Kryeministri Edi Rama në takimin “Bashkia që duam”, në Përmet:
Faleminderit shumë për mikpritjen! Megjithëse është një ditë pushimi dhe është dhe një ditë goxha e ftohtë që po mbaron, ju jeni këtu për të na shprehur mbështetjen dhe unë e çmoj këtë jashtëzakonisht shumë. Ashtu sikundër e çmoj jashtëzakonisht shumë që besimi juaj mbetet i palëkundur dhe kam bindjen që besimi në këtë bashki do të jetë dhe baza e një ndryshimi që na duhet në zgjedhjet e qershorit, pasi unë nuk jam nga ata që flasin keq për kryetarët e bashkive që nuk janë të partisë, por sinqerisht, unë besoj se është kohë që kryetari i bashkisë të shkojë në shtëpi dhe që në bashki të jetë një njeri i zgjedhur nga të gjithë, por që vjen aty, jo për të shpenzuar taksat tuaja për të mbajtur me rroga njerëz mbi numrin e nevojshëm, por për t’jua kthyer ju dhe të gjithë përmetarëve shumëfish besimin dhe për të bërë për ju dhe për të gjithë përmetarët, shumëçka ne kemi nevojë sëbashku të bëjmë akoma.
Kryetari i bashkisë është këtu i zgjedhur me votat e atyre që më shumë se sa të votonin për të, votuan kundër kandidaturës tonë dhe na dhanë një mësim, por nga ana tjetër, unë kam bindjen se sot më shumë se asnjëherë, të gjithë e shohim të vërtetën e thjeshtë të një ndryshimi të madh mes nesh dhe atyre.
Përmeti i lënë pas dore, Përmeti për të cilin partitë dhe politikanët kujtoheshin vetëm kur kishte zgjedhje është sot një Përmet tërësisht i transformuar, krahasuar me ditën kur ju na besuat mandatin tonë të parë. Në 5 vjet e gjysmë, ne kemi bërë për Përmetin sa nuk ishte bërë në 25 vjet. Në 5 vjet e gjysmë, ne sigurisht nuk kemi zgjidhur të gjitha hallet dhe problemet, por ama kemi dhënë provën që jemi të vetmit që mund ta bëjmë Përmetin e mund ta bëjmë këtë vend, kjo nuk besoj se diskutohet.
Nga ana tjetër, unë besoj shumë që potenciali këtu është i jashtëzakonshëm dhe nuk jam aspak krenar për faktin që si kryeministër i këtij vendi, në vitin 2019 duhet të them që sot, ju keni ujë 24 orë sepse kjo nuk duhet të ishte një temë në një vend që jeton në shekullin e XXI, por ama, ujë 24 orë që sot është në të gjitha shtëpitë tuaja është prova e dallimit të madh mes nesh që ju thamë, “do ju sjellim ujë 24 orë”, dhe jua sollëm dhe atyre që ju thanë do ju sjellim ujë 24 orë dhe ju harruan për 24 vjet rresht.
Nga ana tjetër, ne sot patëm kënaqësinë të ishim sëbashku tek ish kopshti në mos gabohem, në lagjen e vjetër historike, ku një djalë përmetar i kthyer nga emigracioni, po bën një transformim për të krijuar një hotel që do të jetë një nga diamantet e gjithë kësaj zone, por ai hotel vlen si një shembull. Ashtu siç vlen si një shembull edhe hoteli tjetër që një tjetër djalë emigrant, bashkë me familjen e tij kanë ndërtuar nga hiçi, nga një godinë e vjetër e kohës së komunizmit. Ashtu sikundër edhe të tjerë në Përmet kanë transformuar shtëpitë apo struktura të vjetra në struktura mikpritjeje, vlejnë si shembull për atë që do të ndodhë vit pas viti e që shumë shpejt do të jetë një realitet për një industri mikpritjeje të krijuar nga njerëzit që do të jenë instrumenti më i mirë dhe më efikas për të luftuar varfërinë, për të luftuar papunësinë dhe për të luftuar edhe ikjen nga kjo zonë sepse nuk duhet shumë për të kthyer një shtëpi të varfër në një instrument fitimi, duke hapur derën dhe krijuar kushtet që të tjerë të vijnë aty për të gjithë ato gjëra që sëbashku e bëjnë Përmetin një mrekulli, për natyrën e mrekullueshme, për trashëgiminë kulturore, për traditën dhe për mikpritjen e njohur të përmetarëve.
Ne e kemi thënë dhe e përsërisim, agroturizmi, por edhe bujtinat që krijohen në zonat historike apo në shtëpitë tradicionale, që nga shtëpitë pasuri kulturore në Gjirokastër, deri tek shtëpitë në qendrën e vjetër të qytetit, përbëjnë një nga shtigjet e reja dhe shumë të suksesshme kudo në rajon dhe në botë për punësimin, për ekonominë familjare dhe për transformimin e vendit dhe të imazhit të tij.
Nga ana tjetër, sigurisht që ne e dimë shumë mirë që këtu ka probleme akoma plot me infrastrukturën në shumë fshatra dhe siç kemi transformuar gjithë zonën kryesore të qytetit, do vazhdojmë të shkojmë deri në çdo cep të qytetit dhe deri në çdo cep të Përmetit si bashki për të bërë të mundur që të gjithë të mund të përfitojnë nga ky ndryshim dhe mbi të gjitha, ata që vijnë, të jenë gjithmonë e më të shumtë në numër.
Lutem çdo natë, më besoni, para se të mbyll sytë dhe çdo mëngjes kur i hap sytë që kjo që na ka ndodhur javën e fundit të mos u kushtojë njerëzve punëtorë të këtij vendi që janë investuar në këtë drejtim. Të mos i kushtojë atyre që jetojnë me hotelet, që jetojnë me mikpritjen e bujtinave, që jetojnë me turizmin.
