Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në prezantimin e projektit për rijetëzimin e Piramidës:

Shumë faleminderit!

Do mundohem të flas në një mënyrë sa më të përmbledhur, megjithëse kush më njeh e di se kjo nuk më del të jetë një ushtrim i lehtë.

Së pari, dua sinqerisht të falenderoj ata që e kanë mundësuar ardhjen deri këtu të këtij projekti, sepse bëhet fjalë për një ëndërr të vjetër timen kur isha kryetar i bashkisë dhe patjetër për një potencial të jashtëzakonshëm këtu në mes të Tiranës, që, për fat të keq, për kaq shumë vite me radhë nuk ka qenë e mundur të kthehet nga një potencial i jashtëzakonshëm në një fuqi magnetike të jashtëzakonshme. Besoj se projekti sot e ka këtë forcë magnetike për t’u bërë një pikë referimi për pjesën më të rëndësishme, për fat të keq, akoma më të pa marrë në kujdes të këtij komuniteti, që janë fëmijët dhe të rinjtë e vegjël, po themi, jo të rinjtë si Erjoni.

Besoj se projekti ka arritur të zgjidhë një pikë kyçe të sfidës, që gjatë gjithë kësaj kohe nuk zgjidhej, midis rilindjes së kësaj godine dhe funksionit të saj.

Ky është një moment shumë i rëndësishëm, sepse mund të shikosh modele që funksionojnë në mënyrë spektakolare në një vend, apo në një vend tjetër dhe të tundohesh t’i importosh, por problemi nuk është thjesht që të transformojmë projektin e Winy Mass në një realitet, por që t’i japim përmbajtje çdo ditë e ta bëjmë atë në funksion të njerëzve dhe jo thjesht një prani ikonike në mes të njerëzve.

Kemi pasur shumë përpjekje gjatë viteve. Edhe me Erjonin kemi diskutuar jo pak, që në fillim kur ai mori mandatin, për ta zgjuar Tiranën nga gjumi. E vazhdimisht pyetja ishte, çfarë mund të jetë ajo që do ta mbajë gjallë godinën që mund ta bëjmë shumë të bukur, por në fund të ditës nuk është qëllim në vetvete, është funksion. Është e vërtetë që në fund erdhëm tek pika që kjo godinë duhet t’u shkonte atyre që kanë më pak në Tiranë e që kanë nevojë për shumë më tepër se gjithë të tjerët, që janë fëmijët dhe të rinjtë. Por, përsëri, aty kemi pasur dilemën, pasi Erjoni kërkonte një rrugë, për ta kthyer këtë në një qendër për pjesën e të rinjve “trendy” të Tiranës, një komunitet gjithsesi minoritar brenda komunitetit të madh të të rinjve të Tiranës, gjë që mund të  rrezikonte ta kthente në një lloj qendre rinore të ardhur me sforcim në kohë.

Ndërkohë unë i thosha “fëmijët, fëmijët”. Besoj se kjo është më shumë merita e Zahos sesa e imja. E mbaj mend shumë mirë një ditë, kur Erjoni më telefonoi i ekzaltuar -si gjithmonë në fakt, edhe kur telefonon për një pusetë, edhe kur telefonon për një projekt transformues me pasoja për brezat – dhe më tha “e gjetëm lal, u zgjidh kjo punë”.

Mirëpo e kam mësuar që pas kësaj gjetjes, duhet të presësh që realisht gjetja të jetë mbrapa e të mos jetë ajo “wishful thinking never dying”. E faktikisht më foli për Tullën dhe është sinqerisht, diçka përtej ëndrrës time më të bukur.

Është diçka e jashtëzakonshme dhe unë dua t’i komplimentoj me shumë përulësi ideatorët e kësaj qendre, sepse besoj se është një model që arrin të bëjë bashkë dy gjëra që duken shumë të largëta për njëra-tjetrën, fëmijët dhe teknologjinë. Arrin t’i bëjë bashkë, duke ju dhënë mundësi fëmijëve, jo thjesht që të mësojnë të përdorin teknologjinë, sepse fëmijët e mësojnë edhe pa ndihmën tonë dhe e shoh edhe vetë se po afrohet koha që duhet të forcoj pasword-et për t’u mbrojtur nga Zaho, por për t’ju dhënë mundësinë që të orientohen në përdorimin e teknologjisë, sepse kjo i ka të dyja anët.

Më vjen jashtëzakonisht mirë që është krijuar kjo amalgamë forcash dhe energjish, që jam i bindur, do ta garantojë këtë projekt. E më vjen shumë mirë edhe për një gjë tjetër, që një tjetër hap konkret i madh do të bëhet në rrugën shumë të vështirë mes të bukurës dhe të shëmtuarës në Tiranë. Sepse unë e kam shumë problemdhe ndoshta është momenti që kam problemin më të madh, kur ndeshem me njerëz që thonë “s’kemi bukë, ç’na duhen sheshi, ç’na duhet pema apo stoli. Na duhet buka, na duhet uji, na duhet vaji”.

