Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Komunikimi publik i Kryeministrit Edi Rama pas mbledhjes së qeverisë në Lezhë:

 

Faleminderit për praninë të gjithëve ju që i përkisni botës lokale të informacionit!

Mbledhja sot, këtu në Lezhë, ashtu sikundër është në praktikën e këtyre mbledhjeve të qeverisë në një territor të vendit, përveç vendimeve që janë pjesë e procesit të qeverisjes, pati edhe fokusin posaçërisht në këtë Qark dhe i hap rrugën një numri programesh dhe projektesh me rëndësi, të cilat do të nxisin ekonominë dhe rritjen e mirëqenien në Qarkun e Lezhës.

Pikë së pari miratuam një vendim për të stimuluar agroturizmin në të gjithë vendin, por, duke pasur parasysh që kjo zonë ka disa shembuj realisht shumë frymëzues, të cilëve ne i jemi referuar për përgatitjen e një Programi Kombëtar të Zhvillimit të Agroturizmit, besoj që do të stimulojë më tutje ecurinë në këtë drejtim, pasi potencialet këtu janë realisht të mëdha. Ky vendim përcakton një sërë standardesh për veprimtarinë e agroturizmit, duke vendosur kritere minimale dhe maksimale që duhet të plotësojë çdo subjekt, për të kryer një veprimtari, jo thjesht të klasifikuar si agroturizëm, por edhe të mbështetur financiarisht nga qeveria, qoftë nëpërmjet incentivave fiskalë, qoftë programeve të mbështetjes së sektorit nga financimet e brendshme dhe nga financimet europiane. Të gjitha subjektet që do të klasifikohen si agroturizëm brenda kësaj kornize të miratuar sot do të pajisen me një certifikatë të posaçme nga Ministria e Turizmit dhe e Mjedisit dhe pastaj do të mund të kenë akses në financime të brendshme, ose financime të huaja dhe këtu kam parasysh në radhë të parë, financimet nga programet e Bashkimit Europian.

Kemi bindjen që këtu potenciali është i madh dhe ka një hapësirë për rritjen e konsiderueshme të punësimit. Në javët në vijim, ne do të miratojmë edhe programin përkatës të incentivave fiskalë dhe do të kemi një konferencë publike për të lançuar të plotë Programin e Zhvillimit të Agroturizmit, kështu që nuk po hyj në elementët e incentivave fiskalë, që janë ende për t’u definuar përfundimisht.

Një tjetër vendim i rëndësishëm është përcaktimi i një liste, pas një procesi relativisht të gjatë bashkëbisedimi me të gjithë kryetarët e bashkive në rang territori, të 100 fshatrave në territorin e Republikës së Shqipërisë, ku ne do të stimulojmë zhvillimin e integruar rural, për të krijuar modelin e ri të këtij zhvillimi që do të shtrihet edhe në pjesën tjetër të hapësirës rurale. Fishta është një prej këtyre 100 dallëndysheve të para të këtij procesi të ri zhvillimi rural, që do të mbështetet me një program të veçantë nga qeveria. Ky model ka të bëjë me infrastrukturën, ka të bëjë me diversifikimin e ekonomisë, me zhvillimin e kapitalit social, me ndërhyrjet në dobi të trashëgimisë kulturore e me radhë.

Ndërkohë kemi vendosur bazat për një sërë projektesh që kanë të bëjnë drejtpërdrejtë me Qarkun e Lezhës. Projekti kryesor, më i rëndësishmi besoj dhe që është pjesë e Programit “1 Miliardë për Rindërtim” është projekti i rrugës kombëtare Milot-Balldren, me të gjitha veprat e artit dhe me tunelin që mundëson kalimin, më në fund, nga ai xhepi fals atje tek shkëmbi, ku i gjithë fluksi i transportit kombëtar futet si fshehtas për të shkuar drejt Shkodrës, në një epokë të re të transportit në vendin tonë.

Më tutje aksi i ri që do të lidhë Shëngjinin me Velipojën dhe do të mundësojë integrimin e të gjithë asaj zone me një potencial të jashtëzakonshëm për zhvillimin e turizmit, përmes një mundësie tërësisht të re dhe shumë më të shpejtë transporti.

