Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave
Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, 21 maj 2014
 
V E N D I M
 
PËR
 
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR SHËRBIMIN PRIVAT TË SIGURISË FIZIKE”
 
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:
 
Propozimin e projektligjit “Për shërbimin privat të sigurisë fizike”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
 
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
 
K R Y E M I N I S T R I
 
EDI  RAMA
 
#
 
P R O J E K T L I GJ
 
PËR
 
SHËRBIMIN PRIVAT TË SIGURISË FIZIKE 
 
Në mbështetje të neneve 78 e 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
 
V E N D O S I:
 
KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
 
Neni 1
Qëllimi
 
Ky ligj ka si qëllim rregullimin e veprimtarisë së shërbimit privat të sigurisë fizike në Republikën e Shqipërisë. 
 
Neni 2
Objekti i ligjit
 
Objekt i këtij ligji janë:
 
a) sigurimi fizik i objekteve shtetërore dhe private, i personave, si dhe i veprimtarive social-kulturore sportive, fetare e politike; 
b) sigurimi dhe shoqërimi i vlerave monetare, materiale dhe i sendeve të çmuara gjatë transportit.
 
Neni 3
Përkufizime
 
Për qëllimet e këtij ligji, termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
 
1. “Besueshmëria”, procesi i verifikimit të të dhënave të individit në raport me ato të regjistrave fizikë dhe elektronikë të të gjitha institucioneve shtetërore.
 
2. “Certifikatë”, dokumenti, që i jepet titullarit të subjektit, drejtuesit teknik dhe punonjësit të shërbimit, i cili vërteton aftësinë e tyre për ushtrimin e detyrave përkatëse.
 
3. “DPPSH”, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit.
 
4. “DPQ”, Drejtoria e Policisë së Qarkut.
 
5. “Drejtues teknik”, menaxheri më i lartë teknik për organizimin, drejtimin dhe kontrollin e këtij shërbimi.
 
6. “KSHA”, Komisioni i Shqyrtimit të Ankesave, i ngritur në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe drejtorinë e policisë së qarkut për vlerësimin dhe shqyrtimin e ankesave në lidhje me shërbimin e SHPSF-ve.
 
7. “KSHKC”, komisioni i shqyrtimit të kërkesave për certifikim të punonjësve të shërbimit, në drejtoritë e policisë së qarqeve.
 
8. “KSHKCL”, Komisioni i Shqyrtimit të Kërkesave për Certifikim dhe Licencim, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
 
9. “Licencë”, akti administrativ që i njeh titullarit të saj të drejtën të fillojë të ushtrojë tipin e veprimtarisë, në përputhje me kushtet e përcaktuara në të.
 
10. “Ministri”, ministri përgjegjës për rendin dhe sigurinë publike.
 
11. “Objekti në sigurim”, personat, objektet e hapura dhe të mbyllura ku ushtrohet shërbimi privat i sigurisë fizike.
 
12. “Pajisjet e shërbimit”, pajisjet e miratuara sipas akteve ligjore e nënligjore të nevojshme për përmbushjen e detyrës.
 
13. “Pajisjet elektronike”, pajisjet audio dhe video që përdoren në funksion të qëllimit të këtij ligji.
 
14. “Palët”, subjektet që hyjnë në marrëdhënie kontraktuale për veprimtarinë e sigurisë fizike.
 
15. “Përdorimi i armës”, e drejta që i jepet punonjësit të këtij shërbimi për të përdorur armët e zjarrit, në zbatim të ligjit në fuqi.
 
16. “Përdorimi i forcës”, e drejta që i jepet punonjësit të këtij shërbimi për përdorimin e forcës fizike, si dhe për përdorimin e pajisjeve të shërbimit, gjatë përmbushjes së detyrës.
 
17. “Punonjësi i shërbimit”, shtetasi i certifikuar në fushën e shërbimeve private të sigurisë fizike.
 
18. “Qendra e menaxhimit dhe kontrollit”, ambienti me mjete/pajisje që shërben për menaxhimin, kontrollin e veprimtarisë private të sigurisë fizike.
 
19. “QKL”,  Qendra Kombëtare e Licencimit.
 
20. “QKR”, Qendra Kombëtare e Regjistrimit.
 
21. “QKSH”, Qendra e Kontrollit të Shërbimit.
 
22. “Standarde profesionale”, tërësia e rregullave dhe akteve normative në fuqi të detyrueshme për t’u zbatuar nga subjektet e licencuara për shërbimin privat të sigurisë fizike.
 
23. “SHPSF (shërbimi privat i sigurisë fizike)”, shërbimi që ofrohet nga subjekti privat i licencuar për sigurimin e objekteve shtetërore, private, personave si dhe të veprimtarive social-kulturore, sportive, fetare, të vlerave monetare, materiale dhe sendeve të çmuara gjatë transportit, në bazë të detyrimeve kontraktuale.
 
24. “Titullar i licencës”, personi juridik që ka marrë një licencë.
 
25. “Titullar i subjektit”, përfaqësuesi ligjor i subjektit.
 
26. “Trajnimi”, procesi i edukimit tekniko-profesional për kryerjen e shërbimit të  sigurisë fizike.
 
27. “Vërtetimi i besueshmërisë”, akti administrativ i organit përgjegjës të Policisë së Shtetit ku dokumentohet procesi i verifikimit të besueshmërisë.
 
KREU II
CERTIFIKIMI DHE LICENCIMI
 
Neni 4 
Parime të përgjithshme
 
Subjektet e SHPSF-së u nënshtrohen procedurave për certifikim dhe licencim në përputhje me këtë ligj dhe legjislacionin  në fuqi për licencat, autorizimet dhe lejet në Republikën e Shqipërisë. 
 
Neni 5
Certifikimi 
 
1. Certifikimi i titullarit dhe i drejtuesit teknik të SHPSF-së është kompetencë e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.
 
2. Certifikimi i punonjësit të shërbimit është kompetencë e drejtorit të policisë së qarkut.
 
3. Vendimet e certifikimit, sipas përcaktimeve në pikat 1 dhe 2, të këtij neni, lëshohen duke u bazuar respektivisht në mendimin paraprak të KSHKCL-së dhe KSHKC-së.
 
4. Pajisja me certifikatë e titullarit të subjektit dhe drejtuesit teknik bëhet brenda 45 (dyzet e pesë) ditëve, ndërsa për punonjësin e shërbimit bëhet brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga dita e plotësimit të formularit të kërkesës për aplikim.
 
5. Certifikata është e vlefshme për 4 (katër) vjet, me të drejtë ripërtëritjeje, për titullarin e subjektit, ndërsa për drejtuesin teknik dhe punonjësin e shërbimit është pa afat.
 
