Sot Këshilli i Ministrave kaloi me procedurë të përshpejtuar, e cila do të shkojë edhe në Kuvendin e Shqipërisë, pr/ligjin për fillimin e negociatave me një nga konsorciumet me ofertën më serioze për aeroportin e Vlorës. Një lajm që tashmë shqiptarët e kanë mësuar, por Këshilli i Ministrave ka vendosur me procedurë të përshpejtuar dhe me një projekt ligj të veçantë për t’i hapur rrugë një nga projekteve më të rëndësishme të infrastrukturës ajrore në Shqipëri.
Bëhet fjalë për një propozim shumë serioz nga tre kompanitë më të mëdha turke, kompani të cilat në bashkimin e tyre, janë të njëjtat kompani që po ndërtojnë aeroportin e Stambollit, aeroporti ndër më të mëdhenjt në botë. Studimi i fizibilitetit është përgatitur nga një nga shoqëritë më të mëdha ndërkombëtarë amerikane për veprat infrastrukturore. Kemi kohë që e themi, që po punojmë për ndërtimin e një aeroporti të ri, i cili nuk do të jetë i vetmi por kjo filloi me një proces shumë të rëndësishëm të realizuar gjatë katër viteve të mandatit të parë, që ishte çlirimi i hapësirës ajrore nga monopoli. Kjo krijoi mundësinë dhe rriti interesin e kompanive të huaja për të investuar në një aeroport të dytë shumë më modern se sa i Rinasit dhe më i madh se sa ait.
Kjo ofertë parashikon një investim afro 100 milionë euro. Do të jetë një projekt tërësisht me financim privat. Në vendimin e qeverisë parashikohet të ngrihet një grup negociator me përfaqësues të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, të Ministrisë së Financave, por edhe përfaqësues nga instucione të tjera, të cilët në një periudhë gati 90 ditore do të negociojnë detajet e kësaj oferte dhe më vonë do të pasohet me nënshkrimin e kontratës e me fillimin e punimeve të aeroportit të Vlorës. Aeroporti do të jetë ndërkombëtar, do të jetë aeroporti më i mirë në Shqipëri por që thash nuk do të jetë i vetmi.
Qeveria shqiptare është duke punuar intensivisht edhe për krijimin e akseseve të tjera dhe vënien në funksionim si të aeroportit të Kukësit. Ne shpresojmë që shumë shpejt të kemi një zgjidhje optimale edhe për të, por njëkohësisht po përfundojmë edhe studimin e fizibilitetit për aeroportin e Sarandës. Ky do të jetë një nyje tjetër e rëndësishme, kuptohet aeroport turistik që do t’i shërbejë pjesës së jugut të vendit, dhe zonës së Sarandës e cila ka një intesitet shumë të lartë turizmi dhe kapacitetet sa vjen e shtohen. Realisht kemi të bëjmë me një rilindje të vërtetë të të gjithë infrastrukturës së udhëtimit ajror në Shqipëri.
Ju faleminderit dhe patjetër në vijim publiku do të njoftohet me të gjitha detajet për sa i përket negociatës që do të bëhet dhe kontratës që do të arrihet me konsorciumin. Një gjë është e sigurtë dhe kjo është për t’ja thënë të gjithë shqiptarëve që ky aeroport do të fillojë të ndërtohet në një kohë rekord dhe është një vepër që do të ndryshojë faqen jo vetëm të jugut të Shqipërisë por Shqipëria dhe shqiptarët do të kenë mundësi alternative fluturimi. Shqiptarët do të kenë mundësi të kenë një nga aeroportet më të mira në Evropën juglindore dhe turizmi shqiptar do të marrë një hov të jashtëzakonshëm.
Ju faleminderit shumë!