Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, 3 dhjetor 2014
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË ISLANDËS, PËR SHMANGIEN E TATIMIT TË DYFISHTË DHE PARANDALIMIN E EVAZIONIT FISKAL PËR TATIMIN MBI TË ARDHURAT”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Islandës, për shmangien e tatimit të dyfishtë dhe parandalimin e evazionit fiskal për tatimin mbi të ardhurat”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
#
P R O J E K T L I GJ
PËR
RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË ISLANDËS, PËR SHMANGIEN E TATIMIT TË DYFISHTË DHE PARANDALIMIN E EVAZIONIT FISKAL PËR TATIMIN MBI TË ARDHURAT
Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 121, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Neni 1
Ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Islandës, për shmangien e tatimit të dyfishtë dhe parandalimin e evazionit fiskal për tatimin mbi të ardhurat.
Neni 2
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
ILIR META
***
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES SË PROGRAMIT, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË KONFEDERATËS ZVICERANE, PËR GRANTIN E ASISTENCËS FINANCIARE PËR “PROGRAMIN E INFRASTRUKTURËS BASHKIAKE III/IV” (BERAT, KUÇOVË, GJIROKASTËR, KAMZË, LUSHNJË, DELVINË, LIBRAZHD), KONTRIBUTI ZVICERAN”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes së programit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Konfederatës Zvicerane, për grantin e asistencës financiare për “Programin e infrastrukturës bashkiake III/IV” (Berat, Kuçovë, Gjirokastër, Kamzë, Lushnjë, Delvinë, Librazhd), kontributi zviceran”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
#
P R O J E K T L I GJ
PËR
RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES SË PROGRAMIT, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË KONFEDERATËS ZVICERANE, PËR GRANTIN E ASISTENCËS FINANCIARE PËR “PROGRAMIN E INFRASTRUKTURËS BASHKIAKE III/IV” (BERAT, KUÇOVË, GJIROKASTËR, KAMZË, LUSHNJË, DELVINË, LIBRAZHD), KONTRIBUTI ZVICERAN
Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 121, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Neni 1
Ratifikimin e marrëveshjes së programit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Konfederatës Zvicerane, për grantin e asistencës financiare për “Programin e infrastrukturës bashkiake III/IV” (Berat, Kuçovë, Gjirokastër, Kamzë, Lushnjë, Delvinë, Librazhd), kontributi zviceran.
Neni 2
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
ILIR META
***
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.9643, DATË 20.11.2006, “PËR PROKURIMIN PUBLIK”, TË NDRYSHUAR”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Shtetit për Çështjet Vendore, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.9643, datë 20.11.2006, “Për Prokurimin Publik”, të ndryshuar”, për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
P R O J E K T L I GJ
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.9643, DATË 20.11.2006, “PËR PROKURIMIN PUBLIK”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Në ligjin nr.9643, datë 20.11.2006, “Për prokurimin publik”, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
Neni 1
Në nenin 3, “Përkufizime”, bëhen këto ndryshime:
1. Fjalia e dytë, e pikës 2, shfuqizohet.
2. Shkronja “c”, e pikës 4, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“c) fonde ndihme ose kredi, të dhëna nga donatorë të huaj sipas një marrëveshjeje ndërkombëtare, në të cilën kërkohet zbatimi i procedurave të këtij ligji.”.
Neni 2
Në nenin 7, “Përjashtimet e veçanta”, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Shkronja “c” ndryshohet, si më poshtë vijon:
“c) Shërbimet e arbitrazhit, pajtimit, avokatëve të caktuar kryesisht, si dhe ekspertizës për nevoja të procedimit penal, rregulluar sipas Kodit të Procedurës Penale.”.
2. Pas shkronjës “dh” shtohet shkronja “e”, me këtë përmbajtje:
“e) kontratat e punësimit.”.
3. Në paragrafin e fundit, referenca shkronja “dh” zëvendësohet me “e”.
Neni 3
Në nenin 19/2, “Përbërja, zgjedhja dhe mandati i Komisionit të Prokurimit Publik” bëhen këto ndryshime:
1. Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. Komisioni i Prokurimit Publik përbëhet nga 5 anëtarë.”.
2. Pika 4 shfuqizohet.
Neni 4
Shkronja “b”, e nenit 19/3, “Kriteret për t’u zgjedhur anëtar i Komisionit të Prokurimit Publik”, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“b) ka arsim të lartë në drejtësi;”.
Neni 5
Në shkronjën “d”, të pikës 1, të nenit 24, “Anulimi i një procedure prokurimi”, fjala “… e pranuara …” zëvendësohet me “… e paraqitura …”.
