vijnë dhe diferencën midis atyre që ikin dhe atyre që vijnë. Shikoni vendet e tjera, edhe anëtare të BE-së. Portugalia është një histori suksesi sot në të gjithë BE-në për  reformat ekonomike dhe për rritjen ekonomike. I ikin 50 mijë njerëz në vit. Kanë vënë bonus 5800 euro për të kthyer familje. Nuk kthehet njeri. Është një  trend që lidhet me nevojën për të shkuar shpejt, për të arritur shpejt dhe  për të fituar shpejt, atë që në vendin tënd nuk ke mundësi. Shqiptarët kanë ikur, po ikin dhe do të ikin. Kanë ardhur, vijnë dhe do të vijnë. Shyqyr që është kështu! Çfarë duam, bunkerin e Enver hoxhës?!

Në këtë proces patjetër që ka rrjedhje të trurit dhe është shumë e rëndësishme të krijohen instrumente për t’iu dhënë mundësi të kthehen. Kush e ka bërë në bujqësi të mundur që të fillojë një ndryshim i brendshëm nga Malësia Madhe deri në Konispol? Shkoni i takoni! Unë i kam takuar. Janë  njerëz të kthyer nga emigracioni.

Pra, nuk është e vërtetë që në këtë fazë ka një ikje që ndryshon nga trendi i mëparshëm, përkundrazi, nëse do të bëjmë garë me trendin e mëparshëm, rezultantja e ikjes dhe ardhjes është më pak sesa më parë. Por nuk mund ta bëjmë këtë garë,  sepse edhe ata që kanë ikur atëherë, kanë patur edhe më shumë arsye për të ikur, sepse Shqipëria e para 6 viteve, – le të hidhen përpjetë të gjithë, – është e pakrahasueshme me Shqipërinë, sot, në të gjitha aspektet. Nuk ka asnjë krahasim, pavarësish se Shqipëria sot, në krahasim me atë që do të jetë pas 5 vitesh, nuk krahasohet.

Duke ardhur brenda kësaj suaze tek tema që na ka mbledhur këtu dhe që lidhet me një fenomen, i cili është real, nuk është fantazi, që është krimi, por që për fatkeqësinë e të gjithë popullit shqiptarë dhe për fatkeqësinë e këtij vendi është kthyer në një stigmë, në një shenjë në fytyrën e Shqipërisë, si rezultat i përpjekjes masive, komplet të papërgjegjshme, të kundërshtarëve tanë politikë në gjuhë të huaj.

Nga ana tjetër, edhe tek krimi jemi po në ato kushte që jemi tek shëndetësia dhe tek të tjera, kur vjen puna tek raporti. Çdo ditë lexoj në Facebook-un tim komente, po vriten njerëzit për ditë. Ku janë këta njerëz që po vriten për ditë?

Janë në atmosferën e rënduar, jashtëzakonisht shumë, nga fjalët, nga lajmet, por edhe nga negativiteti i përgjithshëm i lajmeve. Para dy ditësh hapa një nga portalet dhe kishte një titull: 5 policë të vrarë. Natyrisht nuk ishin vrarë në Shqipëri, por të gjitha këto sëbashku krijojnë një ndjesi të rëndë perceptimi.

Trandi i vrasjeve në kohën e atyre që sot na flasin për vrasje e krime ishte mbi 100. Janë vrarë 126 veta, që i bie thuajse një në dy ditë gjatë gjithë vitit 2012. Sot jemi në shifrën më të ulët. Ka sigurisht edhe një muaj, por jemi në shifrën më të ulët.

Asetet e sekuestruara

Ne jemi të akuzuar “partia e kriminelëve”, “partia që përfaqëson krimin”, aq sa dhe brenda nesh, disa janë sugjestionuar nga kjo propaganda. Ne nuk jemi një familje politike e rënë nga qielli dhe as nuk kemi mbirë nga toka në vitin 2013. Ne jemi një parti politike që nga dita e parë e pluralizmit në një Shqipëri që ka qenë shumë komplekse, në një Shqipëri ku ka patur lëvizje tektonike të njerëzve brenda dhe nga brenda, jashtë dhe janë të panumërt, shqiptarët që jashtë janë trajtuar si kafshë, sidomos në vitet ’90-të, janë të panumërt, ata që kanë bërë kundërvajtje, janë të panumërt, ata që kanë bërë krime, të gjitha këto bashkë, por të bësh të rënin nga qielli, është krejtësisht e pamoralshme.

