Parku Kombëtar i Vjosës
SHQIPËRI, 13 Mars 2023 – Lumi Vjosa në Shqipëri, një nga lumenjtë e fundit të egër të Evropës, është shpallur me Vendim Nr.155 nga Qeveria Shqiptare “Park Kombëtar”, duke u bërë Parku i parë Kombëtar i një Lumi të Egër në Evropë. Në të ardhmen, Vjosa do të ruhet si një lumë natyror, me rrjedhje të lirë. Ky është rezultat i një bashkëpunimi unik midis Qeverisë Shqiptare, ekspertëve vendas dhe ndërkombëtarë, organizatave mjedisore, IUCN (Unioni Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës) dhe Patagonia. Vjosa dhe degët e saj kryesore rrjedhin lirshëm për mbi 400 km, nga vargmali i Pindit në Greqi, ku quhet Aoös, deri në bregdetin e Adriatikut në Shqipëri. Lumi dhe zonat përreth tij janë ekosisteme të një biodiversiteti të konsiderueshëm dhe janë shtëpia e mbi 1100 llojeve të specieve, duke përfshirë 13 lloje kafshësh dhe dy lloje bimore të vlerësuara si të kërcënuara globalisht nga IUCN. Shpallja e lumit Vjosa Park Kombëtar do të lehtësojë zgjidhjet e sfidave me të cilat përballet ekosistemi, si ndotja e ujit dhe tokës, menaxhimi i mbetjeve dhe shpyllëzimi.
Për të mësuar më shumë rreth Parkut Kombëtar, ndiqni faqen: https://www.parkukombetarvjosa.al/
Parku Kombëtar Butrint

- Parku Kombëtar i Butrintit është një nga zonat më të rëndësishme të trashëgimisë sonë kulturore, arkeologjike, mjedisore dhe turistike të vendit. Zemra e Parkut Kombëtar është qyteti Antik i Butrintit, ekzistenca e të cilit vazhdoi pa ndërprerje, që prej periudhës së prehistorisë e deri në mesjetë, duke ofruar kështu një shumëllojshmëri kulturash dhe periudhash historike. Në saj të vlerave të larta historiko-kulturore qyteti antik i Butrintit u përzgjodh fillimisht si Monument Kulture në vitin 1948, në ligjin e monumenteve të Kulturës së Shqipërisë. Ndërsa, në 1981 pylli i Butrintit është përshkruar nga ligjet shqiptare në ruajtje për rëndësinë e mjedisit. Në vitin 1992 Butrinti u pranua si vendbanimi i parë arkeologjik i Republikës së Shqipërisë në listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Për shkak të trazirave civile të vitit 1997, Komiteti i Trashëgimisë Botërore në dhjetor të këtij viti përfshiu Butrintin në Listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik. Në korrik të 1999 Ministria e Kulturës aplikon në UNESCO për zgjerimin e sipërfaqes së sitit, i cili miratohet në fund të vitit nga Komiteti i Trashëgimisë Botërore ku përfshihet dhe gjiri i Butrintit. Në 2000 Butrinti shpallet Park Kombëtar në mbrojtje të shtetit të zonës arkeologjike të Butrintit dhe UNESCO zyrtarisht zgjeroi sipërfaqen nga 20 ha që kishte qenë më parë në 29 km². Pas një pune të gjatë dhe vlerësuese nga ana e Parkut dhe bashkëpunëtorëve të tij në gusht të 2005 Komiteti i Trashëgimisë Botërore vendosi heqjen e Butrintit nga Lista e Trashëgimisë Botërore në Rrezik. Në nëntor të 2005 Këshilli i Ministrave vendosi zgjerimin e Parkut Kombëtar të Butrintit në 86 km². Kufijtë e Parkut Kombëtar të Butrintit janë: Në Veri: Vija lidhëse Berdenesh–Kallmit–Qenuri, që kalon në tokat bujqësore të Vurgut; Në Lindje: Vija lidhëse Qenuri-Xarrë, duke kaluar nëpër kurrizin e malit të Miles; Ne Jug: Vija lidhëse Xarrë- Shëndëlli-Vrinë, deri në Stillo; Në Perëndim: Vija lidhëse nga Berdeneshi deri në kufirin shtetëror me Republikën e Greqisë, përfshi edhe ishujt e Ksamilit.
