Përshëndetje të gjithëve!
Së pari, dëshiroj të nënvizoj se ky nuk është një takim i radhës, as një komunikim i radhës me publikun. Vet prania e Kryetarit të Kuvendit këtu është dëshmi e rëndësisë së këtij takimi për “Aleancën për Shqipërinë Europiane”, për koalicionin tonë, që ka vendosur një fokus tërësisht të ri mbi fshatin dhe në mënyrë të posaçme për zhvillimin rural.
Ne jemi fokusuar tek bujqësia me një qasje të re, e cila ndër të tjera mishërohet edhe në paketën e mbështetjes së Agjencisë së Zhvillimi Bujqësor dhe Rural, që për herë të parë këtë vit iu drejtua fermerit me një gjuhë të re dhe për herë të parë vendosi, përpara sektorit dhe njerëzve të sektorit konkurrencën, si mjet për të arritur e për të marrë mbështetjen e Qeverisë.
Ne kemi qenë vijimësisht të shqetësuar dhe jemi përditë e më të vetëdijshëm se ajo çka duhet në raport me bujqësinë është një kapërcim epokal nga një bujqësi e mbijetesës tek një bujqësi e dijes e konkurrencës dhe e përfitimit përmes konkurrencës. Nga një bujqësi që është parë tradicionalisht si territori i varfërisë dhe i shpërndarjes së lëmoshës, për të ruajtur normat e një mbijetese që asnjëherë nuk mund të kapërcejë vetveten, tek një bujqësi e shembujve të suksesit dhe e zinxhirit të vlerave. Besoj se rezultatet e këtij viti të parë flasin qartë; Jemi në rrugën e duhur. Jo që kemi arritur aty ku duhet, por që jemi në rrugën e duhur. Mjafton të nënvizoj faktin se deri në tremujorin e dytë të vitit kemi një rritje prej 26% të eksporteve. Kjo është një shifër shumë inkurajuese që më shumë sesa për rezultatin në vetvete flet për potencialin e madh që ka ky sektor, në funksion të daljes së fshatit nga varfëria dhe në funksion të krijimit të një zinxhiri vlerash në ekonomi.
Ne jemi të vetëdijshëm po ashtu, për kushtet e një sipërfaqeje të kufizuar të tokës bujqësore, për mungesën në tërësi të intensifikimit të prodhimit, për mungesën e specializimit dhe të specifikimit në territor, qoftë të kapitalit njerëzor, qoftë të prodhimit dhe për këtë arsye, unë e konsideroj këtë moment, momentin e shpalljes më në fund, pas kaq shumë vitesh kaos dhe shpërndarjeje parash në mënyrë kaotike, në formën e lëmoshave rëndom elektorale, të kësaj harte të rajonalizimit të prodhimit bujqësor si moment konsolidimi të pozicionit të Qeverisë dhe shtetit në raport me individin dhe me fermën. Si një moment orientimi të qartë për individin dhe për fermën mbi prioritetet dhe mbi kapacitetet mbështetëse, nga të cilat individi dhe ferma mund të përfitojnë duke iu drejtuar Qeverisë. Pra, është e qartë që kjo hartë vendos një marrëdhënie shumë transparente mes Qeverisë dhe sektorit. Në të njëjtën kohë përcakton në mënyrë të saktë, të gjitha piketat ku synohet të intensifikohet prodhimi bujqësor dhe ku synohet transformimi rajon për rajon.
