Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në përvjetorin e Fondacionit Gjerman “Friedrich Ebert” në Shqipëri:

 

Faktikisht, shefja e Fondacionit këtu në Tiranë ma prishi fjalimin sepse e nisi ekzatësisht me të njëjtën fjali që niste dhe fjalimi im, me citimin e presidentit Friedrich Ebert, i cili thoshte, “demokracia ka nevojë për demokratë”.

Ndërkohë, duke ndjekur edhe parafolësit dhe duke menduar që vetëm gjermanët mund të bëjnë party dhe të diskutojnë si në mbledhje, e prandaj edhe janë kaq përpara, se nuk lënë asnjë kohë pa e shpenzuar në mënyrë shumë të organizuar, po mendoja që në një farë mënyre ka një koincidencë interesante që ne këtu jemi për të celebruar një përvjetor të fondacionit “Friedrich Ebert”.

Ai ishte një personazh i jashtëzakonshëm, një simbol i partisë Social Demokrate gjermane, i cili ishte një këpucar që arriti të ngjitej deri në majën e politikës gjermane si Presidenti i Gjermanisë dhe të gjithë kohën e tij në detyrë e shpenzoi, duke u përpjekur të mbajë bashkë koalicione të pamundura dhe ndërkohë këtu u fol për një koalicion që unë shpresoj shumë që të jetë i mundur dhe jo i pamundur dhe uroj që të ndodhë ashtu siç e dëshirojnë miqtë dhe partnerët tanë të partisë Social Demokrate gjermane në kohën e paraparë prej tyre.

Thënë të gjithë këto, besoj që Fondacioni “Friedrich Ebert” meriton vërtetë mirënjohje, meriton vërtetë respekt dhe meriton vërtet një vëmendje të posaçme si një pikë referimi e rëndësishme në këtë rrugëtim 30 vjeçar ku ka qenë i pranishëm, duke na shoqëruar me atë dije, e cila është një dije e jashtëzakonshme që vjen nga vetë historia e socialdemokracisë gjermane, vjen nga vetë historia e social demokracisë në tërësi dhe vjen nga vetë historia e Gjermanisë po ashtu.

Kur hymë aty përpara, të parët që takuam ishin rivalët e fondacionit “Friedrich Ebert” përfaqësuesit e fondacionit “Konrad Adenauer”, të cilët ishin natyrshëm fare të ftuar në këtë përvjetor sepse të dyja këto fondacione pavarësisht se përfaqësojnë dy parti që janë pozicione dialektikisht të kundërta politike, ashtu si ato parti atje, edhe këtu janë njëkohësisht një shëmbëlltyrë shumë inspiruse e bashkëpunimit për qëllime të përbashkëta dhe për motive, të cilat i kapërcejnë kufijtë e partive.

Natyrisht që nuk e fsheh dot këtu para jush që e ndjeva kënaqësinë që  kishte shefja e fondacionit ku për herë të parë besoj që kur ka qenë e vogël, i dha dorën duke i mikpritur miqtë e fondacionti “Konrad Adenauer” si fituese. Ndërkohë që ai, shefi andej, kam përshtypjen që ka lindur në pushtet në Gjermani se është djal i ri dhe është për herë të parë tani në opozitë, por ajo që vlen gjithmonë të kujtohet dhe si një mësim nga shembull i madh i Gjermanisë, por dhe nga shembuj të vegjël ose fare të vegjël si ky që unë solla është që cilësia e demokracisë si cilësi bashkëjetese mes të ndryshmëve, ashtu si cilësia e çdo bashkëjetese, në fund të fundit nuk varet nga sa shpesh biem dakord, por varet nga mënyra se si nuk biem dakord sepse tjetër është të mos biesh dakord, duke diskutuar dhe ballafaquar hapur opinione të ndryshme dhe duke mos harruar të buzëqeshësh apo të sillesh njerëzisht e të japësh dorën në fillim e në fund të ballafaqimit dhe tjetra është të mos biesh dakord, duke u kapur për flokësh, duke u sharë, duke u mallkuar reciprokisht apo duke kapur edhe gurët për t’i gjuajtur tjetrit. E në këtë aspekt, natyrisht që ne kemi shumë rrugë për të bërë ende sepse për 1001 arsye na është dashur një kohë e gjatë e do të na duhet një kohë jo e shkurtër për të arritur në këtë pikë, që kundërshtarët politikë të jenë rivalë dhe jo armiq.