Ndërkohë që përsëri si tek oligarkët, edhe me krimin vijmë tek faktet. Shikoni asetet kriminale të sekuestruara, është shumë domethënëse goditja e krimit dhe flasim për krimin e organizuar, jo për krimin e rrugës se për atë folëm. Shqipëria, sot është shumë më e sigurt seç ishte dje, nuk diskutohet. Po t’i merrnim të gjitha statistikat, Shkodra, edhe në ditën më të keqe të qeverisjes sonë nuk krahasohet fare me ditën normale të qeverisjes tyre, në raport me vrasjet. E këtu nuk flasim për para 100 vitesh, por për 2011-2012-të. Kështu për të gjitha qytetet. Patjetër ka nevojë të bëjmë shumë më tepër dhe të kemi një situatë shumë më solide, por jemi drejt mesatares europiane.

Asetet e sekuestruara flasin më shumë se çdo gjë; 1.7 milionë euro kanë sekuestruar ata nga krimi i organizuar në vitin 2013, ndërkohë që këtë vit që nuk ka mbaruar akoma, ne jemi në 87.9 milionë euro. Besoj se është ndryshim drastik. Asetet e sekuestruara për pastrim parash, për antimafia, për krim të organizuar në vitet e tyre, në total janë 33 milionë euro. Nga 2014 – sot që flasim janë 267 milionë euro.

Kush ka luftuar krimin e organizuar realisht, ata?!

Ndjekjet penale për korrupsion

Krimi i organizuar dhe korrupsioni mbeten për ne, një prioritet të cilin do ta trajtojmë në mënyrë prioritare.

Shikoni ndjekjet penale për korrupsion vitin 2013 me vitin 2019; Dyfish ndjekje penale. Këtu bën lajme, më të drejtë, një drejtor që shkel ligjin, një drejtor që flet në telefon idiotësira dhe merr dhënë. Ndërkohë që thuajse 1000 drejtorë, shefa, anëtarë komisionesh prokurimi që sot janë në proces në duart e prokurorisë nuk bën lajm, fol sa të duash, nuk ke ku i merr vesh, sepse lajmi i mirë nuk është asnjëherë prioritar, sepse gënjeshtra ka shumë më tepër forcë sesa e vërteta. E ka thënë populli, kur gënjeshtërta bënë xhiron e botës, e vërteta akoma nuk ka ngritur pantallonat.

Nëse do të kishim marrë vendimin pozitiv për çeljen e negociatave dhe këtë ia kam thënë të gjithë kolegëve kryeministra në Bashkimin Europian, do të kishim një burim të ri energjie në opinionin publik në mbështetje të reformave, por nga pikëpamja praktike nuk do të ndryshonte asgjë dhe nuk ka ndryshuar asgjë. Ne duhet e do të vazhdojmë njësoj sikur ta kishim marrë vendimin pozitiv.

Ndërkohë duhet të fokusohemi tek mbyllja e mandatit të dytë dhe të fokusohemi tek 7 prioritetet, – jo se dhe tjerat do t’i lëmë pas dore, të gjitha do të vazhdojnë, – prej të cilave publiku duhet të shohë produktin final të votës së qershorit 2017-të.

Këto 7 prioritete, sipas meje, janë:

Prioriteti i parë; Një përshkallëzim i luftës kundër krimit dhe korrupsionit në një nivel të panjohur më parë në Shqipëri është i nevojshëm për organizmin e vendit tonë, i domosdoshëm për ecurinë tonë të mëtejshme dhe jetik për imazhin tonë ndërkombëtar. Të gjitha bashkë janë të lidhura me mirëqenien, me ekonominë, me perspektivën. Kur them imazh, nuk është si do të dukemi, problemi është të dukemi ata që jemi në të vërtetë.

