Fjala e Kryeministrit Edi Rama në Tepelenë në prezantimin e projekteve të reja për Qarkun e Gjirokastrës:
Shumë faleminderit për mikpritjen tuaj!
Në radhë të parë, faleminderit grave dhe vajzave të Tepelenës që janë këtu të pranishme! Më bën gjithmonë përshtypje që, kur vij në Tepelenë, ka shumë gra dhe shumë vajza që marrin pjesë në këto takime, si në të gjithë Shqipërinë, por sidomos këtu, që tregon se pushtetin e vërtetë e kanë gratë e vajzat.
Besoj ju kujtohet kur, për herë të parë, ne prezantuam kryetarin aktual të bashkisë si kandidat. Në atë kohë qëlloi pak si çuditshëm lidhja e emrit me sloganin e Partisë Socialiste, sepse posteri thoshte: Tërmeti e vetmja rrugë për Tepelenën. Për shumëkënd, kjo u përkthye si “erdhi dita e kiametit dhe e shkatërrimit te Tepelenës nga tërmeti”. Kështu thanë atëherë.
E vërteta është që sot, ne jemi në një realitet që ka ndryshuar rrënjësisht, jo se gjithçka ka përfunduar, përkundrazi, ajo që duhet të bëjmë për Bashkinë e re të Tepelenës është shumë më tepër se ajo që kemi bërë, por, ama, çka është bërë, ka shënuar një kthesë historike për zonën dhe për komunitetin. Ishte vetëm pak vite më parë, kur askush nuk ndalonte më në Tepelenë dhe kur binte errësira ishte e pamundur të ecje në këmbë në rrugët me gropa, pa drita e siç më tha njëherë Tërmeti, aman komandant të vëmë dritat, se po gjejmë dhe shtëpinë tonë me të pyetur, në errësirë”.
Sot është një situatë tjetër, por natyrisht ka shumë për të bërë akoma. Kjo vlen për të gjithë Qarkun në fakt. Këtu po flasim për Qarkun e Gjirokastrës dhe jemi në Tepelenë, një gjë që s’do kishte ndodhur disa vite më parë që të mblidheshim në Tepelenë, për të folur për Gjirokastrën, sepse nuk do kishim ku të mblidheshim. Edhe këtu ku jemi mbledhur sot, në këtë infrastrukturë moderne, jemi mbledhur si rezultat i një projekti të kryetarit të bashkisë dhe si gjithmonë të mbështetur nga qeveria e tij, që ka rastisur ta drejtoj unë, por është qeveria e tij.
Dua t’ju sjell në vëmendje një fakt që lidhet me Programin e Rilindjes Urbane, prej të cilit ky Qark ka përfituar në mënyrë të konsiderueshme. Ju e keni dëgjuar që shpeshherë thuhet “fasada, palma, drita, lojëra”, por ka një fakt;
Sa kushtonte një apartament në Tepelenë përpara realizimit të këtyre projekteve dhe sa kushton sot?
Kush e shiste 10 milionë lekë të vjetra ishte me fat.
Sa kushton sot?
40 milionë mesatarisht, por në qendër të qytetit nuk gjen njeri më që shet apartamente.
Kjo vlen për të gjithë territorin. Sa kushtonin shtëpitë e Gjirokastrës përpara fillimit të këtij Programi dhe sa kushtojnë sot, nëse ke shans të gjesh ndokënd që mund të shesë?
Është një rritje e kudondodhur në të gjithë territorin, në Gjirokastër, në Tepelenë, në Vlorë, në Berat, në Pukë, në Tropojë, e vlerës së pasurisë së patundshme e të banorëve në të gjithë zonën urbane të Shqipërisë. Është rritje shumëfish e vlerës së pasurisë që zotëronin dje dhe që zotërojnë sot, ata që kanë një shtëpi në këto pjesë të territorit ku ka funksionuar Programi i Rilindjes Urbane.
Shikoni anën tjetër; Kemi përpara një minierë të pashfrytëzuar, për të bërë para aty ku duket sikur varfëria është dënim i përjetshëm, kemi minierën e bukurisë së vendit tonë dhe të këtyre zonave. Si mundet një familje që jeton sot në fshat, në Tepelenë të bëjë para? Jo për të mbijetuar, por për të pasur mirëqenie me bukurinë, me traditën e mikpritjes dhe duke transformuar shtëpinë, tokën rrotull shtëpisë në një agrobiznes.
