Fjala e kryeministrit Edi Rama në dëgjesën publike ku u prezantuan, Plani i Përgjithshëm Kombëtar, Plani i Integruar Ndërsektorial të Bregdetit, si dhe Plani i Integruar Ndërsektorial i Zonës Ekonomike Tiranë-Durrës:
Përshëndetje!
Së pari, jo për formalitet, por për hir të së vërtetës dua që ti falenderoj të gjithë përfaqësuesit e armatës së ekspertëve vendas dhe të huaj, që morën përsipër të bëjnë këtë prezantim. Megjithëse disa prej tyre i njoh dhe ia u njoh mirë edhe cilësitë, disa prej tyre kur i pashë që dolën, thashë që do të thonë njerëzit, se ç’janë këta kalamaj që na tregojnë se si do të jetë Shqipëria në 2030. Por të gjitha prezantimet ishin vërtetë bindëse dhe imponuese, me elokuencë dhe argumenta. Kështu që komplimente për prezantimet dhe për punën e bërë.
Për hir të së vërtetës ne kemi përcaktuar në programin tonë qeverisës objektivin e hartimit të një Plani të Përgjithshëm Kombëtar, që unë për eksperiencë e di mirë se çfarë sfide e jashtëzakonshme është dhe që nuk parashikoja që do të ishim në një fazë kaq të avancuar në vetëm dy vite e pak, kjo sepse një Plan i Përgjithshëm Kombëtar është një sfidë shumë komplekse.
Nuk është kurrsesi sfida e një grupi urbanistësh apo arkitektësh të mbyllur në atelie, por është një sfidë e një rrjeti të tërë institucionesh, e një rrjeti të tërë burimesh të dijes dhe e një tërësie eksperiencash, por mbi të gjitha është një proces që bazohet shumë në të dhëna faktike të integruara. Ky ka qenë problemi i parë i madh dhe më kryesori me të cilin jemi hasur sepse kemi marrë përsipër të qeverisim në një shtet që nuk është shtet dhe që nuk ka inventarë. Një magazinë e madhe pa inventarë, ku është dashur një punë me një pasion arkeologjik për të bërë gërmime në çdo skutë të kësaj magazine dhe për të nxjerrë të dhëna, për të nxjerrë edhe një historik të planeve dhe pastaj për të filluar për të bërë analiza, etj.
Ky është një moment i rëndësishëm, sepse mesa duket drafti është vërtet shumë i avancuar. Ka sigurisht ende punë për të shkuar drejt një finalizimi dhe duhet të jemi të qartë për një gjë që, nëse ka një ndryshim cilësor midis këtij plani të Përgjithshëm Kombëtar dhe gjithçkaje që është planifikuar në Shqipëri në këto 20 e kusur vite, është se ky është një Plan i Përgjithshëm Kombëtar që nuk synon të jetë një hartë e ngrirë e territorit, ku pastaj duhet që të gjithë ecurinë e këtyre viteve, cilido që e përdor këtë plan të jetë i ngrirë dhe të veprojë në mënyrë mekanike në funksion të realizimit të planit.
Këto lloj planesh kanë vdekur me kohë dhe kjo mënyrë planifikimi tanimë i përket shekullit të kaluar dhe nuk është më një metodë dhe as një kulturë planifikimi që mund të përdoret në ditët e sotme. Nuk e përdor Gjermania, ku është absolutisht e pamundur të hidhet pa plan edhe lëvozhga e një arre që thyhet për t’u ngrënë dhe jo më të zhvillohet pa plan një vend i tërë. Nuk e përdor më asnjë vend europian dhe s’mund ta përdorë dot Shqipëria.
Qasja ndaj kësaj sfide me një filozofi të re dhe bashkëkohore dhe me një kulturë të re dhe bashkëkohore planifikimi, duke e trajtuar territorin si një organizëm dhe duke e synuar planifikimin si një proces të metabolizmit të të gjithë organizimit, përbën një risi të rëndësishme dhe njëkohësisht edhe një mundësi të rëndësishme që ky plan të mund të rimerret dhe të pasurohet në vijim nga të gjithë ata që do ta përdorin, qofshin institucionet qendrore, qofshin ato vendore, apo sipërmarrjet. Nëse do të bëja një perifrazim që i shkon këtij procesi është një shprehje që thotë “progresi i rëndësishëm në territor është gjithmonë i mundur nëse ne planifikojmë çdo detaj, por e lejojmë ndërhyrjen e fatit sipas kushteve tona”.
