Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Procesi i vaksinimit të punonjësve të arsimit po vijon intensivisht edhe në Bashkinë e Shijakut. “Kemi filluar me të gjithë edukatorët e çerdheve dhe të kopshteve, që së bashku me mësuesit dhe pedagogët janë pjesë e gjithë procesit të vaksinimit të arsimtarëve”, – u shpreh ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, gjatë vizitës që Kryeministri Rama zhvilloi sot në një prej qendrave të vaksinimit, në Shijak. “Kemi arritur në 20 mijë arsimtarë të vaksinuar. Procesi po vijon shumë mirë në çdo bashki. Një proces shembullor mund të themi. Në total janë kryer mbi 62 mijë vaksinime dhe nga nesër fillojmë vaksinimin masiv. Të gjitha dozat e vaksinave janë shpërndarë”, – u shpreh në vijim Manastirliu.

Kryeministri u interesua për gjendjen e mësuesve të sapovaksinuar dhe këshilloi shtimin e kujdesit në ditët e para pasvaksinimit. “Disa ditë me kujdes sa të krijohen antitrupat, pastaj do të jeni më të qeta.” – u shpreh ai.

* * *

Më pas, Kryeministri Rama, i shoqëruar nga Kryetari i Bashkisë së Shijakut, Elton Arbana vijoi ecjen në zonat e qytetit ku po procesi i rindërtimit po përparon me ritme të shpejta dhe ku bizneset po gjallojnë sërish. “Kemi mbaruar edhe me rikonstruksionin e pallateve. Janë rikosntruktuar të gjithë pallatet në qendër dhe falë rikonstruktimit tani gjithë bizneset janë të hapura. Në të gjithë qytetin e Shijakut ka nisur procesi i rindërtimit të 30 pallateve dhe shumica e tyre janë në katin e parë të dytë dhe të tretë. Brenda muajit gusht, shumica prej tyre do të jetë e përfunduar dhe një pjesë tjetër në muajin tetor, nëntor.” – informoi kryebashkiaku Arbana, i cili shpjegoi ndër të tjera lidhur me dy objekte të rëndësishme se “e vetmja gjë që na ka mbetur është Xhamia dhe Pallati i Kulturës. Xhamia është dëmtuar për shkak të tërmetit. Ajo do të ndërtohet nga Komuniteti Mysliman, por ngjitur me xhaminë është Pallati i Kulturës për të cilin kemi bërë projektin dhe shumë shpejt do të nisë ndërtimi i tij. Pjesën ku ndodhet Pallati i Kulturës do t’ja lëmë në dispozicion Komunitetit Mysliman, për të ndërtuar një xhami të re, më të madhe dhe më të fortë se ajo që ishte.”

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.