V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR KARRIERËN USHTARAKE NË FORCAT E ARMATOSURA TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për karrierën ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
P R O J E K T L I GJ
PËR
KARRIERËN USHTARAKE NË FORCAT E ARMATOSURA TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Neni 1
Objekti
Objekt i këtij ligji është përcaktimi i sistemit të menaxhimit të karrierës ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë.
Neni 2
Qëllimi
Ky ligj ka për qëllim përcaktimin e kritereve për pranimin në Forcat e Armatosura, rendin e gradave, përparimin në gradë dhe karrierë, ndërprerjen e karrierës ushtarake, si dhe të autoriteteve përgjegjëse për zhvillimin e karrierës në Forcat e Armatosura.
Neni 3
Subjektet
Subjekte të këtij ligji janë ushtarakët aktivë të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, studentët ushtarakë, si dhe ushtarakët në rezervë.
Neni 4
Juridiksioni territorial
Ky ligj zbatohet në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, si dhe jashtë territorit të saj për ushtarakët shqiptarë kur ata janë dërguar me mision, shërbim, studime, stërvitje të përbashkëta, mision diplomatik ose në bazë të marrëveshjeve ndërkombëtare dy- ose shumëpalëshe.
Neni 5
Përkufizime
Në kuptim të këtij ligji, me termat e mëposhtëm nënkuptohen:
1. “Ushtarak aktiv i Forcave të Armatosura”, shtetasi shqiptar i titulluar oficer, nënoficer, ushtar nga autoriteti kompetent, që bën betimin ushtarak dhe shërben në Ministrinë e Mbrojtjes dhe në Forcat e Armatosura.
2. “Ushtarak në rezervë”, ushtaraku që ka shërbyer në Forcat e Armatosura dhe, pasi ndërpret karrierën ushtarake aktive, përfshihet në strukturat rezervë të Forcave të Armatosura.
3. “Ushtarak në lirim”, ushtaraku që ka shërbyer në Forcat e Armatosura dhe, pasi ndërpret karrierën ushtarake aktive, nuk përfshihet në strukturat rezervë të Forcave të Armatosura.
4. “Oficer aktiv i Forcave të Armatosura”, ushtaraku i titulluar si i tillë me urdhër të ministrit të Mbrojtjes.
5. “Nënoficer aktiv i Forcave të Armatosura”, ushtaraku i titulluar si i tillë me urdhër të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.
6. “Ushtar/detar aktiv i Forcave të Armatosura”, ushtaraku i titulluar si i tillë me urdhër të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.
7. “Student ushtarak”, shtetasi shqiptar që është përzgjedhur për t’u arsimuar në institucionet e përgatitjes së oficerëve të rinj, brenda ose jashtë vendit dhe ka bërë betimin ushtarak.
8. “Kursant”, shtetasi shqiptar:
a) kandidat për oficer aktiv pas përfundimit minimalisht të ciklit të parë të studimeve të larta, brenda ose jashtë vendit, dhe që ndjek kursin përkatës ushtarak në institucionet arsimore ushtarake;
b) kandidat për ushtar i cili është shpallur fitues pas procedurave të rekrutimit nga institucioni përkatës dhe ndjek kurset për t’u certifikuar për ushtar.
9. “Gradë ushtarake”, titulli dhe shenja që mban ushtaraku i Forcave të Armatosura në uniformën ushtarake.
10. “Gradë për specialitete”, kategoria e gradave ushtarake, e cila u jepet ushtarakëve të profesioneve specifike.
11. “Epror”, ushtaraku i cili, në bazë të gradës apo funksionit, ushtron autoritet mbi ushtarakët vartës.
12. “Vartës”, ushtaraku, i cili është nën autoritetin e një ushtaraku që ka gradë apo funksion më të lartë.
KREU II
GRADAT DHE KARRIERA USHTARAKE NË FORCAT E ARMATOSURA
Neni 6
Karriera ushtarake
Karriera ushtarake është ecuria në funksion dhe rendin e gradave gjatë kryerjes së shërbimit ushtarak aktiv.
Neni 7
Hierarkia ushtarake
1. Hierarkia ushtarake përfshin rendin e funksioneve dhe të gradave.
2. Rendi i gradave dhe i funksioneve në Forcat e Armatosura shkallëzohet nga më i ulëti në më të lartin, sipas lidhjeve e varësive që kanë ndërmjet tyre.
3. Ushtarakët, në varësi të hierarkisë së funksioneve dhe gradave, janë eprorë dhe vartës.
Neni 8
Kategoritë e ushtarakëve
1. Ushtarakët e Forcave të Armatosura janë ushtarakë të shërbimit aktiv dhe ushtarakë në rezervë.
2. Ushtarakët e shërbimit aktiv janë ushtarakë të shërbimit të përkohshëm dhe ushtarakë të shërbimit të karrierës. Ushtarakët e shërbimit të përkohshëm janë oficerët me gradë nëntoger, toger dhe kapiten, nënoficerët me gradë nëntetar dhe tetar dhe ushtarët/detarët. Ushtarakë të shërbimit të karrierës janë oficerët me gradë major, nënkolonel, kolonel dhe oficerët me gradë madhore dhe nënoficerët me gradë rreshter, kapter dhe kryekapter.
3. Ushtarakë të shërbimit aktiv në Forcat e Armatosura janë oficerë, nënoficerë dhe ushtarë/detarë.
Neni 9
Kontrata e shërbimit ushtarak aktiv
1. Ushtarakët, me pranimin e tyre në shërbimin ushtarak aktiv, nënshkruajnë kontratë, si më poshtë vijon:
a) Për ushtarët/detarët:
i. Kontrata lidhet për një afat jo më pak se 3 vjet me të drejtë ripërtëritjeje. Kohëzgjatja e ripërtëritjes së kontratës është 3-vjeçare dhe nuk duhet të kalohet mosha maksimale e përcaktuar në nenin 14, të këtij ligji.
ii. Kontrata nënshkruhet midis ushtarakut dhe Forcave të Armatosura. Në emër të Forcave të Armatosura nënshkruajnë Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura ose personi i autorizuar prej tij, komandanti i forcës, komandanti i strukturës mbështetëse apo komandantët e strukturave të tjera kryesore, në përputhje me strukturën e Forcave të Armatosura.
b) Për nënoficerët:
i. Kontrata lidhet për një afat jo më pak se 3 vjet me të drejtë ripërtëritjeje. Kohëzgjatja e ripërtëritjes së kontratës për gradën respektive bëhet sipas përcaktimeve të pikës 2, të nenit 13, të këtij ligji, dhe nuk duhet të kalohet mosha maksimale e përcaktuar në pikën 1, të nenit 14, të këtij ligji.
ii. Kontrata nënshkruhet midis ushtarakut dhe Forcave të Armatosura. Në emër të Forcave të Armatosura nënshkruajnë Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura ose personi i autorizuar prej tij, komandanti i forcës, komandanti i strukturës mbështetëse apo komandantët e strukturave të tjera kryesore, në përputhje me strukturën e Forcave të Armatosura.
c) Për studentët ushtarakë dhe oficerët:
i. Kontrata lidhet me fillimin e studimeve brenda dhe jashtë vendit. Në kontratë përfshihen koha e arsimimit dhe 6 vjet periudhë shërbimi si oficer në Forcat e Armatosura. Kohëzgjatja e ripërtëritjes së kontratës për gradën respektive bëhet sipas përcaktimeve të pikës 2, të nenit 13, të këtij ligji, dhe nuk duhet të kalohet mosha maksimale e përcaktuar në pikën 1, të nenit 14, të këtij ligji.
ii. Në emër të Forcave të Armatosura për studentët ushtarakë nënshkruan komandanti i Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes, ndërsa për oficerët nënshkruan drejtuesi i njësisë së menaxhimit të personelit në Ministrinë e Mbrojtjes.
2. Në rast shkeljeje të kontratës, shtetasit dhe ushtarakët detyrohen të dëmshpërblejnë shpenzimet për kohën e studimit apo kualifikimit brenda ose jashtë vendit. Urdhri i ministrit të Mbrojtjes për shlyerjen e detyrimit në këto raste përbën titull ekzekutiv dhe për ekzekutimin e tij ngarkohet shërbimi përmbarimor gjyqësor.
3. Procedurat e lidhjes së kontratës së shërbimit ushtarak aktiv përcaktohen me udhëzim të ministrit të Mbrojtjes.
4. Shtetasit/ushtarakët, që nënshkruajnë kontratë sipas këtij neni, janë të detyruar të shërbejnë në të gjitha strukturat e Forcave të Armatosura, sipas nevojave dhe situatave operacionale, brenda dhe jashtë vendit.
Neni 10
Subjektet përfituese të gradave ushtarake
Në Forcat e Armatosura gradat u jepen oficerëve, nënoficerëve, ushtarëve/detarëve, studentëve ushtarakë dhe ushtarakëve në rezervë.
Neni 11
Klasifikimi i gradave ushtarake
Gradat ushtarake në Forcat e Armatosura klasifikohen:
a) Për oficerët aktivë:
i. grada madhore;
ii. grada të larta;
iii. grada të ulëta.
b) Për nënoficerët aktivë:
i. grada të larta;
ii. grada të ulëta.
Neni 12
Gradat ushtarake
1. Gradat ushtarake, sipas klasifikimit dhe shërbimit, të renditura nga më e larta te më e ulëta, janë:
a) Për oficerët aktivë:
Klasifikimi Grada Forca Tokësore/Ajrore Grada Forca Detare
i. Gradë madhore Gjeneral lejtnant Admiral;
ii. Gradë madhore Gjeneral major Nënadmiral;
iii. Gradë madhore Gjeneral brigade Kundëradmiral;
iv. Gradë e lartë Kolonel Kapiten i rangut I;
v. Gradë e lartë Nënkolonel Kapiten i rangut II;
vi. Gradë e lartë Major Kapiten i rangut III;
vii. Gradë e ulët Kapiten Kapiten Lejtnant;
viii. Gradë e ulët Toger Lejtnant;
ix. Gradë e ulët Nëntoger Nënlejtnant;
b) Për nënoficerët aktivë:
Klasifikimi Grada Forca Tokësore/Ajrore Grada Forca Detare
i. Gradë e lartë Kryekapter Kryekapter;
ii. Gradë e lartë Kapter Kapter;
iii. Gradë e ulët Rreshter Rreshter;
iv. Gradë e ulët Tetar Tetar;
v. Gradë e ulët Nëntetar Nëntetar;
c) Për ushtarët aktivë:
Titulli Grada Forca Tokësore/Ajrore Grada Forca Detare
i. Ushtar Ushtar IV Detar IV;
ii. Ushtar Ushtar III Detar III;
iii. Ushtar Ushtar II Detar II;
iv. Ushtar Ushtar I Detar I.
ç) Për studentët:
Titulli Lloji i gradës
Student Kadet
2. Studentët shqiptarë, që ndjekin studimet në shkollat ushtarake jashtë vendit, mbajnë uniformën dhe simbolet e gradës së studentit të akademive ushtarake shqiptare, sipas marrëveshjeve dypalëshe me vendet pritëse.
3. Rekrutët, kur hyjnë në shërbimin aktiv, nuk mbajnë gradë deri në përfundimin me sukses të stërvitjes bazë. Pas përfundimit të kësaj periudhe, kandidatët për ushtarë gradohen “Ushtar I” ose “Detar I”.
