Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Shqipëria po kalon një fazë transformimi të gjithanshëm, ku reformat strukturore, investimet strategjike dhe procesi i integrimit europian po ecin paralelisht për të ndërtuar një shtet më modern, më konkurrues dhe më afër standardeve të Bashkimit Europian. Nga infrastruktura, energjia dhe sektori i ujit, te shëndetësia, arsimi, inovacioni, zhvillimi ekonomik dhe forcimi i institucioneve, ndryshimet e viteve të fundit kanë krijuar baza të reja për rritje të qëndrueshme dhe përmirësim të cilësisë së jetës së qytetarëve.

* * *

Rritja nga viti 2013 në 2026 dhe objektivat deri në vitin 2030

Rritja e pensioneve për të gjitha kategoritë, si dhe forcimi i sistemit të mbrojtjes sociale kanë qenë ndër prioritetet e qeverisë gjatë viteve të fundit. Përmes rritjeve të vazhdueshme të pensioneve dhe reformave në sistemin e sigurimeve shoqërore, është synuar rritja graduale e të ardhurave të pensionistëve dhe zgjerimi i mbështetjes për kategoritë më në nevojë.

Të dhënat për periudhën 2013–2026 tregojnë një rritje të pensioneve në të gjitha kategoritë.

-Pensioni mesatar në shkallë vendi është rritur nga 11,367 lekë në vitin 2013 në 19,053 lekë në vitin 2026, ose rreth 67.6%.

-Pensioni mesatar në qytet është rritur nga 12,952 lekë në 20,001 lekë, ndërsa pensioni mesatar në fshat nga 7,130 lekë në 12,148 lekë, me një rritje prej rreth 70.4%, duke reflektuar përmirësimin e mbështetjes edhe për pensionistët në zonat rurale.

Gjatë kësaj periudhe janë rritur gjithashtu pensionet minimale dhe maksimale.

-Pensioni minimal në qytet ka kaluar nga 12,024 lekë në 18,829 lekë, ndërsa pensioni maksimal në qytet nga 24,048 lekë në 41,623 lekë.

-Në zonat rurale, pensioni minimal është rritur nga 8,233 lekë në 12,894 lekë, ndërsa pensioni maksimal nga 12,024 lekë në 18,829 lekë.

Një zhvillim i rëndësishëm në sistemin e mbrojtjes sociale ka qenë edhe vendosja e pensionit social, i cili nuk ekzistonte në vitin 2013.

Në vitin 2026, pensioni social është 10,221 lekë, duke siguruar mbështetje financiare për qytetarët që nuk plotësojnë kushtet për përfitimin e një pensioni kontributiv.

Në kuadër të objektivave të përcaktuara deri në vitin 2030, synohet vijimi i rritjes së pensioneve dhe forcimi i mëtejshëm i sistemit të mbrojtjes sociale. Objektivat përfshijnë rritjen e pensionit të plotë të pleqërisë në 40,000 lekë, pensionit të pjesshëm të pleqërisë në 22,000 lekë, pensionit minimal të pleqërisë në 20,000 lekë, pensionit të invaliditetit në 30,000 lekë, pensionit familjar në 18,000 lekë dhe pensionit të fshatit në 18,000 lekë.

Këto objektiva janë pjesë e angazhimit të qeverisë për të garantuar një sistem pensionesh më të qëndrueshëm, më gjithëpërfshirës dhe me mbështetje në rritje për pensionistët në të gjithë vendin.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.