Nga ana tjetër, dëgjova ndërveprimin mes dy miqve të nderuar që kanë ardhur posaçërisht nga Berlini këtu dhe i falënderoj edhe përpara jush, lidhur me atë që ishte tema e ngritur në këtë mbrëmje për ecurinë e procesit të integrimit, për  ecurinë e çështjes së fillimit formal të negociatave dhe të anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe dëshiroj ta them edhe këtu  atë që u thashë dhe kur i takova më pare, që për ne kjo ka qenë një periudhë në një farë mënyre maturimi dhe kuptimi më i drejtë dhe më i plotë i këtij procesi dhe i vetë natyrës kontradiktore dhe nganjëherë dhe gjithmonë e më shpesh të paparashikueshme të procesit. Është fare e qartë, sidomos me këtë shpërthimin e papritur së fundmi të problemit të Bullgarisë që ky është proces ku ne duhet të mos e humbim fokusin për asnjë moment, nga fakti themelor që ne jemi në këtë proces, jo sepse na e kanë imponuar të tjerët. Ne jemi për herë të parë si komb, jemi për herë të parë si popull, jemi për herë të parë si shtet, në një proces që e ka zgjedhur populli vetë dhe e ka zgjedhur për herë të parë lirisht, 30 vjet më parë, për t’u bërë pjesë me të drejta të plota e familjes së bashkuar europiane.

Duke mbajtur këtë parasysh në çdo moment, ne duhet të vazhdojmë detyrimisht të bëjmë edhe më shumë se sa kemi bërë.

Të bëjmë çdo ditë më shumë se sa bëmë dje, pavarësisht se çfarë vendimesh merren në Bruksel, pavarësisht se çfarë kushtesh shtohen në Bundestag, pavarësisht se çfarë stërkushtesh shtohen kudo qoftë tjetër apo pavarësisht se çfarë stër, stër kushtesh shfaqen deri dhe në Bullgari, sepse këto nuk janë të lidhura me njëra-tjetrën mendoj unë.

Këto janë krejtësisht të ndara nga njëra-tjetra. Janë të ndara për arsyen e thjeshtë se kjo është zgjedhja jonë, kjo është rruga jonë dhe ky është qëllimi ynë, por njëkohësisht ky është dhe detyrimi ynë, më saktë borxhi ynë ndaj fëmijëve tanë e ndaj gjeneratave të tjera.

Ta bëjmë Shqipërinë një vend që të jetë një hapësirë demokracie funksionale me institucione që funksionojnë si në Bashkimin Europian, si në çdo vend anëtar të Bashkimit Europian, pavarësisht se çfarë statusi kemi në një moment apo në një moment tjetër të këtij procesi, pavarësisht nëse quhemi kandidatë, nëse quhemi nuk e di se si quhemi tani se në fakt ne u bëmë disa vite që jemi kandidat, por le të themi dhëndurë në tentativë të familjes europiane, pavarësisht se quhemi vend që jemi në negociata, e kështu me rradhë, sepse këto momente që na japin statuse të ndryshëm në këtë proces nuk varen nga ne, varet nga çfarë vendoset nga familja e bashkuar europiane mes 27 vendeve dhe e kemi parë që është një vendimmarrje që asnjëherë nuk parashikohet deri në fund. Kujt i shkonte mendja që do dilte Bullgaria, pasi ne kishim gjatë gjithë kohës fokusin sesi do përfundonin zgjedhjet në Hollandë dhe kishim bindjen që sapo Hollanda të çlirohej nga barra e madhe e sfidës zgjedhore, do çlirohej dhe nga stresi, në raport me dhënien e vistos për të ulur në tavolinë Shqipërinë, shkon del Bullgaria nga ana tjetër dhe askush nuk mund ta parahikojë 100% që nuk del një tjetër. Bullgaria që del tani, mos harroni deri para 2 vjetësh, kur ky diskutim ishte i shtruar në tavolinë, ishte 100% dakord, nuk ishte fare problem.

Kjo do të thotë që ne na duhet të fokusohemi me të gjitha forcat tek vetja, tek rruga e puna jonë dhe të bëjmë maksimumin  për të përfituar gjithshka që mund të përfitojmë nga kjo dije, që fondacioni Friedrich Ebert është vetëm një nga burimet që na e ofron, por edhe që Bashkimi Europian, Komisioni Europian është burimi më i pasur që ne na ofron. Procesi i integrimit në fund të fundit është një process transferimi dijesh dhe metodologjie për të adresuar çështjet e shtetndërtimit demokratik, duke bërë reformat e duhura dhe njëkohësisht duke pasur një vëmendje në funksion të kritikës për si ecin gjërat dhe ana tjetër ndihmën e nevojshme teknike për të përmirësuar gjërat që nuk ecin si duhet.

Dëgjova po ashtu, lidhur me Ballkanin e Hapur dhe jam i bindur dhe nuk e vë në dyshim që Ballkani i Hapur është ideja e duhur në kohën e duhur dhe padiskutim që të gjithë do e përqafojnë këtë ide, hap pas hapi. Çështja është që ne, Shqipëria nuk kemi kohë për të humbur, por duhet të vazhdojmë në shtjellimin dhe në zbatimin e kësaj ideje.

Pa asnjë diskutim, kjo është e ardhmja dhe nuk ka asnjë mundësi tjetër vecse të hapemi plotësisht me njëri-tjetrin dhe të ndërtojmë një hapësirë këtu në rajon dhe të jetë shëmbëlltyre e asaj që do jemi edhe individualisht si shtete, edhe të gjithë bashkë si Ballkan Perëndimor në Bashkimin Europian.