Neni 13
Koha e qëndrimit në gradë
1. Koha minimale e qëndrimit në një gradë për fitimin e gradës së radhës është:
Forca Tokësore/Ajrore Forca Detare Koha në gradë
a) Ushtar I Detar I 1 vit;
b) Ushtar II Detar II 1 vit;
c) Ushtar III Detar III 1 vit;
ç) Ushtar IV Detar IV 3 vjet;
d) Nëntetar Nëntetar 3 vjet;
dh) Tetar Tetar 4 vjet;
e) Rreshter Rreshter 6 vjet;
ë) Kapter Kapter 5 vjet;
f) Nëntoger Nënlejtnant 3 vjet;
g) Toger Lejtnant 4 vjet;
gj) Kapiten Kapiten lejtnant 5 vjet;
h) Major Kapiten i rangut III 6 vjet;
i) Nënkolonel Kapiten i rangut II 5 vjet;
j) Kolonel Kapiten i rangut I 5 vjet;
k) Gjeneral brigade Kundëradmiral 3 vjet;
l) Gjeneral major Nënadmiral 3 vjet.
2. Në rast mospërparimi në gradë, ushtarët me gradën ushtar IV, nënoficerët me gradat nëntetar, tetar dhe oficerët me gradat nëntoger, toger, kapiten, që plotësojnë 14 vite shërbimi aktiv në Forcat e Armatosura, pavarësisht nga parashikimet e pikës 1, të nenit 14, të këtij ligji, dalin në rezervë.
3. Koha e qëndrimit në një gradë në shërbimin aktiv llogaritet nga data e hyrjes në fuqi të urdhrit përkatës për dhënien e gradës.
4. Koha e shërbimit në rezervë nuk llogaritet si kohë qëndrimi në gradë për gradim në shërbimin aktiv.
5. Kriteret për gradimin e oficerëve, nënoficerëve dhe ushtarëve në rezervë përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes.
Neni 14
Mosha maksimale e qëndrimit në shërbimin aktiv
1. Mosha maksimale e qëndrimit në shërbimin aktiv është:
Forca Tokësore/Ajrore Forca Detare Mosha në shërbim aktiv
a) Ushtar I Detar I 28 vjeç;
b) Ushtar II Detar II 29 vjeç;
c) Ushtar III Detar III 30 vjeç;
ç) Ushtar IV Detar IV 33 vjeç;
d) Nëntetar Nëntetar 37 vjeç;
dh) Tetar Tetar 41vjeç;
e) Rreshter Rreshter 54 vjeç;
ë) Kapter Kapter 55 vjeç;
f) Kryekapter Kryekapter 57 vjeç;
g) Nëntoger Nënlejtnant 30 vjeç;
gj) Toger Lejtnant 34 vjeç;
h) Kapiten Kapiten lejtnant 41 vjeç;
i) Major Kapiten i rangut III 55 vjeç;
j) Nënkolonel Kapiten i rangut II 57 vjeç;
k) Kolonel Kapiten i rangut I 59 vjeç;
l) Gjeneral brigade Kundëradmiral 61 vjeç;
ll) Gjeneral major Nënadmiral 63 vjeç;
m) Gjeneral lejtnant Admiral 65 vjeç.
2. Oficeri me gradë madhore, pavarësisht nga mosplotësimi i moshës së përcaktuar në pikën 1, të këtij neni, dhe i kritereve të përcaktuara në nenet 25 dhe 26, të këtij ligji, nxirret në rezervë apo lirim, kur plotëson njërin nga këto kritere:
a) Kur pas kalimit të kohës së qëndrimit në një gradë sipas pikës 1, të nenit 13, të këtij ligji, nuk ka marrë gradën e radhës;
b) Kur nuk ka kuota të lira për konkurrim për gradën e radhës, sipas tabelës së organizimit dhe pajisjeve.
3. Oficerët, pas marrjes se gradës major dhe nënoficerët pas marrjes së gradës rreshter, nuk nënshkruajnë kontratë, por vazhdojnë shërbimin aktiv të karrierës dhe shërbejnë në shërbimin aktiv sipas përcaktimeve të pikës 1, të këtij neni.
4. Mosha minimale e pranimit në Forcat e Armatosura është 18 vjeç.
5. Shtetasit, në momentin e titullimit oficer aktiv dhe ushtar/detar aktiv, nuk duhet të kenë mbushur moshën 27 vjeç. Përjashtim bëjnë vetëm shtetasit që do të titullohen oficerë dhe ushtarë/detarë aktivë, të cilët do të jenë personel mjekësor i Forcave të Armatosura dhe në momentin e titullimit nuk duhet të kenë mbushur moshën 32 vjeç.
KREU III
TITULLIMI DHE GRADIMI I USHTARAKËVE AKTIVË
Neni 15
Titullimi dhe gradimi i ushtarëve aktivë
1. “Ushtar/detar aktiv i Forcave të Armatosura” titullohet shtetasi shqiptar që ka kryer minimalisht arsimin parauniversitar brenda ose jashtë vendit, ka kryer kursin përkatës ushtarak të ushtarit dhe bën betimin ushtarak.
2. Titullimi “ushtar/detar aktiv” dhe dhënia e gradës së parë të ushtarit/detarit aktiv bëhet me urdhër të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm, me propozimin e titullarit të institucionit arsimor dhe stërvitor në Forcat e Armatosura, i cili ka certifikuar kandidatin në përfundim të kursit.
3. Gradat e tjera për ushtarët/detarët aktivë jepen nga:
a) Shefi i Shtabit të Përgjithshëm për ushtarët/detarët që shërbejnë në Ministrinë e Mbrojtjes, Shtabin e Përgjithshëm dhe strukturat e varësisë së tyre;
b) Komandanti i forcës për strukturën që drejton dhe ato të varësisë;
c) Komandanti i strukturës mbështetëse për strukturën që drejton dhe ato të varësisë.
4. Ministri i Mbrojtjes, me propozimin e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm, përcakton me udhëzim procedurat dhe kriteret për rekrutimin e ushtarëve/detarëve aktivë.
Neni 16
Titullimi dhe gradimi i nënoficerëve aktivë
1. “Nënoficer aktiv” titullohet ushtari/detari IV, që ka kryer kualifikimin përkatës të nënoficerit.
2. Titullimi “nënoficer aktiv” dhe dhënia e gradës së parë nëntetar bëhet me urdhër të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm, me propozimin e titullarit të institucionit arsimor dhe stërvitor në Forcat e Armatosura, i cili ka certifikuar kandidatin në përfundim të kursit.
3. Gradat për nënoficerët aktivë jepen me urdhër të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm, me propozimin e komisionit të karrierës.
4. Ministri i Mbrojtjes, me propozimin e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm, përcakton me udhëzim procedurat dhe kriteret për rekrutimin e nënoficerëve aktivë.
Neni 17
Titullimi dhe gradimi i oficerëve aktivë
1. “Oficer aktiv i Forcave të Armatosura” titullohet shtetasi shqiptar që plotëson një nga kriteret e mëposhtme dhe bën betimin ushtarak:
a) Të ketë kryer arsimin e lartë ushtarak brenda vendit ose jashtë vendit;
b) Të ketë kryer arsimin e lartë ushtarak dhe ciklin e parë të studimeve të larta pas arsimimit ushtarak jashtë vendit;
c) Të ketë kryer ciklin e parë të studimeve të larta, brenda ose jashtë vendit, dhe kursin përkatës ushtarak në institucionet arsimore ushtarake.
2. Titullimi “oficer aktiv” dhe dhënia e gradës së parë të oficerit bëhet me urdhër të ministrit të Mbrojtjes, me propozimin e titullarit të institucionit arsimor dhe stërvitor në Forcat e Armatosura.
3. Grada “Nëntoger” u jepet shtetasve që janë titulluar “oficer aktiv”.
4. Gradat e ulëta dhe të larta të oficerëve jepen me urdhër të ministrit të Mbrojtjes, me propozimin e komisioneve të karrierës.
5. Gradat madhore u jepen oficerëve me dekret të Presidentit të Republikës, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, përveç gradës së Shefit të Shtabit të Përgjithshëm.
6. Shefit të Shtabit të Përgjithshëm i jepet grada me dekret të Presidentit të Republikës, me propozimin e Kryeministrit.
7. Grada e Komandantit të Forcave të Armatosura në kohë lufte jepet me dekret të Presidentit të Republikës, me propozimin e Kryeministrit.
Neni 18
Kriteret e përgjithshme për përparimin në gradë
1. Ushtaraku merret në shqyrtim për marrjen e gradës së radhës, kur plotëson kriteret e mëposhtme:
a) Të ketë plotësuar kohën e qëndrimit në një gradë sipas pikës 1, të nenit 13, të këtij ligji;
b) Të ketë arsimimin dhe kualifikimin e nevojshëm për marrjen e gradës së radhës, sipas nenit 20, të këtij ligji;
c) Më shumë se gjysma e vlerësimeve vjetore gjatë viteve të qëndrimit në gradën që mban të mos jetë më e ulët se “kënaqshëm”;
ç) Të jetë i aftë fizikisht dhe në gjendje shëndetësore të mirë.
2. Nënoficerët me gradë nëntetar dhe oficerët me gradë nëntoger, toger, shqyrtohen nga komisionet e karrierës vetëm 1 (një) herë për marrjen e gradës së radhës.
3. Nënoficerët me gradë tetar dhe oficerët me gradë kapiten shqyrtohen 2 (dy) herë radhazi nga komisionet e karrierës për marrjen e gradës së radhës.
4. Oficerët e karrierës me gradë major, nënkolonel, kolonel dhe nënoficerët e karrierës me gradë rreshter dhe kapter shqyrtohen 3 (tre) herë radhazi nga komisionet e karrierës për marrjen e gradës së radhës.
5. Oficerët me gradë madhore shqyrtohen vetëm 1 (një) herë nga komisioni i karrierës për marrjen e gradës se radhës.
6. Gradimi, sipas këtij ligji, bëhet në përputhje me nevojat organike të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.
7. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, brenda muajit mars të çdo viti, i paraqet ministrit të Mbrojtjes nevojat organike të Forcave të Armatosura për çdo gradë sipas llojit të forcës dhe specialiteteve. Komandantët e forcave dhe komandantët e strukturave mbështetëse, brenda muajit mars të çdo viti, i paraqesin Shefit të Shtabit të Përgjithshëm nevojat organike të strukturave që drejtojnë për çdo gradë sipas llojit të forcës dhe specialiteteve.
8. Ministri i Mbrojtjes, në zbatim të shkronjës “ç”, të pikës 1, të këtij neni, miraton rregulloren e aftësive fizike, me propozimin e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm.
Neni 19
Vlerësimi vjetor i ushtarakut
1. Vlerësimi i vjetor i ushtarakut është procesi i verifikimit të përgjithshëm vjetor të realizimit të objektivave të përcaktuar në detyrë, i aftësive apo dobësive të ushtarakut në kryerjen e detyrave, si dhe cilësive etike e morale të tij. Vlerësimi i rezultateve synon përmirësimin e aftësive profesionale dhe të cilësisë së shërbimit nga ushtarakët.
