Kryeministri Rama zhvilloi një takim informues me sipërmarrës të agroturizmit, në kuadër të angazhimit të qeverisë për të mbështetur zhvillimin e këtij sektori strategjik, ku u prezantuan instrumentet ekzistuese dhe programet e reja që do të vihen së shpejti në dispozicion të të gjithë atyre që duan të jenë protagonistë në këtë fushë, – me theks të veçantë tek Paketa e Maleve, e cila po shënon një rritje të ndjeshme të interesit dhe aplikimeve në të gjithë territorin e vendit.
Kryeministri theksoi se agroturizmi mbetet një nga shtyllat kryesore të zhvillimit ekonomik dhe të turizmit të qëndrueshëm, ndërsa nënvizoi se mbështetja e qeverisë do të vijojë të zgjerohet përmes programeve të reja, përfshirë edhe iniciativën “Dyfisho ndërmarrjen tënde”, e cila synon të fuqizojë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në këtë fushë.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua Paketës së Maleve, që iu mundëson qytetarëve të investojnë në tokat e tyre edhe në mungesë të titujve të pronësisë, përmes një procesi të thjeshtuar dhe të garantuar nga shteti. Kryeministri qartësoi se kjo paketë nuk është e orientuar drejt investitorëve të mëdhenj, por është krijuar posaçërisht për familjet dhe sipërmarrësit e vegjël që duan të zhvillojnë pronat e trashëguara.
* * *
Kryeministri Rama: Së pari njëherë shumë faleminderit mikpritësit, për këtë mjedis kaq të favorshëm për këtë takim.
Së dyti faleminderit të gjithë protagonistëve të agroturizmit, disa prej tyre i njoh edhe disa të tjerë mbase do i njoh sot, por faleminderit që keni lënë punët e tjera për të dëgjuar dhe për të komunikuar këtu në këtë takim, i cili synon të ndihmojë, jo thjesht ju që jeni këtu, por të gjithë ata që janë të interesuar dhe që mbase na ndjekin përmes ekranit për t’u informuar me mundësitë e reja që kemi dhe që janë ose do të vihen në dispozicion të të gjithë atyre që duan të jenë protagonistë në këtë fushë.
Në radhë të parë dua ta filloj aty ku e mbaroi Ogerta tek Programi i ri kombëtar që ne po përgatisim, i cili do të lançohet së shpejti, besoj që në fund të muajit do të kemi marrëveshjen mes Bankës së Shqipërisë, bankave të nivelit të dytë dhe qeverisë për një linjë financim të mbështetur nga qeveria shqiptare për të mbështetur çdo projekt të kujtdo që ka një ndërmarrje të vogël ose të mesme dhe ka ambicien që ta rrisë atë.
E kemi quajtur programin “Dyfisho ndërmarrjen tënde”, por nuk do të thotë që duhet të jetë patjetër dyfish, mund të jetë dhe 50%, mund të jetë edhe trefish varet nga projekti.
Ky program do të mbështetet nga një linjë e drejtpërdrejtë kredie e Bankës së Shqipërisë, e cila do të përpunohet nga bankat e nivelit të dytë në bazë të aplikimeve, do të garantohet nga qeveria shqiptare me një garanci sovrane dhe nga ana tjetër, do të ketë një interes të kredisë më të ulët sesa kreditë komerciale, kjo kuptohet, plus që do të ketë një limit deri në 2 milion euro.
Nuk do të jetë e mundur të aksesohet nga kompanitë e mëdha, por do të aksesohet nga Startup-et, nga siç thashë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, punishtet dhe patjetër edhe nga agroturizmat që do të duhen të rriten.
Tani natyrisht kur flasim për rritje të agroturizmit unë nuk kam parasysh thjesht rritjen e numrit të dhomave ose të masës së volumit të ndërtimit në territorin ku është agroturizmi. Rritja e agroturizmit është edhe zgjerim i kapaciteteve të veta prodhuese dhe përpunuese jashtë kufijve të vetë.