6. Përbërja e KSHKLC-së dhe KSHKC-së, procedurat e shqyrtimit të kërkesave për certifikimin dhe licencimit  rregullohen me udhëzim të ministrit.
 
Neni 6 
Licencimi
 
1. Licencimi i subjekteve të SHPSF-ve bëhet sipas kritereve dhe procedurave të përcaktura në legjislacionin në fuqi për licencat, autorizimet dhe lejet në Republikën e Shqipërisë.
 
2. Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit publikon në Regjistrin Kombëtar të Licencave dhe Lejeve vendimin e miratimit ose të refuzimit të kërkesës për licencim, bazuar në propozimin e KSHKCL-së.
 
3. Licenca është e vlefshme për 4 (katër) vjet. 
 
Neni 7
Kategoritë e licencës 
 
Licencat, sipas këtij ligji, ndahen në dy nënkategori:
 
a) Nënkategoria I.3.A, “Sigurimi fizik i objekteve shtetërore e private, i personave, si dhe veprimtarive social-kulturore, sportive, fetare e politike”, i cili ushtrohet në të gjithë territorin e vendit. 
b) Nënkategoria I.3.B, “Sigurimi dhe shoqërimi i vlerave monetare e sendeve të çmuara gjatë transportit”, i cili ushtrohet në të gjithë territorin e vendit.
 
Neni 8
E drejta e përfitimit njëkohësisht të nënkategorive të licencës
 
Çdo subjekt ka të drejtë të përfitojë njëkohësisht licencën e nënkategorisë I.3.A dhe I.3.B, me kusht që për secilën nënkategori të ketë drejtues teknik më vete.
 
Neni 9
Llojet e certifikatave
 
1. Certifikatat për titullarin e SHPSF-së, për drejtuesin teknik dhe për punonjësin e shërbimit ndahen në lloje sipas nënkategorive të licencës.
 
2. Çdo i interesuar për punonjës shërbimi të SHPSF-së ka të drejtë të pajiset me certifikatë sipas nënkategorive të licencave. 
 
Neni 10
Kriteret për certifikimin e titullarit 
 
Pajiset me certifikatën e titullarit të SHPSF-së personi që plotëson këto kritere:
 
a) Të ketë zotësi të plotë juridike për të vepruar, si dhe të ketë punuar në institucionet publike e jopublike në funksione menaxheriale jo më pak se 5 (pesë) vjet;
b) Të përmbushë kriterin e besueshmërisë sipas kuptimit që i jep ky ligj, si dhe të ortakëve të tij në rast se ka;
c) Të mos ketë qenë dënuar më parë me vendim të formës së prerë për vepra penale.
 
 
Neni  11
Kriteret për certifikimin e drejtuesit teknik
 
1. Pajiset me certifikatën e drejtuesit teknik personi që plotëson këto kritere:
 
a) Të jetë shtetas shqiptar me banim të përhershëm në Republikën e Shqipërisë;
b) Të ketë  zotësi të plotë juridike për të vepruar;
c) Të ketë aftësi fizike e mendore për të kryer detyrën, të vërtetuar me raportin mjekësor nga komisioni përkatës;
ç) Të ketë mbajtur gradën policore të nivelit të parë drejtues ose të ketë arsimin e lartë ushtarak, si dhe të ketë përfunduar trajnimin profesional që organizohet për këtë qëllim;
d) Të përmbushë kriterin e besueshmërisë sipas kuptimit që i jep ky ligj;
dh) Të mos ketë qenë dënuar më parë me vendim të formës së prerë për vepra penale të kryera me dashje.
 
2. Kur personi që kërkon të pajiset me certifikatën e drejtuesit teknik është ish-punonjës i Policisë së Shtetit dhe ka pasur gradën policore minimale të nivelit të parë drejtues nuk kryen trajnimin profesional.
 
Neni 12
Kriteret për certifikimin e  punonjësit të shërbimit
 
1. Pajiset me certifikatën e punonjësit të shërbimit personi që plotëson këto kritere:
 
a) Të ketë mbushur moshën 18 vjeç;
b) Të ketë zotësi të plotë juridike për të vepruar;
c) Të ketë aftësi fizike e mendore për të kryer detyrën, të vërtetuar me raportin mjekësor nga komisioni përkatës;
ç) Të jetë shtetas shqiptar me banim të përhershëm në Republikën e Shqipërisë;
d) Të ketë kryer arsimin e mesëm;
dh) Të përmbushë kriterin e besueshmërisë sipas kuptimit që i jep ky ligj;
e) Të mos ketë qenë i dënuar më parë me vendim të formës së prerë për vepra penale të kryera me dashje;
ë) Të ketë kryer, në qendrën e trajnimit të licencuar, kursin e nevojshëm profesional dhe të jetë pajisur me dëshminë përkatëse.
 
2. Kur personi që kërkon të pajiset me certifikatën e punonjësit të shërbimit të sigurisë fizike është ish-punonjës i Policisë së Shtetit apo i strukturave të tjera ligjzbatuese me gradë policore e ushtarake nuk kryen kursin e nevojshëm profesional dhe testimin. 
 
Neni 13
Certifikimi i shtetasve të huaj
 
Shtetasit e huaj gëzojnë të drejtën të certifikohen si titullarë të subjektit nëse plotësojnë, përveç kritereve të veçanta të përcaktuara në këtë ligj, edhe kriteret e mëposhtme:
 
a) Të jetë i pajisur me leje pune nga autoritetet përgjegjëse të Republikës së Shqipërisë; 
b) Të jetë i pajisur me leje qëndrimi në Republikën e Shqipërisë;
c) Të përmbushë kriterin e besueshmërisë, sipas kuptimit të këtij ligji.
 
Neni 14
Kriteret për licencim
 
1. Për pajisjen me licencë të nënkategorisë I.3.A subjekti duhet të plotësojë këto kritere:
 
a) Subjekti të jetë i regjistruar në QKR si sh.a. ose sh.p.k. dhe të ketë përcaktuar më parë drejtuesin teknik për këtë veprimtari;
b) Titullari i subjektit të jetë i pajisur me certifikatën e nënkategorisë I.3.A;
c) Drejtuesi teknik të jetë i pajisur me certifikatën e nënkategorisë I.3.A dhe të jetë me kohë të plotë pune;
ç) Të ketë lidhur kontratë pune ndërmjet titullarit dhe drejtuesit teknik.
 
