Poliklinika e re e Lushnjës, me një larmi shërbimesh mjekësore e shndërruar plotësisht pas dy dekadash lënie në harresë, falë bashkëpunimit të qeverisë shqiptare me qeverinë zvicerane, nëpërmjet Projektit Shëndet për të Gjithë (HAP)
Poliklinika e Lushnjës është një tjetër qendër shëndetësore e shndërruar, në kuadër të programit kombëtar të rehabilitimit të 300 qendrave shëndetësore në mbarë vendin.
E lënë pas dore prej pothuajse dy dekadash, pa asnjë investim dhe drejt amortizimit të plotë, ndërtesa 3 kate, në qendër të qytetit të Lushnjës, ku ushtron aktivitetin shëndetësor poliklinika e specialiteteve, qendra shëndetësore nr. 1 dhe konsultorja e gruas dhe fëmijës e qendrës shëndetësore nr. 2, – i është nënshtruar rehabilitimit tërësor dhe është mobiluar me pajisje mjekësore të reja.
Kryeministri Edi Rama vizitoi sot Poliklinikën e re të Lushnjës ku janë investuar rreth 750 mijë euro, fryt i partneritetit të qeverisë shqiptare me qeverinë zvicerane, nëpërmjet projektit Shëndet për të Gjithë (HAP).
“Investimi në poliklinikën dhe në dy qendrat shëndetësore është realizuar në kuadër të bashkëpunimit me qeverinë zvicerane, nëpërmjet projektit shëndet për të gjithë. E gjithë struktura është zhvilluar sipas një sistemi shumë komod për qytetarët dhe familjarët. Ndërkohë që bëhet monitorimi me sistemin e kamerave për të parë se sa fluks ka poliklinika dhe qendrat shëndetësore sepse janë të organizuara tw gjitha në një godinë.” – u shpreh ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu.
Ajo shpjegoi ndër të tjera se shërbimi Ambulator në poliklinikë funksionon me 17 Kabinete.
“Poliklinika ka 17 kabinete ku ofrohen shërbime të ndryshme specialistike, ndërkohë që dy qendrat e tjera shëndetësore ofrojnë shërbim për rreth 25 mijë banorë. Të gjitha kabinetet kanë një sistem të monitorimit.”
Ndërkohë për stafin mjekësor që shërben aty, i cili përbëhet nga mjekë të vjetër dhe specializantë të rinj, investimi në poliklinikë ishte një domosdoshmëri. “Është një investim i cili duhej bërë për qytetin. Është një investim që i takon qytetarëve. Janë ata që do e gëzojnë dhe që do të marrin një shërbim akoma më të mirë nga ana jonë. Kemi për detyrë ta ruajmë, ta mirëmbajmë. Kjo është ajo që duhet të bëjmë.” -shprehet një prej mjekëve.
Për mjekët që punojnë prej vitesh në këtë poliklinikë , ndryshimi është edhe më i dukshëm.
“Kemi 17 vjet që punojmë dhe është një ndryshim rrënjësor, siç ishte dhe siç është tani. Si dita me natën.” – thotë një prej tyre.
Funksionimi me të gjitha kapacitetet i Poliklinikës ka bërë që të ulet ndjeshëm fluksi i pacientëve në spitalin e qytetit, pasi ata mund të marrin shërbimin ambulator me kushtet optimale, në Poliklinikë.
“Fluksi i pacientëve tani sa ka filluar. Në krahasim me spitalin, edhe ne vete e kemi shtuar sepse kemi ndarë punën ambulatori këtej, spitali ndej, nga 15 kemi kaluar në 20 eko. Edhe radha e pritjes ulet dhe ne bëjmë më shumë ekzaminime.” – shprehet mjekja specialiste e imazherisë.
Check-up ose kontrolli mjekësor bazë falas, është një shërbim që qytetarët e Lushnjës e kanë mirëpritur dhe mund ta realizojnë në poliklinikë, sipas standardeve më bashkëkohore. Lidhur me këtë, Ministrja Manastirliu u shpreh: “Lushnja është një ndër qytetet që është shumë mirë me realizimin e kontrollit mjekësor bazë. Sigurisht është një punë e madhe që bëjnë mjekët e familjes për të bërë të gjithë informimin e qytetarëve për ta bërë check up 1 herë në vit nga 35-70 vjeç, por në të vërtetë kemi rezultate impresionuese nga kontrolli mjekësor bazë, për sa i përket kapjes në kohë së sëmundjeve, sidomos prediabetikët, të cilët nëse kapen në kohë kanë mundësi rikuperimi shumë më të mira.”
Ndërsa, Kryeministri u shpreh se falë punës së madhe që u bë në këtë drejtim, mentaliteti ka ndryshuar shumë dhe kostot e familjeve për shëndetin janë ulur. “Ishte një fazë e vështirë sepse u bë shumë luftë kundër. Plus që edhe tradita nuk është sepse ne jemi një popull që e lajmë makinën çdo ditë dhe për trupin kujtohemi kur fillon edhe bën kolpo. Por, faktikisht tani ka ndryshuar shumë mentaliteti dhe gjithashtu ulen shumë kostot. Ulen kostot e familjeve, ulen kostot e spitaleve, ulen kostot e shëndetit.”
Poliklinika e re është mirëpritur në masë edhe nga qytetarët, të cilët shprehen të shumë të kënaqur me standardet e reja të shërbimit.