Kryeministri Edi Rama me përfaqësues të përfaqësive diplomatike në Shqipëri në një sesion të bashkëveprimit për Programin Kombëtar të Rilindjes Rurale “100 Fshatrat”:
Vërtetë jam shumë i lumtur dhe mirënjohës për praninë tuaj në këtë takim që po organizojmë, shumë të pazakontë.
Ne këtu jemi sëbashku, siç ndodh gjithmonë, me vendet anëtare të Bashkimit Europian, me përfaqësues të pjesës tjetër të botës, gjithashtu me miqtë tanë nga organizata të ndryshme ndërkombëtare, për diçka të pazakontë, por që për ne është mjaft e rëndësishme dhe e cila edhe për ju mund të jetë shumë e rëndësishme, Programi ynë për 100 fshatrat, të cilat duam që të jenë një model i suksesit për të gjithë rilindjen rurale. Kjo na sjell sëbashku mbi mundësitë për të parë sesi ne mund të ndërveprojmë dhe të harmonizojmë të gjithë përpjekjet që shumë nga ju tashmë po i ndërmerrni përmes kanaleve të ndryshme të bashkëpunimit e mund të bëjmë të pamundurën të mundur të gjithë sëbashku, të ecim në një drejtim dhe në koordinim të plotë, në mënyrë që të nxjerrim maksimumin dhe të maksimizojmë të ardhurat që shpenzohen nga qeveritë për donatorët dhe për sipërmarrësit.
Ne kemi përgatitur 2 sesione takimesh. Synimi kryesor është që këtë Program ta transformojmë në një platformë me shumë partneritete për të rritur burimet e ndryshme, potencialet e ndryshme të këtyre fshatrave dhe të gjenerojnë ndryshim bazuar në mikromodele, pra, në lloje të ndryshme modelesh.
Synimi është që ne të krijojmë 100 pika të ndryshme graviteti në vende të ndryshme dhe fshatra dhe në këtë mënyrë t’i përdorim si katalizatorë për të zhvilluar agroturizmin dhe ekoturizmin në Shqipëri, duke hulumtuar trashëgiminë kulturore, bukuritë natyrore, kapacitetet vendore, si dhe instrumentet e ndryshëm privatë.
Paraprakisht jemi shumë të përqendruar në zhvillimin e agroturizmit, si një instrument shumë efikas për të luftuar varfërinë, izolimin dhe përjashtimin përmes përdorimit të mirë të aseteve fantastike që zotëron Shqipëria për shkak të natyrës e traditës së saj. Natyrisht në këtë qasje janë të nevojshme paratë, por nuk do të thotë që janë më të rëndësishmet. Elementët më të rëndësishëm janë njohuritë dhe ndërveprimet e ndryshme. Jam shumë i sigurt që bazuar në atë ne kemi filluar sëbashku me Johanin dhe me mikun tonë të përbashkët, ish ambasadorin zviceran, për shkak të disa programeve që tashmë ekzistojnë, ne mund të ndajmë informacion me të gjithë ju dhe të arrijmë maksimumin përmes kontributeve të ndryshme që mund të jepen.
Por nuk ka të bëjë vetëm me investimet që lidhen me infrastrukturën, me mbrojtjen mjedisore, me trashëgiminë kulturore, por ka të bëjë edhe me përpjekjet në shkëmbimin e kapitalit njerëzor. Nëse mundet që sëbashku me ju të bëjmë binjakëzime, në njëfarë mënyre, midis fshatrave, të cilat janë të përfshirë në këtë Program me fshatra në vendet tuaja dhe të sigurohemi që fermerët apo persona që kanë investuar në mënyrë të suksesshme në vendet tuaja në agroturizëm të flasin me njerëzit, të cilët mund të jenë të suksesshëm në Shqipëri e kështu me radhë, duke kaluar tek organizatat rinore dhe tek organizatat e grave, për të zhvilluar modele për qasjet e përbashkëta midis zonave të ndryshme rurale, për të mbështetur akoma dhe më shumë zejtarinë, traditën, jam i sigurt që do të jetë diçka shumë fantastike.
