Prezantimi i Kryenegociatorit për Zhvillimim e Negociatave për antarësimin e Shqipërisë në BE, ambasadorit Zef Mazi:
Kryeministri Edi Rama: Përshëndetje të gjithëve! Në radhë të parë më lejoni të falenderoj ambasadorin, Zotin Soreca, për praninë e tij dhe në këtë moment me rëndësi ta falenderoj, jo thjesht për praninë dhe kohën që na dedikon bujarisht sot, por për të gjithë përkushtimin dhe punën e Delegacionit të Komisionit Europian në Shqipëri.
Përfitoj nga rasti të përsëris që lum kush është në këtë proces për të mirën e gjeneratave të tjerave dhe mjerë kush ka të bëjë me Delegacionin e BE kur qeveris vendin, sepse nuk ka makineri më pa zemër dhe më pedante në ndjekjen e fakteve dhe në adresimin e problemeve përtej dashurisë së shpallur dhe të pamohueshme mes Europës dhe Shqipërisë, Shqipërisë dhe Europës. Por, është një dashuri me një kosto të lartë energjish, nervash, pune, siç edhe duhet të jetë në fakt. Komisioni është garanti i progresit, qoftë përsa i takon ndihmës së drejtëpërdrejt me hartën e veprimit që është një eksperiencë e madhe e akumuluar në vite dhe një mekanizëm i pazëvendësueshëm individualisht nga asnjë shtet që kërkon të bëhet anëtar i BE, qoftë edhe me monitorimin rreptë, nga shumë afër, të ecurisë së progresit.
Historia e marrëdhënieve tona me BE është një histori e gjatë, e cila daton shumë kohë më parë sesa forcat e mëdha progresiste dhe vizionarët e mëdhenj europianë t’i jepnin jetë BE-së dhe sot është një histori që ka hyrë në rrugën e materializimit të një ëndrre shekullore të shqiptarëve për t’i përkitur Europës, si të vetmes hapësirë ku shqiptarët janë të garantuar se fatin e tyre e përcaktojnë vetë, bazuar mbi vlera dhe parime që të gjithë popujt dhe individët liridashës përqafojnë dhe nuk ua përcaktojnë fuqitë e treta, siç ka ndodhur për shumë e shumë kohë në historinë tonë.
Sot jemi në kushtet kur përgatitemi për një event historik që është Konferenca e parë Ndërqeveritare. Në bazë të vendimit të marrë nga Këshilli, Shqipërisë i është hapur drita jeshile për fillimin e negociatave dhe kemi zbatuar detyrimin e zgjedhjes së kryenegociatorit që kam kënaqësinë dhe nderin ta kem në krahun tim, majtas ka qëlluar këtu në këtë tavolinë, por që mishëron traditën më të mirë të diplomacisë shqiptare, as majtas, as djathtas, por drejt dhe vetëm në funksion të interesave kombëtare dhe shtetit shqiptar, pavarësisht qeverive që i zënë vendin njëra –tjetrës, siç ndodh natyrshëm në demokraci.
Kam parë me kuriozitet eksperiencat e vendeve të tjera dhe thjesht për të ndarë me ju disa fakte që janë mbase interesante edhe për ju.
Serbia zgjodhi si kryenegociatore një politologe me një histori të gjatë pedagogjie dhe përvojë në Ministrinë e Punëve të Jashtme.
Mali i Zi ia besoi këtë pozicion një ekperti të shkencave bujqësore me përvojë të madhe në hartimin e projekteve ndërkombëtare.
Maqedonia e Veriut duket se do t’ia besojë këtë rol një aktivisti të shquar të shoqërisë civile dhe një jurist me përvojë ndërkombëtare.
Më parë, Kroacia, vendi që përfaqëson më së miri simbiozën ballkaniko-europiane zgjodhi një zëvendësministër të Ekonomisë për të përfunduar negociatat e veta shumë të suksesshme.
Ndërsa ne, kemi preferuar të vëmë bastin tonë, për të thënë një shprehje që mbase nuk është plotësisht e duhura, sepse kjo nuk është një ndeshje, të cilës nuk i dihet fundi. Kjo është një ndeshje që thjesht nuk i dihet kohëzgjatja dhe sfida jonë është që të shkurtojmë sa të jetë e mundur kohën e zgjatjes së kësaj ndeshjeje. Është një ndeshje me të gjitha problemet dhe me të gjithë trashëgimitë që duhen adresuar me reforma në funksion të transformit në një vend të BE, – një diplomat me një histori disi të veçantë në suazën e diplomacisë shqiptare, Zef Mazin, i cili i ka shërbyer për shumë vite shtetit shqiptar, por ka shërbyer po ashtu edhe për organizma të rëndësishëm ndërkombëtarë. Ai është më shumë sesa një diplomat, pasi falë kontributit në Agjencinë Botërore të Energjisë Bërthamore dhe në formulimin e politikave afatgjata për një botë më të sigurt hyn në rrethin e atyre njerëzve që Shqipëria i ka, dhe ka jo pak në botën e sotme, dhe në një farë mënyre përfaqëson të dyja anët e një medaljeje të këtyre 30 viteve; anën e medaljes që flet për shërbimin këtu në vend dhe për vendin dhe anën e medaljes që flet për vënien në dispozicion të kapaciteteve intelektuale dhe të eksperiencës në shërbim të një bote më të mirë jashtë vendit dhe brenda institucioneve me reputacion të madh ndërkombëtar.
Nuk dua të zgjatem me biografinë e pasur profesionale të ambasadorit Mazi, i cili nuk e di a e ka të shënuar, apo dëshiron që t’ia kujtojnë, por në një moment të caktuar është parë nga forcat politike si një kandidat i mundshëm për të qenë President i Republikës sonë, gjë që besoj vlen të përmendet si një shembull i respektit që gëzon ambasadori horizontalisht në skenën politike nga të gjitha forcat dhe partitë që kanë qeverisur këtë vend. Ky është një element i rëndësishëm për profilin e kryenegociatorit. Ne jemi shumë të vetëdijshëm që kryenogociatori është një individ dhe një figurë institucionale që duhet të ketë referencën e të gjitha palëve. Ky proces është një proces, ku palët nuk duhet të mjaftohen thjesht me shprehjen plateale të përkushtimit për Europën, por dhe duhet të gjejnë forca, kurajo, vullnet për të ndërvepruar me njëra – tjetrën përtej betejës së natyrshme të ditës dhe për fat të keq, edhe të konflikteve që prodhon dita në Shqipëri.