Pra, një agroturizëm mund të ketë një vresht diku, mund të ketë një fermë diku, mund të ketë një baxho diku, mund të ketë një punishte reçeli diku, jo domosdoshmërish në atë territor dhe nëse e ka një të tillë apo nëse do që ta ketë një të tillë, atëherë kjo është plotësisht e mjaftueshme për t’ju qasur programit.
Besoj që programi vjen në kohën e duhur.
Unë kam pasur shumë komunikime dhe shumë të vlefshme me themelues të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme që prodhojnë, se këtu flasim për prodhim, flasim për agropërpunim, flasim për eksport dhe natyrisht ju e dini më mirë se unë që turizmi hyn tek eksporti dhe agroturizmi hyn tek eksporti, kështu që ky do të jetë destinacioni i këtij programi.
Nga ana tjetër, sigurisht është Paketa e Maleve.
Unë besoj që ë gjithsecili prej jush dhe gjithsecila prej jush se këtu ka dhe disa gra që janë protagoniste të këtij transformimi që i ka ndodhur industrisë tonë turistike përmes futjes së agroturizmit. Gjithsecili mund të dojë që të ketë një rrjet agroturizmash, jo thjesht një agroturizëm, por një rrjet agroturizmash dhe për këtë shërben edhe Paketa e Maleve. Kuptohet që paketa e maleve ndryshe nga çfarë është keqtrajtuar apo është deformuar në kanalet e informacionit nuk është një paketë për kompanitë e mëdha, nuk është një paketë për investitorët e mëdhenj, nuk ka lidhje fare me këto kategori dhe aq më pak është një paketë për të dhënë territore, troje publike për zhvillime private. Nuk është fare ky qëllimi i paketës, nuk është fare ky objekti i paketës.
Paketa e Maleve ka lindur nga nevoja për t’i dhënë drejtim një problemi shumë të madh që e ka origjinën e vet shumë larg në kohë tanimë, tek ligji 7501 dhe tek konflikti me këtë ligj i shumë familjeve në zona të caktuara të vendit, kryesisht në veri dhe verilindje, por edhe në zona të tjera që nuk e kanë njohur 7501-shin, si një instrument të vlefshëm për tokën e tyre, që nuk kanë marrë mbi 7501-shin, asnjë lloj certifikate të përdorimit të tokës dhe që e kanë rindarë tokën menjëherë pas ndryshimit të regjimit mbi bazën e kufijve të vjetër dhe nuk kanë probleme me njëri-tjetrin.
Pra problemi i trashëguar është që këta njerëz e kanë të pamundur të kenë akses në financa dhe e kanë të pamundur që të ndërtojnë në mënyrë të ligjshme, sepse nuk kanë një titull pronësie.
Ne e bëmë një përpjekje për ta adresuar këtë problem me një ligj të ri që quhet 20/20, ligji për të cilin u desh shumë kohë sepse kishte, ju e dini besoj që po more një jurist ke marrë një mendje, po more dy ke marrë dy mendje, po more të tretin pastaj s’ke marrë asnjë mendje se bëhen tre mendje dhe s’merret vesh më njeri.
Po faktikisht ligji, u desh shumë kohë që të formulohej dhe nuk na e dha atë efekt që do të duhej të jepte, sepse prezumon dakordësinë me shkrim të shumë, të gjithë atyre rreth rrotull, të cilët rezultuan nga të gjithë përpjekjet që, jo vetëm janë nëpër vende të ndryshme të botës. Shkurt muhabeti nuk funksionoi për aq sa ne prisnim dhe për këtë arsye lindi Paketa e Maleve. Çfarë do thotë kjo? Do të thotë që shumë shqiptarë që janë në emigracion apo që janë në qytet kanë toka, kanë shtëpi të vjetra, të cilat duan t’i zhvillojnë, po s’kanë asnjë mundësi t’i zhvillojnë sepse edhe sikur të kenë paratë nuk marrin dot leje se s’kanë titullin e pronësisë.
