“Prezantimi i programit të investimeve kapitale në bregdetin e Jugut”, mblodhi në Sarandë, së bashku me Kryeministrin, ministra dhe drejtues vendorë, investitorë vendas e të huaj, në një diskutim të përbashkët për të ardhmen e bregdetit të Jugut.
Kryeministri Rama, pasi dëgjoi prezantimin tha se,- “Ky është programi i parë i ndërtuar, duke i kapërcyer kufijtë mes njësive vendore dhe duke e konsideruar zhvillimin e qëndrueshëm të një zone të tërë që për Qeverinë shqiptare është natyrshëm një zonë prioritare për zhvillimin ekonomik, jo vetëm të njerëzve që jetojnë në këtë zonë, por të mbarë vendit.”
Duke vlerësuar programin e hartuar në shumë aspekte të tij, Kryeministri vuri në dukje se programi i ka të gjitha mundësitë që të bëhet ende me i plotë dhe më tërheqës për donatorët, por edhe për investitorët privatë. “Ajo çka mungon dhe që nuk është një punë e vështirë, është që të paraqitet nga njëra anë impakti i mundshëm që do të krijonin të gjitha ndërhyrjet dhe avantazhet e reja që do të lindnin nga këto ndërhyrje.” -u shpreh ai.
Kryeministri Edi Rama tha ndër të tjera se programi është një shembull shumë i mirë i ndërveprimit në të gjitha nivelet e pushtetit, i cili do të sigurojë suksesin, duke e bërë jo thjesht program investimesh kapitale në bregdet, por edhe program të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, social dhe turistik të Bregdetit Jon.
Fjala e Kryeministrit Edi Rama:
Përshëndetje të gjithëve!
Besoj që nuk diskutohet fakti se ky prezantim i sotëm meriton të gjitha lëvdatat, por nga ana tjetër unë do të doja të nënvizoja disa aspekte, sepse po ashtu besoj që ka hapësirë për përmirësim që do të thotë njëkohësisht, se në funksion të domosdoshmërisë për ta kthyer këtë program, në një instrument financimi, kjo zonë e mbuluar nga projektet ofron ende gjëra të lëna jashtë vëmendjes.
Para së gjithash është shumë e rëndësishme të nënvizohet fakti se ky është programi i parë i ndërtuar, duke i kapërcyer kufijtë mes njësive vendore dhe duke e konsideruar zhvillimin e qëndrueshëm të një zone të tërë. Të një zone, jo të krijuar rastësisht, por të një zone që për qeverinë shqiptare është natyrshëm një zonë prioritare për zhvillimin ekonomik, jo vetëm të njerëzve që jetojnë në këtë zonë, por të mbarë vendit tonë.
Ne besojmë se kjo zonë që programi ka marrë në konsideratë, është një nga pikat, ku duhet të përqendrohemi me shumë vëmendje për të rritur vetë ekonominë shqiptare. Nga ana tjetër është shumë e rëndësishme po ashtu që ky plan nuk i ka tejkaluar kufijtë mes njësive vendore me një vështrim nga lart apo nga larg, por ka përfshirë përfaqësuesit e qytetarëve, e komuniteteve, duke i bërë pjesë të punës për zhvillimin e fazës së parë të programit. Duke marrë prej tyre elementët e nevojshëm për të hedhur bazat e këtij programi. Është shumë e rëndësishme gjithashtu që tejkalimi i kufijve të qeverisjes vendore përmes këtij programi investimesh, i hap rrugë edhe një qasjeje shumë të munguar dhe shumë të kërkuar nga vetë burimet e financimit, përkatësisht nga donatorët në radhë të parë, por që do të jetë prioritare edhe për Qeverinë.
Qeveria jonë nuk do të vazhdojë në traditën e financimeve që e bëjnë copë dhe thërrime buxhetin modest të shtetit shqiptar dhe në fund, në vend që të prodhojnë zhvillim të qëndrueshëm, krijojnë plagë përmes infeksionesh të ndryshme që lindin, natyrshëm, në copëza që nuk janë të lidhura me njëra-tjetrën. Këtu ka kryetarë komunash me eksperiencë të gjatë, këtu ka kryetarë njësish vendore të zgjedhura rishtas, por nuk është e vështirë të marrësh qoftë nga ata që kanë kohë në detyrë, qoftë nga ata që janë zgjedhur në detyrë, konkluzionin se financimi copa e çika, një copë këtu e një çikë aty, nuk ka zgjidhur ndonjë problem. Përkundrazi, ka shtuar probleme!