Shikoni Nivicën! Në Nivicë kishin mbetur 30 familje dhe mund të blije shtëpi me 2 milionë lekë të vjetra. Të blini sot, shtëpi në Nivicë është gjëja më e vështirë. Ndërkohë që sot, atje kanë shkuar trefishi i familjeve që ishin, sepse kanë kuptuar që është një mundësi e madhe për ekonominë, një mundësi e madhe për të fituar shumë më tepër, sesa fitojnë të gjithë ata që sot janë në emigracion në Greqi, duke i kthyer shtëpitë e gjyshërve nga rrënoja të izoluara në pika turistike.
Ku kalonte ndonjëherë turist në Tepelenë?! Nuk e harroj kur Tërmeti më ka çuar mesazhin e parë, “u shfaqën edhe disa suedeze, më në fund, përballë Ali Pashait”. Ku bëhej fjalë të vini suedezet në atë gropë që ishte Tepelena! Por, po ju siguroj, që, nëse bashkëpunojmë dhe ne do të vëmë në dispozicion gjithçka kemi të mundur për të ndërtuar sisteme agroturizmi, kjo zonë do të jetë plot dhe jo vetëm në sezon, por dhe jashtë sezonit. Ka shumë njerëz që lëvizin në fundjavë nga Tirana dhe që kanë nevojë për destinacione të reja. Të jeni të sigurt që me shumë kënaqësi dhe me shumë dëshirë do shkonin sëbashku me fëmijët e tyre aty ku ka agroturizëm, që nga veriu deri në jug.
Ne kemi aprovuar një ligj, kush e kthen shtëpinë në një bujtinë, apo kush investon duke marrë një shtëpi të rrënuar dhe ndërton një fermë të vogël dhe ka një numër të kufizuar dhomash, ka:
Tatim-fitimin vetëm 5%;
TVSH-në vetëm 6%;
Merr mbështetje financiare nga ne, nga shteti.
Unë dua të përfitoj nga rasti t’iu bëj thirrje të gjithë atyre që janë në emigracion që ta shikojnë këtë mundësi, t’iu bëj thirrje të gjitha familjeve që janë këtu, që, bashkë me djemtë, vajzat, vëllezërit, xhaxhallarët, dajallarët që kanë në emigracion të drejtohen në këtë drejtim. Është rruga e daljes përfundimtare nga varfëria. Nuk është një zonë ku mund të mendojmë zhvillimin e ndonjë bujqësie intensive me prodhim të madh, apo ku zhvillimi i blegtorisë mund të kthehet në një zhvillim industrial. Por është një zonë ku blegtoria dhe prodhimet blegtorale mund t’i shërbejnë pikërisht tryezave të mikpritjes përmes bujtinave dhe hoteleve të vegjël tradicionalë të agroturizmit. Në vend se ata që kanë 10 dele të merohen se ku do ta shesin qumështin e djathin, krijohet një cikël i mbyllur që i bën të gjithë të fitojnë para shumë më tepër sesa mund të mendohet kur flas unë sot.
Qeveria do mbështesë projektet. I kam thënë Tërmetit, boll u krenove me këto që ke bërë në qytet. Ngjitu nëpër male dhe bëni projekte me njerëzit që kanë shtëpi atje. Thirr njerëz nga Tepelena që kanë bërë para, janë jashtë apo në Tiranë, merren me biznes dhe ne do të mbështesim projektet financiarisht, do të japim para për të bërë hapin e parë. Kjo, ju siguroj, do të sjellë që në shtëpitë e sotme ku rri hija e varfërisë nëpër këto zona të mrekullueshme, të hyjë rrezja e dritës që Tërmeti ka futur në qytet me projektet e tij, e shpresës dhe e të ardhmes me mirëqenie. Të jeni të sigurt për këtë!
Shikoi Gjirokastrën! Gjirokastra zyrtarisht në vitin 2013 kishte 6900 vizitorë. Sot ka 40 mijë, sepse aty ka filluar të vihet në punë motori i ekonomisë familjare përmes hapjes së hoteleve dhe të bujtinave. 4 vende numëroheshin me gishtat e dorës ku mund të shkoje të flije në Gjirokastër në vitin 2013. Sot, po të shikosh subjektet e regjistruara në booking.com, pra, që janë të regjistruara në faqen online ku të gjitha strukturat e mikpritjes në botë shpallin interes për turistë me fjetje, janë 67. Janë shumë pak. Mund të jenë shumë më tepër dhe do të jenë shumë më tepër, sepse ne do vazhdojmë të bëjmë investimet që kemi nisur në Gjirokastër, në zemrën e qytetit, në Qafën e Pazarit, do ndërtojmë By-pass-in e brendshëm në Gjirokastër dhe do ta kthejmë në zonë këmbësore të gjithë pjesën e qendrës. Do të rindërtojmë komplet infrastrukturën në qendër me sistemin e kanalizimeve dhe të ujësjellësit dhe me ndriçimin dhe do të vazhdojmë të nxisim perspektivën e agroturizmit rreth e rrotull.