Me ligjin e ri që quhet Paketa e Maleve, kjo bëhet e mundur duke aplikuar drejtpërdrejt, duke shprehur interesin pranë bashkisë edhe duke thënë: “Kjo tokë këtu është e imja”. Bashkia e merr këtë shprehje interesi, afishon një listë për 45 ditë ku dhe e bën publike që cilido që e pretendon të kundërtën dhe mendon të kundërtën dhe e përsëris, kjo bazohet shumë tek fakti që këtu ligji i shërben atyre që janë në toka të të parëve që s’kanë konflikte dhe ka shumë të tilla sidomos në zonat që ne i kemi studiuar dhe me të cilët kemi bërë dhe shumë biseda intensive.
Në 45 ditë duhet të vijë një kundërshti e argumentuar, nëse s’vjen, lista kalon në Këshillin Bashkiak. Këshilli bashkiak e miraton dhe personi e çon aplikimin. Ky miratim vlen vetëm për këtë gjë. Vlen vetëm për të aplikuar, për të marrë leje për një projekt, nuk vlen për gjë tjetër fare. As nuk mund ta marrësh tokën ta shesësh, as nuk mund ta japësh me qira, asgjë fare. As nuk merr titull pronësie. Nuk merr titull pronësie akoma. Po shkon në instancën përkatëse, aplikon me projektin dhe thua: Ky është projekti që dua të ndërtoj.
Miratohet projekti dhe ti ndërton. Vetëm pasi ti ke përfunduar ndërtimin, jo përpara, ti merr titullin e pronësisë mbi atë ndërtim dhe mbi atë investim, duhet ta mbarosh.
Nuk mund ta marrësh peng tokën, se praktikisht e ke kot se peng e ke njëkohësisht se e ke tokën nuk e përdor dot. Po nuk mund të gëzosh një titull pronësie pa e investuar atë tokë dhe ligji parashikon që në çdo rast kur në një kohë x shfaqet dikush tjetër me pretendimin që është pronari, shkon në gjyq fiton me atë, nuk merresh ti, merret shteti. I takon shtetit pastaj që ta kompensojë personin, i cili mund të shfaqet si pretendent i kësaj prone.
Kjo është trajektorja që ndjek kjo paketë edhe është shumë pro biznes, është shumë e favorshme dhe është absolutisht e bazuar tek e drejta e trashëguar e pronës. Nuk është absolutisht e bazuar tek “hajde, se kemi Paketën e Maleve të japim ca toka në mal” se nuk kemi nevojë ta bëjmë këtë gjë, nuk është fare ky qëllimi e tjerë, e tjerë.
Kështu që, kush ka dëgjuar që kjo bëhet për t’ia dhënë atyre kulakëve, se “oligark” është transplantimi i kulakut në zhargonin demokratik dhe këtë transplantim e kanë bërë dhe e përdorin ata që thonë se kanë luftuar komunizmin, por ato mbetje toksike të komunizmit i kanë kokë. Edhe kush është armiku i popullit? Kulaku! Kulak nuk e themi dot, shpikim oligarkun. Fjala “oligark” nuk ka lidhje fare me realitetin shqiptar. Në Shqipëri nuk ka oligark që të jemi të qartë, se oligarku është dikush që vendos, nuk është dikush që bën biznes edhe përfiton dhe ky projekt, ky program është thjeshtë dhe vetëm për ata që duan të zhvillojnë tokën e tyre, duan të rindezin oxhakun në shtëpinë e gjyshërve të tyre, duan të ndërtojnë një fermë, duan të ndërtojnë një agrobiznes, duan të ndërtojmë një pikë agropërpunimi në fshat dhe do të kenë të gjithë mbështetjen tonë.
Këto të dyja besoj që janë të rëndësishme për pjesën tuaj, ndërkohë që, për të gjithë pjesën tjetër unë do thosha që është shumë e rëndësishme të vetëdijesohet e gjithë industria e turizmit që ajo që duket sikur ka arritur në majë vetëm sa ka filluar.