Këtu së bashku me përfaqësuesit e mediave janë të ftuar edhe koordinatorët e rrjetit të integrimit, pasi ky është një proces ndërinstitucional, ndërministror, ku praktikisht përfshihen të gjitha institucionet e vendit, ato qendrore relevante dhe ku bëhet fjalë për të negociiuar kontratën e madhe të vendit me BE në çdo fushë. Kjo është një sfidë më vete, një sfidë e madhe për kryenegociatorin, i cili nga njëra anë do të përfaqësojë ekipin tonë përballë palës tjetër, por nga ana tjetër do të duhet të krijojë një frymë skuadre, një disiplinë skuadre, do të duhet të krijojë kushtet që koordinatorët t’i përkushtohen këtij procesi, jo si një punë e dytë, pasi faktikisht një pjesë e madhe e tyre janë zëvendësministra dhe të tjerët janë në funksione të punës së përditshme të ndryshme, por nga momenti i krijimit të kësaj skuadre në këtë fazë, ky është prioriteti i tyre numër 1 dhe nuk mund të jetë një punë dytësore, një punë që bëhet pas orarit të punës, por një punë në skuadër ku natyrisht nuk bëhet fjalë thjeshtë për personat e kontaktit në çdo ministri apo në çdo institucion, por bëhet fjalë për bërthamën e skuadrave në çdo ministri apo institucion, që duhet drejtuar, që duhet koordinuar dhe motivuar pikërisht nga të gjithë përfaqësuesit e këtij rrjeti.
Përzgjedhja e bërë është një përzgjedhje ku jemi munduar të zgjedhim ata që janë me profilin më të përshtatshëm për të bërë këtë punë, por nga ky moment të gjithë duhet ta kenë të qartë që janë nën varësinë e drejtëpërdrejt të kryenogociatorit. Është ai që do të bëjë vlerësimin e punës të secilit. Është ai që do të përcaktojë vijimësinë e secilit në këtë detyrë kaq të rëndësishme, që do të thotë që natyrshëm është kryenegociatori që mund të bëjë edhe zëvendësime për ata që nuk i përgjigjen ritmit, nuk i përgjigjen afateve dhe nevojës për të patur një performancë sa më të mirë në këtë proces. Detyra e këtij grupi negociator është mbajtja e kontakteve direkte me delegacionin e BE, është hartimi i politikave, metodologjisë, i raporteve, i plotësimit të kuadrit negociues për të përmbushur sa më mirë dhe sa më shpejt. Natyrisht kjo “sa më shpejt” është relative. Jemi të qartë për këtë, për të gjitha detyrat që lidhen me kapitujt e të ashtëquajturit acquis communautaire.
Grupi do të mbështet nga të gjitha kapacitetet e qeverisë që do të vijojë patjetër të bëjë rolin e vet. Grupi negociator nuk është një qeveri më vete. Qeveria nuk i lan duart nga kjo punë në mometin e formimit të këtij grupi negociator dhe emërimit të një kryenegociatori, por ndërvepron intesivisht me këtë grup, ashtusikundër duhet ta bëj të qartë që grupi negociator ka një pushtet me rëndësi të madhe, jo thjeshtë influencues, por edhe urdhërues mbi qeverinë dhe mbi institucionet. Që do të thotë se kërkesat e grupit negociator dhe detyrat e vëna nga kryenegociatori për çdo ministri dhe ministër nuk janë fakultative, janë detyruese dhe prioritare.
Leximi i eksperiencës i të gjitha vendeve të tjera thotë që kush ka arritur të bëjë këtë më mirë, ka arritur të ecë më shpejt në këtë proces. Kush ka arritur që ta vendosë agjendën e punës së përditshme të negociimit në krye të prioriteve të punës së qeverisë, jo thjesht në letër, por në aksionin e përditshëm, ka arritur t’i bëjë gjërat më cilësisht dhe të ketë më shumë sukses në negocim. Këtu dua të vij tek ajo që kam përsëritur pafundësisht kur bëhet fjalë për kushte, sepse shqiptarët duhet ta dinë, natyrisht për progapagandë, natyrisht për politikë, natyrisht për për arsye taktike partiake mund të recitohet kënga e kushteve, 9 kushte, 12 kushte, 15 kushte, 14 kushte, u plotësuan dy… Në fakt, me fillimin e këtij procesi, kushtet nuk janë as 15, as 9, as 4, janë mijëra. Nuk e ekzagjeroj. Janë mijëra, sepse mijëra janë faqet e përafrimit dhe përputhjes së legjislacionit dhe të dokumenteve të raportimit lidhur me plotësimin e këtyre kushteve.
Mbi të gjitha, ky proces nuk është më një proces thjesht shkruaj ligje, por është edhe një proces provimi i përditshëm për zbatimin e tyre. Nëse sot për të arritur në çeljen e Konferencës Ndërqeveritare, që është hapja formale, zyrtare e negociatave ku qeveria shqiptare dhe qeveria e BE ulen në një tryezë, janë për t’u plotësuar disa premisa dhe nuk janë 15-të; Funksionimi i Gjykatës Kushtetuese, fillimi i funksionimit të Gjykatës së Lartë, Byroja Kombëtare e Hetimit dhe përfundimi i Reformës Zgjedhore. Pas uljes në tryezë çdo ministri, çdo institucion do të ketë përpara kushtet e veta, është një pafundësi kushtesh, sepse është negocim. Dhe nuk është negocim midis dy aksionerëve që po ndajnë ndërmarrjen, është negocim midis një superfuqie dhe një mikrofuqie që kërkon të bëhet pjesë e superfuqisë dhe kuptohet që negociata është e pabarabartë. Superfuqia kërkon, mikrofuqia zbaton, mësuesi dhe nxënësi. Është një zgjedhje që ne e kemi bërë jo sepse na e kërkojnë në Bruksel, Paris apo në Berlin, por sepse e kërkon amaneti i të parëve tanë dhe e kërkon e ardhmja e fëmijëve tanë.