Pastaj edhe një numër projektesh infrastrukture pikërisht për zonën e Shëngjin-Velipojës, që përfshihen në një program të posaçëm investimesh për zhvillimin rural me përparësi turizmin; projektin e rindërtimit të terminalit të pasagjerëve dhe të hyrjes në Portin e Shëngjinit, si dhe projektin e rrugës nga Balldreni në Malin e Jushit, ose siç e quani ju rrugën e Torovicës. Më vjen shumë mirë që më në fund, ata që e kishin pas marrë përsipër për ta bërë këtë rrugë po interesohen, duke stimuluar protesta dhe i përshëndes, sepse kjo do të thotë që, pavarësisht kësaj, kur e kishin në dorë ta bënin rrugën, i bënë asaj atë që s’thuhet. Tani duan që rrugën ta bëjnë përmes nesh.

Nga ana tjetër janë disa projekte ujësjellësish. Jemi shumë të vetëdijshëm për nevojën e madhe në infrastrukturën e ujësjellësve, por jemi po ashtu të vetëdijshëm se krahas investimeve, duhet të shkojë deri në fund reforma e ujit, ku bashkitë kanë një rol parësor. Sot, ne kemi miratuar edhe një vendim të rëndësishëm për subvencionimin nga shteti të kontratave dhe vendosjen falas të matësve të ujit për të gjitha familjet në nevojë. Pra, është një masë brenda reformës dhe shkon në të njëjtin drejtim, siç kemi shkuar edhe në reformën e energjisë, ku pavarësisht se çfarë thuhet dhe çfarë vlon në kazanin e madh të medias, e vërteta është se ne financojmë çdo vit, 16 milionë dollarë për të kompensuar atë pjesë të çmimit të energjisë të familjeve në nevojë që u rrit nga heqja e fashës mbrojtëse 300 kilovatë. Asnjë familje në nevojë nuk ka rritje të çmimit të energjisë. Pjesën e rritjes, qysh në vitin 1 e financon qeveria e Shqipërisë, buxheti i shtetit. Kështu që të njëjtën gjë do të bëjmë edhe për ujin. Familjet në nevojë, përveçse do të marrin matësit pa pagesë, do të shpëtojnë nga barra e aforfeve, sipas tekave të faturistëve lokalë dhe njëkohësisht do të mund të shërbehen më mirë sesa deri sot.

Besoj ia vlen të përmendet, meqë jemi në këtu, vendimi për mbështetjen e drejtpërdrejtë për kurimin e sportistit të njohur lezhjan, i cili pësoi një aksident shumë të rëndë dhe që me të gjithë dëshirën e madhe i uroj shërim sa më të shpejtë!

Ndërkohë kemi marrë edhe vendime të tjera. Po përmend vetëm një vendim që është i rëndësishëm të dihet, sepse iu vjen në ndihmë të gjitha komuniteteve jashtë zonave të mëdha të banuara ku është nevoja për mjekë specialistë në spitale, qofshin rajonale, qofshin bashkiake. Ne kemi miratuar bonusin për mjekët që do të pranojnë të shkojnë të punojnë në spitalet rajonale dhe lokale deri në 2.5 milionë lekë [të vjetra] mbi rrogën.

Ju falënderoj shumë!

 

Kanë kaluar disa muaj nga mandati juaj i dytë dhe qytetarët lezhjanë presin jo ndërrim drejtorësh me të PS-së, LSI-së, apo PD-së, por drejtues me integritet. Sa në dijeni është Kryeministri Rama, sa i takon drejtuesve në Lezhë?

