Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fushë-Kruja, një nga zonat e dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit, ka tashmë Planin Zhvillimor, të konceptuar jo thjesht si një projekt strehimi, por zhvillimi urban, ekonomik e social. Plani u prezantua nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti, në një takim informues mes Kryeministrit Edi Rama, ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj, kryetarit të Bashkisë Fushë-Krujë, Artur Bushi dhe drejtorit të Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agolli. Plani shtrihet në një sipërfaqe prej 10 hektarë dhe ndërthur banesat individuale, ndërtesat kolektive, institucionet arsimore dhe shërbimet.

Kryeministri Rama garantoi se procesi i rindërtimit vazhdon dhe në fund do të sjellë një transformim urban dhe socio-ekonomik të zonave të dëmtuara. “Në këtë zonë janë 221 familje që kanë nevojë për strehim. Garantojmë të gjithë ata që janë në situatën e vështirë pas tërmetit dhe që u ranë dy taksirate mbi kokë edhe si pasojë e epidemisë, që ne nuk kemi reshtur dhe nuk reshtim punën për ta. Në këto 10 hektarë truall mes banesash kolektive dhe individuale dhe shërbimeve do të bëjmë një transformim urban të të gjithë Fushë – Krujës, me të gjitha funksionet social-kulturore,” u shpreh Rama.

“Edhe Plani zhvillimor i Fushë-Krujës, – shpjegoi ministrja Margariti, – është konceptuar jo vetëm si një zonë strehimi, por edhe zhvillimi”. “Zona ndodhet 1 km larg nga qendra dhe lidhet ngushtësisht me qendrën dhe krijon modelin e një zhvillimi të ri të qytetit. Hapësira ndodhet në kryqëzim të rrugëve kryesore afër zonës urbane. Në banesa individual janë 221 familje dhe në ndërtesa kolektive 93 familje. Ka nevojë po ashtu për kopsht, çerdhe, një qendër komunitare dhe për një qendër të re shëndetësore,” – detajoi planin ministrja Margariti, duke nënvizuar se në plan i është dhënë rëndësi edhe hapësirave publike, hapësirave të gjelbra, terreneve sportive dhe parkimeve nëntokësore.

Drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agolli u shpreh se synimi është që brenda vitit të jenë gati banesat individuale. Ai informoi se është gati projektin i infrastrukturës për rrjetin rrugor, furnizimin me ujë, largimin e ujërave të ndotura dhe furnizimin me energji për të gjithë zonën e masterplanit të Fushë-Krujës. “Të hënën, ne si Fond kemi shpallur edhe procedurën kuadër për rindërtimin e infrastrukturës në këto zona. Deri në 15 maj shpresojmë të shkojë mirë dhe ne të kemi firmosjen e marrëveshjes kuadër. Me pikësynimin që në 1 qershor të fillojmë me rindërtimin e infrastrukturës,” – tha Agolli, duke shtuar se, “të hënën është shpallur edhe procedura për banesat individuale. Shpresojmë që brenda këtij viti është plotësisht e mundshme që në këtë zonë të arrihet të hyhet në banesa.”

Ndërkohë ministri për Rindërtimin, Arben Ahmetaj nënvizoi se procesi i prishjes së ndërtesave të dëmtuara ka avancuar në Durrës, Krujë, Kurbin, Lezhë, Kavajë, Rrogozhinë dhe në Tiranë. “Tashmë kemi një plan për të gjithë zonën jashtë Tiranës për infrastrukturën kritike. Është alokuar fondi i nevojshëm i FSHZH-së dhe Bashkisë së Tiranës. Në fund të marsit mendojmë të mund fillojmë gjeografikisht dhe gradualisht të gjithë dhënien e granteve për DS1, DS2 dhe DS3. Jashtë zonës së Tiranës kemi ecur me detajimin e planeve. Brenda Bashkisë së Tiranës jemi në fazë analize të kostove që FSHZH i ka bërë dhe avancuar në procedura. Me Bashkinë e Tiranës, brenda kësaj jave do të konkludojmë dhe të hapen procedurat për shtëpitë individuale dhe për infrastrukturën shoqëruese të pikëzuar. Dua të theksoj se, për gjithë banesat kolektive do duhet në bazë të procedurës ligjore, por me shpejtësi të bëjmë projektet e detajuara, në mënyrë që ne t’i referohemi atij afati që ju keni thënë, që në fund të korrikut të mund të hapim kantieret edhe për banesat kolektive.”

Kryetari i Bashkisë Fushë-Krujë, Artur Bushi vlerësoi se plani do t’i shërbejë edhe zhvillimit ekonomik të qytetit. “Zona e përcaktuar, – theksoi Z. Bushi, – është shumë e përshtatshme, pasi është ngjitur natyralisht me pjesën tjetër të qytetit dhe do të shërbejë jo vetëm për banesa, por edhe për shërbime publike dhe zhvillimin ekonomik të qytetit. Krahas objekteve publike si kopshti, çerdhja, shkolla, qendra shëndetësore, do të integrohet edhe markata.”

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.