Gjithë kjo zonë është shumë tërheqëse për turistët, që janë të dhënë pas natyrës e pas traditave. E ju siguroj se ata 3-4 suedezë që hutuan Tërmetin kur u shfaqën përpara “Ali Pashës”, do të bëhen mijëra në të ardhmen, nëse ne do të fokusohemi në këtë drejtim. Por nuk mundet dot shteti të vijë të bëjë punët për ju. Nuk mundet dot shteti të ngjitet në mal e të bëjë punën për ata që janë në mal. Ata që janë në mal duhet ta tërheqin shtetin mbrapa, duke paraqitur projektet e tyre të thjeshta. Nuk ka nevojë për të bërë asnjë shkencë. Rindërtohet shtëpia, zgjerohet e bëhet me 6 shtretër, bëhet me 10 e 12 shtretër, apo 20, 25 akoma më mirë. Ndërtohet dhe një fermë e vogël dhe kaq është e gjitha, vendoset gjithë familja në punë për të pritur e për të përcjellë njerëz, gjë që në Tepelenë e bëjnë më mirë se kudo tjetër. E imagjinoni pastaj, po t’i shtosh kësaj edhe atë traditën e mishit të freskët, se çfarë bëhet. Por unë nuk po e zgjas me këtë se ky është një avantazh i Tepelenës dhe ju e keni mjeshtërinë tuaj atë.
Ne do vazhdojmë projektet me Tërmetin dhe është një shembull, jo për ato që thotë për mua se i them 100 herë që mos i tepro këto, por ai është i vendosur në atë drejtim, nuk kam çfarë bëj dhe në fund i del llogaria, i merr votat me ato fjalët që thotë për mua.
Do vazhdojmë projektin e kalasë së Ali Pashës, që ka një potencial të jashtëzakonshëm për t’u kthyer në një nga atraksionet më të rëndësishme turistike dhe turizmi është punësim. Turizmi është ekonomi. Turizmi është ardhmëri dhe miniera jonë në gjithë këto territore është bukuria dhe ajo që na kanë lënë të parët tanë që, më në fund, ne kemi filluar ta marrim në dorë me shumë dashuri dhe me shumë vëmendje.
Do donim të kishim bërë më shumë, sepse janë shumë gjëra që u lanë në rrënim, por sidoqoftë, hap pas hapi po vendosim disa pika. Do ta përfundojmë projektin e kalasë dhe kalanë brenda do ta rindërtojmë, duke bashkëpunuar me banorët brenda për ta kthyer në një vend ku të hyjnë e të dalin turistë, jo në një vend ku nuk futet askush përveç banorëve.
Do bëjmë atë që kemi diskutuar e për të cilën jemi zotuar, do ta lidhim lart Tepelenën me detin poshtë, do bëjmë rrugën që lidh Gusmarin me Kuçin, në mënyrë që gjithë kjo zonë të jetë e lidhur jo vetëm me Gjirokastrën dhe jo vetëm me turistët që vijnë nga Gjirokastra, por edhe me bregun poshtë dhe e lidhur me një rrugë me standarde, si ato që bëhen në Bashkinë e Gjirokastrës.
Do bëjmë By-pass-in e madh të Tepelenës që zgjidh një problem të madh. Është një infrastrukturë e madhe kombëtare dhe fillon, besoj, në fillim të vjeshtës. Është një investim goxha i konsiderueshëm, por ka një implikim të drejtpërdrejtë në rrugë dytësore që lidhin Tepelenën me rrugën kombëtare.
Nga ana tjetër jam shumë i vetëdijshëm që duhet të bëjmë ende punë për sistemin e ujësjellësit. Në Tepelenë do fillojmë punën për ujësjellësin në qershor dhe do ta zgjidhim këtë problem të tmerrshëm që është trashëguar prej kaq shumë vitesh. Do bëjmë të njëjtën gjë në Memaliaj, do bëjmë të njëjtën gjë në Këlcyrë, në Libohovë, në Përmet me ujësjellësin e qytetit. Trashëgimia tek ujësjellësit është shumë e rëndë. Paratë që duhen janë shumë, por në këto pika ku ka filluar të funksionoje motori i turizmit, ne do bëjmë investimet e nevojshme.
