Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Projektligje të miratuara në Mbledhjen e Këshillit të Ministrave, 5 nëntor 2014

 

V E N D I M

PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR FALJEN E KAMATËVONESAVE DHE GJOBAVE PËR KONTRIBUTET E DETYRUESHME TË SIGURIMEVE SHOQËRORE, TË PAPAGUARA NGA PERSONAT E VETËPUNËSUAR NË BUJQËSI”

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, 83, pika 2, dhe 100, të Kushtetutës,  me propozimin e ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave
                

V E N D O S I:

Propozimin e projektligjit “Për faljen e kamatëvonesave dhe gjobave për kontributet e detyrueshme të sigurimeve shoqërore, të papaguara nga personat e vetëpunësuar në bujqësi”, për shqyrtim dhe miratim, me procedurë të përshpejtuar, në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I 

EDI RAMA 

#

P R O J E K T L I GJ

PËR

FALJEN E KAMATËVONESAVE DHE GJOBAVE PËR KONTRIBUTET E DETYRUESHME TË SIGURIMEVE SHOQËRORE, TË PAPAGUARA NGA PERSONAT E VETËPUNËSUAR NË BUJQËSI

Në mbështetje të neneve 78, 83, pikat 1 e 2, dhe 155, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I:

Neni 1

Personave të vetëpunësuar në bujqësi u falen kamatëvonesat dhe gjobat e kontributeve të sigurimeve shoqërore, të papaguara deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji. Ata mund të paguajnë kontributet e sigurimeve shoqërore për periudha të kaluara dhe për vitin 2014, pa kamatëvonesa.

Neni 2

Kamatëvonesat dhe gjobat e papaguara falen edhe kur kontributet për sigurimet shoqërore janë paguar para hyrjes në fuqi të këtij ligji.

Neni 3

E drejta e personave të vetëpunësuar në bujqësi që të përfitojnë nga falja e kamatëvonesave dhe gjobave, në përputhje me dispozitat e këtij ligji, mund të ushtrohet deri në datën 31 dhjetor 2014.

Neni 4

Kamatëvonesat dhe gjobat për kontributet për sigurimet e detyrueshme shoqërore, të paguara para hyrjes në fuqi të këtij ligji, nuk kthehen.

Neni 5

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E T A R I

ILIR META

***

V E N D I M

PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISIPLINËN NË FORCATE ARMATOSURA TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË”

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Propozimin e projektligjit “Për disiplinën në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

***

P R O J E K T L I GJ

PËR

DISIPLINËN NË FORCAT E ARMATOSURA TË REPUBLIKËS  SË SHQIPËRISË

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I:

 

KREU I

DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

 

Neni 1

Objekti

 

Objekt i këtij ligji është përcaktimi i  normave dhe rregullave të hollësishme të sjelljes e të etikës së ushtarakëve të Forcave të Armatosura, i kategorive dhe llojeve të shkeljeve, masave disiplinore si dhe i autoriteteve kompetente për dhënien e tyre.

 

Neni 2

Qëllimi

Ky ligj ka për qëllim forcimin e disiplinës ushtarake, të rendit ushtarak dhe të autoritetit të komandim – kontrollit në Forcat e Armatosura për të siguruar përmbushjen e misionit të tyre kushtetues.

Neni 3

Fusha e zbatimit

Ky ligj zbatohet për fushën e veprimtarisë së Forcave në Armatosura të Republikës së Shqipërisë.

 

Neni 4

Subjektet

I nënshtrohen procedimit disiplinor, sipas këtij ligji, ushtarakët aktivë të Forcave të Armatosura, kursantët, si dhe ushtarakët në rezervë, kur janë në shërbim ushtarak për stërvitje ose shërbim gjatë një mobilizimi ushtarak.

Neni 5

Juridiksioni territorial

Ky ligj zbatohet në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, si dhe jashtë territorit të saj për ushtarakët shqiptarë, kur ata janë dërguar me mision, shërbim, stërvitje të përbashkët, mision diplomatik ose në bazë të marrëveshjeve ndërkombëtare dy- ose shumëpalëshe.

