Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Kryeministri Edi Rama me studentë praktikantë në hapjen e thirrjes së katërt të Programit Kombëtar të Praktikave të Punës: 

Përshëndetje të gjithëve!

Më vjen mirë që përsëri i kushtojmë një kohë këtij procesi tërësor të Paktit për Universitetin, këtë herë për praktikat e punës, që besoj e dini, janë një eksperiencë e krijuar nga Presidenti Kennedy në fillim të viteve ‘60 kur hapi dyert e Shtëpisë së Bardhë për studentë të talentuar dhe kjo u kthye në një praktikë të kudondodhur në Shtetet e Bashkuara dhe pastaj përfshihu dhe gjithë Europën.

Në Shqipëri, nuk është një praktikë e konsoliduar, është një praktikë relativisht e re. Megjithatë, ajo që vlen të thuhet është se është një praktikë, e cila vit pas viti ka marrë një trajtë goxha domethënëse dhe faktikisht, ofron jo thjeshtë një njohje nga brenda të institucioneve, por edhe mundësinë që pas praktikës, çdonjëri që e kalon këtë proces, të mund të futet në procesin e konkurrimit për një vend në administratë duke pasur avantazhin që ka bërë praktikën e punës. Pra, është një avantazh, në raport me konkurrentët e tjerë dhe ndihmon për të kapërcyer atë hendekun ligjor që faktikisht kërkon eksperiencën në punë për këdo që pretendon të hyjë në shërbimin civil.

Nga ana tjetër, është pozitive që praktikat janë hapur përtej kufijve të administratës publike, tek sektori privat. Këtu janë të pranishëm edhe përfaqësues të sektorit privat, të bankave, të kompanive të ndryshme, të cilat faktikisht janë bërë partnerë të programit të praktikave dhe kanë krijuar mundësinë që numri i studentëve që përfshihen në këto praktika të rritet ndjeshëm. Nuk dua të flas më gjatë edhe për t’i dhënë mundësi kujtdoqoftë këtu që dëshiron të thotë çfarëdoqoftë, por dua të theksoj faktin që kemi hyrë në një fazë të re të historisë së marrëdhënieve mes qeverisë dhe universitetit sepse është krijuar terreni për të ndërvepruar, në funksion të hapjes së universitetit ndaj tregut, të afrimit të nevojave të tregut, pra në vëmendjen e universitetit dhe nga ana tjetër është krijuar një mundësi historike për futjen drejtpërdrejtë të studentëve më të mirë në administratë.

Shumëkush vijimësisht ka menduar dhe në një farë mënyre është krijuar një lloj mendësie që mundimi dhe rezultatet e marra me mundim nuk vlejnë sepse në fund të ditës, dikush tjetër që nuk ka të njëjtat merita, por ka disa mekanizma të tjerë, njohje, lidhjesh partiake e kështu me radhë, të merr vendin e punës në shtet. Faktikisht, sot, kjo është thyer pa kthim mendoj unë sepse vendet e punës në shtet janë vënë në dispozicion të atyre që kanë mbaruar Universitetin me 9-10 dhe marrja e një vendi pune, është faktikisht në kompeticion mes tyre, jo me të tjerë. Kjo krijon kushtin që çdokush që ka mbaruar me 9-10 të kenë mundësi zgjedhjeje në varësi të rezultatit dhe të ketë mundësi të hyjë në administratën publike pa konkurs, duke pasur një vit kontratë për t’u përgatitur që vendin e punës së marrë pa konkurs, ta ruaj përmes konkursit. E pa diskutim që dikush që është në një vend pune prej një viti, që ka aftësitë dhe vullnetin e nevojshëm, nuk mund dot të mundet në konkurs nga dikush tjetër që vjen për ta marrë atë vend pune, por që nuk ka lidhje dhe njohje të drejtpërdrejtë dhe aq shumë të detajuar të vendit të punës, siç e ka dikush që ka aty një vit.