2. Ushtaraku vlerësohet në një nga këto nivele:
a) Shkëlqyer;
b) Shumë mirë;
c) Kënaqshëm;
ç) Jo gjithnjë i përshtatshëm;
d) Pamjaftueshëm.
3. Ministri i Mbrojtjes, me propozimin e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm, miraton rregulloren e vlerësimit të ushtarakëve.
Neni 20
Arsimimi dhe kualifikimi për përparim në gradë
1. Ushtarakët e Forcave të Armatosura, për të fituar gradën e radhës, duhet të plotësojnë kriteret e arsimimit dhe të kualifikimit, si më poshtë vijon:
a) Oficerët:
i. Nëntogeri, për të fituar gradën e togerit, të ketë kryer kursin bazë të oficerit ose kurse të njësuara me të sipas urdhrit të ministrit të Mbrojtjes;
ii. Togeri, për të fituar gradën e kapitenit, të ketë kryer kursin e avancuar të oficerit ose kurse të njësuara me të sipas urdhrit të ministrit të Mbrojtjes;
iii. Kapiteni, për të fituar gradën e majorit, të ketë kryer kursin themelor të oficerit të shtabit ose kurse të njësuara me të sipas urdhrit të ministrit të Mbrojtjes;
iv. Majori, për të fituar gradën e nënkolonelit, të ketë kryer kursin e Komandës dhe Shtabit të Përgjithshëm ose kurse të njësuara me të sipas urdhrit të ministrit të Mbrojtjes;
v. Nënkoloneli, për të fituar gradën e kolonelit, të ketë kryer kursin e lartë të oficerit ose kurse të njësuara me të sipas urdhrit të ministrit të Mbrojtjes;
vi. Koloneli, për të fituar gradën gjeneral brigade, të ketë kryer kursin e lartë për sigurinë dhe mbrojtjen ose kurse të njësuara me të sipas urdhrit të ministrit të Mbrojtjes;
vii. Gradimi gjeneral major/nënadmiral dhe gjeneral lejtnant/admiral bëhet në bazë të meritave, përgatitjes dhe aftësive profesionale, të vlerësuara nga Komisioni i Veçantë i Karrierës.
b) Nënoficerët:
i. Nëntetari, për të fituar gradën tetar, duhet të ketë kryer kursin bazë të nënoficerit;
ii. Tetari, për të fituar gradën rreshter, duhet të ketë kryer kursin e avancuar të nënoficerit;
iii. Rreshteri, për të fituar gradën kapter, duhet të ketë kryer kursin e lartë të nënoficerit;
iv. Kapteri, për të fituar gradën kryekapter, duhet të ketë kryer kursin e kryekapterit.
c) Ushtarët:
i. Kursanti, për të fituar gradën ushtar/detar I, duhet të ketë kryer stërvitjen bazë;
ii. Ushtari/detari I, për të fituar gradën ushtar/detar II, duhet të ketë kryer stërvitjen individuale të avancuar.
2. Kurset dhe kualifikimet e kryera brenda dhe jashtë vendit, për efekt të përparimit në gradë, për të gjitha llojet e gradave, njësohen me urdhër të ministrit të Mbrojtjes, me propozimin e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm.
3. Kurset dhe kualifikimet e kërkuara nga legjislacioni në fuqi, që rregullon aktivitetin e Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes dhe të shërbimit të policisë kriminale ushtarake, njësohen me kurset dhe kualifikimet e kërkuara për marrjen e gradave sipas këtij ligji, me urdhër të ministrit të Mbrojtjes.
4. Ministria e Mbrojtjes, me qëllim arsimimin e shtetasve që dëshirojnë të bëhen pjesëtarë të Forcave të Armatosura në të ardhmen, zhvillon politika dhe planifikon fonde buxhetore, si dhe mund të lidhë marrëveshje me institucione të arsimit parauniversitar, profesional dhe të lartë, publike dhe private.
Neni 21
Kriteret e përparimit në gradë për specialitetet
1. Përparimi në gradë për oficerët deri nënkolonel/kapiten i rangut II dhe nënoficerët deri kapter, që kryejnë detyra organike në specialitete në Forcat e Armatosura si mjekë dhe personel i orkestrës frymore, bëhet sipas kritereve të përcaktuara në nenet 13 dhe 14, të këtij ligji, dhe në përputhje me nevojat organike të Forcave të Armatosura.
2. Specifika e këtyre gradave bëhet e dallueshme nëpërmjet dizenjimit të veçantë të tyre.
3. Gradat e përfituara sipas këtij neni ruajnë vlerën juridike vetëm kur mbajtësit e tyre ushtrojnë funksione në specialitetin që është bërë parakusht për marrjen e gradës. Kur ushtaraku nuk ushtron detyrën sipas specialitetit të tij, mban të njëjtën gradë.
4. Ushtarakët e përcaktuar në pikën 1, të këtij neni, përfitojnë grada të tjera ushtarake të sistemit të karrierës, kur plotësojnë kriteret e tjera të këtij ligji për gradën respektive.
5. Numri i përgjithshëm i personelit, që mban grada për specialitetet, përcaktohet nga ministri i Mbrojtjes, me propozimin e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm. Përcaktimi i numrit të personelit që mban grada për specialitete bëhet duke marrë parasysh misionin dhe detyrat e strukturave të Forcave të Armatosura.
Neni 22
Komisionet e karrierës
1. Komisionet e karrierës janë autoritetet përgjegjëse për vlerësimin e përparimit të ushtarakëve në gradë, si dhe për kualifikimet që shërbejnë për marrjen e gradës së radhës.
2. Komisionet e karrierës janë:
a) Komisioni i Veçantë, i cili vlerëson oficerët për marrjen e gradave madhore.
b) Komisioni i Lartë, i cili vlerëson oficerët për marrjen e gradave major/kapiten i rangut III, nënkolonel/kapiten i rangut II, kolonel/kapiten i rangut I, si dhe nënoficerët për marrjen e gradës kryekapter.
c) Komisioni i zakonshëm për oficerët me grada të ulëta, i cili vlerëson oficerët për marrjen e gradave toger/lejtnant dhe kapiten/kapiten lejtnant.
ç) Komisioni i zakonshëm për nënoficerët, i cili vlerëson nënoficerët për marrjen e gradave të radhës, përjashtuar gradën kryekapter.
3. Përbërja e komisioneve të karrierës:
a) Komisioni i Veçantë përbëhet nga:
i. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm kryetar;
ii. Një gjeneral major/nënadmiral anëtar;
iii. tre gjeneralë brigade/kundëradmiralë anëtarë.
b) Komisioni i Lartë përbëhet nga:
i. një gjeneral major/nënadmiral kryetar;
ii. tre gjeneralë brigade/kundëradmiralë anëtarë;
iii. tre kolonelë/kapitenë të rangut I anëtarë.
Në rastet kur shqyrtohen oficerë dhe nënoficerë të Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes, në komision marrin pjesë respektivisht edhe dy kolonelë kur shqyrtohen oficerët dhe dy kryekapterë kur shqyrtohen nënoficerët nga kjo Agjenci, me të drejtë vote.
Në rastet kur shqyrtohen nënoficerët e forcave dhe strukturave mbështetëse për marrjen e gradës kryekapter, në komision marrin pjesë edhe dy kryekapterë, me të drejtë vote.
Komisioni i Lartë mblidhet sipas afateve të përcaktuara në urdhrin e Ministrit të Mbrojtjes.
c) Komisioni i zakonshëm për oficerët me grada të ulëta përbëhet nga:
i. një gjeneral brigade/kundëradmiral kryetar;
ii. gjashtë kolonelë/kapitenë të rangut I anëtarë.
Në rastet kur shqyrtohen oficerë të Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes, në komision marrin pjesë edhe dy kolonelë nga kjo Agjenci, me të drejtë vote.
Komisioni i zakonshëm për oficerët me grada të ulëta mblidhet sipas afateve të përcaktuara në urdhrin e ministrit të Mbrojtjes.
ç) Komisioni i zakonshëm për nënoficerët përbëhet nga:
i. një gjeneral brigade/kundëradmiral kryetar;
ii. tre kolonelë/kapitenë të rangut I anëtarë;
iii. tre kryekapterë anëtarë.
Në rastet kur shqyrtohen nënoficerë të Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes, në komision marrin pjesë edhe dy kryekapterë/kapterë nga kjo Agjenci, me të drejtë vote.
Komisioni i zakonshëm për nënoficerët mblidhet sipas afateve të përcaktuara në urdhrin e ministrit të Mbrojtjes.
4. Nuk bëjnë pjesë në komisionet e karrierës:
a) anëtarët e kabinetit të ministrit të Mbrojtjes;
b) ushtarakët e shërbimeve inteligjente dhe informative, me përjashtim të rasteve të parashikuara në shkronjat “b”, “c” dhe “ç”, të pikës 3, të këtij neni.
5. Komisionet e karrierës i përfundojnë procedurat e punës së tyre brenda muajit korrik të çdo viti, me përjashtim të Komisionit të Veçantë.
6. Komisionet e karrierës ngrihen me urdhër të ministrit të Mbrojtjes, me propozimin e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm.
7. Funksionimi, procedurat e punës, mënyra e vlerësimit të ushtarakëve, gjatë procedurave për vlerësimin e përparimit të ushtarakëve në gradë, si dhe për kualifikimet përcaktohen me urdhër të ministrit të Mbrojtjes, me propozimin e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm.
8. Përjashtim nga sistemi i vlerësimit me pikë bëhet për marrjen e gradave gjeneral major/nënadmiral dhe gjeneral lejtnant/admiral, të cilat vlerësohen në bazë të meritave, përgatitjes dhe aftësive profesionale.
Neni 23
Njësimi i gradave me funksionet organike
Njësimi i gradave me funksionet organike në Forcat e Armatosura përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes.
Neni 24
Pezullimi i ushtarakëve nga detyra
1. Pezullimi është ndërprerja e përkohshme e marrëdhënieve të punës për periudhën sa zgjat arsyeja e ndërprerjes. Në mbarim të kësaj periudhe, ushtaraku emërohet në përputhje me gradën që mban, me përjashtim të rastit kur dënohet me burgim.
2. Ushtaraku pezullohet:
a) kur ndaj tij fillon ndjekja penale dhe vendoset masa e sigurisë, arrest në burg ose arrest në shtëpi, deri në marrjen e një vendimi të formës së prerë nga gjykata ose kur ndaj tij fillon procedimi penal për vepra penale që lidhen me detyrën;
b) për periudha studimi më shumë se 6 muaj, të ndërmarra me nismën e vetë ushtarakut dhe në lidhje me profesionin që ai ushtron;
c) me kërkesën e ushtarakut për të shoqëruar bashkëshortin/bashkëshorten, që emërohet jashtë shtetit në funksione zyrtare. Në këtë rast, pezullimi nuk mund të zgjatë më shumë se katër vjet.
3. Gjatë periudhës së pezullimit, ushtaraku nuk paguhet. Në rastin e parashikuar në shkronjën “a”, të pikës 2, të këtij neni, kur çështja penale pushohet ose kur me vendim gjykate të formës së prerë ushtaraku deklarohet i pafajshëm, ai emërohet në detyrë, i jepet paga bazë me të gjitha përfitimet e tjera që nga çasti i pezullimit.