Prioriteti i dytë; Duke filluar nga 1 janari i vitit të ardhshëm dhe deri në fund të 2020-ës të mbyllen komplet të gjitha sportelet që i shërbejnë qytetarëve dhe shërbimet të bëhen online, së paku aplikimet, që të jem i saktë, se jo çdo shërbim mund të mbyllet cikli online komplet. Por kjo është një temë për eventin e shërbimeve. Më 1 janar, – të mos gabohem – rreth 40% e shërbimeve që do të jepen online dhe nuk ka nevojë të çosh letra për të marrë një shërbim. Deri në qershor do të shkojmë në 67% dhe deri në fund të vitit do të shkojmë në thuajse 100%. Kur them “thuajse”, kam parasysh se janë disa shërbime shumë specifike që kërkojnë personin. Nuk duhet të ketë më kontakt midis qytetarit që shërbehet,  le të jetë ai kush të dojë, i njohur a i panjohur, i pasur apo i varfër, burrë, grua apo i moshuar, me punë apo pa punë – dhe atyre që shërbejnë e që na e morën fytyrën, na e nxinë jetën nëpër sportelet e shërbimeve.

Qytetari duhet të aplikojë duke depozituar vetëm dokumentet e veta individuale, jo dokumentet që jep shteti. Pra, nëse për të marrë një shërbim, duhen 20 dokumente, vërtetim tatimesh apo nga organet shtetërore dhe duhen dy dokumente individuale, p.sh, vërtetim nga banka apo vërtetim nga punëdhënësi, këto të dyja do të bëjë qytetari, të gjithë dokumentet e tjera brenda shtetit do t’i marrin ata që sot punojnë në sportele. Ata do të kthehen nga gjobëvënës në shërbëtorë, që do punojnë për të plotësuar dosjet e njerëzve dhe për t’u dhënë atyre përgjigje. Dhënia e licencës, e autorizimit, apo çfarëdo dokumenti tjetër bëhet me komunikim, siç bën sot Platforma e Bashkëqeverisjes.

Platforma e Bashkëqeverisjes na ka krijuar mundësinë të shikojmë me sytë tanë se çfarë ndryshimi të madh ka midis komunikimit online dhe komunikimit sy më sy, që është një histori dashurie që kthehet në tmerr mes qytetarit dhe sportelistit.

Pra, mbyllja e sporteleve dhe dhënia e shërbimeve pa kontakt, si dhe dërgimi i dosjeve të plotësuara tek familja drejtpërdrejtë. Kush aplikon online, nëse do, paguan një fee dhe i vjen dosja në shtëpi.

Prioriteti i tretë; Energjia dhe infrastruktura, – nuk i kam radhitur sipas rëndësisë, të gjitha janë njësoj të rëndësishme. Kemi tanimë, falë punës shumë të madhe të bërë nga ministrja, një paketë të tërë ndryshimesh dhe investimesh, që do të filloj të lançohet qysh në javët e ardhshme, me disa investime të mëdha në infrastrukturë dhe njëkohësisht, edhe në energji.

Prioriteti i katërt; Regjimi i ri në vijën bregdetare. E kemi parë me sytë tanë dhe e kemi ndjekur gjatë gjithë këtyre viteve që vija bregdetare ju është marrë qytetarëve dhe ka mbetur në dorën e të fortëve, lloj-lloj të fortësh. Nuk flasim të fortë në kuptimin e njerëzve me precedentë, flasim për prokurorë. Sikur ta dini sesa prokurorë disponojnë të drejta mbi vijën bregdetare, është për të vënë duart në kokë. Flasim për gjykatës që bëjnë gjykatësin në orën e punës dhe që marrin qira për mijëra metra katror plazh. Flasim për njerëz të tjerë me influencë “X” apo “Y”. Po punojmë ligjin e ri, siç e kemi premtuar dhe regjimi mbi vijën bregdetare do të ndryshojë plotësisht.

Prioritet i pestë; Mbyllja e procesit të legalizimeve për shtëpitë, – e theksoj për shtëpitë, jo për bizneset – dhe legalizimi përfundimtarë i tokës. Dhënia fund e torturës së njerëzve në Malësinë e Madhe, në Tropojë, në Kukës, në Tepelenë, në Qarkun e Gjirokastrës, në Qarkun e Vlorës etj., që nuk e njohin 7501-in, nuk e duan dhe mbi të gjitha nuk kanë konflikte. Janë kthyer në tokat e të parëve, kanë dakordësi të plotë për kufirin, por me atë tokë nuk bëjnë dot asgjë, as e shesin dot, as e zhvillojnë dot, as përfitojnë dot nga mbështetja, qoftë shtetërore, qoftë e BE-së, për të gjithë zërat e granateve apo kredive në zhvillimin rural, sepse  janë pa titull pronësie, 30 vjet.

