Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Në mjediset e COD (Qendrës për Hapje dhe Dialog) në Kryeministri, u çel sot ekspozita me veprat origjinale të ekspozuara për herë të parë në Tiranë, të 3200 artistëve nga e gjithë bota, pjesë e koleksionit “Imago Mundi”.

“Parallel 42 – A Circle of Humanity”, është një ekspozitë krejt origjinale në mënyrën se si është konceptuar dhe ka marrë formë në hapsirën e dedikuar për të.

Projekti “Imago Mundi”, i Fondacionit Benetton, është një projekt global që synon krijimin e një gjeografie artistike të veçantë në llojin e saj, duke sjellë koleksionin pranë sa më shumë njerëzve, përmes ekspozitave, katalogjeve dhe internetit e duke inkurajuar një dialog të sinqertë me artin dhe me botën.

Kryeministri Edi Rama, i cili  ishte i pranishëm në çeljen e ekpozitës falenderoi ideatorët, organizatorët dhe të gjithë ata që mundësuan bashkimin e veprave artistike nga të katër anët e globit.

“Thjesht dua të falënderoj ata që e bënë të mundur këtë ekspozitë, që nga djemtë që e kuruan me shumë këmbëngulje sepse siç sapo u tha, të gjitha këto vepra vijnë nga gjithë cepat e botës dhe është dashur një këmbëngulje e madhe për t’i sjellë të gjitha bashkë në këtë rreth, duke u kërkuar mijëra artistëve që të japin kontributin e tyre, në atë kuadratin e vogël e duke mundësuar pastaj që pikërisht në një moment të historisë së njerëzimit, kur njerëzimi u detyrua të izolohej nëpër shtëpi, nëpër qytete, nëpër shtete të ndryshme që ndërprenë plotësisht komunikimin, kjo ekspozitë të marrë jetë si një varg i pambarimtë pëshpërimash nga të gjitha anët e globit.

Patjetër që, dua të falenderoj Fondacionin Benetton, Presidentin, drejtorin që është këtu i pranishëm për vetë ekzistencën e Fondacionit dhe për mundësinë që Fondacioni krijoi për materializimin e kësaj imagjinate të përfshirjes së botës mbarë, në një rreth veprash artistike.

Së fundi, dua t’ju falenderoj dhe të gjithëve ju që jeni këtu të pranishëm, që ndani sëbashku me ne, këtë moment të hapjes së dyerve të kësaj ekspozite, të cilën do të ftoja dhe të tjerët që mbase na ndjekin këtë moment, që ta vizitojnë, sepse është një ekspozitë shumë e posaçme, krejt origjinale në mënyrën se si është konceptuar dhe në mënyrën se si e ka marrë formën e saj në këtë hapësirë.

Uroj që ta shijoni dhe po e mbyll dhe me një falenderim shumë të veçantë për një mik të nderuar, ambasadorin e Japonisë i cili sëbashku me bashkëshorten na janë bashkuar sonte në këtë moment që për COD-in është një moment i rëndësishëm pikërisht sepse ndodh në një periudhë që si për shumë hapësira të tjera, ka qenë një periudhë tejet sfiduese për shkak të fillimisht mbylljes së plotë e pastaj të kufizimeve të mëdha, e tani së fundi ka filluar të rimarrë frymë lirisht. Faleminderit të gjithëve!” – u shpreh Kryeministri Rama, në përshëndetjen drejtuar të pranishmëve me këtë rast.

 

 

 

 

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.