Pazari i Gjirokastrës, një nga zonat më frekuentuara të qytetit, i cili ruan më së miri traditën në çdo pjesë të tij, po transformohet në një nga zonat më atraktive për turistët dhe vizitorët vendas.
Kjo falë ndërhyrjeve të Rilindjes Urbane, me restaurimet e shumta të ndërtesave të vjetra, si dhe shtëpive bujtina që po çelin dyert një nga një, për të mikpritur dhe ofruar bujarinë karakteristike shqiptare.
Kryeministri Rama eci sot përgjatë zonës historike të qytetit dhe u takua me qytetarë dhe drejtues bujtinash me të cilët bisedoi mbi perspektivën e sezonit turistik, i cili duket premtues, pas një viti të gjatë pandemie.
“Tani do lirojmë sezonin dhe do kesh punë se do kesh njerëz” – u shpreh Kryeministri në biznesin e një prej punuesve të mirënjohur të gurit në Gjirokastër. “Më e keqja është duke ikur, e kemi pas krahëve, më e mira është përpara. Të hapim sezonin turistik dhe të fillojë puna fort. Na qëlloi pak ters me pandeminë, por do ta shporrim këtë flamë dhe do kemi sezon të mbarë”, – vijoi Kryeministri, teksa inkurajoi që me durim do të dilet përfundimisht nga situata e vështirë e kohëve të fundit.
Më pas, Kryeministri vizitoi disa prej bujtinave të reja që kanë çelur dyert së fundmi, të cilat i kanë dhënë Gjirokastrës një mundësi të re për të shtuar numrin e turistëve që zgjedhin këtë qytet për të qëndruar disa ditë. Krahasuar me 7 vite më parë, kur Gjirokastra kishte vetëm një hotel, sot hotelet dhe bujtinat janë me dhjetëra, duke i sjellë zhvillimit të turizmit një hov të ri.