Iniciativa për patronazhin fshati për fshatin mund të transformojë shumë prej gjërave që tashmë ju i keni bërë, ose po i bëni aktualisht në vendet tuaja, në diçka që sëbashku do të mund të na sjellë më shumë vlera të shtuara.
Ky do ishte një mesazh mjaft i fortë për ata që jetojnë në zonat rurale. Ne duam që t’iu themi atyre që nuk jeni vetëm dhe nuk jeni të ndëshkuar nga fati juaj për të ndarë hapësirën, e cila mund të jetë e bukur përsa i përket natyrës, por që është fatkeqësisht e varfër.
Ka disa elementë, të cilat do të donim t’i prezantonim para jush sot dhe jam shumë i sigurt që ju do të kontribuoni në këto diskutime me eksperiencat tuaja dhe është mjaft e rëndësishme që të jemi shumë të hapur, të na bëni me dije se çfarëdolloj gjëje që nuk ka funksionuar ashtu siç duhet, ose çfarëdo gjëje që duhet të përmirësohet kur bëhet fjalë për koordinimin me pushtetet vendore, tek organizatat e ndryshme në terren, do të merret në konsideratë. Kjo do të na ndihmonte madje shumë neve.
Ne besojmë shumë që ka një potencial mjaft të madh, besojmë se duhet të zhvillojmë shumë bujqësinë, blegtorinë, por nuk është kjo e vetmja mënyrë. Patjetër që ka rrugë dhe mënyra të ndryshme më të suksesshme me të cilat mund të ecim përpara. Ka zona që njohin eksporte, e njohin mjaft mirë tregun europian, njohin mjaft mirë organizmin, por ka edhe të tjera ku këto elementë janë vërtet të vështirë për arsye të vështirësive të ndryshme objektive dhe për shkak të një nënzhvillimit të këtyre zonave. Nëse për njerëzit që janë duke punuar shumë dhe po shikojnë përfitimin e tyre në ato zona ku bujqësia është zhvilluar dhe ku eksportet janë zhvilluar, synimi do të ishte sesi të nxisim akoma dhe më tepër këto zhvillime, por për njerëzit në zona ku nuk po ndodhin këto gjëra, pyetja është si të dalim nga ky izolim e si mund ta kapim tregun.
Në mënyrë praktike, ata nuk mund ta arrijnë tregun, sepse janë të ndarë nga tregu shpeshherë prej rrugëve të gjata, rrugëve të prishura, të kostove që u duhet për të ardhur në treg. Kostoja që duhet për të ardhur në treg është mjaft e madhe, në krahasim me atë që do të përfitonin nga shitja e produkteve të tyre.
Por çfarë mund të bëhet? Përgjigja është turizmi. Isha në Lurë. Disa për jush kanë qenë. Unë isha i dyti kryeministër që shkoi në Lurë pas viteve ’50-të. Është një parajsë, por njëkohësisht, siç e shpreh dhe një poet i madh shqiptar, është një bukuri që vret. Sepse praktikisht njerëzit atje janë shumë larg tregjeve të mundshme për të shitur ato që prodhojnë, por në të njëjtën kohë ata zotërojnë një potencial fantastik për shkak të 7 liqeneve, të pyllit fantastik dhe të natyrës së virgjër që është aty.
Sfida është si t’i ndihmojmë këta njerëz që të transformojnë të gjithë këto elementë, në një pasuri të vërtetë, si të ndihmojmë njerëzit, duke pasur parasysh që shumë ndër ta kanë shkuar në Greqi, Holandë, Angli, Greqi, Gjermani, Zvicër, Austri për një jetë më të mirë e po punojnë prej shumë vitesh atje dhe po kursejnë. Këto kursime mund të investohen në fshatrat e tyre dhe mund të transformohen në një të ardhur mjaft më të madhe nga ajo që përfitojnë nga një punë shumë më e vështirë që bëjnë në Europë. Por për këtë ne duhet të krijojmë besim, të kemi programe të besueshme, të cilat tregojnë se kjo është e mundur.