Për më shumë: https://akzm.gov.al/parku-kombetar-i-butrintit/
Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta
Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta është një zonë e mbrojtur në zonën bregdetare të Shqipërisë, përbëhet nga ekosisteme komplekse, shumë të pasura në biodiversitet dhe burime natyrore. Është shpallur edhe si zonë e mbrojtur natyrore për shpendët e ujit, si ligatinë me rëndësi nderkombëtare sipas Konventës së Ramsarit, që nga viti 1995. Me vendim të Këshillit të Ministrave nr.59, datë 26.1.2022 ky park zgjerohet nga 22 230.2 ha në 22 389.08 ha. Shtrihet si një hark i gjelbër anës detit Adriatik, gjendet rreth 5km larg qytetit të Divjakës dhe afro 70km larg Tiranës. Ai kufizohet nga lumi Shkumbin në veri, nga kodrat e Divjakës në Lindje, nga kanali i Myzeqesë dhe lumi Seman në jug, dhe laget nga deti Adriatik në perëndim. Zona e parkut kombëtar Divjakë-Karavasta është zona më e rëndësishme komplekse e Shqipërisë për sa i përket biodiversitetit. Kjo zonë strehon përqendrimin më të lartë të shpendëve ujore rreth 51 000 individë, dhe rreth 500 çifte folenizues në Shqipëri. 89 specie të ndryshme që përfaqësojnë grupet e molusqeve, insekteve, amfibëve, zvarranikëve, zogjve dhe gjitarëve, të pranishme në zonën e parkut, janë konsideruar si të kërcënuara në Shqipëri. 42 specie i përkasin kategorive shumë të rrezikuara, duke përfshirë rrezik kritik, të rrezikuara dhe vulnerable. Është, pa dyshim, zona më e rëndësishme e mbrojtur përgjatë hapësirë sonë bregdetare, madje nga më të rëndësishmet në brigjet e Mesdheut.
Për më shumë: https://akzm.gov.al/parku-kombetar-i-llogarase/
Parku Kombëtar Karaburun – Sazan
I vetmi Parku Kombëtar Detar, ai i Karaburun-Sazan është një mrekulli e gjallë e natyrës Shqiptare. Ky park konsiderohet si shtëpia e 36 specieve detare me rëndësi ndërkombëtare mes tyre kemi dhe specie të cilat i përkasin listave të llojeve të rrezikuara. Ekosistemi ujor/detar “Karaburun – Sazan”, i shpallur “park kombëtar detar” (kategoria II), me Vendim të Këshillit të Ministrave nr.59, datë 26.01.2022 zgjerohet nga 12 428 ha në 12 437.7 ha. Shtrihet në hapësirën detare me gjerësi 1 milje detare, përgjatë Gadishullit të Karaburunit (nga Kepi i Shën Vasilit deri te faqja e Langadhës) dhe rreth Ishullit të Sazanit. Shpatet e Gadishullit të Karaburunit janë vende tejet të rrëpira në anën perëndimore, me kulme të larta në pjesën qendrore. Bregu Perëndimor i Gadishullit skalitet nga shpella dhe kanione të thella, që rrallëherë përfundojnë me plazhe zalli ose xhepa rëre. Shpatet e tij karakterizohen nga shkëmbinj të lartë vertikalë që vazhdojnë nën ujë në thellësi të mëdha. Këta shkëmbinj janë tepër të gërryer dhe mund të vërehen një numër i madh shpellash, kryesisht nënujore, aty ku shpesh rrjedhin burime të ujërave të ëmbla. Gadishulli i Karaburunit është vendi më i spikatur me cilësi mesdhetare. Karakterizohet nga një nivel shumë i ulët turbullimi të ujit. Mjedisi medio-litoral karakterizohet nga formacione koralogjene ndonjëherë mbi një metër, të përbëra prej algash koralogjene, lloj i mbrojtur dhe shumë i veçantë nga pikëpamja gjeo-morfologjike, biologjike dhe turistike, dhe që mund të shfaqet me pamje jashtëzakonisht të mahnitshme. Ishulli i Sazanit (16km i gjatë dhe 3-5km i gjerë), përballë Vlorës dhe në veri të Gadishullit të Karaburunit, ka një formë elipsoide në veri-verijug-juglindje, duke pasur majën kulmore në lartësi 345m, tek Gryka e Djallit.