Neni 6

Përkufizime

Në kuptim të këtij ligji, me termat e mëposhtëm nënkuptohet:

 

  1. “Epror”, ushtaraku, i cili, në bazë të gradës apo funksionit, ushtron autoritet mbi ushtarakët vartës.
  2. “Vartës”, ushtaraku, i cili është nën autoritetin e një personi që ka gradë apo funksion më të lartë.
  3. “Dhënie e informacionit”, dhënia, përhapja, transmetimi i informacionit, me dashje ose nga pakujdesia, të tretëve, në formë elektronike, shkresore ose verbale.
  4. “Situatë emergjente”, situata e shkaktuar nga faktorë natyrorë, industrialë ose nga veprimet e njerëzve, e cila mund të sjellë ose ka sjellë dëmtim të menjëhershëm e të rëndë për jetën, shëndetin e njerëzve, gjësë së gjallë, pasurisë ose ambientit, duke prishur normalitetin e jetës së komunitetit dhe të shërbimeve të Forcave të Armatosura.
  5. “Shkelje disiplinore”, çdo veprim, mosveprim, sjellje apo qëndrim, që bie në kundërshtim me këtë ligj, i kryer nga ushtarakët e Forcave të Armatosura.
  6. “Masë disiplinore”, masa me karakter ndëshkues ose parandalues, e përcaktuar në këtë ligj, që merret ndaj ushtarakut nga autoritetet përgjegjëse kur ai kryen shkelje disiplinore.

Neni 7

Autoritetet përgjegjëse

  1. Autoritetet përgjegjëse për dhënien e masave disiplinore ndaj ushtarakëve të Forcave të Armatosura, me përjashtim të atyre me grada madhore, janë:
  2. Ministri i Mbrojtjes, me propozimin e Komisionit të Lartë Disiplinor, vetëm për dhënien e masave shumë të rënda disiplinore për të gjithë oficerët e Forcave të Armatosura;
  3. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, vetëm për masat e lehta dhe të rënda për:
  4. ushtarakët e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura dhe strukturave, me drejtues civilë, të varësisë së tyre të drejtpërdrejtë;
  5. ushtarakët që shërbejnë në shtabet e NATO-s, në përfaqësitë ushtarake të Republikës së Shqipërisë pranë NATO-s, në organizatat ndërkombëtare dhe në shtabet ushtarake ndërkombëtare;
  6. zëvendëskomandantët, shefat e shtabeve të komandave të forcave dhe strukturave mbështetëse dhe strukturave të varësisë së Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.Për nënoficerët dhe ushtarët e Forcave të Armatosura, me propozimin e Komisionit të Lartë Disiplinor, jep masa shumë të rënda disiplinore.
  7. Komandantët e forcave dhe strukturave mbështetëse si dhe ato të strukturave të varësisë së Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura për masat e lehta dhe të rënda, për ushtarakët në varësi të tyre në nivel batalioni e lart, përveç atyre të përcaktuar në shkronjën “b”, të pikës 1, të këtij neni.
  8. ç)  Komandantët në nivel batalioni, për masat e lehta dhe të rënda, për ushtarakët në varësi të tyre, përveç atyre të përcaktuar në shkronjën “b”, të pikës 1, të këtij neni;
  9. Komandantët në nivel kompanie dhe toge, për masat e lehta, për ushtarakët në varësi të tyre, përveç atyre të përcaktuar në shkronjën “b”, të pikës 1, të këtij neni.
  10. Autoriteti përgjegjës për dhënien e masave disiplinore për komandantët e Forcave të Armatosura dhe Shefin e Shtabit të Përgjithshëm është Presidenti i Republikës. Propozimi për dhënien e masës disiplinore Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura bëhet nga Kryeministri, ndërsa për komandantët e forcave nga ministri i Mbrojtjes.
  11. Autoriteti përgjegjës për dhënien e masave disiplinore për oficerët me grada madhore, me përjashtim të atyre të përcaktuar në pikën 2, të këtij neni, është Kryeministri. Propozimi për dhënien e masës disiplinore bëhet nga ministri i Mbrojtjes.
  12. Ndaj oficerëve me grada madhore mund të jepen vetëm masa shumë të rënda disiplinore.

Neni 8

Komisioni disiplinor

  1. Në strukturat në nivel batalioni e lart ngrihen dhe funksionojnë komisionet disiplinore, që kanë në përbërje jo më pak se tre oficerë të strukturës përkatëse, me grada të njëjta ose më të larta se ato të ushtarakut ndaj të cilit procedohet disiplinarisht.
  2. Nuk mund të jetë pjesë e Komisionit Disiplinor autoriteti përgjegjës për dhënien e masës disiplinore, si dhe personi që ka konstatuar shkeljen apo që është prekur në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë prej saj.
  3. Komisionet disiplinore janë përgjegjëse për shqyrtimin e ankimeve nga ushtarakët e ndëshkuar me masa të rënda disiplinore. Në përfundim të shqyrtimit Komisioni Disiplinor vendos lënien në fuqi të masës disiplinore, ndryshimin ose shfuqizimin e saj. Vendimi i Komisionit Disiplinor miratohet nga autoriteti përgjegjës i një shkalle më të lartë se ai që ka dhënë masën ndaj së cilës është bërë ankim.
  4. Mënyra e organizimit, funksionimit dhe përbërja e komisioneve disiplinore përcaktohen me rregullore të ministrit të Mbrojtjes, me propozimin e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.