E fillova me një falënderim do ta mbyll me një falenderim. Jo formal ishte i pari, jo formal është i dyti.
Do të falenderoj Ministrin në detyrë, i cili realisht ma ka bërë fare të lehtë që formalisht unë të kem titullin për arsyet që dihen, sepse faktikisht e ka bërë dhe e bën punën e tij më mirë seç do ta bëja unë po të isha këtu në detyrën e tij. E them pa asnjë kompliment dhe pa asnjë ekzagjerim, ju e dini që nuk hyj tek ata që e pranojnë kollaj se ka njerëz më të zotë se veten, por faktikisht dua ta falënderoj me gjithë zemër për punën e jashtëzakonshme që ka bërë nën një presion të madh, sepse kjo Ministri ka sigurisht një presion shumë të madh sfidash, detyrash dhe mbi të gjitha në kohën jashtëzakonisht të vështirë të karantinës, kur ministria ka arritur t’i përgjigjet mijëra e mijëra shqiptarëve në hall, lloj-lloj halleve e lloj-lloj problemeve.
Kështu që, me këtë falenderim dhe duke e falenderuar ambasadorin për gatishmërinë që nuk hezitoi të thoshte “po” për këtë sfidë të madhe, që besoj që na bën nder të gjithëve ne, por natyrisht i vë një kapak floriri një karriere absolutisht të pa asnjë njollë.
Kryenegociatori, Zef Mazi: Faleminderit shumë Zoti Kryeministër për panoramën e gjerë që bëtë në fjalën tuaj në lidhje me negociatat, që shpresoj të hapen së shpejti me BE-në. Ndjehem mjaft i prekur nga fjalët tuaja dhe vlerësimet që bëtë në adresën time.
Për mua është nder në cilësinë e Kryenegociatorit për negociatat e anëtarësimit me BE-në, që të jem këtu sot në krahun tuaj dhe përballë ekipit negociues, negociatorëve, ambasador Soreca-s dhe një numër kolegësh të Ministrisë për Europën dhe Punëve të Jashtme. Detyra që ne kemi përpara është, siç thatë edhe ju, mjaft e vështirë dhe mjaft komplekse, për çka unë ndjehem mjaft i dedikua, sepse ndërtimin e marrëdhënieve kontraktuale për anëtarësi me Europën, unë e shoh si ushtrimin më të vështirë që ka marrë vendi ynë përsipër për të realizuar në këto 70 vite të historisë moderne të shtetit tonë.
Është nder i madh! Ndjehem pak nostalgjik sot. Dua ta pranoj sepse sot ndodhem tek institucioni ku unë mora një rrugë të gjatë dhe në karrierën diplomatike dhe atë të marrëdhënieve ndërkombëtare, ishte ai që më ngriti. Në këtë institucion unë erdha pas një karriere, përsëri një dekade e diçka më shumë, në Shtëpinë Botuese, në Drejtorinë e Përgjithshme të Telekomunikacioneve, që kam qenë në atë kohë, si shef i marrëdhënieve me jashtë. Pasi erdha në MPJ, mbuloja deskun e OSBE-së (KSBE-së në atë kohë) dhe paralel bëja edhe anëtarësinë në Delegacionin e Përhershëm të shtetit tonë për të negociuar me Mbretërinë e Bashkuar, rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike.
Kujtoj sot, se nesër bëhen ekzakt 29 vite qëkur vendi ynë u pranua në KSBE. Ka qenë mbledhja e ministrave të Jashtëm në Berlin kur ne u pranuam. Kujtoj me përulje draftimin e letrës së parë për aplikim, ku mora pjesë edhe unë, për të hyrë në këtë organizatë.
Pastaj emërimet më çuan në katër poste drejtuese si shef misioni i Republikës së Shqipërisë në marrëdhëniet dypalëshe dhe shumëpalëshe si ambasador në këto organizata, çka vazhdoi me punën time në nivele mjaft të larta në organizata ndërkombëtare, nga të cilat 10 vite në Agjencinë Bërthamore Ndërkombëtare me qendër në Vjenë, ku shërbeva për 7 vite si asistent special i Drejtorit të Përgjithshëm për të gjithë strategjinë e organizatës. Ishte detyrë mjaft e vështirë, shumë negociata me shtetet anëtare në aspekte mjaft sensitive që mbulon ajo organizatë, deri në momentin e këtij emërimi.
Është e vërtetë që këtu, në këtë ministri, unë kam një numër kolegësh dhe një numër miqsh. Ka një bërthamë të vyer të ambasadorëve, me një eksperiencë të gjatë, të cilët, siç e thatë edhe ju Zoti Kryeministër, pavarësisht ndryshimeve në qeveri, ajo bërthamë është ruajtur. Kjo në fakt është një nder për shtetin tone, sepse e gjykoj që cilido nga kjo bërthamë e vjetër e këtyre ambasadorëve mund ta bënte me të njëjtin dedikim këtë post. Prandaj, sot ndjehem shumë i prekur që me të njëjtin përkushtim dua t’ju falenderoj për besimin që treguat, për mirëkuptimin absolut ndaj meje dhe në detyrën që unë jam ngarkuar të kryej, do të bëj maksimumin që të ruaj profilin e një punonjësi civil me nivel të lartë në shërbim të shtetit dhe të vendit tim. Ky është objektivi i të gjithë aktorëve në vendin tonë.
Grupi negociator që unë do të kryesoj do të funksionojë si avokati më i mirë i vendit tonë dhe i popullit tonë, si një partner serioz, bashkëpunues, me Unionin Europian dhe me institucionet e tij.
Rrugë e gjatë, me sfida, me vështirësi, ndoshta do të kemi dhe pengesa, por motoja unë mendoj që duhet të jetë, jo “kjo gjë nuk bëhet” por të gjejmë mënyrën, të gjejmë rrugët për të realizuar, për ta bërë atë që ne do të kemi nevojë ta bëjmë në plotësim të kushteve, të detyrave tona.
