Deklaratë për shtyp e ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë Blendi Klosi:
Dëshiroj të ndaj përmes jush, me gjithë publikun, gjetjet dhe rekomandimet e Komisionit Europian për mënyrën se si Shqipëria ka zbatuar detyrimet që rrjedhin nga Marrëveshja e Stabilizim Asociimit në fushën sociale dhe të punës në 2015.
Raporti i Progresit për Shqipërinë vlerëson përparimin tonë për mirëqenie dhe mbrojtje shoqërore, përpjekjet për një shoqëri gjithëpërfshirëse, punësim të denjë dhe aftësi më të larta profesionale. Po ashtu, na inkurajon për një axhendë edhe më ambicioze për të përshpejtuar hapat për përafrim me BE në vitin 2016.
Në Raport Progres është vlerësuar miratimi nga Qeveria Shqiptare dhe fillimi i zbatimit të Strategjisë Kombëtare për Punësim dhe Aftësive dhe plani i veprimit për implementimin e saj. Vërehet që papunësia ndonëse akoma në nivele të larta, ka pësuar një rënie të ndjeshme nga katërmujori i parë të vitit 2014 në katërmujorin e parë të vitit 2015 me disa herë.
Është vlerësuar rritja e kapaciteteve për ndërmjetësimin në punë me hapjen e 14 zyrave të reja të punësimit, të riorganizuara sipas modelit të ri të shërbimeve të punësimit. Kjo do të pasohet nga hapja e 5 zyrave të reja në 2016.
U vlerësua pjesëmarrja e Shqipërisë në Programin për Punësimin dhe Inovacionin Social të BE.
Raporti evidenton rritje të numrit të ndërmjetësimeve nga zyrat e punësimit. Ne kemi rreth 25% me shume ndërmjetësime në punë si dhe rritje të numrit të punonjësve në programet e nxitjes së punësimit, me theksin tek gratë dhe vajzat, tek më të varfërit, ata me aftësi të kufizuara, dhe ato te komunitetit Rom e Egjiptian. Më shumë përfitues do të kemi falë Mbështetjes Buxhetore IPA 2015 dhënë bujarisht nga BE për endin tonë.
Për sa i përket reformës së pensioneve, si një nga reformat dhe arritjet më të mëdha të qeverisë shqiptare, me kënaqësi konstatoj dhe vlerësoj opinionin pozitiv të shprehur në raport, ku theksohet progresi i bërë në këtë skemë dhe në kuadrin e mbrojtës së emigrantëve shqiptare të cilët jetojnë e punojnë në vende të tjera, me elementë të sigurimeve shoqërore e shëndetësore. Këtu ka një zhvillim të dukshëm të procesit të koordinimit të sistemeve të sigurimeve shoqërore, me vendet e tjera të BE e më gjerë.
Gjatë vitit 2015, janë ratifikuar marrëveshja e mbrojtjes shoqërore me Luksemburgun dhe Maqedoninë, janë zhvilluar negociatat për marrëveshje të mbrojtjes shoqërore me Gjermaninë dhe Austrinë dhe janë ne proces ratifikimi marrëveshjet me Hungarinë, Rumaninë Republikën Çeke dhe Kanadanë. MMSR ka programuar punën, për hartimin e marrëveshjeve të reja me Kosovën, Bullgarinë, Kroacinë, Mbretërinë e Spanjës, Indinë, shtete të cilat kanë shprehur interes por po ashtu po vazhdojmë të kërkojmë nga qeveritë e shteteve fqinjë si Italia dhe Greqia nënshkrimin e po të njëjtës marrëveshje.
Sigurimi i kushteve më të mira dhe më të sigurta të punës do të thotë cilësi më e lartë e jetës për qytetarët dhe jo vetëm përafrim legjislacioni me BE. Gjatë kësaj periudhe janë transpozuar 8 direktiva të BE të cilat janë miratuar me VKM. Për zbatimin e detyrimeve për përafrimin e legjislacionit vendas me atë të BE-së janë miratuar amendimet e Kodit të Punës dhe pritet në këto ditë miratimi i tij në Parlamentin Shqiptar.
Këshilli Kombëtar i Punës, sipas Progres–Raportit, funksionoi më mirë, gjë e cila ndikoi në përmirësimin e dialogut social dhe në veçanti respektimin e drejtave të punëmarrësve dhe sindikatave.
Po luftohet informaliteti në punë, shprehet në Progres–Raport. Vetëm 2 muajt e fundit janë futur në skemën e sigurimeve shoqërore mbi 100 mijë persona, duke ndihmuar nxjerrjen e tyre nga tregu i zi i punës dhe zbardhjen e tyre si kontributor të rritjes ekonomike të vendit, të skemës së sigurimeve shoqërore dhe sigurisht edhe të vetvetes së tyre për një jetë më të mirë dhe më cilësore.