4. Periudha e kohës së pezullimit nga detyra njihet si vjetërsi grade dhe shërbimi në Forcat e Armatosura, kur pezullimi ndodh për rastin e parashikuar në shkronjën “a”, të pikës 2, të këtij neni, dhe çështja penale pushohet ose kur me vendim gjykate të formës së prerë ushtaraku deklarohet i pafajshëm, ndërsa për rastet e parashikuara në shkronjat “b” dhe “c”, të pikës 2, të këtij neni, periudha e pezullimit njihet vetëm për efekt të vjetërsisë së gradës.
5. Pezullimi i oficerit nga detyra bëhet me urdhër të ministrit të Mbrojtjes, ndërsa pezullimi i nënoficerit dhe ushtarit/detarit bëhet me urdhër të autoritetit që ka kompetencën e emërimit.
Neni 25
Dalja në rezervë e ushtarakëve
1. Ushtaraku del në rezervë nga shërbimi aktiv kur ka plotësuar njërin nga kushtet e mëposhtme:
a) Ka plotësuar afatin e parashikuar në kontratë;
b) Ka plotësuar moshën e përcaktuar në nenin 14, të këtij ligji;
c) Ka plotësuar kohën e qëndrimit në shërbimin aktiv sipas pikës 2, të nenit 13, të këtij ligji për gradat respektive;
ç) Ka tre vlerësime vjetore “pamjaftueshëm” gjatë kohës së qëndrimit në një gradë;
d) Paraqet kërkesën dhe ajo miratohet nga organi përgjegjës. Organi përgjegjës kthen përgjigje brenda tre muajve. Në rast se organi përgjegjës nuk kthen përgjigje brenda këtij afati, kërkesa quhet e miratuar.
dh) Kur bëhen shkurtime në numrin e përgjithshëm të personelit të Forcave të Armatosura. Në këtë rast, kriteret e përzgjedhjes së ushtarakëve që dalin në rezervë përcaktohen me udhëzim të ministrit të Mbrojtjes, sipas propozimit të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.
2. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm del në rezervë me dekret të Presidentit të Republikës, me propozimin e Kryeministrit.
3. Oficerët me gradë madhore dalin në rezervë me urdhër të Kryeministrit, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes.
4. Oficerët, përveç atyre që mbajnë grada madhore, dalin në rezervë me urdhër të ministrit të Mbrojtjes, me propozimin e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm.
5. Nënoficerët dalin në rezervë me urdhër të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm, me propozimin e komandantit të forcës ose komandantit të strukturës mbështetëse.
6. Ushtarët/detarët dalin në rezervë me urdhër të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm, me propozimin e komandantit të forcës ose komandantit të strukturës mbështetëse.
Neni 26
Dalja në lirim e ushtarakëve
1. Ushtaraku del në lirim nga shërbimi aktiv kur ka plotësuar njërin nga kushtet e mëposhtme:
a) Ka plotësuar moshën për pension pleqërie;
b) Dënohet me burgim me vendim gjyqësor të formës së prerë;
c) Shpallet i paaftë nga ana shëndetësore për shërbim ushtarak me vendim të komisionit përkatës mjekësor;
ç) Paraqet kërkesën dhe ajo miratohet nga organi përgjegjës. Organi përgjegjës kthen përgjigje brenda tre muajve. Në rast se organi përgjegjës nuk kthen përgjigje brenda këtij afati, kërkesa quhet e miratuar;
d) Ka kryer shkelje shumë të rënda disiplinore, sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi për disiplinën në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë;
dh) Në rastet e parashikuara në pikën 1, të nenit 25, të këtij ligji, kur është mbi moshën e shërbimit ushtarak në rezervë, sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi për shërbimin ushtarak në Republikën e Shqipërisë.
2. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm del në lirim me dekret të Presidentit të Republikës, me propozimin e Kryeministrit.
3. Oficerët me gradë madhore dalin në lirim me urdhër të Kryeministrit, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes.
4. Oficerët, përveç atyre që mbajnë grada madhore, dalin në lirim me urdhër të ministrit të Mbrojtjes, me propozimin e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm.
5. Nënoficerët dalin në lirim me urdhër të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm, me propozimin e komandantit të forcës ose komandantit të strukturës mbështetëse.
6. Ushtarët/detarët dalin në lirim me urdhër të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm, me propozimin e komandantit të forcës ose komandantit të strukturës mbështetëse.
Neni 27
Periudha e qëndrimit të ushtarakut në dispozicion
1. Kur ushtaraku lirohet nga detyra, ai emërohet menjëherë në një detyrë tjetër, në përputhje me arsimimin, specialitetin dhe funksionet organike sipas gradës që mban.
2. Në raste të veçanta, emërimi në një detyrë tjetër bëhet brenda një periudhe 2-mujore. Gjatë kësaj periudhe, ushtaraku i liruar nga detyra paguhet me pagën mujore të gradës që mban, por jo më shumë se dy muaj.
Neni 28
Ankimi për procedurën e vlerësimit të komisioneve të karrierës
1. Ushtarakët, që janë marrë në shqyrtim për gradën e radhës, mund të ankohen për vlerësimin e komisionit të karrierës te ministri i Mbrojtjes. Ankimet bëhen brenda 10 (dhjetë) ditëve nga data e shpalljes së rezultatit vetëm një herë.
2. Për shqyrtimin e ankesave, ministri i Mbrojtjes krijon një komision të posaçëm të drejtuar nga një ushtarak me gradë madhore.
3. Komisioni i ngritur për shqyrtimin e ankesave vendos lënien në fuqi të vlerësimit të komisioneve të karrierës ose ndryshimin e këtij vlerësimi.
4.Procedurat dhe funksionimi i komisionit të shqyrtimit të ankesave përcaktohen me urdhër të ministrit të Mbrojtjes, me propozimin e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm.
Neni 29
Përfundimi i procedurave të gradimit
Gradimet e radhës bëhen vetëm pas përfundimit të procedurave të shqyrtimit të ankesave nga komisioni, sipas nenit 28, të këtij ligji.
Neni 30
Ankimi për procedurën e daljes në rezervë/lirim
1. Për mosmarrëveshjet që lindin për nxjerrjen në rezervë/lirim nga shërbimi ushtarak në Forcat e Armatosura, ushtarakut, përveç atij me gradë madhore, i lind e drejta të ankohet te ministri i Mbrojtjes brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e njoftimit për nxjerrjen në rezervë/lirim.
2. Ministri i Mbrojtjes, brenda 30 (tridhjetë) ditëve, shqyrton dhe vendos për ankesën.
3. Kur mosmarrëveshja nuk zgjidhet ose organi kompetent nuk e ka shqyrtuar kërkesën në afatin e caktuar në pikën 2, të këtij neni, ushtarakut i lind e drejta të ankohet në gjykatën administrative brenda 30 (tridhjetë) ditëve.
4. Kur akti i shfuqizuar nga gjykata ka të bëjë me nxjerrjen në rezervë ose në lirim të ushtarakut, ai rikthehet në detyrën e mëparshme ose në një detyrë tjetër të të njëjtit nivel me atë të mëparshmen.
Neni 31
Rikthimi në shërbimin aktiv
1. Ushtarakët në rezervë rikthehen në shërbimin aktiv vetëm në rastet kur:
a) bëhen shtesa në numrin e përgjithshëm të personelit të Forcave të Armatosura;
b) bëhet mobilizimi i përgjithshëm ose i pjesshëm.
2. Në rastet e rikthimit në Forcat e Armatosura, ushtarakët mbajnë gradën që kishin në çastin e daljes në rezervë.
Neni 32
Mospërputhjet gradë-funksion
1. Në rastet e riorganizimit strukturor të Forcave të Armatosura, për mungesë funksioni organik, ushtaraku, me pëlqimin e tij, mund të emërohet në një funksion më të ulët duke mbajtur gradën që ka, por jo për më shumë se 3 vjet.
2. Mospërputhja e gradave me funksionet organike në Forcat e Armatosura nuk duhet të kalojë masën 10 për qind të numrit të përgjithshëm të personelit ushtarak.
KREU IV
DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT
Neni 33
Zëvendësimi i emërtesave
Emërtesa “ushtar me pagesë/profesionist”, e përdorur në legjislacionin në fuqi, zëvendësohet me emërtesën “ushtar/detar”.
Neni 34
Rregullimi i gradave të ushtarëve
Me hyrjen në fuqi të këtij ligji:
a) ushtarëve profesionistë I , që kanë më pak se 9 muaj në këtë gradë, u jepet grada ushtar I/detar I;
b) ushtarëve profesionistë I, që kanë më shumë se 9 muaj dhe më pak se 1 vit në këtë gradë, u jepet grada ushtar II/detar II;
c) ushtarëve profesionistë II, që kanë nga 1 deri në 2 vite shërbim në këtë gradë, u jepet grada ushtar III/detar III;
ç) ushtarëve profesionistë II, që kanë më shumë se 2 vite në këtë gradë, u jepet grada ushtar IV/detar IV.
Neni 35
Implementimi i daljes në rezervë lirim
Zbatimi i neneve 13 dhe 14, të këtij ligji, do të bëhet duke mos cenuar operacionalitetin dhe gatishmërinë e strukturave të Forcave të Armatosura.
Ministri i Mbrojtjes, me propozimin e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm, miraton planin e daljes në rezervë ose lirim të ushtarakëve, kur dalja në rezervë ose lirim sjell cenimin e operacionalitetit dhe gatishmërisë së strukturave të Forcave të Armatosura.
Neni 36
Referenca e jashtme
Kudo në legjislacionin në fuqi, ku bëhet referim në ligjin nr.9171, datë 22.1.2004, “Për gradat dhe karrierën ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, referenca do të konsiderohet e bërë në këtë ligj.
Neni 37
Aktet nënligjore në fuqi
Aktet nënligjore të nxjerra para datës së hyrjes në fuqi të këtij ligji dhe që nuk bien në kundërshtim me këtë ligj do të zbatohen deri në nxjerrjen e akteve nënligjore në zbatim të këtij ligji.
Neni 38
Nxjerrja e akteve nënligjore
1. Ngarkohet Këshilli i Ministrave të nxjerrë aktet nënligjore në zbatim të pikës 5, të nenit 13, dhe të nenit 23, brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji.
2. Ngarkohet ministri i Mbrojtjes të nxjerrë aktet nënligjore në zbatim të neneve 9, pika 3, 15, pika 4, 16, pika 4, 18, pika 8, 19, pika 3, 20, pikat 2 dhe 3, 21, pika 1, 22, pika 7, dhe 28, pika 4, brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji.
Neni 39
Shfuqizime
Ligji nr.9171, datë 22.1.2004, “Për gradat dhe karrierën ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, shfuqizohet.
Neni 40
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
ILIR META
***
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR AUTORITETET DHE PUSHTETET E DREJTIMIT E TË KOMANDIMIT TË FORCAVE TË ARMATOSURA TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për autoritetet dhe pushtetet e drejtimit e të komandimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
P R O J E K T L I GJ
PËR
AUTORITETET DHE PUSHTETET E DREJTIMIT E TË KOMANDIMIT TË FORCAVE TË ARMATOSURA TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 1
Objekti
Objekt i këtij ligji është përcaktimi i autoriteteve dhe pushteteve të drejtimit e të komandimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.