Potenciali i Shqipërisë është i jashtëzakonshëm, është ende shumë i pashfrytëzuar dhe mundësia që Shqipëria të nxjerrë shumë më tepër të ardhura nga turizmi është shumë e madhe dhe kur të them të nxjerr shumë më tepër të ardhur nga turizmi, nuk kam parasysh që të vijnë këtu 35 milionë turistë sepse nuk na duhen. Ne nuk na duhet të bëhemi një destinacion i mbingarkuar i turizmit të masës që është një turizëm që sjell shumë njerëz, por që nuk janë konsumatorë të lartë, janë konsumatorë të ulët, në kuptimin konsumojnë pak dhe ne duhet të synojmë ata që konsumojnë shumë dhe agroturizmat mund të bëhen si të thuash transformuesit edhe në këtë drejtim, duke rritur cilësinë e shërbimit në radhë të parë, duke mbajtur një ekuilibër me çmimet, e dyta.
Shumëkush në industrinë e turizmit sot në Shqipëri nuk e kupton të paktën po të shohësh listën e çmimeve. Nuk është nuk është se unë po ju vënë në diskutim inteligjencën, por po të shikosh listën e çmimeve në shumë pika në Shqipëri, duke filluar nga Vlora që është që është fenomen në këtë rast dhe shikon investimin, ti mendon që ky njeriu që ka bërë gjithë investimin nuk e kupton se çfarë i bën investimit të vet me listën e çmimeve që të vë përpara. I ndërpret të ardhmen duke bërë lista, menura ose tabelën e çmimeve të dhomave me atë urinë për të fituar sot edhe atë që do fitosh nesër, faktikisht ti bën varrmihësin e investimit tënd. Është një tragjedi që i ka ndodhur, jo pak vendeve nga e cila duhet mësuar. Nëse ti investon në një restorant me kashtë edhe se ke problem shumën që ke investuar, ti mund ta bësh këtë lojë edhe fiton ç’ke për të fituar sot, edhe nesër, dhe pasnesër pastaj kur s’të vjen më njeri, e lë kashtën aty dhe ikën. Po nëse ti bën investime me miliona euro, me dhjetëra miliona euro për hotele, për agroturizma, ku di unë dhe je i vetëdijshëm që këto investime duan shumë para në fillim dhe pastaj atë kthimin e kanë të ngadaltë, po të qëndrueshëm, atëherë ti duhet të mendosh strategjikisht që ta marrësh mbrapsht atë që ke investuar dhe të fitosh mbi atë që ke investuar hap pas hapi, pas hapi, pas hapi.
Në momentin që njerëzit, turistët vijnë në një destinacion me furi se e zbulojnë dhe pastaj fillojnë dhe largohen të pakënaqur nga raporti cilësi, shërbim, çmim dhe nga raporti ofertë, domethënë kapaciteti i ofertës, se ata nuk vijnë në Shqipëri sot si në një vend që ku shpenzohet jashtëzakonisht shumë, ata vijnë në Shqipëri se thonë: – Ka akoma çmime të arsyeshme. Atëherë ato vende juve që merreni me këtë punë – mund t’i kërkoni, mund t’i shikoni në botën e internetit – kthehen në largqoftë varreza, nuk vjen më njeri dhe hotelet falimentojnë, investimet shkojnë për dreq dhe të rikuperosh atë goditje reputacioni që i bën vetes duhen shumë vite dhe ka vende, ka pika që nuk është kthyer më gjëja sepse dalin destinacione të tjera e tjerë e tjera.
Pra, në këtë pikë duhet me qenë shumë të kujdesshëm dhe duhet me qenë strategjik, jo për popullin se unë e di që kur zgjodhëm kapitalizmin zgjodhëm një sistem ku, kush do të fitojë, do të fitojë edhe më shumë, por për veten, për interesin tuaj dhe këtu nuk e kam me ju thjesht se s’kam arsye të mendoj që juve i vini çmimet në mënyrë të palogjikshme, por e kam me ata që i vënë çmime të palogjikshme. E kam me protagonistët e turizmit vlonjat dhe me të tjerë pastaj, sepse është një problem shumë i madh dhe e fundit që do predikoj këtu është kultura e shërbimit, është buzëqeshje, është krijimi tek tjetri i asaj që ne të gjithë e themi mikpritje shqiptare.