Në këtë rast ndërhyrja e fatit nuk është ndërhyrja e Zotit për përmbytjen e radhës, por është çdo ndërhyrje që vjen si një proces inovativ dhe kreativ në territor.
E theksova dy herë që është një draft i avancuar sepse plani përfundimtar do të jetë rezultat edhe i këtij procesi konsultimesh, por edhe një procesi distancimi të përkohshëm të vetë atyre që e kanë konceptuar dhe hartuar, për ta ballafaquar me një vështrim më të freskët kritik dhe duke e riballafaquar edhe me atë rreth ekspertësh të shquar ndërkombëtare, që ne kemi mundur ti afrojmë falë ideve dhe falë energjive që ata kanë zbuluar tek ne, me dëshirën e madhe për t’ia dhënë më në fund Shqipërisë, një Plan të Përgjithshëm Kombëtar që të jetë një instrument në dorën e kujtdo që ka një lidhje me procesin e zhvillimit dhe që ka një mundësi apo një nevojë për të dhënë kontribut në procesin e zhvillimit, pra një qënie të gjallë që ndërvepron me të gjitha subjektet e interesuara dhe jo një rregullore të ftohtë dhe rigjide, që shpesh herë është e pamundur të zbatohet.
Ajo që ka ndodhur në këto 20 e kusur vite është se janë harxhuar para pa fund, energji pafund, kohë pafund për të bërë plane nga më të ndryshme që nga nivelet e njësive më të mëdha, deri tek njësitë më të vogla, që nga strategjitë e mëdha kombëtare, deri tek strategjitë sektoriale. E faktikisht po të shikojmë çfarë është shkruar dhe çfarë është realizuar nuk kanë fare lidhje me njëra tjetrën.
Mund t’iu sjell një shembull, ndër shumë të tjerë. Shqipëria në 20 e kusur vite ka bërë 72 strategji kombëtare dhe dokumenta strategjikë për ujin dhe Shqipëria sot vazhdon të mos ketë burime ujore të mirëadministruara. E nëse e krahasojmë me Izraelin që është një vend pa ujë, Shqipëria si vendi i dytë më i pasur në Europë është shprehja më kuptimplotë e gjëmës që të bën padituria dhe paaftësia për të planifikuar shfrytëzimin e pasurive që ke në dispozicion.
Mua më vjen shumë për shtat të përsëris një shprehje që i shkon “mot a mot” mënyrës se si i është zhvilluar vendi ynë në këto 20 e kusur vite, që thotë se “rritja për rritje është ideologjia e qelizave të kancerit”. Në fakt, nëse do të shikojmë Shqipërinë në këto 25 vite me një vështrim retrospektiv për të parë se nga ku ka filluar rruga e rritjes dhe ku kemi arritur, është e vërtetë që Shqipëria ka ndryshuar rrënjësisht, por është një rritje që është larg së qeni zhvillim i qëndrueshëm.
Nëse i referohemi mënyrës se si janë rritur njësitë tona të bashkëjetesës dhe të banimit, ngjan shumë më tepër me një rritje kancerogjene, se sa me një zhvillim të qëndrueshëm.
Ne kemi pasuri natyrore të jashtëzakonshme për nevojat tona dhe zhvillimin në këto 20 e kusur vite e kemi parë si shfrytëzim pa kriter dhe pa karar të tyre. Sot, i ngjajmë një familje që frigoriferin e mbushur plot, e zbraz që ditën e hënë dhe pastaj vjen mesi i javës dhe frigoriferi është bosh. Nëse do të bëjmë një llogari se çfarë kemi shkatërruar për të ndërtuar ato që kemi ndërtuar, llogaria do të jetë me një bilanc shumë negativ. Vërtet kemi ndërtuar pa fund njësi banimi, por nëse do të llogarisim sa dhe si kemi shfrytëzuar pyjet, shtretërit e lumenjve, lëndën e parë dhe çfarë kemi marrë, shtuar këtu edhe tkurrjen e këtyre potencialeve dhe pastaj do të kthejmë vështrimin 25 vjet më tutje, atëherë bilanci është negativ dhe rritja nuk është e qëndrueshme.