Neni 2
Qëllimi
Ky ligj ka për qëllim:
a) përcaktimin e qartë të pushteteve e të kufizimeve të tyre, të autoriteteve, përgjegjësive, roleve dhe funksioneve të institucioneve dhe organeve të përfshira në sigurimin e mbrojtjes kombëtare të Republikës së Shqipërisë;
b) zbatimin e parimit demokratik të kontrollit dhe drejtimit civil mbi Forcat e Armatosura;
c) përcaktimin e përgjegjësisë strategjike dhe operacionale për drejtimin e komandimin e Forcave të Armatosura në kohë paqeje ose në rastet kur vendosen masa të jashtëzakonshme;
ç) paraqitjen e qartë të zinxhirit të drejtimit dhe të komandimit të Forcave të Armatosura në kohë paqeje ose në rastet kur vendosen masa të jashtëzakonshme.
Neni 3
Fusha e zbatimit
Ky ligj zbatohet për fushën e veprimtarisë së Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.
Neni 4
Subjektet
Subjekte të këtij ligji janë organet shtetërore të përmendura në nenin 7, të këtij ligji.
Neni 5
Juridiksioni territorial
Ky ligj zbatohet në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, si dhe jashtë territorit të saj për ushtarakët shqiptarë kur ata janë dërguar me mision, shërbim, studime, stërvitje të përbashkët, mision diplomatik ose në bazë të marrëveshjeve ndërkombëtare.
Neni 6
Përkufizime
Në kuptim të këtij ligji, me termat e mëposhtëm nënkuptohet:
1. “Autoritet”, institucioni që gëzon të drejtën e ushtrimit të pushtetit të dhënë me ligj.
2. “Pushtet”, zotërimi i së drejtës së drejtimit dhe komandimit me qëllim realizimin e misionit kushtetues të Forcave të Armatosura.
3. “Komandim”, pushteti që i jepet një ushtaraku për drejtimin, bashkërendimin dhe kontrollin e një force ushtarake, si dhe procesi nëpërmjet të cilit një komandant imponon vullnetin e tij dhe përçon synimet e veta te vartësit, me qëllim që të realizojë një veprim të caktuar.
4. “Drejtim”, përdorimi i ligjshëm i burimeve njerëzore e materiale dhe i procedurave për planifikimin, kontrollin dhe koordinimin e këtyre burimeve për përmbushjen e misioneve e të detyrave të dhëna.
5. “Drejtim dhe komandim”, procesi, nëpërmjet të cilit drejtuesit civilë dhe komandantët ushtarakë identifikojnë, planifikojnë dhe arrijnë objektivat strategjikë, operacionalë dhe taktikë, duke ushtruar autoritet dhe drejtim mbi burimet njerëzore e materiale.
6. “Komandant”, ushtaraku komandues, i cili ka pushtetin ligjor për të ushtruar drejtimin dhe komandimin e personelit të Forcave të Armatosura që ka në varësi.
7. “Autoritet i komandimit”, e drejta e ligjshme e dhënë me anë të emërimit një pozicioni komandimi për të organizuar dhe përdorur forcat, në përmbushje të misioneve të dhëna.
8. “Drejtim operacional”, pushteti dhe përgjegjësia që ushtrohet nga një autoritet ushtarak për drejtimin dhe kontrollin e forcave të dhëna, për përmbushjen e misioneve dhe detyrave të veçanta.
9. “Operacion”, veprimi ushtarak ose kryerja e një misioni ushtarak strategjik, taktik, shërbimi, stërvitor ose administrativ, si dhe procesi i kryerjes së luftimit, duke përfshirë lëvizjen, furnizimin, sulmin, mbrojtjen dhe manovrat që nevojiten për të arritur objektivat e çdo beteje ose fushe.
10. “Planet e veprimit”, plane të natyrës strategjike, operacionale, taktike, ose të lidhura me menaxhimin e burimeve njerëzore e materiale dhe që nënkuptojnë një dokument të shkruar që përvijon kryerjen e misioneve, qëllimet dhe objektivat e caktuar, burimet njerëzore e materiale të kërkuara dhe afatet për kryerjen e tyre.
11. “Planet specifike të veprimit”, përfshijnë planet e përbashkëta operacionale për operacionet ushtarake që synojnë përmbushjen e objektivave strategjikë dhe operacionalë, brenda një territori dhe periudhe të dhënë kohe.
12. “Planet e luftës”, plane të natyrës strategjike, operacionale ose taktike dhe që përfshijnë të gjitha misionet, qëllimet dhe objektivat e caktuar, përshkrimin e detyrave e të burimeve njerëzore e materiale, të kërkuara për ekzekutimin e operacioneve nga Forcat e Armatosura, në kohë lufte.
13. “Urdhër”, një akt që komunikohet me shkrim, me gojë, në mënyrë elektronike ose nëpërmjet sinjaleve dhe që ka natyrë detyruese.
14. “Forcë”, në varësi të kontekstit të përdorur, nënkupton:
a) totalin e të gjitha reparteve ushtarake;
b) secilën prej forcave tokësore, detare dhe ajrore;
c) një njësi ushtarake të pajisur, të përgatitur dhe të gatshme për të përdorur forcën.
15. “Forcat e Armatosura”, Forca Tokësore, Detare, Ajrore, strukturat mbështetëse, Shtabi i Përgjithshëm bashkë me strukturat e varësisë si dhe strukturat ushtarake të varësisë së Ministrisë së Mbrojtjes.
16. “Komandë”, komanda e Forcës Tokësore, Detare dhe Ajrore dhe komandat e strukturave mbështetëse.
17. “Strukturë mbështetëse”, njësia ushtarake në nivel komande ose brigade, sipas përcaktimeve të bëra në strukturën e Forcave të Armatosura, të miratuar nga autoriteti përgjegjës.
18. “Direktiva e mbrojtjes”, dokumenti me anë të të cilit ministri i Mbrojtjes jep udhëzime për Forcat e Armatosura lidhur me politikat, çështjet dhe objektivat e sigurisë kombëtare, prioritetin e misioneve ushtarake, prioritetin e projekteve në vazhdim për modernizimin e mbrojtjes dhe nivelet e pritshme të burimeve të planifikuara për një periudhë të dhënë planifikimi.
KREU II
HIERARKIA E AUTORITETEVE DHE PUSHTETEVE TË DREJTIMIT E TË KOMANDIMIT NË FORCAT E ARMATOSURA
Neni 7
Autoritetet dhe pushtetet e drejtimit e të komandimit
Hierarkia e autoriteteve të drejtimit e të komandimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë është, si më poshtë vijon:
1. Kuvendi i Republikës së Shqipërisë;
2. Presidenti i Republikës;
3. Këshilli i Ministrave;
4. Kryeministri;
5. Ministri i Mbrojtjes;
6. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura;
7. Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura;
8. Komandantët e forcave tokësore, detare e ajrore;
9. Komandantët e strukturave mbështetëse;
10. Komandanti i Forcave të Armatosura, në kohë lufte.
Neni 8
Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
Kuvendi i Republikës së Shqipërisë është autoriteti më i lartë në hierarkinë e pushteteve dhe autoriteteve të drejtimit e të komandimit të Forcave të Armatosura dhe ushtron kompetencat e mëposhtme:
a) Miraton me ligj Strategjinë e Sigurisë Kombëtare dhe Strategjinë Ushtarake të Republikës së Shqipërisë;
b) Ushtron kontroll për çështje që kanë lidhje me veprimtarinë e Forcave të Armatosura;
c) Vendos sipas legjislacionit në fuqi për bashkëpunimin ushtarak ndërkombëtar;
ç) Kur nuk është përcaktuar ndryshe në një marrëveshje ndërkombëtare të ratifikuar, përcakton statusin ligjor të forcave të huaja ushtarake që hyjnë në territorin e Republikës së Shqipërisë;
d) Miraton, me propozim të Këshillit të Ministrave, planet afatgjata të zhvillimit dhe modernizimit të Forcave të Armatosura;
dh) Miraton numrin limit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë;
e) Vendos për aktivizimin, mobilizimin, vënien në dispozicion të burimeve njerëzore dhe materiale për përdorim nga Forcat e Armatosura në kushtet e masave të jashtëzakonshme.
Neni 9
Presidenti i Republikës
1. Presidenti i Republikës, në cilësinë e Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, ushtron pushtetin e dhënë nga Kushtetuta dhe legjislacioni në fuqi.
2. Presidenti i Republikës, në kohë paqeje, e ushtron drejtimin e Forcave të Armatosura nëpërmjet Kryeministrit dhe ministrit të Mbrojtjes, ndërsa në kohë lufte i drejton Forcat e Armatosura nëpërmjet Komandantit të Forcave të Armatosura.
3. Presidenti i Republikës, si Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, ushtron këto kompetenca:
a) Jep gradat madhore, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes;
b) Emëron, gradon, liron nga detyra dhe nxjerr në rezervë ose në lirim, me propozimin e Kryeministrit, Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura;
c) Emëron dhe liron nga detyra, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, komandantët e forcave tokësore, detare dhe ajrore;
ç) Jep dekorata dhe tituj nderi sipas legjislacionit në fuqi;
d) Urdhëron vendosjen e shkallëve të ndryshme të gatishmërisë luftarake të Forcave të Armatosura, në kushtet e masave të jashtëzakonshme;
dh) Vendos për mobilizimin dhe për provat e gatishmërisë së njësive ushtarake rezervë;
e) Miraton regjimin, rregullat e gatishmërisë luftarake dhe ngritjen në kushtrim të Forcave të Armatosura;
ë) U jep njësive ushtarake, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, flamujt luftarakë;
4. Presidenti i Republikës i rekomandon Këshillit të Ministrave masa, në varësi të nevojave për:
a) përballimin e rreziqeve që i kanosen Republikës së Shqipërisë ose përballimin e gjendjes së luftës;
b) krijimin e njësive të reja ushtarake në Forcat e Armatosura;
c) programe të veçanta për zhvillimin dhe modernizimin e Forcave të Armatosura.
5. Në rastet e përcaktuara në shkronjat “a”, “b” dhe “c” të pikës 3, të këtij neni, Presidenti i Republikës shprehet brenda 30 ditëve kalendarike nga data e paraqitjes së propozimeve, duke miratuar ose refuzuar propozimin. Refuzimi në çdo rast bëhet i motivuar.
6. Presidenti, për marrjen e vendimeve të rëndësishme që ka në përgjegjësi, këshillohet me Këshillin e Sigurisë Kombëtare.
Neni 10
Këshilli i Sigurisë Kombëtare
1. Këshilli i Sigurisë Kombëtare është organ këshillimor, i cili mbështet Presidentin e Republikës në ushtrimin e kompetencave dhe përgjegjësive kushtetuese e ligjore.
2. Këshilli i Sigurisë Kombëtare kryesohet nga Presidenti i Republikës dhe thirret prej tij sa herë që e gjykon të nevojshme e sipas një rendi dite të përcaktuar.
3. Anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurisë Kombëtare janë:
a) Kryetari i Kuvendit;
b) Kryeministri;
c) Ministri i Mbrojtjes;
ç) Ministri i Drejtësisë;
d) Ministri përgjegjës për punët e brendshme;
dh) Ministri përgjegjës për financat;
e) Ministri përgjegjës për transportin;
ë) Ministri përgjegjës për punët e jashtme;
f) Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura;
g) Drejtori i Shërbimit Informativ të Shtetit.