Kështu fitojmë kohë nga e ardhmja sepse sidoqoftë, në të gjitha rastet, Ballkanin e Hapur do jemi të detyruar ta bëjmë dhe nuk do kemi asnjë rrugë tjetër në momentin kur do hyjmë në Bashkimin Europian dhe do ishte ekstra sforco dhe ekstra kohë e humbur. Ndërkohë që, duke e bërë sot dhe me bindje dhe efikasitet, ne jo vetëm që ndërtojmë, nga pikëpamja e ngrehinës së funksionimit juridik në territorialitetin e Ballkanit Perëndimor një hapësirë funksionale të 4 lirive të Bashkimit Europian, por i japim vetes mundësi për të rritur ekonominë tonë.

Asnjë nga vendet tona në Ballkanin Perëndimor nuk e ka luksin që ta lërë ekonominë mënjanë dhe të merret me politikën në plan të parë për arsye interesash partiake të brendshme.

Për ta mbyllur, dua t’i kthehem përsëri rolit të fondacionit Friedrich Ebert dhe të ndaj me ju të gjithë këtu shprehjen e mirënjohjes si kryetar i Partisë Socialiste për çfarë fondacioni ka bërë me Partinë Socialiste në disa stacione dhe cfarë ndihme të rëndësishme na ka dhënë në atë që për mua mbetet pasuria më e rëndësishme e çdo vendi, shteti, organizate e partie, që është dija. Më erdhi shumë mirë që mes jush pata mundësinë të takoj dhe një nga drejtuesit e fondacionit, që kishte ardhur posaçërisht, Michael që e përshëndes edhe nga tribuna.

Shumë faleminderit që erdhe dhe sot ne e kemi pasur dhe një bisedë të rëndësishme me miqtë dhe shefen e fondacionit për idenë e akademisë sonë politike, së bashku me Ditmirin, që do ta ngrejmë së bashku me fondacionin.

Më vjen jashtëzakonisht mirë që fondacioni do të jetë përsëri me ne në këtë nismë të re dhe më vjen shumë mirë që edhe me miqtë ndajmë të njëjtën bindje, që në ndërkohë që diskutojmë për tema të rëndësishme që nga ngrohja globale e deri tek drejtësia sociale e me radhë, që janë tema të të gjithëve bashkë, por janë dhe tema shumë të lidhura me familjen tonë politike në Europë dhe në botë, harrojmë që të gjitha projektet, të gjitha programet, të gjitha energjitë, organizatat, institucionet, fondacionet që angazhohen për të punuar me këto tema, për të sensibilizuar publikun për këto tema, për të nxitur aktivizmin, vullnetarizmin e me radhë, janë të destinuara të marrin mbrapsht në mos asgjë, vetëm një pjesë të vogël të investimit, për sa kohë ne nuk investohemi, për sa kohë shoqëritë nuk investohen, organizatat, fondacionet, institucionet nuk investohen tek edukimi politik i atyre që janë më të rinj.

Me edukim politik nuk kam parasysh edukim partiak, kjo është një cështje që mund ta bëjnë partitë secila më vete, kam parasysh edukimin me idenë e thjeshtë bazike që pa politikën, të gjitha këto sforco janë të destinuara të mos nxjerrin më të mirat nga shoqëritë, nga vendet dhe shtetet në të gjithë botën dhe pa politikën, njerëzit janë të destinuar të pësojnë gjithmonë e më shumë ato të këqija apo ngarkesa që i sjell koha, të cilat kërkojnë një ndërveprim të jashtëzakonshëm mes tyre për t’i përballuar sepse politika për këtë ka lindur.

Rënia e vazhdueshme e idesë që politika na duhet dhe triumfi i vazhdueshëm i idesë se politika është e keqja më e madhe dhe se politika duhet lënë mënjanë nga jeta jonë, janë baza e një dështimi të paralajmëruar.

Pa politikën dhe pa përmirësuar cilësinë e politikës, përmes edhe edukimit, përmes edhe kalimit tek më të rinjtë të atyre elementëve që e kanë mbajtur politikën në këmbë qysh kur ajo është krijuar, do e kemi jashtëzakonisht të vështirë, dekadë pas dekade. Akademia jonë politikë është një pikë uji në një oqean, por ne duam ta bëjmë këtë përpjekje dhe duam të bashkojmë forcat me fondacionin Friedrich Ebert dhe me të tjerë për të ndihmuar vajza dhe djem të rinj që janë të ditur, të prirur ndaj aktivizmit dhe që e duan vendin që të kuptojnë e politika është një instrument që iu vlen atyre për të luftuar për kauzat e tyre dhe për t’i çuar përpara këto kauza.

Nuk po zgjatem më tutje, por respektova këtë konceptin e mbledhjes së tematiko-dëfrim e kemi pasur ne kur kemi qenë më të vegjël dhe u desh 30 vjetori i Friedrich Ebert që të kishim një mbledhje tematiko-dëfrimi.

Tani besoj se temat mbaruan dhe fillon dëfrimi. Uroj ta keni organizuar dhe dëfrimin po aq mirë sa pjesën tematike të mbledhjes. Faleminderit!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.