Unë vetë personalisht kam 6 vjet që çdo vit bëj nuk e di sa mbledhje si zgjidhet kjo dhe mbas çdo mbledhjeje dal më i paqartë sesa mbledhja paraardhëse. Tani, me sëpatë, kjo pritet dhe të gjitha tokat që nuk janë në konflikt, brenda vitit 2021 duhet t’u jepen njerëzve.

Ashtu sikundër historia e legalizimeve është një histori suksesi në një aspekt  dhe dëshpërimi në aspektin tjetër. Do të kemi një event të veçantë për legalizimet, por parimi themelor është ky, shtëpitë në fshat do legalizohen të gjitha, në total. Shtëpitë në qytet, aty ku janë të parealizueshme për arsye që do t’i shpjegojmë, do të regjistrohen. Me një përjashtim të akseve kombëtare, ku nuk mund të ketë legalizim, nuk mund të ketë regjistrim, nuk mund të ketë asnjëherë asnjë lloj shantazhi ndaj shtetit, sepse nuk ka shans njeri që t’i marrë lekë buxheti të shtetit, të fusë dorën në xhepat e të tjerëve, për të mbajtur peng aksin kombëtar dhe për të marrë lekë shpronësimi aty ku s’i takon. Ndërkohë që të gjitha të tjerat shpronësohen. Çfarë ti them zonjës në Unazën e Re, që thoshte qeveria e poshtër më dha 130 milionë lekë. Sa donte zonja?  130 milionë lekë sepse i takonte.

Prioriteti i gjashtë;  Lidhet me domosdoshmërinë tonë për të pasur një produkt final, – konkret, në mos final,  – deri fund të mandatit, është transformimi i infrastrukturës së universitetit. Kampusi Universitar duhet të jetë kantier.  Akademia e Sigurisë e Policisë së Shtetit duhet të jetë kantier. Akademia e Arteve duhet të jetë kantier.

Tirana duhet të këtë infrastrukturën e re universitare që të jetë njësoj si stadiumi në krahasim  me rajonin. Siç sot kemi stadiumin më të bukur në rajon, të kemi Kampusin Universitar më të bukur në rajon, brenda mandatit.

Prioriteti i shtatë; shumë i rëndësishëm, Shengeni Rajonal. Do të bëjmë një event të veçante për këtë, por dua të them se kush është kudër Shengenit rajonal, nuk kupton asgjë. Asgjë fare. Kur them nuk kupton, nuk kupton nga çdo pozitë, që nga pozita më nacionaliste deri tek pozita më liberale, të themi. Një gjë është e sigurt, Shengeni Rajonal është një vizion dhe një këmbëngulje nga ana ime, nga ana jonë, qysh në ditën e parë të Procesit të Berlinit. Ka qenë i penguar deri para pak muaj nga Presidenti i Serbisë, me të cilin unë kam bërë pafundësi debatesh dhe komunikimesh për këtë. Nuk mund të bëjmë dot një marrëveshje rajonale mbi tregtinë, nëse nuk bëjmë një marrëveshje rajonale mbi lëvizjen e lirë të njerëzve. Aha, domethënë që do bashkohet Shqipëria me Kosovën? Domethënë do hapet kufiri?

Sepse marrëveshje e lëvizjes së lirë të njerëzve do të thotë që kufiri i sotëm mes Shqipërisë  dhe Kosovës, ai kufiri që sa herë është thënë që do ta hapim, është aty akoma, të hapet. Dhe nuk po flas për të gjithë efektet e të mirat e tjera. (Nuk po flas këtu, sepse duhet bërë në një takim të  veçantë dhe do ta bëjmë.) Sepse kjo e forcon Kosovën dhe Shqipërinë, nuk e dobëson. Sepse kjo e vendos Kosovën në një  pozicion më të favorshëm edhe me Serbinë, nuk ke dobëson. Sepse politika e mbylljes dhe politika vetërrethimit është politikë vetëvrasëse për Kosovë.

Natyrisht, gjëja më e lehtë është të bësh patriotin me pizhama, të rrish në shtëpi dhe të thuash “me të poshtrit dhe armiqtë ne…” Por historia nuk shkruhet duke ndenjur në shtëpi dhe duke bërë patriotin me pizhama. Sot ka plot që nuk e kuptojnë, do ta kuptojnë nesër. Ne nuk jemi zgjedhur për të ndjekur ata që nuk kuptojnë. Ne jemi zgjedhur për të udhëhequr. Ne nuk  jemi zgjedhur që çdo gjë që bëjmë, t’i pëlqejë gjithmonë shumicës. Ne jemi zgjedhur që, edhe kur shumica nuk është dakord, sepse nuk i pëlqen diçka, por ama ne e shohim, të udhëheqim drejt asaj që shohim.