Tek Programi i “100 fshatrave” janë 13 fshatra këtu në Qarkun e Gjirokastrës, që ne do t’i mbështesim specifikisht, për të krijuar modele që të përhapen si shembuj. Kini parasysh, në vitin 2017, ne kemi marrë mbi 1.5 miliardë euro në ekonomi nga turizmi dhe kemi shkuar tek afërsisht 5 milionë vizitorë. Është një shifër që vetëm do rritet.
Pyetja është, si do i përgjigjemi ne. Kërkesa e madhe nuk është vetëm për detin poshtë. Është edhe për bukuritë që janë më lart dhe sfida është jo si të sjellim suedezet e bukura që të bëjnë fotografi me “Ali Pashën” e të marrin autobusin e të ikin, por si t’i mbajmë 2 net, disa ditë, në mënyrë që paratë t’i shpenzojnë këtu, në mënyrë që ata që këtu kanë infrastrukturë mikpritjeje, fitojnë duke u marrë paratë për shërbimet që u japin. Kjo është sfida dhe unë besoj shumë këtë. Më vjen mirë që më në fund pas kaq shumë vitesh filloi shenja e parë. Ndërtimi i hotelit tek Uji i Ftohtë që ishte një ide, të cilën ne e promovuam bashkë me Tërmetin, kur filluam projektin dhe thamë që vetëm ky projekt do sjellë menjëherë interes për të filluar ndërtimin e një hoteli. Tepelena akoma nuk e ka një hotel dhe besoj që një mbledhje, qeveria e meriton ta bëjë këtu në Tepelenë, jo thjesht një takim, por një nga mbledhjet e qeverisë do ta bëjmë menjëherë sapo të hapet edhe hoteli, ku mund të qëndrojmë për të bërë aktivitetet tona këtu në Qark.
Kemi bërë rindërtime shkollash. Në Tepelenë, gjimnazi është një nga modelet më të mira të rindërtimit të shkollave. Do vazhdojmë me të tjerat.
Do vazhdojmë me qendrat shëndetësore. Kemi 300 qendra shëndetësore për të rindërtuar në këto 4 vite, 80 këtë vit. Kështu që në këtë aspekt, besoj që puna do të japi vazhdimisht frytet e veta.
Në aspektin tjetër kemi nevojë të përmirësojmë shërbimet për qytetarët. Bashkia e Tepelenës është një nga modelet më të shkëlqyera sesi i shërbehet njerëzve dhe sesi njerëzit begenisen dhe vihet në jetë ajo shprehja e popullit, “hallin që nuk ma zgjidh dot, të paktën ma qaj”. Ndërkohë që ne akoma jemi në luftë të madhe me administratën, me drejtorë, me shefa, me përgjegjës, me punonjës, që kujtojnë se mjafton që morën, apo kanë vendin e punës, apo marrin një rrogë shteti dhe kanë të drejtë të torturojnë njerëz. Unë e përsëris thirrjen time, mos ju shkoni nga mbrapa, mos kërkoni miq për të zgjidhur problemet që ata janë të detyruar t’jua zgjidhin, mos fusni dorën në xhep. Thjesht dhe vetëm shfrytëzoni mekanizmin e platformës shqiperiaqeduam.al. Kush është në moshë më të vjetër dhe nuk ka afrimitet me kompjuterin, ka një nip dhe një mbesë që mund ta bëjë këtë punë për të, mjaftojnë tre minuta. Për çfarëdo halli që e lidh me administratën. Për 10 ditë dhe nëse të takon, halli zgjidhet dhe kush të ka penguar, ikën nga puna. Kështu duhet ta bëjmë që të pastrojmë administratën nga grabitqarët dhe nga parazitët që nuk janë grabitqarët dhe parazitët e partive të tjera, janë të partive të tjera dhe të partisë sonë dhe ata janë pengesa jonë nr. 1 për të qenë bashkë e për ta pasur shtetin në dispozicion çdokush që jeton në Tiranë, apo jeton në Kurvelesh, është i vjetër apo i ri, i pasur apo i varfër, ka njohje apo jo. Të gjithë qytetarët e kësaj republike duhet ta kenë shtetin në dispozicion kur shkojnë nëpër zyrat e administratës dhe administrata duhet të tmerrohet nga çdo qytetar që mund ta ngrejë problemin tek platforma, sepse kush shkruan tek platforma ia çon direkt ministrit përkatës problemin dhe është detyrë e ministrit përkatës. Problemin e hipotekave e zgjidh ministrja e Drejtësisë personalisht dhe jep llogari çdo javë, sa qytetarë u ankuan dhe sa zgjidhje u dhanë. Vetëm nga hipotekat janë 80 njerëz që janë ose në ndjekje penale, ose janë jashtë për shkak se i kanë penguar njerëzit që të marrin atë që u takon.
Faleminderit!