E fundit që kam është që do të vazhdojë ky proces, duke rihapur thirrjet për aplikime. Është bërë një thirrje e re sëfundmi, do të ketë një tjetër në gusht dhe kështu me radhë dhe të gjitha vendet e punës të lira në shtet, qoftë në shërbimin civil, që është administrata brenda ligjit që përcakton kornizën e shërbimit civil, qoftë në pjesën tjetër të administratës shtetërore që nuk është shërbim civil, fjala vjen, Posta nuk është shërbim civil, është një kompani shtetërore apo Hipoteka, nuk është shërbim civil, por është administratë shtetërore, apo të tjera institucione dhe agjenci do t’i kenë vendet e punës në dispozicion të më të mirëve. Jam i bindur që kjo vendos bazën e një transformimi historik për administratën sepse me kalimin e disa viteve, gjithë këta njerëz fitojnë dhe eksperiencën e nevojshme dhe mbi të gjitha janë aty për shkak të meritës dhe janë aty mbrojtës dhe garantues të meritës së të tjerëve.

Nuk po shkoj më tutje kështu që nëse ka pyetje, shqetësime, opinione apo nevojë për sqarime të ndryshme, besoj që është momenti i duhur për ta hapur këtë diskutim.

– Përshëndetje! Këto praktikat kombëtare për ne ishin diçka shumë e mirë. Na dhanë mundësinë për të njohur administratën dhe personeli ka qenë shumë komunikues dhe suportiv. Ky ishte shansi ynë për të hyrë në administratë që në fillimet e karrierës tonë.

– Përshëndetje! Kam dëgjuar nga lajmet rozë dhe duam të urojmë ty zonja ministre, të trashëgoheni. Llokume nuk morëm, por jemi në pritje. Për sa i përket pjesës së praktikave, ju them shumë faleminderit për mundësinë dhe doja të ndaja eksperiencën time të deritanishme. Stafi është i mrekullueshëm, ndodhet gjithmonë gati për çfarëdo paqartësie, të na ndihmojnë. Me anë të programit të praktikave të punës kemi mundësinë të njohim më mirë si funksionon administrata dhe nëpërmjet praktikave që kemi bërë deri tani kemi kuptuar më mirë mënyrën si funksionon dhe se si të kryejmë edhe më mirë pjesën e praktikave të punës. Ju falënderoj! 

Kryeministri Edi Rama: Tani, këto fjalët “me stafe të mrekullueshme”, dakord, por a ka ndonjë që ka gjetur ndonjë gjë jo të mrekullueshme aty? Se këto na interesojnë dhe që aty më shumë ka gjëra jo të mrekullueshme se sa të mrekullueshme këtë e dimë kështu që mos humbasim kohën e njëri-tjetrit me mrekullira se jemi këtu për të dëgjuar e për të mësuar ndonjë gjë më shumë nga njëri-tjetri që kur të dalim të dimë më shumë se sa dinim kur hymë. Se përndryshe për çfarë u takuam? Kështu që përveç llokumeve, ndonjë kafe pa sheqer ka këtu?

– Përshëndetje! Unë kam një kuriozitet. Po kryej praktikën pranë Ministrisë së Drejtësisë. Nëse gjithçka shkon mirë, pas tre muajsh unë do arrij të firmos një kontratë 1 vjeçare që pak a shumë do zë vendin e dikujt që ishte tek thirrja e tretë e praktikave kombëtare të punës. Nëse kjo do jetë në vijimësi me ekselentët dhe praktikat kombëtare të punës, atëherë kur do hapet konkurrimi në DAP që unë kur të mbaroj atë 1 vjecarin, ta kem të sigurt që të paktën do konkurroj në DAP. Shumë suksese me nismën për ekselentët, por a mos po cenojmë pak atë pjesën tjetër që nuk është ekselente që nuk kanë qenë mirë me notat, por dinë shumë mirë ta bëjnë punën. A u kemi cenuar këtyre të tjerëve mundësinë për të konkurruar në DAP se duke u zënë ato vende, nuk është hapur konkurrimi në DAP.

Kryeministri Edi Rama: Kini parasysh që vendi që merr për një vit ai që vjen me 9-10, mbas një viti çelet për konkurs dhe në rast se konkursi përfundon me fitues atëherë vendi zihet. Pra nuk është i njëjti vend që hapet çdo vit, por janë vende të tjera që hapen sepse ka njerëz që dalin në pension, ka njerëz që lëvizin dhe kini parasysh që më shumë se 1/3 e konkurseve të DAP-it nuk nxjerrin fitues. Kjo është prova më e sigurtë që konkurset janë reale, se unë akoma nuk e kam takuar një shqiptar që të pranojë që dikush tjetër ia merr garën me zotësi. Nuk e kam takuar akoma. Të gjithë kur nuk marrin atë që duan e kanë gjetur rrugën më të kollajshme për ta shpjeguar, është që “ky vend nuk bëhet”, “që korrupsioni, që miku, që leku, që shoku”,  por që mundësia që ky që ankohet për të gjitha këto të ketë qenë më i pazoti se ai që fitoi, nuk ekziston. Ama konkurset nuk nxjerrin fitues. Po të ishin me “Shqipëria nuk bëhet, miku, shoku, dreqi dhe i biri”, do nxirrnin fitues se do ishin farsa.