Nëse klienti vjen dhe gjen një ekip që buzëqesh edhe që është i gatshëm ta dëgjojë me durim edhe me dashuri të fal edhe të metat.
Këto kisha unë. Ndjehuni të lirë të merrni fjalën. Këtu janë edhe ministrat që mbulojnë përkatësisht turizmin në përgjithësi dhe Paketën e Maleve në veçanti bashkë me të tjera gjëra që kanë të bëjnë me pushtetin vendor dhe patjetër që dhe ata do të thonë do të thonë fjalën e tyre. Kështu që kush e do mikrofonin mund thjesht të ngrejë dorën dhe ta kërkojë.
-Ju përshëndes. Unë jam Kujtim Dervishi. Duke qenë se jam Kryetar i shoqatës së restoranteve dhe bujtinave shqiptare prej 12 vitesh, zoti Kryeministër, kemi një anëtarësi në gjithë Shqipërinë mbi 200 anëtarë. Kemi restorante, kemi bujtina edhe prodhues vendorë. Ne kemi një aktivitet të gjerë, kemi vajtur në panaire brenda dhe jashtë vendit. Kemi marrëveshje me Kosovën dhe me Shqipërinë. Kemi bërë dy marrëveshje të rëndësishme me Kosovën. Ndërkohë, unë jam dhe kryetar i bordit të shkollës profesionale të Kamzës, e cila ka 1500 nxënës edhe 400 prej tyre i ka sektori i turizmit. Edhe neve ndjekim ta implementojmë atë paketën dual të cilën e kemi vënë në zbatim nëpër restorantet tona. Edhe sot kishim një takim të rëndësishëm me biznesin privat atje, edhe me shkollën profesionale të Kamzës, ku të them të drejtën neve i kemi futur gjithë këto studentë nëpër subjektet tona dhe u bëj thirrje gjithë këtyre subjekteve mund t’i ofrojnë ato nxënës të atyre shkollave, që janë kualitete për t’i futur në rrjetin e restoranteve dhe bujtinave shqiptare.
I kam kërkuar Kryetarit të Bashkisë në detyrë, që të bëjmë një festival kulinarie, në Tiranë, sepse Tirana është tashmë qendra e vizitorëve të turistëve.
Kisha dhe diçka, zoti Kryeministër unë e kam ndërtuar objektin tim me leje ndërtimi në vitin ‘95 edhe u bëra 32 vite. Kam bërë një lejë rikonstruksioni në vitin 2002. Sigurisht që gjithë të tjerët edhe neve kemi bërë ndonjë shtesë aty. Kam kërkuar përpara 15 vitesh legalizimin. Erdhën, ma bënë legalizimin, më dhanë dokumentin në dorë. Pas një muaji një muaj e ca më thirrën, më thanë që anullohet legalizimi.
Kryeministri Edi Rama: E para, më vjen mirë nëse e kam shpjeguar si duhet Paketën e Maleve sepse do duhet ta shpjegojmë shumë shpesh, sepse ka shumë “helm” që hidhet çdo ditë këtu, siç besoj mund ta keni parë, mund mos ta keni parë, rezistencën idiote që u bë për një ndryshim krejt të thjeshtë për portet në parlament, aq sa u vu alarmi edhe në Bashkimin Europian. U çua nga këtu atje, se në këtë pikë domethënë jemi i pari dhe unë jam i bindur, i fundit vend kandidat në historinë e zgjerimit të Bashkimit Europian, që “eksportojmë baltë dhe helm” nga kryeqyteti ynë drejt kryeqyteteve të tjera dhe u tha që “qeveria po ndryshon ligjin se do t’i japë oligarkëve portet pa garë’’.
