Deklarata e Ministrit të Transporteve dhe Infrastrukturës Edmond Haxhinasto dhe Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri:
Së bashku me kolegun Tahiri, sot, lançojmë ashtu siç e kemi bërë të ditur, paketën e masave për sigurinë rrugore. Kemi përgatitur ndërhyrje shumëplanëshe, ndërhyrje ligjore në kodet, do të ndryshohen dy kode; Kodi Rrugor do ndryshojë, gjithashtu, dhe Kodi Penal.
Do të kemi ndërhyrje në ligjin “Për transportin publik”, do kemi ndërhyrje në aktet e Këshillit të Ministrave, në VKM-të e Këshillit të Ministrave dhe në shumë akte të tjera që rrjedhin nga këto ligje që unë përmenda.
Qëllimi i kësaj pakete është që të krijojmë një siguri më të madhe në rrugët e vendit dhe do të merremi me të gjithë elementët përbërës që e realizojnë këtë qëllim. Do të merremi me vetë rrugën, do të merremi me makinën, me automjetin, do të merremi me drejtuesit e automjeteve, do të merremi me zbatimin e ligjshmërisë, do të merremi me aftësimin për ndërhyrje në raste emergjence, raste aksidentesh, do të merremi edhe me ndërgjegjësimin e publikut, pasi mendojmë se para së gjithash se kjo është një çështje e ndërgjegjësimit të publikut për trajtimin e një problemi, do të thosha me përmasa kombëtare.
Masat tona janë kryesisht të dy sektorëve, të sektorit që merret me transportin dhe forcimit të ligjit, që mbulon kolegu Tahiri.
Mjeteve më të sigurta;
Do të forcojmë të gjithë procedurën e kontrollit të mjeteve. Do të liberalizojmë tregun, me qëllim që të përmirësojmë edhe shërbimin për kontrollin e automjeteve. Do ta bëjmë sistemin të paprekshëm dhe të pathyeshëm nga korrupsioni që ekziston sot. Do të vendosim elementë të ri sigurie në kontrollin e automjeteve. Do të vendosim kontroll të detyrueshëm edhe për elementë të tillë siç është cilësia e motorëve të automjeteve dhe do të thoja dhe cilësia apo niveli i ndotjeve të gazrave nga këta motorë, me qëllim që këtë mundësi për të ecur të lirë në rrugët e vendit ta gëzojnë edhe ata që nuk duan të shfrytëzojnë automjetet, por duan të thithin ajër të pastër dhe të mos i ndotet ambienti dhe ajri nga nivelet tepër të larta të emisionit të gazit.
Për sa i takon drejtuesve të mjeteve do të kemi një rikonceptim të të gjithë procesit të testimit, të elementëve të testimit. Do të kemi një prezantim të teknologjisë së informacionit, që do të bëjë të pamundur që ‘x’ të shkojë e të japë testim për ‘y’. Do të jetë e pamundur me sistemin që do të vendosim që të ushtrohet subjektivizëm dhe presion ndaj personit apo personave që testohen me qëllim përfitimi prej tyre. Pra, do të kemi një metodologji shumë konkrete, që askush të mos abuzojë me ata që janë persona të aftë dhe mundet të marrin provimin, qoftë në praktikë, qoftë në teori. Pra, që t’i japim fund një herë e përgjithmonë pagesave nën dorë, që e dimë të gjithë që janë praktikë që sot realizohet.
Po kështu do të prezantojmë edhe një testim tjetër të domosdoshëm në procesin e aftësimit, që është testimi psikofizik. Mendoj se është një mjet shumë i rëndësishëm për të dalluar aftësinë e individëve që hyjnë në procesin e testimit, gjithmonë në funksion të aftësive të tyre për të drejtuar automjetet dhe për të mos shkaktuar aksidente së pari ndaj vetes së tyre, pastaj ndaj të tjerëve.
Ndërhyrje do të ketë gjithashtu për sa i takon sinjalistikës në rrugë dhe elementëve të tjerë të sigurisë. Është parashikuar në buxhetin e këtij viti rreth 6 milionë dollarë vetëm për sinjalistikën, e cila do të vendoset në mënyrë prioritare në ato zona që janë më të rrezikshmet, me qëllim për të kontrolluar më mirë trafikun në ato zona.
Ndërhyrje shumë të rëndësishme do të ketë për sa i takon ruajtjes së rrugës si një pronë e rëndësishme, si një aset i rëndësishëm kombëtar dhe një aset i rëndësishëm i qytetarëve. Do ta ruajmë rrugën nga dëmtimet, nga vjedhja e elementëve të sigurisë, të sinjalistikës, duke forcuar masat përkatëse, ndëshkimet përkatëse, por edhe kompanitë që shpesh marrin, blejnë elementet e sinjalistikës për qëllimet e tyre, për riciklim a qëllime të tjera. Pra, do të kemi një forcim të masave për këto lloj ndërhyrjesh.