Për më shumë: https://akzm.gov.al/parku-kombetar-karaburun-sazan/
Parku Kombëtar i Llogarasë
Parku Kombëtar i Llogarasë gjendet në juglindje të qytetit të Orikumit dhe 37 km larg qytetit të Vlorës. Me Vendim të Këshillit të Ministrave nr.59, datë 26.01.2022 ky park zgjerohet të sipërfaqes së ekosistemit natyror “Llogora”, shpallur “park kombëtar” (kategoria II), nga 1 010 ha në 1 769.2 ha. Gjendet afro 40 km në juglindje të qytetit të Vlorës, në kufirin hapësinor midis detit Adriatik dhe Jon. Formohet nga një pellg ujëmbledhës me pyje, kullotë e livadhe dhe vende shkëmbore, tepër të thepisur. Afro gjysma e sipërfaqes ka pjerrësi mbi 30 gradë, me kundrejtim veriperëndimor, me lartësi nga niveli i detit që varion nga 450-2,018m, maja e Qores. Toka është e murrme pyjore dhe livadhore malore, mbi gëlqeror. Në këtë park gjenden të gjitha zonat e bimësisë së vendit tonë. Zona e pyjeve dhe shkurreve mesdhetare, me lartësi 470-600m; Zona e dushkajave, në lartësitë 600-800m; Zona e Ahut, në lartësitë 800-1,300m dhe Zona e kullotave alpine, në lartësitë 1,300-2,000m. Për të mundësuar realizimin e objektivave të ruajtjes së parkut studimet e më vonshme kanë marrë në konsideratë të gjithë rajonin: Llogara, Rrëza e Kanalit, Karaburun, Laguna e Orikumit, Lugina e Dukatit dhe Gjiri i Dukatit.
Për më shumë: https://akzm.gov.al/parku-kombetar-i-llogarase/
Parku Kombëtar i Malit të Dajtit
Parku Kombëtar i Malit të Dajtit ndodhet në verilindje të Tiranës. Me Vendim të Këshillit të Ministrave nr.59, datë 26.01.2022 “Malit i Dajtit”, shpallur “park kombëtar” (kategoria II), është 28 561.85ha. Ai zë një sipërfaqe prej 3,300 ha të rrafshnaltës së Dajtit. Ky park tërheq shumë vizitorë dhe është një vend i përshtatshëm për piknik familjar, sporte, lojëra si dhe aktivitete të tjera interesante. Parku është i vendosur në pjesën qendrore të vargmalit Krujë-Dajt, me një gjatësi rreth 30km e gjerësi 10-15km. Shtrihet prej grykës së Skoranës, në pjesën jugperëndimore, deri në Malin e Palmoit të madh, në verilindje. Kufijtë e parkut lidhen me Krujën, në veriperëndim dhe me Matin, në verilindje e lindje. Kufijtë natyrorë të parkut janë formuar nga dy zona tektonike të quajtura Krasta-Cukali dhe Krujë-Dajti, secila me një strukturë dhe litologji të ndryshme.