Përmeti, turizmin e ka bazën kryesore të të ardhurave të veta. Të mos i kushtojë atyre që presin sezonin turistik, një sezon turistik që duke ju referuar viteve të fundit, duhet të jetë në një rritje të madhe, por të dhënat e muajit të fundit nuk janë si të dhënat e çdo muaji më parë dhe çdo janari më parë në 2-3 vitet e fundit. Kanë një rënie, siç ka një rënie edhe të konsumit në tërësi sepse ato pamje të eksportuara nëpër botë nga ajo e shtuna ku u premtua përmbysje dhe u predikua dhunë nga fillimi deri në fund, duke nxitur disa qorra që t’i binin me kokë murit të kryeministrisë, janë pamje të cilat dëmtojnë jo Shqipërinë në tërësi po e po, por dëmtojnë çdo njeri që në këtë vend ka vendosur të jetojë, ka vendosur të punojë, ka vendosur të investojë, ka vendosur të krijojë të ardhme për fëmijët e vetë, çdo njeri dhe dëmtojnë drejtpërdrejte edhe rrugëtimin tonë europian. Cili shqiptar me mend në kokë, pavarësisht bindjeve politike, pavarësisht përkatësive, simpative, pavarësisht se mund të mos e dojë ta shohë me sy qeverinë tonë, mund të pranojë që sot në 2019 Shqipëria të kërcënohet nga fantazmat e 1997, për çfarë? Për ti shpëtuar Saliu drejtësisë, për të shpëtuar Luli karrigen si kryetar i partisë apo për t’u kthyer me kokë Mona në mes të tepsisë, janë arsye këto që shqiptarët jo socialistë, por shqiptarët që kur gdhihen në mëngjes, mendojnë si do të arrijnë fundin e muajit, të pranojnë që Shqipëria të kthehet edhe një herë përmbys? Këto nuk mund të jenë arsye, këto nuk i ha njeri. Ashtu sikundër, kush mund ta hajë broçkullën që këta e bëkan këtë për integrimin. Këta e bëkan këtë që të shpëtojnë Shqipërinë dhe ta integrojnë atë në Europë, por si? Duke bërë diçka që jo në Europë, por askund në botë, jo në demokracinë europiane, por në asnjë regjim hibrid ku sidoqoftë ka zgjedhje, nuk është bërë ndonjëherë.
Shkojmë tek njerëzit, u kërkojmë vota, u themi na votoni dhe na besoni që ju përfaqësojmë në tempullin e demokracisë, ndërkohë që kemi vendosur që kush fiton qeveris, kush humbet bën opozitë dhe është aty po aq i rëndësishëm për popullin e vetë dhe nëse nuk jemi qeveri, i themi popullit nuk i duam detyrat që na ngarkove se ne jemi popull si ti dhe ti tani çohu për ne dhe vëri zjarrin vendit që të na çosh ne aty ku ne duam, kush? Ku?
Si mund të besohet dhe mund të hahen dhe mund të mbështeten gjëra të tilla. Gjëra të tilla janë shprehja më kuptimplotë e dy gjërave, nga një anë e dëshpërimit që ju ka errësuar sytë dhe ju ka humbur ekuilibrin kolegëve në opozitë dhe nga ana tjetër, frika nga drejtësia që po vjen.
Bënë çmos që ta pengonin reformën në drejtësi dhe këtë e dinë mirë edhe socialistët edhe demokratët. Kur them demokratët, nuk flas për ata që shkuan t’i bien me kokë qorrazi murit të kryeministrisë. Ata nuk janë demokratë. Ata nuk janë qytetarë, ata janë thjesht njerëz të verbër. Flas për demokratët, të cilët kanë bindjet e tyre dhe arsyet e tyre për të qenë në anën tjetër, në një sistem që kështu e kemi zgjedhur, me dy anë, me dy palë, me dy alternativa. E mbajnë mend mirë edhe ata se ç’bënë këta xhagajdurë për ta penguar reformën në drejtësi. Nuk e penguan dot. E ndërkohë, sot po e shohin që u formuan institucionet e para të drejtësisë dhe po formohet edhe ajo prokuroria speciale anti korrupsion, kundër korrupsionit të zyrtarëve të lartë. Ajo prokuroria speciale që ishte një nga arsye kryesore pse këta nuk e donin reformën në drejtësi. Një prokurori speciale që nuk është më një prokurori e kontrolluar, e telekomanduar dhe e manipuluar, por është një prokurori që do të krijohet nga një sistem i ri dhe falë faktit që përpara se sa të jesh sot prokuror dhe gjykatës, duhet të kalosh atë vettingun që po i këput një nga një të gjitha pemët e kalbura në xhunglën e një drejtësie që ja ka marrë shpirtin shqiptarëve për gati 30 vjet dhe nuk e them unë se nuk kam si ta them dhe nuk do isha këtu ku jam nëse do mund të thuhej që Shqipëria nuk ka më probleme me korrupsionin, por pikërisht pse ne po e luftojmë korrupsionin si askush më parë, këta na akuzojnë ne, a thua se këta erdhën nga hëna dhe korrupsionin këtu e sollëm ne.
Ne e kemi luftuar dhe e kemi shpartalluar fenomenin e kanabisit dhe këta na akuzojnë ne sikur erdhën këtu nga hëna, jo sikur ishin bërë njësh me minjtë atje në Lazarat që mbillnin arat dhe shinin arat dhe i ndanin paratë bashkë me këta. Këta na akuzojnë ne për të gjitha plagët që i hapën vetë. Po kur flasin këta për shëndetësinë? Ishim dje në një qendër shëndetësorë komplet të rindërtuar në Lunxhëri, e cila përpara ishte një shpellë dhe një grua atje e tha tamam, atë që e dëgjojmë nga të gjithë, shkoje për tu shëruar dhe sëmureshe më keq.
300 do ndërtojmë ne gjatë këtij mandati e do i kthejmë në qendra ku dinjiteti i njeriut nuk nëpërkëmbet sapo kapërcen pragun dhe ku shërbimi i parë jepet normalisht. Këta si i kishin lënë këto? Po kur flasin këta për shkollat? Po kur flasin këta për fëmijët? Falsin këta për nxënësit? Flasin këta për çfarë nuk flasin ndërkohë që po ju them, për këdo që do ta ketë shumë të thjeshtë dallimin mes nesh dhe tyre, dilni tek qendra e Përmetit. Qendra që ishte është fytyra e tyre, qendra që është, është fytyra jonë. Tani, kush e zgjedh fytyrën e tyre, le të vazhdojë, por ka qenë, është dhe do mbetet në pakicë sepse shumica sytë i ka në ballë.