Janë më shumë se 1/3 e konkurseve, kështu që për këtë arsye vendet e lira vazhdojnë mbeten të lira dhe për këtë arsye në të gjitha institucionet ne kemi vende të lira sepse procedurat janë të tilla që marrin kohë, por dhe sepse jo të gjitha vendet zihen me konkurs. Kështu që, kemi vende të cilat do të zihen me konkurs dhe ato nuk rihapen prapë, pra nuk janë për t’ia dhënë atyre të tjerëve që mbarojnë me 9-10, vitin tjetër. Kemi vende që krijohen për shkak të atyre që dalin në pension, të atyre që lëvizin dhe vende që mbeten të hapura për shkak se nuk fitohen dhe unë uroj që të gjithë ata që i kanë marrë këto vende, t’i fitojnë me konkurs, por nuk do jetë rasti, do ketë dhe nga ata që nuk i fitojnë dot, se konkurset janë shumë të vështira dhe janë rigoroze. Kush i ka kaluar, mund ta dëshmoje këtë dhe më e bukura është që ata që fitojnë, në masën, në mos gabohem rreth 90%, fitojnë për herë të dytë, të tretë, të katërt apo të pestë, nuk fitojnë për herë të parë.

Pra, është rreth 10% masa e atyre që fitojnë për herë të parë. Avantazhi i këtyre që do rrinë një vit aty është që do jenë shumë më të ditur për atë vend pune e do ta kenë shumë më të lehtë konkursin, kjo nuk diskutohet. Pra kjo është një lloj si të themi diskriminimi për ata të tjerët që do konkurrojnë me ta, por kaq.

– Përshëndetje! Praktikën e ndjek tek Qendra e Koordinimit kundër Ekstremizmit të Dhunshëm. Për sa i përket qasjes pozitive që kam hasur si studente në bashkëpunim dhe me kolegët dhe eprorët që kam aty është bashkëpunimi dhe socializimi që kemi me institucionet. Sa i përket qasjes kritike, do thoja që është një praktikë që ndoshta duhet të jetë dhe më prezente tek studentët, duke qenë se ndihmon edhe në socializmin me punën tonë, por dhe me praktikën në terren. Faleminderit!

– Përshëndetje! Aplikova tek programi i ekselencës, por fatkeqësisht për një 0.05 nuk arrita ta fitoja, por ju falënderoj shumë që po na jepni mundësinë me anë të programit të praktikave të punës që ne të gjejmë një mundësi tjetër për t’u praktikuar e për të qenë më tej pjesë e administratës. Kisha një pyetje në fakt, nëse ne të gjithë jemi mirë me mesatare, pra jemi 9 praktikantë tek AZHBR-ja, konkretisht do doja të dija cilat janë kriteret që ju më pas do na përzgjidhni. Sjellja? Mënyra se si ne shprehim veten? Po mesatarja, nëse të gjithë jemi mirë, të gjithë do zgjidhemi apo duhet të përmbushim diçka tjetër? Si janë kuotat do doja të dija?

– Përshëndetje të gjithëve! Në vitin 2018 jam bërë pjesë e thirrjes së tretë për programin e praktikave të punës. Ndoqa tre muaj praktikën e punës. Më pas institucioni më vlerësoi dhe më dha mundësinë që të lidh një kontratë 1 vjeçare. Gjatë kësaj kohe u hapën disa vende të reja pune tek IPARD-i, aplikova në DAP dhe fitova. Ka qenë një eksperiencë shumë e bukur për mua dhe shumë e vlefshme.

