Përmeti është një nga rajonet që ka hyrë në hartën e destinacioneve të preferuar me një numër në rritje të vizitorëve vendas e të huaj, falë traditës së mikpritjes, kulinarisë e bazuar në produktet e zonës e prodhimeve artizanale të grave përmetare dhe Rilindjes Urbane. Në një bisedë me disa nga zonjat përmetare të angazhuara në administrimin e bujtinave dhe në biznesin e vogël artizanal, Kryeministri Rama shkëmbeu ide për kthimin e turizmit, bujqësisë dhe artizanatit në një motor zhvillimi për ekonominë familjare dhe atë lokale.
Sipas kyrebashkiakes së Përmetit, Alma Hoxha, turizmi ka patur një rritje domethënëse në vitet e fundit. “Në vitin 2019 ishte edhe kulmi ku u arrit 28 mijë turistë, sipas statistikave në zyrën e informacionit dhe nga hoteleria. Rilindja Urbane ka qenë një mbështetje e madhe në këtë drejtim.”
Rilindja Urbane dhe investimet në infrastrukturën rrugore synon krijimin e një pellgu të integruar që nis nga Korça në Leskovik, Përmet, Gjirokastër, Tepelenë, që diversifikon ofertën turistike, duke e bërë atë shumë më joshëse për vizitorët.
“Më në fund kemi vëmë në vijë edhe investimin e rrugës nga Erseka-Leskovik-Përmet që është një përrallë, por që në gjendjen që është nuk fton shumë njerëz për ta ndërmarrë si rrugë. Ndërkohë me investimin që po bëjmë do të krijohet një lidhje shumë strategjike me gjithë Qarkun e Korçës. Ne do ta zgjerojmë pellgun. Deri tani kemi udhëtime të fragmentuara që do të thotë që kush niset për Korçë qëndron aty, pasi rruga Korçe-Ersekë është në 2/3 është e përfunduar dhe ka nevojën edhe për Lotin 3 që do ta fillojmë vitin e ardhshëm, nuk e mundëson të dalësh në krahun tjetër ku ke një tjetër hapësirë fantastik që është Përmeti- Gjirokastra-Tepelena e anasjelltas. Kjo do sjellë shumë më tepër të ardhura”, – u shpreh Kryeministri.
Kryeministri theksoi se artizanati do të mbështetet edhe përmes dy programeve të reja, atij për Artet e Zejeve dhe krijimi i kooperativave të artizanatit të lidhura me një rrjet dyqanesh të dedikuara.
“Programi i Sportit dhe ai i Arteve e Zejeve ku do të investojmë shumë e me të cilën do të garantojmë vazhdimësinë. Veçanërisht do të jetë shumë i rëndësishëm për periudhën e verës pasi do të krijojë shumë më tepër forca që do të përfshihen. Edh më e rëndësishme është lancimi i disa paketave të reja mbështetë për krijimin e rrjetet e dyqaneve të grave sipërmarrëse në mënyrë që produktet tuaja të fillojnë të dalin përtej shtëpisë të shkojnë në dyqane të dedikuara të markës “E Dua” në bashkëpunim me gratë në Gjirokastër. Pra, krijimin e disa kooperativave të artizanatit.
Ne kemi besim se në këtë zonë kjo që po ndodh me projektet e reja do të sjellë një bum. Rindërtimi i zonës historike që ka filluar do të bëjë atë efekt që ka bërë në Korçë, në Vlorë, do bëjmë të njëjtën gjë në Elbasan. Të gjitha qendrat e vjetra do t’i kthejmë në pika graviteti për të tërhequr e vizitorë turistë dhe Përmeti ka shumë potencial në këtë drejtim pasi ka shumë diversitet. Projekt tjetër madhor është me kompaninë që do të ndërtojmë portin turistik të Durrësit, që do të zhvillojë këtu një rrjet pikash për një turizëm ndryshëm, që lidhet me fermën, produktet bujqësore e blegtorale, me territorin që i ofron këto. Këtu po bëjnë një studim të tregut e janë shumë optimistë se ka shumë kërkesa për këtë lloj turizmit. Sigurisht do kërkojë kohën e vet se është projekt i sofistikuar, por ardhja atij investimi këtu do të jetë një bum i madh. ”
Mbështetje për sezonin turistik të këtij vitit do të jetë edhe procesi i vaksinimit masiv. Kryeministri, ndërsa deklaroi se Shqipëria do t’i mbajë kufijtë hapur, informoi se është rritur edhe kërkesa nga të huajt për të vizituar Shqipërinë.
“Do ta kemi shumë më të lehtë sezonin se verën e kaluar, por prapë do jetë një sezon që shqiptarët do të vazhdojnë të njohin vendin e tyre. Kemi parë që ka filluar të ketë shumë kërkesa nga të huajt, sidomos izraelitë, suedezë, nga Europa Qendrore shumë, janë shumë të interesuara dhe me tour-operatorët po punojmë e pasi të zbresim me fashat – këtë javë e zbresim në 65 vjeç, – e vaksinimit, do të fillojmë në maj besoj do fillojmë me gjithë infrastrukturën e hotelerisë për të vaksinuar stafet, pasi është tërheqëse për turistët t’u thuash se në hotel stafi është i vaksinuar.”