Ju përmendët mijëra faqe zoti Kryeministër. Në mos gaboj janë 130 mijë faqe të acqui-së të Unionit Europian që do të negociojmë, me 35 kapituj. Prandaj ka shumë rëndësi, siç e thatë dhe ju, ekipi. Sukses i misionit, kryemisionit, është kur ekipi funksionon harmonishëm, i koordinuar plotësisht, duke ruajtur ritmin e kryerjes së detyrave dhe kërkesave që ka kjo punë që kemi përpara. As ulje dhe as nxitim i madh, sepse këtu kemi të bëjmë me një maratonë të gjatë dhe zakonisht kur shohim maratona, eksperienca, na ka mësuar që ato që e nisin me vrap në fillimet e saj, nuk e përfundojnë dot as gjysmën e maratonës. Është garë e gjatë, por qëllimi është i madh dhe është i njëjtë.
Detyra ime si kryenegociator do jetë që të dëgjoj, që të sqaroj, që të kërkoj, pa asnjë shmangie, pa asnjë ulje ritmi, duke biseduar me të gjitha nivelet e larta të shtetit tonë, me të gjithë aktorët politikë të vendit tonë, sepse kjo rrugë e gjatë ka nevojë për mbështetjen e plotë të gjithsecilit. Ka nevojë për mbështetjen e plotë të institucioneve tona, të Presidentit të Republikës, të Kryetarit të Parlamentit, të Qeverisë (që Kryeministri e theksoi, do të ketë mbështetjen e qeverisë), të akademikëve, të shoqërisë civile, të mediave. Pra, i gjithë kompleksi institucional i shtetit tonë duhet të jetë në bashkëpunim të plotë e në mbështetje të kësaj ecurie të madhe që ne kemi përpara për të ecur progresivisht me kryerjen e detyrave që do na vijnë dhe negociatave për hapjen në kohë dhe eventualisht mbylljen në kohë, me të njëjtat ritme, të kapitujve të veçantë.
Kam biseduar me Kryeministrin dhe po punohet që në vendin tonë, në Tiranë, të krijohet, të ngrihet një Akademi për integrimin. Kuptohet që për këtë po punohet. Kjo Akademi do të jetë si një qendër edukimi, një qendër trajnimi në vijim, për të gjithë ata që do merren me çështjet e integrimit ku do të shkëmbehen mendime, do të shkëmbehen eksperienca, do të punojnë lektorë të vendit dhe lektorë të huaj do të ftohen për të ndarë me ne eksperiencat e tyre.
Për dijeninë tuaj, ekipi i kryenegociatorit do të përbëhet nga një numër i vogël ndihmësish, këshilltarësh, 3-4 veta, një bërthamë e vogël sepse funksionojnë rrjeti i negociatorëve në çdo ministri. Vakancat për këto tre vende, në kohën e duhur, pa u vonuar, por dhe pa u ngutur do të bëhen publike, që t’i jepet mundësi cilitdo që gjykon se ka aftësitë e duhura, të aplikojë dhe unë do t’i shoh me shumë kujdes, të gjitha aplikimet për këto poste, për çdo kandidaturë, sepse ky post që unë do të mbaj me shumë nder, ka nevojë të këshillohet, jo të këshillojë dhe këshilltarët. Duhet jenë ata që do japin këshilla prandaj do të kemi mundësi që të zgjedhim më të kualifikuarit, sepse suksesi i punës sonë ka më shumë rëndësi se sa preferencat individuale.
Ritheksoj, para se ta mbyll fjalën përshëndetëse me ju, rëndësinë e madhe që ka vlerën e shtuar që ka ekipi negociator, puna që do bëjë ky ekip në mënyrë të harmonishme, të koordinuar, duke folur me një zë, duke punuar sëbashku për arritjen e objektivave. Vetëm ashtu do bëhet sukses dhe misioni do bëhet i mundshëm. Siç thatë dhe ju zoti kryeministër, unë vij në këtë post, i nderuar, pas shumë vitesh pune jashtë shtetit, në nivele edhe mjaft të larta drejtuese, në organizata botërore e ndërkombëtare. Ka qenë një vlerësim jashtëzakonisht i madh që në këto vende ka punuar një diplomat shqiptar dhe unë jam i nderuar për atë. Por ky emërim dhe ky post që kam sot, që kam pasur nderin të caktohem prej jush, ka rëndësi absolutisht të veçantë. Është emocionalisht shumë i veçantë. Është krenari dhe nder sepse unë do të punoj sëbashku me ju, do punoj për vendin tim, për shtetin tim. Ju faleminderit!
Kryeministri Edi Rama: Ambasador, dhe tani meqë dëshiruam praninë e mediave, gazetarëve, ju lutem.
-Zoti Rama, ju thatë që të gjitha palët duhet të tregojnë që jo thjesht e duan Europën, por të japin kontributin e tyre. Çfarë keni bërë ju personalisht për ta bërë gjithëpërfshirës këtë proces dhe kam këtu parasysh akuzat e Presidentit të Republikës, i cili tha se edhe plani i veprimit i prezantuar në Këshillin e Integrimit ishte hartuar nga ekzekutivi dhe nuk ishin marrë fare parasysh sugjerimet e tyre.
Pyetja e dytë, ju kërcënuat vetëm pak minuta më parë Lulzim Bashën se vetëm një fije peri e ndan nga grisja e marrëveshjes nëse vazhdojnë në të njëjtën mënyrë. A po kërcënohet kështu edhe procesi i integrimit duke patur parasysh që është një nga kushtet kryesore reforma zgjedhore?
Kryeministri Edi Rama: Faleminderit për të dyja pyetjet!
Së pari, unë nuk i përgjigjem akuzave me kundër akuza sepse besoj është detyra juaj t’i verifikoni dhe e kam thënë gjithmonë, një nga problemet e mëdha që ka shoqëria jonë është pingpongu, akuza, kundërakuza, deklarata, kundërdeklarata, në mungesë të të tretit të vërtetit që natyrisht duhet të jeni ju. E kur them ju, flas për rolin që ka media. Plani i veprimit nuk është një plan i shkruar nga qeveria. Sigurisht që, është qeveria që e përmbledh kontributin e gjithsecilit, por për dijeninë tuaj është një plan i shkruar në komunikim intensiv me ata që na shoqërojnë në këtë proces e që na monitorojnë në këtë proces. Në këtë rast, mua më vjen mirë që pikërisht ata e vlerësojnë planin si një plan realist, të duhur, të drejtë. Akuzat apo pretendimet që burojnë nga axhendat politike janë pjesë tjetër. Nuk kanë lidhje me këtë institucion, nuk kanë lidhje me këtë event.