Për më shumë: https://akzm.gov.al/parku-kombetar-mali-i-dajtit/
Parkut Arkeologjik Apoloni

- Apollonia ndodhet 12 kilometra larg qytetit të Fierit. Apollonia si qytet u themelua në fillim të shekullit të shtatë para Krishtit në tokat e Taulantëve Ilirë nga kolonizatorët grekë që vinin nga Korinti. Të dhënat e para të pranisë së tyre janë të dokumentuara rreth vitit 620 para Krishtit. Emrin qyteti e mori për nder të perëndisë Apollon. Ndër 24 qytete në të gjithë botën mesdhetare që mbanin këtë emër në Antikitet, Apollonia e Ilirisë ishte më e rëndësishmja dhe luajti një rol të madh si ndërmjetëse tregtare mes helenëve dhe ilirëve. Apollonia ishte në atë kohë një qytet i madh e i rëndësishëm në afërsi të lumit Aoos (Vjosë). Llogaritet që qyteti të ketë patur rreth 60 000 banorë, një shifër rekord për Antikitetin! Apolonia e ruajti madhështinë e saj edhe në periudhën romake. Shkolla apolloniate e arteve të bukura ishte me famë në të gjithë botën antike. Në momentin kur në Romë, gjatë një komploti në Senat u vra Jul Cezari, nipi i tij Oktavian Augusti studionte oratorinë në Apolloni. Kronikat romake tregojnë sesi ai me të marrë vesh lajmin e vrasjes së Cezarit u nis me një anije nga Apollonia dhe kur, pas disa kohësh vetë Oktaviani u bë Perandor, e ruajti mirënjohjen për qytetin ku kishte studiuar duke e liruar Apolloninë nga të gjitha taksat. Pas një tërmeti në shek. III e.s lumi Aoos ndërron shtrat duke e shkëputur qytetin nga deti. Goditja rezultoi fatale në një epokë ku i gjithë aktiviteti tregtar zhvillohej në lidhje me detin. Qyteti e humbi gradualisht rëndësinë ekonomike duke u shndërruar në një qendër të thjeshtë fetare. Por shuarja graduale dhe jo e dhunshme e jetës qytetare si dhe shndërrimi i zonës përreth në kënetë, të bonifikuar vetëm pas vitit 1945, bëri që zona arkeologjike të ruhet mjaft mirë. Arkeologët e quajnë Apolloninë Pompei i Shqipërisë, pasi vetëm 10% e territorit të qytetit të dikurshëm është zbuluar deri më sot. Territori i madh i mbuluar me monumente, panoramat dhe peizazhet e mrekullueshme mbi fushën e Myzeqesë dhe Detin Adriatik, rruga automobilistike në gjendje mjaft të mirë, pozita e favorshme gjeografike pranë qyteteve kryesore dhe plazheve të jugut e bëjnë Parkun Arkeologjik Apolonia një destinacion të privilegjuar për turizmin kulturor në Shqipëri.
Për më shumë: https://apolloniaarchaeologicalpark.al/historia-bylis/
Parku Arkeologjik Bylis

- Parku arkeologjik Bylis është një nga sitet unik në Shqipëri, për densitetin e lartë të monumenteve me mozaik. Parku arkeologjik ka publikuar disa foto, mes tyre edhe mozaiku i antikitetit të vonë shekulli IV – V pas Kr. Qyteti Ilir i Bylisit i vendosur në pllajën e një kodre pran fshatit të sotëm Hekal dikur shtrihej në një sipërfaqe prej 30 ha, e cila mbrohej nga një mur rrethues me gjatësi 2.2 km, gjerësi 3.5 m dhe lartësi 8-9 m, i cili ende sot ruhet relativisht mirë. Muri rrethues ishte pajisur me hyrje dhe kulla të shumta mbrojtëse. Nga shekulli IV para Krishtit (që konsiderohet dhe periudha e themelimit) e deri një shekull më vonë, u ndërtuan disa prej veprave më madhështore të qytetit, ku përmenden teatri, stadiumi, depozita e ujit, banesa të ndryshe, rrënojat e të cilave mund t’i hasim edhe sot. Bylisi i vjetër ishte i ndarë në tre zona, dhe u ndërtua në bazë të planit arkitektonik të Hipodamnit. Nga ai shkëlqim i së shkuarës, spikasin rrënojat e teatrit 7500 vendesh, të cilat të mundësojnë një udhëtim të bukur në historinë dhe arkitekturën e qytetit. Teatri përbëhej nga 40 shkallare, dhe sot mund të shikohen ende disa ndenjëse prej guri, muret mbajtëse të teatrit apo bazamenti i orkestrës. Teatri është monumenti më i rëndësishëm i Bylisit të periudhës antike. Bashkë me stoan e madhe dhe stadiumin, ai ka përcaktuar kompozimin arkitektonik të agorasë rreth mesit të shek III p.K. Për ndërtimin e teatrit është zgjedhur këndi juglindor i agorasë, ku ngritja e menjëhershme e terrenit jepte mundësi për shfrytëzimin e shpatit për ndërtimin e shkallareve. Edhe nga stadiumi i Bylisit mund të vërejmë 19 shkallë prej guri, që e bëjnë pas Amantias stadiumin e dytë më të mirëmbajtur nga antikiteti në Shqipëri. Krahas objekteve të rëndësishme publike, qyteti kishte punishtet e veta të poçarisë, ndërtimit, skulpturës, metalpunuesit si dhe punishten e prerjes së monedhave të veta. Gjatë shekullit V pas Krishtit nisën të ndërtoheshin disa kisha, rrënojat e të cilave sot përbëjnë disa nga dëshmitë më të rëndësishme paleokristiane në Shqipëri. Deri më sot janë zbuluar disa të tilla, si brenda mureve rrethuese të qytetit, ashtu edhe jashtë tyre.