Vijmë tek prioriteti i parë që lidhet me krimin e organizuar dhe me korrupsionin. Shikoni disa të dhëna.

Prokuroria në 87 raste nuk ka vepruar fare ndaj personave të arrestuar nga policia, autorë veprash penale të rënda. Thuhet qeveria, Edi Rama, X apo Y, sipas radhës së ministrave, por, nëse  do të shohim tablonë e sotme të luftës kundër krimit  dhe korrupsionit, qeveria dhe institucionet  tona të varësisë janë ato që janë në pararojë, janë gjithmonë  1,2,3..10 hapa përpara. Nuk luftohet dot krimi dhe korrupsioni vetëm nga një dorë, nga një palë, duhen tre palë; duhet pushteti ekzekutiv, duhet prokuroria dhe gjykata në pushtetin gjyqësor. Shikoni rastin e pafajësisë, 360 pafajësi për persona të  arrestuar dhe të akuzuar si autorë veprash penale të rënda. Nuk flasim thjesht për vepra penale, por flasim për vepra penale të renda. Gjykata ka dhënë në 63 raste dënimesh të lehta për autorë krimesh të rënda, sa për të larë gojën dhe dhjetëra raste pafajësie për autorë krihesh të rënda, që pastaj  kanë rikryer të njëjtin krim. E kanë marrë vrasësi nga dera të prangosur nga policia dhe me akuzë të prokurorisë dhe e ka nxjerrë nga dera tjetër të pafajshëm, me revole në  dorë ka shkuar ka vrarë prapë.

Vetëm përpara pak ditësh, një nga eksponentët kryesor të krim të organizuar ishte në sallën e gjyqit. Policia e Shtetit, sëbashku me prokurorinë dhe gjykatën në këtë rast, kishin marrë në mbrojte një familje të një të penduari. Pra, kishte një të penduar që kishte rënë dakord që të bashkëpunonte me shtetin për procesin e këtij krimineli dhe nuk është e lehtë, është një proces i gjatë. E gjithë familja e tij ishte vënë në mbrojte dhe shteti ishte angazhuar të mbronte këtë familje, që ky person i penduar të ishte në krahun e shtetit për të çuar procesin deri në  fund. Që në seancën e parë, ajo që ndodh është se gjykatësi e liron në sallë kriminelin. Hyn me pranga dhe del me duar në xhepa.

Pak muaj më parë, rasti i autorit të vrasjes së 4 policëve. Pak javë më parë, rasti i tjetërsimit sy për sy të 1 milionë e 500 metave katrorë zonë bregdeti pronë shteti e hipotekuar. A mund të japësh një pronë në gjykatë, sikur ajo pronë atje është e lirë dhe s’ka njëri? Nuk e jep dot. Por ja pra, 1 milionë e 500 mijë metër katrorë pronë shteti e hipotekuar, u dha sy për sy.

Koment në Facebook; Shpejt u kujtove, politika shqiptare është katandisur në klloun për të qeshur Europa, pavarësisht se faji i kujt është.

Kryeministri Edi Rama: Edhe kjo është një mënyrë shumë e njohur dhe unë e ndesh gjithmonë, “shpejt u kujtove”. Luftën për Reformën në Drejtësi e kemi filluar në 2013-ën në programin tonë politik dhe pastaj qeverisës. Sepse, kur thonë shpejt u kujtove, apo shpejt u kujtuam, – si të doni, se unë e kam fajin, s’ka problem, – harroni se flasim këtu për mekanizma shtetërorë, për duart e shtetit që janë të prera. Është një shtet që i ka të prera dy duart dhe pa to, çfarë do bësh? Prokurori dhe gjykatë.