Neni 6
Fjalia e parë, e pikës 3, të nenit 29, “Procedurat standarde të prokurimit”, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Autoriteti kontraktor përdor procedurën e hapur dhe procedurën e kufizuar për kontratat mbi kufirin e ulët monetar.”.
Neni 7
Shkronja “dh”, e pikës 2, të nenit 33, “Procedura me negociim, pa shpallje paraprake të njoftimit”, shfuqizohet.
Neni 8
Në nenin 35, “Konkurs projektimi”, bëhen këto ndryshime:
1. Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. Autoriteti kontraktor mund të organizojë konkursin e projektimit si pjesë të një procedure, që çon në përzgjedhjen e kontratës fituese për shërbime, ose për sigurimin e projektimit.”.
2. Në shkronjën “b”, të pikës 2, fjalët “… kundrejt shpërblimi monetar …” zëvendësohen me “… kundrejt çmimit …”.
Neni 9
Në nenin 35/1, “Marrëveshjet kuadër”, bëhen këto ndryshime:
1. Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. Për kontratat publike, autoritetet kontraktore mund të lidhin një marrëveshje kuadër pas kryerjes së një procedure të hapur, të kufizuar, kërkesë për propozim, shërbim konsulence apo me negociim, me shpallje paraprake të njoftimit të kontratës, ndërsa për kontratat sektoriale, autoritetet kontraktore mund të lidhin një marrëveshje kuadër edhe pas kryerjes së një procedure me negociim, pa shpallje paraprake të njoftimit.”.
2. Fjalia e parë, e paragrafit të dytë, të pikës 6, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Kontratat e bazuara në marrëveshjet kuadër, të arritura ndërmjet disa operatorëve ekonomikë, mund të lidhen në një nga këto mënyra:”.
Neni 10
Në nenin 43, “Afatet kohore për dorëzimin e kërkesave për pjesëmarrje dhe dorëzimin e ofertave”, bëhen ndryshimi dhe shtesa e mëposhtme:
1. Fjalia e parë, e pikës 3, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Në procedurën e kufizuar, në procedurën me negociim, me shpallje të njoftimit, në procedurën shërbim konsulence dhe në procedurën konkurs projektimi, me vlerë më të lartë se kufiri i lartë monetar…”.
2. Pas pikës 6 shtohet pika 6/1, me këtë përmbajtje:
“6/1 Në procedurën shërbim konsulence dhe në procedurën konkurs projektimi, me vlerë nën kufirin e lartë monetar:
a) afati minimal kohor për dorëzimin e kërkesës për pjesëmarrje është 15 ditë nga data në të cilën është shpallur njoftimi i kontratës në faqen e internetit të Agjencisë së Prokurimit Publik;
b) afati minimal kohor për dorëzimin e ofertës është 15 ditë nga data në të cilën është dërguar te kandidatët ftesa për ofertë.”.
3. Në pikën 8, pas fjalëve “… të pikës 6 …” shtohen “… dhe të pikës 6/1 …” dhe pas fjalëve “… për procedurat e kufizuara …” shtohen “… shërbim konsulence, konkurs projektimi …”.
Neni 11
Pas shkronjës “e”, të pikës 2, të nenit 45, “Kriteret e përjashimit të kandidatëve ose ofertuesve”, shtohet shkronja “ë”, me këtë përmbajtje:
“ë) me vendim të Agjencisë së Prokurimit Publik është përjashtuar nga pjesëmarrja në procedurat e prokurimit sipas pikës 3, të nenit 13, të këtij ligji.”.
Neni 12
Në nenin 49, “Sigurimi i ofertës”, bëhen këto ndryshime:
1. Fjalia e parë, e pikës 1, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Në procedurat e prokurimit me vlerë më të lartë se kufiri i lartë monetar, autoriteti kontraktor mund t’u kërkojë ofertuesve të paraqesin sigurimin e ofertës, sipas rregullave të prokurimit publik.”.
2. Pika 1/1 shfuqizohet.
3. Fjalia e parë, e pikës 2, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“2. Në rast se autoriteti kontraktor e ka kërkuar sigurimin e ofertës, sipas pikës 1, të këtij neni, nuk e pretendon vlerën e sigurimit , nëse …”.
Neni 13
Në pikën 2, të nenit 50, “Vlefshmëria, modifikimi dhe tërheqja e ofertave”, bëhen këto ndryshime:
1. Në shkronjën “a”, pas fjalëve “… sigurimin e ofertës …” shtohen “… nëse është kërkuar …”.
2. Në fjalinë e parë, të shkronjës “b”, pas fjalëve “… zgjatet edhe sigurimi i ofertës …” shtohen “… nëse është kërkuar një sigurim i tillë …”.
