Projektligje të miratuara në mbledhjen e datës 12 mars 2014
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.9355, DATË 10.3.2005, “PËR NDIHMËN DHE SHËRBIMET SHOQËRORE”, TË NDRYSHUAR”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, më propozimin e ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.9355, datë 10.3.2005, “Për ndihmën dhë shërbimet shoqërore”, të ndryshuar”, për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
—
P R O J E K T L I GJ
PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.9355, DATË 10.3.2005, “PËR NDIHMËN DHË SHËRBIMET SHOQËRORE”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Në ligjin nr.9355, datë 10.3.2005, “Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore”, të ndryshuar, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
Neni 1
Në pikën 1, të nenit 1, pas fjalëve “… ruajtjen e integritetit …” shtohen “ … e përfshirjen shoqërore për …”.
Neni 2
Pika 13, e nenit 4, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“13. “Të ardhura të familjes” janë të ardhurat e të gjithë anëtarëve të familjes nga çdo lloj burimi, përfshirë dhe ata anëtarë që jetojnë dhe punojnë jashtë shtetit. Nuk përfshihen në të ardhurat e familjes pagesat që marrin anëtarët e familjes me aftësi të kufizuar, në kuptim të këtij ligji.”.
Neni 3
Pika 5, e nenit 5, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“5.Viktimat e dhunës në marrëdhëniet familjare, për periudhën e vlefshmërisë së urdhrit të mbrojtjes ose të urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes, që nuk trajtohen në institucionet e përkujdesjes shoqërore”.
Neni 4
Pas pikës 3, të nenit 9, shtohen pikat 4 dhe 5, me këtë përmbajtje:
“4. Personat që me vendim të formës së prerë të gjykatës vuajnë dënimin me heqje lirie.
5. Personat që trajtohen në institucionet e përkujdesjes rezidenciale publike të financuara nga fondet e buxhetit të shtetit për masën e ndihmës ekonomike apo pagesën për aftësinë e kufizuar.”.
Neni 5
Pika 2, e nenit 11, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“2. Përfituesve, të klasifikuar me vendim të KMCAP-së në grupet e aftësisë së kufizuar, u ndërpritet pagesa pas 24 (njëzet e katër) muajsh punësimi. Procedurat në rastet e rikthimit në skemën e përfitimit të pagesës së aftësisë së kufizuar përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.”.
Neni 6
Pika 2, e nenit 20, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“2. Kërkesa për të përfituar ndihmë ekonomike bëhet me shkrim nga:
a) kryetari i familjes;
b) secili prej bashkëshortëve në rastet kur ata janë në proces zgjidhjeje martese dhe nuk ka ende vendim gjykate të formës së prerë.”.
Neni 7
Në nenin 22 bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
1. Pas fjalëve “… buxhetit të shtetit …” shtohen “… duke përfshirë edhe shpenzimet e shërbimit shëndetësor/mjekësor …”.
2. Paragrafi i parë numërtohet “1” dhe shtohet pika 2, me këtë përmbajtje:
“2. Përfituesit e shërbimeve shoqërore, të përcaktuar në nenin 6, të ligjit, përfshihen në kategorinë e personave ekonomikisht joaktivë, në kuptim të skemës së sigurimeve të detyrueshme të kujdesit shëndetësor. Kontributi në fondin e sigurimeve të detyrueshme shëndetësore për këto kategori paguhet nga buxheti i shtetit.”.
Neni 8
Pas nenit 41 shtohet neni 41/1, me këtë përmbajtje:
“Neni 41/1
Ankimi për përfitimin e ndihmës ekonomike
1. Aplikuesi, për përfitimin e ndihmës ekonomike në zonat pilot, kur gjykon se vendimi zyrtar i organit përkatës është i padrejtë, mund t’i paraqesë ankesë me shkrim kryetarit të njësisë së qeverisjes vendore. Ankesat bëhen brenda 7 (shtatë) ditëve pas marrjes së njoftimit. Organi i njësisë së qeverisjes vendore shqyrton ankesën dhe njofton me shkrim ankuesin brenda 5 (pesë) ditëve pas marrjes së ankesës.
2. Aplikuesi, për përfitimin e ndihmës ekonomike, kur gjykon se vendimi i marrë nga organi i qeverisjes vendore nuk është i drejtë, i paraqet ankesë me shkrim drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit Social Shtetëror. Ankesat dorëzohen brenda 5 (pesë) ditëve nga data e marrjes së vendimit nga njësia e qeverisjes vendore.
3. Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Social Shtetëror, pas shqyrtimit dhe verifikimit të ankesës, njofton me shkrim për vendimin e marrë aplikuesin për përfitimin e ndihmës ekonomike, brenda 10 (dhjetë) ditëve pas marrjes së ankesës.”.
Neni 9
Fjalia e parë, e pikës 1, të nenit 42/1, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Kërkesa për të përfituar ndihmën ekonomike bëhet me shkrim nga kryetari i familjes/individit në nevojë dhe nwnshkruhet nga të gjithë anëtarët madhorë të saj.”.
Neni 10
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
ILIR META
***
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES SË HUASË, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE FONDIT SAUDIT PËR ZHVILLIM, PËR FINANCIMIN E PROJEKTIT TË NDËRTIMIT TË RRUGËS TIRANË – ELBASAN – QUKËS – QAFË E PLLOÇËS”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes së huasë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Fondit Saudit për Zhvillim, për financimin e projektit të ndërtimit të rrugës Tiranë – Elbasan – Qukës – Qafë e Plloçës,” për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
—
P R O J E K T L I GJ
PËR
RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES SË HUASË, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE FONDIT SAUDIT PËR ZHVILLIM, PËR FINANCIMIN E PROJEKTIT TË NDËRTIMIT TË RRUGËS TIRANË – ELBASAN – QUKËS – QAFË E PLLOÇËS
Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 121, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Neni 1
Ratifikimin e marrëveshjes së huasë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Fondit Saudit për Zhvillim, për financimin e projektit të ndërtimit të rrugës Tiranë – Elbasan – Qukës – Qafë e Plloçës, nëpërmjet një huaje prej 93 750 000 (nëntëdhjetë e tre milionë e shtatëqind e pesëdhjetë mijë) Saudi Riyals (ekuivalent me 25 000 000 US$).
Neni 2
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
ILIR META