Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Nën drejtimin e Kryeministrit Edi Rama, u zhvillua sot një takim me pjesëmarrjen e ministrave të kabinetit qeveritar, ku u prezantua panorama aktuale e procesit të negociatave të Bashkimit Europian me Shqipërinë.

Në fokus të diskutimeve ishte edhe kalendari i përbashkët me Komisioni Evropian, i cili kërkon përmbushjen e detyrimeve pa asnjë vonesë. Kryeministri Rama vlerësoi punën e skuadrës së negociatave dhe të institucioneve të përfshira, duke nënvizuar se procesi i integrimit rrit ndjeshëm kapacitetet institucionale, forcon rendin ligjor dhe garanton standarde më të larta në mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve.

Në çelje të këtij diskutimi, kryeministri Rama u shpreh: “Kemi një prezantim të Kryenegociatores lidhur me panoramën aktuale të procesit të negociatave, çka është shumë e rëndësishme për të pasur parasysh gjithë hapat e mëtejshëm edhe sidomos kalendarin, pasi në bazë të planit të përbashkët me Komisionin Evropian, na duhet të ecim pa humbur asnjë afat dhe nga ana tjetër, prezantimi do të vazhdojë edhe me Planin e Rritjes, i cili është i lidhur me reformat dhe me masat që duhen përmbushur.”

 

Pas prezantimit të Kryenegociatores, Kryeministri Rama vijoi me fjalën e tij:

“Ne nuk e kemi ne praktikë që të bëjmë mbledhje të hapura, këtu në këtë sallë, por unë së bashku me zëvendëskryeministren e pamë të arsyeshme që këtë prezantim ta bënim të hapur, sepse është shumë e rëndësishme që edhe opinioni publik ta ketë një ide për gjithë kompleksitetin e kësaj përpjekjeje të madhe kombëtare për të realizuar me sukses negociatat e anëtarësimit.

Ndërkohë që çka flitet në publik është shumë, shumë, shumë e reduktuar në gjëra ose shumë bazike ose tërësisht pa lidhje me këtë proces.

Sigurisht që procesi ka shumë ngarkesë dhe realisht është për t’u përgëzuar e gjithë skuadra e negociatave me në krye Kryenegociatoren, Majlindën dhe Adean, Zëvendëskryenegociatoren, ashtu sikundër është për t’u përgëzuar edhe puna e ministrave që janë më pranë këtij procesi për arsye që dihen. Jo më larg se pak ditë më parë, Ministri i Drejtësisë dhe Ministri i Punëve të Brendshme së bashku me Kryenegociatoren bënë një prezantim shterues në tryezën e ambasadorëve të vendeve anëtare në Bruksel, ndërkohë që Ministri i Jashtëm është gjatë gjithë kohës i koordinuar me të dyja ministret e shtetit për t’i dhënë të gjithë dimensionin politik procesit në komunikimin tonë ndërkombëtar dhe ajo që vlen më shumë se të gjitha, besoj unë, në këtë proces, përtej realizimit të një mase apo kalimit të një reforme dhe pastaj miratimit të masës ose të reformës në Bruksel, është që ky proces rrit në mënyrë thelbësore kapacitetet institucionale të vendit dhe siç duket edhe nga prezantimit, procesi ka një dobi të jashtëzakonshme dhe është i pazëvendësueshme me asgjë tjetër sepse shpeshherë tendenca e përgjithshme është që të shikohet anëtarësimi në BE në mënyrë shumë të sipërfaqshme dhe të mos kuptohet që në të vërtetë, ky proces është historik për faktin se transformon shtetin shqiptar dhe për faktin se i jep institucioneve të shtetit, një fuqi edhe një kapacitet për të vepruar që nuk e kanë pasur kurrë në historinë tonë.

Rritja e kapaciteteve institucionale patjetër që sjell edhe forcim të rendit ligjor në të gjitha aspektet, jo thjesht në aspektin e ushtrimit të pushtetit të pavarur gjyqësor, por në aspektin e ushtrimit të pushtetit të çdo institucioni në funksion të zbatimit të ligjit dhe në funksion të garantimit të të drejtave të qytetarëve; më tutje patjetër që ky proces konsolidon institucionet e drejtësisë, të cilat tanimë kanë kaluar në një fazë tjetër pasi kanë pavarësinë që s’e kanë pasur kurrë dhe ndërkohë në procesin e konsolidimit, do të duhet të rrisin profesionalizmin, paanshmërinë dhe sigurisht pastaj edhe cilësinë e shërbimeve të tyre.

