Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave
Projektligje, miratuar në mbledhjen e datës 5 shkurt 2014
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES SË BASHKËPUNIMIT USHTARAK FINANCIAR, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS  SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË TURQISË, DHE TË PROTOKOLLIT TË ZBATIMIT TË NDIHMËS FINANCIARE, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË TURQISË”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes së bashkëpunimit ushtarak financiar, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Turqisë, dhe të protokollit të zbatimit të ndihmës financiare, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Turqisë”, për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI  RAMA
***
P R O J E K T L I GJ
PËR
RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES SË BASHKËPUNIMIT USHTARAK FINANCIAR,  NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË TURQISË, DHE TË PROTOKOLLIT TË ZBATIMIT TË NDIHMËS FINANCIARE, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË TURQISË
Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 121, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Neni 1
Ratifikimin e marrëveshjes së bashkëpunimit ushtarak financiar, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Turqisë, dhe të protokollit të zbatimit të ndihmës financiare, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Turqisë.
Neni 2
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
ILIR META
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE MBRETËRISË SË BELGJIKËS, PËR MBROJTJEN SHOQËRORE”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Belgjikës, për mbrojtjen shoqërore”, për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
P R O J E K T L I GJ
PËR
RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE MBRETËRISË SË BELGJIKËS, PËR MBROJTJEN SHOQËRORE
Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 121, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Neni 1
Ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Belgjikës, për mbrojtjen shoqërore.
Neni 2
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
ILIR META
V E N D I M
PËR 
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR NJË SHTESË NË LIGJIN NR.8438, DATË 28.12.1998, “PËR TATIMIN MBI TË ARDHURAT”, TË NDRYSHUAR”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për një shtesë në ligjin nr.8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar”, për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
P R O J E K T L I GJ
PËR 
NJË SHTESË NË LIGJIN NR.8438, DATË 28.12.1998, “PËR TATIMIN MBI TË ARDHURAT”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 155, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
                    V E N D O S I:
Në ligjin nr.8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar, bëhet kjo shtesë:
      Neni 1
Pas paragrafit të parë, të neni 24, shtohet paragrafi, me këtë përmbajtje:
“Në rastin e bankave, degëve të bankave të huaja dhe subjekteve financiare jobanka, të licencuara nga Banka e Shqipërisë për ushtrimin e veprimtarisë së kredidhënies, në përcaktimin e fitimit të tatueshëm, fshirja e borxhit të keq lidhur me procesin e kredidhënies njihet si shpenzim i zbritshëm me plotësimin e këtyre afateve:
a) 365 ditë pas depozitimit të kërkesës për fillimin e procedimit të ekzekutimit të detyrueshëm te përmbaruesi, në rast se kredia është e siguruar me pasuri të luajtshme ose të paluajtshme;
b) 365 ditë pas lëshimit nga gjykata të urdhrit të ekzekutimit, në rast se kredia nuk është e garantuar me pasuri të luajtshme/të paluajtshme”.
Neni 2
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I 
ILIR META
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR  PAGESAT E VONUARA NË DETYRIMET KONTRAKTOREˮ 
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për pagesat e vonuara në detyrimet kontraktoreˮ për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit, që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI  RAMA
*** 
P R O J E K T L I GJ
PËR 
PAGESAT E VONUARA NË DETYRIMET KONTRAKTORE [1] 
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
[1] Ky ligj është përafruar pjesërisht me: Direktivën 2011/7/EU, të Parlamentit Evropian dhe Këshillit, të datës 16 shkurt 2011, “Për luftën kundër pagesës me vonesë në transaksionet tregtare”; Celex: 32011L000, Fletorja Zyrtare e  Bashkimit Evropian, Seria L, nr.48, datë 23.2.2011, f. 1–10.
V E N D O S I:
Neni 1
Qëllimi i ligjit
Qëllimi i këtij ligji është përcaktimi i rregullave për afatet dhe mënyrën e llogaritjes së kamatave ligjore për pagesat e vonuara, në rastet e furnizimit me mallra apo shërbime nga ana e ndërmarrjeve tregtare kundrejt ndërmarrjeve të tjera tregtare dhe autoriteve publike, në mënyrë që të sigurohet funksionimi i duhur i tregut të brendshëm, duke nxitur aftësinë konkurruese të ndërmarrjeve tregtare dhe, në veçanti, të ndërmarrjeve të vogla e të mesme.