Shumë rigorozë do të tregohemi për ndërhyrjet në inxhinierinë e rrugës, nga persona apo subjekte të paautorizuara. E kam fjalën për ndërtime të paligjshme në perimetrin e rrugës, e kam fjalën për hyrje dalje të paautorizuar në raste karburantesh apo në raste të ndërtimeve me natyra të tjera përdorimi. Ndërkohë do të vendosim një standard shumë të qartë për hyrje-daljet në rrugë, me qëllim që këto hyrje-dalje të mos jenë pika të zeza që shkaktojnë aksidente.
Ndryshim do të kemi edhe për sa i takon kryqëzimeve në përcaktimin e standardeve tona. Në gjithë projektet e ardhshme do të eliminojmë kryqëzimet horizontale, ato që janë në të njëjtin nivel dhe do të kemi mundësi që këto kryqëzime të jenë sa më të sigurta dhe sa më të lehta për t’u kaluar.
Masat konkrete që ne kemi dhe jam i bindur se kolegu Tahiri do të vazhdojë pas pak, për të shpjeguar pjesën e tij të ndërhyrjeve, do të shoqërohen edhe me një reformë edhe për sa i takon transportit publik. Është domosdoshmëri që kjo paketë të shoqërohet edhe me reformën në sektorin e transportit publik. Akoma Shqipëria ka nevojë për një reformë të thellë, ku transporti, veçanërisht ai ndërqytetas të jetë i sigurt, me mjete të certifikuara, me mjete të sigurta. Të jetë i skeduluar, pra me kohë nisje të saktë dhe me kohëmbërritje të saktë, me drejtues automjetesh të certifikuar për këtë qëllim dhe me cilësi automjetesh të larta, ashtu siç i ka rajoni dhe siç i ka Evropa. Duke bërë gjithsecili, çdo përdorues mjeti dhe çdo dhënës shërbimi detyrën që i takon sipas ligjeve që ka vendi. Taksitë të bëjnë detyrën e tyre për atë që janë licencuar, autobusët të bëjnë pjesën e tyre për atë që janë licencuar, me qëllim që ne të stabilizojmë një situatë totalisht anarkie në sektorin e transportit publik të udhëtarëve, sa më shpejt që të jetë e mundur.
Kjo është në mënyrë të përmbledhur paketën që do të realizohet dhe fola për përgjegjësitë që takojnë Ministrisë e Transportit dhe Infrastrukturës.
Deklarata e Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri:
Së pari, më lejoni të ndaj me ju vlerësimin tonë duke besuar që kjo është paketa më e plotë e ndërhyrjes në të gjitha hallkat. Të cilat, pas kësaj ndërhyrjeje do të garantojnë sigurinë rrugore maksimale, si përgjigje e vetëdijes sonë, por edhe si përgjigje e ndërgjegjësimit të qytetarëve për të garantuar jetën dhe shëndetin e drejtuesve të mjeteve, pasagjerëve, por edhe kalimtarëve. Jemi të vetëdijshëm se siguria rrugore është një problem, e njohim si problem ndaj duam ta adresojmë në mënyrë sistematike për sot dhe për të ardhmen. Ndaj së bashku me kolegun Haxhinasto do prezantojmë në qeveri një paketë masash të plotë për miratim, në mënyrë që të adresojmë në mënyrë sa më të plotë, sistematike dhe të qëndrueshme çështjen e sigurisë rrugore, të shëndetit dhe jetës së qytetarëve. Ne jemi të vetëdijshëm që çdo masë parciale ose e pjesshme mund të ndikonte në sistem, por jo në mënyrën siç ne presim të ndikojë kjo paketë integrale masash për sigurinë rrugore. Siç jemi të vetëdijshëm që aksidentet rrugore dhe pasojat, qofshin pasoja të rënda në shëndetin njeriut apo pasoja fatale për jetën e njeriut kanë një pluralitet shkaqesh. Ne jemi të vendosur të luftojmë edhe shkaqet që çojnë në aksidente dhe pasojat e tyre, duke filluar nga sensibilizimi i qytetarëve, i drejtuesve të mjeteve, duke vazhduar me edukimin. Edukimin e konceptojmë shumëdimensional, nga fëmijët në shkolla e deri në edukimin e kandidatëve për të drejtuar një mjet, tek masat që kanë të bëjmë me sigurinë e rrugës, sinjalistikën. Por jemi edhe të vetëdijshëm që të gjitha këto masa rrezikojnë të mbeten në letër në rast se nuk do të kujdeseshim shumë për sanksionimin e tyre dhe për përcaktimin po i quaj dënime për të gjithë shkelësit e rregullave të qarkullimit rrugor. Ju e dini që kjo çështje, pra, përballja me aksidentet rrugore dhe pasojat e tyre ka qenë, mbetet, e do të jetë prioritet absolut i Qeverisë. Si i tillë, kemi filluar ta trajtojmë që në ditët e para të mandatit tonë, duke besuar që standardi i pasojave të rënda për shëndetin e njeriut apo pasojave fatale për jetën e njeriut i shprehur në shifra në Republikës e Shqipërisë, duke qenë shumë herë më i keq sesa në çdo vend tjetër të rajonit apo në Bashkimin Evropian, është tërësisht i papranueshëm për ne. Si i tillë kërkon trajtesë urgjente, sistematike, integrale, të unifikuar dhe koordinuar mbi të gjitha, për të garantuar në mënyrë afatgjatë dhe në mënyrë të qëndrueshme sigurinë rrugore, shëndetin dhe jetën e qytetarëve.