Kryeministri Edi Rama: Faleminderit për pyetjen. Është një pyetje që unë ia bëj vetes çdo ditë, jo për Lezhën, por për të gjithë Shqipërinë. Është një pyetje që ju e bëni, por me siguri do donin të ma bënin shumë më tepër njerëz dhe përfitoj nga rasti të them se, së pari, vendosmëria ime për t’i shkuar deri në fund procesit të çuarjes së tepsisë për skrap është më e madhe, seç ishte kur jam zotuar për këtë dhe do të jetë çdo ditë e madhe, pasi vështirësia në këtë proces nuk është se do të jetë më e vogël, por është çdo ditë e më e madhe. Ky proces ka dy anë; Njëra anë është reformimi dhe modernizmi i administratës. Kjo nuk është çështje thjesht drejtorësh, hiq një drejtor e sill një drejtor. Kjo është çështje modernizimi. Me modernizim kuptoj edhe disa gjëra që po ndodhin dhe që sigurisht janë ende për t’u zhvilluar. Së pari, uljen drastike të kohës, por edhe të shpenzimeve të njerëzve që kanë nevojë të marrin një shërbim nga një zyrë shteti. Kjo përmes kalimit të shumë proceseve online, duke bërë që njerëzit të mund të shërbehen vetë, drejtpërdrejtë, pa pasur nevojë të shkojnë fare në një zyrë shteti, gjë që ka ndodhur me certifikatat që sot, secili mund t’i marrë nga kompjuteri i vet me vulën elektronike që është e vlefshme. E jo vetëm me certifikatat, por edhe me shumë procese të tjera dhe jemi ende në vazhdim. Së dyti, uljen drastike të dokumenteve të nevojshme. Çdo ministri po heq dokumente, po heq kërkesa për autorizime e për licenca e kështu me radhë, që do të thotë që po tkurret masa e kontakteve midis qytetarëve e administratës. Së shpejti do të kemi një event publik për të gjitha këto masa, të cilat janë duke u marrë hap pas hapi dhe kjo do të ndjehet jashtëzakonisht shumë. Nga ana tjetër është kjo që thoni ju. Jam i bindur që po bëhet progres, por jam i bindur po ashtu, që për ta prekur këtë progres, do duhet ende kohë. Ndërkohë që mos harroni, të gjitha pozicionet ku ne po bëjmë ndryshime kanë kushtin e provës. Pra, kemi drejtorë të rinj në spitale, janë 3 muaj në provë. Kemi drejtorë të rinj në burgje, janë 3 muaj në provë. Kemi drejtorë të rinj në hipoteka, janë 3 muaj në provë e kështu me radhë. Është një sfidë. Patjetër që nuk është diçka që mund të ndryshojë nga sot nesër, sa hap e mbyll sytë. Nuk është diçka që lidhet me emrin e partisë. E kam thënë më parë e them edhe sot, nuk është çështje partie. Sigurisht që partitë kanë të gjitha mëkatet e tyre në këtë aspekt. Nuk janë të gjitha njësoj. Patjetër që ka nivele të ndryshme të përgjegjësisë. Ama këtu çështja është shumë e thjeshtë, t’i gjejmë punës njeriun dhe jo njeriut punën. Çështja është e thjeshtë, por procesi ka vështirësitë e veta. Megjithatë, unë jam shumë besimplotë që në harkun e këtij mandati, ndryshimi do të jetë shumë i ndjeshëm.

 

Si pjesë e komunitetit të Torovicës, pasi jam pjesë e asaj zone, mbase është fshati më i izoluar, jo vetëm në qarkun e Lezhës, por dhe më gjerë. Ka një varfëri ekstreme tek zona e ish kampit, por pjesa që ka izoluar mësë shumti është rruga. Ka një afat të përcaktuar?

Përsa i takon turizmit, Lezha ka një pasuri të jashtëzakonshme si shumë zona të tjera. Një ndër to është Shëngjini. Gjatë verës, kaosi në trafik, errësira që të shpie drejt asaj rruge është shumë e madhe. A ka qeveria një projekt, për t’i dhënë Shëngjinit diçka më shumë?