Tani, kam marrë shumë mesazhe se dua ta them këtë se edhe përpara se të vini këtu po bisedonim me disa miq, kam marrë shumë mesazhe dhe kam dëgjuar shumë njerëz që thonë, aman mos lësho pe.
Dua t’ju them që unë nuk kam asnjë pe në dorë për të lëshuar, unë kam një detyrë për të kryer që është detyra që ma jep mua dhe na e jep të gjithëve ne kontrata që kemi me shumicën e shqiptarëve, të qeverisim deri kur të mbarojë mandati ynë dhe deri kur të kemi votat në parlament. Ne nuk jemi si ata, ne kemi marrë një detyrë nga njerëzit e do ta kryejmë deri në fund, aq më tepër që ne nuk e kemi marrë këtë detyrë me gjasme, por e kemi marrë me gjithë mend, me gjithë zemër, me mish e me shpirt.
Edhe diçka tjetër dua të shtoj. Ne, e thashë, nuk kemi asnjë diskutim për faktin që ka shumë, shumë për të bërë e ka plot gjëra që nuk shkojnë. Ashtu sikundër, unë nuk kam asnjë dilemë për faktin që një nga arsyet pse ju na votuat dhe ju përgjigjet thirrjes time që na e jepni votën pa të tjerë në prehër, është që administrata, zyrat e shtetit të mos jenë më peng i partive të pushtetit dhe nga një tepsi e partive, administrata të kthehet në një shërbëtore e denjë e të gjithë njerëzve dhe në këtë pikë, kemi shumë për të bërë, jemi larg akoma por ama, një gjë është e padiskutueshme, se nga momenti që kemi marrë atë votë, ne kemi bërë një transformim të rëndësishëm të marrëdhënies tonë me njerëzit dhe kemi ngritur edhe një sistem komunikimi të drejtpërdrejtë me njerëzit. Jo vetëm unë personalisht i përgjigjem të gjithë atyre që më drejtohen, por ne kemi platformën e bashkëqeverisjes, sepse për bashkëqeverisje kemi folur dhe platforma e bashkëqeverisjes është tamam si një adresë urgjence për të gjithë ata që administrata, që zyrat e shtetit, që drejtues apo zyrtarë të papërgjegjshëm ose edhe të korruptuar, i plagosin dhe menjëherë, mjafton një sinjal për platformën, në adresën shqipëriaqëduam.al dhe çdo njeri, që nga qendra e deri në periferi, që nga qyteti deri në majë të malit, mjafton që të çojë sinjalin, dhe menjëherë më ka në krah mua dhe qeverinë dhe jemi ne që merremi me hallin dhe me problemin dhe halli dhe problemi kur i takon, zgjidhet.
Këtu, kemi ftuar disa që do të doja të sillnin dëshminë e tyre sepse ka ende shumë njerëz që ose akoma nuk e dinë ose që dyshojnë në këtë gjë, ndërkohë që unë do i lutesha të gjithëve, mos ngurroni, është 2-3 minuta punë, viheni në provë këtë gjë a ekziston apo nuk ekziston. Sepse deri dje, nëse të mbyllte derën një zyrë, ti nuk kishe ku përplaseshe fare ose do rrije duke pritur kur të vinte deputeti, ose do kërkoje ku ishte dera e partisë këtu në pushtet dhe të merrje një teser partie ose do fusje dorën në xhep e do paguaje për diçka që të takon ose nuk do të të fërshëllente fare njeri në të gjitha rastet. Ndërkohë që sot mund të ta mbyllë derën një zyrtar i vogël, por dera e qeverisë është gjithmonë e hapur. Ky është ndryshimi. Ja një nga dëshmitarët, ne takohemi për herë të parë por urdhëro, fol.
– Në radhë të parë të falënderoj ty si kryeministër që e ke gjetur metodën për të zgjidhur hallet dhe probleme e popullit nëpërmjet platformës. Këtë e vërtetova vet. Kisha problemin që kisha punuar që në vitet e kooperativës dhe nuk më jepnin pension për vitet e kooperativës. Për 8 muaj lart e poshtë, as drejtoria rajonale, as instituti i sigurimeve nuk ma zgjidhi problemin. Një moment vjen Mirela Kumbaro, më thotë “drejtoju bashkëqeverisjes dhe do të të zgjidhet problemi patjetër”. Vajta tek zyra që është hapur dhe brenda muajit më erdhi përgjigja, mu dha pensioni në rregull sëbashku me shtesat.
Kryeministri Edi Rama: Kjo ndodh me të gjithë njerëzit, miku ynë as nuk ka njohur njeri, as nuk e ka njohur njeri, por sot nuk ka nevojë të njohësh apo të kesh një mbiemër të njohur. Mjafton që ta bësh këtë mundim të vogël, kushdo që e ka telefonin në xhep mund ta bëjë nga telefoni, kush nuk e ka mund ta bëjë nga zyrat e bashkëqeverisjes që ne i kemi hapur për t’i ardhur në ndihmë njerëzve, nga zyrat e postës, nga zyrat e njësive administrative, kudo ku ka një akses në internet dhe kjo menjëherë të fut në kontakt të drejtpërdrejtë me qeverinë.
– Jam një qytetar ish ushtarak. Kam pasur probleme të herë pas hershme në lidhje me pensionin, që nga 2011 e deri në 2015. Arriti që në 2015 erdhi një përgjigje por prap nuk ishte ajo që duhej. U detyrova, mora kontakt me platformën e bashkëqeverisjes, paraqita kërkesën dhe brenda muajit mora përgjigje normale. Kam dhe diçka të vogël që nuk ka shkuar deri në fund se rillogaritja që ka bërë instituti i sigurimeve nuk ka llogaritur suplementarin.
Kryeministri Edi Rama: Mirë, ne tani këtu jemi, ti rrugën e mësove dhe këtu janë dhe disa njerëz që kanë ardhur enkas, kështu që do ta zgjidhim dhe këtë.
– Unë kam pasur probleme me pensionin. Kisha 34 vjet punë, pagova një vit sigurimet që të bëhej pensioni i plotë mirëpo kur e çuam në Gjirokastër për t’i llogaritur, ma kishin hequr atë vit. Erdha rrotull goxha, nuk e zgjidha dot. iu drejtova bashkëqeverisjes dhe ma zgjidhi problemin.