Deri më sot, Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit kanë bërë të mundur hartimin e procedurave standarde për çdo punonjës të Policisë Rrugore, duke përfshirë çdo aspekt të përditshëm të detyrës dhe të qasjes të punonjësit të Policisë Rrugore ndaj shkeljes, ndaj shkelësve dhe sanksionimit të tyre. Nga sjellja e vetë punonjësit të Policisë Rrugore te sjellja e drejtuesit të mjetit, te raporti ndërmjet të dyve dhe raporti që të dy duhet të kenë me ligjin.
Procedurat standarde dhe protokolli standard i punës për çdo punonjës të Policisë Rrugore është hartuar, është miratuar dhe sot është në fuqi, duke shënuar një standard të ri të qasjes së Policisë Rrugore, të punonjësve të Policisë Rrugore ndaj qytetarëve, ndaj kalimtarëve, ndaj drejtuesve të mjeteve dhe ndaj shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor, në tërësi.
E dyta, kemi firmosur para pak ditësh, bashkë me kolegun Haxhinasto, marrëveshjen e bashkëpunimit, për të bërë të mundur që para kolaudimit të mjetit, të shlyhen të gjitha detyrimet që ka drejtuesi i mjetit. Kjo është masa e dytë që pason masën e parë, që ndërmori Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit, për të mos lejuar kalimin në pikat e Kalimit Kufitar të mjeteve që kanë debi apo detyrime të pashlyera. Ndërkohë që, përcaktojnë edhe detyrimin për shlyerjen e të gjitha debive, pra, gjobave e thënë në mënyrë me konvencionale, për shlyerjen e të gjitha gjobave përpara kolaudimit të mjetit. Duke garantuar kështu, që instrumenti i sanksionit në rast të shkeljeve të rregullave të qarkullimit rrugor të ndjehet realisht dhe të peshojë realisht mbi drejtuesit e mjeteve, sepse vetëm në këtë mënyrë, ne besojmë që sensibilizimi, për shkak të pagesës së detyrimeve, do kthehet në instrument parandalues për sigurinë rrugore dhe aksidentet, në tërësi.
Gjithashtu kemi hartuar dhe kemi implementuar, sot është efektive, një paketë të plotë masash për transparencën dhe për aksesin e qytetarëve në data-bazën dhe masat që ndërmerr Policia Rrugore ndaj qytetarëve.
Kështu, kemi nënshkruar marrëveshjen me Postën dhe me bankat e nivelit të dytë, për të bërë të mundur që gjoba e paguar në çdo filial të bankave të nivelit të dytë apo në çdo zyrë postare të reflektohet në sekondë në sistem dhe qytetari të mos figurojë më debitor.
Ky ishte një problem, i cili kërkonte trajtesë imediate për sa kohë i kërkonim qytetarëve të paguanim detyrimin e tyre ndaj Policisë Rrugore, për shkeljet e rregullave të qarkullimit rrugor, ndodhte që reflektimi i sistemit të gjobave të paguara merrte diku tek 5-7 ditë kohë, për t’u reflektuar pagesa e gjobës. Duke sjellë kështu një ngatërresë në sistem, por, mbi të gjitha duke një bezdi të pamerituar për qytetarët, të cilët mund të ndodhte që në harkun kohor të këtyre ditëve të ndaloheshin përsëri nga Policia Rrugore dhe të figuronin përsëri debitorë.