Ne sot, kemi një sistem tërësor në Shqipëri ujësjellësash dhe kanalizimesh që është një turp për Qeverinë shqiptare. Një sistem i pandërtuar mbi një bazë solide, por i arnuar në vijimësi me lloj-lloj standardesh, lloj-lloj burimesh financimi dhe në fund fare, të paktën në dijeninë tonë, pjesët që funksionojnë brenda këtij sistemi që ka marrë shumë para, po të mbledhim gjithë paratë që e derdhura në vite, janë shumë pak. Janë vetëm ato pjesë dhe këtu do të përmendja ujësjellësin e Korçës dhe të Pogradecit; kemi këtu përfaqësuesin e Bankës Gjermane të Zhvillimit; që është ndërtuar qysh në krye të herës me një vizion shumë të qartë dhe me një plan shumë të qartë për të pasur një sistem të integruar. Një sistem të integruar qysh në start e deri tek kapacitetet njerëzore që administrojnë sistemin. Thënë të gjitha këto, unë besoj se ky program ka nevojë dhe i ka të gjitha mundësitë që të bëhet ende me i plotë dhe ende më tërheqës për donatorët, por edhe për investitorët privatë.
Do ta konsideroja paraqitjen që u bë si njërën anë të medaljes, por është një medalje së cilës i mungon ana tjetër. U paraqitën nevojat për ujësjellësa, për kanalizime, për rrugë. Ajo çka mungon dhe që nuk është një punë e vështirë, është që të paraqitet nga njëra anë impakti i mundshëm që do të krijonin këto ndërhyrje dhe avantazhet e reja që do të lindnin nga këto ndërhyrje. Lejomëni ta sqaroj.
Këtu ne kemi një zonë që është jashtëzakonisht e pasur me trashëgimi kulturore. Vetëm një pjesë e vogël e kësaj trashëgimie është nën kontroll, gëzon një kujdes dhe prodhon një impakt pozitiv në ekonominë e zonës dhe në imazhin e zonës. Pjesa më e madhe e kësaj trashëgimie, është jashtë kontrollit, nuk është nën asnjë kujdes dhe nuk prodhon asnjë impakt. Por ama, në qoftë se do të kishim si pjesë të këtij programi, inventarin e plotë të të gjithë trashëgimisë sonë kulturore në këtë zonë; këtu dikush nga parafolësit, drejtues të njësive vendore përmendi një numër shumë të madh pikash të trashëgimisë kulturore, ndërkohë që edhe për mua vetë numri ishte surprizë, llogarite për njerëz që nuk kanë asnjë njohje për zonën që nuk e dinë fare- në rast se ky inventar do të përfshihet në program. Jam i bindur që do ta bëjë shumë më tërheqës për çdo donator financimin. Por nga ana tjetër do të na japë edhe një sens të prioritizimit të projekteve, që të mos kalojmë nga kjo qasje e parë që është qasja e duhur, tek qasja e vjetër që hajde tani t’i japim një copë njërës njësi, një copë njësisë tjetër, me këto lekët e para që kemi, e pastaj nuk i’a dalim të bëjmë dot atë që duam.
Kjo është njëra anë. Ana tjetër; kjo zonë është një zonë, ku ka qoftë shembuj të shkëlqyer të prodhimit bujqësor, qoftë potenciale të mëdha të pashfrytëzuara të këtij prodhimi. Ashtu siç ka potenciale të pashfrytëzuar të prodhimit blegtoral që janë prapë pjesë e potencialeve dhe e avantazheve që mund të krijohen nga ky projekt, nga ky program. Që do të thotë, në rast se kemi një numër të caktuar rrugësh të komunave, kush është rruga e parë për t’u bërë dhe çfarë do të sjellë pas kjo rrugë, jo thjesht që do të kalojnë njerëzit kollaj. Do të sjellë akses më shumë turistik, sepse do ta bëjë më të lehtë për të shkuar dhe vizituar këtë vepër apo këtë vlerë të trashëgimisë kulturore? Do të sjellë më shumë rritje ekonomike, për ekonomitë familjare, sepse do ta bëjë më të lehtë për njerëzit në këtë zonë që të bëjnë këtë zhvillim bujqësor apo blegtoral? Do të sjellë më shumë interes për investitorët e huaj? Se në fund të fundit, gjithë ky program nuk është një qëllim në vetvete dhe nuk është një program që fillon dhe mbaron me nevojën për të lehtësuar qarkullimin e njerëzve brenda kësaj zone, por është një program që përbën një platformë shumë ambicioze dhe me vështrim përtej plotësimit të nevojave të brendshme, për të krijuar avantazhe dhe për ta bërë shumë më të qartë për çdo njeri dhe për çdo kompani që do të donte të investonte në turizëm në Shqipëri, se pse duhet të vijë të investojë këtu dhe jo thjesht sepse ka detin.