Kryeministri Edi Rama: Ja pra kjo është dhe një arsye më shumë, duke parë tre pensionistë të cilët nuk janë tre, janë më shumë se tre që kanë pasur dhe kanë akoma probleme dhe i them të gjithë pensionistëve që na ndjekin, që ndiqni të njëjtën rrugë, mos prisni që ta gjeni tek dera, ku nuk e keni gjetur, por ejani në derën tonë, ne jemi në dispozicionin tuaj dhe ndërkohë që bëjmë përditë përmirësime të administratës, tani kemi futur dhe një tjetër gjë të re që vendet e lira në administratë do të jenë në dispozicion të të gjithëve djemve dhe vajzave të këtij vendi që kanë mbaruar me 9-10. Nuk do ketë më mundësi për njerëz pa shkollë që të hyjnë në administratë vetëm se njohin njërin apo se janë nga partia e tjetrit dhe kështu, hap pas hapi do të bëjmë ndryshimin që duam dhe në mbyllje, përpara se sa t’ja u jap fjalën atyre që ndoshta duan të flasin. Një gjë të fundit dua të them, duke u nisur nga ajo që thashë lidhur me studentët që kanë mbaruar ose mbarojnë me 9-10. Në këtë fazë të fundit, Shqipëria pa dy protesta. Protestën e studentëve, e djemve dhe vajzave të këtij populli dhe protestën e atyre që ishin të padenjë për ta përfaqësuar këtë popull në parlament dhe në mënyrën më të padenjë u larguan nga parlamenti dhe në këto dy protesta, të gjithë shqiptaret kanë mundur të shohin edhe qeverinë tonë. Ne nuk i dimë të gjitha. Ne nuk nisemi nga parimi që gjithçka ne mendojmë apo gjithçka ne vendosim, apo gjithçka ne themi është e shkruar në gurë dhe se luan topi, jo. Ne nisemi nga parimi që ne jemi të gabueshëm dhe ndërkohë nisemi gjithmonë nga kujtesa e zgjedhjeve ku ne morëm një mandat në themelin e të cilit është zotimi që do të bashke qeverisim me njerëzit dhe prandaj ne dëgjojmë, studentët i dëgjuam, protestën e tyre e mirëpritëm dhe nga protesta e tyre nxorëm përfundime të rëndësishme. Një pjesë për të zgjidhur problemet që ata shtruan, një pjesë për t’u përmirësuar vetë. Ama, studentët ia dhanë në atë protestë qartësisht mesazhin të gjithë popullit shqiptar. Ajo protestë, unë e thashë, që kur ishte në zhvillim, mishëroi një shpresë për Shqipërinë, ishte një shuplakë për qeverinë dhe ishte një grusht për opozitën. Në atë protestë, studentët thanë shumë qartë që ju nuk e keni në rendin e ditës çështjen tonë, çështjen e tarifave, çështjen e teksteve, çështjen e konvikteve, por ne duam ta vëmë tani në rendin e ditës ama ne nuk duam, ata nuk kërkuan as dorëheqjen e ministres së arsimit, ne nuk duam largimin e qeverisë, ne nuk duam dorëheqjen e kryeministrit sepse ne e dimë që vetëm këta që kemi mund të bëjnë atë që ne duam dhe nga ana tjetër, studentët ia dhanë mesazhin të gjithë shqiptarëve dhe jua them shumë qartë, të gjithë prindërve demokratë që kanë fëmijë studentë, që mos ta harrojnë zërin e fëmijëve të tyre kur thanë shumë qartë që ditën e parë, nuk duam t’i shohim me sy dhe as t’jua dëgjojmë erën përfaqësuesve të opozitës zyrtare dhe i mbajtën larg. Një opozitë që studentët e refuzojnë në një protestë të tyren, si mund ta pranojë populli? Nuk ka shans.
Në fund fare, mos u çudisni, vërtet nuk është e mirë për demokracinë që të zgjedhurit të braktisin vendin e punës, vendin më të nderuar të punës, vendin e përfaqësuesit të popullit, por këta në parlament, se ishin, se nuk ishin, puna ka vazhduar dhe këta ndenjën 6 muaj jashtë dhe erdhën ditën e fundit për të marrë rrogën, jo se erdhën për t’u kthyer në detyrë. Kështu që me ikjen tyre ne jemi mësuar. Ky thjesht është një bojkot më i gjatë, është puna e tyre. Nuk është problemi jonë. Nga ana tjetër, nëse do ketë të tjerë që do vijnë t’i zëvendësojnë sipas ligjit, mirë se të vijnë, në fund të fundit, e marrtë lumi këtë vend nëse fatet e të qenit opozitë mbeten në dorën e Saliut, të Lulit dhe të Monikës. Unë besoj që më shumë opozitë ka mes çdo klubi fshati se sa mes tyre. Ajo e tyre nuk është opozitë. Ajo e tyre është urrejtje. Ajo e tyre nuk është të qëndrosh në kundërshti, ajo e tyre është të qëndrosh në urrejtje. Në urrejtje nuk bëhet asgjë dhe nuk shkon askund. Urrejtja vetëm përçan, vetëm shkatërron, ndërsa ne nuk kemi asnjë urrejtje për ta. Ne kemi vetëm keqardhje për ta dhe unë kam qenë, jam dhe do të mbetem i hapur për çdo dialog me ta, sidomos tani, por dhe më tutje kur do të jenë akoma më të dëshpëruar, akoma më të vetmuar, akoma më të pashpresë. Opozitën nuk e zgjedhim ne, opozitën e zgjedhin të tjerët. Shpresoj që kjo braktisje e detyrës të jetë mësim për demokratët që i kanë zgjedhur. Ne do të bashkëpunojmë me çdo lloj pozite, sido që të jetë dhe puna jonë në fund fare është përpara se sa të humbasim kohë, duke dëgjuar çfarë thonë ata, ta mbajmë veshin lidhur me çdo zemër që rreh në këtë vend dhe me çdo njeri që ka halle dhe probleme për të zgjidhur në këtë vend. Kjo është detyra jonë. Opozita jonë reale nuk janë këta. Ne këta i kemi mundur dhe i mundim në çdo betejë, ata e dinë më mirë prandaj i ikin betejave. Unë nuk e di çdo bëjnë në zgjedhjet e tjera. Mirë se të vijnë, e mira e vendit, e mira e punës e do që të vijnë në zgjedhje, por sigurisht që do vijnë për të bërë opozitën në këshillat bashkiakë sepse për të fituar nuk fitojnë dot. Ama opozita jonë reale nuk janë këta. Opozita jonë reale është prapambetja që këta na kanë lënë, janë plagët që këta kanë lënë pas me keqqeverisjen e tyre. Është korrupsioni që duhet të vazhdojmë ta luftojmë edhe më fort dhe të gjitha ato fenomene që janë sot e gjithë ditën problem. Opozita nuk janë këta, është injoranca që këta mishërojnë shpesh herë në mënyrën më tronditëse, por që i ka rrënjët tek një sistem arsimor që këta e ngritën dhe e degjeneruan deri në pikën ku e mbushën Shqipërinë me nga një jurist për metër katror dhe e lanë pa hidraulik, pa marangoz, pa elektricist, pa zanate. Faleminderit, tani që të jemi të qartë, rregulli i bashkëbisedimeve të mija është: gratë flasin gjithmonë të parat.