Sot mund të them se marrëveshja është nënshkruar, sistemi është efektiv dhe çdo gjobë e paguar qoftë në zyrat e postës, qoftë në bankat e nivelit të dytë do të reflektohet menjëherë në sistemin e Policisë Rrugore dhe qytetari nuk do të rezultojë më debitor. Ndërkohë kemi garantuar aksesin e qytetarëve në çdo sportel të Policisë së Shtetit, qoftë komisariat, qoftë Drejtori Qarku, kudo. Pra, njësi policore sa më afër qytetarit, për t’u interesuar lidhur me detyrimet që ka ndaj shtetit, ndaj Policisë Rrugore dhe afatet e mundshme për shlyerje, si dhe kemi garantuar akses akoma më të lehtë nëpërmjet internetit. Çdo qytetar mund të aksesojë faqen zyrtare të Policisë së Shtetit dhe të verifikojë nëse mjeti i tij rezulton debitor ose jo, duke ndërtuar kështu, mekanizmat e pritshmërisë dhe parashikueshmërisë së qytetarëve lidhur me sjelljen e tyre në rrugë dhe raportin që kanë me ligjin dhe Policinë e Shtetit.
Ndërkohë kemi filluar fotografimin e shkelësve dhe njoftimin nëpërmjet postës së shkeljeve, së bashku me fotografinë. Kjo, nga njëra anë, sanksionon barrën e provës që ka Policia e Shtetit për të dokumentuar shkeljen dhe nga ana tjetër eliminon çdo abuzim të mundshëm, qoftë edhe praktikë korruptive nga ana e Policisë së Shtetit. Siç eliminon edhe argumentet e tepërta apo diskutimet e tepërta ndërmjet qytetarit dhe punonjësit të policisë, në rastet kur ka probleme me pranimin ose jo të shkeljes.
Sot për sot, kjo masë po aplikohet për një numër të caktuar shkeljesh. Ndërkohë jemi duke ndërtuar infrastrukturën më moderne të mundshme, për dokumentimin e çdo lloj shkeljeje në çdo lloj aksi, nëpërmjet fotografimit dhe filmimit. Këtu, përfshirë zonat urbane, përfshirë dhe akset rrugore nacionale, nëpërmjet sistemeve teknologjike që do të garantojnë zbatueshmërinë e ligjit, por dhe dokumentimin e shkeljeve.
Ndërkohë, në kuadër të paketës së masave që kemi miratuar së bashku me kolegun Haxhinasto dhe shumë shpejt shkon në qeveri dhe në parlament për miratim, përcaktimi i regjimit të fortë të sanksionimit lidhur me disa shkelje të cilat për ne konsiderohen prioritare dhe kryesisht; respektimi i normave të shpejtësisë, përdorimi i alkoolit, drogës, përdorimi i telefonit celular në drejtimin e mjetit, mospërdorimi i rripit të sigurimit në drejtimin e mjetit dhe për pasagjerët, mbajtja e fëmijëve në mënyrë të papërshtatshme brenda mjetit dhe mospërdorimi i kaskave mbrojtëse për drejtuesit e mjeteve- motorë të cilësdo cilindrat.
Këto konsiderohen jo vetëm shkeljet më frekuente, por mbi të gjitha konsiderohen shkeljet që më së shumti sjellin pasoja të rënda për shëndetin e njeriut ose fatale për jetën e njeriut. Ndaj kemi përcaktuar si prioritete absolute të Policisë së Shtetit këto shkelje që unë sapo lexova, duke besuar që në këtë mënyrë kontribuojmë drejtpërdrejt për sanksionimin e respektimit të rregullave të qarkullimit rrugor, duke limituar ose kufizuar numrin e aksidenteve, për rrjedhojë numrin e pasojave të rënda ose fatale për shëndetin dhe jetën e njeriut.
Ndërkohë, nëpërmjet instrumenteve sensibilizues dhe edukativë, së bashku me kolegun Haxhinasto do synojmë që të limitojmë numrin e aksidenteve ku përfshihet një mjet me një këmbësor.
Mund të them që kemi numrin shumëfish më të lartë, në krahasim me çdo vend tjetër të rajonit dhe të botës, të aksidenteve ku përfshihet një këmbësor. Madje, në vendet e Bashkimit Evropian as konsiderohet si rubrikë aksidenti ndërmjet mjetit dhe këmbësorit. Pasojat në shëndetin dhe jetën e njeriut në vendet e Bashkimit Evropian kanë të bëjnë me aksidentet ndërmjet dy mjeteve ose shumë mjeteve. Ndërkohë në Shqipëri, në mënyrë frekuente, ndodh aksidenti që nuk ndodh thuajse në asnjë vend, të paktën në shifrat që ne kemi ndërmjet mjetit dhe këmbësorit. Mjafton t’ju them që në 295 fatalitete nga aksidentet, për vitin 2013, 93 aksidente përfshijnë një këmbësor. Një këmbësor që kapërcen rrugën gabim, qoftë kjo në zona urbane, qoftë kjo në rrugë nacionale, duke e bërë, thuajse të pamundur ose tepër të vështirë, mënjanimin e pasojave fatale, ose të rënda për jetën e njeriut. Kjo, sigurisht, ka të bëjë me standardet e rrugës; ka të bëjë me sinjalistikën; ka të bëjë me kushtet lehtësuese për qytetarët, por, mbi të gjitha, ka të bëjë dhe me kulturën dhe edukatën e ligjit. Ka të bëjë me respektin që duhet të ketë drejtuesi i mjetit ndaj rrugës dhe kalimtarit, por ka të bëjë edhe me respektin që duhet të ketë kalimtari, ose çdo qytetar, ndaj vetë rrugës dhe ndaj makinave.