Neni 9

Komisioni i Lartë Disiplinor

  1. Në Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura ngrihet dhe funksionon Komisioni i Lartë Disiplinor, që ka në përbërje jo më pak se pesë oficerë me grada të njëjta ose më të larta se ato të ushtarakut, ndaj të cilit procedohet disiplinarisht. Në rast të procedimit ndaj një ushtaraku me gradë madhore, përbërja e komisionit është jo më pak se tre oficerë me grada madhore.
  2. Nuk mund të jetë pjesë e Komisionit të Lartë Disiplinor autoriteti përgjegjës për dhënien e masës disiplinore, si dhe personi që ka konstatuar shkeljen apo që është prekur në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë prej saj.
  3. Komisioni i Lartë Disiplinor është përgjegjës për shqyrtimin e procedimeve disiplinore për shkelje shumë të rënda disiplinore të kryera nga ushtarakët e Forcave të Armatosura. Në përfundim të shqyrtimit Komisioni i Lartë Disiplinor vendos dhënien ose jo të masës disiplinore.
  4. Vendimi i Komisionit të Lartë Disiplinor miratohet nga autoriteti përgjegjës sipas shkronjave “a” dhe “b”, të pikës 1, të nenit 7, të këtij ligji.
  5. Mënyra e organizimit, funksionimit dhe përbërja e Komisionit të Lartë Disiplinor përcaktohen me rregullore të ministrit të Mbrojtjes, me propozimin e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.

KREU II

SHKELJET DHE MASAT DISIPLINORE

Neni 10

Ndalime të përgjithshme për ushtarakun

Gjatë ose jashtë kryerjes së detyrës/shërbimit, ushtarakut të Forcave të Armatosura i ndalohet: 