2. Për pajisjen me licencë të nënkategorisë I.3.B subjekti duhet të plotësojë këto kritere:
 
a) Subjekti të jetë i regjistruar në QKR si sh.a. ose sh.p.k. dhe të ketë përcaktuar më parë drejtuesin teknik për këtë veprimtari;
b) Titullari i subjektit të jetë i pajisur me certifikatën e nënkategorisë I.3.B;
c) Drejtuesi teknik të jetë i pajisur me certifikatën e nënkategorisë I.3.B dhe të jetë me kohë të plotë pune;
ç)   Të ketë lidhur kontratë pune ndërmjet titullarit dhe drejtuesit teknik.
 
Neni 15 
Refuzimi për dhënien e certifikatës dhe të licencës
 
1. Vendimi i refuzimit të kërkesës për pajisjen me certifikatë të titullarit të subjektit dhe drejtuesit teknik bëhet me vendim të arsyetuar të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.
 
2. Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit publikon në Regjistrin Kombëtar të Licencave dhe Lejeve vendimin e refuzimit të kërkesës për licencim.
 
3. Vendimi i refuzimit të kërkesës për pajisjen me certifikatë për punonjës shërbimi bëhet me vendim të arsyetuar të drejtorit të policisë së qarkut. 
 
Neni 16
E drejta e ankimimit
 
1. Ankimimi ndaj vendimit të refuzimit për pajisjen me certifikatë të titullarit të subjektit, drejtuesit teknik dhe punonjësit të shërbimit bëhet brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e marrjes së vendimit të refuzimit në komisionin e shqyrtimit të ankesave (KSHA), sipas përkatësisë.
 
2. Ankimimi ndaj vendimit të refuzimit të dhënies dhe revokimit të licencës bëhen sipas ligjit “Për licencat, autorizimet dhe lejet në Republikën e Shqipërisë’’.
 
3. Komisioni i shqyrtimit të ankesave bën shqyrtimin e ankimeve brenda 30 (tridhjetë) ditëve, në përputhje me Kodin e Procedurave Administrative.
 
4. Përbërja, kompetencat, si dhe procedurat e funksionimit të komisionit të shqyrtimit të ankesave përcaktohen me udhëzim të ministrit.
 
5. Ankimimi ndaj vendimit të mosmiratimit të certifikimit, të dhënë pas shqyrtimit të ankimit administrativ, bëhet drejtpërdrejt në gjykatën administrative. 
 
Neni 17
Ripërtëritja e afatit të certifikatës
 
1. Ripërtëritja e afatit të certifikatës për titullarin e subjektit bëhet me mbarimin e afatit 4-vjeçar nga koha e dhënies së saj.
 
2. Titullari i subjektit duhet të bëjë aplikimin për ripërtëritjen e certifikatës 90 (nëntëdhjetë) ditë kalendarike para datës së përfundimit të afatit.
 
3. Për titullarin e subjektit, ripërtëritja e certifikatës bëhet pasi rishqyrtohen kriteret e pikave “b” dhe “c”, të nenit 10, të këtij ligji. 
 
4. Në rastin e ripërtëritjes, certifikata jepet brenda afatit të përcaktuar në këtë ligj.
 
5. Mosparaqitja e kërkesës për ripërtëritje, nga ana e subjektit të shoqërisë, brenda afatit të përcaktuar në këtë ligj sjell mosripërtëritjen e certifikatës.
 
6. Mosripërtëritja e certifikatës nuk e pushon të drejtën e aplikimit për pajisje me certifikatë të re.
 
KREU III
MARRËDHËNIET NDËRMJET PALËVE
 
Neni 18
Kontrata ndërmjet palëve
 
1. Palët lidhin kontratë, ndërmjet tyre, për kryerjen e shërbimit për ushtrimin e veprimtarisë private të sigurisë fizike, e cila duhet të përmbajë:
 
a) Nënkategorinë e licencës;
b) Drejtuesin teknik;
c) Objektin konkret në ruajtje;
ç) Rregullat për regjimin e hyrjes dhe daljes, të ndriçimit, të rrethimit, të mjeteve vëzhguese e sinjalizuese;
d) Numrin e vendrojeve dhe të punonjësve të shërbimit, sipas koeficientit të llogaritjes për 40 orë pune në javë për një punonjës shërbimi;
 
Për objekte të rëndësishme me vlera monetare, materiale e rrezikshmëri për sigurinë publike, përcaktimi i skemës së sigurisë së objektit bëhet me miratim të Policisë së Shtetit;
 
dh) Llojin e armatimit, të pajisjeve dhe të mjeteve të shërbimit;
e)   Llojin e uniformës, simbolet, shenjat dalluese;
ë) Detyrimet financiare midis tyre, në raste të shkaktimit të dëmit;
f) Detyrat dhe të drejtat e palëve, afatin e lidhjes së kontratës, si dhe mënyrat e zgjidhjes së saj.
 
2. Nuk lejohet nënkontraktimi i kësaj veprimtarie nga një subjekt i SHPSF-së te tjetri. 
 
Neni  19
Mbikëqyrja e veprimtarisë së SHPSF-ve
 
Mbikëqyrja e veprimtarisë së SHPSF-ve i nënshtrohet inspektimit të rregullt nga strukturat përgjegjëse të Policisë së Shtetit, gjatë të cilit zbatohet legjislacioni në fuqi për inspektimin në Republikën e Shqipërisë.
 
Neni 20
Kompetencat mbikëqyrëse
 
1. Strukturat e Policisë së Shtetit kanë këto kompetenca për mbikëqyrjen e veprimtarisë së SHPSF-së:
 
a) Kryejnë monitorimin, nëpërmjet dokumentacionit, për aktivitetin e  shoqërive  të  sigurisë fizike;
b) Kryejnë  inspektime për veprimtarinë e shoqërive të sigurisë fizike.
c) Kryejnë inspektime për mënyrën e kryerjes së detyrës nga punonjësit e këtij shërbimi;
ç)  Kryejnë inspektime për kriteret e mbajtjes dhe përdorimit të armëve, sipas legjislacionit në fuqi;
d) Kryejnë inspektime për mbajtjen e uniformës, mjeteve lëvizëse, si dhe mjeteve të tjera në përdorim, sipas përcaktimeve në këtë ligj;
dh) Bëjnë identifikimin e shkeljeve të rregullave të shërbimit, mbajnë procesverbal konstatimi, ndjekin procedurat për marrjen e masave administrative, vendosin gjoba në vend.
 
2. Përcaktimi i kompetencave midis strukturave qendrore e vendore të Policisë së Shtetit apo dhe midis funksioneve policore bëhet me udhëzim të ministrit.
 
Neni 21
Dokumenti i identifikimit
 
1. Subjekti i SHPSF-së ka për detyrë të pajisë çdo punonjës të shërbimit me dokument identifikimi.
 
2. Punonjësi i shërbimit ka për detyrë ta mbajë dokumentin e identifikimit në vend të dukshëm vetëm gjatë kryerjes së detyrës dhe ta paraqesë atë sa herë i kërkohet për identifikim.
 