Është e qartë që, nëse i referohemi bujqësisë në tërësinë e vet dhe përpiqemi të bëjmë një krahasim mes sektorit këtu në vendin tonë dhe sektorit në Bashkimin Europian, hendeku shumë i madh përcaktohet nga dija. Bujqësia në Bashkimin Europian është fusha e inovacionit të vazhdueshëm, fusha e specializimit të vazhdueshëm, fusha e transformimeve të vazhdueshme, bazuar mbi dijen. Ndërkohë që, në vendin tonë, fatkeqësisht, për vite të tëra ka ndodhur e kundërta. Është një fushë ku qysh në përcaktimin e pozicionit të vet, qeveritë e kanë konsideruar si territor të varfërisë dhe si territor të mbijetesës dhe ku janë mjaftuar me subvencione të parazitizmit, me subvencione të status quos, me subvencione të një niveli nga ku kanë mundur të ngrihen vetëm ata që i kanë besuar dijes, i kanë besuar bashkimit të forcave dhe i kanë besuar konkurrencës në tregje të tjera. E, nëse shohim sot shembujt e suksesit që nuk janë pak, për fat të mirë, në territorin e Shqipërisë, e kemi shumë të qartë sesa e nevojshme është kjo që po bëjmë sot dhe sa e nevojshme është gjithë ajo që ka ndodhur në ndryshimin e qasjes së përcaktuar nga Qeveria, qysh në krye të herës, në raport me sektorin, për të krijuar kushtet që të tjerë shembuj suksesi të lindin dhe të zhvillohen dhe për të krijuar kushtet që më në fund, fshati, fermeri të kuptojë se nuk duhet t’i drejtohet Qeverisë për lëmoshë, por duhet t’i drejtohet Qeverisë, përmes institucioneve përkatëse, me ide, me projekte dhe me kapacitete të reja absorbuese. Qoftë të fondeve të vendosura në dispozicion nga buxheti i shtetit, qoftë të fondeve që përftohen nga Qeveria përmes strukturave europiane. Është fakt që, nëse shohim volumet mundshme që mund të thithim si vend nga mbështetja europiane dhe kapacitetin aktual të kapitalit tonë njerëzor në sistem për të realizuar këtë thithje, jemi në një situatë prapambetjeje alarmante. Kjo është një sfidë e dyfishtë; Është sfida jonë për të krijuar kushtet që strukturat tona, strukturat shtetërore të jenë përçuese të dijes, të jenë mbështetëse të fermerëve, për të orientuar gjithë procesin e organizimit dhe të realizimit të projekteve dhe nga ana tjetër, për të garantuar që kapitali njerëzor në fshat dhe kapacitetet për t’iu drejtuar strukturave përkatëse të rriten.
Është Komisioni i Bashkimit Europian, edhe Komisioni i ri i Bashkimit Europian, që përsëri nënvizon rëndësinë e bujqësisë si instrument kryesor në luftën me varfërinë, në nivelin europian në tërësi. Edhe pse viti financiar që po mbyllim ka qenë një vit jashtëzakonisht i vështirë, për shkak të trashëgimisë së rënduar, buxheti për bujqësinë dhe në dispozicion të zhvillimit rural u rrit me 71%, si provë e vullnetit tonë për të dhënë maksimumin në nxitjen e kësaj përparësie kryesore. Pavarësisht vështirësive objektive, ne do të vazhdojmë ta rrisim buxhetin dhe mbështetjen. Por, dua të jem shumë i drejtpërdrejt dhe shumë i hapur me të gjithë ju që jeni pararoja, po themi, qoftë politike, qoftë institucionale e sektorit dhe me të gjithë njerëzit e sektorit, që sfida jonë nuk është thjeshtë të rrisim buxhetin, por sfida jonë është të arrijmë që ta bëjmë sistemin të aftë të absorbojë çdo qindarkë të këtij buxheti. Sepse, nuk e kemi luksin që të mos realizojmë fondet e vëna në dispozicion. Sikundër, s’e kemi fare luksin, që të kemi nivelin skandaloz të absorbimit të fondeve europiane, që kemi pasur në të gjitha vitet pararendëse.
Këtë vit, edhe falë investimit serioz në sistem të Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, në funksion të informimit dhe në funksion të dialogut me forcat në terren, vihet re një kthesë. Por është një kthesë ende shumë e zbehtë, sepse është vetëm fillimi dhe është një kthesë që duhet të forcohet vit pas viti, në funksion të gatishmërisë së vendit tonë, të shtetit tonë, të sektorit për të absorbuar fondet që vijnë nga burimet e financimit të Bashkimit Europian.
Ndërkohë, para një jave, falë punës së kryer nga Ministria e Bujqësisë, nën drejtimin me kompetencë dhe integritet të lartë të Ministrit të Bujqësisë, ne kemi paraqitur edhe një paketë mbështetjeje për bujqësinë që përfshin 26 masa, 13 prej të cilave janë tanimë në rrugën e zbatimit dhe 13 të tjera janë në proces për t’i zgjidhur vitin e ardhshëm. Masa që kanë rezultuar si masa të domosdoshme për t’i dhënë një frymëmarrje të re sektorit, mbështetur mbi dialogun që është zhvilluar në gjithë territorin me njerëzit e sektorit, duke marrë prej tyre shqetësimet, duke mbledhur prej tyre idetë dhe duke u dakordësuar për çka mund të bëjmë në të gjitha nivelet e mbështetjes së sektorit. Për herë të parë, Qeveria paraqet një paketë horizontale mbështetje për bujqësinë, për agroindustrinë dhe për peshkimin, me synim zgjerimin e aktivitetit ekonomik në këta sektorë dhe rritjen e efektshmërisë së sektorëve me 90%, krahasuar me 2012-n dhe 2013-n dhe 46%, krahasuar me 2014-n, të fondeve mbështetëse të sektorit.