  1. mbështetja e fushatës së një partie ose organizate politike apo e një anëtari të një partie politike apo të një kandidati të pavarur, duke marrë pjesë ose kontribuar fizikisht a financiarisht;
  2. ndihma, përkrahja ose pjesëmarrja në aktivitete të organizatave politike, fetare ose jofitimprurëse, gjatë orarit të punës, në vendin e punës ose në mjetet ushtarake, si dhe në rastet kur mban uniformën ushtarake ose shenja të saj;
  3. lejimi i personave nga organizata politike, fetare apo çdo organizatë tjetër jofitimprurëse të bëjnë propagandë në ambientet e Forcave të Armatosura dhe në mjetet që ato disponojnë;
  4. përdorimi, shpërndarja apo vendosja në mjetet ose në ambientet ku shërbejnë Forcat e Armatosura e simboleve apo reklamave të organizatave, politike apo shoqërore, me përjashtim të atyre me karakter humanitar;
  5. ushtrimi i funksioneve i ndikuar nga bindjet e tij politike ose nga interesat personalë ose shoqërorë;
  6. organizimi, nxitja apo pjesëmarrja në grevë;
  7. kryerja e riteve fetare me uniformë në institucionet fetare, jashtë ambienteve të Forcave të Armatosura;
  8. publikimi apo dhënia në media e informacioneve, që lidhen me veprimtarinë e Forcave të Armatosura, si dhe shpërndarja e dokumenteve zyrtare të paklasifikuara, në kundërshtim me procedurat e përcaktuara në aktet ligjore e nënligjore në fuqi;
  9. dhënia ose mundësimi i dhënies së informacioneve me karakter ushtarak, për të cilat ka marrë dijeni gjatë kryerjes së detyrës ose edhe jashtë saj në mënyrë të rastësishme, personave të paautorizuar ose medias, kur nuk përbën vepër penale;
  10. përdorimi i pajisjeve elektronike për regjistrimin dhe/ose filmimin e bisedës me eprorët, vartësit dhe kolegët, për çfarëdolloj arsyeje, pa dijeninë e tyre, kur nuk përbën vepër penale dhe përveç rasteve të parashikuara me ligj;
  11. shprehja e kritikave publike ndaj Forcave të Armatosura, në formë shkresore, elektronike apo verbale, që cenojnë imazhin e institucionit apo personalitetin e ushtarakëve të tjerë të Forcave të Armatosura;
  12. fshehja, ndryshimi ose asgjësimi i dokumenteve zyrtare në formë shkresore ose elektronike;
  13. veprimi në kundërshtim me legjislacionin në fuqi për ruajtjen e administrimin e dokumenteve apo materialeve shkresore, elektronike dhe filmike;
  14. dhënia me dashje e informacionit të gabuar, përveç rasteve të parashikuara nga legjislacioni në fuqi;
  15. shkelja e rregullave të mbajtjes dhe përdorimit të teknikës e pajisjeve të Forcave të Armatosura;
  16. mbajtja dhe përdorimi i armës nga ushtaraku i Forcave të Armatosura në kundërshtim me aktet ligjore e nënligjore në fuqi;
  17. mbajtja e armëve individuale private, me leje, në ambientet ushtarake;
  18. mosraportimi i përdorimit të armës së zjarrit;
  19. veprime që cenojnë dhe ulin figurën e ushtarakëve të Forcave të Armatosura;
  20. mosrespektimi i rregullave të nderimit sipas shkallës hierarkike;
  21. veprime, qëndrime apo shfaqje diskriminuese në bazë etnie, fetare, rrace, krahine, bindjeje politike, fetare a filozofike, gjendjeje ekonomike, arsimore, sociale ose përkatësie prindërore;
  22. moszbatimi i detyrave të dhëna nga eprori i drejtpërdrejtë ose jo;
  23. veprime me dashje të cilat çojnë në paaftësi fizike të vetë ushtarakut, me qëllim shmangien nga detyrat e ngarkuara;
  24. përdorimi i substancave të paligjshme dhe lëndëve narkotike, kur nuk përbën vepër penale;
  25. përdorimi i pijeve alkoolike gjatë punës/shërbimit apo në rastet kur është me uniformë, me përjashtim të aktiviteteve zyrtare;
  26. mosdeklarimi i përdorimit të medikamenteve për arsye mjekësore që krijojnë efekte në sjelljen ose aftësitë fizike të tij;
  27. pirja e duhanit në ambiente të ndaluara me ligj;
  28. dhënia e uniformës me shenjat dhe simbolet dalluese ushtarake, dokumentit të Forcave të Armatosura ose pajisjeve të tjera ushtarake personave të tjerë;
  29. mbajtja e uniformës ushtarake në lokale nate, kazino, lojëra fati dhe në ambiente të tjera të ngjashme me këto;
  30. mbajtja në mënyrë të parregullt, ndryshimi ose keqpërdorimi i uniformës dhe shenjave ushtarake;
  31. publikimi në rrjetet sociale të pamjeve personale apo të çdo efektivi të Forcave të Armatosura me armatim ushtarak;
  32. mungesa, mosparaqitja në shërbim/punë apo largimi nga vendi i  shërbimit/punës, pa arsye të justifikuara deri në 5 (pesë) ditë, për ushtarët dhe deri në 7 (shtatë) ditë, për oficerët dhe nënoficerët;
  33. mosparaqitja në punë apo shërbim jashtë orarit të përcaktuar, kur i kërkohet nga eprorët e tij, pa arsye të justifikuara;
  34. mosrespektimi i orarit të punës;
  35. ushtrimi i dhunës fizike të paligjshme ose tentativa për ushtrim dhune ndaj një personi tjetër, në rastet kur nuk bëhet kallëzim nga i dëmtuari;
  36. ngacmimet seksuale, në formën e orvatjes së padëshiruar seksuale, kërkesë për favore seksuale dhe sjellje të tjera verbale apo fizike të një natyre seksuale, të kryera gjatë ose jashtë orarit të punës;
  37. prishja e qetësisë në njësi ose reparte ushtarake, kur nuk përbën vepër penale;
  38. lëvizja e gabuar nga pakujdesia e teknikës ose mjetit tokësor, detar, ajror nga ushtaraku, kur nuk përbën vepër penale;
  39. përdorimi i automjeteve të Forcave të Armatosura për qëllime private gjatë apo pas kryerjes së detyrës, përjashtuar rastet kur është i autorizuar për këtë gjë;
  40. përdorimi i automjeteve të Forcave të Armatosura, pa dokumentacionin përkatës;
  41. përdorimi i paautorizuar i sendeve personale dhe ushtarake të ushtarakëve të tjerë të Forcave të Armatosura;
  42. shkelja e rregullave të shërbimit, kur nuk përbën vepër penale;
  43. përdorimi i lojërave të bixhozit në ambientet ushtarake, me qëllim përfitimin e vlerave monetare ose materiale;
  44. përdorimi dhe shfrytëzimi i korrespondencës zyrtare për qëllime private;
  45. mosraportimi i shkeljes disiplinore;
  46. rezistenca ndaj procedimit disiplinor ose refuzimi i kryerjes së masave disiplinore;
  47.  dëshmia e rreme gjatë procedimit disiplinor;
  48. përkrahja apo ndihma në kryerjen e një shkeljeje të përcaktuar në këtë ligj ose pengimi apo parandalimi për kapjen, gjykimin a dënimin e ushtarakut, i cili ka kryer një shkelje të dënueshme nga ky ligj;
  49. mosdhënia e ndihmës ushtarakëve të tjerë të Forcave të Armatosura gjatë ushtrimit të detyrës, kur vlerëson se ato kanë nevojë për ndihmë, me përjashtim të rasteve kur kjo ndihmë refuzohet;
  50. mosmarrja e masave të nevojshme për ndërprerjen e shkeljes disiplinore që po kryhet nga vartësit e tij dhe/ose për parandalimin e pasojave të mëtejshme që mund të vijnë prej saj;
  51. kryerja ose moskryerja me dashje e veprimeve a mosveprimeve në kundërshtim me legjislacionin në fuqi që përbën mospërmbushje të rregullt të detyrës.