Në fakt, ndryshimi është i domosdoshëm për të mos penguar dhe për të mos vonuar dhe marrë zvarrë, investitorët të cilët investojnë në bregdet në pronat e tyre, dhe vijnë me një projekt që ka dhe një pontil apo një marinë të vogël dhe përgjigjja që marrin është: “mund ta marrësh lejen për këtë pjesën tjetër, për pontilin dhe për marinën duhet bërë tender”. Sepse në ligjin ekzistues, normal, duke qenë se deti është nën administrimin total të shtetit, për portet turistike që ndërton, që nxjerr në garë qeveria, bëhet garë, ndërsa t’i thuash tjetrit që “ti investoje gjithë këtë këtu, po për parkimin, se porti është një parkim i anijeve, për parkimin do bëjmë një garë’’, i bie që të krijosh “territore luftrash” midis le njëherë që ai që bën investimin do të thotë “po heq fare pontilin’’.
Ne jemi një vend që kemi një defiçencë shumë të madhe me pikat e ankorimit në det, shumë të madhe. Qindra e qindra porte kanë të tjerët, ankorimi, dhe këtu s’flitet për porte si Marina e Durrësit apo si Marina e Vlorës që janë marina të mëdha turistike. Këtu dhe për porte të vogla dhe vëmë në diskutim këtë gjë. Pra, flitet për çdo gjë në mënyrë të mbrapshtë sepse nuk kanë dhe faj, nuk kanë dhe faj, u bënë kaq shumë vite që s’kanë lidhje fare me punët e shtetit.
Ndërkohë, besoj që në rastin tuaj problemi i legalizimit ka qenë i lidhur me statusin e parkut kombëtar edhe këtë problem e kemi në të gjitha parqet kombëtare që nuk bëhen legalizime. Ndërkohë që, për sa i përket pjesës tjetër, do duhet, domethënë zhvillimet janë në varësi nga shumë gjëra të tjera, sepse Paketa e Maleve nuk hap rrugën e investimeve në parqet kombëtare, por lejon që edhe në territore që janë pjesë e zonave të mbrojtura, mund të investohet për zhvillime që nuk janë masive.
-Përshëndetje të gjithëve! Unë jam Anisa. Bashkë me familjen time kemi një fermë modeste prej 26 krerë lopësh tashmë, aplikuese për disa skema kombëtare. Gjej rastin t’ju shpreh mirënjohjen time për mbështetjen sa i përket lehtësimit në procedurat e lejes së ndërtimit; aplikuese për garancinë sovrane dhe së fundmi aplikuese për Paketën e Maleve. Të gjitha këto po i përmend sepse dhe të gjitha instrumentet tashmë janë instrumente shumë të dobishëm, të cilët fermerit i vijnë në ndihmë. Unë akoma jam në pritje t’i finalizoj këto procedura. Kam pasur bashkëpunimin dhe mirëkuptimin e drejtuesve kryesorë të njësive si nga AZHBR-ja, si nga AZHT-ja. Kam ngecur në procedurat e aplikimit për kredit të butë. Vërtetë dua të vlerësoj të gjitha këto instrumente, të cilat, të mirat apo të këqijat që fermeri mund të ketë gjatë rrugëtimit të tij, e ndihmojnë për ta përmirësuar dhe perfeksionuar biznesin e tij. Po dhe pjesa e kredisë së butë që nuk e di, ndoshta ka nevojë për çfarë tjetër, nga ana jonë si fermerë.
Kryeministri Edi Rama: Arsyeja pse ne e rimorëm atë që nisëm me instrumentin e parë, të cilit ju i referoheni, instrumentit të krijuar në bashkëpunim me Bankën e Shqipërisë, është pikërisht sepse konstatuan disa probleme që njeriu i sheh kur fillon implementimi i një projekti dhe tek e reja, do t’i adresojmë këto probleme.
Por thënë kjo, dihet botërisht që bankat kanë një rezervë më të madhe ndaj bujqësisë dhe ndaj të gjithë sektorëve të tjerë, sepse e konsiderojnë një territor, një sektor me risk të lartë. Unë nuk e gjej tamam ku është risku i lartë në rastin tuaj, por ky është një paragjykim që bankat kanë edhe si rezultat i faktit që bujqësia ka atë vështirësinë e vet të madhe dhe ka vulnerabilitetin e vet, që lidhet me faktorë jashtë kontrollit të njeriut, që janë faktorë natyrorë e tjerë e të tjerë dhe që në një moment të caktuar mund të çojnë në situata shumë të vështira.
