Projektligj i miratuar në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, 11 mars 2015
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR FALJEN E GJOBAVE PËR MOSPAGIMIN NË AFAT TË KONTRIBUTEVE TË DETYRUESHME TË SIGURIMEVE SHOQËRORE DHE SHËNDETËSORE NGA SUBJEKTET JURIDIKE DHE FIZIKE”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Financave dhe ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për faljen e gjobave për mospagimin në afat të kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore nga subjektet juridike dhe fizike”, për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit shoqërues që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
#
P R O J E K T L I GJ
PËR
FALJEN E GJOBAVE PËR MOSPAGIMIN NË AFAT TË KONTRIBUTEVE TË DETYRUESHME TË SIGURIMEVE SHOQËRORE DHE SHËNDETËSORE NGA SUBJEKTET JURIDIKE DHE FIZIKE
Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 155, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Neni 1
Falen, në masën 80 për qind, gjobat e lidhura me kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, të cilat janë evidentuar deri në 31 dhjetor 2014, në zbatim të neneve 113, “Mosdeklarimi në afat”, pavarësisht vlerës së detyrimit, dhe 114, “Mospagimi në afat i detyrimit tatimor apo i kontributit”, të ligjit nr.9920, datë 19.5.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, për subjektet juridike dhe fizike, kur kontributi dhe kamatëvonesa është paguar plotësisht deri në datën 30 prill 2015.
Neni 2
Gjobat për mosdeklarimin dhe mospagimin në afatet ligjore të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe të sigurimit të detyrueshëm të kujdesit shëndetësor, të paguara para hyrjes në fuqi të këtij ligji, nuk kthehen.
Neni 3
Brenda 3 muajve, pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, administrata tatimore fshin dënimet administrative, të falura sipas këtij ligji, dhe bën pasqyrimet konkrete të fshirjes në regjistrat e saj.
Listat e subjekteteve përfituese dhe vlera e gjobave përkatëse publikohen, brenda 3 muajve, në faqen zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.
Neni 4
Ngarkohet Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve për zbatimin e këtij ligji.
Neni 5
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
ILIR META