Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Deklarata e Ministrit të Punëve të Brendshme Saimir Tahiri, për çështjet që prek Raport-progresi i Komisionit Europian për vitin 2015, lidhur me punën dhe detyrat e MPB-së: 

Ne besojmë që raport-progresi lidhur e prioritete e MPB, veçanërisht me luftën kundër krimit dhe korrupsionit është një pasqyrë reale dhe një konfirmim i qenësishëm i suksesit të punës sonë në luftën kundër krimit të organizuar, veçanërisht në luftën kundër drogës, në luftën kundër korrupsionit.

Por nga ana tjetër është një axhendë e detajuar prioritetesh, të cilat do adresohen në mënyrë imediate nga MPB, disa prej të cilave janë në punë e sipër dhe disa prej të cilave mbeten ende për t’u adresuar.

Në luftën kundër drogës Raporti thotë se Shqipëria ka arritur në një nivel të kënaqshëm për sa i përket luftës kundër krimit të organizuar dhe ndërkohë ka kryer një sërë operacionesh me qëllim zbatimin e ligjit të cilat kanë çuar në shkatërrimin e plantacioneve të mëdha të kanabisit.

Ne besojmë që në 2 vjet, angazhimi i Policisë së Shtetit ka qenë i suksesshëm që në fazën paraprake të luftës kundër kultivimit dhe trafikimit të bimëve narkotike.

Viti 2014 ishte viti i parë kur hoqëm Shqipërinë nga lista e vendeve të zeza të origjinës për trafikimin e lëndëve narkotike. Ndërkohë që gjetëm një situatë ku droga kultivohej dhe rritej nën hundën e shtetit, nën hundën e policisë madje e asistuar, ndihmuar nga strukturat shtetërore për të zhvilluar një aktivitet kriminal masiv që nuk mund të mungonte kurrsesi nga vëmendja e shtetit.

Progres raporti njeh dhe citon nominalisht operacionin e Lazaratit si operacioni më i madh dhe i suksesshëm i policisë për vitin 2014, i cili ka shënuar, citoj raportin: një arritje të rëndësishme operative në luftën kundër kultivimit të lëndëve narkotike.

Por gjithashtu progres raporti konstaton dhe shqetësime të përsëritur nga qeveria shqiptare dhe gjithashtu përsëritur nga MPB dhe Policia e Shtetit lidhur me ndjekjen penale që pason veprimin e policisë. Ndaj Progres-raporti konstaton se hetimi dhe ndjekja penale e të arrestuarve gjatë këtij operacioni nuk ka qenë vendimtar.

Ky është padyshim një konfirmim tjetër i prioritetit maksimal të shoqërisë, të shtetit, të qeverisë shqiptare dhe mbi të gjitha të parlamentit për të çuar përpara në një kohë sa më të shpejtë, përfundimin e procesit të konsultimit, të hartimit përfundimtar dhe të miratimit të reformës në drejtësi për të bërë të mundur që puna e policisë të mos shkojë dëm.

Për të bërë të mundur që arrestimet e policisë të mos gjejnë amnisti joligjore në prokurori apo në sistemin gjyqësor, për të bërë të mundur që pandëshkueshmëria të mos jetë ana tjetër e medaljes së punës së policisë.

Sot situata është sigurisht shqetësuese, kur nga njëra anë policia zhvillon operacione të suksesshme ku arrestohen personazhe të botës së krimit, dhe nga ana tjetër drejtësia i kthen mbrapsht, po këta, në shoqëri, duke rikërcënuar shoqërinë dhe duke dyfishuar apo shumëfishuar punën që i duhet policisë për të garantuar siguri për qytetarët.

Ndërkohë veçanërisht në luftën kundër drogës ku raporti njeh sukses të padiskutueshëm, ne në dy vjet kemi shkatërruar 1.3 milionë rrënjë kanabis. Dhe kjo është 46% më shumë se 8 vjet të marra sëbashku të qeverisë së mëparshme.