-Përshëndetje zoti Kryeministër! Bashkë kemi folur me mesazhe. Nga viti 1990-1993 ka shkuar burri emigrant, ka blerë një autobus. Deri në 2012-ën e kishte në punë. Në vitin 2012 më është aksidentuar në Greqi. Unë sot denoncoj këtu përpara të gjithë publikut, para gjithkujt, flet zonja doktoreshë, e dëgjoj gjithmonë nëpër stacione televizive dhe thotë “u vodhën votat”. Cilat vota? Thotë të mos ikin fëmijët emigrantë. Cilët fëmijë? Fëmijët e saj i ka të siguruar në Amerikë, në Angli e kudo. Për neve që nuk kemi një mbështetje, por i kemi sytë nga ju si Kryeministër, ju lutem mos lëshoni qeverinë nga duart dhe na ktheni dinjitetin tonë. Në 2017-ën kam shkuar në zyrën e zotit ministër, e di shumë mirë, i keni thënë ju priteni zonjën që ankohet për licencën e autobusit. Në korrikun që shkoi më ka vdekur burri dhe më ka lënë amanet dy djem për të rritur dhe për të martuar. Jam krenare për atë burrë që kam pasur se më la me shtëpi, me pronë, me gjithçka. Në 2017-ën Sokol Dervishi ka marrë nga 2 persona 50 milionë lekë që ka shitur licencat tona. Çfarë kërkon zonja Moni, doktoresha akoma, të na shkelë me këmbë?! Zoti ma mori burrin. Moni ma mori linjën e autobusit. Djemtë më kanë mbetur dhe dua t’i rris e t’i ushqej e t’i martoj ashtu si çdo prind tjetër. 6 vjet e gjysmë i kam shërbyer burrit të paralizuar në shtëpi. Jam futur me kredi për t’i shërbyer bashkëshortit tim se ishte një baba i mrekullueshëm për fëmijët e mi dhe jam krenare për ato borxhe që kam nëpër banka. Ama, sot që u kthye Prokuroria kërkoj t’i kthehet Ministrisë së Transportit, të shikojë licencat tona që i ka marrë 50 milionë Sokol Dervishi dhe bënte fushatë. Bahri Shaqirit i kam shkuar dhe më thonte, “edhe mua më ka vdekur gruaja dhe shkoj dhe unë në Greqi dhe i bëj shërbim djalit tim i ndërroj gjakun”. I thoja, “besoj se do më kuptosh”. “Hidh paranë!” Ku t’i gjeja zoti Kryeministër ato para që t’i jepja për licencën, që më punoi burri 25 vite dhe ma tha “jeta ime kjo ishte, kërko licencën e autobusit që të rrisësh fëmijët!” Shkoj te Ermal Topalli. Ka marrë 5 milion për një linjë që na ka dhënë Këlcyrë-Tiranë. Unë sot po denoncoj, nuk po deklaroj dhe zonja Moni të më thërrasë në çdo stacion televiziv, të thotë që ku i kemi marrë ne ato lekë. Vinte, hynte në Kryeministri dhe ne shikonim nga dyert kush do na dilte. Do na dilte Bahri Shaqiri? Do na thërriste? Ju i keni bërë një telefonatë Sokol Dervishit, “prite zonjë që po të vjen në Ministri për licencën e autobusit”, në orën 6 të darkës. Unë kam qenë. Unë jam ajo zonjë që kam telefonuar dhe kam shkuar nëpër zyrat tuaja për licencën që e mbajta 25 vjet dhe sot kam një djalë 28 vjeç, nuk e çoj dot në punë krahu, se dhe atë djalë e kam të operuar nga zemra dhe të paktën të më kthehej licenca e autobusit të ushqehet fëmija im. Të mos i mbajnë ato licenca personat që i kanë blerë me lekë dhe nuk i kanë të tyret. I lutem Prokurorisë që u krijua, gjykatave që po krijohen, se deri dje ishin të korruptuara, ne, pasi mbaruam me ministrin e Transporti Sokol Dervishin kemi shkuar në Gjykatë, e fituam në Apel, por ata e kanë hedhur në Gjykatën Administrative për të na shtyrë ne licencat tona. A është e drejtë kjo zoti Kryeministër! Çfarë drejtësie kërkon zoti Lulzim Basha bashkë me zonjën doktoreshë? Të na shkelin akoma me këmbë! A jemi ne të sigurtë që nesër të kemi një biznes e ta gëzojmë? Un kërkoj që, meqë u krijua Prokuroria t’i hyjë me themel Ministrisë së Transportit, të shikojë licencat tona që janë blerë nga dy persona që nuk e kanë pasur fare atë linjë. Ju lutem, pavarësisht se babai i fëmijëve të mi nuk jeton, ka 7 muaj, i la fëmijët pa rritur ,pa martuar, i la të pagëzuar, por të paktën t’u kthehet dinjiteti, buka e gojës!
