Fjala e Kryeministrit Edi Rama në çeljen e thirrjes së dytë të programit kombëtar “Praktika Kombëtare e Punës 2016”:
Mirëseardhje për miqtë tanë nga Prishtina, të cilët i bashkohen kësaj nisme, që në këtë thirrje të dytë merr një përmasë të re, mbarëkombëtare, duke i çelur dyert e administratës për praktikat e punës për të gjithë vajzat dhe djemtë që flasin shqip dhe që i përkasin kombit tonë.
Ky është një program që kur u nis, si çdo gjë e re në këtë vend u rrethua me shumë skepticizëm. Jam i bindur që pjesa dërrmuese e të rinjve që u bënë pjesë e këtij programi mund ta dëshmojnë se në fillim nuk besuan plotësisht se ajo çka faktikisht kanë përfituar, do të ndodhte.
Ky është një program me një interes të madh kombëtar, që është dhe një interes reciprok, qoftë i të rinjve që gjejnë rrugën dhe përfitojnë nga mundësia për të bërë një praktikë pune në administratë, qoftë i shtetit që rrit potencialin njerëzor për të përmirësuar cilësinë e një administrate që është larg së qeni një administratë e mirëfilltë e një shteti europian.
Në historinë e një vendi ka gjëra që mund të bëhen më shpejt, ka gjëra që mund të bëhen më ngadalë, por pa as më të voglin dyshim, bazën e qëndrueshmërisë së suksesit e përcakton qëndrueshmëria dhe cilësia e administratës. Në këtë aspekt, Shqipëria është në një vuajtje të madhe, në një vuajtje të gjatë, prej shumë e shumë vitesh dhe ne besoj që po hedhim bazat e qëndrueshme të një administrate europiane, duke u përqendruar me të gjitha forcat dhe me një vullnet të madh në zbatimin e ligjit të ri për administratën publike dhe duke përballuar jo pa dhimbje, vuajtjet që sjell për një forcë të madhe politike në pushtet zbatimi i këtij ligji, sepse kjo është e vërteta.
Është një ligj që, faktikisht, ndan epokat në Shqipëri, nga një epokë ku administrata ishte zgjatim i fushatës dhe i rezultateve elektorale, në një epokë ku administrata është përditë e më e ndarë nga fatet e zgjedhjeve.
Por përtej kësaj, për të rinjtë e sapodiplomuar, ose në hapat e para të punës që jetojnë jo vetëm në Tiranë, as vetëm në Shqipëri, por në Kosovë dhe kudo tjetër, kjo përbën një mundësi reale, sepse programi ka një përmasë shumë të rëndësishme informimi dhe rritjeje të kapacitetit përmes praktikës.
Ajo çfarë ka ndodhur është se ashtu siç ne e morëm përsipër, 200 më të mirëve, të dalluar në praktikën e punës përmes këtij programi, iu dha mundësia që të firmosin një kontratë punë një vjeçare. Kontrata e punës një vjeçare nuk është thjesht mundësia për të punuar një vit, por është mundësia për t’u përgatitur shumë seriozisht, për t’u bërë pjesë integrale e administratës përmes konkursit.
Ata që kanë kaluar nga konkurset e administratës publike e dinë shumë mirë që janë konkurse reale dhe janë konkurse të vështira.
Atyre që nuk besojnë tek konkurset u them vetëm kaq; Fakti që më shumë se 1/3 e konkurseve nuk nxjerrin fitues tregon që konkurset nuk janë të parapërgatitura apo të parafabrikuara në rezultatet e tyre.
Fakti që konkurset i fitojnë në të shumtë e herës të reja dhe të rinj që konkurrojnë për herë të katërt, të pestë apo të gjashtë, pasi kanë humbur dy, tre herë e nganjëherë edhe katër e pesë here, tregon përsëri se konkurset fitohen me një përgatitje të posaçme dhe kërkojnë edhe një eksperiencë të mirë në qasjen ndaj tyre.
Ky program krijon parakushtin që ata të cilët duan të vazhdojnë punën në administratën publike së pari, të dallohen dhe të marrin kontratën 1 vjeçare. Së dyti, nëse nuk janë ndër më të dalluarit, të kenë një sens të qartë të mënyrës së funksionimit të administratës dhe një bazë shumë të mirë për t’u përgatitur për konkurset. Por të jeni të bindur që kjo praktikë pune ndihmon jo vetëm ata që duan të punojnë në administratën tonë, në Shqipëri apo Kosovë, por edhe ata që duan të shkojnë gjetkë, për të punuar në sektorin privat, jo vetëm këtu, por edhe jashtë shtetit. Sepse, eksperienca nga brenda administratës është një eksperiencë që fitohet vetëm duke qenë brenda administratës. Nuk mund dot ta kuptosh ashtu si duhet dhe ashtu siç do të të vlente, edhe nga pozitat e një punonjësi apo drejtuesi në sektorin privat, mënyrën si funksionon shteti, në rast se nuk e ke parë mekanizmin shtetëror të funksionojë nga brenda.