Kryeministri Rama: Unë kam bërë një takim me përfaqësues të komunitetit të Torovicës gjatë fushatës dhe përfaqësuesit kanë qenë të majtë e të djathtë. Ata mund të dëshmojnë se u kam thënë se do të ishte shumë e lehtë t’ju thosha se rrugën do e bëj nesër, por ju më jepni votën, por nuk e them këtë. Ju kam thënë e po ju them dhe juve që brenda këtij mandati. Sigurisht që për ju që kaloni çdo ditë aty, çdo ditë është një torturë dhe çdo muaj mund të duket si një vit dhe kështu që i bie që katër vjet mund t’ju duken si 44 vjet. Por e vërteta është që mundësitë tona këto janë dhe prioriteti është rruga nacionale Milot – Balldren. Shumë e rëndësishme është rruga Shëngjin – Velipojë, sepse janë akse që do të sjellin një zhvillim të rëndësishme tërësor. Patjetër edhe rruga e Torovicës është pjesë e planit, për shkak se është absolutisht siç thoni ju dhe siç thonë të gjithë banorët e kësaj zone, një rrugë ferri.

Përsa i përket pyetjes së dytë, projektet e asaj natyre janë projekte që normalisht i bën bashkia e madhe dhe pastaj, qeveria sipas mundësive i mbështet. Në projektin e rrugës Shëngjin – Velipojë, për të cilin po punojmë dhe jemi në diskutim paralelisht me dy variante dhe kemi marrë në konsideratë edhe fillimin dhe fundin. Fillimin, pikërisht pjesën lidhëse nga këtu deri në Shëngjin, bashkë me vetë Shëngjinin, që pavarësisht disa përmirësimeve që janë bërë, nuk mund të themi se është maksimumi dhe pjesën fundore që është lidhja edhe me Malin e Zi në fund, në Bunë. Jemi në diskutime, sepse njëri opsioni për të cilin po punojmë është urë, opsioni tjetër është një zadër për kalimin.  Akoma jemi në diskutime, por për punohet për të dyja variantet,  sepse ka një variant që është më miqësor me mjedisin, ka një variant që është më i shpejtë, pra, do t’i shkojmë gjithë pjesës së kodrës sipas relievit, apo do kemi dhe ndërprerje. Sidoqoftë janë dy variante, do konsiderojmë hyrjen dhe daljen.

S’mund të kemi një rrugë të standardeve turistike europiane midis dy gropash të zeza këtej dhe andej. Balldreni do të jetë pika ku nga njëra anë do të vijmë nga Miloti dhe nga ana tjetër, për të shkuar drejt Torovicës. Pra, është një projekt kompleks, që besoj se do të sjellë një ndryshim shumë të madh brenda katër viteve.

 

Zoti Rama, para se të hynit në qytet, kaluat një lumë, që është në fakt një kanal ujëmbledhës i ujërave të larta të Zadrimës, të kolektorëve shkarkues të një pjesë të lumit Gjadër. Gjatë verës këto prurje janë shumë të vogla dhe krijojnë një  panoramë jo të mirë për qytetin e Lezhës.. A do të mendoni që t’i hapni një portë që derdhet në Bunë, në mënyrë që të kryejë të dy funksionet, edhe pastrimin e lumit, edhe t’i jepte vetë lumit një atraksion dhe mundësi për zhvillimin e turizmit.

Kryeministri Rama: Edhe kjo është një pyetje të cilës, unë do t’i përgjigjem me një pyetje tjetër: A do ta mendoj unë, apo do ta mendojë kryetari i bashkisë? A do ta mendojë qeveria, apo do ta mendojë bashkia këtë detaj? E them në parim, nuk kam asgjë, por asnjëherë nuk duhet të harrojmë që mundësitë tona nuk janë të pakufizuara. Unë e di lumin që kam kaluar, edhe  ju e dini. Unë e di edhe si ishte, edhe ju e dini si ishte. Sot është më mirë seç ishte, nesër do të jetë më mirë seç është, pikërisht për këtë që thatë ju, por edhe për disa arsye të tjera. Megjithatë nuk dua tani të them edhe kjo, edhe ajo. Kanë qenë të tjerë përpara meje që i thoshin lehtë këto gjëra. Unë nuk dua t’i them kaq lehtë gjërat, pasi dua të mbaj përgjegjësi për çdo gjë që them. Di të them se brenda këtyre katër viteve, Qarku i Lezhës, por dhe Lezha vetë do të njohë një transformim shumë të madh. Për këtë jam i sigurt. Qoftë me komponentët e infrastrukturës e të mos e harrojmë që, nëse në këtë anë do të ndërtohet Milot – Balldren, pra nga momenti kur kthehemi për të shkuar drejt Kosovës deri kur dalim nga Lezha, duke krijuar edhe një unazë, nga ana tjetër do ndërtohet paralelisht Thumanë – Kashar. Po kështu, pjesa e rrugës që sot është rruga Lezhë – Tiranë do pësojë një ndryshim të rëndësishëm. Të gjitha këto kushtojnë, por të gjitha janë me impakt të madh. Po ashtu, paralelisht iniciativa Programi i Agroturizmit besoj shumë se do të sjellë për Lezhën, shumë më tepër sesa ka sjellë deri më sot agroturizmi. Lezha ka ca modele fantastike e, nëse do të kishim në Lezhë, por dhe në gjithë Shqipërinë, shumë më tepër Mrize Zanash, atëherë Shqipëria do të ishte e do të jetë faktikisht falë tyre, një vend shumë i zhvilluar në hapësirën rurale, por dhe nga pikëpamja turistike.

