Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Familja e Gëzim Sulejmanit është një ndër familjet që kanë përfituar apartament nga Programi i Banesave Sociale. Pas më shumë se 50 vitesh, të kaluara në banesa të improvizuara dhe në kushte jashtë çdo standardi, tashmë familja Sulejmani ka një apartament që përmbush standardet e jetesës, ku edhe mikpriti sot Kryeministrin Edi Rama dhe Kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Këto banesa sociale kanë nisur ndërtimin në kohën kur kryetar bashkie ishte Kryeministri Rama, por, pas bllokimit që iu bë këtij Programi nga kryebashkiaku pasardhës, rinisi dy vjet më parë dhe deri më tani janë shpërndarë 385 njësi banimi. Ndërkohë, gjithashtu, bashkia po ndërton edhe 60 banesa të tjera sociale për komunitetin rom, me një koncept të ri. “Po ndërtohen 60 njësi të reja banimi. Ato do jenë si shtëpiza të vogla familjare të ulëta”, – u shpreh Kryetari i Baskisë Veliaj.

Për çdo familje në pamundësi ekonomike, bashkia lancon sot programin e kredive të buta, prej të cilit pritet të jepen më shumë se 1000 apartamente në harkun e një viti. “Sot lancojmë dhe projektin e kredive të buta që po e bëjmë vetë si bashki, pa ndihmën e qeverisë. Do vëmë 1 milionë dollarë që të ulen kreditë, ndërkohë që me këtë, ne mund të japim mbi 1000 apartamente të tjera. Sipas të ardhurave kemi paketën ose zero, ose pagesë modeste për banesë sociale, ose kredi e butë, ose bonus qeraje”, – tha kryebashkiaku Veliaj.

Nga kjo iniciativë e re pritet edhe një rritje e ekonomisë në Tiranë, falë kapitalit të investuar nga bashkia në bashkëpunim me bankat. “Ne japim 1 milionë dollarë, por banka do të japi 50-60 milionë. Që do të thotë se vetëm në ekonominë e Tiranës do hyjnë rreth 60 milionë dollarë”, – pohoi Veliaj.

Kryeministri Rama e vuri theksin tek formimi profesional për të rinjtë në përgjithësi dhe veçanërisht për fëmijët e komunitetit rom. “Tani jemi në një fazë që ekonomia ka filluar të marrë xhiro dhe jam i bindur që dhe me programet e reja do mund të kemi shumë më tepër fronte pune. Ne jemi fokusuar që çdo kujt ti jepet një mundësi. Nuk diskutohet që me arsimin profesional do dojë akoma kohë që të bëhet ajo armata e krahut të kualifikuar”, – u shpreh Kryeministri. Një shembull për këtë është shkolla profesionale në Sauk, me mbështetjen e qeverisë austriake, ku si rezultat i kërkesës së lartë nga të rinjtë për t’u regjistruar, shkolla 4-kateshe është një hapësirë e vogël për t’i mirëpritur të gjithë. Ndaj drejtoria e shkollës ka aplikuar në bashki për të zgjeruar shkollën. “Prindërit janë bërë më të ndjeshëm për arsim profesional,” – theksoi Veliaj.

Kryeministri vlerësoi këmbënguljen e kësaj familjeje si shembulli i përpjekjes për të jetuar me punë të ndershme dhe sakrificë.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.