Së dyti, nëse shohim edhe zhvillimin e hapësirës urbane, atëherë ne kemi bërë një zhvillim si një kryengritje individuale. Pra, një zhvillim kryengritës i individëve, jo një zhvillim që bazuar tek fuqia dhe mundësia e individëve për t’u zhvilluar të jetë orkestruar në mënyrë të atillë që të jetë i qëndrueshëm. Faktikisht, mjafton të shikosh nga lart territoret tona për të parë se si zhvillimi ynë në hapësirën urbane është si produkt i një kryengritje individuale të çdokujt që ka dashur të ngrejë mbi tokë shtëpinë, pallatin apo ngrehinat e tjera.
Së treti, ne kemi shfrytëzuar tokën bujqësore si një abuzim me ushqimin e fëmijëve tanë, me ushqimin e gjeneratave të tjera. Nuk ka asnjë rast tjetër, nuk ka asnjë vend tjetër në Europë, në asnjë periudhë historike, që të ketë ndërtuar kështu siç kemi ndërtuar ne mbi tokën e bukës dhe jo vetëm kaq, por të ketë ndërtuar kështu siç kemi ndërtuar ne, duke mos e menduar për asnjë moment se si rezultat i këtyre ndërtimeve jo vetëm tkurret fondi i tokës që i takon gjeneratave të tjera, por përshpejtohen edhe të gjitha proceset e erozionit dhe të degradimit të natyrës që kthehen pastaj në një hakmarrje të natyrës ndaj njerëzve, me përmbytjet, me rrëshqitjet dhe me të gjitha kusuret e tjera.
Së katërti, uji që për ne është një pasuri e madhe kombëtare, pra sektori i ujit është pasqyra ku ne mund të shikojmë paditurinë tonë kolektive, të mishëruar dhe të materializuar në mënyrë tragjike në paditurinë e atyre që kanë pasur përgjegjësinë ta qeverisin këtë vend dhe të administrojnë këtë pasuri kaq të madhe.
Ne kemi një pasuri kaq të madhe ujore dhe një pasuri kaq të madhe hidro-energjitike sa që është e pamendueshme që pas gjithë këtij procesi 20 e kusur vjeçar, të jemi në kushtet kur duhet të bëjmë beteja kaq të vështira dhe kaq të dhimbshme për të siguruar energjinë elektrike, për të siguruar ujin e pijshëm, për të siguruar ujin për tokën e bukës dhe për t’u mbrojtur nga uji.
Stërgjyshërit tanë nuk kanë qenë teorikisht kaq të ditur, kaq të informuar, kaq të njohur me botën, por kurrë, që nga alpet deri poshtë në kufirin fundor të vendit nuk kanë bërë një shtëpi në shtratin e një lumi. Nuk kanë ndërtuar kurrë mes tokës që duhet të mbillnin për bukë. Mënyra se si i kanë ndërtuar fshatrat, mënyra se si i kanë ndërtuar kullat, mënyra se si i kanë ndërtuar shtëpitë është një leksion i madh dhe një shuplakë e madhe për mënyrën se si i kemi ndërtuar ne. U desh të vinte demokracia që ne të marroseshim në pikën që të ndërtonim mbi shtretërit e lumenjve dhe t’i ekspozoheshim vetë, në mënyrë komplet të harbuar, rrezikut të përmbytjeve.
E fundit është raporti që vendosi ky proces zhvillimi me bukuritë. Bukuritë janë aseti më i madh i Shqipërisë. Bukuritë natyrore dhe larmia e gjithë fizikut të këtyre 28 mijë kilometrave katrorë është një aset i jashtëzakonshëm. Zhvillimi ynë i këtyre viteve ka ardhur si shëmtim, jo si rivlerësim dhe faktorizim i bukurisë në funksion të zhvillimit, por ka ardhur si një fuqi shëmtuese, kudo ku ka arritur të shkelë. Brenda kësaj janë edhe komponentët e ndryshëm që nga peisazhi, deri tek trashëgimia jonë kulturore. Të bësh sot këtë proces është një sfidë shumë e madhe për t’i dhënë sens gjithë rrugës së zhvillimit dhe për t’i dhënë mundësi vendimmarrësve që të jenë të orientuar në një proces zhvillimi që është gjithmonë i kërcënuar nga flukset, nga presionet nga më të ndryshmet që janë legjitime.