3. Pas ndërprerjes së marrëdhënies së punës me subjektin, punonjësi i shërbimit detyrohet të dorëzojë dokumentin e identifikimit.
 
4. Forma dhe përmbajtja e dokumentit të identifikimit përcaktohen me udhëzim të ministrit.
 
Neni 22
Qendra e kontrollit të SHPSF-së
 
1. Subjekti i licencuar për aktivitetin e shërbimit privat të sigurisë fizike, në çdo njësi administrative që ushtron  veprimtari, duhet të ketë qendër kontrolli, ku të tregohet adresa e saj fizike dhe elektronike, si dhe stema me emërtimin e shoqërisë.
 
2. Qendra e kontrollit të shërbimit kryen detyrat e drejtimit, mbikëqyrjes dhe menaxhimit të veprimtarisë së sigurisë fizike.
 
3. Qendra e kontrollit duhet të jetë e pajisur me mjetet e ndërlidhjes, komunikimit e vëzhgimit dhe të veprojë 24 orë në ditë.
 
Neni 23
Uniforma e punonjësit të shërbimit të SHPSF-së
 
1. Uniforma e punonjësit të shërbimit të SHPSF-së mbahet dhe përdoret vetëm gjatë kryerjes së shërbimit.
 
2. Në uniformë duhet të vendosen, sipas përkatësisë, shenjat dalluese, emblemat, stemat, numri identifikues, të cilat tregojnë identitetin e subjektit dhe të punonjësit të shërbimit.
 
3. Uniforma dhe elementet përbërëse të saj, nuk duhet të jenë të ngjashme me strukturat e Policisë së Shtetit, të Forcave të Armatosura dhe të agjencive të tjera ligjzbatuese shtetërore të krijuara  sipas legjislacionit në fuqi.
 
4. Pjesët përbërëse të uniformës, paraqitja e jashtme e punonjësit të shërbimit gjatë kryerjes së detyrës, mjetet sinjalizuese, pamore/zanore, vendosja dhe përdorimi i tyre përcaktohen me udhëzim të ministrit.
 
KREU  IV
 
FUNKSIONET, DETYRAT DHE PËRGJEGJËSITË
 
Neni 24
 
Përgjegjësitë e titullarit të subjektit të SHPSF-së
 
Titullari i SHPSF-së është përfaqësuesi ligjor i subjektit të licencuar që ofron shërbimin për sigurimin fizik të objekteve shtetërore e private, të personave, të veprimtarive social-kulturore, sportive, fetare e politike, si dhe për sigurimin e vlerave monetare, materiale dhe sendeve të çmuara gjatë transportit, të kontraktuara, dhe ka këto përgjegjësi:
 
a) Të marrë masa për zhvillimin normal të veprimtarisë së SHPSF-së;
b) Të shlyejë të gjitha detyrimet financiare ndaj shtetit, ato kontraktuale, si dhe ndaj punonjësve të SHPSF-së;
c) Të fillojë veprimtarinë brenda një viti kalendarik nga data e hyrjes në fuqi e licencës;
ç) Të aplikojë për ripërtëritje licence, në Policinë e Shtetit, 90 (nëntëdhjetë) ditë para datës së përfundimit të afatit;
d) Të informojë në kohë strukturat e Policisë së Shtetit, si dhe të sigurojë bashkëpunimin e vazhdueshëm me to për probleme që lidhen me sigurinë publike në territorin e objektit në ruajtje;
dh) Të verë në dispozicion të strukturave të Policisë së Shtetit, sa herë që kërkohet, punonjësit e shërbimit dhe mjetet e transportit, në rastet e ngjarjeve kriminale, cenimeve të sigurisë publike, emergjencave civile, pa shpërblim financiar;
e) Të informojë, me shkrim, të paktën një herë në muaj, në strukturën përkatëse të Policisë të Shtetit për veprimtarinë e SHPSF-së;
ë) Të mbajë dokumentacionin e miratuar për veprimtarinë e SHPSF-së;
f) Të mos paraqesë dokumente për punonjësit e shërbimit pa dëshmi trajnimi;
g) Të marrë masat e nevojshme për sigurimin teknik në lidhje me armët dhe municionet, mjetet e shërbimit, sipas legjislacionit në fuqi;
gj) Të përmbushë dhe të organizojë punën për realizimin e detyrave të lëna në aktkontrolle  gjatë inspektimeve nga çdo agjenci ligjzbatuese;
h) Të mos kufizojë apo cenojë liritë e të drejtat e njeriut, hapësirat dhe territoret publike;
i) Të mos punësojë në veprimtarinë e SHPSF-së punonjës shërbimi të pacertifikuar;
j) Të zbatojë kriteret e rekrutimit dhe të trajtimit në mënyrë të njëjtë për shtetasit, pa i diskriminuar ata në bazë të gjinisë, racës, ngjyrës, gjuhës, besimit, etnisë, bindjeve politike, fetare e filozofike, orientimit seksual, gjendjes ekonomike, në përputhje me ligjin në fuqi;
k) Të njoftojë strukturat e policisë për çdo ngjarje të ndodhur gjatë kryerjes së veprimtarisë dhe sa herë lidh kontrata për objekte të reja në ruajtje;
l) Të mos e përdorë aktivitetin e SHPSF-së jashtë qëllimit për të cilin është licencuar;
ll) Të njoftojë strukturën e policisë, kur bëhet largimi i drejtuesit teknik, për çdo punonjës shërbimi, si dhe për çdo ndryshim që pëson kontrata e lidhur që ka të bëjë me aftësinë e sigurisë fizike të objektit.
 
Neni 25
Drejtuesi teknik
 
1. Drejtuesi teknik i SHPSF-së është drejtuesi më i lartë teknik i shoqërisë për drejtimin, menaxhimin dhe kontrollin e veprimtarisë së shërbimit privat të sigurisë fizike.
 
2. Marrëdhëniet ndërmjet titullarit të subjektit me drejtuesin teknik, rregullohen sipas legjislacionit në fuqi.
 
3. Në çdo rast të largimit të drejtuesit teknik, titullari i subjektit të SHPSF-së njofton menjëherë Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, dhe brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve duhet të aplikojë për certifikimin e tij.
 
4. Subjekti i licencuar i SHPSF-së aplikon në QKL për ndryshimin e drejtuesit teknik, sipas procedurave të përcaktuara në legjislacionin për licencat, autorizimet dhe lejet në Republikën e Shqipërisë.
 