Por, për të pasur më shumë kontroll mbi këtë proces, ne po krijojmë edhe Bankën Shqiptare të Zhvillimit. Banka Shqiptare e Zhvillimit tanimë po ndërton stafin e vet, ka marrë edhe zyrat dhe së shpejti do të jetë operacionale dhe do të na japë mundësinë që të mbështesim, pra përmes kësaj banke, të mbështesim shumë iniciativa sepse Banka Shqiptare e Zhvillimit ka si karakteristikë si të gjitha bankat e zhvillimit, edhe atë pjesën e misionit që mbështet edhe iniciativa që nuk janë shumë tërheqëse për bankat komerciale.
-Përshëndetje të gjithëve. Unë jam banori i kësaj zone, biznesmen. Kam 32 vjet që merrem me biznes në fushën e infrastrukturës. Para 15 vitesh, babait tim, që sot nuk jeton më, i lindi dëshira, të bënte investime në fshat. Kam bërë ca investime deri tani në këtë zonë; rrugën, kam çuar energjinë vetë, kam hapur pus, kam blerë një pjesë të mirë të tokave përreth përveç tokave që kemi pasur të trashëguar, kam dhe një kontratë me bashkinë e Tiranës për 26 hektarë kontratë qiraje. Kam bërë një aplikim për Paketën e Maleve. Përveç kësaj, kam investuar edhe në blegtori, por deri tani kemi hasur në vështirësi sepse unë kam blerë një pjesë, që kam bërë marrëveshje një pjesë të mirë të tokave, janë rreth 20 hektarë që unë i kam bërë marrëveshje po s’po marrin certifikatat dhe po i jap me qira derisa të marrin certifikatë. Ky ishte me një fjalë, problemi pak a shumë.
Kryeministri Edi Rama: Ky është një tjetër element që Paketa e Maleve adreson besoj. Shpresoj, që bashkia e Tiranës një herë të nxjerrë atë që është e fundit që ka mbetur pa nxjerrë, zonat, sepse ndahen në disa zona dhe pastaj procesi do ta lehtësojë edhe këtë pjesën e certifikatave.
-Dhe tjetra, unë po investoj aty dhe i gjithë interesi është që unë të jem edhe në shërbim të zonës përreth, sepse kjo zonë këtej më shumë është te pjesa e blegtorisë sepse nuk janë toka që janë shumë prodhuese. Kam një ide që të bëj edhe një markat për gjithë zonën. I kam projektet sepse 32 vite punë, po investoj këtu në katundin tim.
Kryeministri Edi Rama: Sapo të bëhet ajo dalja e zonës, zonimit nga bashkia e Tiranës, do hapet portali edhe i Tiranës. Juve do bëni aplikimin, do shihet projekti, do bëhet ajo pjesa e thirrjes, e publikimit të listës për të parë nëse dikush ka pretendime te toka etj, dhe pastaj nëse s’dalin pretendent, vazhdo punën, do bësh investimin, do marrësh titullin e pronësisë dhe do ta gëzosh edhe do t’i bësh dua babës se ka qenë burrë i mençëm. Ka ndonjëri ndonjë gjë për të thënë?
-Ajo që do të thosha si pika dy është mirënjohje e madhe për këto lloj bisedash që bën dhe që krijon me këtë lloj qasje me komunitetin e biznesit.
-Një falënderim i jashtëzakonshëm për Parkun e Besimit.
-Ajo që do ndodhi pas me bumin turistik do jetë e jashtëzakonshme.
(Ndër të tjera sipërmarrësit ndanë eksperiencat e tyre lidhur me punonjësit e rinj që ata kanë punësuar në bizneset e tyre, duke theksuar se është e nevojshme që brezi i ri të ndërgjegjësohet edhe më shumë për vlerat dhe rëndësinë e punës.)