Për më shumë: http://cultureticketsalbania.al/parku-arkeologjik-i-bylis-nje-destinacion-arkeologjik-dhe-historik-ne-rritje/
Parku Arkeologjik Shkodër

- Parku Arkeologjik Shkodër, ka një sipërfaqe prej rreth 70 ha. Kalaja “Rozafa”, me një sipërfaqe prej 3.6 ha dhe një perimetër muresh rrethues prej 881 m, është objekti më i rëndësishëm i Parkut. Ajo dominon mbi një kodër shkëmbore ndërmjet lumenjve Drin dhe Buna, në hyrjen juglindore të qytetit të Shkodrës. Historia e ndërtimit të Kalasë së Rozafës ka kaluar në disa faza. Gjurmët antike të saj, teknika e mureve me blloqe poligonalë, ruhen pranë hyrjes kryesore dhe datojnë të shek. IV p.e.s. Kalaja kishte një rol të rëndësishëm si qendër e fortifikuar ilire gjatë periudhës së mbretit Ilir Genti në mesin e shek. II p.e.s. Historiani romak Tit Livi e quante Shkodrën vendin më të fortifikuar të fisit Ilir të Labeatëve. Në mesjetë Kalaja njihet me emrin Rozafa, të cilin duhet ta ketë marre aty mes shek. V-VI-të. Ndër objektet më të spikatura monumentale dhe historike të kalasë veçojmë: Barbakanin në hyrje të Kalasë (Shek. XV), Kishën e Shën Stefanit ndërtuar që në shek. XIII e cila pas pushtimit osman u transformua në xhami, si dhe Kapitenerinë e periudhës Veneciane që sot shërben si Muzeu i Kështjellës. Kalaja u braktis përfundimisht në vitin 1865 nga administrata e qytetit. Në vitin 2010 u bë një rivlerësim i zonës arkeologjike dhe u evidentuan 2 zona, A dhe B, sipas rëndësisë të cilat u miratuan së bashku me rregulloren përkatëse me VKM Nr.429, dt. 28.4.2010 “Për shpalljen e Zonës Arkeologjike “A” dhe “B” të qytetit të Shkodrës dhe miratimin e rregullores së administrimit”. Në rregulloren e administrimit jepen qartësisht format e bashkëpunimit dhe rolet e institucioneve të ngarkuara për mbrojtjen, restaurimin dhe mirë administrimin e vlerave të kësaj zonë.
Parku Arkeologjik Lezhë

- Parku Arkeologjik i Lezhës ndodhet në pjesën lindore të qytetit me të njëjtin emër. Lisi (Lezha antike), i ndërtuar në kodër, kishte një pozicion strategjik që kontrollonte luginën e Drinit deri në Gjirin e Shën Gjinit në detin Adriatik. Ai dëshmon për gjurmët e një qytetërimi të lashtë prehistorik qysh në shek. IV p.k. dhe ishte qyteti më i fortifikuar i Ilirisë, me një numër të madh kullash mbrojtëse. Kalaja e qytetit antik të Lezhës rrethohet nga mure të periudhave të ndryshme që vijojnë nga antikiteti shek.IV p.k. Këto janë mure të fuqishme me blloqe të mëdha guri. Rindërtimi i parë i kalasë datohet në shek. I p.k. Më vonë në shek. XI-XII në pjesën e akropolit të qytetit ndërtohet kështjella mesjetare e Lezhës – Elission, me gurë të vegjël të gdhendur dhe me llaç. Kjo kështjellë u përforcua për të përballuar dyndjet e shteteve të para sllave që vinin nga veriu. Në shek. III para Krishtit, Lisi bëhet pikënisje e sulmeve të flotës ushtarake të mbretëreshës ilire Teuta. Më vonë Lisi pushtohet nga Filipi V-të i Maqedonisë, nga romakët e Bizanti .Me shpërbërjen e perandorisë bizantine, Lezha është qyteti i principatës së Arbërit dhe në vitin 1281 është kryeqendër e familjes së dukagjinëve. Me pas, venecianët, me marrjen e qytetit të Lezhës, rindërtuan fortifikimet e qytetit. Në 2 mars 1444 Gjergj Kastrioti Skënderbeu organizoi në Lezhë kuvendin e princërve shqiptarë, që njihet me emrin “Besëlidhja e Lezhës”. Mbas vdekjes së Gj. Kastrioti Skënderbeut në 17 janar 1468, i cili u varros në kishën e Shënkollit (sot memoriali i tij), Lezha bie nën sundimin venedikas dhe me pas, otoman. Lezha, ky qytet antik që pasqyron gjithë fazat e zhvillimit, ngritjes dhe rënies së perandorive që kanë sunduar këtë rajon, me kalanë mesjetare që dominon gjithë hapësirën deri në detin Adriatik dhe objektet e shumta arkeologjike, monumentet e kultit dhe dëshmitë historike, përbën një destinacion tërheqës për turizmit kulturor.
