Fjala e Kryeministrit Edi Rama në takimin me fermerë në Tregan të Qarkut të Elbasanit, për Programin Kombëtar të Rilindjes Rurale:
Përshëndetje të gjithëve!
Faleminderit për mikpritjen!
Përpara se të vinim këtu, ishim në një takim me pronarët e disa hoteleve të zonës së llixhave dhe diskutuam për domosdoshmërinë që në atë pikë strategjike, që është e lidhur drejtpërdrejtë jo thjesht me fshatin ku jemi, por me vetë zhvillimin dhe ekonominë e të gjithë kësaj zone, të kalojmë në një fazë tjetër, me një program të mirëfilltë investimesh dhe me një program të mirëfilltë zhvillimi, që të bazohet tek ambicia për të pasur një zonë kurative ekselence, jo një zonë kurative që thjesht mbijeton duke lënguar mbi shtratin e të shkuarës.
Aty, njerëzit kanë bërë investime të rëndësishme përsa i përket ekonomisë së tyre familjare. Kanë investuar kursimet e tyre sa kanë mundur, sa kanë ditur, por është absolutisht momenti për t’i dhënë një shtysë të fortë përpara, me një mbështetje të drejtpërdrejtë nga shteti, me koordinimin e Bashkisë, për të pasur një ndryshim rrënjësor, që do të sjellë efekte zinxhir në të gjithë ekonominë e zonës. Duke e rritur cilësinë në atë territor, duke e përmirësuar ndjeshëm shërbimin, duke krijuar kushte për të pasur një ofertë më të kushtueshme dhe duke pasur një rritje të kërkesës, – që nuk diskutohet do të vijë, – patjetër që do të ketë një rritje të shumëfishtë të numrit të atyre vizitorëve të zonës së llixhave, që do të duan të eksplorojnë të gjithë zonën rreth e rrotull dhe në zonën rreth e rrotull ka plot e plot gjëra për të bërë.
Një nga gjërat që ne besojmë fort se duhet të fillojë të bëhet seriozisht dhe këtë nuk mund ta bëjë dot shteti, shteti thjesht mund ta orientojë e ta mbështesë, por duhet ta bëjë në radhë të parë iniciativa private, qoftë brenda fshatit, qoftë e sipërmarrësve, apo e njerëzve që e kanë lënë dikur fshatin, por duan të rikthehen në fshat, është zhvillimi i agroturizmit. Njëra anë e zhvillimit të fshatit, e rritjes së ekonomisë, e rritjes së mirëqenies, e rritjes së të ardhurave për familjen është bujqësia dhe blegtoria. Por një anë tjetër, që tek ne është tërësisht e paeksploruar dhe që ka një potencial të jashtëzakonshëm, është shfrytëzimi i burimeve natyrore, i traditës dhe i bukurive në një fshat, apo një fshat tjetër, për të bërë para, duke bërë investime në mikpritje, duke transformuar shtëpitë, apo duke ndërtuar infrastruktura mikpritjeje, bujtina të shoqëruara me fermën, të shoqëruara me prodhimin bujqësor dhe blegtoral të vendit, të zonës, të vetë fermës dhe duke i kthyer këto pika, në pika atraktive që sjellin njerëz, që sjellin kërkesë për konsum dhe që sjellin para.
Për këtë, ne kemi një program si ky i “100 Fshatrave”, ku janë përfshirë katër ministri, kemi Agjencinë e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural që ka një zë të veçantë mbështetjeje financiare për iniciativa të tilla, kemi Programin e Bashkimit Europian që ka 11 milionë euro vetëm për këto iniciativa. Na duhet të kemi vetëm fuqinë e imagjinatës, për të kuptuar se në çdo pikë të këtij vendi të bekuar mund të ngrihet një sukses në agroturizëm, nëse ka një projekt të mirë dhe nëse ka një organizim si duhet të atyre që realizojnë projektin, midis individit dhe shtetit.