Kryeministri Edi Rama: Më vjen shumë keq që e dëgjoj të gjithë këtë. Gjatë kohës që ju flisnit, mu kujtua i gjithë komunikimi që kemi pasur me mesazhe, në telefon. Për rastin konkret nuk kam çfarë të komentoj. Ju, për më tepër, e bëtë dhe publike, që do të thotë që organet e drejtësisë duhet të veprojnë në këtë rast, por sigurisht që kur dëgjoj Monikën që thotë, “të shpëtojmë Shqipërinë nga Edi Rama që blen vota” dhe i drejtohet Zotit, them, shyqyr që Zoti nuk merret me zgjedhje, se do ia kishte futur rrufenë në kokë që në atë moment që do ta dëgjonte, se dhe për hir të të vërtetës, jemi c’jemi politikisht s’është se do ia doja të keqen deri në atë pikë. Ka ç’ka, i ka si i ka, me mua s’ka dhënë e as ka marrë dhe për të tëra le të shkojë të përgjigjet aty ku duhet të përgjigjet, por kur i thotë Zotit, “o Zot ndihmoje Shqipërinë që të mos na blejë votat Edi Rama”, atëherë është e sigurtë, nuk ndërhyn në proceset elektorale. Ndërsa se çfarë do bëjnë ata nëse, – por është një “nëse” nga e cila nuk duhet të shqetësoheni, se nuk ndodh, – ju vjen në dorë përsëri? Atë që kanë bërë sa herë iu ka ardhur në dorë. Më thoni ju mua, kur e patën në dorë ata vendin, apo një bashki dhe bënë ndonjë mrekulli. Edhe ky këtu është pak më ndryshe se ata tipikët e tyre se nuk është i tyre, ky Nikua, nuk është tipik ky i këtyre. Edhe këtë tani e kam dëgjuar që thotë që, shiko se Kryeministri është me mua. Jo, mo Niko, unë nuk jam me ty. Ti je kryetar bashkie. Unë kam mbështetur këdo sa kam mundur. Patjetër je më i mirë sesa ajo e Shkodrës, je më i mirë sesa ai i Lezhës, je më i mirë se ai i Kamzës, por dhe ti Niko nuk je ai që duhet për këtë punë e për këtë qytet. E dini carë bëjnë në Skrapar, apo jo? Ju këtu thoni e ka mbushur Niko me njerëz për t’u dhënë rroga. E vërtetë është, por në Skrapar është dhe më shumë. Ua ndajnë rrogën 2-3 vetave. Një rrogë, thotë, gjysmën ti, gjysmën ti edhe mbajeni mend këtë kur të vijnë votimet, ose ti tjetri, po, na gjysmën, gjysmën tjetër jepja atij që është në Angli, por kur të vijnë votimet…. Këtu në Përmet marrin rroga njerëz që s’janë këtu fare. E dini ju këtë? S’banojnë këtu. S’janë në Shqipëri fare, por janë për atë ditën kur Niko do kërkojë mandatin tjetër, nëse këta nuk i thonë “ik tërhiqu fare” se mund dhe të tërhiqen fare e të mos futen në zgjedhje fare nga inati. E dini ju atë, “nga inati nuk vij fare të loz se ti më mund?” Po kur thonë që, “ta heqim Maduron tani, – se këta shohin dhe këto lajmet ndërkombëtare? Cilin Maduro? “Është bërë Shqipëria si Venezuela!” Çudi e madhe! Shqipëria është bërë si Venezuela dhe këtë e kuptojnë vetëm këta! Këtë se kupton as populli, as Shtetet e Bashkuara, nuk e kupton as Bashkimi Europian, nuk e kuptojnë as vetë miqtë e tyre që janë habitur fare: “po ç’është kjo?!”
Më vjen shumë keq që ta përsëris, vërtet kam edhe unë ato të miat, kam dhe unë atë mënyrën si flas, kam dhe unë ato goditjet që bëj dhe që këta i kanë tmerr, – se këta durojnë më shumë t’i shash siç shajnë këta, se këta kur shajnë nuk kujtohen fare që janë fëmijët duke parë televizor, ose janë të rinjtë, ose janë nëpër familje njerëzit, por fillojnë shajnë edhe gjithë dynjaja është duke parë televizor edhe thonë, “ore ç’është ky rrugaç që më hyri në shtëpi”, – ndërkohë që asnjëherë nuk kam dashur dhe nuk dua që politika të jetë: hajdut njëri, hajdut tjetri, kriminel njëri, kriminel tjetri.
Problemi është që këta kanë një hall shumë të madh, e kanë me drejtësinë sepse zonja foli sot, të tjerë do flasin dhe kur të krijohet Prokuroria speciale nuk ka nevojë as të flasin, se do t’i gjejnë, se këta, – erdhi një ditë që përtonin të fshinin dhe gjurmët, janë në hall shumë të madh, – s’kanë lënë gur pa lëvizur për ta penguar Reformën në Drejtësi, ndërkohë që iu them të tjerëve, shqiptarëve të ndershëm që më kthehen mua, më thonin gjithë këto ditë: “kështu është mirë ta bëjnë!” “Pse nuk i fute në burg?” Po si futen në burg?! Pse, për të futur në burg njerëz është Kryeministri dhe qeveria në sistemin që kemi zgjedhur?! Në sistemin që kemi zgjedhur, shyqyr Zotit që nuk e kam unë në dorë këtë punë, se po ta kisha unë në dorë këtë punë kushedi çfarë do kishte ndodhur, po shyqyr që nuk e kam unë në dorë këtë punë, se për këtë është krijuar ky sistem, që të na ruajë vetë dhe atë që ka marrë votat nga tundimi që të bëjë budallallëqe, sepse është shumë më mirë kështu sesa nëse do të ishte qeveria që fuste njerëzit në burg.