– Përshëndetje! Jam bërë pjesë e Programit Kombëtar të Praktikave të punës në vitin 2018. Pas praktikës 3 mujore na u dha mundësia e një kontrate 1 vjeçare dhe pas përfundimit të kësaj, në institucion u hapën vende, aplikuam në DAP. Tani unë kam marrë kontratën 1 vjeçare si inspektore. Ju falënderoj për këtë mundësi që na dhatë. Është një mundësi shumë e mirë për ne dhe jemi me fat që aplikuam dhe u përzgjodhëm dhe që jemi pjesë e administratës.

Kryeministri Edi Rama: Një gjë do shtoja këtu, për vajzën që pyeti. AZHBR-ja është një institucion pak i veçante sepse është një institucion që funksionon me certifikata europiane. Pra, është i monitoruar shumë nga afër nga strukturat përkatëse në Bruksel sepse administron të gjithë fondin europian për bujqësinë dhe zhvillimin rural dhe për këtë arsye është një oportunitet i veçantë që të jesh specialist i fushës dhe të punosh në AZHBR, por dhe konkurset aty janë shumë strikte sepse çdo procedurë, jo vetëm duhet të jetë konform ligjit shqiptar, por çdo procedurë monitorohet nga partnerët në Bruksel, pra nga struktura që është e lidhur me AZHBR-në dhe nuk ka shans fare që të ketë lëvizje sado të vogla nga procedurat apo që të cenohet merita. Kështu që, çka të takon të bësh është që kur të vija dita e konkursit të jesh gati. Konkursi është konkurs tipik i DAP-it, sigurisht, përfaqësuesit e institucionit janë aty dhe sjellin dhe vlerësimin për pjesën e njohjes që kanë për kandidatët që vijnë nga brenda, por shumica është thjesht aty për të marrë në pyetjet me shkrim dhe me gojë dhe për të dhënë pikët, pa asnjë lloj lidhjeje tjetër. Kështu që thjesht duhet të përgatiteni për të fituar konkursin.

Mund të dilni dhe jashtë temës së praktikave, për çështje të tjera që kanë të bëjnë me paktin për universitetin apo me probleme në universitet në rast se ju intereson.

– Përshëndetje! Para disa kohësh, në DAP u hap një shpallje që në Shkodër ishin katër vende vakante dhe u hap konkursi. Pas një jave na vjen një email që duhet të paraqiteshim për datën e provimit. Pas dy ditësh, na vjen një tjetër email që thotë që kjo shtyhet. Pastaj na vjen një email pas një jave që thotë nuk do zhvillohet provimi për disa arsye. Kush mund të jetë një arsye që akoma në Shkodër janë 4 vende vakante dhe akoma nuk janë zëvendësuar dhe është shtyrë akoma provimi?

Kryeministri Edi Rama: Arsyeja, – nuk ta them me 100% siguri, se mund të ketë dhe ndonjë arsye teknike,  – me shumë mundësi është kjo që po diskutojmë. Të gjitha vendet vakante janë vendosur në dispozicion të atyre me 9-10. E për këtë arsye shumë procedura që ishin si të thuash të shpallura janë anuluar dhe gjithë vendet janë në dispozicion të tyre. Kështu që ato katër vendet në Shkodër do zihen nga ata me 9-10.

Më vjen keq nëse nuk je nga ata. Këtë sistem kemi zgjedhur, që, më i miri zgjedh i pari. Jemi në fazën e parë. Pasi vendet të zihen nga ata me 9-ta e me 10-ta, ata me 9-ta e me 10-ta do duhet që, pas një viti të futen në konkurs dhe kushdo që i synon ato vende duhet të hyjë në konkurs me ata. Patjetër që ata e kanë një avantazh, por e kanë krijuar avantazhin se e kanë vrarë mendjen, kanë qëndruar mbi libra dhe kanë harxhuar më shumë kohë me libra sesa me internet sesa të tjerët. Çfarë t’i bëjmë? D.m.th., janë marrë për shumë budallenj, por dolën më të zgjuarit. Dolën më të zgjuarit, sepse ne e krijuam këtë mundësi që të ndryshojmë atë trendin, që, “kush mëson shumë është budalla”, se “ky vend nuk bëhet mor lale, kështu që, më mirë rrimë në kafe pa mësuar edhe të shohim të kapim ndonjë parti, ose të kapim ndonjë mik, ose të kapim ndonjë kushëri” e kështu me radhë. Jo se këto kanë mbaruar, apo i përkasin përfundimisht të shkuarës, por ky është procesi i një transformimi që të jeni të sigurtë që në disa vite do të jetë proces i konsoliduar dhe nuk do t’i diskutojë më njeri këto gjëra, d.m.th. do të jetë krejt normale që kur shkon në shërbimin civil të Republikës së Shqipërisë të jesh nga më të mirët dhe nuk mund të hysh dot se të sjell partia, se të sjell shoku, se të sjell miku e kështu me radhë. Kjo është luftë që vazhdon. Nuk është luftë e fituar, por në këtë segment kohor avantazhin e kanë ata që janë më të mirët, për herë të parë pas 30 vjetësh.

