Takimi me përfaqësuesit e bizneseve ishte pjesë e aktiviteteve të ditës së sotme. Kryeministri Rama theksoi se kjo tryezë synon të kthehet në një traditë për të ballafaquar me komunitetin e biznesit dakordësitë e arritura në takimet dhe diskutimet ndërqeveritare.
Në fjalën e mbajtur me këtë rast, kryeministri Rama u shpreh:
Kryeministri Edi Rama: Mirëdita dhe mirëserdhët! Ishte dëshira e përbashkët e Kryeministrit të Kosovës dhe e imja për të pasur këtë tryezë, të cilën duam ta kthejmë në një traditë të takimit mes dy qeverive, ku pasi të dy qeveritë diskutojnë dhe dakordësojnë për vijimin e punës së përbashkët, të bëhet dhe një ballafaqim me komunitetin e biznesit, i cili është i pazëvendësueshëm në rolin e vet dhe me të cilin partneriteti i qeverive, nuk ka asnjëherë mungesë nevojë për përmirësim.
Dy fjalë për panoramën aktuale. Është pozitive që në këto vite ka një trend konstant rritës në shkëmbimet tona tregtare, por ne besojmë që potenciali është ende më i madh dhe përtej asaj që i takon vetë biznesit, është detyra jonë të lehtësojmë sa të jetë e mundur shkëmbimet tregtare, aktivitetin e bizneseve në shtetet respektive, dhe ndërveprimet mes tyre, nga shteti në shtet.
Edhe sot, një pjesë e marrëveshjeve të bëra, adresojnë nevojën e lehtësimit të këtyre shkëmbimeve, tranziti i përbashkët dhe zhdoganimi.
Është një punë e nisur qysh prej disa vitesh, midis administrative doganore, por tanimë kemi një plan veprimi të përbashkët për të zbatuar procedurat e tranzitit në zyrën e doganës së Kosovës, pranë Portit detar të Durrësit, për mallrat me destinacion Republikën e Kosovës, gjë që ka nisur qysh prej janarit të vitit 2019 dhe në të njëjtën kohë, ka nevojë për përmirësime të mëtejshme. Ajo që mund të them, dhe e them me kënaqësi, qysh në kontaktin e parë dhe më pas në takimin e parë më të strukturuar gjatë vizitës sime në Prishtinë, në shtator, me kryeministrin, e kemi vendosur këtë çështje si një nga prioritetet e punës së dy qeverive dhe është punuar intensivisht nga të dyja administratat për ta skanuar gjithë problematikën e zbatimit të marrëveshjeve të bëra në këto vite dhe njëkohësisht konkretisht, çështjen e funksionalitetit të tranzitimit të zyrës doganore të Kosovës, në Durrës dhe këto dy akte të përbashkëta mes dy administrative tona doganore sigurojnë dhe garantojnë një zbatim 100% të gjithë regjimit të tranzitit, me një reduktim kostoje të konsiderueshme për bizneset e Kosovës që tranzitojnë përmes Shqipërisë.
Gjithashtu, nga ana tjetër, ne besojmë që një marrëveshje tjetër e firmosur sot për lehtësimin e tregtisë mes palëve do të bëjë lehtësimin e mëtejshëm të të gjithë procesit të procedimin në doganë dhe të hyrje-daljeve të mallrave.
Nuk po zgjatem shumë, por po fokusohem tek fakti që kryerja e procedurave ose/dhe kontrolleve të vendit tjetër për mallrat që kanë destinacion hedhjen në qarkullim të lirë, destinacion final përdorimin e territorit doganor të këtij vendi nga personeli doganor i këtij vendi, do vendosen pranë zonave doganore të vendit pritës.
Kjo është një kërkesë e kahershme e juaja dhe merr drejtim, ashtu sikundër mallrat, frutat dhe perime do kenë një lehtësim drastik të procedurave të eksportit, bazuar në njohjen reciproke të certifikatave fito-sanitare dhe faktikisht do realizojmë atë q është kërkesa legjitime e çdo eksportuesi të këtyre mallrave delikate që nga pika A në pikën B, të mos ketë dy herë kontroll e dy herë pritje, e kështu me radhë.