Kryeministri Edi Rama: E para që duhet të jeni shumë të vetëdijshëm është që pjesa më e rëndësishme, më themelore, më jetike e gjithë fatit të objektivave tuaj janë burimet njerëzore, është kapitali njerëzor. Aty mos kurseni. Më mirë një suva më pak, sesa ajo që fiton, duke mos i dhënë atij ose asaj atë pagën që ta bëjë të ndihet rëndësishëm ose e rëndësishme.
Dhe tjetra është që ne kemi bërë një lehtësim shumë të madh në ditët e fundit, në javët e fundit për të marrë punëtorët nga jashtë. Duhet ta shikoni atë. E kemi lehtësuar komplet, e kemi bërë domethënë që për pesë ditë juve merrni punëtorët, i merrni vetëm me vetëdeklarim. Nuk ka më nga ato “jo hajde këtu, jo hajde atje”. I merrni me vetëdeklarim edhe pastaj ata vijnë, marrin lejen e punës dhe pastaj bëhen ato gjërat e thjeshta, për dokumentacionin etj.
Dhe këtu do shtoja dhe diçka sepse e bëjnë shumë në vendet e Gjirit ku në kohën ku ka shumë punëtori të kualifikuar, ka dhe shumë shqiptarë që punojnë atje, që në kohën e verës kur ne kemi bumin e turizmit, ata nuk kanë njeri atje. Kështu që, shikoni dhe mundësinë që të bëni marrëveshje dhe kështu ndani dhe kostot me një restorant atje, një klub atje.
Nuk flas për hotelet e mëdha, flas për këto të voglat që kanë kamerierë, kanë kuzhinierë edhe që praktikisht ata i paguajnë dhe ata rrinë kot se në kohën e verës atje s’shkon njeri, është temperatura shumë e lartë. Kjo është njëra që desha ta them.
E dyta, është që është e vërtetë ne do ta fillojmë hap pas hapi ta realizojmë atë Parkun e Besimit.
Ai do jetë patjetër një magnet i madh për zonën e Petrelës, nuk diskutohet, por dhe për Tiranën në përgjithësi do jetë një magnet shumë i fortë. Do kërkojë kohën e vet se është shumë i lidhur me bimësinë, me pemët, me të gjitha që duan dhe kohën e vet që të rritet, por jam dakord që do jetë shumë tërheqës.
Ndërkohë që, të jeni të sigurtë, ne kemi parë shifrat e Marsit. Marsi në krahasim me marsin e kaluar është shumë fortë. Edhe kini parasysh që ajo që ndodh për fat të keq, me thënë të drejtën se ato janë të gjitha vende me të cilat, ne kemi marrëdhënie shumë të afërta, po ajo që ka ndodhur në vendet e Gjirit, që ka ndodhur me Turqinë po ashtu, që ka ndodhur me Qipron, të gjitha ato vende do kenë rënie dhe ne duhet ta marrim një pjesë sado të vogël të asaj që bie andej dhe do vijë këtu.
Por, po i kthehem asaj që thashë në fillim, të gjithë ata që kanë investuar në industrinë e turizmit apo përfshirë dhe në agroturizma kanë bërë një investim që është një investim që kërkon shumë para në fillim, dhe kthehet ngadalë, nuk kthehet shpejt. Por duhet të jeni shumë strategjik. Nuk duhet t’ju gënjejë kjo masa e madhe që vjen për të zgjatur dorën më shumë sesa duhet për t’i marrë me çmimin e ekzagjeruar ato që normalisht duhet të merren hap pas hapi, sepse kjo do garantojë që të rritet reputacioni edhe që të krijohet stabilitet. Është e domosdoshme.
Ndërkohë, ajo që tha Blendi për Mrizin është ajo gjë që po përpiqesha dhe unë të thosha në fillim, që juve keni krijuar për mjaftueshëm eksperiencë që të shikoni dhe të diversifikoheni në vende të tjera dhe për këtë besoj do ju ndihmojë shumë edhe programi i dyfishimit të ndërmarrjes.
Shumë faleminderit!