Neni 26
Përgjegjësitë e drejtuesit teknik
 
Drejtuesi teknik i SHPSF-së i nënkategorive I.3.A dhe 1.3.B është përgjegjës për drejtimin, menaxhimin, kontrollin e shërbimit privat të sigurisë fizike, të veprimtarisë së subjektit, si dhe kryen këto detyra:
 
a) Asiston, për aspekte teknike, titullarin e SHPSF-së në nënshkrimin e marrëveshjes apo kontratës me palën kontraktuese për objektin që merr në ruajtje shoqëria;
b) Harton rregullat e funksionimit të SHPSF-së, në lidhje me ruajtjen e objektit;
c) Është përgjegjës për njohjen e punonjësve vartës me legjislacionin përkatës dhe për organizimin e trajnimit të tyre;
ç) Përpilon plandislokimet me skemat e ruajtjes për çdo objekt në ruajtje dhe, për situata emergjente, parashikon plane të veçanta;
d) Është përgjegjës për informimin në kohë të strukturave të Policisë së Shtetit, si dhe siguron bashkëpunimin e vazhdueshëm me to për probleme që lidhen me sigurinë e objektit në ruajtje;
dh) Është përgjegjës për planifikimin, organizimin, menaxhimin, kontrollin, inspektimin, përpilimin e dokumentacionit, sigurimin e armatimit dhe të pajisjeve përkatëse të shërbimit të sigurisë fizike;
e) Ka përgjegjësinë të konstatojë dhe të analizojë të metat e dobësitë e punonjësit të shërbimit, t’ua bëjë ato të njohura administratorit dhe strukturave vendore të Policisë së Shtetit, si dhe të marrë masa për shmangien dhe përmirësimin e tyre; 
 ë) Jep masa disiplinore ndaj punonjësit të shërbimit, sipas kuptimit të këtij ligji;
f) Kryen, sipas programit, edukimin profesional të punonjësve të shërbimit me akte normative që lidhen me veprimtarinë e SHPSF-së;
g) Parandalon planifikimin në shërbim të punonjësit të papajisur me uniformë, armatim dhe pajisje  shërbimi;
 
 gj) Merr masa për ruajtjen e vendit të ngjarjes, në rastin kur ndodh një vepër penale në territorin e objektit që ka në ruajtje, duke njoftuar Policinë e Shtetit dhe duke bashkëpunuar me të.
 
Neni 27
Përgjegjësitë e punonjësit të shërbimit
 
Punonjësi i shërbimit privat të sigurisë fizike vepron me cilësinë e rojës, të truprojës, të operatorit, të shoferit, si mbajtës i qenit, si dhe të përgjegjësit të shërbimit dhe ka këto përgjegjësi:
 
a) Të  kryejë detyrat e përcaktura në këtë ligj e në aktet nënligjore, si dhe detyrat e dhëna nga drejtuesi teknik i subjektit;
b) Të zbatojë me korrektësi detyrat për ruajtjen e objektit dhe të mbajë lidhje të vazhdueshme me drejtuesin teknik;
c) Të mbajë sipas rregullores armatimin personal e pajisjet e shërbimit, të përdorë uniformën, shenjat dhe simbolet e SHPSF-së, vetëm gjatë kryerjes së detyrës, si dhe të përdorë armën sipas legjislacionit në fuqi;
ç)  Të kryejë detyrat për ruajtjet e vendit të ngjarjes në territorin e shërbimit, të bëjë identifikimin e personave që lidhen me ngjarjen dhe të vihet në dispozicion të strukturave të Policisë së Shtetit për hetimin e ngjarjes në objektin që siguron;
d) Të japë informacionin e mundshëm në funksion të kryerjes së detyrave të Policisë së  Shtetit;
dh) Të vihet në dispozicion të strukturave të Policisë së Shtetit, sa herë që kërkohet, për parandalimin e veprave penale dhe zbulimin ngjarjeve të ndodhura në mjedisin ku kryen detyrën ose në ato të lidhura me detyrën;
e) Të komunikojë me transparencë, etikë dhe konform kërkesave të ligjit me qytetarët, eprorët dhe me çdo autoritet ligjzbatues, kur kërkohet një gjë e tillë;
ë) Të mos përdorë mjetet e transportit të dhëna për shërbim për interesa personalë, për vete dhe për të tretët;
f) Të ruajë e të mirëmbajë mjetet e ndërlidhjes e ndriçimit, si dhe pajisjet e tjera të dhëna për përmbushjen e detyrës;
g) Të plotësojë detyrimet financiare që vijnë nga masat administrative;
gj) Të mos vendosë në uniformë dhe në mjetet e transportit simbole apo shenja të tjera përveç atyre të miratuara nga ky ligj;
h) Të ruajë cilësitë morale, kodin etik për komunikim dhe sjellje qytetare, si dhe të mos përdorë pije alkoolike, droga e lëndë narkotike në shërbim.
 
Neni 28
Verifikimi i besueshmërisë
 
1. Verifikimi i besueshmërisë për personat aplikantë për titullar subjekti dhe drejtues teknik të SHPSF-së kryhet nga strukturat e policisë në raport me të dhënat e regjistrave fizikë dhe elektronikë të të gjitha institucioneve shtetërore. 
 
2. Forma dhe përmbajtja e formularit të besueshmërisë përcaktohen me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.
 
Neni 29
Trajnimet për punonjësit e SHPSF-së
 
1. Trajnimet për punonjësit e shërbimit në veprimtarinë e SHPSF-së bëhen në institucionin arsimor policor përkatës.
 
2. Programet, afati i trajnimit, kushtet dhe kriteret për ndjekjen e trajnimit, që kërkohen në raste të tilla, miratohen nga institucioni arsimor policor.
 
3. Procedurat për miratimin e programeve, afatet e trajnimit, kushtet dhe kriteret për ndjekjen e trajnimit përcaktohen me udhëzim të ministrit.
 
Neni 30
Papajtueshmëria me funksionin
 
Titullari i SHPSF-së, drejtuesi teknik dhe punonjësi i shërbimit nuk mund të jenë  punonjës aktivë të strukturave të ministrisë përgjegjëse për rendin dhe sigurinë publike, të trajtuar me gradë policore e ushtarake, ushtarakë aktivë të Forcave të Armatosura, të trajtuar me gradë ushtarake, punonjës të Shërbimit Informativ të Shtetit, si dhe të Policisë së Burgjeve.
 
Neni 31
Administrimi i të dhënave
 
1. Subjektet e licencuara të SHPSF-së detyrohen, sipas këtij ligji, të mbajnë e të administrojnë të dhënat dhe treguesit kryesorë të veprimtarisë të së tyre.
 
2. Subjektet e licencuara duhet të sigurohen që përpunimi i të dhënave është në përputhje me legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale.
 
