Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Panairi i Ditës Ndërkombëtare të Punës, i çelur sot në Tiranë, tërhoqi interes jo vetëm nga punëkërkues, por edhe të rinj të interesuar për trajnime profesionale. I konsideruar një nga aktivitetet më të rëndësishme në fushën e tregut të punës, panairi bëri bashkë biznesin, punëkërkuesit, institucionet publike dhe private që ofrojnë shërbime punësimi dhe institucionet e Arsimit dhe Formimit Profesional që përgatisin profesionistë të kërkuar në tregun e sotëm të punës.

Gjashtëdhjetë biznese në sektorë të ndryshëm, ndërtim, banka dhe sigurime, telekomunikacion, transport, industri përpunuese, shërbime dhe tregti etj. ofruan  jo vetëm mundësitë e tyre të punësimit, por edhe informacion në interes të punëkërkuesve dhe për trajnime profesionale.

Kryeministri Edi Rama vizitoi panairin, duke u ndalur në stendat e tij ku foli me përfaqësues të bizneseve të ndryshme punëkërkuese për ecurinë e tij. Ata u shprehën të interesuar për të zgjeruar stafet e tyre me punonjës të rinj, profesionistë.  “Kemi nevojë për mbi 50 punonjës, menaxherë, shitës. Pagat, minimalja 300, pastaj vazhdon, varet nga eksperienca. Kryesorët e kanë mbi 50 mijë të reja “, u shpreh përfaqësuesi i një prej firmave më të njohura të industrisë së përpunimit të mishit në vend.

Sipërmarrësit synojnë gjithashtu që nëpërmjet zgjerimit të bizneseve të tyre të konkurrojnë denjësisht në tregun ndërkombëtar. “Ruajtja e zanateve në zhdukje na jep një mundësi shumë të mirë punësimit dhe pse jo, duke futur elementin e trashëgimisë në veshjet e përditshme, ne mund të fillojmë të ndërtojmë një brand shqiptar, ku mund të konkurrojmë dhe me botën,”-u shpreh drejtuesi i një sipërmarrjeje të prodhimit të veshjeve tradicionale.

Gjithashtu, projekti i nisur së fundmi nga Bashkia e Tiranës për kthimin e shkollave në qendër komunitare pas orarit të mësimit ka mundësuar hapjen edhe të rreth 120 vende të reja pune në kryeqytet. Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj informoi se “në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit hapëm 62 palestra, do të thotë që do kemi edhe 62 sanitarë dhe 60 administratorë tani që janë hapur deri vonë në darkë për kurset sportive.”

Kryeministri Edi Rama e vlerësoi panairin si një mundësi për të qenë më pranë njerëzve me informacionin e duhur përsa i takon mundësive për punësim. Kryeministri tha se situata e punësimit është në përmirësim të vazhdueshëm dhe çelja e vendeve të punës është reale.

“Këto panaire që ne organizojmë dhe vazhdojmë të organizojmë në të gjitha qendrat e bashkive të Shqipërisë janë një mënyrë për të shkuar më pranë njerëzve dhe për të dhënë sa më shumë informacion të drejtpërdrejtë, në mungesë të kanaleve të informacionit që merren me papunësinë dhe nuk merren me punësimin dhe që njerëzit kontaktojnë drejtpërdrejtë me punëdhënësit e ndryshëm. Kemi një situatë që është në përmirësim të vazhdueshëm. Ka një rritje të vetëdijes, siç mund ta konstatoni edhe nga të gjithë kontaktet këtu me punëdhënësit, për domosdoshmërinë e formimit profesional.

Ne kemi një investim serioz këtë vit, duke financuar kurset e formimit profesional për ata që dalin nga ndihma ekonomike, apo ata që kanë nevojë për një formim profesional, me një pagë që është më e lartë sesa mesatarja e ndihmës ekonomike. Faktikisht, në të gjitha ndërmarrjet e Shqipërisë ka vende pune. Ajo që është e rëndësishme është që të kuptohet se puna nuk vjen në shtëpi, puna nuk është vetëm punë shteti dhe se për ne është e domosdoshme që të ndajmë njëherë e mirë këtë vijë, d.m.th., të funksionojmë si një forcë e madhe lëvizëse që shtyn drejt punësimit real në sektorin privat.

Natyrisht që, kur vjen puna tek pagat, pagat duhet të rriten, por që pagat të rriten, duhet të rritet ekonomia dhe që ekonomia të rritet duhet të punojmë shumë fort të gjithë së bashku. Ndërkohë që, këtu në këtë panair mund ta shikoni që ka jo vetëm paga të ulëta, por edhe paga mesatare, edhe paga të larta. Ka banka që kërkojnë punonjës, ka kompani të mëdha që kërkojnë menaxherë, që do të thotë që jemi në një situatë ku çelja e vendeve të punës është reale, rritja e mundësive për punë është reale, por duhet të luftojmë të gjithë së bashku me një psikologji të rëndë, të trashëguar, se “më mirë një punë shteti, ose pastaj më mirë në kafe me lekët e mamit e babit, ose në Facebook duke i thënë Kryeministrit “na gjej punë!””

Panairi i Ditës Ndërkombëtare të Punës çel ciklin e një sërë panairesh rajonale, që do të organizohen gjatë gjithë muajit maj dhe qershor, nën kujdesin e veçantë të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë dhe Shërbimit Kombëtar të Punësimit.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.