 

Shumë qeveri përpara jush janë angazhuar për ta bërë më funksionale e më të shfrytëzueshëm Portin e Shëngjinit. Deri në këto momente nuk është arritur kjo që është pretenduar. Sa do të jetë prioritare për qeverinë tuaj ky port, duke pasur parasysh edhe se ai është në pjesën e rrugëve që kalojnë në kuadër të Proceseve të Berlinit?

Kryeministri Rama: Siç e thashë, ne kemi miratuar sot një projekt të mirë për portin, por nuk është gjithçka. Nuk do tregoj tani për procese negociatash, për zhvillime më të mëdha në Portin e Shëngjinit, të cilat jemi duke i zhvilluar. Ka disa aktorë të rëndësishëm dhe të mëdhenj të interesuar, por kur tregohen përpara duken si përralla dhe shumë përralla janë treguar e në fakt asgjë nuk ka ndodhur. Por për atë që mund të themi sot, me siguri, është që kemi një projekt, e kemi miratuar, për rindërtim. Ndërkohë edhe aty në port duhet një reformë shumë e thellë e administratës së portit. Është një nga ato çuditë e mëdha që kemi trashëguar nga epoka e tepsive dhe nëse, ndërkohë ka një proces të hapur penal, apo një kallëzim të paktën penal për Portin e Durrësit ku është bërë një hata e madhe e ku shpresoj shumë që prokuroria të bëjë punën e vet për të ndëshkuar përgjegjësit, edhe këtu, sigurisht, rruga e ndëshkimit duhet të jetë pjesë e këtij procesi reformimi.

 

Bashkia Lezhë thotë se ka të trashëguar një borxh prej 5.2 miliardë lekësh, çka e ka vënë në vështirësi financiare për investime, por nga ana tjetër thotë se me dhjetëra projekte janë dërguar pranë qeverisë për t’u financuar e nuk janë financuar. Sa e vërtetë është kjo?

Kryeministri Rama: Unë nuk bëj polemika me kryetarët e bashkive, i kam lënë për në fushatë polemikat. Ndërkohë nuk mund ta them kurrë që ne kemi financuar të gjitha projektet e bashkive, sepse askush nuk i financon dot të gjitha projektet e bashkive, as qeveria e Francës, apo e Gjermanisë. Por mund t’ju them se ne kemi financuar aq sa kemi mundur dhe nëse do t’ju thosha që në tërësi, qeveria ka financuar në Qarkun Lezhë 220 projekte, mbase do thoshit si ka mundësi. Por 220 projekte natyrisht nuk mjaftojnë. Mund të duhen 2200. Ne do bëjmë aq sa kemi mundësi, por do bëjmë më shumë se të gjithë të tjerët. Kjo nuk diskutohet.