3. Subjektet e SHPSF-së janë të detyruara të japin çdo të dhënë të administruar në bazën e të dhënave të tyre kur ato kërkohen nga Policia e Shtetit, organet e prokurorisë dhe të gjykatës, si dhe nga çdo agjenci ligjzbatuese publike, në përputhje me qëllimin e përpunimit.
 
Neni 32
Mbikëqyrja elektronike
 
1. Subjektet e licencuara kanë të drejtë të përdorin mjete dhe pajisje elektronike në veprimtarinë e sigurisë fizike.
 
2. Rezultatet e mbikëqyrjes elektronike ruhen dhe administrohen nga subjekti për një periudhë gjashtëmujore.
 
3. Pajisjet dhe rezultatet e mbikëqyrjes mund të përdoren për nevojat e shërbimit të subjektit dhe vihen në dispozicion sa herë që kërkohen nga Policia e Shtetit, organet e prokurorisë, në përputhje me qëllimin e përpunimit, sipas legjislacionit për mbrojtjen e të dhënave personale. 
 
Neni 33
Përdorimi i forcës
 
1. Punonjësi i shërbimit i SHPSF-së përdor forcën fizike dhe pajisjet e mjetet e tjera të dhëna për përmbushjen e  detyrës vetëm kur kjo është e nevojshme dhe nëse masat e tjera nuk kanë dhënë rezultat, në përputhje me kriteret e përshkallëzimit të saj.
 
2. Punonjësi i shërbimit përzgjedh, ndërmjet mundësive të përshkallëzuara, nivelin e nevojshëm të përdorimit të forcës duke filluar nga bindja me fjalë, shtrëngimi fizik, shkopi i gomës e deri te përdorimi i armëve të zjarrit.
 
3. Punonjësi i shërbimit duhet të paralajmërojë se do të përdorë forcën para përdorimit të saj.
 
4. Të dëmtuarit nga përdorimi i forcës i jepet ndihma e parë mjekësore, në rast se kjo është e nevojshme dhe e mundur.
 
5. Struktura e policisë vendore duhet të vihet në dijeni për çdo rast të përdorimit të forcës.
 
 
Neni 34
E drejta e mbajtjes së armëve të zjarrit dhe municionit
 
1. Në veprimtarinë e sigurisë fizike, të drejtën e mbajtjes së armëve të zjarrit dhe municionit vetëm gjatë kryerjes së detyrës, e kanë drejtuesi teknik dhe punonjësit e shërbimit.
 
2. Lloji i armëve të zjarrit dhe municionit të tyre që jepen për mbajtje miratohen nga Policia e Shtetit në përputhje me kërkesat e legjislacionit  në fuqi. 
 
Neni 35
Përdorimi i armës së zjarrit
 
1. Punonjësi i shërbimit, vetëm gjatë kryerjes së detyrës të SHPSF-së, e përdor armën e zjarrit në kushtet e mbrojtjes së nevojshme dhe të nevojës ekstreme.
 
2. Titullari i subjektit, drejtuesi teknik, punonjësi i shërbimit, janë të detyruar të njoftojnë menjëherë në Policinë e Shtetit për përdorimin e armës së zjarrit dhe të mos largohen nga detyra.
 
Neni 36
Qentë e shërbimit
 
1. Subjekti i SHPSF-së ka të drejtën të mbajë dhe të përdorë qentë e shërbimit, të certifikuar nga Instituti i Përgatitjes së Qenve, vetëm për nevoja të shërbimit.
 
2. Kushtet për mbajtjen e përdorimin e qenve të shërbimit përcaktohen me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.
 
Neni 37
Pajisjet e shërbimit
 
1. Subjekti i SHPSF-së, për realizimin e detyrës, vë në dispozicion të punonjësve të shërbimit mjete e pajisje shërbimi.
 
2. Lloji i mjeteve e pajisjeve përcaktohen me udhëzim të ministrit.
 
KREU V
MASAT ADMINISTRATIVE
 
Neni 38
Kundërvajtjet administrative
 
1. Për shkelje të dispozitave të këtij ligji, kur ato nuk përbëjnë vepër penale, jepen masa administrative. 
 
2. Konstatimi, shqyrtimi dhe gjykimi i shkeljeve bëhen në përputhje me legjislacionin në fuqi për kundërvajtjet administrative.
 
3. Masat administrative jepen nga strukturat e Policisë së Shtetit.
 
4. Kompetencat dhe përgjegjësitë për dhënien e masave administrative e disiplinore ndaj punonjësve të SHPSF-ve caktohen me udhëzim të ministrit.
 
Neni 39
Llojet e masave administrative
 
Për shkeljet e dispozitave të këtij ligji jepen, përkatësisht, këto lloj masash administrative:
 
a) Për subjektin e SHPSF-së që ka marrë një licencë:
 
– Vërejtje me paralajmërim për heqjen e licencës;
 
b) Për titullarin e subjektit të SHPSF-së dhe drejtuesin teknik:
 
– Vërejtje me paralajmërim për heqjen e certifikatës;
– Heqje e certifikatës;
 
c) Për punonjësin e shërbimit:
 
– Vërejtje;
– Vërejtje me paralajmërim;
– Heqje e certifikatës.
 
Neni 40
Heqja e licencës për subjektin e SHPSF-së
 
1. Subjektit të SHPSF-së i hiqet licenca në këto raste:
 
a) Kur vërtetohet se përdoret në kundërshtim me kushtet dhe kriteret e vendosura në këtë ligj;
b) Me kërkesën e vetë subjektit;
c) Kur është marrë vendim i formës së prerë nga gjykata, si masë penale plotësuese;
ç)  Kur është dënuar administrativisht me gjobë më shumë se dy herë brenda vitit kalendarik;
d) Me heqjen e certifikatës së titullarit të subjektit të SHPSF-së, licenca e humbet vlefshmërinë;
dh) Kur veprimtaria e subjektit të SHPSF-së ushtrohet pa drejtues teknik të certifikuar sipas kërkesave të këtij ligji;
e) Kur punëson persona të pacertifikuar sipas kërkesave të këtij ligji;
ë) Kur ushtron veprimtari të SHPSF-së të padeklaruar më parë, sipas kërkesave të këtij ligji;
f) Kur nuk e ushtron veprimtarinë për një afat njëvjeçar, nga data e marrjes së licencës;
g) Kur nuk njofton brenda 10 (dhjetë) ditëve strukturat e Policisë së Shtetit dhe QKL-së për ndërprerjen e aktivitetit të shërbimit të SHPSF-së;
gj) Kur nuk njofton organet e Policisë së Shtetit për ndryshimet që ka bërë në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit (QKR) dhe që kanë të bëjnë me kriteret e licencimit.
 