Neni 2
Fusha e zbatimit të ligjit
Ky ligj zbatohet për të gjitha pagesat e kryera si kundërpagesë për transaksionet tregtare. Nuk i nënshtrohen rregullimeve të këtij ligji detyrimet apo pagesat:
a) që janë objekt i procedurës së falimentimit të çelur kundër debitorit, përfshirë edhe procedurën me objekt ristrukturimin e borxhit;
b) që rrjedhin nga transaksionet me konsumatorët;
c) për interesin lidhur me pagesat e tjera të kryera në bazë të ligjeve për titujt;
ç) për pagesat e kryera në formë dëmshpërblimi, përfshirë edhe pagesat e dëmeve nga shoqëritë e sigurimeve të jetës dhe jojetës.
Neni 3
Përkufizime
Në kuptim të këtij ligji me termat e mëposhtëm nënkuptohet:
1. “Transaksione tregtare”, kontrata apo çdo veprim tjetër juridik i kryer ndërmjet ndërmarrjeve tregtare ose ndërmjet ndërmarrjeve tregtare, nga njëra anë, dhe autoriteteve publike, nga ana tjetër, të cilat çojnë në lëvrimin e mallrave ose realizimin e shërbimeve kundrejt një kundërpagese.
2. “Autoritet publik”, çdo autoritet kontraktues shtetëror, si njësi e qeverisjes së përgjithshme, ku përfshihen njësitë e qeverisjes qendrore, vendore dhe të fondeve speciale.
3. “Ndërmarrje tregtare”, çdo person juridik i krijuar sipas ligjit nr.9901, datë 14.4.2008, “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”, të ndryshuar, me përjashtim të një autoriteti publik, i cili vepron në kuadër të veprimtarisë së tij të pavarur ekonomike a profesionale.
4. “Pagesë me vonesë”, pagesa që nuk kryhet brenda afatit të përcaktuar me kontratë a me ligj, kur janë përmbushur kushtet e parashikuara në nenin 4.
5. “Pagesë me vonesë të autoritetit publik”, pagesa që nuk bëhet brenda afatit të përcaktuar me kontratë a me ligj nga ana e autoritetit publik, kur janë përmbushur kushtet e parashikuara në nenin 4.
6. “Pagesë me vonesë e thesarit”, pagesa që nuk bëhet brenda afatit të përcaktuar me kontratë a me ligj, kur janë përmbushur kushtet e parashikuara në nenin 4, por kur ka gjendje me mungesë likuiditeti në llogarinë e unifikuar të thesarit pas datës së regjistrimit në sistemin informatik financiar të qeverisë.
7. “Sistem i thesarit”, ky term ka të njëjtin kuptim me atë të parashikuar në ligjin nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
8. “Kamatëvonesë për pagesën me vonesë”, kamatëvonesa ligjore e vendosur për pagesën me vonesë ose kamatëvonesa me normë interesi të vendosur me marrëveshjen e sipërmarrjeve tregtare.
9. “Kamatëvonesë ligjore për pagesën me vonesë”, kamatëvonesa për pagesën me vonesë me normë interesi të barabartë me shumën e normës bazë të interesit për lekun ose normës bazë të interesit për zonën euro, apo normës bazë të interesit në monedhë të huaj dhe, të paktën, tetë pikë përqindjeje dhe që llogaritet sipas nenit 5, të këtij ligji.
10. “Marrëveshje riblerjeje” (REPO), marrëveshja me anë të së cilës Banka e Shqipërisë shet titujt, duke marrë përsipër t’i blejë ato sipas kushteve për të cilat është rënë dakord paraprakisht me një bankë ose degë të bankës së huaj, me qëllim zvogëlimin e përkohshëm të likuiditetit në sistemin bankar.
11. “Marrëveshje e anasjelltë riblerjeje” (REPO të anasjellta), marrëveshja me anën e së cilës Banka e Shqipërisë blen titujt, duke marrë përsipër t’i shesë ato sipas kushteve për të cilat është rënë dakord paraprakisht me një bankë ose degë të bankës së huaj, me qëllim rritjen e përkohshme të likuiditetit në sistemin bankar.
12. “Norma bazë e interesit për lekun”, norma e interesit të marrëveshjeve të riblerjes dhe të anasjellta të riblerjes (REPO dhe REPO të anasjellta), miratuar me vendimin e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë.