Shqipëria është kudo një bukuri e rrallë dhe përgjithësisht e panjohur dhe e pashkelur. Kjo është edhe arsyeja pse ne kemi gjithmonë e më shumë turistë, të cilët vijnë jo vetëm për bregdetin, por dhe për Shqipërinë brenda territoreve larg vijës së detit. Në këtë zonë, si në të gjitha zonat e tjera, ka plot e plot bukuri e mrekulli të pashfrytëzuara. Prandaj e nisa me llixhat dhe po i kthehem llixhave. Asnjë vend tjetër që njoh unë në rajon, Mali i Zi apo Maqedoninë, mund të shkojmë më larg, Kroaci, Slloveni, lëreni pastaj Europën Perëndimore, po të kishte atë që keni ju këtu, 3 minuta larg, nuk do e kishte në këtë derexhe që është sot, kurrsesi. Natyrisht, kjo nuk është përgjegjësia e atyre që kanë bërë ato investime që kanë mundur aty dhe aq më pak është përgjegjësia e atyre që janë banorë të zonës. Kjo është përgjegjësia e kaq shumë viteve pa asnjë vizion dhe pa asnjë sens për të nxitur zhvillimin në pikat ku Zoti na ka dhënë pasuri që ne, thjesht e vetëm me dije dhe me imagjinatë duhet t’i kthejmë në pasuri për njerëzit.
Megjithatë, më mirë vonë se kurrë! S’është përgjegjësia dhe faji ynë që na ra vonë në dorë kjo detyrë, por përgjegjësia dhe detyrimi ynë është që tani të bëjmë maksimumin, që t’i japim një shtysë të fortë zonave rurale dhe të çojmë qartësisht mesazhin se kush do të bëjë sukses, kush do të bëjë para dhe kush do të jetojë në fshat e ka plotësisht të mundur, nëse ka imagjinatën, kurajën dhe vullnetin për punë. Të tjerat janë të gjitha fjalë.
E vërteta është që sot, ne kemi në shërbim të fshatit, fondin më të madh që ka qenë ndonjëherë në dispozicion. Nuk është aq sa duhet, por është mjaftueshëm për të bërë një hap të rëndësishëm përpara gjatë këtij viti, deri në vitin tjetër. Por po kaq e vërtetë është që kemi për herë të parë, edhe një fond që nuk e kemi pasur kurrë nga Bashkimi Europian, që është mjaftueshëm për të bërë shumë gjëra që na duhen, por që rrezikojmë të mos e marrim dot, nëse nuk kemi diturinë dhe vëmendjen për ta marrë, duke bërë projektet e duhura, duke bërë aplikimet e duhura dhe duke përmbushur kushtet. Më thoshte dikush qëparë se nuk përfitonte dot nga aplikimi, se nuk kishte paguar sigurimet shoqërore. Më fal, po çfarë borxhi të ka shteti, që të të japë mbështetje nga paratë e të gjithë atyre që i paguajnë taksat, se në fund të fundit shteti këto para ka, kontributet e atyre që paguajnë taksat e detyrimet, nëse t’i nuk paguan detyrimet e tua minimale?! S’të ka asnjë borxh.
Ashtu sikundër, dikush tjetër mund të ankohet se nuk e kap dot këtë, se e kam sipërfaqen e tokës të vogël. Atëherë bashkohu me atë tjetrin, që e ka edhe ai sipërfaqen e vogël, për interes. Mos u bëni bashkëpronarë të sipërfaqes së madhe, secili në sipërfaqen e vet, por ama bëhuni bashkë, që për interes të merrni para. Ndryshe nuk ka “hidh lekë”, se kështu janë hedhur 20 e kusur vite dhe nuk ka mbetur gjë mbrapa. Mbrapa ka ngelur vetëm përpëlitja e mbijetesës për vitin tjetër. Ne nuk duam të stimulojmë përpëlitjen e mbijetesës, me “shtyje këtë vit, shihemi vitin tjetër”.
Ne duam të vendosim bazat e një fshati që është sipërmarrës. Këtë nuk e kemi parë në ndonjë ëndërr, nuk është se e kemi parë në ndonjë vend tjetër dhe duam ta sjellim këtu. Këtë e kemi parë në çdo zonë ku njerëzit janë bërë bashkë, në çdo zonë të Shqipërisë ku shqiptarët, nga Tropoja deri poshtë në Konispol janë bërë bashkë dhe kanë kuptuar që për interes do bashkohemi. Nuk do bëjmë kooperativë të tipit të vjetër jo e jo, por do bashkohemi, do shkojmë të aplikojmë bashkë, secili me gjënë e vet dhe në fund fare do ndajmë fitimin. Faktikisht nuk na mungojnë aplikimet. Përkundrazi, aplikimet janë aty. Ne do t’i stimulojmë të gjithë dhe do bazohemi tek ata që e duan suksesin dhe duan mbështetje për të bërë sukses, jo tek ata që duan mbijetesën dhe duan mbështetje për t’u përpëlitur. Nuk ka mundësi ndryshe. Këtu, me këto dy programe, ne besojmë shumë se në çdo zonë do japim përgjigje të merituara, në sensin që kush kërkon dhe meriton të marrë atë që i takon.