Ajo që është e rëndësishme, është që edhe ata që janë praktikantë me 3 muaj e marrin atë avantazhin, që përndryshe nuk e ke, sepse ligji të thotë që ti të futesh në Shërbimin Civil duhet të kesh eksperiencë, ti thua, “unë kam mbaruar shkollën. Jam e gatshme të futem dhe nëse eksperienca është pengesa, ku do e krijoj eksperiencën unë?” Pra, këtë hendek ne e përmbushin në këtë formë. Ata që kanë bërë praktikat sot janë futur në punë, sepse nuk i është thënë më që nuk ke eksperiencë, por ke bërë praktikën, pra kush është praktikant në Shërbim hyn në konkurs, nuk i thuhet s’ke eksperiencë.

-Aktualisht vazhdoj studimet në Universitetin e Arkitekturës dhe Urbanistikës. Kam aplikuar te Programi i Praktikave të Punës dhe kam fituar. Praktikantët e tjerë kanë mundësinë e një kontrate 1-vjecare. Doja të dija nëse edhe ne të Bashkisë së Tiranës mund ta kemi këtë mundësi.

Kryeministri Edi Rama: Kudo, edhe në sektorin privat, sepse është interesi i vetë institucionit i vetë organizatës që një person që është praktikuar 3 muaj aty të mos e lëshojë në rrugë, nëse në atë të vend ka nevojë. Pse duhet të kërkojë dikë tjetër, kur personin e ka aty, e rrit aty, e bën gati aty?

-Aktualisht jam studente në vitin e dytë master shkencor në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës. Unë jam studente ekselence. Në vit të parë master kisha mesatare 10 dhe në bazë të ligjit përjashtohesha nga tarifa plotësisht. Pas ndryshimeve, ku marzhi i studentëve ekselentë u rrit nga 9-ta te 10-ta, mua mu desh të paguaja gjysmën e tarifës. A nuk mund të mbeteshim në të njëjtin stad ne me mesatare 10?

Kryeministri Edi Rama: Nuk është përgjysmuar tarifa. Është kontributi që ka përgjysmuar barrën e studentëve, pra tarifa është kostoja e çdo studenti. Ajo çka ne kemi bërë, është që kemi marrë anën e prindit dhe kemi paguar për llogari të studentit përgjysmimin e detyrimit. Në këtë drejtim, është universiteti i cili mund të thotë, s’kemi nevojë t’i vendosim fare tarifë, pra ta heqë tarifën për të gjithë ata që janë me 10 dhe duhet ta bëjë normalisht, por nuk është vendim i qeverisë. Ne thjesht paguajmë gjysmën për ata që janë me 9-ta e me 10-ta. Ndërkohë që universiteti mund të thotë fare mirë, “jo, ata me 10 nuk paguajnë asgjë”. Normalisht duhet ta bëjnë dhe duhet ta kishin bërë se është pa sens. Ajo që thatë ju është absolutisht legjitime, për më tepër që nuk e ke paguar më parë dhe tani thonë, paguaje. Nuk shkon. Kështu që normalisht duhet ta bëjë. Do flasim përsëri. Jua kemi thënë, por, unë për veten time jam befasuar, me thënë të drejtën, nga niveli i sekretarive të universiteteve. Kam menduar që e kisha parë më të keqen në administratë, – se ju keni fatin të shihni anën e mrekullueshme, unë anën e mrekullueshme nuk e kam parë akoma, – por, sinqerisht sekretaritë e universiteteve, ju qofshi edhe ju paçi të gjithë durimin për t’u përballur, sepse, ç’më kanë parë sytë e ç’më kanë dëgjuar veshët nga konfuzioni, nga shpjegimet kontradiktore, nga përgjigjet pa asnjë përgjegjësi, nga sorollatjet e qindra njerëzve, që, të paktën kanë kontaktuar me mua direkt, studentë, studente, “shko atje”, përgjigje nga më të habitshmet, pa lidhje fare me çfarë kemi vendosur, pa lidhje fare me çfarë duhet të bëjmë, sorollatje, akoma iu thonë, “s’ta ka sjellë bashkia letrën e bursës”. Çfarë lidhje kanë bashkitë? Nuk e di. Shyqyr që nuk ka praktika pune në sekretaritë e universiteteve, se, është e sigurtë që ata nuk do përmirësoheshin dhe ju do prisheshit duke punuar me ata.