Sot, në këtë thirrje janë 2000 vende në dispozicion për praktikë pune në Administratën Publike të Shqipërisë në nivelin qendror e vendor dhe 1000 të tjera në Administratën Publike të Kosovës, për të cilat mund të aplikohet nga gjithkush, nga brenda ose nga jashtë. Ne kemi shumë dëshirë të besojmë se do të ketë plot të rinj nga Kosova që do të duan të punojnë në administratën publike në Shqipëri dhe do të ketë po ashtu, plotë të rinj nga Shqipëria që do të duan të punojnë në administratën publike në Kosovë. Kjo do të ishte një vlerë e shtuar e këtij programi të përbashkët kombëtar të praktikave të punës dhe do të vazhdonte të ushqente një filiz ende shumë të brishtë të administratës sonë, të vendosur më në fund mbi baza legjislative dhe ambicie për standarde europiane.
Ne e kemi në fokus punësimin, e padyshim që jemi të vetëdijshëm për domosdoshmërinë e rritjes së mundësive për punësimin e të rinjve, por ne administratën nuk e kemi, nuk e shohim dhe do të bëjmë çmos që të fashitet nga perceptimi i njerëzve si një zyrë punësimi, si një hapësirë ku të akomodohen ata që kanë nevojë për punë, por e shohim si mekanizmin përmes të cilit krijohet edhe punësim. Pra, për të rritur kapacitetin e shtetit në kryerjen e detyrave të veta, për të rritur cilësinë e shërbimit ndaj qytetarit duke qenë një administratë që funksionon si administratë, jo si rifuxho për rroga dhe për të rritur në këtë mënyrë edhe cilësinë e burimeve njerëzore brenda administratës.
Ju më keni dëgjuar shpesh që të them se në këtë fazë ne përballemi me një mendësi të krijuar dhe të konsoliduar për vite të tëra sipas të cilës shumë të rinj të papunë kërkojnë punë, por punën e quajnë punë kur ajo është ne shtet. Ndërkohë që, gjithmonë ka një shumicë dërrmuese të rinjsh të papunë që e refuzojnë idenë e të punuarit në privat apriori. Kjo për shumë arsye, por një nga arsyet, sepse administrata është shpërdoruar dhe abuzuar kaq shumë nga partitë dhe politika. Ajo është transformuar për vite të tëra në deformimin më të madh të sistemit demokratik këtu në Shqipëri, duke u bërë funksion i dhënies së rrogave në forma shpërblimesh për ata të cilët konsiderohen më të rëndësishmit apo më të zellshmit për partinë. Në fund fare, duke harruar që kostoja që krijon një administratë e tillë është një kosto e jashtëzakonshme dhe jo indiferente edhe për vetë një parti, sidomos për një parti të madhe, siç është Partia Socialiste që sot udhëheq koalicionin qeverisës.
Janë 950 të reja dhe të rinj që e filluan praktikën pranë institucioneve të ndryshme në Tiranë dhe në qytete të tjera të Shqipërisë dhe punuan si praktikantë në nivelin kombëtar. 650 prej tyre, thuajse 65%, e përfunduan ciklin e parë të punës si praktikë. Një pjesë u punësuan gjatë praktikës në vende te ndryshme pune, duke krijuar një akses të rëndësishëm brenda në administratë. Ndërkohë që, ishin 200 më të mirët, të cilëve iu lidhën kontrata njëvjeçare pune. Informacionet tona lidhur me ecurinë e thellimit të praktikës së tyre përmes kësaj kontrate njëvjeçare janë se këta 200 të rinj janë përgjithësisht një aset shumë i vlefshëm brenda administratës.
Siç e dëshmoi edhe djali që foli më parë, i cili punon në Ministrinë e Energjetikës, këtyre të rinjve u është dhënë mundësia që të marrin rol, të marrin përgjegjësi dhe të mësojnë duke ushtruar përgjegjësi jo të vogla. Kjo është një vlerë e shtruar për ta, por është edhe një vlerë e shtuar për administratën, sepse sjellja, cilësia e kontributit që ata ofrojnë, mbi të gjitha, rritja në proces e kapacitetit të tyre është qartësisht evidente në pjesën dërmuese.
Ne sot besojmë se me këtë thirrje të dytë krijojmë një hapësirë më të gjerë për më shumë të rinj e të reja dhe për më shumë askes për njerëzit me më shumë ambicie, por edhe me më shumë vullnet, që duan të përfshihen në punët e administratës duke hyrë nga dera kryesore, jo duke kërkuar dyer dytësore apo tretësore, sepse ato janë gjithmonë e më të vogla, janë gjithmonë e më të mbyllura. Pasi, në shërbimin civil shqiptar është e pamundur sot të hysh duke anashkaluar konkursin. Flas për shërbimin publik shqiptar, për atë që quhet administrata publike e vendit. Jo çdo strukturë shtetërore është pjesë e administratës publike. Ka një ndarje të përcaktuar me ligj, por për këtë pjesë, që është edhe zemra e funksionimit të shtetit, sot është e pamundur që të hyhet, pa kaluar përmes një procedurë të sofistikuar dhe një konkurs të vështirë.