 

Shqetësimet dhe hallet e komunitetit tonë sikur u ezauruan një pjesë e tyre. Mendoj se ndërtimi ose rikonstruksioni, ndërhyrja në segmentin nga Miloti deri në Lezhë mund të shfrynte shumë trafikun, sidomos në kohën e plazhit, pasi komuniteti kosovar e frekuenton mjaft plazhin e Shëngjinit, pasi është plazhi më i afërt për këta banorë. Nuk e di nëse është menduar për ndërhyrje, pasi pjesa tjetër nga Fushë-Kruja deri në Milot dhe pjesa nga Lezha deri në Mjedë të Shkodrës është rikonstruktuar totalisht. Flas për segmentin e vjetër, nga Fushë-Kruja në Milot dhe pastaj vazhdon në Lezhë, në mjedër e pastaj del në qytetin e Shkodrës.

Kryeministri Rama: E thashë më parë, njëri segment është segment i ri që do ndërtohet, pjesa tjetër është rindërtim, ose quajeni si të doni, se unë nuk di si ta quaj atë segment aty, me thënë të drejtën, edhe pse është inauguruar 20 herë ajo pjesë, që realisht është një nga pjesët më dramatike nga pikëpamja edhe e sigurisë, edhe e qarkullueshmërisë.

 

Viti 2018 është shpallur si viti i Skënderbeut. Në fakt ju do të vizitoni memorialin e Gjergj Kastriotit. Gjendja në të cilin ndodhet është e mjerueshme. Duam të dimë cili do të jetë fati i tij?

Kryeministri Rama: E kam parë edhe më të mjerë memorialin, se e kam vizituar në shoqërinë e deleve që hanin plehra. Si ministër Kulture në atë kohë i dhashë jetë një projekti të parë për memorialin, më pas si Kryeministër mbështeta një projekt tjetër, që soli rindërtimin e qendrës dhe sistemimin pjesor përreth memorialit dhe sot, ne do flasim për projektin për vetë memorialin që do të rilindë, siç i ka vërtetë hije Lezhës dhe siç me të drejtë, edhe ju e dëshironi. Desha të nënvizoj që në raport me togfjalëshin gjendje e mjeruar duhet të kemi parasysh si ishte, si është dhe si duhet të bëhet. Nëse nisemi nga si duhet të  bëhet, gjendja është e mjeruar. Nëse nisemi nga si ishte, gjendje ishte e mjeruar. Jam shumë dakord që, ashtu siç është sot, në raport me si do të bëhet, është gjendje e mjeruar. Por nuk ka as dele as plehra, që do të thotë se gjendja ishte më e mjeruar.

 

Është folur për shëndetësi falas, ndërkohe në Lezhë ka disa spitale, si materniteti i Lezhës që  vuan për infrastrukturë. Çfarë do të bëhet konkretisht?

Kryeministri Rama: Do të vazhdojmë të bëjmë më shumë dhe është e njëjta gjë si me memorialin.  Nëse do të nisemi nga si duhet e do të bëhet, sot nuk mund të themi se jemi mirë. Nëse do nisemi nga si ishim, sot mund të themi se jemi më mirë seç ishim. Patjetër ka jashtëzakonisht akoma më shumë për të bërë. Kështu që, me sytë nga e ardhmja nuk rrimë dot një minutë këtu ku jemi. Me sytë nga e kaluara mund të jemi të sigurt që jemi në pozicionin e duhur për ta përballuar të ardhmen.

 

Folët për reformën në sektorin e ujit. Pyetja lidhet me zonën e Kurbinit dhe Qarku i Lezhës është Kurbini, Mirdita dhe Lezha. Të gjithë e dinë që zona e Fushëkuqes, të gjitha burimet e kësaj zone furnizojnë me ujë të pijshëm Durrësin, ndërkohë për ironi të fatit është një zonë që fshati Fushë Kuqe nuk ka ujë.

Kryeministri Rama: Ironira të tilla, fati ka bërë dhe bën shumë akoma nëpër Shqipëri. Kështu që nuk është për t’u justifikuar, as për t’ju lehtësuar juve, por nuk është e vetmja zonë që s’ka ujë dhe për këtë arsye jemi edhe ne këtu, se, sikur të gjithë gjërat të ishin në rregull, atëherë unë do merresha me pikturë dhe mund të vinin të tjerët të bënin punën time.

Shumë faleminderit!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.