2. Vendimi për heqjen e licencës publikohet në Regjistrin Kombëtar të Licencave dhe Lejeve nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë. 
 
Neni 41
Heqja e certifikatës së titullarit të subjektit dhe drejtuesit teknik
 
Masa administrative “Heqje e certifikatës së titullarit të subjektit dhe drejtuesit teknik” jepet në këto raste:
 
a) Kur humbasin kushtet dhe kriteret e përcaktuara në këtë ligj;
b) Me kërkesën e titullarit të subjektit dhe drejtuesit teknik;
c) Kur është marrë vendim i formës së prerë nga gjykata, si masë penale plotësuese;
ç) Kur ka marrë masë disiplinore “vërejtje me paralajmërim” apo gjobë për të njëjtën shkelje më shumë se dy herë brenda vitit kalendarik;
d) Kur konstatohen shkelje që janë në kundërshtim me legjislacionin në fuqi për armët dhe përdorimin e armëve të zjarrit;
dh) Me vendim të arsyetuar të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.
 
Neni 42
Heqja e certifikatës së punonjësit të shërbimit
 
Heqja e certifikatës i jepet punonjësit të shërbimit në rastet e mëposhtme:
 
a) Kur humbasin kushtet dhe kriteret e përcaktuara në këtë ligj;
b) Kur ai bën kërkesë për heqjen e certifikatës;
c) Me kërkesë të drejtuesit teknik; 
ç) Kur është marrë vendim i formës së prerë nga gjykata, si masë penale plotësuese;
d) Kur ka marrë masë disiplinore “vërejtje me paralajmërim” apo gjobë për të njëjtën shkelje më shumë se dy herë  brenda vitit kalendarik;
dh) Kur konstatohen shkelje që bien në kundërshtim me legjislacionin në fuqi për armët dhe përdorimin e armëve të zjarrit;
e) Me vendim të arsyetuar të drejtorit të policisë së qarkut. 
 
Neni 43
E drejta për t’u ripajisur me licencë/certifikatë
 
1. Personit juridik të cilit i është hequr licenca e SHPSF-së i lind e drejta të aplikojë për t’u pajisur me licencë të re për SHPSF pas kalimit të afatit trevjeçar.
 
2. Personit të cilit i është hequr certifikata për titullar subjekti i lind e drejta të aplikojë për t’u pajisur me certifikatë të re për SHPSF pas kalimit të afatit trevjeçar.
 
3. Personit të cilit i është hequr certifikata për drejtues teknik i lind e drejta të aplikojë për t’u pajisur me certifikatë të re për SHPSF pas kalimit të afatit dyvjeçar.
 
4. Personi të cilit i është hequr certifikata për punonjës shërbimi i lind e drejta e aplikimit për t’u pajisur me certifikatë të re për SHPSF pas kalimit të afatit njëvjeçar, duke iu nënshtruar kritereve të këtij ligji.
 
Neni 44
Gjobat për subjektin e licencuar
 
Kur shkeljet e subjektit të licencuar nuk përbëjnë vepër penale, përbëjnë shkelje administrative dhe dënohen me gjobë, si më poshtë vijon:
 
1. Për shkeljet e konstatuara për moszbatim të kërkesave të neneve 21, pika 3, 22, pika 3, 24, shkronjat “d”, “dh”, “e”, “ë”, “g”, “gj”, “i” dhe “k”, dhe 31, pikat 2 e 3, të këtij ligji, dënohet me gjobë nga 20 000 (njëzet mijë) deri në 100 000 (njëqind mijë)  lekë.
 
2. Për shkeljet e konstatuara për moszbatim të kërkesave të neneve 25, pika 3, 27, shkronjat “c”, “ç”, “d”, “dh”, “f”, “gj” dhe “h”, dhe 29, pika 1, të këtij ligji, dënohet me  gjobë  nga 100 000 (njëqind mijë) deri në 300 000 (treqind mijë) lekë.
 
3. Për shkeljet e konstatuara për moszbatim të kërkesave të nenit 24, shkronjat “l” dhe “ll”, dënohet me gjobë nga 100 000 (njëqind mijë) deri në 300 000 (treqind mijë) lekë, si dhe deri me heqjen e licencës.
 
4. Për shkeljet e konstatuara për moszbatim të kërkesave të neneve 23, pikat 1 e 2, dhe 34, pika 5, të këtij ligji, dënohet me gjobë nga 5 000 (pesë mijë) deri në 20 000 (njëzet mijë) lekë.
 
5. Për shkeljet e konstatuara për moszbatim të kërkesave të neneve, 34 pika 1, të këtij ligji, dënohet me gjobë nga 100 000 (njëqind mijë) deri në 300 000 (treqind mijë) lekë. 
 
6. Të ardhurat nga këto gjoba derdhen 100 për qind në buxhetin e shtetit.
 
Neni 45
Gjoba për drejtuesin teknik
 
1. Për shkeljet e konstatuara për moszbatim të kërkesave të këtij ligji sipas neneve 25, pikat 2 e 3, 26, shkronjat “b”, “d”, “e”, “ë”, “f”, “g”, e “gj”, 32, pika 2, dhe 33,     pika 5, drejtuesit teknik i jepet gjobë në masën nga 10 000 (dhjetë mijë) deri në 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë.
 
2. Të ardhurat nga këto gjoba derdhen 100 për qind në buxhetin e shtetit.
 
Neni 46
Gjoba për punonjësin e shërbimit
 
1. Për shkeljet e konstatuara për moszbatim të kërkesave të neneve 23, pikat 1 dhe 2, 27, 30, 33, pika 5, e 34, pika 1, të këtij ligji, punonjësit të shërbimit i jepet gjobë  nga 3 000 (tre mijë) deri në 20 000 (njëzet mijë) lekë.
 
2. Të ardhurat nga këto gjoba derdhen 100 për qind në buxhetin e shtetit.
 
Neni 47
Kompetenca e dhënies së masave 
 
1. Dhënia e masave administrative, sipas neneve 44, 45 dhe 46, të këtij ligji, është kompetencë e drejtorit të policisë së qarkut.
 
2. Dhënia e masave administrative, sipas neneve 40 dhe 41, të këtij ligji, është kompetencë e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë.
 
Neni 48
Tarifat  financiare
 
1. Aplikimi për lëshimin e licencave/certifikatave, sipas dispozitave të veçanta të këtij ligji, kryhet kundrejt pagesës së tarifave për shërbimin administrativ.
 
2. Në rast lëshimi të licencës apo certifikatës, subjekti përkatës paguan tarifën e licencimit/certifikatës në afatin e caktuar nga organi përgjegjës për lëshimin e titullit.
 