Ideja se njerëzit mund të vijnë dhe të investojnë këtu, vetëm për t’u larë në det, është një ide komplet dritëshkurtër. Ndërsa vetë zona, historia e zonës, vlerat e trashëguara të zonës, potencialet e zhvillimit të zonës flasin qartë se këtu për këdo që do të donte të investonte dhe të vinte për turizëm ka më shumë se sa një gjë për të bërë. Ka më shumë sesa për t’u larë në det dhe për t’u ngjitur pastaj lart në hotelin e ndërtuar mbi det dhe pastaj për të hequr picirin për të hyrë e për të dalë në Sarandë. Besoj se puna e bërë është një bazë shumë e mirë, por ka nevojë të zhvillohet edhe me këto elemente të tjerë që do t’i jepnin prezantimit apo librit të realizuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, si finalizim i kësaj përpjekjeje të përbashkët, disa përmasa të tjera që do ta bëjnë shumë më tërheqëse zonën dhe do ta bënin shumë më bindës cilindo që do t’i drejtohej një donatori. Përpos kësaj, do të krijohej një model suksesi dhe një shembull për t’u marrë edhe nga të tjerët në Shqipëri, për të kuptuar se koha e kërkesave dhe ankesave brenda një komune apo brenda një bashkie ka ikur dhe se nëse duam t’i plotësojmë më shumë kërkesat komuniteteve dhe t’i përgjigjemi më shumë kërkesave legjitime, atëherë duhet të dalim nga kufijtë e komunës, duhet të bashkërendojmë forcat dhe fuqitë dhe ta zhvillojmë ndryshe rrugën e zhvillimit. Janë ndërtuar shumë rrugë në Shqipëri, por cili është zhvillimi i qëndrueshëm që kanë sjellë dhe cilat janë perspektivat e qëndrueshme që kanë hapur. Janë ndërtuar shumë rrugë komunale në Shqipëri, po kush është zhvillimi që kanë sjellë në kuptimin e të gjithë përmasave të zhvillimit. Sigurisht, është jashtëzakonisht e nevojshme dhe është elementare për njerëzit që të lëvizin normal për t’u ngritur nga shtëpia në një komunë dhe për të shkuar me një rrugë normale në qytet apo për të shkuar në Tiranë, por nuk është kjo një arsye e mjaftueshme për të bërë një investim dhe nuk është vetëm kaq që duhet të kthejë mbrapsht investimin. Këtu ne jemi në zonën më pjellore të Shqipërisë, për sa i përket dimensioneve në shumë plane, historike, kulturore, klimaterike, njerëzore, etj. Është shumë e rëndësishme që ne ta shohim kështu këtë gjë. Besoj që është ende më e rëndësishme që ta shtrijmë këtë projekt, këtë program në të gjithë Jonin, të mos mbetemi vetëm nën Llogora dhe këtej, por të përfshijmë të gjithë parkun e Llogorasë, të përfshijmë dhe Orikumin. T’i japim përmasën e plotë të këtij projekti, sepse shtojmë arsyet për të qenë më bindës përballë kërkesave që mund t’ju bëjmë jo vetëm donatorëve, por edhe investitorëve të ndryshëm.
E fundit që besoj i mungon sot, por nuk ka qenë ky qëllimi dhe prandaj nuk e kemi sot, por që duhet ta jetë në këtë program, janë avantazhet që do të krijojmë për zhvillimin turistik. Ne kemi ndërmarrë një aksion që nuk do të ndalet. Pastrimi i bregdetit të Vlorës dhe krijimi i kushteve për zhvilluar një projekt të standardeve më të mira të Mesdheut dhe për ta kthyer Vlorën qytet në një portë dinjitoze të Mesdheut për Shqipërinë dhe gjithë rajonin është vetëm një pjesë. Ndërkohë që aksioni do të zbresë deri në Butrint.