Këto të dhëna konfirmohen nga raport-progresi ashtu siç konfirmohen edhe të dhënat lidhur me bashkëpunimin e ngushtë të Policisë së Shtetit dhe policisë italiane, veçanërisht Guardia di Finanza, ku nëpërmjet mbikëqyrjes ajrore kemi arritur të identifikojmë parcelat dhe të shkatërrojmë mbi 99% të tyre.

Dhe konkretisht raporti thotë se: – në vitin 2014 janë shkatërruar 460% më shumë parcela kanabis sesa në vitin 2013. Dhe ndërkohë në 10 muajt e parë të vitit 2015 numri i bimëve të shkatërruara u rrit me 40% krahasuar me vitin 2014.

Ndërkohë që raporti konfirmon se në vitin 2015 është mbjellë në Shqipëri 8 herë më pak sesa në vitin 2013 dhe janë shkatërruar 99% të plantacioneve.

Dua të kujtoj këtu akuzat e përditshme që u bënë ndaj Policisë së Shtetit duke vënë në dyshim edhe shifrat që u deklaruan më shumë se njëherë nga burime zyrtare të policisë italiane, të Guardia di Finanza dhe të Policisë së Shtetit. Këto të dhëna sot konfirmohen edhe nga raport-progresi.

Ne sigurisht nuk presim që skeptikët apo opozita të kërkojë ndjesë, por me plot arsye kërkojmë që opozita dhe cilido të mbështesë Policinë e Shtetit në përkjen tonë të përbashkët për ta bërë Shqipërinë më të sigurtë. Duke qenë të vetëdijshëm që suksesi i Policisë së Shtetit në luftën kundër krimit, kundër paligjshmërisë, kundër informalitetit, nuk është sukses ekskluziv i ministrit, i qeverisë apo i mazhorancës, por është sukses i përbashkët i shoqërisë dhe si të tillë jemi të gatshëm ta përdorim si inkurajimin më të nevojshëm të përbashkët për të bërë gjithçka është e mundur që policia të vijojë me më shumë intensitet në luftën kundër paligjshmërisë, informalitetit, kriminalitetit dhe veçanërisht në luftën kundër drogës.

Raport-progresi për herë të parë nënvizon pozitivisht bashkëpunim rajonal aktiv të vendit tonë në luftën kundër kriminalitetit në përputhje me angazhimet e marra Shqipëria, nga Policia e Shtetit në kuadër të të gjitha marrëveshjeve bilaterale për bashkëpunim, të marrëveshjeve shumëpalëshe për bashkëpunim, por edhe në kuadër të MSA-së.

Ndërkohë që nga njëra anë kemi gjetjet e raportit, kemi dhe të dhënat kryesore të bashkëpunimit të Policisë së Shtetit me agjencitë partnere dhe rezultatet respektive, mjafton t’ju përmend këtu se janë mbi 2600 informacione të shkëmbyera me Interpol, gjë që është shumëfish më shumë sesa informacionet që shkëmbeheshin në vitin 2013. Janë mbi 15 mijë informacione të shkëmbyera me Interpol, janë mbi 590 kontrolle të përbashkëta me policitë fqinje dhe mbi 120 operacione të përbashkëta të policive në këto dy vjet.

Të gjitha këto raporti i njeh si një shenjë e vendosur e Policisë së Shtetit për të bashkëpunuar me agjencitë partnere sepse ne besojmë që kriminaliteti nuk është kurrë një fenomen brenda kufijve tanë. Përkundrazi në të gjitha rastet veprimtaria kriminale veçanërisht krimi i organizuar dhe trafiku i lëndëve narkotike shkon shumë përtej kufijve tanë.

Në këto 2 vite ne kemi arritur të shumëfishojmë numrin e informacioneve të shkëmbyera, kemi arritur të fitojmë besimin e partnerëve te Policia e Shtetit, kemi arritur të ndërtojmë mbi këtë besim operacione të suksesshme dhe kemi arritur të ndërtojmë një pamje të qartë mbi atë që duam të ndërtojmë nesër për punën intensive që kërkohet nga Policia e Shtetit dhe agjencitë partnere për të përballur sfida që janë gjithmonë të përbashkëta.