3. Mospagimi i tarifës sjell revokimin e titullit, sipas dispozitave të  këtij ligji.
 
4. Masa, kriteret dhe procedura për tarifat financiare, përcaktohen me udhëzim të përbashkët të ministrit të Financave dhe institucioneve përkatëse. 
 
KREU VI
DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT
 
Neni 49
Dispozita kalimtare
 
Licencat aktive të dhëna në zbatim të ligjit nr.8770, datë 19.4.2001, “Për shërbimin e ruajtjes dhe të sigurisë fizike”, të ndryshuar, e ruajnë vlefshmërinë e tyre deri në afatin e përcaktuar në licencën përkatëse.
 
Neni 50
Aktet nënligjore
 
1. Ministri i Financave, brenda 6 (gjashtë) muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, nxjerr udhëzim të përbashkët me institucionet përkatëse, në zbatim të nenit 48, pika 4.
 
2. Ministri, brenda 3 (tre) muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, nxjerr aktet nënligjore në zbatim të neneve 5, pika 6; 20, pika 2; 21, pika 4; 23, pika 4; 29, pika 3; 37, pika 2, si dhe nxjerr udhëzim në përputhje me nenin 38, pika 4, të këtij ligji.
 
3. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, brenda 3 (tre) muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, nxjerr urdhrat në zbatim të neneve 28, pika 2, dhe 36, pika 2, të këtij ligji.
 
Neni 51
Dispozita përfundimtare
 
Ligji nr.8770, datë 19.4.2001, “Për shërbimin e ruajtjes dhe të sigurisë fizike”, i ndryshuar, shfuqizohet.
Neni 52
Hyrja në fuqi
 
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
 
K R Y E T A R I
 
ILIR  META
 
***
 
V E N D I M
 
PËR
 
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA NDRYSHIME NË LIGJIN NR.10440, DATË 7.7.2011, “PËR VLERËSIMIN E NDIKIMIT NË MJEDIS””
 
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e  ministrit të Mjedisit, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:
 
Propozimin e projektligjit “Për disa ndryshime në ligjin nr.10440, datë 7.7.2011, “Për vlerësimin e ndikimit në mjedis””, për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
 
K R Y E M I N I S T R I
 
EDI  RAMA
 
#
 
P R O J E K T L I GJ
PËR
 
DISA NDRYSHIME NË LIGJIN NR.10440, DATË 7.7.2011, “PËR VLERËSIMIN E NDIKIMIT NË MJEDIS”
 
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
 
V E N D O S I:
 
Në ligjin nr.10440, datë 7.7.2011, “Për vlerësimin e ndikimit në mjedis”, bëhen këto ndryshime:
 
Neni 1
 
Në nenin 6 bëhen ndryshimet e mëposhtme:
 
1. Pika 7 ndryshohet, si më poshtë vijon:
 
“7. “Deklarata për ndikimin e një projekti në mjedis”, më poshtë “Deklarata mjedisore”, është dokumenti zyrtar i lëshuar nga ministri për vlerësimin mjedisor të projekteve që i nënshtrohen vlerësimit të thelluar të ndikimit në mjedis dhe shërben si dokument orientues për autoritetin e planifikimit dhe/ose çdo autoritet përgjegjës në procesin e vendimmarrjes, për një leje zhvillimi apo për një leje të caktuar.”.
 
2. Pika 15 shfuqizohet.
 
3. Pika 18 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“18. “Ekspert i certifikuar i VNM-së” është individi, personi fizik ose juridik, i cili pajiset me certifikatën përkatëse nga ministria për hartimin e raportit të VNM-së dhe auditimin mjedisor.”.
 
Neni 2
 
Pika 5, e nenit 7, ndryshohet, si më poshtë vijion:
 
“5. Rregullat, përgjegjësitë dhe afatet për zhvillimin e procedurës së vlerësimit të ndikimit në mjedis dhe procedurës së transferimit të vendimit dhe deklaratës mjedisore miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit të Mjedisit.”.
 
Neni 3
 
Paragrafi i parë, i nenit 10, ndryshohet, si më poshtë vijon:
 
“Zhvilluesi, për projektet me ndikim në mjedis, që janë subjekt i këtij ligji, paraqet pranë AKM-së dokumentacionin përkatës për procedurёn e VNM-së, përfshirë:…”.
 
Neni 4
 
Në pikën 3, të nenit 11, dhe në pikën 4, të nenit 12, hiqet emërtimi “Qendra Kombëtare e Licencimit” (QKL).
 
Neni 5
 
Në nenin 13 bëhen këto ndryshime:
 
1. Titulli i nenit ndryshohet dhe zëvendësohet me “Transferimi i vendimit apo i deklaratës mjedisore”.
 
2. Pika 2, e nenit 13, ndryshohet, si më poshtë vijon:
 
“2. Kur zhvilluesi ndryshon pasi ka përfunduar procedura e VNM-së, zhvilluesi i ri kërkon pranë AKM-së të bëhet transferimi pёrkatës i vendimit apo deklaratës mjedisore, sipas rregullave dhe procedurave të përcaktuara në vendimin e Këshillit të Ministrave, referuar në pikën 5, të nenit 7, të këtij ligji.”.
 
Neni 6
 
Pika 2, e nenit 16, ndryshohet, si më poshtë vijon:
 
“2. Informacionin për informimin dhe konsultimin me publikun zhvilluesi e paraqet si pjesë të dokumentacionit tё nevojshëm gjatë aplikimit për deklaratën mjedisore në AKM.”.
 
Neni 7
 
Në nenin 19, emërtimi “… QKL ….” zëvendësohet me “… AKM …”.
 
Neni 8
 
Në pikën 1, të nenit 23, hiqet emërtimi “Qendra Kombëtare e Licencimit” (QKL).
 
Neni 9
 
Në nenin 24 bëhen këto ndryshime:
 
1. Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:
 
“1. Raporti paraprak dhe i thelluar i VNM-së hartohet nga individët, personat fizikë ose juridikë të certifikuar nga ministria si ekspertë të VNM-së dhe auditimit mjedisor.”.
 
2. Pikat 2 dhe 4 shfuqizohen.
 
Neni 10
 
Neni 25 ndryshohet, si më poshtë vijon:
 
“Neni 25
 
Çdo palë e interesuar, subjekt i këtij ligji, ka të drejtë të ankohet në rrugë administrative te titullari i strukturës përgjegjëse ndaj akteve, veprimeve apo mosveprimeve të ministrisë dhe AKM-së, sipas legjislacionit në fuqi.”.
 
Neni 11
 
Në pikën 3, të nenit 26, hiqen fjalët “… duke njoftuar edhe QKL-në për masën përkatëse …”.
 
Neni  12
 
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
 
K R Y E T A R I
 
ILIR META

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.