Ka edhe një element tani, që këtu është një problem i madh. Nuk e kemi ne në dorë, se universitetet janë autonome, por rekrutimi i stafit jo pedagogjik, që është një tjetër histori e dhimbshme se sa shumë padrejtësi, mungesë merite, mungesë përgjegjshmërie ka dhe sa shumë klientelizëm e historira të tjera, se s’ka si shpjegohet ndryshe dhe se sa i mbingarkuar është buxheti i universiteteve me rroga për këta njerëz, ndërkohë që ato para fare mirë mund të shkonin për të rritur pagat e pedagogëve, meqë janë problem, fare mirë mund të shkonin për gjëra të tjera. Jo. Shkojnë për të paguar administrata dhe struktura të fryra që, mirë që i paguajnë dhe mirë që i kanë aty, por që japin ato lloj përgjigjesh dhe që bëjnë ato lloj konfuzionesh me njerëzit është e habitshme. Është e paimagjinueshme!

-Studioj në Fakultetin Ekonomik, Universiteti i Tiranës, po ndjek master profesional, në marketing. Kam përfituar nga Programi Kombëtar i Praktikave të Punës pranë Qendrës Rajonale Rinore të Tiranës. Pse të mos përfshijmë te pjesa e ekselencës edhe studentë me mesatare 8, marr shkak këtu edhe nga një praktikë shumë e mirë e Ministrisë së Brendshme me rekrutimet në Policinë e Shtetit që rezultoi një proces shumë efikas dhe me numër të madh aplikimesh dhe të bëhet një konkurs midis 8-ës, 9-ës dhe 10-ës, sepse padyshim që mesatarja 9, ose 10 janë shumë të rëndësishme dhe e meritojnë, por ka mjaft studentë që penalizohen te nota, por nuk do të thotë që kanë mungesë kapacitetesh? Jam i sigurt që tashmë edhe në dyert e fakulteteve tashmë ky shtrohet si problem.

Kryeministri Edi Rama: Po pse të mos bëhet një gjë tjetër, që, ata me 8-ta të marrin 9-ta? Po futëm 8-ën te ekselenca çfarë do bëjmë me 5-ën pastaj? Nëse 8-ta është ekselente, do themi 5-sa është shumë e mirë dhe i bie që 4-ra është e mirë. Padiskutim, shumë njerëz të suksesshëm nuk vijnë nga radhët e atyre që janë me 9-ta e me 10-ta, por në momentin kur duam të vendosim një kriter objektiv, s’mund të nisemi nga ideja që meqë edhe Einstein kishte vështirësi të merrte shkollën, atëherë, ata që kanë vështirësi të marrin shkollën t’i trajtojmë sikur janë të gjithë Einstein në potencë. Nuk e bëjmë dot këtë. Me siguri ndonjëri nga ata mund të dalë nesër që të jetë gjeni, por me prezumimin që, mes atyre që ngelin ka një gjeni, nuk i marrim dot të gjithë ata që ngelin dhe t’i fusim në punë. Nuk e bëjmë dot këtë gjë.