Po ashtu, kemi bërë njohjen reciproke të licensave të agjencive doganore dhe regjistrimi i tyre pranë autoriteteve kompetente doganore, në mënyrë që kryeja e deklarimit të veprimeve të tranzitit në territorin e njërës republikë apo tjetrës, të jetë një procedurë e unifikuar dhe të përfshijë dhe njohjen apo vendosjen e garancisë për borxhin e mundshëm në këtë regjim.
Përcaktimi që në zonën doganore të portit të Durrësit dhe Porto Romano vendoset zyra doganore e Republikës së Kosovës dhe në vijim, sipas interesit reciprok të palëve, vendosja e zyrave dhe agjencive të tjera të palës tjetër në zonën doganore, në territorin doganor të palës vendase, besoj që është një lajm pozitiv.
Për barrierat jo tarifore, ne jemi të vetëdijshëm që është bërë progres, por ka akoma problematika dhe ka dhe probleme të vazhdueshme që shfaqen në formën, që kanë natyrë pikërisht, barrierat jo tarifore e që ndikojnë shumë në koston e produktet për eksport, duke e dekurajuar shfrytëzimin maksimal të potencialeve.
I kemi marrë me radhë, që nga çështja e skanimit, që është një problem i madh, por në këtë rast kemi dhe skanimin e dyfishtë, që është një tjetër hall i madh i bizneseve dhe së fundmi, mbasi e kemi diskutuar këtë çështje edhe në Prishtinë, në administratën doganore është reflektuar në sistemin elektronik, të doganave shqiptare, ulja e nivelit të kontrollit në skanim, nga 100% skanim vetëm 10%, në bazë risku ose siç e quajmë ndryshe në bazë të kanalit të kuq që e lehtëson ndjeshëm problematikën dhe faktikisht që tani kanë filluar të shikohen rezultate pozitive në zvogëlimin e kohës së përpunimit të mallrave.
Mund të duket pak qesharake, por unë do ta them se është një nga problemet, njohja reciproke e plumbçeve. Kemi pasur vite e vite të tëra problem që të pranonim që plumbçja e shtetit tjetër të mund të njihej nga shteti tjetër dhe faktikisht kjo ka bërë që pritja në kufi për të vendosur plumbçet autoktone, në çdo anë, të jetë një torturë në vete për bizneset, kështu që këtu përsëri është marrë një masë konkrete dhe janë udhëzuar dhe agjencitë doganore që ta rregullojnë çështjen e deklarimit para mbërritjes së deklaratave të thjeshtëzuara për eksport.
Nuk po zgjatem më tutje se ka një sërë aspektesh të tjera, por po e mbyll me më në fund njohjen e ndërsjellët të certifikatave veterinare dhe fito sanitare që edhe ky është një problem se mirë problemi që kemi me BE, që nuk na integron delet tona, por që ne të mos integrojmë delet e njëri-tjetrit e që për të çuar delet nga Shqipëria në Kosovë apo nga Kosova në Shqipëri, të kemi të njëjtin problem, siç kemi për të çuar në Bashkimin Europian, kjo është pak si e tepërt dhe natyrisht është dhe një burim humori me Albinin, por është më shumë një humor si të thuash nga e keqja e këtë të keqe tanimë e kemi hequr nga rruga kështu që me njohjen e ndërsjellët të certifikatave veterinare dhe fito sanitare, të gjitha produktet me origjinë shtazore madje edhe ato jo shtazore e bimore, por flasim për ato me origjinë shtazore që janë problem më i madh, do të jenë me një regjim të liberalizuar. Kështu që, nëse e merr në Kosovë certifikatën, ajo certifikatë është e vlefshme edhe për në Shqipëri dhe nuk ka nevojë të kërkohet pasaportë shqiptare ose anasjelltas, gjësë së gjallë që vjen si të thuash nga të njëjtat troje.
Këto ishin ato që kisha unë. Po ia kaloj fjalën kryeministrit për të bërë mbase një panoramë pak më konceptuale se unë hyra shumë në detaje, por mendova që këto detaje në fund të fundit janë e përditshmja juaj e sado mund të duken si mikrodetaje për ata që na ndjekin apo për këtë tryezë, por janë jeta e përditshme që ne duam ta lehtësojmë. Po të lehtësojmë jetën e përditshme të sipërmarrjeve dhe flukset që lëvizin mes vendeve patjetër që ajo përkthehet pastaj në më shumë shkëmbim tregtar, më shumë patjetër edhe të mira për qytetarët që janë konsumatorët e gjithë këtyre produkteve.
Faleminderit!