Kemi bërë një punë jo të vogël për azhornimet e pronave, për legalizimet. Tani kemi historinë e famshme, të trashëguar nuk e di sa vite, të kodrës së qershive, ku për vite të tëra, njerëzit kanë punuar, kanë mbjellë, kanë prodhuar dhe s’kanë asnjë të drejtë ndaj pronës. Shteti, për 20 e kusur vite ka kërkuar privatë që të vijnë të marrin toka në fshat, që t’i mbjellin e të prodhojnë. Këta i kanë mbjellë dhe prodhojnë dhe sot janë një sipërmarrje. Ne duhet t’u japim atyre të drejtën që ata të kenë një kontratë mbi atë tokë, siç e ka kontratën një privat dhe me atë kontratë të kenë mundësi të marrin fonde, të marrin mbështetje, se sot janë faktikisht, në një territor ku nuk i njeh askush. Po kështu pastaj të plotësojnë nevojat për infrastrukturë, për akses në tregje e me radhë.
Programi i “100 Fshatrave” nuk është një program që kufizon zhvillimin rural në 100 fshatra, që të jemi shumë të qartë, por është një model për të dhënë shembuj dhe për ta kthyer në një lloj laboratori, prej ku të tjerët të mund të marrin nxitjet e duhura, që nga bashkitë deri tek individët. Kjo nuk do të thotë, – përkundrazi, – që mbi të gjithë territorin të mos ketë projekte dhe të mos ketë zhvillime, sepse këto janë të gjitha të mirëpritura dhe fondet tona janë në dispozicion për këtë. Ajo që na duhet dhe po bëjmë, është që bashkitë të jenë të angazhuara për të mbështetur. Bashkia e Elbasanit po bën një punë shumë të mirë për të mbështetur fermerët për aplikimet.
Sot kemi kaluar një vendim qeverie shumë të rëndësishëm. Më në fund janë shkrirë drejtoritë e Bujqësisë. E them tamam me shpirtin që më del, më në fund, pas shumë e shumë vitesh stres me këto struktura të degraduara, inerci e së shkuarës, institucione komuniste pa komunizëm, imagjinojeni vetë se çfarë mund të ishin. Kemi krijuar 4 Agjenci Rajonale të Ekstensionit, domethënë, shërbim këshillimor për të gjithë fermerët dhe 4 Agjenci të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve. Një nga këto agjenci do të jetë në Qarkun e Elbasanit, si Agjenci Rajonale për Veterinarinë dhe Mbrojtjen e Bimëve. Pastaj në të gjithë territorin do kemi agropikat, duke fuqizuar edhe Agjencinë e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, që t’i asistojnë fermerët për të bërë aplikimet dhe për të pasur gjatë gjithë procesit, këshillimin dhe mbrojtën e duhur për investimet e tyre. Aplikimet, sot bëhen me zero dokumente, pra, për aplikimet, sot nuk paguhet asnjë lek. Kush fiton, verifikohet nëse ka deklaruar në mënyrë të drejtë, apo ka deklaruar në mënyrë të rreme dhe besoj se kjo është krejt normale.
Kemi bindjen se Elbasani ka humbur shumë kohë në të shkuarën në zonën rurale, ndërkohë që potencialin e zhvillimit e ka shumë të madh, qoftë për të zhvilluar realisht bujqësi dhe qoftë për të zhvilluar agroturizmin. Nuk është e rastit që këtu numri i fshatrave të përzgjedhur brenda programit është më i madh, sesa në disa qarqe të tjera, sepse realisht ka trashëgimi kulturore, ka bukuri të mëdha natyrore, ka edhe goxha tradita, që janë lehtësisht të tregtueshme në fushën e agroturizmit.
Faleminderit për mikpritjen sot!
Faleminderit për vëmendjen!
Jam shumë shpresëplotë që, duke krijuar disa modele pozitive që flasin vetë, ne do hyjmë në një proces zinxhir. Siç bëmë mandatin e parë me Rilindjen Urbane, që tanimë është një proces që vazhdon në të gjithë territorin, pa asnjë lloj nevoje për shtytje të mëdha nga lart poshtë, do të bëjmë edhe në këtë proces për një Rilindje Rurale, që do të vijë si rezultat i shfrytëzimit të kontekstit natyror, të traditës e të pasurive, qoftë të zonës, por qoftë edhe të mendjes në të gjitha zonat e vendit tonë.