Unë nuk e di se çfarë kanë pritur njerëzit nga Reforma në Drejtësi, por, nëse nuk arrijnë ta shohin dhe ta kuptojnë që ajo çfarë po ndodh, është diçka e jashtëzakonshme, atëherë ne duhet t’u shpjegojmë njerëzve që nuk të fut në burg qeveria, policia, shumica parlamentare. Të fut në burg drejtësia, një sistem i tërë. Policia ka marrë mbi vete baltë pa fund, gurë pa fund, hunj pa fund, llum pafund, ndërkohë që ka kryer më mirë sesa gjithë të tjerët detyrën e vet, pavarësisht se duhet të bëhej më mirë. Çfarë duhet të bëjë policia, kur i çon tek dera e drejtësisë dhe prokurori nuk i hap fare çështje penale, ose, kur bashkë me prokurorin shkon tek dera e gjykatës, ajo ta liron në sallë. Ky sistem që po e reformojmë nga themelet, nuk reformohet në një ditë, në një muaj, duhet durim. Unë e di që durimi është malli më i shtrenjtë në këtë vend dhe me të drejtë.

Çdo të thotë “shpejt u kujtove”?

Çfarë po bëjmë sot, nuk e bënim dot dje. Çfarë po bëjmë sot, e bëjmë sepse ky është momenti për ta bërë, sepse tani janë krijuar kushtet që kjo të bëhet. Nuk e bënim dot dje. Deri djem oligarkia, se ajo ishte oligarkia e sistemit të drejtësisë, dominonte çdo gjë. Të gjithë ata që sot në shumicë kanë dalë jashtë nga sistemi, ishin dominues në këtë vend. Nuk merrej njëri fare me ta, as media, as publiku, as parlamenti, sepse ishin pushtet i pavarur. Milionerë që bënin ligjin.

Sot jemi në fazën e çmontimit të atij sistemi dhe të ndërtimit hap pas hapi të një sistemi tjetër. Kush thotë që këta thjesht u pushuan nga puna gabon. Vetting-u nuk është për të dënuar, është për të pastruar sistemin, për të pastruar pallatin e drejtësisë nga llumi dhe për të krijuar mundësitë që aty të vendosen njerëzit që do të luftojnë dhe pastaj aty, këta që dalin si të papunë sot, do të kthehen si të akuzuar nesër.

Të gjitha këto quhen propagandë. Nëse ti jep shifra, është propagandë, nëse jep fakte, është propagandë, nëse ti përpiqesh të shpjegosh ato që po bën, është propagandë. Ndërkohë që faktet janë gënjeshtrat, shpifjet e muhabetet që fillojnë në 7-të të mëngjesit dhe përfundojnë në 12-të të natës, nga kafenetë në studiot e televizioneve dhe që vërtiten në gjithë botën virtuale, ku bëhet virale çdo gjë e keqe dhe s’ka si bëhet virale diçka e mirë, – por nuk ndodh vetëm këtu, ndodh kudo.

Ajo që sot duhet të bëjmë, është që të jemi të bindur se na takon neve të bëjmë një hap më tutje, një hap më tutje me kurajë dhe me vendosmëri.

KÇK-ja

KÇK-ja është organizatë kriminale gjykatësish dhe prokurorësh, që janë shërbëtorë, bashkëpunëtorë, ose edhe tutorë të krimit të organizuar. Janë një kancer në sistem, që me fillimin e vetting-ut dhe me rezultatet e para të vetting-ut ka hyrë në fazën e vet më agresive. Janë njerëz që e dinë shumë mirë që nuk kanë asnjë shans që ta kalojnë vetting-un, prandaj sot po shfaqen shumë më hapur sesa deri dje, kur punonin me një ritëm më të avashtë dhe me bindjen se e kishin gjithë jetën përpara dhe që askush nuk do t’i lëvizte nga vendi.

Sot, ata nuk e kanë më jetën përpara në kuptimin e  karrierës, por kanë vetëm kohën e mbetur deri kur të dalin përpara Komisionit të Vetting-ut, që e dinë që nuk kanë asnjë shans. Motoja e tyre  dhe nuk është fantazi, – e thonë ata, unë  e kam dëgjuar nga ata, – “Kap Ça të Kapësh”, KÇK.

Rasti i Durrësit është një rast shumë  flagrant.  Për fat të mirë e solli rastësia, e sollën rrethanat që në rastin e Durrësit u gjenden në një makinë bashkë, prokurori dhe një nga eksponentët e krimit të organizuar. Në bagazhin e makinës, dokumentet e vjedhura të prokurorisë. Ato që për një kohë të gjatë i vendoseshin nga froni kundër Reformës në Drejtësi në kurriz Donika Prelës, ndërkohë u gjetën në atë makinë.

Çfarë duhet të bëjmë në këto kushte? Do rrimë të presim vetting-un?

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.