Sigurisht, patjetër.

Por një gjë e di me siguri, ka vende të bukura në botë që s’janë të pasura, por nuk ekziston një vend i shëmtuar që nuk është i varfër. Ka një lidhje shumë të rëndësishme mes bukurisë dhe mirëqenies dhe kjo është diçka e provuar në histori, por në Shqipëri, ne kemi edhe këtë domosdoshmërinë që gjërat që janë provuar dhe stërprovuar, duhet t’i shpjegojmë sikur sapo është krijuar bota.

Është një gjë e jashtëzakonshme, për mua, që ky vend, i cili sot është një destinacion melankolik i shëmtisë, të kthehet në një destinacion energjik të bukurisë, sepse potenciali është i gjithi këtu dhe kështu, sfida për të përdorur të kaluarën si kalë për të vrapuar drejt të ardhmes, këtu është e zgjidhur. Sepse ne kemi shumë pjesëza të të kaluarës që janë aty si vende vajtimi për “nuk bëhet ky vend mor plako” e jo më pastaj si kuaj për të shkuar drejt të ardhmes. Edhe në këtë aspekt, besoj se do të jetë një vlerë e shtuar, shumë e rëndësishme, për Tiranën dhe për komunitetin.

Kur hyra këtu, thashë se në fakt, ky është sot, një vend ku mund të sjellësh këdo që do të dijë se çfarë kanë bërë shqiptarët me shtetin në 20 e kusur vite. Është fiks kjo. Një ngrehinë e trashëguar dhe pastaj ndërro disa xhama njëri, vër disa pllaka tjetri, fut disa lavamanë, ndërto një kat tjetër midis dy hapësirave, sepse ç’e duam hapësirën lart, më mirë të fitojmë disa metra katrorë. Kështu ka qenë edhe procesi qeverisës i shtetbërjes në Shqipëri.

Faktikisht, kjo godinë është fotografia e shtetit që ne trashëguam, në pikëpamje të mënyrës si harmonizohen pjesët dhe si shfrytëzohet funksioni. Kur kjo godinë të jetë e përfunduar me ndihmën e paçmuar të ADF-së, e cila, Erjoni tha është 1/3 e të tërës, por pa ADF-në, 2/3-at e tjera mbeten “wishful thinking”, ne do kemi një vend ku mund të shohim si duhet të jetë shteti. E gjithë mrekullia e kësaj historie është që do jetë vendi ku fëmijët e vegjël do të vijnë dhe do ta fillojnë nga këtu rrugën. Ndërkohë që shumëkush që lindi, ishte fëmijë, u rrit në këtë vend, nuk pati mundësi ta fillojë nga këtu rrugën.

Në mbyllje, urimet e mia më të mira për ecurinë e këtij projekti. Nuk diskutohet që, përveç Michael [Granoff], është edhe pjesa ime e detyrës në këtë rast, se pjesën e tregtimit të ëndrrës e ka Erjoni, unë kam pjesën e financimit të ëndrrës, por e bëjmë së bashku me ADF-në, qeveria dhe ADF-ja, me shumë bindje, sepse eksperienca ka treguar që për të njëjtat para që ADF-ja ka përdorur në Shqipëri për projekte të përbashkëta, krahasuar me projekte të tjera që kanë ndodhur në kaq shumë vite, duket sikur bëhet fjalë për një raport investimesh 1 me 100, nga pikëpamja e rezultatit dhe e vlerës së shtuar. Pra, ADF-ja është një forcë e rëndësishme e transformimit të këtij vendi, që arrin të paguajë pak dhe të duket sikur po harxhon shumë, për shkak se cilësia, impakti, vlera e kthyer për njerëzit e investimit është vërtet e pakrahasueshme me çfarë jemi mësuar të shohim në investime të të njëjtës vlerë, kur vjen puna te impakti dhe cilësia.

Në këtë aspekt është një eksperiencë e shkëlqyer edhe njerëzore, edhe profesionale, edhe bashkëpunimi midis qeverisë dhe ADF-së. Nuk i them këto fjalë për të bërë diplomatin, që nuk jam, se nuk është një talent që nuk e kam, por sepse realisht është kështu. Duke pasur këtë kombinim perfekt midis lali Erit dhe çunave të Michael, jam i sigurt që ëndrra dhe realiteti do mund të bashkohen në pikën e duhur, për të na dhënë mundësinë mua dhe Majkëllit që të vijnë të mbajmë pastaj fjalët e rastit dhe të falënderojmë çunat.

Shumë faleminderit!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.