Dy vitet e fundit kemi 40% me shume nxënës në vitet e para të shkollave të mesme profesionale. Janë trajnuar në kurse profesionale rreth 80% më shumë se 2013. Për të përmirësuar dhe më tej performancën në fushën e arsimit dhe formimit profesional, për vitin a ardhshëm: do të miratohet dhe hyjë në zbatim Ligji për Zejtarinë i cili rregullon shumë aspekte të punës së denjë të zejtarëve tanë. Një ligji i ri për Arsimin dhe Formimin Profesional, synon përmirësimin e cilësisë dhe zgjerimi i këtij është lidhja e tij me tregun e punës, formalizimi dhe fuqizimi i praktikave të punës dhe përmirësimi i skemës së financimit të këtij sistemi të domosdoshëm për një ekonomi konkurruese dhe punë produktive.
Në fushën e Mbrojtjes Sociale janë ndërmarrë dhe po realizohen tre reforma madhore: Reforma e ndihmës ekonomike, Reforma e sistemit të vlerësimit të aftësisë së kufizuar, Reforma e shërbimeve shoqërore.
Reforma e Ndihmës Ekonomike ka synuar transparencën e skemës, shmangien e abuzivitetit, përdorimin më të mirë të fondeve, targetimin më të mirë të familjeve të varfëra dhe rritjen e efiçensës e barazisë në skemën e ndihmës ekonomike duke ulur me 20% abuzivitetin në skemë, pa dyshim më shumë ka nevojë të bëhet dhe do punojmë pa u lodhur për të zbutur këtë sektor kaq të vështirë të ekonomisë dhe situatës ekonomike të vendit.
Po hartohet programi riintegrimit social. Ky program synon rritjen e shanseve për punësim të qëndrueshëm të antarëve të familjeve në nevoje.
Reforma e sistemit të vlerësimit të aftësisë kufizuar, synon shmangien e abuzivitetit. Nëpërmjet kontrolleve është ulur numri i përfituesve abuziv me rreth 5%. Është dizenjuar një proces i ri i vlerësimit multifunksional të aftësisë së kufizuar, duke rishikuar kriteret e vlerësimit dhe përcaktimit të aftësisë së kufizuar. Me synim integrimin e personave me aftësi të kufizuar (PAK) u zyrtarizua gjuha shqipe e shenjave, u punësua dhjetëra PAK përmes programeve të punësimit, u rrit numri i studentëve me aftësi të kufizuara në universitete, dhe po punohet për eliminimin e barrierave për integrimin e PAK.
Reforma e shërbimeve sociale është fokusuar në procesin e decentralizimit dhe deinstitucionalizimit të shërbimeve të përkujdesit shoqëror. Është dizenjuar paketa e shërbimeve sociale për ofrimin e shërbimeve në nivel vendor. Funksionimi i figurave profesionale, si punonjës social, psikolog, është miratuar me ligj të veçantë.
MMSR, po punon për përcaktimin e një modeli të ri për funksionimin e Njësive për Mbrojtjen e Fëmijëve në realitetin e ri territorial.
Zbatimi i politikave për barazinë gjinore beri te mundur qe 50% e këshilltareve bashkiakë të jenë vajza e gra. Ngritja e Fondit të veçantë për fuqizimin ekonomik të grave po ndikon ndjeshëm në nxitjen e sipërmarrjes së grave sidomos në zonat rurale. Së shpejti do kemi Linjën së Këshillimit Kombëtar falas për viktimat e dhunës në familje.
Si rezultat i masave dhe politikave specifike për përmirësimin e jetesës dhe integrimin e komunitetit Rom dhe Egjiptian, numri i studentëve që përfitojnë nga kuotat e veçanta për arsimin e lartë është rritur me 10% çdo vit, ndërsa atyre të punësuar nga programet e nxitjes së punësimit është 5% më i lartë se në vitin e kaluar.
Është bërë e mundur që brenda 1 viti, vetëm në Tiranë, të largohen dhe merren në fëmijë në situatë rruge dhe familjet e tyre duke rritur me disa herë numrin e atyre që janë trajtuar gjatë këtij viti. Po punohet fort që ku projekt të implementohet edhe në 5 bashki të tjera të vendit, duke filluar nga Shkodra, Vlora, Fieri, Berati dhe Durrësi.
Po ashtu Progres-Raporti na lë detyra të tjera që kanë të bëjnë me reformimin tërësorë të këtyre sistemeve në vendin tonë. Reforma, të cilat qeveria shqiptare ka marrë përsipër t’i zbatojë dhe implementojë, të gjitha në zbatim të rekomandimeve të dhëna në Raport por natyrisht edhe të kërkesave kaq të mëdha që realiteti shqiptar kërkon.
Faleminderit!