Neni 14
Pika 4, e nenit 53, “Shqyrtimi i ofertave”, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“4. Autoriteti kontraktor vlerëson një ofertë të vlefshme edhe nëse ajo përmban devijime të vogla, të argumentuara, të cilat nuk ndryshojnë thelbësisht karakteristikat, kushtet dhe kërkesat e tjera, të përcaktuara në dokumentet e tenderit, si edhe gabime shtypi, të cilat mund të korrigjohen pa prekur përmbajtjen e saj.”.
Neni 15
Paragrafi parë, i pikës 1, të nenit 56, “Oferta anomalisht e ulët”, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. Kur autoriteti kontraktor vëren se një ose më shumë oferta për kontratat e mallrave, punëve apo shërbimeve janë anomalisht të ulëta, ai, përpara se të vazhdojë me procesin e vlerësimit të ofertave, i kërkon operatorit ekonomik përkatës të paraqesë me shkrim dhe brenda 3 ditëve pune shpjegime për elemente të veçanta të ofertës, për:”.
Neni 16
Fjalia e parë dhe e dytë, e pikës 5, të nenit 58, “Njoftimi i fituesit dhe nënshkrimi i kontratës”, ndryshohen, si më poshtë vijon:
“Kur ofertuesi fitues nuk bën sigurimin e kontratës ose nuk arrin të nënshkruajë kontratën, autoriteti kontraktor bën konfiskimin e sigurimit të ofertës, nëse është kërkuar. Në rastin kur është përdorur si kriter i përcaktimit të ofertës fituese “çmimi më i ulët” dhe kur ofertuesi fitues nuk bën sigurimin e kontratës ose nuk arrin të nënshkruajë kontratën, autoriteti kontraktor përzgjedh ofertuesin e renditur i dyti në listën e ofertave të përzgjedhura që kanë mbetur, vetëm nëse diferenca ndërmjet ofertës së kualifikuar në vendin e parë dhe të dytë do të jetë jo më e madhe se 2% e fondit limit.”.
Neni 17
Në nenin 63, “Të drejtat e personit të interesuar”, bëhen shtesa dhe ndryshimet e mëposhtme:
1. Në pikën 2, pas fjalëve “… nga dita …” shtohen “… e nesërme e punës …”.
2. Pika 8 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“8. Me marrjen e ankesës së ankimuesit për në Komisionin e Prokurimit Publik, autoriteti kontraktor mban të pezulluar procedurën e prokurimit, me përjashtim të rasteve kur Komisioni i Prokurimit Publik vendos ndryshe, në përputhje me pikën 2, të nenit 64, të këtij ligji. Autoriteti kontraktor ia dërgon të gjithë informacionin që disponon për procedurën e prokurimit të ankimuar menjëherë, por, në çdo rast, jo më vonë se 5 ditë, Komisionit të Prokurimit Publik.”.
3. Në pikën 9, numri “20” ndryshohet dhe zëvendësohet me “10” dhe në fund shtohen fjalët “… pas marrjes së informacionit.”.
4. Në pikën 11, fjala “… rishikimit …” zëvendësohet me “… ankimit …”.
Neni 18
Në pikën 1, të nenit 64/3, “Ankimi në gjykatë”, fjalët “… gjykatën përkatëse …” zëvendësohen me “… Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë …”.
Neni 19
Në nenin 65, “Procedura e hetimit administrativ”, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. Agjencia e Prokurimit Publik verifikon zbatimin e procedurave të prokurimit publik pas fazës së nënshkrimit të kontratës së prokurimit, por, në çdo rast, jo më vonë se 2 vjet nga nënshkrimi i saj.”.
2. Pas pikës 4 shtohet pika 5, me këtë përmbajtje:
“5. Autoriteti kontraktor ka detyrimin të njoftojë personat përgjegjës të përfshirë në hetimin administrativ të nisur nga Agjencia e Prokurimit Publik dhe të dokumentojë njoftimin.”.
Neni 20
Pika 2, e nenit 66, “Veprimet pas përfundimit të hetimit administrativ”, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“2. Në çdo rast, palët do të njoftohen me shkrim për vendimin e marrë. Autoriteti kontraktor ka detyrimin t’u njoftojë vendimin e dhënë nga Agjencia e Prokurimit Publik personave përgjegjës të përfshirë në hetimin administrativ dhe të dokumentojë njoftimin.”.