Fjala ekselencë është 10. Të tjerët janë shumë të mirë, por ne e bëmë zgjerimin që t’ju përgjysmonim tarifën dhe që të stimulojmë më shumë arritjen e rezultateve. Këtu është edhe rreziku që të ketë pak edhe mbajtje me hatër, kur vjen puna edhe mund të rritet edhe në mënyrë pak fiktive numri, për shkak se ai që është për 8, do thotë, “aman me vendos një 9, që të mos paguaj të gjithë tarifën”, por, hap pas hapi, do të axhustohen të gjitha këto. Tani p.sh., jemi në një diskutim tjetër lidhur me faktin që, në një pjesë të vendeve të punës, faktikisht, nuk erdhi askush. Janë disa vende pune me disa tipare, ose me disa profile që nuk kanë 9-ta, 10-ta dhe po diskutojmë për ta hapur përtej një viti, për ta shtyrë, për ta çuar në harkun e 5 viteve të fundit dhe njëkohësisht po diskutojmë për ata që kanë mbaruar jashtë, për ta hapur edhe atë, pra për të pasur një spektër më të gjerë, për të vendosur top 100, apo top 300 universitete të botës, kush ka mbaruar atje të ketë akses pa pasur nevojë që të ketë dalë ekselent. Mjafton që ka mbaruar ato universitete. Po i diskutojmë dhe këto, se p.sh., ka fusha si inxhinieria e ndërtimit apo nga disa fusha të tjera ku s’ka. Me kujtohet kur shkoja te Inxhinieria e Ndërtimit në atë kohën e vorbullës, edhe ata thonin “ne s’marrim dot 9-ta e 10-ta se janë lëndë të vështira”. Kështu që, ka gjithmonë gjëra që duhen axhustuar, sepse s’ka zgjidhje që të jetë perfekte dhe të mos ketë efekte të caktuara anësore që pastaj përsëri duhen adresuar.

-Jam student masteri në Fakultetin Ekonomik, në Administrim Biznes. Doja të shtroja dy probleme përtej Programit Kombëtar të Praktikave të Punës. Jam përzgjedhur te Drejtoria e Përgjithshme e Doganave. Në fakultetin tim kemi parë Udhëzimin që ka ardhur nga Ministria për Këshillat Studentorë, ku thuhej që duhet të zgjidhen 5 anëtarë. Unë mendoj që ky numër duhet të jetë në raport proporcional me numrin e studentëve, nuk duhet të jetë i njëjtë për të gjitha Fakultetet sepse fakulteti ynë ka afro 7-8 mijë studentë. Problemi tjetër është në lidhje me investimin që ka 3 vite që është bllokuar nga Rektorati në Fakultetin Ekonomik të paktën kështu na thuhet nga Dekanati, siç thuhet, nga mosmarrëveshjet mes Dekanit me Rektorin. Ne nuk mund të mbetemi peng i këtij konfliktit mes Dekanit dhe Rektorit.

Kryeministri Edi Rama: Ky është kulmi! Të sigurohet biblioteka digjitale dhe Universiteti i Tiranës të mos e përdorë dot, se nuk ka sistem teknologjie që lejon përdorimin e bibliotekës digjitale dhe që studentët e universitetit të Tiranës të jenë të përjashtuar nga aksesi në bibliotekën digjitale, për shkak se Rektori, Rektorati që e kanë këtë përgjegjësi nuk kanë garantuar as këtë minimum është kulmi. Unë nuk e di se çfarë duhet të ndodhë më tepër dhe që të gjithë dokumentet e studentëve të universitetit të Tiranës të mbahen me dorë, me punë dore sikur jemi në epokën e kooperativave bujqësore kjo flet vetë. Pastaj, ka shumë aspekte. Më e rënda është që, në vend se t’i zgjidhë, Rektori ankohet. Kujt i ankohet? Ankohet pse unë e sjell këtë temë në diskutim! Po si t’ia bëjmë? Edhe këtë përgjegjësi ta mbajmë ne? Dakord, gjëja më e kollajshme është mblidhemi shkojmë te Ministria e Arsimit dhe i kërkojmë të gjitha ato të cilat duhet t’i bënte universiteti. Kur i thua, prit një minutë, sepse kemi zgjedhur një sistem përgjegjësish! “Ç’më duhet mua, – thotë, – “x”-i, “y”-i, “z”-ta? Unë qeverinë kam.” Si qeverinë ke? Po universiteti është autonom dhe autonomia nuk është thjesht liri për të bërë tendera, apo e drejtë për t’u zënë dhe për të bllokuar universitetin për tendera, por është përgjegjësi.