4. Në raste të veçanta, Presidenti i Republikës mund të ftojë pjesëmarrës të tjerë.
5. Në rast se anëtarët e Këshillit të Sigurisë Kombëtare për arsye objektive nuk mund të marrin pjesë në mbledhjet e Këshillit, ata autorizojnë zëvendësit e tyre.
6. Pjesëmarrja e zëvendësve në mbledhjet e Këshillit në çdo rast bëhet me miratimin paraprak të Presidentit.
7. Këshilli i Sigurisë Kombëtare diskuton dhe jep mendime për çështje të sigurisë, të mbrojtjes, të armë-kontrollit dhe për çdo çështje tjetër në fushën e sigurisë kombëtare.
8. Këshilli i Sigurisë Kombëtare nuk merr vendime.
9. Mbledhjet e tij zhvillohen të mbyllura.
Neni 11
Këshilli i Ministrave
Këshilli i Ministrave ka këto detyra dhe përgjegjësi:
a) Përgatit dhe i paraqet për miratim Kuvendit Strategjinë e Sigurisë Kombëtare dhe Strategjinë Ushtarake të Republikës së Shqipërisë;
b) I propozon Kuvendit ndryshime në numrin limit të personelit të Forcave të Armatosura;
c) Miraton, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, planin e mobilizimit të përgjithshëm ose të pjesshëm të burimeve njerëzore e materiale të vendit, gjatë periudhës për të cilën kërkohet vendosja e masave të jashtëzakonshme;
ç) Përcakton pagat dhe trajtimin ekonomik të personelit ushtarak dhe civil që shërben në Forcat e Armatosura;
d) Përcakton afatet e shërbimit dhe të përdorimit të armatimit, municioneve, teknikës dhe pajisjeve të Forcave të Armatosura, rregullat, procedurat dhe përgjegjësitë për heqjen nga armatimi e përdorimi, si dhe trajtimin e tyre pas heqjes nga armatimi e përdorimi;
dh) Organizon dhe drejton mbrojtjen civile të Republikës së Shqipërisë dhe vendos krijimin e funksionimin e shtabeve të mbrojtjes pranë qarqeve;
e) Miraton programe të veçanta për pajisjen dhe modernizimin e Forcave të Armatosura;
ë) Miraton modelet e uniformave ushtarake, gradave, simboleve, flamujve dhe çdo shenje tjetër dalluese të uniformës ushtarake;
f) Miraton normat e trajtimit me uniformë të ushtarakëve;
g) Miraton normat e trajtimit me ushqim të ushtarakëve;
gj) Miraton rezervat materiale në Forcat e Armatosura si dhe përcakton rregullat për krijimin, shkallëzimin, mënyrën e administrimit e të përdorimit të tyre për kohë paqeje dhe të gjendjeve për të cilat kërkohet marrja e masave të jashtëzakonshme;
h) Përcakton detyrimet e institucioneve dhe subjekteve publike e private për mbajtjen e rezervave të materialeve e të mallrave në interes të mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura për situata të veçanta;
i) Miraton listën e aerodromeve civile, që mund të caktohen si aeroporte rezervë të Forcave të Armatosura gjatë gjendjeve për të cilat kërkohet marrja e masave të jashtëzakonshme;
j) Nxjerr akte nënligjore për mbrojtjen dhe Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë.
Neni 12
Kryeministri
Kryeministri ka këto detyra dhe përgjegjësi:
a) I propozon Presidentit të Republikës emërimin, gradimin, lirimin nga detyra dhe nxjerrjen në rezervë ose lirim të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm;
b) Emëron dhe liron nga detyra, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, oficerët me grada madhore, përveç atyre të përcaktuar në shkronjat “b” dhe “c”, të pikës 3, të nenit 9, të këtij ligji;
c) Komandon në një detyrë tjetër, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, për një periudhë kohe jo më shumë se 6 muaj, oficerët aktivë me grada madhore, me përjashtim të komandantëve të forcave;
ç) Nxjerr në rezervë ose lirim, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, oficerët me grada madhore, me përjashtim të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura;
d) Miraton, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, planin e vendosjes dhe përhapjes së Forcave të Armatosura në kohë paqeje;
dh) Miraton, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, strukturën organizative të Forcave të Armatosura;
e) Miraton, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, strukturën organizative dhe organikën analitike të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura;
ë) Miraton, listën e aerodromeve ushtarake, që mund të caktohen si aeroporte rezervë të aviacionit civil;
f) Bashkërendon punën ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes dhe institucioneve të tjera për lajmërimin e popullsisë për rreziqet e fatkeqësisë natyrore, të aksidentit teknologjik dhe për rreziqet e luftës.
Neni 13
Ministri i Mbrojtjes
1. Ministri i Mbrojtjes është person civil, i cili, nën përgjegjësinë e tij dhe brenda drejtimeve kryesore të politikës shtetërore, drejton veprimtarinë e Forcave të Armatosura në përmbushjen e misionit të tyre kushtetues.
2. Ministri i Mbrojtjes ka këto detyra e përgjegjësi:
a) Paraqet për miratim në Këshillin e Ministrave projektin e Strategjisë Ushtarake të Republikës së Shqipërisë dhe projektakte të tjera që kanë të bëjnë me mbrojtjen dhe Forcat e Armatosura;
b) Paraqet për miratim në Këshillin e Ministrave planet afatgjata të zhvillimit dhe modernizmit të Forcave të Armatosura dhe programet e veçanta në fushën e mbrojtjes, që kërkojnë mbështetje financiare;
c) Përfaqëson Republikën e Shqipërisë në takimet ndërkombëtare që kanë të bëjnë me çështje të fushës së mbrojtjes. Ministri i Mbrojtjes mund të caktojë një përfaqësues të autorizuar për të marrë pjesë në vend të tij;
ç) Përgjigjet për vendosjen dhe përmbushjen e qëllimeve dhe të objektivave të Ministrisë së Mbrojtjes, nëpërmjet krijimit të një sistemi të përshtatshëm dhe efektiv të menaxhimit financiar dhe kontrollit, si dhe përdorimit të fondeve publike, në mënyrë të ligjshme, me ekonomi, efektivitet dhe frytshmëri;
d) Miraton, me propozimin e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, tabelat e organizimit dhe të pajisjeve të Forcave të Armatosura, Ministrisë së Mbrojtjes dhe strukturave të varësisë së saj;
dh) I paraqet për miratim Kryeministrit, sipas propozimit të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, strukturën organizative dhe organikën analitike të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura;
e) Emëron dhe liron nga detyra përfaqësuesit ushtarakë të Republikës së Shqipërisë në shtabet dhe organizmat e tjerë ndërkombëtarë si dhe atashetë ushtarakë pranë përfaqësive diplomatike të Republikës së Shqipërisë;
ë) Propozon te ministri përgjegjës për punët e jashtme akreditimin e atasheve ushtarakë pranë përfaqësive diplomatike të Republikës së Shqipërisë;
f) Nxjerr urdhra dhe udhëzime për Forcat e Armatosura, në zbatim të
kompetencave të tij;
g) Miraton direktivën e mbrojtjes;
gj) Jep titullin “oficer aktiv” dhe gradën e parë për oficerët, me
propozimin e titullarit të institucionit arsimor dhe stërvitor në Forcat e Armatosura;
h) Emëron, liron nga detyra, nxjerr në rezervë apo lirim, me propozimin e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm, oficerët aktivë të Forcave të Armatosura, me përjashtim të oficerëve me grada madhore;
i) Gradon, me propozimin e komisioneve të karrierës, oficerët aktivë të Forcave të Armatosura, deri në gradën kolonel;
j) Komandon në një detyrë tjetër oficerët aktivë të Forcave të Armatosura, për një periudhë kohe jo më shumë se 6 muaj, me përjashtim të oficerëve me grada madhore;
k) I paraqet për miratim Këshillit të Ministrave, me propozimin e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm, modelet e uniformave ushtarake, gradave, simboleve, flamujve dhe çdo shenje tjetër dalluese të uniformës ushtarake;
l) I paraqet për miratim Presidentit të Republikës, me propozimin e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm, njësitë e Forcave të Armatosura, të cilat do të mbajnë flamuj luftarakë;
ll) Jep medalje sipas legjislacionit në fuqi;
m) I propozon Presidentit të Republikës dhënien e dekoratave dhe titujve të nderit për personelin ushtarak e civil të Forcave të Armatosura sipas legjislacionit në fuqi;
n) Delegon autoritetin e drejtimit operacional, ushtar-grup-skuadër-togë-kompani-batalion dhe të strukturave të njehsuara me to në Forcën Ajrore dhe Forcën Detare te komandat aleate, me të cilat Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë kryejnë misione të përbashkëta;
nj) Miraton politika, udhëzime e procedura standarde për menaxhimin e personelit në Forcat e Armatosura;
o) Jep, me propozimin e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm, simbolet apo shenjat, që mbajnë njësitë ushtarake, si dhe përcakton rregullat e dhënies së tyre;
p) Miraton, me propozimin e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm, normat e materialeve të mirëmbajtjes së armëve, të teknikës dhe të pajisjeve, normat e karburant-lubrifikantëve, të teknikës dhe pajisjeve, kompletin e ushtarakut, normat e përdorimit të materialeve inventar reparti dhe të materialeve të konsumit në Forcat e Armatosura;
q) Emërton, me propozimin e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm, objektet ushtarake;
r) Miraton politika në fushën e zbulimit, kundërzbulimit dhe sigurisë në Forcat e Armatosura;
rr) Emëron dhe liron nga detyra personelin civil në Ministrinë e Mbrojtjes, Forcat e Armatosura dhe strukturat e varësisë së tyre, përveç atyre që gëzojnë statusin e nëpunësit civil apo që janë në funksione ushtari ose nënoficeri;
s) Urdhëron pjesëmarrjen e ushtarakëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë në stërvitje ushtarake ndërkombëtare, jep lejen për qëndrim të përkohshëm të forcave ushtarake të huaja në territorin e Republikës së Shqipërisë, si dhe jep lejen për tranzitim të forcave ushtarake të huaja nëpër territorin e Republikës së Shqipërisë, sipas legjislacionit në fuqi.
3. Ministri i Mbrojtjes mund të delegojë te Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura si dhe te komandantët e forcave apo strukturave mbështetëse kompetencat dhe përgjegjësitë e përcaktuara në shkronjat “h”, “i” dhe “rr”, të pikës 2, të këtij neni.
4. Ministri i Mbrojtjes zëvendësohet nga zëvendësministri i Mbrojtjes në kryerjen e detyrave, në rastet e mungesave, të pamundësisë apo të paaftësisë fizike për të vepruar ose për shkak të një pengese ligjore që has gjatë veprimtarisë së tij.
5. Ministri i Mbrojtjes, përveç detyrave të përcaktuara në këtë ligj, ushtron edhe detyra të tjera, të përcaktuara nga legjislacioni në fuqi.
Neni 14
Këshilli i Politikave të Mbrojtjes
1. Pranë ministrit të Mbrojtjes krijohet Këshilli i Politikave të Mbrojtjes si organ këshillimor, i cili mbështet ministrin e Mbrojtjes në ushtrimin e kompetencave dhe të përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore.