Ama, ne nuk kemi ndenjur. Reforma në Drejtësi, – kush e mendonte këtu, po të pyesnim të paktën gjysma do dëshmojnë që kanë pasur probleme me një padrejtësi në Gjykatë, për tokën, për çatinë, për vijën e ujit, etj., etj. Po, kush ka guxuar, se të paktën me politikanët ka pasur zgjedhje, ka pasur një moment për të marrë hak me votë, po me ata gjykatës me ata prokurorë këtu, çfarë diskutojmë ne për peshkaqenë, jo peshkaqenë po stërpeshkaqenë, – që të gjithë po dalin një e nga një e po ikin e po dalin para drejtësisë. Kush e bëri këtë? Kush ishte që tha në momentin kur do votohej Reforma në Drejtësi, që, ne jemi gati të prishim qeverinë, të biem edhe nga pushteti, por ama, për Reformën në Drejtësi, jo të prishim qeverinë dhe të ikim nga parlamenti se do Luli edhe thotë, “unë nuk fitoj dot, duhet të ma jepni se s’fitoj dot”.
Dhe ju them, mos mendoni se mbaron me kaq, se shumë njerëz thonë, “pse për kaq ishte ky vetting-u, që të pushohen nga puna këta? Nëse këta kanë nga 7 shtëpi e 17 apartamente, për kaq ishte?” Jo nuk është për kaq. Vetting-u është për të ndarë kush është gjykatës e prokuror që duhet të vazhdojë, që është me integritet dhe që është me aftësinë e mjaftueshme për t’i besuar që të jetë arbitër mes të gjithë shqiptarëve kur kanë një konflikt me ligjin, apo me njëri-tjetrin dhe kush është që duhet të ikë.
Ama në momentin që e fillojnë këta të parët punën, këta të tjerët që kanë ikur do thirren përsëri, se deri tani iu thuhet, “me këto shtëpi që ke, me këto pasuri që ke nuk i justifikon, largohu!” Nesër do iu thuhet, “hajde këtu, ku i gjete?” E nuk është më “ku i gjete”, por është me hetim edhe i shkohet deri në fund, se është kollaj të bësh banjo për macen e të flasësh për Surrelin, është shumë kollaj, por vjen dita kur thonë, “macja s’mban përgjegjësi për banjon. Banjon e ke bërë ti, si vajti puna te macja që të bëhet me banjo? Mbase janë para gjaku, t’i shohim!” Por këtë do e thotë drejtësia, nuk e them unë.
-Kam 5 vjet që jam kthyer nga Greqia. Kam jetuar atje për shumë vite, por këto 5 vjet që po banoj në Përmet janë 5 vite tmerri. Një objekt bleva, e ndërtova dhe e legalizova. 5 harta të ndryshme më kanë dalë nga Hipoteka. Një komshi më vjedh pak murin, një komshi më vjen pak havllinë. I drejtohem Hipotekës, 5 harta më kanë nxjerrë. Cila është origjinalja nuk di? Kur kam blerë një shtëpi e bleva vetëm me bashkëshortin tim. Nuk e kisha as komshiun nga krahu i djathtë, as komshiun nga krahu i majtë. Zgjidhje nuk gjej në asnjë vend. Rruga e tyre më e shkurtër është: “Drejtohu gjykatës!” Përse t’i drejtohem gjykatës? I jam drejtuar dhe Platformës, por një keqkuptim ka ndodhur dhe atje, nuk më dhanë një përgjigje të saktë.
Kryeministri Edi Rama: Do ta verifikojmë dhe ndërkohë që jemi këtu do të jap një përgjigje. Por, në parim, ka një gjë që shpresoj të jetë duke e dëgjuar drejtori i Hipotekës së Përmetit, që ne kemi trashëguar dhe jemi duke bërë çdo ditë punë për të rregulluar këtë, por është sikur të drejtosh të gjitha qimet e deleve të Përmetit. A drejtohen? Janë bërë të gjithë kufijtë si ato qimet e deleve. Një gjë e kemi thënë, që, nëse ALUIZNI të legalizon, pra, nëse ju e keni marrë dokumentin e legalizimin atëherë Hipoteka merr të mirëqenë hartën e ALUIZNI-t, se Hipoteka ka lloj-lloj hartash. Këta që thonë, “duam të shpëtojmë Shqipërinë” tani, janë këta që e kanë bërë lesh e li Shqipërinë dhe tani që po përpiqemi të vëmë rregull në Shqipëri këta i tremb rregulli për arsyet e tyre, por edhe nga ana elektorale e dinë që shumica rregull do, nuk do rrëmujë. Shumica nuk është si ata që i binin me kokë murit të Kryeministrisë, kështu që ky është rregulli. Çfarë të ka dhënë ALUIZNI, Hipoteka duhet ta hipotekojë. Nëse ALUIZNI të ka dhënë vetëm objektin do hipotekosh vetëm objektin. Nëse ALUIZNI të ka dhënë hartën të plotë, Hipoteka … [e ndërpret qytetarja: “hartën të plotë, futur dhe oborri brenda nga ALUZNI. Hipoteka e ka deformuar dhe e ka falsifikuar para 15 ditësh”.] 15 ditësh? Do ta shikojmë, por ndërkohë ta dëgjojmë dhe përgjigjen e Platformës se ata i ndjekin. Tani me gjithë respektin, po, shqiptar që thotë “unë s’kam të drejtë, ka të drejtë tjetri” kam takuar deri tani vetëm veten time, që iu kam dhënë të drejtë shpesh herë atyre që dalin kundër meje.
-Jam një biznesmen i ’90 në Përmet. Me llogari në bankë në ’90, i pari në Përmet. Në ‘90 hap një lokal që s’kishe asnjë. Para 8 vitesh nuk na është dhënë drita jeshile për të ndërtuar. Tani kemi 4 vjet e gjysmë që po na jepet mundësia për leje ndërtimi. Unë i kam prona të miat. Unë dua të na jepet drita jeshile për të bëra gjëra turistike.
Kryeministri Edi Rama: Do ngarkoj deputeten, nëse je në rregull me letrat, se kam parë në rrugë një tabelë që thonte, “shesim pronë pa letra” dhe vinte dhe numrin e telefonit. D.m.th. shesim belanë.