Parku Arkeologjik Amantia

- Parku Arkeologjik Amantia ndodhet, 34 km nga qyteti bregdetar i Vlorës. Itenerari: Rruga për në Parkun Arkeologjik Amantia, përshkon luginën e lumit Shushicë si dhe fshatra të kësaj krahine: Vlorë-Qishëbardhë -Drashovicë-Kotë-Vajzë-Ploçë. Rrugë lidhëse depërton deri në fshatrat e zonës Kudhës-Gërhotit. Qyteti antik i Amantias gjendet i shtrirë në kreshtën e një kodre mes dy majave, në këmbë të një vargu kodrash. Kjo qendër e hershme Ilire, sot gjendet në 15 ha të Parkut Arkeologjik të Amantias. Lindur e lulëzuar në 10 shekuj në ndryshim e pasurim të vazhdueshëm, epiqendra e qytetërimit është në një zonë kodrinore që gjendet në lartësinë 613 m mbi det. Në këtë pikë pozicionohet kodra më e lartësuar ku fillojnë rrënojat e qytetit antik, duke pësuar shtrirje në kohë nëpër sheshe e tarraca. Kodra ku ka jetuar për 1 mijë vjet qyteti ilir i Amantias ka formë koni. Ajo është e veçuar nga vargmali, dhe përshkohet nga një përrua. Qyteti antik Amantia gjendet në kodrinën mes rrjedhës së dy lumenjve Vjosë dhe Shushicë me një shtrirje deri në det.
Për më shumë: https://akt.gov.al/atraksionet/parku-arkeologjik-i-amantias/
Parku Arkeologjik Orikum

- Qyteti antik i Orikut pozicionohet në jug të gjirit të Vlorës, mbi një kodër të ulët gëlqerore të quajtur Paleokastër. Mendimi i studiuesve shqiptarë është se Oriku figuron i themeluar nga korinthasit në vitin 558 p.e.s., pothuajse në të njëjtën kohë me Apolloninë. Duke filluar nga shek. II p.e.s. Oriku figuron në të gjitha konfliktet midis Maqedonisë dhe Romës kurse gjatë periudhës otomane është quajtur Pasha Liman. Aktualisht, është zbuluar vetëm një përqindje e vogël e qytetit antik, vazhdojnë gërmimet arkeologjike dhe është i vizitueshëm lehtësisht me anë të rrugës automobilistike Vlorë-Orikum. Orikumi është një nga sitet më të rëndësishëm të bregdetit Adriatik, si nga pikëpamja historike, arkeologjike ashtu dhe nga ajo natyrore. Sipas të dhënave arkeologjike qyteti antik i Orikut themelohet në mesin e shek. VI p. Kr, ndërsa në burimet historike përmendet që në shek. V p. Kr nga Herodoti dhe Hekateu i Miletit, si një nga limanet më të mbrojtur dhe më të rëndësishëm të Epirit. Në shek. III p. Kr, Oriku merr fizionominë e plotë të një qendre urbane. Pjesa më e madhe e infrastrukturës së brendshme, duke përfshirë shkallaret, bazamentet e ndërtesave, kanalet dhe cisternat për depozitimin e ujit ndërtohet në shkëmbin natyral të kodrës. Në këtë periudhë ndërtohen dhe monumentet publike. Në burimet historike është një qytet i përmendur për rëndësinë e tij në betejat midis Maqedonisë dhe Romës në fund të shek. III p. Kr, si dhe në luftën civile midis Çezarit dhe Pompeut në vitin 48 p. Kr. Çezari në kujtimet e tij për Luftën Civile e përshkruan Orikun, si një qytet të fortifikuar mirë, me mure të forta dhe disa hyrje të pajisura me kulla. Në periudhën osmane ka shërbyer si bazë për flotën detare, ndërsa mbas Luftës së Dytë Botërore territori ku bën pjesë qyteti antik u izolua, duke qenë se bënte pjesë në territorin e Bazës Ushtarake Detare të