Besoj se, projekti i buxhetit që do të miratohet në ditët në vijim vlen jo thjesht për shumën që rritet përsëri, vënë në dispozicion të sektorit, por për faktin se është një shumë që adresohet në funksion të një reforme të thellë strukturore që sapo ka filluar në sektor. Rritja e efektivitetit të skemës së mbështetjes së fermerëve, përmirësimi i infrastrukturës së ujitjes dhe të kullimit, si dhe vendosja gjithmonë e më shumë para syve të të gjithë njerëzve të sektorit dhe shembujve të suksesit që krijojnë zinxhir vlerash besojmë se do të sjellë vlerë të shtuar vitin e ardhshëm. Nga ana tjetër, lehtësimi i agropërpunuesve duke njohur 20% të TVSH të zbritshme për furnizimet nga fermerët, nga 6% që ishte më parë, besojmë se është një hap i konsiderueshëm që ka ardhur si rezultat i shtytjes nga vetë agropërpunuesit dhe i nevojës së sektorit të agropërpunimit për t’u zgjeruar.
Përjashtimi në import nga TVSH-ja për mjetet dhe makineritë agroushqimore ka sjellë qysh këtë vit, një rritje të konsiderueshme të importit të këtyre mjeteve, që ne e shohim si një shenjë shumë domethënëse se ka një vetëdije gjithmonë e më të madhe se ky është një sektor i gjithi për t’u zbuluar. Përfshirja e disa sipërmarrësve, që deri dje kanë akumuluar kapital, por nuk e kanë pasur vështrimin mbi bujqësinë, në sektorin e bujqësisë është një shenjë tjetër shumë inkurajuese. Ne do të bëjmë shumë më shumë, për të inkurajuar sipërmarrësit, sipërmarrës me kapitale në dispozicion në të tjerë sektorë, që të kthejnë sytë nga bujqësia dhe të shikojnë tek sektori i bujqësisë, oportunitetet e reja që janë krijuar dhe po krijohen për të investuar kapitalet.
Besoj që, është koha për ta nënvizuar me forcë në çdo instancë dhe para çdo audience se kërkesës për të ashtuquajturin subvencionim në bllok, masiv dhe pa transparencë, të naftës për prodhim bujqësor i ka kaluar koha një herë e mirë. Ne kemi vendosur të përjashtojmë nga taksa e qarkullimit dhe e karbonit për karburantet, sektorin e peshkimit, ashtu sikundër bëmë një përjashtim që na solli rezultat konkret për serat, gjatë këtij viti. E bëjmë këtë, sepse jemi të vetëdijshëm për dy gjëra;
E para, që kjo skemë nuk rrezikon të kthehet në një tjetër vrimë të zezë spekulimesh e korrupsioni.
E dyta sepse përmes kësaj mbështetjeje direkte, sektori do të ketë një përfitim direkt.
Ndërkohë që për pjesën tjetër, të gjithë duhet ta dinë dhe duhet të informohen se nafta për bujqësinë është plotësisht e subvencionueshme, por përkundër faturës. Subvencion pa faturë, subvencion paraprak, shpërndarje paraprake të naftës, medemek se po lehtësojmë fermerin dhe pastaj, krijim të një industrie paralele korrupsioni, nuk do të ketë më! Ndërkohë që për çdo fermë dhe për çdo aktivitet të formalizuar është absolutisht në dispozicion edhe subvencioni përkatës.
Heqja e tarifave doganore për grurin, materialin biologjik, miellin, ushqimin për kafshët, kafshët për mbarështim është një tjetër masë komplekse që futet në paketën e re fiskale si produkt i dialogut të drejtpërdrejtë me njerëzit e sektorit dhe si nevojë për t’i dhënë një shtytje të re të gjithë këtij procesi, që nis me hartën e re të rajonizimit të prodhimit.
Po ashtu, rishikimi i taksave për importin e lëndëve të para, të kafshëve për mbarështim dhe heqja e taksës për importin e materialit biologjik besojmë që do të ulë ndeshëm kostot e prodhimit vendas. Një tjetër problem që e kemi hasur më parë tek industria fason dhe që e kemi rihasur edhe në sektorin e bujqësisë, ka qenë domosdoshmëria për të shmangur penalizimin për diferencat në peshë. I jemi përgjigjur drejtpërdrejtë kësaj nevoje në paketën e re fiskale, duke shtuar, po ashtu edhe përjashtimin nga TVSH-ja në import të kafshëve të gjalla për majmëri.