Ndërkohë që, ky proces siguron luftën kundër korrupsionit, jo thjesht si një luftë që zhvillohet në frontin midis institucioneve të drejtësisë dhe fenomenit të korrupsionit, por si një luftë që zhvillohet ndërkohë edhe në frontin e modernizimit të transformimit institucional dhe të realizimit të një kapaciteti të të gjithë shtetit për ta parandaluar korrupsionin, për të parandaluar veprimtari të cilat zhvillohen në hapësira gri ose në mungesë të kanaleve të sigurta institucionale që garantojnë shërbime dhe ndërveprime të shpejta dhe cilësore.

Patjetër që barrën më të madhe në gjithë këtë proces negociatash e ka ekonomia, por pastaj barra bëhet e qartë në gjithë kompleksitetin e vet kur shikon sesi shtrihet tek infrastruktura, tek energjia, tek financat, bujqësia e me rradhë.

Dy gjëra më bien në sy në prezantimin që u bë.

E para është domosdoshmëria për të kaluar nga një progres i kufizuar në raport me standardet e BE, nga një progres të mirë, pra për të kaluar nga drita e kuqe në dritën jeshile tek prokurimi publik ku ne kemi bërë një progres të madh në raport me vetveten dhe në raport me rajonin, por nuk jemi ende në kornizën e progresit të mirë që do të thotë dhe plotësim i këtij aspekti si pjesë e kushteve.

Këtu e sjell këtë në vëmendje sepse është shumë e rëndësishme e vendimtare që puna e nisur për modernizimin e mëtejshëm të prokurimit publik me inteligjencën artificiale duhet të vazhdojë intensivisht dhe të kurorëzohet dhe kurorëzimi i saj do të na çojë në një nivel krejt tjetër dhe do të na bëjë një vend shembull në këtë aspekt dhe kjo nuk është diçka që i përket shekullit të ardhshëm, por duhet t’i përkas pikërisht kësaj kornize kohore brenda kalendarit të negociatave dhe vitit 2027 duhet të na gjejë me këtë objektiv të realizuar. Sikundër, një gjë tjetër që më bëri përshtypje dhe që e kemi diskutuar disa javë më parë, është kontrolli financiar ku dhe aty progresi është i kufizuar. Në ndërkohë që reforma për kontrollin financiar është e domosdoshme dhe për këtë arsye kemi nisur dhe një punë paraprake. Pa hyrë në të gjitha të tjerat, por duke e mbyllur me sfidën e sfidave që është siguria ushqimore dhe mbrojtja e konsumatorit të në tërësi.

Prandaj reforma e inspektimit duhet të vazhdojë dhe është kyç drejtimi politik i reformës nga të gjithë ministritë, në sensin e mbrojtjes së reformës nga ndërhyrjet partiake dhe nga qokat politike. Është e domosdoshme që ajo që ka filluar me AKU-në të vazhdojë të shtrihet me të gjithë inspektoratet e tjera për të garantuar burime njerëzore cilësore ose potencialisht cilësore, pra të reja dhe të rinj që janë të gatshëm për t’u vënë në shërbim të këtyre sfidave, por që njëkohësisht kanë dhe mundësi që të përfitojnë nga trajnimet, nga edukimi në vazhdim në atë proces, në mënyrë që niveli i inspektimit të rritet ndjeshëm pasi është kyç për të garantuar pastaj të gjitha ato reforma që janë duke u bërë në këto drejtime sepse në fund të ditës çështja shkon tek zbatimi dhe zbatimi ka domosdoshmëri dhe monitorimin e vazhdueshëm.

Majlinda, përpara disa javësh na informoi për një kontroll të kryer nga institucionet e BE lidhur me pikat ku trajtohet gjëja e gjallë, pra lidhur me blegtorinë që është një nga komponentët më delikat dhe më të vështirë të procesit të anëtarësimit në BE dhe ka qenë i tillë për të gjitha vendet që kanë hyrë përpara nesh dhe kontrollet e bëra kanë lënë një sërë detyrash plotësimi i të cilave e çon më përpara progresin edhe e bën më të afërt plotësimin e kushteve në këtë fushë, që kërkon monitorim dhe kontroll shumë sistematik dhe shumë kompetent nga ana e institucioneve tona.

E solla si shembull për të thënë që pse është e domosdoshme sot që këtë proces ta shoqërojmë me një rritje domethënëse të cilësisë së inspektimit, një rritje domethënëse të cilësisë së inspektimit në burime njerëzore dhe në teknologji siç kemi filluar dhe siç kemi bërë në disa fusha apo siç po përpiqemi të zhvillojmë modele me teknologji digjitale në disa drejtime të tjera.

Këto janë pak a shumë pikat që janë besoj të mjaftueshme për pjesën publike dhe në ndërkohë ne vazhdojmë me pjesën tjetër që është më e mbyllur edhe për shkak se negociatat kanë, siç e dini, konfidencialitetin e tyre në raport me palën tjetër që kërkon këtë konfidencialitet, deri kur gjërat që negociohen janë pastaj të gatshme për t’u ndarë dhe për publikun.

 

 

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.