Sa i përket të dytës, ju përdorët fjalën kërcënim. Unë nuk bëj kërcënime. Nuk e di çfarë është kërcënimi me thënë të drejtën. Nuk e kam në ADN-në dhe në kulturën time, por mbase ngatërroni të folurin hapur dhe të drejtpërdrejt, shpeshherë e quani arrogant, shpeshherë e quani ndryshe. Ajo që unë thashë dhe dua ta përsëris është që ky është një proces ku duhet të respektojmë maksimalisht qëllimin që është i përbashkët. Askush nuk dyshon besoj, unë jo, që, në raport me këtë qëllim nuk kemi diferenca. Unë nuk dyshoj që Lulzim Basha apo Ilir Meta apo shtojini me radhë emrat, nuk duan që Shqipëria të integrohet në Bashkimin Europian. Besoj që të gjithë e duan këtë, por ama kjo nuk mjafton sepse integrimi në Bashkimin Europian nuk është një udhëtim me avion. Nuk është as një transferim nga këtu atje.
Është ndërtimi këtu i Europës. Kur themi ndërtimi këtu i Europës, i vlerave, parimeve dhe standardeve të kthyera në materie demokratike institucionesh dhe komunikimi. Në Europë unë nuk di të funksionojë kështu siç funksionon këtu debati, edhe kur është shumë i nxehtë. Unë nuk e pranoj dhe nuk kam për ta pranuar që, nga një anë ne nënshkruajmë një marrëveshje parimore, e gjitha në funksion të kërkesave të Partisë Demokratike dhe nga ana tjetër, shahemi, fyhemi dhe akuzohemi përditë, për këtë çështje, nuk po flas për të tjerat. Për këtë çështje kërcënohemi dhe shantazhohemi përditë me një gjuhë rruge nga figurat e njohura të sharësit dhe të shpifësit në atë parti.
Kjo është e papranueshme! Marrëveshja e nënshkruar do shkojë në parlament dhe e para njëherë, ne nuk i kemi asnjë detyrim Partisë Demokratike që të jemi të qartë, që t’i shërbejmë sikur jemi shërbëtorë të paguar; ulin kokën, lajnë pjatat dhe marrin dhe të sharat e të zotit të shtëpisë.
Ne jemi zot shtëpie këtu, siç janë edhe ata. Nuk jemi shërbëtorët e tyre. Me thënë të drejtën, ata nuk meritonin nga ne gjithë atë respekt dhe gjithë atë tolerancë, por ne nuk e bëmë për ata. Ne e bëmë për një interes më të madh e për të dhënë dhe një shembull të qartë që jemi ndryshe edhe në këtë rast. Se thuhet që opozita gjithmonë e ka bërë Reformën Zgjedhore. Nuk është e vërtetë! Kjo është e pavërtetë! Unë kam qenë dhe në opozitë. Kemi diskutuar, kemi negociuar me Sali Berishën, por është e pavërtetë që çfarë kemi dashur ne është bërë. Jo, është gjetur gjithmonë në çdo aspekt të procesit një pikë ku është kuptuar që këtu njëri nuk lëshon më. Negociata të tilla, unë nuk kam parë në këtë vend, që nuk është një shembull i mirë i negocimit. Negociata me shantazhe, me kërcënime, me ikje, me ardhje, me rikthime, hajde thuaj po, ik thuaj jo, e të tjera, megjithatë ne nuk pendohemi për këtë që kemi bërë deri këtu, që të jemi të qartë, nuk ka problem.
Natyrisht, mua më vjen shumë keq që nuk e bëmë dot tani atë që kemi 30 vjet që duhet ta bëjmë; depolitizimin e plotë të administratës zgjedhore. Pse nuk e bëmë dot? Nuk e bëmë dot sepse ishte e qartë që ishte tërësisht e refuzuar nga ana e tyre dhe nuk donim që të dilnim pa marrëveshje, por ata nuk kanë asnjë monopol dhe asnjë ekskluzivitet mbi asgjë dhe ajo marrëveshje do shkojë në parlament. Ne i qëndrojmë asaj marrëveshje, por që ajo marrëveshje të votohet në parlament, ata minimalisht duhet të merren me punë të tjera e të mos vazhdojnë me sharje e me kërcënime e me anatemime e me përbaltje të atyre deputetëve që do votojnë marrëveshjen. E nga ana tjetër, më falni por unë nuk kam më shumë respekt për Lulzim Bashën e për Peço Vasilin e për të gjithë ata, se sa kam për Rudina Hajdarin e për Myslym Murrizin e për të gjithë ata që qëndruan në parlament e nuk morën rrugën për të djegur Shqipërinë. Nuk kam më shumë respekt. Kundërshtarët nuk i zgjedh dhe i respektoj si kundërshtarë politikë, por ata nuk kanë asnjë ekskluzivitet në këtë proces që të jemi shumë të qartë. Ne kemi detyrimin t’i qëndrojmë marrëveshjes me ta. Ata, përtej asaj marrëveshje nuk kanë asgjë dhe asnjë të drejtë, sepse në parlament janë njerëz që kanë individualitetin e tyre, kanë bërë zgjedhjen e tyre, i pëlqejnë disave, nuk i pëlqejnë disave kjo është temë tjetër. Janë njerëz që kanë ardhur aty me firmën e tyre, të Lulëzim Bashës dhe Monika Kryemadhit dhe nuk mund të trajtohen pa respekt. Duam apo nuk duam ne, duan apo nuk duan ata, sot janë 3 palë në Shqipëri, nuk janë 2 palë.
