Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në çeljen e edicionit të 2-të “Panairi Mesdhetar i Turizmit 2018” në Expocity Tirana, me operatorë turistikë nga i gjithë rajoni i Mesdheut, në prag të sezonit turistik:

 

Përshëndetje të gjithëve!

Së pari, dëshiroj të falenderoj organizatorët e këtij panairi, i cili është një element jo pak i rëndësishëm në një tërësi elementësh që përbëjnë kuadrin e përpjekjes së vendit, e përpjekjes së gjithë operatorëve turistikë, e përpjekjes së qeverisë për të nxitur në vazhdimësi zhvillimin e një sektori strategjik, siç është turizmi dhe krijimin e një industrie të mirëfilltë që ka ende potenciale të jashtëzakonshme dhe të pashfrytëzuara.

Sot, Shqipëria është një vend që gëzon një pozicion shumë strategjik në raport me interesin e shumë turistëve për ta vizituar, por dhe në raport me interesin e një numri gjithmonë e më në rritje sipërmarrjesh dhe investitorësh për të marrë pjesë në zhvillimin e infrastrukturës së mikpritjes.

Jemi në një rajon që është një nga destinacionet kryesore turistike në botë, që merr 25% të të ardhurave totale nga turizmi global dhe 80% të turistëve që vijën nga Europa. Jemi në Mesdhe. Ndërkohë që edhe brenda këtej rajoni, në dimensionin më të vogël të rajonit të Ballkanit Perëndimor jemi pjesë e një hapësire konkurrence të fortë dhe nga ana tjetër duhet të përballemi me boshllëkun e krijuar në vite në raport me konkurrentët tanë.

Megjithatë gjendemi në një moment kur shohim një rritje vjetore të të ardhurave të vendit, të ndikuar nga rritja e vazhdueshme e numrit të vizitorëve të huaj dhe jo rezidentë në vend, me rreth 10% vetëm në vitin e shkuar, por siç dëshmojnë të gjithë operatorët turistikë të vendit, kjo është një rritje e kushtëzuar nga kufiri ende shumë i ngushtë i mundësive tona për t’ju përgjigjur kërkesës, e cila është shumë më e lartë sesa çfarë oferta është sot. Gjë që përbën edhe sfidën kryesore, të rrisim ofertën për të përballuar një kërkesë që vjen gjithmonë e më në rritje.

Jemi në kushtet kur çdo vit marrim gjithmonë e më shumë shembuj që na tregojnë se një boshllëk tjetër gjendet mes nesh dhe të ardhmes, që ka të bëjë me faktin që e kemi parë gjithmonë turizmin të lidhur me sezonin veror dhe të lidhur me bregdetin. Ndërkohë e vërteta është se kërkesa e fortë në rritje vjen edhe për pjesë të tjera të vendit, vjen edhe për pjesët malore. Po ashtu është fare e qartë se potenciali i vendit, duke qenë një vend i kombinuar gjeografikisht mes detit dhe zonave malore, është i tillë që ne mund ta shtrijmë sezonin turistik në një hark kohor shumë më të gjerë sesa sezoni i verës. Për këto arsye kemi adresuar nga njëra anë boshllëkun që kemi në raport me infrastrukturën e mikpritjes, sidomos për nivelin e lartë dhe për atë pjesë të kësaj infrastrukturë që në Shqipëri mungon plotësisht, që janë hotelet e certifikuara me 4 dhe 5 yje dhe që përbëjnë atë pjesë të infrastrukturës së mikpritjes që sjell dhe numrin më të lartë të të ardhurave, përkundër sigurisht, numrit më të vogël të turistëve në raport me masën e turistëve që qëndrojnë në nivelin e mëposhtëm.

Ligji i ri ofron lehtësira të rëndësishme dhe shumë konkurruese në të gjithë rajonin e Mesdheut, por dhe në rajonin tonë më të vogël të Ballkanit Perëndimor specifikisht, duke krijuar kushtet që investitorët në turizëm ta shohin vendin si një destinacion shumë tërheqës për të investuar në pjesën e sipërme të infrastrukturës së mikpritjes.

Edhe vetë ulja e TVSH-së për të gjithë strukturat akomoduese turistike në 6% e ka ndihmuar dhe do të vazhdojë ta ndihmojë ndjeshëm turizmin në Shqipëri, si një forcë konkurruese që ka nevojë dhe që ka mundësi të fitojë terren të vazhdueshëm në një hapësirë konkurrence, ku duhet të përballemi me një boshllëk të ndjeshëm, të trashëguar, mes të sotmes dhe të ardhmes.