E kush ka marrë përsipër të ndërtojë duke marrë peng të ardhmen e fëmijëve të këtij vendi, jo të kësaj zone, por të gjithë këtij vendi, sepse kjo zonë, e përsëris, është një nga arsyet e mëdha për të besuar se Shqipëria mund të zhvillohet shumë nga pikëpamja ekonomike dhe turistike, duhet të paguajë dhe do paguajë. Ne nuk do lemë okupatorë të detit që të bëjnë biznes mbi det. I kemi shembujt këtu në mes të Sarandës. Pista të tëra mbi det, marrë deti peng, mbyllur deti. Nuk shikon det, ecën nëpër Sarandë e nuk e sheh detin. Kthehu majtas mure, kthehu djathtas mure dhe vetëm në ato të çarat minimale midis mureve sheh ndonjë copë det. E kush do të vijë këtu të shikojë perspektivë për të hedhur para, për të investuar, në qoftë se nuk do shikojë garanci që investimi i tij nuk do përfundojë në kosh, apo në qoftë se nuk do shikojë garanci që, pasi ai investon nuk do t’i dalë njëri t’i vërë murin përpara? Se këtu tani u bë modë që murin ta vënë edhe në det. Mund ta marrësh në breg të detit dhe ti mendon se nuk të del njeri përpara, e të vjen tjetri e ta ngre mbi det murin. Këto janë gjëra që nuk mund të tolerohen më!
Por, ndërkohë, pastrimi është vetëm vendosja e themelit për të ndërtuar dhe zhvilluar. Në këtë aspekt, është shumë e rëndësishme që ne të kemi një dimension të natyrës ekonomike në program dhe të jemi shumë konkretë për çdo element të programit, ku të themi: Po, ky investim këtu do të sjellë këtë, këtë, këtë dhe këtë si impakt dhe do të krijojë këto, këto, këto dhe këto avantazhe, për të vazhduar zhvillimin. Se zhvillimi nuk do të mbarojë kur të shtrohen me asfalt rrugët. Aty vetëm fillon. E përfshirja e gjithë pjesës tjetër të Jonit, le të jetë një program zhvillimi i plotë i Bregdetit Jon; është vlerë e shtuar në këtë program. Kështu që, me këtë bazë të hedhur dhe me vendosjen e elementit të bashkëpunimit mes kryetarëve të njësive vendore, pa dallime këtu partiake, me deputetët, me Prefektin, me Ministrinë e Zhvillimit Urban, vendoset një bazë shumë e mirë për të tërhequr edhe më shumë vëmendjen e donatorëve, por edhe për të tërhequr më shumë investimet.
Është shumë e rëndësishme që ne ta shohim kështu dhe ta shohim sa më shpejt, duke e pasur pastaj një program, jo thjesht program investime kapitale në bregdet, por edhe programi i zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, social dhe turistik të Bregdetit Jon që do të jetë pastaj një shembull pastaj i shkëlqyer për të tjerët, për të kuptuar që po nuk dolëm nga guacka dhe po nuk ndërvepruan në të gjitha nivelet e pushtetit, nga pushteti vendor tek ai qendror, ekzekutiv dhe ai legjislativ e bashkë me donatorët, nuk kemi shans, veçse të përsëritim historinë e vjetër, një ujësjellës këtu, një kanal atje. Kemi sot të vetmen copë të Mesdheut me gropa septike, pa kanalizime, ca me ujë të pijshëm, ca me ujë që e pijnë, por që nuk dihet se çfarë vjen mbrapa, pa asnjë infrastrukturë bazë.