Neni 11

Klasifikimi i shkeljeve disiplinore

1. Shkelje disiplinore ndahen në këto kategori:

  1. Të lehta;
  2. Të rënda;
  3. Shumë të rënda.
  4. Shkelje disiplinore të lehta janë ato të përcaktuara në pikat 13, 18, 19, 20, 22, 23, 26, 27, 31, 34, 37, 39, 40, 41, 44, 45 dhe 49, të nenit 10, të këtij ligji.
  5. Shkelje disiplinore të rënda janë ato të përcaktuara në pikat 7, 8, 9, 10, 11, 12, 14, 15, 16, 17, 21, 25, 28, 29, 30, 32, 33, 35, 36, 38, 42, 43, 46, 47, 48, 50 dhe 51, të nenit 10, të këtij ligji.
  6. Shkelje disiplinore shumë të rënda janë ato të përcaktuara në pikat 1, 2, 3, 4, 5, 6 dhe 24, të nenit 10, të këtij ligji.
  7. Kryerja e shkeljes së tretë të rëndë disiplinore brenda një periudhe njëvjeçare konsiderohet shkelje shumë e rëndë disiplinore dhe masa e dhënë për këtë shkelje do të jetë në përputhje me masat e dhëna për shkeljet shumë të rënda, sipas pikës 3, të nenit 12, të këtij ligji.

Neni 12

             Masat disiplinore

 

1. Masat disiplinore, që jepen nga autoriteti përgjegjës për shkelje të lehta, janë:

  1. “Qortimi”, e cila është masa që i jepet verbalisht nga autoriteti përgjegjës ushtarakut të Forcave të Armatosura për shkelje të lehta të disiplinës ushtarake;
  2. “Detyra shtesë”, e cila është masa për të kryer detyra të tjera, pa përfshirë punët fizike, që u jepen oficerëve deri në gradën kapiten, si ndëshkim, përveç detyrës së zakonshme. Për nënoficerët dhe ushtarët mund të jepen dhe detyra shtesë me punë fizike. Ushtarakut nuk i jepen detyra shtesë, të cilat përbëjnë rrezikshmëri për jetën dhe  shëndetin e tij ose që cenojnë dinjitetin e tij;
  3. “Punë jashtë orarit”, e cila është masa që u jepet ushtarakëve të Forcave të Armatosura për t’u kryer mbas orarit zyrtar të punës, por jo më shumë se 4 orë dhe pa të drejtë page. Ky dënim nuk mund të jepet në fundjavë dhe në ditët e festave zyrtare. Puna konkrete dhe mënyra e kryerjes së saj përcaktohen nga autoriteti përgjegjës për dhënien e masës. 
  4. Masat disiplinore, që jepen nga autoriteti përgjegjës për shkelje të rënda, janë:
  5. “Vërejtje me shkrim”, e cila është masa me shkrim drejtuar ushtarakut të Forcave të Armatosura;
  6. “Kufizimi i lëvizjes në kufij të përcaktuar”, e cila është masa e kufizimit të lëvizjes fizike të një ushtaraku, brenda kufijve të përcaktuar të repartit, me urdhër të shkruar, por jo më shumë se 72 (shtatëdhjetë e dy) orë. Ushtarakut, të cilit i jepet kjo masë, kryen të gjitha detyrat ushtarake, përveç rasteve kur urdhërohet ndryshe;
  7. “Ndalim disiplinor”, e cila është masa e kufizimit fizik të një ushtaraku brenda mjediseve të përcaktuara për këtë qëllim, me urdhër të shkruar, por jo më shumë se 72 (shtatëdhjetë e dy) orë. Ky mjedis mund të jetë një dhomë, tendë ose kabinë në anije. Ushtarakët gjatë ndalimit nuk kryejnë detyra ushtarake, përveç rasteve të situatave emergjente;
  8.  “Gjobitje në pagë”, e cila është masa e ndalimit të një pjese të pagës pa të drejtë rimarrjeje. Kjo sasi nuk mund të tejkalojë 1/4 e pagës neto mujore.