“100 fshatrat” do të ishin një mënyrë për të krijuar një fushë magnetike që njerëzit që janë jashtë Shqipërisë të vijnë në Shqipëri e të investojnë në vendin e tyre, në fshatin e tyre. Gjithashtu ato janë një instrument për t’ju treguar të rinjve, të cilët po rriten në këto fshatra, që nëse shkon në Gjermani, në Francë, Holandë apo Angli, natyrisht që mund të gjeni një punë që mbase mund të paguhet më mirë sesa ajo që mund të merrni tashmë këtu në vendin tuaj, por nëse do doni, me mundësinë që krijojmë ne, ta transformoni, ta bëni një vend tërheqës për turistët, mund ta bëni pa lëvizur fare. Mund ta bëni mirë dhe mund të përfitoni akoma më shumë, kur bëhet fjalë për të ardhurat financiare, krahasuar me largimin nga Shqipëria, duke pasur parasysh të gjithë ato problematika që ka gjatë emigrimit.
Natyrisht që është një proces i gjatë. Unë nuk jam naiv që të mendoj se kjo do të ndryshojë çdo gjë në një periudhë afatshkurtër, por është një proces që mund ta fillojmë sëbashku dhe jam shumë i sigurt që ju mund të na jepni qindra ide, të cilat do ta pasurojnë këtë vizion e program që kemi, në të njëjtën kohë mund të jepni një kontribut konkret që mund të transformohet në diçka më të madhe. Mund të transformohet në një program real për tërheqjen e emigrantëve, në mënyre që ata të kthehen për të investuar në vend, jo vetëm kur bëhet fjala për hapjen e bizneseve të mëdha, por kjo do të kishte lidhje me pasjen e një jete cilësore dhe të rritjes së të ardhurave në fshatrat e tyre.
Kjo është e mundur dhe fatmirësisht, kjo nuk është diçka teorike dhe nuk është thjesht sepse ne po e shikojmë që po ndodh në shumë vende tuaja, por kjo është praktike, sepse ne shohim frytet e saj në vendin tonë. Ju keni qenë në vende të ndryshme, keni qenë në shtëpi të vogla mikpritëse që kanë një vend të vogël ku mund të hash, ka mikpritje. Kjo edhe për shumë turistë, të cilët kanë ardhur në Shqipëri jo vetëm për plazhin, jo vetëm për rrezet e diellit, por kanë ardhur dhe do të vazhdojnë të vijnë për të vajtur edhe në Alpe, për të vajtur edhe në zonat rurale, nga Thethi në Përmet, në vende të ndryshme në veri, në jug të Shqipërisë dhe ata po vijnë gjithmonë e më tepër. Ne kemi kanione, kemi male, të cilat me të vërtetë janë si një minierë e madhe e të ardhurave të mundshme, nëse ne do të dimë si të ndërtojmë një program të mirë.
Unë e konsideroj këtë takimin e parë të bordit të këtyre “100 fshatrave”. Kjo është një tavolinë ku ne mund të takohemi herë pas here, për të folur për progresin që mund të kemi pasur dhe për të parë çfarë ndryshimesh ka pasur në terren, por në mënyrë që t’i kemi këto ndryshime, le t’i bëjmë këto ndryshime.
Faleminderit shumë për praninë tuaj!
Dua të falenderoj edhe përfaqësuesit e universiteteve të planifikimit urban në Tiranë, sepse ne do donim që të krijojmë një akademi të “100 fshatrave”, e cila do të ishte në një farë mënyre një lloj laboratori ku njerëzit do të punojnë për të lehtësuar dhe mbështetur aktivitetet, duke ditur që në bashki, ne kemi njerëzit e duhur, por ne kemi nevojë për më shumë burime njerëzore, në mënyrë që të gjithë gjërat të arrihen në kohën kur nevojitet të arrihen.
Kjo është një pjesë tjetër e Programit, që ka të bëjë me mënyrën se si mund të organizohemi. Ne kemi programe ku lektorët tanë të planifikimit urban, studentët, profesorët mund të vijnë dhe sëbashku mund të bëjmë projekte për një fshat apo një tjetër.
Ju falenderoj shumë dhe ju jam shumë mirënjohës për punën që keni bërë.