Plani nuk i ndalon abuzimet. Është një mënyrë të menduari dritëshkurtër e njerëzve që nuk kuptojnë nga kjo punë. Mund të bësh plane sa të duash, por plani nuk i ndalon abuzimet. Abuzimet i ndalon shteti, i ndalon rendi ligjor dhe kur isha kryetar bashkie unë kam qenë shpesh nën akuzën që pse zhvillimi nuk është plotësisht i kontrolluar, si ka mundësi që ndërtohen të tilla ngrehina që janë rëndom të shëmtuara e kështu me radhë, ndërkohë që po të bënim një sesion për të parë lejet e ndërtimit, pra projektet me realitetin, janë dy gjëra krejtësisht të ndryshme; çfarë miratohet në një leje dhe se çfarë shkon e ndërton tjetri. Sepse mungonte në mënyrë konstante hallka e ndërmjetme që është hallka e kontrollit.
Unë besoj që përpjekja jonë për ndalimin e hemoragjisë së ndërtimeve pa leje dhe të abuzimeve me lejet e ndërtimit, që kjo pjesa e dytë është e gjitha një sfidë për t’u fituar dhe është larg së qenit e fituar është një mbështetje për këtë instrument, sepse mund të bësh një vizion, mund të bësh një strategji, mund të bësh një plan për 30-50 vitet e ardhshme dhe mund të gjendesh pas dy vitesh që treçerekun e gjerave që ke planifikuar nuk i bën dot më, sepse aty ku ke planifikuar nuk është më i njëjti realitet.
Prandaj plani nuk e imponon zhvillimin, por e orienton zhvillimin. Prandaj gjithmonë rolin kryesor e ka pasur, e ka, dhe do ta ketë vendimmarrja, por një vendimmarrje e orientuar me një plan zhvillimi të ndërtuar mbi këtë filozofi dhe si një instrument që është mbështetës dhe jo pengues, është një garanci e madhe për të marrë vendimet e duhura.
Plani nuk mund t’i parashikojë tendencat e zhvillimit, por plani mund të orientojë se ku janë rrugët e zhvillimit dhe sigurisht që duke qenë i ndërtuar me këtë filozofi, pra shkurt për ta thënë – sepse po më tregonte një mik aty se kur u bë takimi juaj me grupin e interesin të ndërtuesve të gjithë shikonin këto dhe i dukej sikur shikonin filma multiplikative, ndërkohë që ata donin të shikonin njollat ku do të bënin pallatet, – nuk është ky një plan që mund të orientojë zhvillimin, ai është një plan që i përket të shkuarës dhe është vetëm pengesë për zhvillimin.
Një zhvillim i penguar është një zhvillim që pastaj merr format e papërmbajtshme dhe deformuese në territor. Nuk mund të përmbahet dot kapaciteti për t’u zhvilluar i një vendi dhe një populli, e për më tepër një populli që ka dalë nga një histori aq e vështirë dhe aq e zymtë si e jona, e nga një periudhë aq e gjatë historike pamundësie për t’u zhvilluar, pamundësie për të zhvilluar pronën e vet, pamundësie për të zhvilluar rrugën e vet individualisht ose kolektivisht.
Ajo që mund të bësh është ta orientosh dhe të bashkëpunosh që në rrugën e zhvillimit të gjithë përfitojnë, të gjithë të kuptojnë interesin që kanë për t’iu nënshtruar këtij procesi.
Unë jam shumë besimplotë sot që ky proces do të jetë i suksesshëm dhe që ky plan do t’i qëndrojë kohës. Do t’i qëndrojë kohës, në mos për të tjerat, për një arsye shumë të thjeshtë, sepse është një libër i hapur. Nuk është si planet e bëra deri më sot, ku të gjithë kapitujt janë të shkruar, janë të vulosur dhe i imponohen jo thjesht qeverisë tjetër apo trupave të tjerë vendimmarrës, por i imponohen të gjithë faktorit të zhvillimit. Është një libër i hapur që mund dhe duhet të pasurohet në vijimësi me të gjitha të rejat që sjell qoftë realizimi i procesit të zhvillimit, qoftë edhe që sjell dija dhe eksperienca.