Pashalimanit. Në vitin 2005 për shkak të vlerave historike, arkeologjike dhe mjedisore rrënojat e qytetit antik të Orikut shpallen Park Arkeologjik Kombëtar. Rrënojat arkeologjike në Orikum kanë tërhequr vëmendjen e udhëtarëve të huaj që në fillimin e shekullit të XX, por gërmimet e mirëfillta arkeologjike filluan në vitin 1958 nga një ekspeditë shqiptaro-sovjetike e drejtuar nga Dh. Budina dhe N. Kabilina. Këto gërmime përfshinë një sipërfaqe prej 400 m2 dhe zbuluan një monument në formë eksedre të cilin e interpretuan si teatër dhe disa shkallë të gdhendura në shkëmb që përbëjnë dhe elementin kryesor për të kuptuar organizimin urbanistik. Bëhet fjalë për një monument atipik me formë katrore që përbën një shembull unik për gjithë botën antike, i datuar në shek. III-II p.kr. Të gjithë elementët historik, arkitektonik dhe peizazhi unik ku është vendosur siti, midis lagunës, detit dhe gadishullit të Karaburunit si dhe elementët arkeologjik, që dalin në vijimësi nga gërmimet e bëjnë këtë park arkeologjik një nga më interesantët për t’u vizituar. Ka qenë qytet antik, sot është Park Arkeologjik Kombëtar.
Për më shumë: https://akt.gov.al/site-arkeologjike/parku-arkeologjik-i-orikut/
Parku Arkeologjik Finiq

- Hapësira shumë e madhe e teatrit, i rreth 17 000 vendeve që ndodhet në mes të kodrës me hapje në drejtim të monastirit të Dyzetë Shenjtorëve shërbente në atë kohë si vend i mbledhjeve të “Publikut të Epirotëve rreth Finiqit”, në të cilat merreshin demokratikisht vendimet për paqen ose luftën ose shqyrtimi i çështjeve. Në atë kohë pushtetin e ushtronin tre gjeneralë, nga të cilët njeri ishte përfaqësuesi i pushtetit, ipparxos, i dyti sekretari i Kuvendit dhe i treti garantuesi, të ardhur nga të tre fiset : nga Molosët, Kaonët dhe Thesprotët. Të gjithë këta zgjidheshin për mandat njëvjeçar nga kuvendi. Vendi i kultit të Finiqit ishte Dodoni. Teatri u rindërtua tri herë, pasi nga gërmimet u zbuluan tre konstruksione të ndryshme. Faza e parë i përket fillimeve të shekullit të IV para Krishtit. Materiali ndërtues është vendas veçanërisht guri i skenës ka ardhur nga e njëjta kodër. Faza e dytë e ndërtimit i përket shekullit të III-të para Krishtit. Zgjerimi i skenës u diktua në çastin kur Finiqi u bë qendra e Kaonisë dhe kryeqytet i Epirit. Vendkalimet që ndajnë shkallët janë vendosur me teknikë dhe me kujdes. Teatri që u ndërtua në këtë fazë i tejkalon dhe përmasat e teatrit të Dodonit, ku diametri i orkestrës është 19,80 metra, ndërsa ai i Dodonit është 19,20 metra, diametri i kavitetit nga qendra deri në krye të shkallëve është 129,5 metra ndërsa i Dodonit është 129 metra. Në skenën e teatrit u gjetën piedestale shumë të mëdhenj me gjurmë këmbësh përsipër që mbanin gjithashtu shtatore shumë të mëdha perëndish ose perandorësh të lashtë. Qyteti i lashtë i Finiqit u fortifikua vrullshëm në tri faza, fakt që e përmend dhe historiografi Polivios : e para filloi me themelimin e qytetit rreth shekullit të V-stë para Krishtit dhe vazhdoi deri në mes të shekullit të IV-t para Krishtit, e dyta fillon në mesin e