Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Ndroq, 74 familje hyjnë në shtëpitë e reja të ringritura nga themelet pas tërmetit

Lagjja e re në Ndroq mirëpret sot banorët që rikthehen në shtëpitë e reja, më të forta, më të bukura e më të sigurta se ato që humbën natën tragjike të tërmetit, dy vite më parë. Kjo lagje është vepër e Programit të Rindërtimit, i cili po e kthen sfidën e tërmeteve nga një fatkeqësi, në një potencial transformimi dhe zhvillimi të zonave rurale dhe lagjeve që u prekën.

Në lagjen e re të Ndroqit janë ndërtuar 74 shtëpi të reja individuale me hapësira të bollshme banimi. Së shpejti, aty përfundon qendra e re shëndetësore, si dhe kopshti e çerdhja për fëmijët e zonës, duke kompletuar kështu një lagje model të mirëorganizuar me infrastrukturë moderne, e cila plotëson të gjitha standardet dhe nevojat e këtij komuniteti.

Kryeministri Edi Rama ishte sot mes banorëve të Ndroqit për t’u uruar hyrjen në shtëpinë e re.

 

* * *

T’i gëzoni shtëpitë tuaja, të cilat siç ju kemi thënë që në fillim janë tuajat, janë pronë me hipotekë, mund ta trashëgoni, mund ta jepni me qira, mund ta shisni, njësoj si të gjithë ata që janë pronarë legjitimë të shtëpive te tyre.

Nuk i keni asnjë detyrim askujt, nuk keni asnjë qindarkë për të paguar mbrapsht, keni vetëm detyrimin që këto oborre t’i gjelbëroni, t’i lulëzoni dhe mundësisht të mos ziheni për ku mbaron pjesa ime ku fillon pjesa jote.

Shumë shpjet do të keni edhe qendrën shëndetësore këtu, edhe kopshtin, i cili është ndërtuar dhe tani thjeshtë do përfundojë, edhe çerdhen dhe patjetër që siç e dini dhe vetë më mirë se sa e di unë, keni edhe tokën aty ku e kishit në shtëpitë që u prishën nga tërmeti se ajo është toka juaj dhe atë nuk ua merr kush.

Pra, familjet tuaja sot janë më të sigurta, përkujdesjen tonë e ndjejnë ngado që kthejnë sytë këtu.

Programet e rindërtimit pas tërmeteve, qoftë në Italinë fqinje, qoftë në Greqinë fqinjë, qoftë dhe në Turqi, ku ka patur shumë tërmete dhe ka patur shumë të tilla, nuk japin shtëpi falas. Japin shtëpi me kredi, me kredi të buta patjetër, por kredi janë, edhe sikur 5 lekë në muaj, janë 5 lekë në muaj.

Ne e kemi bërë programin 100% falas!

Ne nuk jemi më të fortë, ne nuk jemi më të pasur, ne nuk jemi më të zotë, por ne e ndamë mendjen që rindërtimin do ta bënim më shpejt se të tjerët dhe patjetër falas pikërisht sepse s’jemi më të pasur.

Sikur ne të ishim një qeveri që mendonte për të pasurit, Programi i Rindërtimit nuk do të ndodhte kështu siç po ndodh, si një program rindërtimesh falë rritjes së taksave për të pasuri duke ulur deri në 0 taksat për ata që kanë më pak, për t’ju dhënë shtëpi familjeve falas, nuk do ndodhte!

Ama nga ana tjetër ne nuk i prishëm ato shtëpi dhe nuk do vazhdojmë t’i prishim ato lloj shtëpish për t’i hedhur në rrugë ata njerëz pavarësish se çfarë fiksimesh kanë ata lidhur me votën e tyre, sepse kjo ne nuk na intereson. Ne jemi qeveri e të gjithë shqiptarëve, ne nuk jemi qeveria vetëm e atyre që votojnë për Partinë Socialiste, për t’i çuar në shtëpi të reja, pa ju kërkuar asnjë lek.

Procesi i rindërtimit ka ecur paralel me një proces të tërë falsifikimesh, ankimimesh, korruptimesh të gjykatësve, që janë të krimbur nga koka tek këmbët edhe që e dinë që nuk kanë shans ta kalojnë Vettingun dhe tani vazhdojnë të kapin ca të kapin, dhe për këtë arsye jemi vonuar në disa raste, por ama një gjë është e sigurt, që ne nuk i ndahemi kësaj pune deri kur familja e fundit të marrë shtëpi. Në Tiranë, Durrës, ku kanë qenë edhe problemet më të mëdha me gjykatës e me mashtruesa dhe sigurisht në të gjithë zonën ku siç e shihni po ndërtohet. Po ndërtohet intensivisht kudo!

29 shkolla të reja dhe kopshte të reja vetëm në Kamëz. 29! Numri total i kopshteve dhe shkollave të reja më i madh sesa kanë ndërtuar ata, në të gjitha qeveritë e tyre dhe flasin dhe shajnë dhe shpifin dhe duan t’i dalin në mbrojtje Shqipërisë dhe shqiptarëve. T’ju dalin ata në mbrojtje juve, e kuptoni?

E na vjen jashtëzakonisht mirë që sot kjo bashkësi këtu, socialistë, demokratë e çfarë janë të gjithë këtu se s’na intereson në këtë aspekt është gati të futet në shtëpi edhe të jetojë në këtë hapësirë të re, të bukur që tani ju takon juve ta mirëmbani.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.