Ajo që është themelore është që ky plan na jep mundësinë që në vijat e përgjithshme të dimë se si të evitojmë gabimet e vjetra dhe si të krijojmë kushtet që të gjithë ata që duan të kontribuojnë për zhvillimin të kenë në dorë një instrument. Që nga një investitor që do të kontribuojë në turizëm, tek një sipërmarrës që do të zhvillojë pronat e veta ose të të tjerëve për interesa komerciale, për njësi banimi apo për njësi shërbimi, – tek investitorët dhe sipërmarrësit që duan të zhvillojnë aktivitetin e tyre në bujqësi dhe pa dyshim tek të gjithë ata që kanë detyrimin si vendimmarrës të balancojnë pasuritë tona kombëtare, pasuritë tona natyrore, nevojën për të ruajtur peisazhin dhe trashëgiminë kulturore, me të gjitha ekzigjencat dhe nevojat e zhvillimit.
Kështu që edhe një herë tjetër komplimente për punën e bërë, kush di sadopak nga hallet e kësaj pune – dhe unë hyj tek ata që nuk dinë shumë, por dinë sadopak për hallet e kësaj pune, – e kupton fare mirë se çfarë volumi i madh pune qëndron mbas këtyre filmave multiplikativë që janë një sintezë për të lehtësuar tregimin për të gjithë ata që duan sot të dinë se për çfarë bëhet fjalë në Planin e Përgjithshëm të Zhvillimit.
Ndërkohë që në draftin e përfunduar jam i bindur që gjithkush që ka pjesë në zhvillimin e vendit dhe këtu pjesë kemi të gjithë, të mund të gjejë pjesën që i takon në gjithë këtë dokument të rëndësishëm dhe voluminoz strategjik për vizionin e Shqipërisë së 15 viteve të ardhshme, që në fakt është rruga e këtyre 15 viteve të ardhshme.
U ndjeva pak i sikletosur kur njëra nga vajzat tha që kaloi shumë shpejt ky vit. Kanë kaluar shumë shpejt këto 20 vjet dhe duke parë vajzën dhe duke parë me sytë e mendjes veten time, thashë kur qahet kjo për sa shpejt i ikën vitet, unë normalisht nuk duhet ta merrja fjalën dhe s’duhet të merrja kurajën që të mbaja një fjalë për 15 vitet e ardhshme. Por besoj që me lejen e pronarit të kësaj katedraleje që është Zoti vetë, mbase do të kemi mundësi që mbas 15 viteve të ardhshme të kemi një tjetër takim me Dudushin këtu, jo më si faktor zhvillimi, por si veteranë që do të mund të ndajnë kujtimet e tyre për ecurinë e këtij plani që pas as më të voglin dyshim është një sfidë më vete për t’u hartuar, por është një luftë e madhe për t’u realizuar.
Nuk është një luftë botërore, as një luftë ballkanike, por është një luftë mirëfilli shqiptare dhe luftërat mirëfilli shqiptare, ne të gjithë e dimë që nganjëherë janë më të paparashikueshme edhe se sa luftërat botërore, edhe se sa luftërat ballkanike.
Shumë faleminderit!
***
Tre plane të rëndësishme zhvillimore, iu prezantuan sot qytetarëve të Tiranës, në një dëgjesë publike, të organizuar nga Ministria e Zhvillimit Urban dhe Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit, të cilat pas dy viteve punë intensive sjellin me sukses, Planin e Përgjithshëm Kombëtar, Planin e Integruar Ndërsektorial të Bregdetit, si dhe Planin e Integruar Ndërsektorial të Zonës Ekonomike Tiranë-Durrës.
Në kuadër të fushatës Shqipëria 2030, këto plane, të cilat hartohen për herë të parë do të paraqiten publikisht për të nxitur dialogun tek qytetarët nëpërmjet pyetjeve dhe sugjerimeve, për të ndërtuar së bashku Shqipërinë e 2030!
Vënia në zbatim e këtyre planeve të rëndësishme kombëtare i jep fund zhvillimit kaotik dhe spontan të territorit, dhe mundëson ecjen në rrugën e zhvillimit të qëndrueshëm, afatgjatë dhe të planifikuar.