Jemi ne, janë ata jashtë, janë ata brenda. Ne kemi detyrimin patjetër t’i akomodojmë kërkesat e të tjerëve, por ne nuk jemi fondacioni “Populli” i Rrapush Xhaferrit që vetëm merr dhe ik, nga ne. Edhe ne kemi objektiva dhe interesa në këtë proces. Objektivi dhe interesi ynë i parë është të akomodojmë të gjitha palët, prandaj besoj që i dhashë një përgjigje shteruese kësaj, se nuk dua t’i përgjigjem 1000 herë të njëjtës gjë, nuk është kërcënim. Për mua Marrëveshja nuk është Reformë. Të jemi të qartë! Është thjeshtë një dakordësi për një status quo që Shqipërinë nuk e ndihmon të reformojë sistemin e administrimit të zgjedhjeve, por e ndihmon në një aspekt më të gjerë lidhur me klimën, lidhur me dakordësinë në proces e të tjera e të tjera dhe natyrisht, lehtëson frikën nga zgjedhjet, që ka Lulëzim Basha dhe Partia Demokratike, dhe kjo nuk është pak.
-Pyetja ime është për kryenegociatorin. Zoti Mazi, cili është roli i opozitës në detyrën tuaj dhe a keni pasur apo do të keni kontakte të drejtpërdrejta me Partinë Demokratike kur zoti Basha synon të bëhet kryeministër dhe në rrugën e gjatë të negociatave ju mund të punoni me një qeveri tjetër? Ju faleminderit!
Kryenegociatori Zef Mazi: Ju faleminderit për pyetjen! Nëse e keni shënuar çfarë thashë në atë fjalë përshëndetëse, thashë që është e domosdoshme bashkëpunimi me të gjithë faktorët, institucionet e shtetit, të gjithë faktorët relevantë. Opozita është po ashtu një nga faktorët kryesorë me të cilët unë do bisedoj, do pyes, do dëgjoj, do konsultohem e do raportoj për ecurinë që bëjmë. Është pjesë e të gjithë institucioneve të shtetit. Kështu që unë gjykoj se do të kem kontakte të rregullta, të vazhdueshme, me të gjithë këto institucione ku opozita bën detyrimisht pjesë. Objektivi është i njëjtë. Opozita e ka deklaruar. Kryetari i Partisë Demokratike e ka deklaruar. Qëllimi është i njëjtë: Integrimi në Unionin Europian. Detyrimisht ky post kërkon bashkëpunim, raportin, dëgjim, njoftim për ecurinë e punëve dhe kuptohet, do t’i kërkoj gjithë mbështetjen në këtë proces. Është proces për vendin tonë, për të mirën e tij dhe unë jam i bindur që do të gjejmë bashkëpunim, mbështetje për ta çuar këtë proces përpara. Faleminderit!
-Zoti Kryeministër, ju jeni shprehur i gatshëm për të pasur një takim, një tryezë me Presidentin kur vjen puna për integrimin dhe ai në fakt i ka shkuar pas kësaj dakordësie duke u shprehur se do të ulej me ju sa herë të mundej për çështjen e integrimit. E keni ftuar ju ditët e fundit zotin Meta për të folur për integrimin? Pyetja e dytë, kur jeni optimist zoti Rama se do të kemi takimin e parë ndërqeveritar BE-Shqipëri?
-Kam dhe një pyetje për zotin Mazi nëse mundet. Zoti Mazi, përsëri tek institucioni i Presidentit të Republikës. Doja të dija nëse ju keni pasur komunikim, si janë raportet tuaja me Presidentin? Sikundër, ndërsa ju ishit emëruar nga kryeministri në detyrën që do të mbani, zoti Meta bëri publike një dokument me 14 pika në të cilën kërkonte që kryenegociatori të ishte një emër konsensual. Faleminderit!
Kryeministri Edi Rama: Integrimi nuk është muhabet. A e kam ftuar Presidentin këto ditë të flasim për integrimin?! Jo nuk kam pasur ndonjë orë për muhabet. Integrimi është një proces. Ka një hartë veprimi, ka stacione, ka ura ndërveprimi dhe në këtë drejtim mund të them që po, kemi qenë së bashku në tryezën e Këshillit Kombëtar të Integimit dhe do jem në çdo stacion, në çdo pikë ku është e nevojshme prania ime dhe Presidenti do bëjë zgjedhjen e tij, po përderisa ka qenë, me siguri do jetë përsëri. Kështu që, në këtë drejtim do ta shikoja në këtë që kam shprehur si gatishmëri, që patjetër në çdo rast kur është e nevojshme për t’u ulur do ulemi dhe natyrisht në çdo rast që Presidenti e ka të nevojshme që të komunikojë me mua për integrimin, apo për çdo temë tjetër mjafton që të mos jetë vendosja e një date zgjedhjesh sipas një Kushtetute imagjinare, unë jam i gatshëm që të ulem.
Për sa i përket pyetjes tjetër, ua kam thënë, e kam mësuar nga eksperienca, mos vër asnjëherë data me BE. Është një dashuri që nuk materializohet në një martesë ku datën e cakton më i vogli. Janë ata që i vendosin datat. Janë ata që i ndryshojnë datat. Janë ata që i shtyjnë datat. Boll i bëmë dy dasma gati dhe nuk na erdhën krushqit pastaj, se kishin hallet e tyre. Më vjen mirë që u kuptua shumë qartë për ata që duan të kuptojnë se nuk kishte lidhje fare me Shqipërinë shtyrja e dasmës, por kishte lidhje me ata, kështu që konferenca do të bëhet kur ta vendosin ata. Ne duhet të bëjmë detyrat. Detyrat ne nuk i bëjmë për konferencën, por janë gjëra që duhen bërë për vendin dhe për mirëfunksionimin e institucioneve. Kjo është e mira e këtij procesi. E mira e madhe e këtij procesi është që ne nuk e bëjmë për ata dhe ata këto detyra na i vënë sepse nuk janë ata që kanë kërkuar të integrohen në Shqipëri, por jemi ne që kemi kërkuar të integrohemi në familjen e tyre. Ky është një proces me një interes të madh reciprok. Nuk e di kur do jetë data. Do e shikojmë në proces. Një ide e kam se kur mund të jetë, por asnjëherë mos fol, mos nxirr datë kur flet për BE. Mësojeni nga eksperienca ime këtë gjë! Kurrë! Kur ata thonë në vjeshtë, ti mendoji të 4 stinët që të jesh në rregull. Përgatitu për kostum vjeshte, përgatitu me çadër, përgatitu për tërmet, përgatitu për pranverë, përgatitu qoftë edhe me rroba banjo, po qe nevoja, në 45 gradë se nuk i dihet. Ata vënë datat, ata i ndryshojnë datat. Është shtëpia e tyre, nuk është akoma shtëpia jonë.