2. Këshilli i Politikave të Mbrojtjes kryesohet nga ministri i Mbrojtjes dhe thirret prej tij sa herë që e gjykon të nevojshme.
3. Anëtarët e përhershëm të Këshillit të Politikave të Mbrojtjes janë:
a) Zëvendësministri i Mbrojtjes;
b) Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura;
c) Zëvendësshefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura;
ç) Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes;
d) Komandantët e forcave;
dh) Komandantët e strukturave mbështetëse.
4. Në raste të veçanta ministri i Mbrojtjes mund të ftojë pjesëmarrës të tjerë.
5. Funksionimi i këtij këshilli përcaktohet me urdhër të ministrit të Mbrojtjes.
6. Këshilli i Politikave të Mbrojtjes nuk merr vendime.
Neni 15
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura
1. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura përgjigjet përpara Presidentit të Republikës, Kryeministrit dhe ministrit të Mbrojtjes për drejtimin e veprimtarisë së Forcave të Armatosura.
2. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura është autoriteti më i lartë ushtarak në gradë dhe në hierarkinë e drejtimit e të komandimit në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë.
3. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura përzgjidhet nga radhët e oficerëve me grada madhore të Forcave të Armatosura, në bazë të aftësive profesionale dhe të përvojës.
4. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, me marrjen e detyrës, bën betimin para Presidentit të Republikës.
5. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura shërben për një periudhë prej tre vjetësh, me të drejtë riemërimi vetëm për një mandat tjetër.
6. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura del në rezervë ose lirim kur:
a) plotëson afatin e qëndrimit në detyrë;
b) jep dorëheqjen;
c) plotëson kushtet për të dalë në pension;
ç) është në paaftësi fizike apo mendore për ushtrimin e detyrave të tij për një periudhë mbi 6 muaj;
d) shkel Kushtetutën ose kryen shkelje të rënda të ligjit gjatë ushtrimit të detyrës;
dh) kryen akte dhe sjellje që diskreditojnë rëndë pozitën e ushtarakut të Forcave të Armatosura.
7. Në rastet e daljes në rezervë ose lirim sipas shkronjave “a”, “b”, “c” dhe “ç”, të pikës 6, të këtij neni, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura përfiton trajtim të veçantë. Kriteret dhe masa e këtij trajtimi përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozim të ministrit të Mbrojtjes.
8. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura drejton Shtabin e Përgjithshëm dhe ka këto detyra e përgjegjësi:
a) I propozon ministrit të Mbrojtjes planet e zhvillimit dhe të modernizimit të Forcave të Armatosura dhe programet e veçanta në fushën e mbrojtjes, që kërkojnë mbështetje financiare;
b) Miraton doktrinën e përbashkët ushtarake të Forcave të Armatosura si dhe doktrinat e forcave tokësore, detare, ajrore dhe të strukturave mbështetëse;
c) Miraton planet e veprimeve të njësive ushtarake të Forcave të Armatosura në kohë paqeje;
ç) Miraton planet për arsimimin dhe kualifikimin e personelit të Forcave të Armatosura, në përputhje me politikat dhe procedurat e nxjerra nga ministri i Mbrojtjes;
d) Kontrollon gatishmërinë luftarake dhe merr masa për përmirësimin e saj;
dh) Bën aktivizimin e Forcave të Armatosura kur kjo gjë urdhërohet nga autoriteti i përcaktuar me ligj;
e) Planifikon rekrutimin dhe menaxhimin e personelit të Forcave të Armatosura, në përputhje me politikat, udhëzimet dhe procedurat standarde për menaxhimin e personelit të Forcave të Armatosura, të miratuara nga ministri i Mbrojtjes;
ë) Organizon dhe realizon kryerjen e komunikimit për komandimin dhe kontrollin e Forcave të Armatosura;
f) Organizon kryerjen e vrojtimit, të kontrollit dhe sigurisë së paprekshmërisë së hapësirës territoriale të Republikës së Shqipërisë;
g) Orienton veprimtarinë e strukturave të zbulimit në Forcat e Armatosura, nëpërmjet miratimit të procedurave dhe standardeve, si dhe monitoron e kontrollon përmbushjen e nevojave për mbështetje me zbulim të Forcave të Armatosura;
gj) Siguron mbështetjen logjistike për Forcat e Armatosura;
h) Organizon punën për parandalimin, zbulimin dhe dokumentimin e veprimtarive kriminale në Forcat e Armatosura;
i) Realizon bashkëpunimin me Forcat e Armatosura të vendeve të tjera, në përputhje me planin e Ministrisë së Mbrojtjes;
j) Zhvillon sistemet e komandimit, të kontrollit, të komunikimit e të njoftimit të të dhënave në Forcat e Armatosura dhe të infrastrukturave ushtarake;
k) Përfaqëson Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë në organizmat ushtarakë ndërkombëtarë;
l) Planifikon zhvillimin profesional të oficerëve dhe nënoficerëve të Forcave të Armatosura;
ll) Titullon nënoficerët aktivë të Forcave të Armatosura dhe jep gradën e parë të nënoficerit, me propozimin e titullarit të institucionit arsimor dhe stërvitor në Forcat e Armatosura;
m) Titullon ushtarët aktivë të Forcave të Armatosura dhe jep gradën e parë të ushtarit, me propozimin e titullarit të institucionit arsimor dhe stërvitor në Forcat e Armatosura;
n) Emëron dhe liron nga detyra ushtarët dhe nënoficerët aktivë si dhe personelin civil të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura e të strukturave të varësisë së tij, me përjashtim të atyre që gëzojnë statusin e nëpunësit civil ose që janë në funksione oficeri;
nj) Nxjerr në rezervë ose lirim ushtarët dhe nënoficerët aktivë të Forcave të Armatosura;
o) Gradon, me propozimin e komisioneve të karrierës, nënoficerët aktivë të Forcave të Armatosura;
p) Gradon ushtarët aktivë të Ministrisë së Mbrojtjes, Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura dhe strukturave të varësisë së tyre;
q) Komandon në një detyrë tjetër nënoficerët aktivë të Forcave të Armatosura, për një periudhë kohe jo më shumë se 6 muaj;
r) Miraton kalimin në emërtesë të personelit nënoficer dhe ushtar;
rr) Jep medalje apo certifikata, sipas legjislacionit në fuqi;
s) Drejton përgatitjen dhe gatishmërinë luftarake të Forcave të Armatosura, siguron plotësimin me personel, si dhe merr drejtimin e organizimin e veprimeve ushtarake dhe joushtarake;
sh) Nxjerr urdhra dhe udhëzime brenda përgjegjësive dhe detyrave që ka;
t) Kontrollon që sistemi i vlerësimit të ushtarakëve aktivë të Forcave të Armatosura të jetë në përputhje me politikat, udhëzimet e procedurat standarde, të miratuara nga ministri i Mbrojtjes.
9. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura mund të delegojë tek organet vartëse ushtarake kompetencat dhe përgjegjësitë e përcaktuara në shkronjat “ll”, “m”, “n” dhe “nj”, të pikës 8, të këtij neni.
10. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura zëvendësohet nga zëvendësshefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura në kryerjen e detyrave në rastet e mungesave, të pamundësisë apo të paaftësisë fizike për të vepruar ose për shkak të një pengese ligjore që has gjatë veprimtarisë së tij.
11. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, përveç detyrave të përcaktuara në këtë ligj, ushtron edhe detyra të tjera, të përcaktuara nga legjislacioni në fuqi.
Neni 16
Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura
1. Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura përbën strukturën organizative më të lartë ushtarake në Forcat e Armatosura.
2. Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura organizohet dhe funksionon si shtab i bashkuar me përfaqësues të forcave tokësore, detare dhe ajrore.
3. Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura në kohë lufte vepron si shtab për Presidentin e Republikës dhe Komandantin e Forcave të Armatosura.
4. Shtabi i Përgjithshëm përgjigjet për:
a) planifikimin dhe rekrutimin e personelit ushtarak në Forcat e Armatosura;
b) përgatitjen dhe stërvitjen e përbashkët të të tria forcave dhe strukturave mbështetëse;
c) vlerësimin strategjik të kërcënimeve, rreziqeve dhe marrjen e masave për përballimin e tyre;
ç) përgatitjen e planeve për mbështetjen logjistike;
d) planifikimin, bashkërendimin e punës dhe mbështetjen shëndetësore të efektivave të Forcave të Armatosura në kohë paqeje dhe në operacionet luftarake dhe joluftarake brenda dhe jashtë vendit;
dh) bashkëpunimin me autoritetet civile dhe organizatat qeveritare e joqeveritare në interes të realizimit të misionit të Forcave të Armatosura;
e) programimin e misioneve, operacioneve, trajnimeve dhe stërvitjeve;
ë) zbatimin e detyrimeve që rrjedhin nga marrëveshjet e bashkëpunimit, ndërveprimin dhe bashkërendimin e punës për stërvitjet e përbashkëta me NATO-n dhe organizmat e tjerë ndërkombëtarë;
f) hartimin e kërkesave për pajisjen dhe modernizimin e Forcave të Armatosura;
g) zhvillimin e sistemeve të komandimit, kontrollit, komunikimit dhe informimit në Forcat e Armatosura;
gj) zhvillimin e koncepteve dhe doktrinave, planifikimin, organizimin, mbështetjen me burime, zhvillimin dhe modernizimin, përgatitjen, stërvitjen dhe gatishmërinë operacionale të Forcave të Armatosura;
h) planifikimin dhe ndjekjen e arsimimit, kualifikimit dhe ecurisë në karrierë të personelit ushtarak në përputhje me ligjin për gradat dhe karrierën dhe politikat e menaxhimit të personelit në Forcat e Armatosura;
i) përgatitjen për miratim tek autoritetet vendimmarrëse të strukturës organizative e të planit të vendosjes dhe përhapjes së Forcave të Armatosura;
j) përgatitjen për miratim tek autoritetet vendimmarrëse të tabelave të organizimit dhe të pajisjeve të strukturave ushtarake;
k) përgatitjen e planit të përdorimit të Forcave të Armatosura për operacione brenda dhe jashtë territorit të Shqipërisë, duke përfshirë operacionet që kryhen në bazë të nenit V, të Traktatit të NATO-s apo detyrimeve të tjera ndërkombëtare;
l) përgatitjen e planit të mobilizimit të burimeve njerëzore dhe atyre materiale të vendit;
ll) përgatitjen për miratim tek autoritetet vendimmarrëse të modeleve të uniformave ushtarake, gradave, simboleve, flamujve dhe çdo shenje tjetër dalluese të uniformës ushtarake;
m) përgatitjen për miratim tek autoritetet vendimmarrëse të normave të materialeve të mirëmbajtjes së armëve, të teknikës e të pajisjeve, normave të karburant-lubrifikantëve, të teknikës e të pajisjeve, kompletit të ushtarakut, të normave të përdorimit të materialeve inventar reparti dhe të materialeve të konsumit në Forcat e Armatosura.
Neni 17
Forcat tokësore, detare dhe ajrore
Forcat tokësore, detare dhe ajrore përbëjnë komponentët operacionalë tokësorë, detarë dhe ajrorë për mbrojtjen ushtarake të vendit.