Rikujtoj këtu akuzat e skeptikëve dhe të opozitës për humbjen e besimit të partnerëve, për mungesën e bashkëpunimit të policisë me partnerët. Raporti jep përgjigjen më të saktë, duke vlerësuar për herë të parë pozitivisht punën që ka bërë Policia e Shtetit me partnerët duke shkëmbyer informacion, duke fituar besimin dhe duke ndërtuar rezultate pozitive mbi këtë punë.

Lufta kundër korrupsionit mbetet në të gjitha raste një prioritet maksimal i qeverisë, i mazhorancës dhe veçanërisht i MPB dhe Policisë së Shtetit. Raport-progresi konfirmon rezultatet e arritura në këto dy vjet, ashtu siç jam i bindur, thekson sa dhe si duhet nevojën për të intensifikuar rezultate konkrete, të vazhdueshme dhe të qëndrueshme në kohë, duke nënkuptuar nga njëra anë bashkëpunimin ndërmjet agjencive ligjzbatuese në vend, dhe nga ana tjetër vënien para drejtësisë të zyrtarëve të lartë.

Raport progresi thotë se lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit mbetet themelore për luftën kundër infiltrimit të kriminelëve në sistemin ekonomik, ligjor dhe politik të vendit. Gjë që i përgjigjet maksimalisht prioritetit dhe angazhimit të qeverisë dhe të mazhorancës për përfundimin e kuadrit ligjor për të mos lejuar që persona me precedentë penalë, apo persona të dënuar të kenë mundësi të bëhen pjesë e sistemit politik, e sistemit administrativ, apo sistemit ekonomik dhe ligjor.

Pra raporti në tërësinë e vet vë në dukje dy gjëra të cilat ne i kemi theksuar më shumë se një herë. Nga njëra anë është nevoja për të ndaluar ata që kanë precedentë penalë, që të hyjnë në parlament, të hyjnë në administratën publike apo të kenë zë në vendimmarrje, nga njëra anë, dhe nga ana tjetër, për të luftuar pandëshkueshmërinë, pra për të dënuar ata që nuk janë dënuar kurrë, ata që kanë kryer krime, ata që kryejnë krime dhe nuk dënohen asnjëherë për shkak të korrupsionit në sistemin e drejtësisë. Kjo do të thotë që të garantojmë vendimmarrjen publike larg çdo influence kriminale nga njëra anë, dhe nga ana tjetër të garantojmë që vendimmarrja publike dhe përfaqësimi politik në parlament dhe jo vetëm, të mos jetë strehë apo bunker për ata që duhet të japin llogari para drejtësisë për atë që kanë bërë dhe që nuk e kanë dhënë ende.

Raporti i ka të dyja anët e medaljes si dy prioritete maksimale për t’u adresuar me reformën në drejtësi.

Rikujtoj këtu se në vitin 2013 raporti theksonte se krimi i organizuar vijon të jetë shqetësim serioz në Shqipëri. Ndërkohë që këtë vit, vendit tonë i njihet progres në luftën kundër krimit të organizuar, madje siç edhe e thashë më sipër, vlerësohet bashkëpunimi ndërkombëtar, besimi i ndërsjelltë dhe rezultatet e përbashkëta me agjencitë ligjzbatuese partnere, në kuadër të luftës kundër krimit të organizuar dhe veçanërisht kundër drogës.