13. “Norma bazë e interesit për zonën euro”, norma e interesit të operacioneve kryesore të rifinancimit, të miratuara me vendimin e Këshillit Drejtues të Bankës Qendrore Evropiane.
14. “Norma bazë e interesit në monedhë të huaj”, norma e interesit të operacioneve kryesore të rifinancimit, të miratuara nga organet kompetente të bankave qendrore, e cila emeton monedhën në të cilën është bërë pagesa.
15. “Shuma për t’u paguar”, principali që  duhej të ishte paguar brenda afatit ligjor ose kontraktor të pagesës, duke përfshirë tatimet, taksat, tarifat a detyrimet e zbatueshme, të përcaktuara në faturë ose në kërkesën e njëvlershme për pagesë.
16. “Urdhër ekzekutiv”, urdhri për vënien në ekzekutim të titujve të ekzekutimit sipas nenit 511, të Kodit të Procedurës Civile. Titulli “Rezervimi i së drejtës mbi titullin” është marrëveshja me kontratë, sipas së cilës shitësi rezervon të drejtën e pronësisë mbi mallrat në fjalë gjersa të jetë paguar plotësisht çmimi.
Neni 4
Transaksionet ndërmjet sipërmarrjeve tregtare dhe autoriteteve publike
Në transaksionet tregtare, ku debitori është një ndërmarrje tregtare apo një autoritet publik, kreditori ka të drejtë që nga dita e nesërme pas kalimit të afatit për kryerjen e pagesës, të përfitojë kamatëvonesë, pa qenë nevoja për t’i dërguar njoftim për vendosje në vonesë debitorit, në rastet kur:
a) kreditori i ka përmbushur detyrimet sipas kontratës dhe ligjit dhe debitori nuk e ka kundërshtuar detyrimin;
b) kreditori nuk e ka arkëtuar shumën për t’u paguar brenda afatit, me përjashtim të rastit kur përgjegjës për vonesën nuk është debitori.
Neni 5
Llogaritja e kamatëvonesës
1.  Norma bazë e interesit për lekun, e zbatueshme për llogaritjen e kamatëvonesës do të jetë:
a) për gjashtëmujorin e parë të vitit, sa norma e interesit të marrëveshjeve të riblerjes dhe të anasjellta të riblerjes (REPO dhe REPO të anasjellta), miratuar me vendimin e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë  në mbledhjen e fundit të vitit paraardhës, duke i shtuar tetë pikë përqindjeje;
b) për gjashtëmujorin e dytë të vitit, sa norma e interesit të marrëveshjeve të riblerjes dhe të anasjellta të riblerjes (REPO dhe REPO të anasjellta), miratuar me vendimin e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë në mbledhjen e fundit përpara datës 1 korrik të vitit korent, duke i shtuar tetë pikë përqindjeje.
2. Norma bazë e interesit për monedhën euro, e zbatueshme për llogaritjen e kamatëvonesës, do të jetë:
a) për gjashtëmujorin e parë të vitit, sa norma e interesit të operacioneve kryesore të rifinancimit, të miratuara me vendimin e Këshillit Drejtues të Bankës Qendrore Evropiane në mbledhjen e fundit të vitit paraardhës, duke i shtuar tetë pikë përqindjeje;
b) për gjashtëmujorin e dytë të vitit, sa norma e interesit të operacioneve kryesore të rifinancimit, të miratuara me vendimin e Këshillit Drejtues të Bankës Qendrore Evropiane në mbledhjen e fundit përpara datës 1 korrik të vitit korrent, duke i shtuar tetë pikë përqindjeje.
3. Norma bazë e interesit për monedhat e tjera, e zbatueshme për llogaritjen e kamatëvonesës, do të jetë sipas llogaritjes në lekë të normës së interesit, duke marrë si kurs të llogaritjes në lekë të detyrimit kursin e ditës që kërkohet pagesa e kamatëvonesës ligjore.
Neni 6
Afati
Kur nga kontrata apo nga ndonjë dispozitë tjetër ligjore nuk mund të përcaktohet ndonjë afat a datë për kryerjen e pagesës, llogaritja e kamatëvonesës fillon në mënyrë automatike pa qenë nevoja për të njoftuar debitorin për skadimin e afateve ligjore. Kreditorit, të cilit debitori nuk i ka kundërshtuar furnizimin me mallra apo shërbime, i lind e drejta për të marrë kamatëvonesë duke filluar nga dita e nesërme pas datës së afatit të pagesës të përcaktuar në kontratë.
