Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Shkolla “7 Dëshmorët” në fshatin Strumë të Roskovecit vjen tërësisht e rikonstruktuar sipas standardeve më moderne për fëmijët e zonës. Investimi me vlerë 567 mijë euro është pjesë e investimeve sociale dhe mjedisore të Gazsjellësit Trans Adriatik, TAP. Rreth 290 nxënës të kësaj shkolle do të zhvillojnë mësimin në kushte shumë të mira dhe me masa sigurie shumë më të larta.

Investimi i TAP për këtë shkollë përfshin rikonstruksionin e plotë të ambienteve të brendshme dhe të jashtme të godinës. Janë rikonstruktuar rreth 2000 m2 sipërfaqe të brendshme dhe është bërë mobilimi i klasave. Nxënësit tashmë kanë edhe një oborr prej 2900 m2 që është transformuar në një park të madh rekreativ, duke përfshirë lulishte dhe kënde sportive. Duke synuar krijimin e një standardi të ri përsa i përket sigurisë, TAP e ka pajisur edhe shkollën e Strumës me sistem alarmi për zjarrin dhe shkallë për dalje emergjence.

Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri, ishte sot në ceremoninë e përurimit të shkollës. Të pranishëm ishin dhe përfaqësues të TAP dhe  Bashkia e Roskovecit.

Drejtori i Përgjithshëm i TAP, Luca Shieppati u shpreh se: “Është vërtetë një nder, një kënaqësi që kemi kontribuar në rikonstruksionin e kësaj shkolle. Ne mendojmë që edukimi i të rinjve është thelbësor. Për ne, të jesh këtu, me këtë infrastrukturë, do të thotë  të jesh pranë njerëzve, pranë komunitetit.”

Kryeministri Rama tha se ky investim si dhe vepra të tjera infrastrukturore në shërbim të komuniteteve ku kalon gazsjellësi janë rezultat i negociatave që qeveria arriti me kompaninë.

“Kjo shkollë edhe një sërë shkollash të tjera, si dhe të tjera vepra infrastrukturore në shërbim të komuniteteve ku kalon gazsjellësi janë rezultat i negociatave të çelura prej nesh, pasi ishte firmosur kontrata nga qeveria e mëparshme, ku kishim trashëguar vetëm 6 milionë euro në formë kontributesh të kompanisë për komunitetin dhe arritëm me negocime jo edhe aq të lehta, por në fund të suksesshme dhe të mirëkuptuara edhe nga pala tjetër ta rrisim këtë fond në mbi 30 milionë. Sigurisht që është për ne vërtet kënaqësi të shikojmë rezultatet e këtij ndryshimi të rëndësishëm në kontratën e trashëguar, por patjetër që ne duam të bëjmë edhe shumë më tepër akoma.

Kryeministri u shpreh gjithashtu se do të ketë një program tjetër për transformimin e mëtejshëm të shkollave.

“Në këtë vit të parë të mandatit do të fokusohemi në aspektet themelore të infrastrukturës kombëtare, si dhe një program tjetër për transformimin e mëtejshëm të shkollave ku ka ende shumë për të bërë. Më vjen shumë mirë që të gjithë fëmijët që takova, duke filluar nga viti i ardhshëm, do t’i marrin librat falas, pra të gjithë fëmijët e fillores do t’i kenë librat falas, që do të jetë një lehtësim i rëndësishëm për buxhetin e prindërve të tyre që mund të përdoret pastaj për të tjera gjëra në shërbim të fëmijëve.”

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.