Unë dje kam dorëzuar në Ministrinë e Drejtësisë propozimin për ndryshim në Nenin 291 të Kodit Penal, duke përcaktuar si masë minimale të dënimit të drejtuesve të mjeteve pa leje drejtimi dhe në gjendje të dehur, 10 ditë heqje lirie. Të drejtosh mjetin në gjendje të dehur, ose pa patentë, nuk është shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor, por është vepër penale dhe përbën potencial të shtuar për të shkaktuar dëme serioze në jetën e njeriut, ose humbjen e jetëve. Një mjet që drejtohet nga një njeri pa patentë, ose në gjendje të dehur, është një armë që udhëton. Ndaj, si e tillë, Ministria e Punëve të Brendshme ka propozuar që dënimi minimal i mundshëm që mund të propozojë prokurori ose të japë gjyqtari është 10 ditë heqje lirie ose, thënë ndryshe, 10 ditë burg.
Për statistikë, në 4 muaj, që nga dita e parë e ushtrimit të detyrës nga unë si ministër dhe nga kjo Qeveri, Policia e Shtetit, filloi praktikën e arrestimit të drejtuesve të mjeteve pa leje drejtimi dhe në gjendje të dehur. Deri më sot janë arrestuar 660 shtetas, të ndaluar nga gjykatat janë vetëm 83 shtetas, pra me vendim gjyqësor.
Ne mendojmë që mungesa e politikës së njëjtë në zbatim të ligjit lidhur me sanksionet, pas sjell, detyrimisht, mungesën e respektit të ligjit nga po këta njerëz, që ndalohen nga policia dhe lirohen në sallën e gjyqit. Ndaj, na lind e detyrueshme që t’i propozojmë Parlamentit të ndryshojmë Kodin Penal dhe arrestimi nga punonjësi i policisë të vlejë, minimalisht, 10 ditë heqje lirie.
Kemi përfshirë në paketën e masave një sistem të tërë teknologjik dhe transmetimi të të dhënave online, të cilën unë e përmenda edhe më parë, për çdo lloj kundërvajtje dhe shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor. Duke garantuar kështu, që shkelësit të marrin atë që meritojnë, jo pse ne kemi dëshirë të dënojmë shkelësit, por kemi detyrim të garantojmë jetën e qytetarëve, qofshin edhe shkelës të rregullave të qarkullimit rrugor.
Ndërkohë, së bashku me kolegun Haxhinasto, do të marrim masa imediate për të sanksionuar rregullat e transportit publik ndërqytetës, duke eliminuar njëherë e mirë transportin me furgon. Të cilët, në vlerësimin tonë, përbëjnë shkak për aksidente, shpeshherë fatale për jetën e qytetarëve. Pra, nuk e trajtojmë vetëm si çështje që ka të bëjë me disiplinimin e transportit ndërqytetës dhe të transportit të qytetarëve, por e trajtojmë si një masë sigurie të domosdoshme, për të parandaluar aksidente me pasoja të rënda ose fatale për jetën dhe shëndetin e njeriut. Është një masë që kërkon një planifikim në kohë. Ndërkohë së bashku me kolegun Haxhinasto jemi duke hartuar aktet përkatëse. Policia e Shtetit do të fillojë menjëherë nga puna për ndalimin e transportit të qytetarëve me furgon. Menjëherë do të thotë – Menjëherë!
Ndërkohë, kemi parashikuar në planin e masave kontrollin e qarkullimit të mjeteve me targa të huaja dhe regjim të përkohshëm. Në Bashkimin Evropian kjo, sigurisht, nuk është fare një problem, por në Shqipëri është problem. Ne do ta trajtojmë si të tillë, duke përcaktuar një regjim të veçantë për mjetet që nuk mbajnë targa shqiptare. Këtu bëhet fjalë jo për mjete që vijnë nga jashtë Shqipërisë për qëllime të përkohshme, por për mjete që rrinë këtu për vite të tëra, me targa të huaja, duke zgjatur vit pas viti lejen e qëndrimit. Kjo nuk do të jetë më e mundur.