Ndërkohë, zonjë unë e mora përgjigjen. Juve kërkoni një ndryshim kufijsh. Ndryshimin e kufijve nuk mund ta bëjë dot Hipoteka. Ndryshimi i kufijve bëhet, ose në marrëveshje me kufitarët ose me gjyq. Nuk e bën dot Hipoteka ndryshimin e kufijve. Për pretendimin që ju keni, ne bëjmë hetim administrativ nëse Hipoteka ka ndryshuar kufijtë. Por hipoteka nuk bën ndryshim kufijsh, se po të bëjë ndryshim kufijsh Hipoteka, ata që e bëjnë ndryshimin e kufijve shkojnë në burg. Këta që po kthejnë përgjigjen nuk janë Hipoteka këtu, por janë ata që janë marrë me çështjen tuaj. E kam thënë gjithmonë, nga Platforma mos prisni që t’ju zgjidhë probleme që janë të lidhura me konflikte që ose zgjidhen me mirëkuptim, ose zgjidhen me gjyq. Platforma nuk është Gjykatë. Platforma të jep atë që të takon siç ishte rasti i të gjithë këtyre këtu, apo mijëra raste që ne kemi zgjidhur. Megjithatë do e shikojmë më thellë, meqë ju pretendoni se kjo gjë ka ndodhur më parë, por nuk e besoj që të jetë kështu.
-Unë kam një ankesë që e kam paraqitur edhe të Platforma në 19 korrik. Jam shumë e sëmurë. Kam statusin e të verbrit dhe kam qenë invalid pune prej 11 vitesh. E kam bërë dhe ankesën. Më datën 3 gusht ka ardhur ajo përgjigja që çështja jote do shqyrtohet. Pastaj kanë kërkuar një email te jepet dosja. Nga doktori i epikrizës, Leonard Kalemi, që është dhe një grabitqar i madh i të gjithë të sëmurëve, që po nuk i dhe lekë nuk të dërgon atje, po i dhe thotë “mos ki merak, se të ndihmoj unë”, unë jam me status të verbri dhe jam me diabet që mezi po qëndroj këtu. 4 herë insulinë në ditë, deri në ora 10 të darkës. Jam me një sy, 4% shikim nuk kam syrin tjetër. I majti është zero shikim. E kam bërë te platforma dhe doktori i KEMP-it epror me mbiemrin Sinani, kur kam vajtur atje i kam çuar të gjitha epikrizat nga Gjirokastër dhe tha nuk dua t’i shikoj fare këto, do bësh këto që them unë, 200 mijë lekë analiza tha, po deshe, po nuk deshe më tha mua dil jashtë zhduku dhe do ta mbyll dosjen, do ta dërgoj në Gjirokastër përsëri më tha mua. Unë i thashë nuk shikoj të bëj insulinën, po ma bën vajza. Vajza nuk lëviz dot gjëkundi, ajo më viziton, ajo më çon, ajo më bën insulinën 4 herë në ditë që nuk ka mundësi deri në 10 të darkës.
Kryeministri Edi Rama: Ne do ta ndjekim rastin. Që e ke marrë përgjigjen nga Platforma nuk e diskutoj, siç e ka marrë edhe zoti Xhaferr që e kam këtu. E kam përgjigjen për ty këtu, por është përgjigje pak e gjatë. Merre përgjigjen, lexoje.
-Jam ish-ushtarak i liruar në vitin 95 nga zoti Sali. Që nga 95 deri më sot kam qenë pa punë. Me iniciativën time dhe familjen time u vendosa në banjat e Bënjës, ujërat termale, duke marrë një leje për të shfrytëzuar gjatë periudhës së verës për të kuruar dy prindërit e mi që i kam në moshë të shtyrë, madhore. Gjatë këtyre viteve mafia e pronave bëri një falsifikim dhe është prona publike në ujërat termale ku unë kam qenë në një çadër dhe pastaj në një dhomë të improvizuar prej llamarine. Kam denoncuar që është falsifikuar kjo pronë që nga 2007 e deri në janar të 2018-ës, qoftë me shkresa zyrtare me të gjithë dokumentacionin e falsifikimit, dërguar edhe në kohën që qeveriste Sali Berisha edhe në kohën e mandatit të parë tuajin, edhe në mandatin e dytë, qoftë tuajin personalisht qoftë zv/Kryeministrit Niko Peleshi dhe nuk është zgjidhur prona. Unë jam viktimë e kësaj mafieje dhe jam goditur në mënyrë të padrejtë në një moment kur unë kam qenë i shtruar në spital.
Kryeminsitri Edi Rama: Problemi është se ne nuk jemi Gjykatë dhe e gjithë kjo përçapje që po bëjmë për të bërë Reformën në Drejtësi e për të hequr prokurorët e korruptuar, gjykatësit e korruptuar e për t’iu dhënë mundësi atyre që dalin të larë nga ai vetting-u që të marrin në dorë sistemin e drejtësisë dhe të jenë gjykatës për interesat e popullit jo për interesat e tyre është pikërisht për këtë punë, se s’është vetëm për ne, për politikanët, është për qytetarët në radhë të parë ajo reformë, është për këto raste. Më shkruan mua që gjykata ka bërë këtë gjë. Çfarë të bëj unë? Mafia që e quan ti e ka bërë me dokumente, nuk e ka bërë me pushkë te koka. Ta ka marrë me dokumente. Ato dokumente shkojnë në Prokurori dhe Gjykatë, nuk vijnë në qeveri. Çfarë të bëjë qeveria? S’futet dot qeveria mes individëve dhe një grupi etj., etj., kur në mes janë dokumentet. Dokumentet i sheh Gjykata, i sheh Prokuroria, njësoj si në rastin e zonjës. Si të futemi ne, të ndryshojmë kufijtë atje dhe pastaj të bëjmë drejtësi për zonjën, të bëjmë padrejtësi për komshiun?! Nuk e bën dot qeveria këtë punë. Nuk e përmbysim dot këtë sistem. Ti je në rregull. Ke qenë ushtarak në atë sistemin tjetër, por nuk është ai sistem më, s’kemi çfarë i bëjmë. E di sa prona publike i janë grabitur këtij shteti? E di që ky është problemi më i madh që ka ky shtet? Vijnë edhe bëjnë moral tani, na tregojnë sa vila kanë, sa shtëpi kanë dhe si i kanë bërë, me para gjaku! Por kjo nuk zgjidhet dot nga qeveria. Si zgjidhet nga qeveria? Këtë duhet ta zgjidhë sistemi i drejtësisë.