shekullit të IV-t kur kulmon dhe zhvillimi i gjithë qytetit dhe e treta përputhet me zhvillimin e vrullshëm të qytetit dhe me prerjen për herë të parë të monedhës vendase me mbishkrimin “ΦΟΙΝΙΚΑΙΕΩΝ” rreth shekullit të III-të para Krishtit. Kompleksi strukturor qendror i qytetit ishte Akropoli ose Agora-ja e cila ndodhet në nivelin më të lartë të kodrës. Akropoli luante rolin kryesor social dhe e ruajti atë si rënie të qytetit. Në atë vend ndodhen monumentet më të vyera dhe më të mirëmbajtura siç janë thesaurit dhe bazilika. Thesaurit që u zbulua për herë të parë nga Ugolini (1926) shërbente për strehimin e thesarit të qytetit si dhe të “Publikut Epiriot”.Pranë thesarit që kishte formën e akropolit dallohen shumë qartë gjurmët e një bazilike shumë të madhe. Historia përmend Peregrinin “Episkop të Finiqit që përfaqësoi më 552 Epirin në Konferencën e IV-t Ikumenike Valerianon me perandor Leontos”, Filipin më 516 dhe Eustathion I cili më 568 transferoi katedrën në monastirin e Mesopotamit dhe më vonë në Delvinë dhe në Monastirin e Kamenës afër Kakodhiqit. Pak metra larg Bazilikës ekzistojnë mbetje kishe kristiane, ndërsa në vendin e quajtur “Palea Avli” mbijetojnë rrënoja tempujsh paleokristianë me mozaikë të larmishëm. Tempulli episkopik i Finiqit në nderim të emrit të Virgjëresha “Zoodochos Pigi” duket që në fillim se ishte ndërtuar mbi një bazilikë më të vjetër dhe më vonë u rindërtua i ri me të njëjtin emër në qendër të qytezës që ndodhet në shpatet e malit. Gërmimet e arkeologëve në Finiq zbuluan banesën karakteristike me dy peristile të shekullit të III-të para Krishtit. Banesa kishte prerje tërthore thuajse katërkëndëshe dhe mbulon një sipërfaqe prej 700 m2. Përbëhet nga një oborr i madh katërkëndësh me peristil, rreth të cilit rreshtohen disa ambiente të vegjël.
Për më shumë: http://bfiniq.gov.al/parku-arkeologjik-i-finiqit/
Parku Arkeologjik Antigone

- Parku arkeologjik i Antigones ndodhet pranë fshatit Saraqinishte në rajonin e Lunxhërisë, në lindje të Gjirokastrës. Është 14 km nga Gjirokastra. Parku arkeologjik ka sipërfaqe prej 92 hektarësh. Antigone u themelua nga Mbreti Pirro i Epirit në 295 p.e.s., i cili e quajti qytetin pas gruas së tij të parë, Antigone. Në fund të shekullit të 3-të dhe fillimit të shekullit të 2 para Krishtit, ajo u rrit në një qendër të rëndësishme ekonomike, kulturore dhe politike dhe mori formën e një shteti (polisi). Ajo ishte e rrethuar me mure, 4,000 metra të gjata. Ka shumë atraksione për t’u vizituar në parkun arkeologjik Antigone si: mozaiku, kolona, shëtitore, shkallë antike, muret përreth etj. Në fshatin Labovë e Kryqit, që ndodhet pranë qytetit të vogël të Libohovës, ju mund të vizitoni një nga kishat më të vjetra dhe më të bukura bizantine në Shqipëri, kushtuar Shën Marisë. Është ndërtuar në një stil të ngjashëm me atë të Hagia Sophia në Stamboll. Mendohej se kisha kishte një relike, e cila tani mungon. Ishte pjesë e kryqit ku Krishti u kryqëzua.
Për më shumë: https://drtkgjirokaster.com/wp-content/uploads/2023/11/FLETPALOSJA-ANTIGONE-_brochure_shqip.pdf