Në planin e masave ne kemi parashikuar, gjithashtu, detyrimin në fazën e regjistrimit të mjeteve rrugore dhe pagimit të taksave edhe detyrimeve shtetërore në këtë moment, që drejtuesi i mjetit të jetë i detyruar të pajiset me Kontratën e Sigurimit të detyrueshëm të mjeteve. Kjo është një masë, jo vetëm për të garantuar dëmet materiale që nuk i kushtojnë, në fakt, pak shtetit, por mbi të gjitha për të garantuar shëndetin dhe jetën e njeriut.
Së bashku me kolegun Haxhinasto kemi filluar një proces konsultash me kompanitë e sigurimit, për të përcaktuar detyrimin që duhet të bjerë mbi ta, lidhur me marrëdhënien që duhet të krijojnë në mënyrë institucionale me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Ministrinë e Transporteve për instrumentet e përbashkëta të edukimit dhe të parandalimit të aksidenteve në vend.
Për ta mbyllur, unë besoj dhe e ritheksoj se kjo është paketa më e plotë e ndërmarrë ndonjëherë për të garantuar shëndetin dhe jetën e qytetarëve. Është mjaft e rëndësishme të kuptojmë të gjithë që kërkohet bashkëpunim nga qytetarët, nga drejtuesit e mjeteve, por edhe nga kalimtarët. Në asnjë vend të botës nuk bie barra mbi Policinë e Shtetit, duke pritur që të ketë nga një punonjës policie në çdo kryqëzim apo në çdo kthesë. Por, mbi ne bie sot barra për të përcaktuar mekanizma që rregullojnë në mënyrë sistematike dhe të qëndrueshme, mekanizma koordinues nga pikëpamja institucionale, të atillë që të garantojnë sigurinë maksimale rrugore, që do të thotë garanci e shtuar për shëndetin dhe jetën qytetarëve. Kjo kërkon domosdoshmërish bashkëpunimin e qytetarëve. Kjo kërkon domosdoshmërish sensibilizimin e qytetarëve. Kjo kërkon domosdoshmërish sensibilizimin tuaj, të medias, sepse është e domosdoshme që betejën për të garantuar sigurinë rrugore, betejën për të garantuar shëndetin dhe jetën e qytetarëve ta fitojmë të gjithë bashkë. Ju faleminderit!
Ministri Haxhinasto: Mendoj që është e rëndësishme ta them këtu, duke marrë shkas edhe nga apeli që bëri ministri Tahiri për bashkëpunim. Pa diskutim, media është një faktor shumë i rëndësishëm për ndërgjegjësimin e publikut. Çështja e sigurisë në rrugë është një problem i madh kombëtar. Jam i bindur që ju do të ofroni me gjithë këtë pushtet të madh që keni mbi opinionin publik, edhe ndihmën tuaj që ta bëjmë këtë luftë sa më të efektshme. Dua të shtoj, gjithashtu, që në përpjekjet tona janë bashkuar edhe shumë përfaqësues të shoqërisë civile. Unë përfitoj nga rasti t’i falënderoj për kontributet konkrete që kanë dhënë në përgatitjen e këtij plani masash. Plani i masave që ne kemi paraqitur, sot, por edhe vazhdimi i kësaj mbështetje edhe në të ardhmen, pasi ky është një plan dinamik. Ky proces do të evoluojë dhe do të përmirësohet përkatësisht për të përballur sfidat e reja që mund të na krijohen.
Si çështje të fundit do të thosha dhe një falënderim, që ministri Tahiri e përmendi, ka të bëjë me shoqëritë e sigurimeve, me Byronë e Sigurimeve, e cila është duket përgatitur financimin e paketës publicitare për ndërgjegjësimin e publiku. Pra, gjithë financimi i kësaj pakete do të bëhet prej saj. Përshëndesim, besoj edhe në emër të ministrit Tahiri, këtë gatishmëri të këtyre shoqërive të sigurimeve. Me këto shoqëri sigurimesh, ne do të konkludojmë një marrëveshje vjetore. Që do të thotë që çdo vit nga këto shoqëri do të financohet një bllok shumë preciz i aktivitetit të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës, që ka të bëjë me sigurinë rrugore.
Përfitoj nga rasti që të falënderoj Byronë e Sigurimeve dhe të gjitha shoqëritë anëtare të saj për këtë gatishmëri që kanë treguar për të mbështetur një paketë të tillë, kaq të rëndësishme për sigurinë në rrugë.