3. Masat disiplinore, që jepen nga autoriteti përgjegjës për shkelje shumë të rënda, janë:

  1. “Vërejtje me paralajmërim”, e cila është masa me shkrim, e motivuar, drejtuar ushtarakut të Forcave të Armatosura, për lirim nga Forcat e Armatosura;
  2. “Lirimi nga Forcat e Armatosura”, e cila është masë ekstreme e dhënë për shkelje shumë të rënda disiplinore.

4. Të gjitha masat disiplinore, të përcaktuara në pikat 1, 2 dhe 3, të këtij neni, shënohen në dosjen personale të ushtarakut.

5. Masat disiplinore, të përcaktuara në shkronjat “b” dhe “c”, të pikës 2, të këtij neni, nuk mund të jepen ndaj ushtarakëve të seksit femër.

Neni 13

Raportimi i shkeljeve disiplinore

  1. Raportimi për shkeljet disiplinore të kryera nga ushtarakët e Forcave të Armatosura bëhet në repartin, ku ai shërben, nga personeli ushtarak dhe civil që shërben në Forcat e Armatosura si dhe nga çdo individ tjetër, që konstaton shkeljen disiplinore.
  2. Raportimi bëhet sipas një formati standard, i cili miratohet me urdhër të ministrit të Mbrojtjes, me propozimin e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.

KREU III

ECURIA DISIPLINORE

 

Neni 14

Ecuria disiplinore

  1. Me ecuri disiplinore kuptohet gjithë veprimtaria që kryhet, që në momentin e vënies në dijeni me shkrim të personit që pretendohet se ka kryer shkeljen deri në marrjen e një vendimi për ndëshkimin disiplinor ose mosndëshkimin e tij.
  2. Në përcaktimin e masës disiplinore të ushtarakut të Forcave të Armatosura merren parasysh koha, vendi, shkaqet, rëndësia e shkeljes, shkalla e fajësisë, rrethanat lehtësuese e rënduese, si dhe pasojat e shkeljes disiplinore.
  3. Autoriteti përgjegjës, sipas nenit 7, të këtij ligji, merr vendim për dhënien ose jo të masës disiplinore brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e njoftimit të fillimit të ecurisë disiplinore. Për raste komplekse, ky afat mund të zgjatet nga autoriteti përgjegjës, por, në çdo rast, jo më shumë se 15 (pesëmbëdhjetë) ditë. Zgjatja e afatit bëhet me shkrim dhe i  njoftohet edhe ushtarakut, ndaj të cilit ka filluar procedimi disiplinor.
  4. Për çdo shkelje jepet vetëm një masë disiplinore.

Neni 15

Të drejtat e ushtarakut gjatë procedimit disiplinor

  1. Me fillimin e ecurisë disiplinore ushtaraku vihet në dijeni, me shkrim, për elementet e procedimit disiplinor të nisur ndaj tij.
  2. Ushtaraku, ndaj të cilit ka nisur procedimi disiplinor, ka të drejtë të dëgjohet nga autoriteti përgjegjës ose komisioni disiplinor përkatës si dhe të parashtrojë prova dhe fakte në lidhje me pafajësinë e tij.
  3. Të drejtën për t’u dëgjuar dhe për të parashtruar prova e fakte ushtaraku e ushtron personalisht.
  4. Në rastet e procedimeve për shkelje shumë të rënda disiplinore, të drejtën për t’u dëgjuar dhe për të parashtruar prova e fakte, ushtaraku e ushtron vetë ose nëpërmjet një përfaqësuesi ushtarak të zgjedhur prej tij. Nëse nuk është në gjendje të gjejë një përfaqësues, bën kërkesë me shkrim tek autoriteti përgjegjës ose komisioni disiplinor përkatës, i cili i cakton një përfaqësues ushtarak të profilit jurist për mbrojtjen e tij.