Neni 21
Në nenin 72, “Kundërvajtjet administrative”, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. Mosrespektimi i rregullave të prokurimit, në përputhje me dispozitat e këtij ligji, kur përbën kundërvajtje administrative dënohet me gjobë, si më poshtë vijon:
a) Mospërmbushja e detyrimit të përcaktuar në nenin 4, të këtij ligji, dënohet me gjobë nga 20 000 deri 1 000 000 lekë;
b) Mospërmbushja e detyrimit të përcaktuar në pikën 2, të nenit 12, të këtij ligji, dënohet me gjobë nga 15 000 deri në 30 000 lekë;
c) Mospërmbushja e detyrimit për formën e komunikimit, për shkëmbimin dhe ruajtjen e informacionit, të përcaktuar në nenin 21, të këtij ligji, dënohet me gjobë nga 30 000 deri në 100 000 lekë;
ç) Mospërmbushja e detyrimit të parashikuar në nenin 23, të këtij ligji, dënohet me gjobë nga 50 000 deri në 200 000 lekë;
d) Mospërmbushja e detyrimit të përcaktuar në nenin 25, të këtij ligji, dënohet me gjobë nga 50 000 deri në 100 000 lekë;
dh) Mospërmbushja e detyrimit të përcaktuar në nenin 28, të këtij ligji, dënohet me gjobë nga 20 000 deri në 1 000 000 lekë;
e) Mospërmbushja e detyrimit të përcaktuar në nenin 33, të këtij ligji, dënohet me gjobë nga 100 000 deri në 1 000 000 lekë;
ë) Mospërmbushja e detyrimit të përcaktuar në nenin 38, të këtij ligji, dënohet me gjobë nga 50 000 deri në 1 000 000 lekë;
f) Mospërmbushja e njërit prej detyrimeve të përcaktuara në nenet 39, 40, 41 e 42, të këtij ligji, dënohet me gjobë nga 50 000 deri në 300 000 lekë;
g) Mospërmbushja e detyrimeve të përcaktuara në nenin 43, të këtij ligji, dënohet me gjobë nga 50 000 deri në 500 000 lekë;
gj) Mospërmbushja e detyrimit të përcaktuar në nenin 45, të këtij ligji, me përjashtim të shkronjës “ë”, të pikës 2, të këtij neni, dhe në nenin 46, të këtij ligji, dënohen me gjobë nga 30 000 deri në 500 000 lekë;
h) Mospërmbushja e detyrimit të përcaktuar në shkronjën “ë”, të pikës 2, të nenit 45, të këtij ligji, dënohet me gjobë nga 100 000 deri në 1 000 000 lekë;
i) Mospërmbushja e detyrimit të përcaktuar në nenin 53, të këtij ligji, dënohet me gjobë nga 50 000 deri në 1 000 000 lekë;
j) Mospërmbushja e detyrimit të përcaktuar në nenin 56, të këtij ligji, dënohet me gjobë nga 50 000 deri në 100 000 lekë;
k) Mospërmbushja e detyrimit të përcaktuar në nenin 63, të këtij ligji, dënohet me gjobë nga 50 000 deri në 1 000 000 lekë;
l) Personat, që përpiqen të ndikojnë në vendimmarrjen e Komisionit të Prokurimit Publik, në kundërshtim me nenin 19/7, të këtij ligji, dënohen me gjobë nga 50 000 deri në 100 000 lekë.”.
2. Pika 3 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“3. Kundër vendimit të Agjencisë së Prokurimit Publik, personat e interesuar mund të bëjnë ankim në gjykatën kompetente.”.
3. Pas pikës 3 shtohet pika 4, me këtë përmbajtje:
“4. Përgjegjësia për vjeljen e gjobave të vendosura sipas pikës 1, të këtij neni, është e autoritetit kontraktor.”.
Neni 22
Neni 73, “Sanksionet për mosbashkëpunim”, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 73
Sanksionet për mosbashkëpunim
1. Refuzimi i autoritetit kontraktor për të bashkëpunuar me Komisionin e Prokurimit Publik dhe Agjencinë e Prokurimit Publik ngarkon me përgjegjësi titullarin e autoritetit kontraktor dhe dënohet nga këto institucione me gjobë nga 50 000 deri në 1 000 000 lekë.
2. Kundër vendimit të dënimit me gjobë, sipas pikës 1, të këtij neni, personat e interesuar mund të bëjnë ankim në gjykatën kompetente.”.
Neni 23
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”
K R Y E T A R I
ILIR META