Rezultatet e Policisë së Shtetit në luftën kundër informalitetit, kundër paligjshmërisë dhe kundër kriminalitetit janë një konfirmim që gjen theksin e duhur në raport-progres. Mjafton t’ju kujtoj këtu që viti 2015 është viti i parë me numrin minimal historik të vrasjeve në vend, krahasuar me çdo vit të 25 viteve të kaluara në RSH, që nga viti 1990 e deri më sot. Dhe kjo është pa asnjë dyshim produkt i rritjes së besimit të publikut te policia, i rritjes së nivelit të informacionit që mbledh sot policia dhe partneritetit me qytetarët, produkt i parandalimit të veprave penale, që është objekt kryesor i punës së policisë. Dhe kjo bëhet vetëm nëpërmjet besimit nga qytetarët dhe produkt i forcës reaguese të policisë, sa herë ka ngjarje kriminale. Gjë që është rritur dukshëm dhe ngjarjet e fundit janë një konfirmim deciziv i kësaj që sapo thashë.

Ne besojmë që lufta kundër korrupsionit brenda radhëve të policisë është një parakusht i domosdoshëm për të garantuar etikën e punonjësve të Policisë së Shtetit në detyrë, për të garantuar marrëdhënie partneriteti ndërmjet punonjësve të policisë dhe qytetarëve, për të garantuar distancën e duhur që duhet të ketë punonjësi i policisë nga praktikat korruptive dhe është parakusht i domosdoshëm për të pasur eficiencë maksimale dhe rezultate të qendrueshme në punën e policisë, në luftën tonë kundër korrupsionit në shoqëri, në administratë deri në nivelet më të larta.

Që të ndodhë kjo ne duhet domosdoshmërisht të ecim para me pastrimin e policisë nga të korruptuarit. Pastrimin nga ata që punën në polici e kanë parë thjesht si një punë e jo si një mision sublim në emër të qytetarëve. Pastrimin e policisë nga të paedukuarit, pastrimin e policisë nga të paarsimuarit dhe kthimin e policisë në një institucion shembullor dhe rolin e punonjësit të policisë në një institucion model për familjen, për shoqërinë dhe për shtetin.

Ky prioritet ka gjetur vëmendjen e duhur në punën që kemi bërë këto dy vjet. Nga njëra anë duke reformuar institucionin e shërbimit të kontrollit të brendshëm, si një mekanizëm i domosdoshëm për të garantuar standarde më të larta të detyrës dhe nga ana tjetër duke i shkuar pas, çdokujt që nëpërmjet besimit që i kanë dhënë qytetarët për të punuar në Policinë e Shtetit, e ka përdorur punën e tij për përfitime personale apo për marrëdhënie me botën e krimit dhe jo për të luftuar krimin dhe për të ndërtuar siguri më shumë për qytetarët. Eshtë kjo arsyeja që veç reformës në SHKB, në këto dy vjet, janë në procedim disiplinor dhe penal, mbi 1998 punonjës policie. Këta janë mbi 18% e gjithë trupës së Policisë së Shtetit në tërësi. Mendoni pak sa e çuditshme do ishte kjo shifër për çdo vend tjetër të rajonit dhe të BE-së. Kur 18% e policisë vihet në procedime disiplinor dhe penal, sepse kanë abuzuar me detyrën, kanë zhvilluar praktika korruptive, nuk kanë ushtruar detyrën kur qytetarët e kanë kërkuar dhe mbi të gjitha kanë shkelur liritë dhe të drejtat themelore të qytetarëve.

Kjo do të thotë që reforma në SHKB ka funksionuar; do të thotë që procedimet disiplinore dhe penale ndaj punonjësve të policisë kanë ndërtuar mekanizmin preventiv dhe represiv kundër të gjithë atyre që deri dje Policinë e Shtetit e kanë menduar si fole për të ndërtuar marrëdhënie kriminale me botën e krimit dhe jo si institucionin për të ndërtuar besimin te qytetarët, për ta bërë vendin në tërësi më të sigurt.

Sigurisht gjetjet e raportit nuk janë një katalog suksesi por janë inkurajimi i domosdoshëm për ne dhe për çdo punonjës policie që të vazhdojmë në këtë rrugë, në këtë drejtim, sepse kjo është rruga e duhur, mënyra më e mirë për ta bërë Shqipërinë më të sigurt.

