Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një video-konferencë me ministren e Kulturës, Elva Margariti, ministrin e Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj dhe kryetarin e Bashkisë Vorë në lidhje me ecurinë e planit të rindërtimit të Bashkisë Vorë, që është edhe një nga zonat më të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit.
Kryetari i Bashkisë Vorë informoi se në këtë bashki janë bërë 2499 aplikime për dëmtim banese, ndërkohë 877 familje marrin bonus qeraje. “Në Vorë janë për t’u shembur 19 pallate. Bashkia Vorë ka dy zona zhvillimore, Vorën dhe Marikajn dhe për to janë bërë dy dëgjesa gjatë muajit shkurt,” – tha kryebashkiaku i Vorës. Ndërkohë që ai informoi se kanë përfunduar 15 nga 20 shtëpitë në proces ndërtimi nga tërmeti i shtatorit dhe 5 janë në proces.
Ministrja Margariti nënvizoi se procesi i hartimit të planit të rindërtimit ka ndjekur të gjitha etapat dhe janë kryer të gjitha miratimet nga Bashkia Vorë. Sipërfaqja totale e rindërtimit është mbi 110 mijë m2 dhe 962 apartamente. “Jemi drejt fazës së tenderimit për procesin e ndërtimit. Plani përcakton të gjitha karakteristikat teknike dhe do të hyhet në fazën e implementimit.”
Zona e përcaktuar si zonë për rindërtim, theksoi ministrja Margariti, sjell një zhvillim jo vetëm në pjesën e godinave të dëmtuara, por bën edhe lidhjen me zonën urbane përreth dhe me një pjesë shërbimesh të munguara të qytetit. Ajo identifikoi si një nga problematikat kryesore të qytetit të Vorës, një sistem rrugor tepër kaotik. “Një unazë e ngarkuar që ka sjellë një trafik në zonën e brendshme urbane dhe rrugët dytësore nuk kanë qenë prezente në pjesën e qendrës dhe kjo ka sjellë një zhvillim kaotik edhe të vetë banesave rezidenciale,” – tha ministrja Margariti.
Plani i rindërtimit, krahas rikthimit në familjeve në shtëpi me standarde edhe më të mira, adreson pikërisht edhe problematikat e zhvillimit urban të qytetit. “Shmangia e trafikut brenda zonës së qytetit dhe krijimi i zonave këmbësore, – tha Margariti, – janë marrë parasysh edhe në planin e detyruar post-tërmet. Koncepti i rindërtimit fillon nga risistemimi i trafikut, duke kompletuar unazën dhe duke krijuar një rrugë dytësore që është një segment paralel me autostradën dhe bën shfryrjen e trafikut. Ajo çfarë i mungon totalisht qytetit të Vorës është dimensioni urban i një qyteze me një bulevard, një aks rrugor që do krijonte përreth edhe hapësirat sociale, ekonomike dhe komunitare.”
Plani i rindërtimit parashikon krijimin e 2515 metra infrastrukturë rrugore të re, krijimin e tregut të ri në aksin e bulevardit, krijimin e disa hapësirave të gjelbra dhe kompleksin sportiv, që do të lidhen me pjesën kodrinore të qytetit dhe do të sjellin një jetesë të ri për komunitetin. Plani i rindërtimit përfshin edhe godinën e re të Bashkisë dhe të disa institucioneve të tjera publike, si dhe të objekte arsimore.
Ministri i Shtetit për Rindërtimin Ahmetaj theksoi se tashmë ka tre projekte të detajuara, ai i ndërtimeve individuale; zhvillimi urban i qytetit të Vorës; infrastruktura publike. Po ashtu është në process dorëzimi i ofertave për ndërtimin e 49 shkollave. Ministri Ahmetaj tha se në një projeksion të tanishëm mendohet që për tre muaj të fillohet me pjesën e infrastrukturës.