Në ato raste kur debitori ka refuzuar të marrë në dorëzim mallin apo kryerjen e shërbimeve për shkak të pretendimeve që ai ka mbi to, afatet e parashikuara në këtë nen llogariten duke filluar nga data e rënies dakord ndërmjet kreditorit dhe debitorit për pranimin e mallrave, punimeve apo të shërbimeve të kryera nga kreditori.
Në rastet kur afati i pagesës nuk është i përcaktuar në kontratë, kreditori ka të drejtë të marrë kamatëvonesë pa pasur nevojë për t’i njoftuar debitorit vonesën, duke filluar nga përfundimi i afateve si më poshtë vijon:
a) 30 (tridhjetë) ditë kalendarike pas datës së marrjes prej debitorit të faturës ose të një kërkesëpagese të njëvlershme;
b) 30 (tridhjetë) ditë kalendarike pas datës së marrjes së mallrave ose shërbimeve, kur nuk është e qartë data e marrjes së faturës ose kërkesëpagesës së njëvlershme;
c) kur debitori e merr faturën ose kërkesëpagesën e njëvlershme përpara lëvrimit të mallrave ose shërbimeve, 30 (tridhjetë) ditë kalendarike pas datës së marrjes së mallrave ose shërbimeve;
ç) kur ligji a kontrata parashikon një procedurë të marrjes në dorëzim ose të kolaudimit, përmes së cilës vërtetohet përputhshmëria e mallrave a shërbimeve me kontratën dhe nëse debitori e merr faturën ose kërkesëpagesën e njëvlershme përpara ose në datën kur bëhet marrja në dorëzim apo kolaudimi në fjalë, 30 (tridhjetë) ditë kalendarike pas kësaj date.
Afati i parashikuar në shkronjën “a”, të paragrafit të parë, të këtij neni, mund të zgjatet jo më shumë se 60 (gjashtëdhjetë) ditë kalendarike.
Afatet kontratore për kryerjen e pagesave nuk mund të jenë më të gjata se 60 (gjashtëdhjetë) ditë nga data e parashikuar në shkronjën “a”, të paragrafit të parë, të këtij neni. Në ato raste kur me kontratë apo në marrëveshje me palët është caktuar një afat tjetër, ky afat do të konsiderohet i vlefshëm, me përjashtim të rasteve kur dëmton dhe vë në pozitë diskriminuese kreditorin.
Neni 7
Afati për autoritetet publike
Në transaksionet tregtare në të cilat debitori është autoritet publik dhe,
a) kur kreditori i ka përmbushur të gjitha detyrimet e tij sipas ligjit dhe kontratës;
b) kur kreditori nuk është paguar, me përjashtim të rastit kur vonesa nuk ka ardhur për faj të debitorit;
c) kur nga kontrata apo nga ndonjë dispozitë tjetër ligjore nuk mund të përcaktohet ndonjë afat a datë për kryerjen e pagesës
afati i pagesës nuk duhet të jetë më i gjatë se:
a) 30 (tridhjetë) ditë kalendarike pas datës së marrjes nga ana e debitorit të faturës ose të një kërkesëpagese të njëvlershme;
b) 30 (tridhjetë) ditë kalendarike pas datës së marrjes së mallrave ose shërbimeve, kur nuk është e qartë data e marrjes së faturës ose kërkesëpagesës së njëvlershme;
c) 30 (tridhjetë) ditë kalendarike pas datës së marrjes së mallrave ose shërbimeve, kur debitori e merr faturën ose kërkesëpagesën e njëvlershme përpara lëvrimit të mallrave ose shërbimeve;
ç) kur ligji a kontrata parashikon një procedurë të marrjes në dorëzim ose të kolaudimit, përmes së cilës vërtetohet përputhshmëria e mallrave a shërbimeve me kontratën, dhe nëse debitori e merr faturën ose kërkesëpagesën e njëvlershme përpara ose në datën kur bëhet marrja në dorëzim apo kolaudimi në fjalë, 30 (tridhjetë) ditë kalendarike pas kësaj date.
Në ato raste kur ndërmjet kreditorit dhe debitorit ka një datë të përcaktuar për dorëzimin e faturës, afatet për pagimin e kamatëvonesave fillojnë të llogariten që nga e nesërmja e datës së përcaktuar në marrëveshje.