Dy fjalë për këtë moment.
Besoj që ky moment shënon një përforcim të asaj kthese që ka nisur në sektor, duke i dhënë një orientim shumë të qartë të gjithë atyre që duan t’i adresohen strukturave të shtetit për mbështetje. Pra, bazuar mbi këtë hartë, çdo fermer do ta ketë qartë se në pozicionin gjeografik ku zhvillohet aktiviteti i tij Qeveria mbështet këtë numër të caktuar kulturash dhe i përgjigjet projekteve që vijnë për t’i dhënë nxitje këtij zhvillimi. Sigurisht që, kjo hartë nuk është detyruese për individët, por përbën një instrument transparence detyrues për Qeverinë, në raport me individët. Na jep mundësinë që të shmangim shumë nga gafat e pafalshme që janë bërë në vite, të copëzimit të mbështetjes financiare, duke mos marrë në konsideratë asgjë tjetër, përveç individit që vjen përballë me një kërkesë dhe duke dhënë para për të shkuar tërësisht në kundërshtim me kushtet klimaterike, me kushtet gjeografike, me kushtet e transportit e me radhë e me radhë të gjitha kriteret që e kanë përcaktuar këtë hartë.
Nga ana tjetër, ne duhet të jemi të vetëdijshëm se kjo hartë na çon në një kapitull tërësisht të ri. Po të shohim sesi si është e shpërndarë vetë harta europiane e prodhimit bujqësor, ndeshim të njëjtën gjë. Për shembull, duke iu referuar Institutit Europian të Statistikave, 1/3 e plantacioneve të frutave dhe manaferrave të Europës e ka Spanja dhe e 1/3 e prodhimit europian në këtë aspekt e përballon Spanja. Të tjerët nuk kanë tendencë të rriten as në sipërfaqe plantacionesh frutash dhe as në volume për prodhimin e manaferrave, por përkundrazi, kanë tendencë të ulen, duke lënë më shumë territor në këtë aspekt për Spanjën.
Nga ana tjetër, Polonia është lider europian në prodhimin e mollëve. 32.6 % e tokës bujqësore të mbjellë me mollë në Bashkimin Europian e ka Polonia. Llogariteni se sa më shumë se 32.6 është territori i Polonisë i mbjellë me mollë. Pra, duke i’u referuar një situatë të caktuar gjeografike, duke iu referuar një kompleksiteti kriteresh, bujqësia në Poloni është fokusuar, në radhë të parë, tek molla dhe jo me idenë që të prodhojë gjithçka për të mbetur pastaj mbrapa në gjithçka.
Këto janë të dhëna që tregojnë se çfarë rëndësie ka rajonalizimi në bujqësi, si një instrument për të maksimizuar përfitimin. Po ashtu si një territor për të lehtësuar dhe nxitur specializimin në atë që çdo zonë mund të bëjë më mirë, me më pak shpenzime, për të përfituar më shumë të ardhura.
Rajonalizimi është, po ashtu, një strategji alternative menaxhimi toke. Çka do të thotë se nëse në një territor të caktuar qeveria incentivon vetëm mollën, atëherë, vetvetiu, në mënyrë të natyrshme, fillon edhe një ndryshim i situatës së fragmentimit të tokës. Pasi, pa pasur nevojë të bashkohen në forma legale të komplikuara, njerëzit bashkohen pikërisht tek investimi në të njëjtën kulturë. Kështu, i gjithë procesi sjell pastaj maksimizimin e përfitimit nga i njëjti territor, sado i fragmentuar të jetë ai. Po ashtu, rritja e eksporteve është një instrument që nxit krijimin e një marke prodhimi shqiptare dhe që, sigurisht, e forcon fermerin shqiptar.
Po të shikojmë objektivat afatgjatë të identifikuar nga Komisioni Europian në lidhje me politikën e zhvillimit rural, gjatë periudhës 2014-2020, – i referohem Komisionit të ri Europian, – në lidhje me vizionin “Europa 2020” dhe me objektivat e skemës së përbashkët bujqësore të Bashkimit Europian, janë tre objektivë afatgjata:
E para, është rritja e konkurrencës në bujqësi. Këtu ne duhet të jemi të gjithë të vetëdijshëm që mund të kemi bërë shumëçka, por asnjëherë nuk i jemi referuar sektorit të bujqësisë si një sektor të konkurrencës. Gjithmonë i jemi referuar si një sektor të barazisë pa konkurrencë dhe të vëmendjes së barasvlefshme për të gjithë, duke i lënë të gjithë me një nivel, ku as konkurrenca dhe as përfitimi nga konkurrenca nuk gjejnë hapësirën e nevojshëm për t’u zhvilluar.