Neni 18
Komandanti i forcës dhe strukturës mbështetëse
1. Komandimi dhe drejtimi i drejtpërdrejtë i forcave dhe strukturave mbështetëse realizohet nga komandanti përkatës.
2. Komandanti i forcës apo strukturës mbështetëse përgjigjet për gjendjen, përgatitjen, mobilizimin, gatishmërinë luftarake, drejtimin operacional, zhvillimin e doktrinës, të operacioneve, të planifikimit, të programimit, të pajisjes e të modernizimit, si dhe për menaxhimin e burimeve njerëzore të forcës apo strukturës mbështetëse që drejton.
3. Komandanti i forcës apo strukturës mbështetëse raporton drejtpërdrejt te ministri i Mbrojtjes dhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.
4. Komandanti i forcës apo strukturës mbështetëse i paraqet për miratim Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura:
a) doktrinën e forcës apo të strukturës që drejton;
b) planet afatgjata dhe programet vjetore për forcën që drejton;
c) planet dhe programet vjetore e afatmesme të zhvillimit e të modernizimit për forcën që drejton;
ç) projektet për strukturën e forcës që drejton;
d) programet e përgatitjes dhe ato të kualifikimit të personelit, brenda dhe jashtë vendit;
dh) të dhëna për plotësimin me personel të strukturës që drejton;
e) planin për arsimim e kualifikim të personelit për forcën që drejton.
5. Komandanti i forcës apo strukturës mbështetëse ka këto përgjegjësi:
a) Miraton manualet e luftimit dhe të teknikës për forcën që drejton;
b) Paraqet kërkesat buxhetore dhe ndjek zbatimin e buxhetit sipas akteve ligjore e nënligjore të menaxhimit të sistemit buxhetor;
c) Siguron që sistemi i vlerësimit të ushtarakëve aktivë në forcën apo strukturën mbështetëse që drejton të zbatohet në përputhje me politikat, udhëzimet e procedurat standarde, të miratuara nga ministri i Mbrojtjes;
ç) Emëron dhe liron nga detyra ushtarët dhe nënoficerët aktivë si dhe personelin civil të forcës apo strukturës mbështetëse që drejton, me përjashtim të atyre që gëzojnë statusin e nëpunësit civil ose që janë në funksione oficeri;
d) Gradon ushtarët aktivë të forcës apo strukturës mbështetëse që drejton;
dh) Jep medalje apo certifikata sipas legjislacionit në fuqi;
e) Planizon dhe kryen operacione luftarake dhe joluftarake;
ë) Siguron nivelin e kërkuar të gatishmërisë dhe përgatitjes luftarake;
f) Siguron kapacitetet dhe gatishmërinë e nevojshme për realizimin e misionit të ngarkuar;
g) Monitoron dhe vëzhgon hapësirën territoriale me qëllim paralajmërimin në kohë të kërcënimeve dhe rreziqeve me kapacitetet e veta apo në bashkëpunim me NATO-n dhe vendet e tjera partnere;
gj) Përgatit stërvitjet e përbashkëta me forcat e tjera, në nivel operacional, për përballimin e kërcënimeve apo rreziqeve që kërcënojnë sigurinë e vendit;
h) Nxjerr urdhra dhe udhëzime të karakterit ushtarak dhe administrativ brenda kompetencave të tij.
6. Komandanti i strukturës mbështetëse, përveç detyrave të përcaktuara në pikën 5, të këtij neni, ka dhe këto përgjegjësi:
a) Siguron mbështetjen me shërbime të Forcave të Armatosura;
b) Mbështet Forcat e Armatosura në fushën e stërvitjes, arsimimit, standardizimit dhe zhvillimit të doktrinës;
c) Organizon dhe drejton programet profesionale të arsimimit ushtarak, stërvitjes ushtarake bazë dhe kurseve për zhvillimin e aftësive ushtarake për Forcat e Armatosura;
ç) Përgatit doktrinën e përbashkët dhe konceptet e stërvitjes së avancuar për të mbështetur stërvitjen dhe përgatitjen e Forcave të Armatosura.
7. Përveç detyrave të përcaktuara në këtë ligj, komandanti i forcës apo strukturës mbështetëse ushtron edhe detyra të tjera, të përcaktuara nga legjislacioni në fuqi.
8. Komandanti i forcës apo strukturës mbështetëse zëvendësohet nga zëvendëskomandanti në kryerjen e detyrave në rastet e mungesave, të pamundësisë apo të paaftësisë fizike për të vepruar ose për shkak të një pengese ligjore që has gjatë veprimtarisë së tij.
Neni 19
Detyrat dhe përgjegjësitë e komandantëve të strukturave të tjera
Detyrat dhe përgjegjësitë e komandantëve, në nivel më të ulët se përcaktimet e këtij ligji, përcaktohen me rregullore të veçantë, të miratuar nga ministri i Mbrojtjes, me propozimin e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm.
KREU III
FORCAT E ARMATOSURA NË KUSHTET E MASAVE TË JASHTËZAKONSHME
Neni 20
Përdorimi i Forcave të Armatosura gjatë gjendjes së luftës
1. Gjendja e luftës shpallet me ligj nga Kuvendi ose me dekret të Presidentit të Republikës sipas dispozitave të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.
2. Autoritetet që shpallin gjendjen e luftës, shpallin me të njëjtën procedurë dhe vendosjen e paqes.
3. Gjendja e luftës apo vendosja e paqes njoftohet nga të gjitha mjetet e informimit të publikut.
4. Në aktin e shpalljes së gjendjes së luftës përcaktohen qartë të drejtat dhe liritë themelore që kufizohen në përputhje me nenin 175, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.
5. Me shpalljen e gjendjes së luftës apo me vendosjen e paqes, Kuvendi vendos, sipas rastit, gjendjen e mobilizimit apo të çmobilizimit të përgjithshëm ose të pjesshëm.
6. Pas shpalljes së gjendjes së luftës, Forcat e Armatosura fillojnë ekzekutimin e planeve të luftës për mbrojtjen kombëtare.
7. Presidenti i Republikës, si Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, gjatë gjendjes së luftës bashkëpunon me Këshillin e Ministrave dhe Kryeministrin për operacionet ushtarake.
Neni 21
Komandanti i Forcave të Armatosura
1. Komandanti i Forcave të Armatosura është eprori ushtarak më i lartë në gjendje lufte dhe përgjigjet para Presidentit të Republikës dhe Kryeministrit për drejtimin e Forcave të Armatosura.
2. Komandant i Forcave të Armatosura emërohet në kohë lufte nga Presidenti i Republikës, me propozimin e Kryeministrit, një nga oficerët aktivë me grada madhore.
3. Emërimi dhe lirimi nga detyra bëhen nga Presidenti i Republikës, me propozimin e Kryeministrit.
4. Komandanti i Forcave të Armatosura ka këto detyra dhe përgjegjësi:
a) Ndjek dhe zbaton masat e gatishmërisë për mbrojtjen e vendit gjatë gjendjes së luftës;
b) Ndjek dhe realizon kalimin e formacioneve të Forcave të Armatosura nga organizimi i kohës së paqes në atë të luftës;
c) Informon Presidentin e Republikës periodikisht për gjendjen dhe situatën në vend;
ç) Urdhëron kufizimin e lëvizjes së lirë, për aq kohë sa është e nevojshme, të qytetarëve në një pjesë ose në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë;
d) Ndjek dhe mbikëqyr zbatimin dhe respektimin e ligjit të luftës në Forcat e Armatosura, si dhe përcakton kompetencat dhe përgjegjësitë e vartësve të tij për zbatimin e këtij ligji;
dh) Organizon bashkëveprimin me autoritetet civile në rastet kur është në interes të operacioneve luftarake dhe përcakton kompetencat për këtë bashkëpunim duke vendosur prioritetet;
e) Në zbatim të kompetencave të tij nxjerr urdhra që janë të detyrueshëm për zbatim si për autoritetet ushtarake, ashtu dhe për ato civile.
5. Vendimet e Komandantit të Forcave të Armatosura për përdorimin e Forcave të Armatosura në veprimet ushtarake në kohë lufte miratohen nga Presidenti i Republikës.
Neni 22
Përdorimi i Forcave të Armatosura gjatë gjendjes së jashtëzakonshme
1. Gjendja e jashtëzakonshme vendoset me ligj nga Kuvendi sipas dispozitave të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.
2. Me vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme, Forcat e Armatosura, me vendim të Kuvendit, pas kërkesës së Këshillit të Ministrave, mund të ndërhyjnë për rivendosjen e rendit, vetëm kur forcat e policisë nuk janë në gjendje ta kryejnë këtë detyrë.
3. Gjatë gjendjes së jashtëzakonshme Kryeministri është drejtpërdrejt përgjegjës për drejtimin e Forcave të Armatosura, përmes hierarkisë së drejtimit e të komandimit.
4. Pas përfundimit të gjendjes së jashtëzakonshme Kryeministri i raporton Kuvendit për përdorimin e Forcave të Armatosura gjatë kësaj periudhe.
5. Veprimet, që ndërmerren nga Forcat e Armatosura gjatë gjendjes së jashtëzakonshme, duhet të jenë në përpjesëtim me shkallën e rrezikut dhe duhet të synojnë rivendosjen sa më të shpejtë të funksionimit normal të shtetit.
Neni 23
Përdorimi i Forcave të Armatosura gjatë gjendjes së fatkeqësisë natyrore
1. Gjendja e fatkeqësisë natyrore vendoset nga Këshilli i Ministrave sipas dispozitave të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.
2. Me vendosjen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore, Forcat e Armatosura, me vendim të Këshillit të Ministrave, mund të ndërhyjnë për eliminimin e pasojave të ardhura nga fatkeqësia natyrore apo aksidenti teknologjik.
3. Gjatë gjendjes së fatkeqësisë natyrore Kryeministri është drejtpërdrejt përgjegjës për drejtimin e Forcave të Armatosura, përmes hierarkisë së drejtimit e të komandimit.
KREU IV
DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT
Neni 24
Nxjerrja e akteve nënligjore
1. Ngarkohet Këshilli i Ministrave të nxjerrë aktet nënligjore në zbatim të shkronjave “c”, “ç”, “d”, “e”, “ë”, “f”, “g”, “gj”, “h” dhe “i”, të pikës 1, të nenit 11, si dhe të pikës 7, të nenit 15, të këtij ligji.
2. Ngarkohet Kryeministri të nxjerrë aktet nënligjore në zbatim të shkronjave “d”, “dh”, “e” dhe “ë” të pikës 1, të nenit 12, të këtij ligji.
3. Ngarkohet ministri i Mbrojtjes të nxjerrë aktet nënligjore në zbatim të shkronjave “d”, “g”, “o”, “q” dhe “rr”, të pikës 2, të nenit 13, të këtij ligji.
Neni 25
Aktet nënligjore, të miratuara para hyrjes në fuqi të këtij ligji dhe që nuk bien në kundërshtim me të, do të zbatohen deri në nxjerrjen e akteve nënligjore në zbatim të këtij ligji.
Neni 26
Shfuqizime
Ligji nr.8671, datë 26.10.2000, “Për pushtetet dhe autoritetet e komandimit e të drejtimit strategjik të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, shfuqizohet.
Neni 27
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
ILIR META