Dhe është pa asnjë dyshim, raport-progresi, një listë detyrash për t’u marrë parasysh prej nesh dhe për t’u implementuar pa humbur asnjë ditë kohë, në mënyrë që Policia e Shtetit t’u shërbejë qytetarëve duke bashkëpunuar më mirë me partnerët, duke ndërtuar besimin e përgjithshëm tek qytetarët dhe partnerët, për të pasur suksese të qëndrueshme në luftën kundër krimit.

Ne mendojmë që konstatimi se bota e krimit është gjithmonë më e pasur se policia, vlen për çdo vend, por vlen për më shumë arsye, për vendin tonë. Bota e krimit ka më shumë të ardhura nga aktiviteti kriminal se çka mundësi buxhetore dhe infrastrukturore apo teknologjike Policia e Shtetit. Eshtë kjo arsyeja pse ne besojmë që mënyra më e mirë për të luftuar paligjshmërinë, për të luftuar kriminalitetin shkon pa asnjë dyshim drejt varfërimit financiar të botës së krimit.

Është kjo arsyeja pse në dy vjet ne kemi bërë një punë mjaft të suksesshme për t’i shkuar pas parasë së pistë dhe për të varfëruar botën financiare të krimit duke hequr mundësinë që kriminaliteti të gëzojë frytet e aktivitetit kriminal.

Në 2 vjet kemi hequr nga duart e botës së krimit mbi 50 milion euro vetëm nga lufta e punonjësve të Policisë Shtetit nga asetet kriminale dhe pastrimit të parasë, këtu pa përmendur aksionin e qeverisë për mbylljen e lojërave të fatit, pa përmendur aksionin e qeverisë kundër ndërtimeve pa leje, kundër informalitetit në energjinë elektrike dhe kundër informalitetit në tregun ekonomik që në të gjitha rastet ka efekt imediat në pastrimin e mundësisë së botës së krimit për të përdorur para të pista dhe asete kriminale që prodhohet për shkak të aktivitetit kriminal.

Por edhe këtu, progres-raporti nga njëra anë thekson punën dhe përpjekjen e Policisë së Shtetit në luftën kundër krimit, por na tregon edhe anën tjetër të medaljes dhe prioritetin tonë maksimal, që është sërish nevoja për të pasur dënime, nevoja për të luftuar pandëshkueshmërinë, nevoja për të pasur një reformë në sistemin e drejtësisë që do të garantojë se kriminelët do të rrinë pas hekurave dhe jo të rikthehen në shoqëri për shkak të korrupsionit në segmente të caktuara të sistemit të drejtësisë.

Raport-progresi i vitit 2012 theksonte procedurat problematike në rekrutimin, transferimin dhe ngritjen në detyrë të punonjësve të Policisë.

Raport-progresi i vitit 2013 theksonte nevojën për përmirësimin e menaxhimit të burimeve njerëzore bazuar në kritere transparente dhe meritokracie.

Raport-progresi i këtij viti vlerëson Ligjin e ri të Policisë së Shtetit, pra mekanizmin reformues të cilin ne e kemi miratuar vjet, e përcakton si baza më e mirë që përcakton sistem të vlerësimit të karrierës dhe rekrutimit me bazë vlerësimin dhe sjell Kodin e Etikës dhe Kontrollin e Brendshëm më afër standardeve europiane.

Ashtu sikurse njeh përmirësimin e kapaciteteve menaxhuese të burimeve njerëzore në Policinë e Shtetit.

Ju kujtoj këtu që kemi gjetur Policinë e Shtetit më të plakur, në rajon dhe në Europë, mosha mesatare mbi 44 vjeç, kemi gjetur Policinë e Shtetit më të paarsimuar, e kemi gjetur raportin punonjës policie/qytetar në përmasën më të vogël krahasuar me vendet e rajonit dhe BE.