– Zotërinj ministra, ju përmendët ndërhyrje të gjera në disa sektorë. Kur pritet që të shikohen efektet e para të kësaj pakete të gjerë dhe cilat do të jenë ndërhyrjet konkrete që do të bëhen në Kodin Rrugor dhe Kodin Penal. Ministri Tahiri përmendi një prej tyre, ndërhyrje të tjera më kryesore cilat do të jenë?
Ministri Haxhinsato: Ne i përmendëm në paraqitjen e masave disa ndërhyrje, që kanë të bëjnë me mënyrën e marrjes së dëshmive të aftësisë, për ata që dëshirojnë që ta kenë këtë dëshmi aftësie. Ka të bëjë me ndërhyrje për sa i takon elementëve të veçantë të testimit apo të certifikimit, qofshin këta drejtues mjetesh, qofshin edhe për automjetet vetë. Do të kemi ndërhyrje në Kodin Penal, siç përmendi edhe ministri Tahiri, për forcimin e masave dhe penaliteteve në raste të shkeljeve dhe të veprave penale. Do të kemi, gjithashtu, ndërhyrje në disa vendime të Këshillit të Ministrave, në akte të caktuara ose situata të caktuara, të cilat rregullohen me vendim të Këshillit të Ministrave dhe në të gjithë legjislacionin që vjen, bazuar në Kodin, në ligjin, që përmenda dhe në këto vendime të Këshillit të Ministrave. Në totalin e tyre janë rreth 60 masa, në dominancë janë ndërhyrje legjislative, por një pjesë janë edhe ndërhyrje operacionale apo masash të tjera operative, të cilat kanë të njëjtin synim.
– Rruga e Kombit aktualisht ka mbi 700 dëmtime apo dalje të paligjshme. Autostrada Tiranë – Durrës, nëse e quajmë të tillë, ka mbi 80 apo 90 karburante. Nëse ministri Tahiri tha se Polica do të ndërhyje menjëherë tek shërbimi i transportit me furgon, tek kjo pjesë kur do të ndërhyhet për t’i gjetur një zgjidhje?
Ministri Haxhinsato: Konstatimi juaj është më se i drejtë. Për sa thoni ju, është parashikuar edhe në këtë paketë, veçanërisht për sa i takon ndërhyrjeve në rrugë, ndërhyrjeve të paligjshme në rrugë dhe të paautorizuara. Do të kemi forcim të penalitetit, por, para së gjithash do të kemi vendosjen e një standardi. Vendosjen e një standardi se si bëhet dalja nga rruga dhe si bëhet hyrja në rrugë, veçanërisht në rrugë të kategorive që ju përmendët. Kjo është në proces të formulimit. Pra, të bërjes së amendimeve për sa i takon standardit dhe do të jetë pjesë e kësaj pakete për t’u miratuar. Shumë i rëndësishëm është rregullimi me Akt Ligjor i vendosjes së pikave të furnizimit me karburant në rrugët e Shqipërisë. Edhe kjo është diçka për t’u sanksionuar. Do të vendosim një distancë të detyrueshme nga njëri karburant tek tjetri, që në vlerësimin paraprak dhe në studimin paraprak do të jetë i ngjashëm me vendet fqinje dhe të Evropës, që distanca është mbi 20 kilometër nga njëri karburant në tjetrin. Të gjithë të tjerët do të trajtohen si të paautorizuar.
Përsa i takon Rrugës së Kombit ka një nevojë dhe një faturë të jashtëzakonshme financiare, e para për t’u përfunduar dhe pastaj për t’u mirëmbajtur. E kam thënë edhe më parë, në daljet publike, që jemi në procesin e përgatitjes së tenderimit të mirëmbajtjes së kësaj rruge, që do të përfshijë edhe ruajtjen e standardit të rrugës, ruajtjen nga ndërhyrjet e paautorizuara, që ju me të drejtë përmendët. Është në proces dhe besoj se në këtë fund pranvere ose fillim vere, ne do ta tenderojmë si koncesion.
Ministri Tahiri: Meqenëse mbetet në interesin tuaj përcaktimi i penaliteteve lidhur me këtë çështje, jemi në fazën e diskutimit, së bashku me ministrin Haxhinasto dhe me Ministrinë e Drejtësisë lidhur me përcaktimin e penaliteteve në rastin e dëmtimit të infrastrukturës rrugore, duke e trajtuar këtë si vepër penale të rëndë dhe duke rritur sanksionin. Sepse, mendojmë që shkatërrimi i pronës publike, veçanërisht në këtë rast, sjell pasoja të rënda ose fatale për shëndetin e njeriut. Kjo ishte e para.