Jemi bërë të gjithë obsesivë, rrugë, rrugë, rrugë, por nuk tregon këtë historia e zhvillimit të qëndrueshëm të atyre vendeve që kanë qenë si ne, 50-60-30 vjet më parë dhe sot janë ndryshe. Tregon diçka krejt tjetër; që projektet komplekse, shembujt e ndërtuar mbi kompleksitetin e projektit, bëjnë diferencën. Sot në bregdetin e Spanjës ka filluar një program, prej disa vitesh i ngushtimin të rrugëve. Rrugët që i bënë me projekte të bazuara te zgjerimi e të infrastruktura po i ngushtojnë. Pse? Për të ulur flukset e trafikut të lartë dhe për ta kthyer rrugën në një rrugë turistike. Sot, në Kroaci po bëhen zhvillime që janë në bregdet, pa rrugë, duke inkurajuar resorte turistike që kanë vetëm një mundësi hyrjeje nga deti. Janë zhvillimet më të suksesshme. Janë investimet private me më shumë para, private, sepse ata që vijnë për të pushuar, vijnë nga vende me rrugë e me rrëmujë dhe nuk vijnë këtu të bëjnë gara me makina.
Flasim për diversifikimin e qasjes. Nuk diskutohet që çfarë kemi pasur, çfarë na u vu përpara, nuk flitet për luks, flitet për rrugë të domosdoshme, por flasim për qasje. E të mos harrojmë në çfarë dimensioni jetojmë. Jetojmë në një dimension shumë të vogël, se Delvina është një hap nga bregdeti, por ama Delvina ka disa potenciale që e plotësojnë, po themi, pamjen e mundësive të ndryshme, për një turist apo për një investitor në turizmin. Po, Gjirokastra është dy hapa larg dhe përfshirja edhe e këtyre destinacioneve, jo për të investuar edhe në Gjirokastër, sepse është tjetër program, por përfshirja e këtyre destinacioneve të afërta e pasuron edhe më tutje pamjen.
Ky duhet të jetë një program, i cili aq sa vlen për donatorët, aq duhet të vlejë edhe për investitorët. Duhet të jetë një program, ku secili të gjejë pjesën e vet. Jam i bindur, në qoftë se një program i tillë i plotë, i vihet përpara Bankës Gjermane për Zhvillim edhe vëmendja, të jeni të sigurt, do të jetë më e lartë. Por, edhe gatishmëria për t’u fokusuar më shumë këtu sesa për të ndarë, jo për arsyet e veta, por për arsyen se ato gjëra i vihen përpara, financimin e vet, do të rritet.
Në këtë aspekt, besoj që puna e bërë meriton sigurisht të lëvdohet dhe e lashë për në fund që të falënderoj të gjithë protagonistët e kësaj nisme që është një nismë shumë e rëndësishme dhe që ka një qasje strategjike për zhvillimin e bregdetit, duke dhënë një shembull të fortë në Bregdetin Jon.
Falënderoj edhe Fondin Shqiptar të Zhvillimit, sinqerisht, sepse është përfshirë në një projekt të një natyre të veçantë me eksperiencën e vet dhe ka bërë, brenda një kohe relativisht të shkurtër, një pasqyrë tërheqëse.
Falënderoj shumë sinqerisht kryetarët e njësive vendore. Nuk është falënderim formal. Është falënderim për një arsye që e thashë dy herë dhe e përsëris edhe për të tretën herë që kanë dalë nga kufijtë dhe janë bërë pjesë e këtij projekti. Të jeni të sigurt që nuk ka gjë më problematike për donatorët, sesa kur duhet të konsiderojnë një investim që përfshin shumë kryetarë komunash dhe bashkish. Fakti që ky program ka nisur me përfshirjen e kryetarëve të komunave dhe bashkive dhe nuk është si ato programet që janë gati dhe pastaj duhet të shkosh t’i bindësh një nga një, është, ju siguroj, një vlerë më vete e programit. Në rast se ky libër i programit plotësohet me gjithë këto elementë dhe bëhet një botim i shkëlqyer, që trajton të gjitha aspektet dhe ka firmën e gjithë kryetarëve të njësive vendore, unë ju siguroj se ka 50 % më shumë shans që të ketë sukses në tërheqjen e donatorëve dhe të investitorëve, sesa po ai libër, të duhej të kishte në fund “tani duhet të fillojmë kontaktet me kryetarët e komunave dhe bashkive”, që është një histori që nuk mbaron kurrë, kur ndodh nga lart – poshtë. Ndërtimi nga poshtë – lart i gjithë këtij procesi është baza e suksesit dhe duhet të besoni që me këtë instrument, mund të bëhet një sukses i pandodhur në gjithë këto vite, brenda katër viteve. Por, duhet të punojmë për të pasur një pamje sa më të plotë dhe sa më shteruese të projektit.