Afati i parashikuar në shkronjën “a”, të paragrafit të parë, të këtij neni, mund të zgjatet jo më shumë se 60 (gjashtëdhjetë) ditë kalendarike, me përjashtim të rasteve kur në kontratë apo marrëveshje është rënë dakord për një afat tjetër.
Në ato raste kur autoriteti publik ka refuzuar të marrë në dorëzim mallin apo kryerjen e shërbimeve, për shkak të pretendimeve që ai ka mbi to, afatet e parashikuara në këtë nen llogariten duke filluar nga data e rënies dakord ndërmjet kreditorit dhe debitorit për pranimin e mallrave, punimeve apo të shërbimeve të kryera nga kreditori.
Afati i parashikuar në paragrafin e parë, të këtij neni, i jep të drejtë kreditorit të kërkojë të marrë kamatëvonesë pas 60 (gjashtëdhjetë) ditëve kalendarike gjithsej, duke përfshirë 30 (tridhjetë) ditët kalendarike të vonesës nga Thesari, në shtesë nga 30 (tridhjetë) ditët e vonesës së pagesës për shkak të autoritetit publik.
Neni 8
Zgjatja e afateve për autoritet publike
Afatet e parashikuara në nenin 7, të këtij ligji, nuk zbatohen për sa i përket pagesave të vonuara për transaksionet e kryera me autoritete publike që ofrojnë shërbime në fushën e kujdesit shëndetësor. Në këto raste afatet nuk mund të jenë më të gjata se një vit kalendarik, duke filluar nga data kur ka lindur e drejta për të kërkuar kryerjen e pagesës për shitjen e mallrave apo dhënien e shërbimeve.
Neni 9
Pagesat me këste
Për pagesat të cilat, sipas marrëveshjes së palëve, është parashikuar që të kryhen në periudha kohore të ndryshme, nëse ndonjëri prej kësteve nuk paguhet brenda datës për të cilën është rënë dakord, kamatëvonesa dhe dëmshpërblimi i parashikuar në këtë ligj llogariten në bazë të vlerave për këstin, të cilit i ka kaluar afati i kryerjes së pagesës.
Neni 10
Afatet e marrjes në dorëzim të mallrave
Në ato raste kur, nga kontrata ose marrëveshja e palëve, është parashikuar që mallrat do të merren sipas një procedure dorëzimi apo në rastet kur duhet të bëhet kolaudimi i tyre, afati i marrjes në dorëzim apo i kolaudimit të mallrave nuk mund të jetë më i gjatë se 30 (tridhjetë) ditë kalendarike. Ky afat fillon të llogaritet nga e nesërmja e mbërritjes së mallit në destinacionin e përcaktuar nga blerësi.
Nëse në kontratën apo marrëveshjen e palëve është përcaktuar në afat tjetër, i ndryshëm nga ai i parashikuar në paragrafin e parë të këtij neni, ky afat do të quhet i vlefshëm, me kusht që, nisur nga natyra e mallit apo nga praktika tregtare, të mos jetë në dëm të interesave të kreditorit dhe të mos e vërë këtë të fundit në një pozitë diskriminuese.
Neni 11
Shpërblimi i shpenzimeve për rikthimin e kredisë
Kreditori ka të drejtë të kërkojë nga debitori jo vetëm pagimin në favor të tij të kamatëvonesës për moskryerjen e pagesës në afat, por edhe pagimin e të gjitha shpenzimeve të kryera prej tij për rikthimin e kredisë, shpenzime këto të kryera për shkak të pagesës me vonesë, përveç rasteve kur debitori nuk është në faj për vonesën.
Shpenzimet e parashikuara në paragrafin e parë të këtij neni llogariten si kosto shtesë ndaj shumës që ka lindur për shkak të pagesës së vonuar dhe përfshijnë çdo shpenzim të provuar të kreditorit, që ai ka kryer kundrejt avokatëve, shpenzime të tjera ligjore të kryera për të bërë të mundur arkëtimin e pagesës, si dhe çdo shpenzim të paguar prej tij për të vënë në ekzekutim pagimin e shumës së detyrimit.
Neni 12
Pagimi i shpenzimeve
Në rastin e pagesës së vonuar, debitori ka detyrimin për të paguar në favor të kreditorit, përveç shpenzimeve të parashikuara në nenin 11, të këtij ligji, edhe një dëmshpërblim në shumën prej 5 000 (pesë mijë) lekësh. Kjo shumë është e pagueshme menjëherë pa qenë nevoja e kryerjes së ndonjë njoftimi nga kreditori për pagimin e saj.