Të gjitha këto i kemi adresuar duke rekrutuar punonjës të rinj policie, djem dhe vajza, i kemi adresuar duke ndërtuar një mekanizëm edukativ në Akademinë e Sigurisë si institucion i Arsimit të Lartë, sepse ne besojmë që Policia e Shtetit duhet të jetë pararojë në shoqëri dhe duke përcaktuar trajnime periodike, qofshin këto trajnime profesionale apo dhe fizike si e vetmja mënyrë për të mbajtur detyrën.

Ne mendojmë që standardet profesionale të zhvillimit të detyrës dhe performancës përballë qytetarëve, janë indikatori i vetëm nëse një punonjës policie duhet të rrijë ende në detyrë për të qenë një punonjës policie dhe për të gëzuar besimin tonë dhe të qytetarëve dhe për të bërë detyrën e tij.

Në të kundërt punë për punë në Policinë e Shtetit nuk ka.

Raport-progresi në kuadër të luftës kundër korrupsionit njeh një defekt që ka të bëjë me juridiksionin lidhur me veprat penale në fushën e korrupsionit. Është ekzaktësisht hallka e munguar që do të gjejë zgjidhje nëpërmjet Byrosë Kombëtare të Hetimit.

BKH do ti japë një përgjigje mjaft të qartë kompetencave, burimeve njerëzore dhe procesit nëpërmjet të cilit do të kalojë ndjekja penale për të çuar para drejtësisë ata që deri dje nuk shkonin para drejtësisë për shkak të murit të pandëshkueshmërisë, pra për të caktuar rrugën që duhet, njerëzit që duhet, institucionet që duhet për ta bërë ndjekjen penale sa efektive kundër atyre që zhvillojnë praktika korruptive, kjo përfshirë edhe nivelet më të larta.

Dhe ndërkohë Raporti njeh arritjet e qeverisë në fushën e azilit dhe të migracionit, ashtu siç njeh edhe luftën e MPB, të qeverisë dhe mazhorancës në kuadër të trafikimit të qenieve njerëzore. DASH e nxori Shqipërinë nga lista e vendeve në vëzhgim, një renditje e turpshme që e gjetëm në vitin 2013, dhe sot kemi buxhetuar Koordinatorin kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore, kemi rritur mekanizmin referues dhe identifikimin paraprak të viktimave potenciale të trafikimit të qenive njerëzore dhe kemi bërë të mundur që Shqipëria të dalë realisht edhe nga renditja ku është sot.

Të gjitha këto janë gjetjet e Raport-progresit lidhur me prioritetet e përgjegjësisë së MPB në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Ne besojmë që raport-progresi është pasqyra më e mirë për gjithçka kemi arritur deri më sot, për ta bërë Shqipërinë më të sigurt dhe për të rritur besimin e qytetarëve të Policia e Shtetit, për të rritur besimin e partnerëve të Policia e Shtetit, dhe për të rritur mundësinë që punonjësit e policisë të kthehen në shërbim të qytetarëve 24 orë në 24, duke respektuar standardet maksimale të zhvillimit të detyrës në raport me qytetarin dhe duke luftuar maksimalisht informalitetin, paligjshmërinë dhe kriminalitetin.

Nga ana tjetër ne besojmë që raport-progresi është lista më e mirë e detyrave që kemi sot në tavolinën e punës, detyra të cilat jemi të vetëdijshëm që kërkojnë vështirësi, kërkojë mirëkuptim por mbi të gjitha kërkojnë bashkëpunimin e gjithë faktorëve që kanë zë për ta bërë Shqipërinë më të sigurtë.

Këtu pa përjashtuar opozitën, që padyshim mund të zgjedhë rrugën e shpifjeve, akuzave nga më të pamenduarat, ndaj cilitdo, por një gjë nuk mund ta bëjë: të sulmojë punonjësit e policisë të cilët sot sakrifikojnë ditë dhe natë në luftë kundër paligjshmërisë dhe kriminalitetit për ta bërë Shqipërinë më të sigurtë, për fëmijët tanë, për familjet dhe qytetarët në Republikën e Shqipërisë.

Faleminderit!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.