Padyshim që, duhet një zgjidhje! Ne kemi preferuar që të mos ndërhyjmë, por realisht është problem. Ju i bëtë protestat edhe harruat. Unë nuk i kam harruar. Kur thoja atëherë që do mbetem protestuesi i fundit, qeshnit ju, “lëri këto, po plotëso 8 pikat!” Tani ju i keni harruar. Unë nuk e kam harruar që, një nga arsyet kryesore që ishte dhe mbetet shqetësim nëse, jo për ju që keni mbaruar, për ata që vazhdojnë në universitet, që ka dhe këtu, është vlera reale e titujve akademikë, vlerësimi i titujve akademikë, vetting-u i titujve, si të doni quajeni. Çfarë po bëhet me këtë? Zero. Asgjë. Pse? Se këtë duhet ta bëjë universiteti. Në të gjithë botën normale Universiteti i jep titujt dhe universiteti i vlerëson titujt. Universiteti bën edhe antiplagjiaturën. Nuk e bën as media, as qeveria, as policia, e bën universiteti vetë. Zero. Asnjë hap. Pse? Sepse ajo hap një proces njësoj si ai i gjykatësve dhe i prokurorëve brenda Universitetit dhe ka shumë nga ata që janë brenda, që juve ju shfaqen si profesorë, si doktorë, në fakt janë thjesht sharlatanë, se sharlatan quhet dikush që shfaqet për atë që s’është.

Titujt i kanë komplet pa asnjë lloj vlere dhe pa asnjë lloj baze. Jo sepse duhet thënë për politikë, por, sepse unë e besoj që, shumica e pedagogëve të universitetit janë në vendin e duhur dhe janë aty për meritë, e besoj këtë gjë, ama një pjesë atje çfarë profesorësh janë? Doktorë shkencash?! U bënë doktorët e shkencave sikur janë shalqi! Në çdo cep rruge gjen shalqi. Si qenka kjo gjithë doktorë e gjithë profesorë!

E dyta, ju e keni harruar unë nuk e kam harruar, që keni kërkuar vlerësimin e performancës së çdo pedagogu nga studentët. E bën e gjithë bota. Studentët duhet të kenë të drejtë që të vlerësojnë performancën e çdo pedagogu, një herë në vit. Mekanizmat dihen se si bëhen. Nuk është hakmarrja e studentëve për pedagogët. Është metodologji e konsoliduar dhe të gjithë studentët japin opinionet. Janë opinione të cilat i shërbejnë Departamentit, i shërbejnë Dekanatit, i shërbejnë Rektoratit për të kuptuar se çfarë mendojnë studentet për mësimdhënien e çdokujt dhe i shërbejnë edhe çdo pedagogu për të kuptuar çfarë mendojnë për mua, kur këtë e thonë në mënyrë të fshehtë, jo kur i thua “çohu dhe thuaj çfarë mendon për mua”. As për këtë s’po bëhet asgjë. Pse? Se e dinë shumë mirë që, po u bë kjo, një pjesë e tyre nuk e kalojnë kurrë klasën në votimin e studentëve.

E treta, tregtia e librave. “Më bli mua librin tim, apo broshurën time, që të marrësh notën!” Asgjë s’po bëhet. Mirë kjo, por edhe biblioteka digjitale peng, sepse s’kemi sistem teknologjie. Pse? Sepse fillojnë fajësojnë njëri-tjetrin. Ndërkohë që, ne nuk do të presim shumë gjatë. Unë e di shumë mirë që kur t’i vijë ndonjë vegim revolucionar ndonjërit, ose disave, do dalë përsëri, do vijë te Ministria, do thotë “pse nuk janë bërë këto?” Ne nuk do presim shumë gjatë. Do ndërhyjmë edhe në ligj, po qe nevoja, për t’i bërë këto gjëra, se nuk mund t’i lëmë peng, por unë shpresoj se, siç kanë filluar disa shenja pozitive tek-tuk të vazhdojë kjo punë dhe këto gjëra të adresohen që të marrë një integritet të padiskutueshëm procesi i mësimdhënies. Paguajnë sot të gjithë prindërit e Republikës së Shqipërisë për çdo student. Pra, sot studenti nuk shkon më në aulë vetëm me lekët e prindërve të vet, por me lekët e prindërve të të gjithë Shqipërisë. E për çfarë paguajnë? Që studenti të bjerë në dorën e një sharlatani që bën sikur është doktor shkencash e rri sheh filxhan?! Nuk funksionon. Në këtë aspekt, ju keni shumë të drejtë, në rastin konkret për ato që the, por do durojmë, do durojmë, do durojmë, do plasim edhe ne pastaj.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.