E dyta, jemi në diskutim, megjithatë Policia e Shtetit ka filluar aplikimin prej disa muajsh për hetime më të plota në raste aksidentesh dhe marrjen në përgjegjësi penale të autoriteteve, qofshin edhe publike, por edhe kontraktorë privatë, të cilët për shkak vonesash në përfundimin e punimeve në rrugë, apo për shkak të mosparashikimeve të instrumenteve të sigurisë, në rast punimesh, shkaktojnë apo passjellin pasoja të rënda, ose fatale, për shëndetin e njeriut. Këta do të konsiderohen subjekte të përgjegjësisë penale dhe do të hetohen nga policia si të tillë.
– Meqenëse ju thatë se do të hiqen nga qarkullimi furgonët, në mënyrë të menjëhershme, si do të sigurohet transporti i një fluksi kaq të madh qytetarësh?
Ministri Haxhinsato: Mendoj që ndërhyrje e menjëhershme do të thotë që të realizohet zbatueshmëria e ligjit. Ligji është shumë i qartë për këtë çështje. Kompetencat apo fusha e veprimtarisë së kategorive të caktuara të automjeteve është shprehur shumë qartë në këtë ligj. Pasojat e mosrespektimit të ligjit kanë qenë shumë të rënda, jo vetëm në dëmtimin e një shërbimi të sigurt të transportit publik, siç është ai me autobus, por edhe në dëmtimin e një shërbimi tjetër, siç është shërbimi taksi. Kjo kategori automjetesh, që në fakt në literaturën dhe standardet botërore të transportit publik nuk ekziston; transporti me furgon bëhet vetëm kur porositet nga persona të caktuar si transport për shërbime turistike apo për taksi, por jo për linja të rregullta. Nuk ekziston si koncept. Detyrimisht, kjo situatë duhet të rregullohet. Rregullim do të thotë që gjithsekush të jetë i përgjegjshëm dhe i ndërgjegjshëm për fushën e veprimtarisë së vet. Gjithsekush të jetë i përgjegjshëm për detyrat që duhet të bëjë, për sa i takon shërbimit që ofron, cilësisë së shërbimit që ofron. Për këtë, shumë shpejt, përveçse zbatueshmërisë së ligjit, që ministri Tahiri e tha do të forcohet që sot, do të kemi edhe planin e masave me qëllim që ne të kemi një sistem shërbimi normal në transportin ndërqytetës.
E përsërita edhe më lart, që do të thotë të jetë transport i sigurt, me mjetet e duhura, me cilësinë e duhur, me shoferët e kualifikuar sipas standardit të nevojshëm, me elementët e tjerë të shërbimit të domosdoshëm, si kondicionimi. Të jetë i skeduluar, që do të thotë të ketë një kohë se kur niset dhe kur mbërrin ky autobus. Sepse besoj, nga eksperienca që kemi, mund të dihet afërsisht se kur niset, ose më saktë niset kur mbushet autobusi dhe jo kur ka orën për t’u nisur, dhe mbërrin pasi ka bërë ndalesa sa herë i ngre dorën një udhëtar për ta marrë. Nuk ka transport të tillë në botë.
Ne do të shkojmë në standardin evropian të transportit; Niset autobusi në orën fikse, siç e ka në skedulin e afishuar në stacionin e autobusit, – edhe kjo është një çështje tjetër, sepse ne nuk kemi stacione të mirëfillta autobusësh, – niset në kohën e duhur dhe mbërrin në kohën e duhur. Pra, as nuk pret që të mbushet autobusi, as nuk merr të gjithë pasagjerët që i ngrenë dorën gjatë rrugës. Ky është shërbimi që ne synojmë që të bëjmë.
Për shërbimi taksi. Pa diskutim, duhet të forcohet shërbimi taksi. Duhet të vendosin të gjithë taksimetrin, me qëllim që çdo pasagjer që hipën në taksi ta dijë me saktësi sesa është tarifa nga vendi ky hipën dhe në vendin ku do të zbresë. Të mos ia lëmë këtë vullnetit të shoferëve të taksive. Duhet të kenë patjetër taksimetrin. Nuk ka pse qytetari të paguajë tarifa taksi për një transport publik që mund ta marrë me kosto shumë më të ulët. Pse duhet të paguajë tarifa taksi qytetari sot, për të shkuar nga njëri qytetet tek qyteti tjetër? Ndërkohë që autobusi ka tarifë tjetër, ka mundësi për më shumë pasagjerë dhe, sigurisht kostoja e udhëtimit është më e ulët, por është edhe udhëtim më i sigurt, sipas standardeve që ka Evropa. Për të gjithë këtë që kërkohet një reformë, nuk ndodh brenda ditës. Ne do të bëjmë çfarë kërkohet dhe do të marrim të gjithë masat e duhura që edhe Shqipëria të ketë një transport sipas të gjithë standardeve evropiane të transportit publik.
Faleminderit!