Dua të besoj se ky përkim i kësaj nisme me Samitin e Diasporës që ne kemi filluar të organizojmë dhe ku Ministria e Diasporës së Kosovës është një nga partnerët kryesorë, do të jetë një stimul më shumë për vetë Samitin e Diasporës, një hapësirë e re takimi, komunikimi, ndërveprimi mes shqiptarëve nga të gjitha anët e botës, këtu në Tiranë, për t’i dhënë një dimension të ri, kuptimit të marrëdhënieve mes shtetit amë, shtetit të Kosovës, përgjithësisht bashkësive shqiptarë në Ballkan dhe të gjitha komuniteteve shqiptare kudo ku ato jetojnë, për t’i dhënë një përmasë të munguar për kaq shumë vite dhe për të parë së bashku sesi mund të rrisim cilësinë dhe volumin e shërbimit ndaj shoqërisë dhe vendit tonë, duke shfrytëzuar potencialin e madh, që nuk mund të thuhet se është shfrytëzuar në gjithë këto vite, që përbëjnë shqiptarët që jetojnë jashtë Shqipërisë.
Falenderoj sinqerisht, vajzat dhe djemtë që janë përfshirë në këtë program, sepse kanë qenë një shembull konkret, i prekshëm dhe i qartë i vlerës që ka programi. I inkurajoj të gjithë që të kuptojnë se kjo rrugë, e cila në dukje është më e vështira, por është në fakt rruga më e lehtë për të shkuar drejt realizimit të ambicies që ka gjithsecili, nëse ambicia është për të kontribuar brenda për brenda strukturave të administratës publike në Shqipëri apo Kosovë.
I siguroj që të gjithë, edhe ata që do mbeten në administratë, edhe ata që sigurisht janë shumica që nuk do të mbeten në administratë, se kjo është një eksperiencë e jashtëzakonshme, e papërsëritshme, për faktin se pas diplomimit, mundësia për ta parë nga brenda si funksionon shteti, është mundësia për t’u lidhur në mënyrë më të shpejtë, sesa në një rrugë të zakonshme, me realitetin konkret të gjërave, për të parë hendekun që ekziston mes atyre që thonë librat dhe atyre që thotë imagjinata, atyre që thonë ëndrrat dhe shpresat dhe realitetit që është produkt i kufizuar i të gjitha atyre që përmenda më parë. Por që është një produkt, cilësia e të cilit rritet vetëm duke shtuar energjitë dhe duke fuqizuar kontributet që vijnë nga ambiciet, në përpjekje për të realizuar ëndrra dhe shpresa të reja.
Jam i bindur që ju në këtë program, dhe të gjithë ata që përfshihen në program, ju sjellin ëndrrat dhe shpresat. Kjo është pjesa më kuptimplotë e programit, që ne nga ana jonë kemi bërë çmos dhe do bëjmë çmos të mos jetë zhgënjim për askënd nga ju, por të jetë një përballje e fortë dhe pa hipokrizi me realitetin e administratës, ashtu siç është. Nuk është realitet rozë, nuk është as i zi. Është një realitet kompleks i një administrate që është larg së qeni administrata që meriton të ketë Shqipëria, që është larg së qeni administrata që meriton të ketë Kosova, që është larg se qeni administrata që meritojnë të kenë qytetarët tanë, që është larg së qeni një administratë që mund të krahasohet lehtësisht me një administratë në Bashkimin Europian. Por edhe në BE varet se me kë krahasohemi në fakt, se mund të jetë më lehtë e krahasueshme me administratën greke, për shembull, me administratën e Italisë së jugut, ose me administratën rumune. Ndërkohë që, është pakrahasueshme me administratën gjermane, franceze, britanike e kështu me radhë.
Ajo që është e rëndësishme është se kjo është rruga. Është një rrugë që do kërkojë padyshim kohën e vet. Ata që i kanë administratat e shkëlqyera nuk i kanë ngritur as në një vit, as në një mandat, as në një dekadë, por janë administrata të ngritura në dekada të tëra dhe nganjëherë edhe me shekuj. Ndërkohë që ne, jo vetëm që duhet të ngremë një administratë të besueshme të standardeve europiane një orë e më parë, por duhet ta ngremë duke pasur ndërkohë, tensionin e vazhdueshëm që krijon në themel një traditë shumë e mbrapshtë, që për vite të tëra e ktheu administratën në një “mish për top”.
***
Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë nisi “Programin e Intershipit Shqipëri – Kosovë 2016” me qëllim përfshirjen e 2000 të rinjve nga Shqipëria dhe Diaspora për kryerjen e praktikës së punës pranë institucioneve të administratës publike, në nivel qendror dhe vendor.
Për herë të parë programi bëhet në partneritet me qeverinë e Kosovës. Të rinjtë nga Kosova mund të aplikojnë për t’u praktikuar pranë administratës shqiptare dhe anasjelltas.
Ministri i MMSR, Blendi Klosi dhe Ministri i Diasporës së Kosovës, Valon Murati, u bënë thirrje të rinjve të sapo diplomuar ose që ndjekin studimet e larta kudo ku ata jetojnë, të aplikojnë për të zhvilluar praktikën e punës në institucionet shqiptare.