Ne duam që t’i japim një vëmendje dhe një shtysë të veçantë një komponenti të munguar të kësaj industrie, që është agroturizmi. Për këtë arsye kemi ndërtuar edhe një program për nxitjen dhe zhvillimin e agroturizmit, një program që do të mbështetet financiarisht qoftë nga qeveria shqiptare, nga buxheti i shtetit, qoftë dhe nga fondi i mbështetjes së Komisionit Europian.

Ndërkohë deri në javën e fundit të këtij muaji, ne do të bëjmë publik edhe aspektin tjetër, lehtësirat që do të krijojmë për të gjithë ata sipërmarrës, individë, apo familje që do të synojnë ndërtimin e strukturave të agroturizmit në gjithë hapësirën rurale të Shqipërisë.

Jemi të bindur që nxita e këtyre investimeve dhe përfshirja qoftë e sipërmarrësve dhe qoftë e familjeve në zona të ndryshme të vendit do të sjellë me patjetër krijimin e një efekti zinxhir, për t’i dhënë një mesazh shumë të qartë mundësie rritjeje të ekonomisë familjare në fshat, në të gjitha ato pika ku është e pamundur bujqësia intensive, ku është shumë e vështire blegtoria fitimprurëse, por ku natyra e mrekullueshme dhe mundësia për të mikpritur në një infrastrukturë të bazuar tek tradita, si dhe duke ofruar të gjitha produktet lokale, përbëjnë një rrugëdalje të sigurt nga kthetrat e varfërisë, apo të papunësisë në ato zona. Këtë mund ta themi me plotë gojën, jo sepse e kemi parë të ndodhë dhe sepse jemi dëshmitarë se çfarë kontributi ka zhvillimi i agroturizmit në vendet fqinje, por sepse kemi këtu në vendin tonë disa shembuj shumë domethënëse për sesi në situata në dukje të vështira, apo në pozicione në dukje të pamundura nga aspekti gjeografik, investitorë, apo emigrantë të rikthyer në fshatin e tyre kanë arritur të bëjnë një kapërcim të madh, duke krijuar struktura që kanë vërtetë një fuqi të madhe tërheqëse.

Qeveria, sikundër e kemi thënë më parë dhe jemi zotuar për këtë, është përgatitur dhe po vazhdon të përgatitet shumë seriozisht, si asnjëherë më parë, të paktën në eksperiencën time, për të garantuar një rritje të disa parametrave të sezonit turistik; pastërtinë, sigurinë dhe elementë të rinj që kanë të bëjnë me mundësitë për turistët për të pasur përtej orëve në plazh, edhe destinacione të ndryshme ku do të organizohen festa lokale të traditës, apo ku do të organizohen aktivitete të tjera të karakterit turistiko-kulturor.

Besojmë shumë që, edhe pse është eksperienca e parë, me përfshirjen në këtë program të një numri të  konsiderueshëm vajzash e djemsh, që do të rekrutohen speicifikisht për programin për të ndihmuar në këtë proces, do të përçojmë tek të gjithë ata që do të vizitojnë Shqipërinë, një energji të shtuar pozitive. Njëkohësisht do të jemi në gjendje të përballim me shumë më tepër sukses, sfidën e disa problematikave që janë një plagë e hapur dhe e trashëguar në aspektin e sezonit turistik, e përsëris, që nga pastërtia tek siguria dhe shërbimet, kam parasysh këtu, qoftë shërbimet e urgjencave mjekësore, qoftë shërbime të tjera, që besojmë se në këtë sezon do të jemi në një nivel shumë më të mirë se sezonet e shkuara.

Përsëris mesazhin e ministrit për të gjithë strukturat pritëse që kanë marrë prej disa kohësh një lajm shumë të qartë nga qeveria, përmes Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit. Nuk do të lejojmë dhe do të ndëshkojmë strukturat pritëse në bregdet, që i derdhin ujërat e zeza në det. Të gjitha stukuarat pritëse në bregdet duhet të marrin masa për t’u pajisur me sistemet e depurimit dhe për të garantuar që çka është domosdoshmëria e aktivitetit të tyre të mos kthehet në një kosto as për mjedisin, as për vizitorët dhe as për imazhin e vendit tonë.

Sigurisht jemi të vetëdijshëm se në këtë sezon mbase nuk do arrijmë të bëjmë gjithçka në këtë drejtim, por të gjithë duhet të jemi të vetëdijshëm se kush do të gjendet në shkelje të këtij kushti, nuk do të tolerohet dhe do të rrezikojë të humbasë të gjitha të ardhurat e pritshme nga sezoni turistik.

Shumë faleminderit!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.