Neni 16

Rrethanat lehtësuese

  1. Rrethana lehtësuese gjatë kryerjes së një shkeljeje disiplinore konsiderohen:
  2. mungesa e përvojës në punë të ushtarakut të Forcave të Armatosura;
  3. kryerja e shkeljes për herë të parë;
  4. vlerësime dhe rezultate të mira në punë;  
  5.  sjellja korrekte e ushtarakut.
  6. Në rastet e kryerjes së një shkeljeje në kushtet e rrethanave lehtësuese, ushtaraku i Forcave të Armatosura ndëshkohet me masën më të lehtë të kategorisë konkrete.

Neni 17

Rrethanat rënduese

  1. Rrethana rënduese gjatë kryerjes së një shkeljeje disiplinore konsiderohen:
  2. kryerja e shkeljes disiplinore në publik;
  3. përsëritja e shkeljes përkatëse ose e shkeljeve të tjera;
  4. ndëshkimi i mëparshëm me masë disiplinore;
  5. përvoja e punës, të paktën dy vjet, në atë shërbim;
  6. ardhja e pasojave prej shkeljes disiplinore;
  7. vlerësime dhe rezultate jo të mira në punë;
  8. kryerja në të njëjtën kohë e më  shumë se një shkeljeje disiplinore;
  9. kryerja e shkeljes disiplinore në bashkëpunim;
  10. kryerja e një shkeljeje disiplinore gjatë kohës që është duke vuajtur dënimin për një tjetër shkelje disiplinore;
  11. kryerja e një shkeljeje disiplinore gjatë kohës që është në procedim disiplinor për një shkelje tjetër disiplinore;
  12. kryerja e shkeljes disiplinore në situatë lufte si dhe në mision apo stërvitje jashtë vendit.
  13. Në rastet e kryerjes së një shkeljeje disiplinore në kushtet e rrethanave rënduese, ushtaraku i Forcave të Armatosura ndëshkohet me masën më të rëndë të kategorisë konkrete.

Neni 18

Pezullimi disiplinor

  1. Pezullimi disiplinor i ushtarakut nis nga momenti i njoftimit të fillimit të ecurisë disiplinore për shkelje të rënda dhe shumë të rënda disiplinore, deri në dhënien e vendimit, me qëllim mospengimin e procedimit disiplinor si dhe parandalimin e kryerjes së shkeljeve të tjera.
  2. Pezullimi nga detyra nuk përbën ndëshkim disiplinor.
  3. Pezullimi jepet me shkrim, rast pas rasti, nga autoriteti përgjegjës, sipas nenit 7, të këtij ligji.
  4. Ndaj ushtarakut të Forcave të Armatosura që pezullohet nga detyra, autoriteti përgjegjës mund të vendosë gjatë periudhës së pezullimit një ose më shumë nga kufizimet e mëposhtme:
  5. Heqjen e së drejtës për të hyrë i pashoqëruar në ambientet e Forcave të Armatosura;
  6. Heqjen e së drejtës për të mbajtur pajisjet personale të punës;
  7. Heqjen e së drejtës për të pasur akses në materialet me informacion të klasifikuar.

Neni 19

Parashkrimi i masës disiplinore

  1. Masa disiplinore nuk mund t’i jepet një ushtaraku të Forcave të Armatosura, nëse shkelja nuk është zbuluar brenda 12 (dymbëdhjetë) muajve nga kryerja e saj.
  2. Në rast të kryerjes së shkeljeve shumë të rënda disiplinore, masa nuk mund të jepet, nëse nuk është zbuluar brenda 24 (njëzet e katër) muajve nga kryerja e saj.

Neni 20

Ndërprerja e masës disiplinore

  1. Masat disiplinore “kufizimi i lëvizjes në kufij të përcaktuar” dhe “ndalim disiplinor” mund të ndërpriten nga autoriteti përgjegjës sipas nenit 7, të këtij ligji, kur nga momenti i ekzekutimit të masës ka kaluar jo më pak se një e treta e afatit të shlyerjes së saj.
  2. Në urdhrin për ndërprerjen e masës disiplinore, autoriteti përgjegjës sipas nenit 7, të këtij ligji, duhet të argumentojë arsyet për heqjen e saj.

Neni 21

Rehabilitimi

Rehabilitohen:

a) ushtarakët e Forcave të Armatosura, ndaj të cilëve është marrë një masë e lehtë disiplinore, sipas përcaktimeve të pikës 1, të nenit 12, të këtij ligji, dhe që për një periudhë 6-mujore nuk kanë kryer asnjë shkelje tjetër disiplinore. Në përfundim të kësaj periudhe masa disiplinore hiqet nga dosja personale e ushtarakut;

b) ushtarakët e Forcave të Armatosura, ndaj të cilëve është marrë një masë e rëndë disiplinore, sipas përcaktimeve të pikës 2, të nenit 12, të këtij ligji, dhe që për një periudhë 1-vjeçare nuk kanë kryer asnjë shkelje tjetër të rëndë disiplinore. Në përfundim të kësaj periudhe masa disiplinore hiqet nga dosja personale e ushtarakut.