Së dyti, mbrojtja dhe menaxhimi i qëndrueshëm i burimeve natyrore.
Së treti, sigurimi i një zhvillimi territorial të baraspeshuar në zonat rurale.
Rajonalizimi, besojmë që shkon në dobi të përbashkët dhe i ndihmon që të adresohen të 3 këto objektiva që janë natyrshëm edhe objektiva për ne.
Duke konsoliduar fermën familjare, ne paralelisht duam që të rishikojmë një sërë dispozitash të Kodit Civil në një familje fermere, që lidhet me trashëgiminë. Për të mos lejuar copëzimin e mëtejshëm të fermave, por përkundrazi, për të shkëputur konceptin e trashëgimisë, siç ndodh kur ndahet një shtëpi në 4 pjesë dhe për ta lidhur konceptin e trashëgimisë në fshat me Kodin Civil Europian.
Më lejoni ta mbyll me një frazë, që besoj e përmbledh këtë fjalë të rastit, të Presidentit të Parlamentit Europian Martin Schulz, i cili thotë: “Fermerët e sotëm janë njerëzit e rilindjes. Ata duhet të zotërojnë miksin e duhur të dijes mbi shkencën, ekonominë, sipërmarrjen dhe duhet të kenë një vetëdije të lartë mjedisore për të përballur sfidat e të ardhmes”. Pa as më të voglin dyshim, besoj unë, bujqësia sot, shumë më tepër sesa subvencion, në kuptimin e vjetër të fjalës, është investim në dije, në inovacion dhe për progres. Është një investim që, sigurisht, jemi ne të parët që duhet ta bëjmë, për t’i dhënë një cilësi të re strukturave tona në territor, për t’u kthyer Drejtoritë e Bujqësisë në struktura që dinë dhe përçojnë dije, në struktura që kanë informacion dhe përçojnë informacion, në struktura që janë mbështetje e fermerit për t’u orientuar në rrugët e komplikuara të aplikimit dhe të realizimit të fondeve nga Bashkimi Europian dhe në struktura që janë ajka e kapitalit tonë njerëzor.
Kjo është një sfidë e madhe!
Dua ta falënderoj dhe ta përshëndes me gjithë zemër Ministrin e Bujqësisë dhe të gjithë stafin, sepse besoj që kjo punë, që sot rezulton në këtë produkt, për të cilën është folur 20 vjet rresht dhe 20 vjet rresht është lënë pas dore për 1001 arsye të mosarsyes politike, elektorale e çfarë të doni, përbën një gur themeli shumë të rëndësishëm për atë që duam të ndërtojmë të gjithë sëbashku.
Faleminderit, kujtdo këtu që ka qenë pjesë e kësaj pune. Jo vetëm njerëzve të Ministrisë, por edhe shumë ekspertëve të sektorit që janë përfshirë në këtë proces. Jam shumë besimplotë që kemi vendosur një gur të rëndësishëm themeli, sigurisht për të ndërtuar gur pas guri një kala që është ende larg së qeni ajo që të gjithë duam.
Shumë faleminderit!
***
Nga sot, për fermerët shqiptarë është në dispozicion Harta e Rajonalizimit të Prodhimeve Bujqësore. Një formë kjo, organizimi dhe mbështetjeje për bujqësinë, që aplikohet për herë të parë në Shqipëri.
Në konferencën me temë “Bujqësia e së ardhmes”, së cilës iu drejtua edhe Kryeministri Edi Rama, u theksua se rruga e re e Qeverisë për bujqësinë dhe zhvillim rural është ajo e zhvillimit përmes prodhimit dhe konkurrencës.
Në funksion të kësaj qasjeje të re u vlerësua edhe Harta e Rajonalizimit të Prodhimeve, që nxit formalizimin e sektorit të bujqësisë, ndërsa shërben për të orientuar prodhimin bujqësor drejt kushteve specifike të zonave të veçanta dhe kërkesave të tregut.
Ministri i Bujqësisë Edmond Panariti u shpreh se organizimi i prodhimit bujqësor përmes rajonalizimit vendos një raport transparent mes fermerit dhe Qeverisë, duke përcaktuar se cilat kultura bazuar në këtë hartë do të jenë prioritare dhe forma e mbështetjes së tyre.