Fjala e kryeministrit Edi Rama në ceremoninë në Universitetin e Mjekësisë me rastin e çeljes së vitit të ri akademik 2019-2020:
Përshëndetje të gjithëve dhe faleminderit për mikpritjen tuaj!
Ne zgjodhëm këtë Universitet për të uruar fillimin e një viti të ri akademik, sepse ky është Universiteti ku, nga njëra anë, hynë studente dhe studentë që janë më të mirët dhe nga ana tjetër, ku nis një rrugëtim për t’u bërë pjesë, besoj unë, e frontit më të vështirë, sepse nuk bëhet fjalë thjeshtë për të marrë një profesion, por bëhet fjalë për shumë më tepër se kaq.
Siç e thoshte Hipokrati: “Të dashurosh artin e mjekësisë, do të thotë të dashurosh njerëzimin.”
Natyrisht, në këtë raport dashurie me njerëzimin është një marrëdhënie jo e lehtë. Ju e dini shumë mirë që nga mjeku kërkohet të bëjë mrekulli dhe kur mrekullitë nuk janë të mundshme, atëherë, kjo i kthehet mjekut që duhet të përballojë një stres dhe një kosto morale jo të vogël, në raport me njerëzit dhe për më tepër, në vendin tonë ju e dini shumë mirë se sa e vështirë është ende sfida e vendosjes së një raporti të shëndetshëm mes mjekut dhe pacientit.
Por më vjen shumë mirë që përtej asaj që ka qenë dhe mbetet gjithmonë, baza e patundur e vlerave të këtij Universiteti, që është eksperienca e shumë e shumë viteve që transmetohet mes pedagogëve, sot, ne mund të themi se Universiteti është në një gjendje më të mirë seç ishte dje. Natyrisht që duhet ende shumë përpjekje e përbashkët për ta bërë atë edhe shumë më të mirë se kaq, por studentët që nisin sot vitin kanë në dispozicion kushte më të mira, sesa studentët që e mbyllën këtë vit shkollën.
Ministrja i përmendi një sërë risish që sot janë realitet në universitet dhe do të jenë në dispozicion të studentëve në marrëdhënien e ngushtë organike me qendrën spitalore. Të tjera do të vijojnë.
Ne kemi bërë dhe do të bëjmë gjithçka që Qendra Spitalore Universitare të përmbyllë një proces transformimi epokal që ka nisur. Pa diskutim që, nëse e shohim sot, ka ende zona gri, apo ka ende boshllëqe të konsiderueshme, por, nëse kthejmë pak kokën pas, se nga e nisëm këtë transformim, besoj që kushdo që e njeh Qendrën Spitalore Universitare nuk e ka vështirë të pohojë se sot jemi si dita me natën në raport me 5 – 6 vite më parë.
Së shpejti do të çelet edhe Spitali i ri modern i Kirurgjisë, ku një komponent i rëndësishëm është komponenti i ndërveprimit me universitetin. Jam shumë i bindur se ai spital do të vendosë një standard të ri në shërbimin tonë kombëtar shëndetësor, sikundër do të shërbejë jashtëzakonisht shumë për të motivuar të gjithë trupën dhe patjetër për të lehtësuar kalimin e dijes dhe të eksperiencës tek më të rinjtë.
Një sërë risish të tjera i takojnë vetë Universitetit, por është shumë e rëndësishme që ndërveprimi dhe komunikimi mes nesh të vazhdojë përmes Ministrisë së Shëndetësisë që ka ndërmarrë një angazhim serioz dhe ka një plan të bashkërenduar me drejtuesit e Universitetit për të kompletuar të gjithë elementët e logjistikës, që i shërbejnë studentëve në punën e tyre të përditshme.
Një falënderim për të gjithë pedagoget dhe pedagogët e Universitetit, që janë vërtetë baza e gjithë kësaj pune të madhe që bëhet prej vitesh dhe një urim për të gjithë vajzat dhe djemtë, që sot fillojnë shkollën, por dhe për ata që e vazhdojnë me garancinë që ne do të bëjmë çmos që çdo ditë të bëjmë diçka më shumë që jeta juaj në kohën e studimeve të jetë më cilësore.
Duke bërë këtë urim dua t’ju them se tanimë e kemi hapur një rrugë të re për të gjithë ata që janë më të mirët dhe që synojnë të kontribuojnë, qoftë në institucionet e gjithë kësaj sfere të rëndësishme të jetës, që është shëndetësia, qoftë edhe drejtpërdrejtë në praktikën spitalore. Sot, ne kemi një numër të konsiderueshëm studentësh ekselentë që tanimë janë përfshirë në punë falë rezultateve të tyre dhe pa asnjë lloj filtri tjetër.
Një thirrje e re është hapur, duke e shtrirë gamën e prurjeve deri në vitin 2015, për të gjithë ata që kanë mbaruar me rezultate të shkëlqyera. Cilido që nga ky Universitet del me rezultatet më të mira do ta ketë derën e hapur për të kontribuar, pa qenë i detyruar të kërkojë rrugë të vjetra dhe të ndërmjetme, sepse çdo ditë e çdo vit do të forcohet më tutje kjo marrëdhënie e drejtpërdrejtë dhe pa filtra mes tregut të punës dhe institucioneve tona dhe atyre që në fund të një periudhe intensive dhe të vështirë studimesh rezultojnë se janë më të mirët.
Ju uroj shumë sukses dhe megjithëse për moshën tuaj, kur ju thua ju uroj shëndet, ju duket si urim për të kaluar radhën se shëndeti quhet i mirëqenë, ju uroj shumë shëndet edhe në familjet tuaja, që të mos keni siklete nga ato që jeni këtu për t’i adresuar, jo për t’i pësuar personalisht, se po t’i kemi mjekët, edhe mjekë, edhe pacientë, jemi në hall të madh pastaj.
Shumë faleminderit!