Neni 22

Veprimet procedurale

Veprimet procedurale që nga konstatimi i shkeljes deri në dhënien e vendimit përfundimtar për dhënien ose jo të masës përkatëse nga autoriteti përgjegjës sipas nenit 7, të këtij ligji, përshirë dhe afatet për përgatitjen e mbrojtjes, përcaktohen me udhëzim të ministrit të Mbrojtjes, me propozimin e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.

Neni 23

Ankimi për masat disiplinore

  1. Ankimi për masat e lehta disiplinore, të dhëna nga komandantët në nivel toge,  kompanie ose batalioni, bëhet tek eprori i drejtpërdrejtë i autoritetit përgjegjës që ka dhënë masën disiplinore.
  2. Për masat e lehta disiplinore, të dhëna nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, nga komandantët e forcave dhe strukturave mbështetëse si dhe ato të strukturave të varësisë së Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, nuk lejohet ankimi.
  3. Ankimi për masat e rënda disiplinore, të dhëna nga komandantët në nivel batalioni, bëhet te komandanti i forcës apo strukturës mbështetëse përkatëse.
  4. Ankimi për masat e rënda disiplinore, të dhëna nga komandantët e forcave dhe strukturave mbështetëse apo strukturave të varësisë së Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, bëhet te Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.
  5. Ankimi për masat e rënda dhe shumë të rënda disiplinore, të dhëna nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, bëhet drejtpërdrejt në gjykatë.
  6. Ankimi për masat e dhëna nga ministri i Mbrojtjes, Kryeministri dhe Presidenti i Republikës bëhet drejtpërdrejt në gjykatë.
  7. Ankimi në rrugë gjyqësore për masat disiplinore bëhet vetëm pas ezaurimit të ankimit administrativ, me përjashtim të rasteve të përcaktuara në pikat 5 dhe 6, të këtij neni.
  8. Ankimi administrativ për masat disiplinore bëhet brenda 10 (dhjetë) ditëve nga momenti i marrjes dijeni për masën e dhënë.
  9. Autoriteti përgjegjës, tek i cili bëhet ankimi, merr vendim brenda  30 (tridhjetë) ditëve nga data e marrjes dijeni për ankimin.
  10. Ankimi administrativ për masat e rënda disiplinore pezullon ekzekutimin e masës deri në marrjen e vendimit nga autoriteti përgjegjës. Bën përjashtim nga ky rregull ankimi ndaj masës disiplinore të përcaktuar në shkronjën “c”, të pikës 2, të nenit 12, të këtij ligji.

KREU IV

DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT

Neni 24

Nxjerrja e akteve nënligjore

Ngarkohet ministri i Mbrojtjes për nxjerrjen e akteve nënligjore në zbatim të të neneve 8, pika 4, 9, pika 5, 13, pika 2, dhe 22, të këtij ligji.

Neni 25

Shfuqizime

Ligji nr.9183, datë 5.2.2004, “Për disiplinën ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, shfuqizohet.

Neni 26

Aktet nënligjore në fuqi

Aktet nënligjore, të nxjerra para datës së hyrjes në fuqi të këtij ligji dhe që nuk bien në kundërshtim me të, do të zbatohen deri në nxjerrjen e akteve nënligjore në zbatim të këtij ligji.

Neni 27

Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E T A R I

ILIR META

***

V E N D I M

PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT PËR RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE  TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË HUNGARISË, PËR SHKËMBIMIN DHE MBROJTJEN E NDËRSJELLË   TË INFORMACIONIT TË KLASIFIKUAR

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Propozimin e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Hungarisë, për shkëmbimin dhe mbrojtjen e ndërsjellë të informacionit të klasifikuar”, për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

***

P R O J E K T L I GJ

PËR

RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT  TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË HUNGARISË, PËR SHKËMBIMIN DHE MBROJTJEN E NDËRSJELLË TË INFORMACIONIT TË KLASIFIKUAR

Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 121, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë 

V E N D O S I:

Neni 1

Ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Hungarisë, për shkëmbimin dhe mbrojtjen e ndërsjellë të informacionit të klasifikuar.

Neni 2

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E T A R I

ILIR META

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.