Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Në Sofje të Bullgarisë, vend i cili mban Presidencën e radhës të Bashkimit Europian, u zhvillua takimi i kryeministrave të Ballkanit Perëndimor me Presidentin e Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker, Shefen e Politikës së Jashtme në Bashkimin Europian, Federica Mogherini dhe Komisionerin për Zgjerimin, Johannes Hahn. Kryeministri Edi Rama u shpreh pas këtij takimi, që përmbylli edhe turin në rajon të Presidentit Juncker, se ka një mirëkuptim të gjerë lidhur me hapat e rëndësishme përpara që ka bërë Shqipëria.

“Ky ishte një takim përmbyllës i vizitës së Presidentit të Komisionit, Komisionerit për Zgjerimin, si dhe të shefes së diplomacisë europiane këtu në Sofje, pas stacioneve në të gjithë pikat ku ata po ndalen në Ballkan. Në një farë mënyre ishte një bilanc, që unë e konsideroj shumë pozitiv, të cilin e parashtroi edhe Presidenti Juncker, si dhe një diskutim mbi ecurinë e Procesin të Berlinit në aspektin e financimeve të pritshme ku korridori blu apo autostrada Adriatiko-Joniane është në prioritet parësor. Ajo çka vlen të theksohet për publikun tonë është këndvështrimi shumë pozitiv i kësaj tresheje, që faktikisht është treshja e referencës për vendet anëtare, lidhur me ecurinë dhe gatishmërinë e Shqipërisë në këtë moment kyç, ku ne presim një rekomandim pozitiv nga Komisioni Europian dhe pastaj, sigurisht, edhe një përgjigje pozitive nga vendet anëtare. Është e qartë që duhet të punojmë intensivisht në këtë periudhë përsa i përket vendeve anëtare, pasi kështu funksionon ky proces, por po ashtu është e qartë se ka një mirëkuptim të gjerë lidhur me hapat e rëndësishme përpara që ka bërë Shqipëria,” u shpreh Kryeministri Rama pas takimit.

Duke vlerësuar operacionin më të fundit të Policisë Shqiptare dhe strukturave të tjera ligjzbatuese shqiptare në Portin e Durrësit, Kryeministri Rama u shpreh se u dëshmua gatishmëria e lartë e forcave tona në përballje të fortë kundër krimit të organizuar dhe trafikantëve të çdo lloji.

“Mbase vlen të nënvizohet që edhe operacioni më i fundit i agjencive tona ligjzbatuese, Hetimi Doganor dhe Policia e Shtetit, me mbështetjen e Prokurorisë, pati një jehonë shumë pozitive dhe u vlerësua me pozitivet maksimal, duke pasur parasysh që ngarkesa e kapur përbën jo vetëm një sasi që është më e madhja e kapur ndonjëherë prej nesh, por një sasi që, përpara sesa të vijë në vendin tonë, ka kaluar në portet e Bashkimit Europian dhe faktikisht i ka shpëtuar kontrolleve. Ashtu sikundër ishte po kaq e rëndësishme edhe vetëdija dhe nënvizimi i kësaj vetëdijeje se ky ishte një operacion mirëfilli i agjencive tona ligjzbatuese, pa, në këtë rast, një sinjalizim nga partnerët. Është krejt e natyrshme që ne të punojmë vijimësisht me partnerët. Është krejt e natyrshme që operacionet të jenë fryt i bashkëpunimit me partnerët, por në këtë rast është treguar gatishmëri dhe integritet i lartë i vetë forcave tona, të angazhuara në luftën kundër trafiqeve. Ajo që vlen të theksohet në këtë rast është gatishmëria e lartë e forcave tona në terren në këtë përballje të fortë kundër krimit të organizuar dhe trafikantëve të çdo lloji. Është e qartë se faza e parë e mbyllur me sukses, për ta çrrënjosur kanabisin, tanimë ia ka lënë vendin fazës së dytë, ku lufta jonë vjen duke u përshkallëzuar, gatishmëria jonë duke u rritur dhe patjetër, edhe aftësitë e agjencive tona ligjzbatuese, duke u provuar në terren me rezultate konkrete,” u shpreh Kryeministri.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.