Nuk mundet dot të paraqesim një projekt të tillë, pa e përfshirë këtu Butrintin, pa përfshirë këtu elementë të tjerë që nuk janë marrë normalisht në konsideratë, sepse Butrinti është në rrugën e tij dhe administrohet dhe zhvillohet. Por, janë të gjitha gjërat rreth e rrotull që e bëjnë projektin atraktiv. Edhe vetë pika në Mesdhe, edhe vetë lidhjet më të afërta me pikat kryesore të Mesdheut. E gjithë kjo ndodh gjysëm ore larg Korfuzit. Edhe kjo është tërheqëse, sepse për ata që e shohin ndryshon perspektivën e gjësë.
E me këto falënderime dhe me bindjen që ky program është një prioritet real dhe jo një prioritet si ato prioritetet që përdoren vetëm si fjalë, e po ashtu, me bindjen që në një kohë të arsyeshme, programi mund të plotësohet me të gjithë elementët, ju siguroj se ne si Qeveri do të jemi tërësisht në dispozicion për të mundësuar fillimin e punës konkrete, për të siguruar mbështetjen më të madhe të mundshme, nga ana jonë që programi të mund të financohet.
Njëkohësisht, besoj që pavarësisht shumës modeste dhe nevojave shumë të mëdha të përditshme që secili nga kryetarët e njësive vendore duhet të përballojë me atë shumë të buxhetit tjetër, çdo investim, sado i vogël, është mirë që të vihet në funksion të këtij programi dhe është mirë që dhe programi, sado i vogël i investimeve në secilën komunë, në secilën bashki, të diskutohet mes jush, si një rreth njerëzish të interesuar për një zhvillim përtej kufijve të njësisë. Jo për të vendosur me votë kundër vullnetit të secilit prej jush, por thjesht për të krijuar sens bashkërendimi të energjive dhe sens të asaj që ndodh në gjithë zonën dhe asaj që duhet të ndodhë nesër në gjithë zonën.
E tha Ministri, buxheti i vitit tjetër është një buxhet i një vendi në situatë financiare shqetësuese dhe është një buxhet i ndërtuar për të stabilizuar ekonominë, apo bazën e ekonomisë, për të stimuluar ekonominë, duke marrë përgjegjësi të madhe, në raport me borxhet e mëdha që janë krijuar mes qeverisë dhe sektorit privat. Kjo duhet kuptuar jo si dhënie parash për persona fizikë, biznesmenë, por si dhënie parash për të rivënë në lëvizje një ekonomi që është e bllokuar dhe për t’iu ridhënë frymëmarrje qindra kompanive që kanë mbrapa punëtorë, të cilët sot nuk marrin rrogat nga kompanitë.
Por, përtej të gjitha shtrëngesave të domosdoshme, buxheti është më i lartë për bashkitë dhe komunat, sesa buxheti elektoral i vitit 2013. Çdo bashki do të ketë më shumë grant të pakushtëzuar, transfertë të pakushtëzar, sesa ç’kishte në vitin 2013, edhe në bashkitë demokrate, edhe në bashkitë socialiste. Çdo komunë do të ketë më shumë sesa kishte në vitin 2013. E di që nuk janë shumë, por ama do të jetë më shumë se ç’ishte në vitin 2013, vitin elektoral, me vetëdijen se në të gjitha rastet, ne duhet të mbajmë gjallë ritmin e një pune të përditshme që bëjmë në bashki e komuna. Por, kjo është rruga. Rruga është rruga e financimeve alternative, rruga e investimeve, rruga e zhvillimit të brendshëm të territorit, me prodhim, me tregti, me turizëm. Nuk është buxheti i shtetit që do ndryshojë jetën ekonomike të vendit. Është vetëm një nga instrumentet e ndryshimit të jetës ekonomike të vendit.
Eksperiencat tuaja dhe besoj unë, edhe afrimi i zgjedhjeve, duhet t’ju vërë në këtë alarmin se duhet të bëni ca gjëra të tjera. Se, çfarë do t’u thoni njerëzve pas dy vjetësh! Këtu jeni përfaqësues forcash të ndryshme politike dhe mund ta them këtë lirisht.
Faleminderit edhe njëherë për gjithë këtë nismë!