Kryenegociatori Zef Mazi: Unë e fillova këtë detyrë pas vendimit të qeverisë në distancë për arsye se ju e dini që pas Covid-it nuk kishte mundësi lëvizjeje për të marrë detyrën. Lëvizjet në Europë filluan vetëm pardje. Unë dje kisha ditën e parë të punës këtu në këtë zyrë. Me Presidentin e Republikës unë njihem. E kam pasur edhe Kryeministër, edhe ministër të Jashtëm. Edhe ai më njeh dhe e vlerësoj çfarë ka thënë për mua, për profesionalizmin tim, çka unë e bëra prezent i ftuar në Këshillin Kombëtar të Integrimit në Parlament.
Thashë që bashkëpunimi me Presidentin, duke e vlerësuar për fjalët e mëdha e të mira që tha ndaj meje, do të jetë në mënyrë konstante, është pjesë e institucioneve kryesore që drejtojnë shtetin tonë dhe unë do të mbaj kontakte me të. Sic thashë, dje kam filluar fizikisht punën në zyrë, kështu që brenda 24 orëve nuk kam pasur mundësi fizike të kontaktoj dhe të kërkoj takim me Presidentin, por do të jetë në 2-3 ditët e para të kësaj pune. Mund të bëhet nesër, mund të bëhet ditën e hënë, në varësi të orarit që ka Presidenti.
Në lidhje me pyetjen që thatë ju për pikat që kishte shtruar Presidenti, 14 pikat, detyra ime nuk është të komentoj qëndrimet që mbajnë institucionet drejtuese të shtetit, ose personat e lartë që i drejtojnë ato. Detyra ime është të zbatoj mandatin si kryenegociator. Ato nuk janë për mua për t’i diskutuar fare. Faleminderit!
-Duke qenë se lufta ndaj korrupsionit, qoftë edhe ndaj zyrtarëve të lartë ka qenë një nga pikat e rëndësishme sa i përket procesit të integrimit, kur do t’i shohim rezutatet e para të arrestimit të këtyre zyrtarëve të lartë të korruptuar?
Kyeministri Edi Rama: Lufta ndaj zyrtarëve të lartë nuk ka qenë ndonjëherë prioritet dhe nuk mund të jetë ndonjëherë prioritet në ndonjë shtet. Lufta ndaj korrupsionit të zyrtarëve të lartë është prioritet, që të jemi në rregull me shqipen. Nga ana tjetër, unë nuk jam as prokuror, as gjykatës dhe nuk kam as një mandat as për të hetuar dhe as për të arrestuar njerëz, se është një përgjigje që fatkeqësisht në vitin 2020 duhet të vazhdoj ta jap për shumë njerëz që ngatërrojnë sistemin që kemi zgjedhur dhe ku jetojmë me vitin 1945. Nuk jemi në vitin 1945. Një parti politike nuk arreston njerëz. Një qeveri demokratike nuk arreston njerëz. Lavdi Zotit që nuk e kam unë në dorë fare këtë punë, sepse, për më tepër, një sistem ku arrestimi i politikanëve bëhet nga politikanët, nuk ka lidhje fare me demokracinë dhe s’ka lidhje fare me negociatat, me BE, me botën ku duam të jetojmë. Ajo që ka detyrë të bëjë një parti që merr besimin e popullit për të qeverisur, është ajo që kam bërë unë dhe partia që qeveris dhe që nuk e ka menduar, jo më të guxojë ta bëjë askush tjetër përpara nesh, ndërmarrja e një procesi reformimi të drejtësisë që ka sjellë si rezultat goditjen e kastës më të korruptuar dhe më të paprekshme në botën shqiptare që nuk kanë qenë dhe nuk janë politikanët, nuk kanë qenë dhe nuk janë zyrtarët e lartë, apo zyrtarët e ulët, por elita e korruptuar e gjyqësorit, e drejtësisë që ka bërë pazar 30 vjet me të drejtat e dynjasë, që i ka dhënë licencë të veçantë krimit për të bërë çfarë të dojë, etj, etj. Pra goditja e kësaj kaste po ndodh dhe po ndodh përditë falë vetingut. Unë i pari do doja që të ndodhte shumë më shpejt, të ishte si një sprint, por – e tha ambasadori, – procesi i negociimit është një maratonë dhe procesi i shtetformimit është një maratonë, nuk është një sprint.
Nuk kemi pasur ne gjykata dhe nuk kemi pasur ne prokurori në këtë shtet që të kenë pasur lidhje me pavarësinë dhe me profesionalizmin si sistem qysh kur ka lindur shteti shqiptar. Është një traditë e tërë së prapthi. Bëhet fjalë për të ngritur shtet nga e para në këtë drejtim. Nuk ka pasur, ju e dini shumë mirë, përpara diktaturës ka qenë një pothuajse sistem, por që ishte një bërthamë që nuk u kthye kurrë në një sistem që mund të konsiderohet i barabartë me sistemin e drejtësisë së kohës në kontinentin ku jetojmë. Pas asaj, erdhi një drejtësi partie dhe pas asaj erdhi një pazar i madh i partive me drejtësinë. Fundi i këtij pazari është historik. Procesi është i ndërlikuar, ka probleme, do durim të madh, akoma sot që flasim ka gjykatës që janë jo për të veshur togën e gjykatësit e për të dhënë vendime, por për të veshur pizhamet e burgut, por faktikisht janë aty dhe vazhdojnë japin vendime skandaloze, sot, por nuk ka një rrugë tjetër, sepse kemi hyrë në një proces europianizimi, modernizimi dhe demokratizimi pa kthim.