Neni 13
Kushtet kontraktore
Çdo marrëveshje që përjashton palët nga detyrimi për pagimin e kamatave, në rastet e pagesës së vonuar, është e pavlefshme.
Janë të padrejta dhe nuk krijojnë efekte juridike ato kushte kontraktore në lidhje me kushtet, afatet apo norma të tjera për llogaritjen e kamatëvonesave, si dhe për mospagimin e shpenzimeve për rikthimin e kredisë sipas përcaktimeve të nenit 11, të këtij ligji, për aq kohë sa ato sjellin një dëmtim të shpërpjesëtuar të interesave të kreditorit dhe e vendosin këtë të fundit në një pozitë diskriminuese.
Për konstatimin e një kushti të padrejtë, sipas paragrafit të mësipërm, i cili përkeqëson gjendjen e kreditorit, duhet të merren në konsideratë të gjitha rrethanat e rastit, duke përfshirë:
a) çdo shmangie thelbësore nga praktika e mirë tregtare e cila bie ndesh me parimet e mirëbesimit dhe paanësisë;
b) natyrën e mallit apo të shërbimit me të cilin është furnizuar debitori;
c) faktin nëse ka arsye objektive që të sjellë për pasojë shtyrjen e afateve të kontratës sipas parashikimeve të neneve 6 dhe 7, të këtij ligji; ose
ç) faktin nëse ka arsye objektive që të sjellë për pasojë shmangien në kryerjen e pagesës së parashikuar në nenin 12, të këtij ligji,
Neni 14
Pasojat e pavlefshmërisë së kushteve kontraktore
Në rast se një kusht kontraktor është i pavlefshëm, sipas nenit 13, të këtij ligji, kreditori ka të drejtë të kërkojë shpërblimin për dëmin e ardhur nga zbatimi i këtyre kushteve.
Nëse palët i kanë paguar njëra-tjetrës pagesa të llogaritura tej normave të përcaktuara në këtë ligj, pala e cila ka kryer pagesën ka të drejtën e kërkimit të shumës së paguar tepër si dhe të shpërblimit për dëmin e ardhur.
Neni 15
Detyrimet e sipërmarrjeve tregtare para hyrjes në fuqi të ligjit
Parashikimet e këtij ligji nuk do të zbatohen për detyrimet monetare që kanë të bëjnë me furnizimet e kryera për mallra dhe shërbime ndërmjet sipërmarrjeve tregtare të lindura para hyrjes në fuqi të këtij ligji, por që nuk janë përmbushur ende dhe që për to nuk kanë filluar procedurat për vënien në ekzekutim të tyre.
Për detyrimet e parshikuara në paragrafin e parë të këtij neni, për të cilat ka një vendim gjykate, kreditori nuk ka të drejtë të kërkojë pagimin e kamatëvonesave dhe pagesave të tjera që lidhen me rikuperimin e pagesës sipas parashikimeve të këtij ligji.
Neni 16
Titulli ekzekutiv
1. Detyrimet për transaksione tregtare, të cilat nuk janë shlyer brenda afatit të pagesës përkatëse sipas këtij ligji, përbëjnë titull ekzekutiv, pavarësisht vlerës, kur:
a) kreditori ka lëvruar mallrat apo kryer shërbimet sipas kontratës dhe ligjit dhe
b) debitori nuk e ka kundërshtuar detyrimin.
2. Në këto raste, detyrimi së bashku me kamatëvonesat dhe me shpërblimin për shpenzimet për rikthimin e kredisë mund të vihen në ekzekutim të detyrueshëm, në përputhje me parashikimet e Kodit të Procedurës Civile.
Neni 17
Detyrimet e autoriteteve publike para hyrjes në fuqi të ligjit
Për detyrimet e autoriteteve publike kundrejt ndërmarrjeve tregtare të lindura dhe të paekzekutuara para hyrjes në fuqi të këtij ligji nuk zbatohen parashikimet e këtij ligji. Nuk mund të kërkohet zbatimi i parashikimeve të këtij ligji në rastet e ekzekutimit të detyrimeve pas hyrjes në fuqi të këtij ligji nga ana e autoriteteve publike dhe të lindura para hyrjes në fuqi të këtij ligji.
Neni 18
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit të tij në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
ILIR  META

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.