Nuk mund të bëhet me arbitratitet. Nuk mund të bëhet duke thënë hajde siç thonë disa të nxjerrim dënimin me vdekje. Duhet bërë duke shtrënguar dhëmbët dhe duke ecur me durim përpara dhe duke parë në raport me ku ishim. Pastrimi i sistemit nga shumë llum po ndodh. Është fakt. Ka akoma shumë llum në sistem, po, është fakt, por kjo do të kërkojë kohën e vet. Goditjet gjyqësore ndaj krimit të organizuar kanë filluar, në një formë që deri përpara disa kohësh as nuk mund të imagjinohej. OFL sot, praktikisht, ka krijuar një hapësirë komplet të re, falë edhe bashkëpunimit me SPAK-un dhe Gjykatën e Krimeve të Rënda. Do kërkojë kohën e vet, patjetër. Goditja ndaj korrupsionit të nivelit të lartë do të ndodhë patjetër, por duhet durim dhe mbi të gjitha duhet të kuptojmë se këto nuk ndodhin se duam ne të ndodhin sot dhe nuk ndodhin se do, apo nuk do qeveria, apo partia që është në pushtet.
Këto ndodhin si rezultat i sistemit që ngrihet, forcohet dhe godet. Kjo është ajo që mund të them unë. Procesi i integrimit është i lidhur me rezultatet sepse në momentin kur fillojnë negociatat nuk na thonë dot më ne që ‘ku e keni këtë ligj, apo ku e keni atë ligj’, se ligjin e kemi të shkruar, do thonë ‘zbatim i ligjit’. Tjetër është se çfarë ke shkruar në letër, por tjetër është si e zbaton, sa e zbaton dhe këtu matet cilësia e performancës së vendit dhe në këtë aspekt sigurisht që gjërat do të shkojnë duke u përmirësuar, por nuk është një çështje që, për sa na takon ne, çfarë mund të bëjmë ne si qeveri.
Ne si mazhorancë, ne si politikë, thjesht duhet të mbështesim Reformën në Drejtësi. Kemi ngritur gjithë korpusin legjislativ për këtë. Duhet ta mbrojmë nga tundimet për ta shtrembëruar dhe për ta futur nëpër kanalet e tjera dhe duhet ta mbështesim. Duhet të mbështesim financiarish sistemin. Duhet të garantojmë që politika i rri larg. Faktikisht sistemi është ndërtuar në mënyrë të tillë që politika nuk e influencon dot, siç e influenconte më parë, në asnjë mënyrë. Fare! Influenca që bën politika sot është e natyrës kërcënime, shantazhe, letra të hapura, plane me 200 pika e kështu me radhë, por është shumë më relative sesa influenca e deridjeshme. Është një përmirësim i dukshëm. Për ta mbyllur, Europa nuk të fal asgjë, që të jemi të qartë. Europa nuk është bujare. E thashë, nëse PS nuk është fondacioni “Populli”, Europa është më keq në këtë drejtim. Nuk ka shans të të falin, të mbyllin sytë, të bëjnë sikur s’të kuptojnë, të të marrin me të mirë, të të thonë “hajde s’ka problem se e rregullon nesër”. Këta ta bëjnë qimen tra. Traun qime ta harroni se mund të ndodhë që ta bëjnë këta. Prandaj, raportet e Komisionit kanë kredibilitetin më të madh, sepse është një makineri e tërë që punon për ato raporte. Është një makineri e tërë që merret me fakte, nuk merret me llafe. Nuk bën sondazh rrugëve dhe thotë transparenca ndërkombëtare. Nuk bën një sondazh rrugëve dhe thotë shkalla e lirisë dhe demokracisë. Jo, jo. Çdo ditë: kjo u bë, kjo nuk u bë. Kur të shikoni letrat që cojnë këta me 74 pyetje për një temë X që ngre një shqetësim dhe duan përgjigje, 74 përgjigje, e kupton që bëhet fjalë për një mekanizëm që nuk është bujar, nuk është aty për të bërë bamirësi. Europa na do shumë, por harrojeni se na fut brenda nëse nuk krijojmë me fakte bindjen që jemi njësoj si ata në standardet dhe në zbatimin e standardeve.
Ne jemi më të mirë se ata këtu (në zemër), këtu (në mendje) pastaj është problem tjetër. Por ata nuk shohin këtu (zemrën), shohin këtu (mendjen). Ky është ndryshimi. Kështu që të jeni të sigurtë që procesi do shkojë përpara se s’bën.
-Një ish-admiral i rëndësishëm i Turqisë ka deklaruar se ka qenë Turqia ajo që ka parandaluar marrëveshjen e detit të vitit 2009 mes Shqipërisë dhe Greqisë. A keni një koment lidhur me këtë? Po ky admiral lidhur me marrëveshjen e detit mes Italisë dhe Shqipërisë ka kërkuar një vigjilencë nga Shqipëria dhe një kundërshtim të kësaj marrëveshje, sipas tij, sepse është në kundërshtim me interesat e Shqipërisë. A e njihni këtë marrëveshje dhe çfarë rrezikojmë ne nga kjo?
Kryeministri Edi Rama: Në mos gabohem, se këtu nuk e di a më ndihmon dot ndonjë nga këta të Ministrisë së Jashtme, fjala “kazan” vjen nga turqishtja. “Kazan” i thonë dhe turqisht? Po. Kështu që, kazani nuk është ekskluzivisht shqiptar dhe kazan s’ka vetëm në Shqipëri, ka dhe në Turqi. Ky është kazan faktikisht. Kazan ka dhe në Greqi. Në një kazan në Greqi flitej për një marrëveshje të fshehtë për t’i falur Turqisë Pashalimanin me synimin që të bënin ndonjë agresion natën, ndërkohë që Greqia ishte në gjumë, kuptohet. D.m.th. broçkulla të tilla ka sa të duash. Kishte dhe një kazan në Angli dje që thoshte shqiptarët hanë arinj nëpër restorante. E patë atë? Në Shqipëri shitet mish ariu. Arinj ka sa të duash në Shqipëri, por nuk janë për shitje. I kemi në proces dialogu.
Faleminderit!